“Atentatet” e Ibrahim Kelmendit, vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, fillimet e lëvizjeve ilegale të Kosovës për çlirim

0
Ibrahim Kelmendi - Atentatet

[ Shkarko librin në PDF: “Atentatet” e Ibrahim Kelmendit ]

Arben Çokaj - gazetar
Arben Çokaj – gazetar

Arben Çokaj

Ibrahim Kelmendin e kam njohur në vitin 1991-1992 gjatë një organizimi proteste studentore nën titullin “Me Kosovën, për Kosovën“, që u zhvillua në Tiranë, me iniciativën e Unionit Studentor, ku unë isha nënkryetar. Nuk kisha absolutisht asnjë njohje për Lëvizjen ilegale të shqiptarëve të Kosovës, në përpjekjet e tyre për liri nga pushtuesi serb.

Ishte një nga protestat e para të fuqishme, që u bë në atë kohë në Tiranë në mbështetje të Pavarësisë së Kosovës. Ibrahimi ishte një nga krerët e LPK-së (Lëvizjes për Republikën e Kosovës) në Perëndim (Gjermani). Dhe në atë kohë të hapjes së Shqipërisë, si duket, këta filluan edhe organizimet në Shqipëri dhe hodhën bazat e para edhe të organizimit ushtarak, për të cilin kishin punuar me kohë.

Pas kryerjes me sukses të kësaj proteste në Tiranë dhe jehonës së saj, na u tha nga Sali Berisha, se nuk duhej të merreshim më me Ibrahimin, pasi ai dyshohet se ka dorë edhe në vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës më 17 janar 1882 në Untergrupenbach, Gjermani. Këtë informacion, Saliu e kishte marrë me sa thuhej nga njerëzit e Rugovës.

Atentati ndaj vëllezërve Gërvalla dhe Sadri Zekës

Pamje nga atentati ndaj vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës. Bardhoshi e Kadriu mbetën të vrarë në vend, kurse Jusuf Gërvalla, siç e sqaron në një tregim edhe Ismail Kadare, u plagos rëndë dhe shkoi gjallë në spital, por atje ishte një kirurg serb, që ia mori jetën…

Dihej se LDK e Rugovës ishte një parti demokratike dhe në luftën politike në Kosovë, LDK i kishte konkurrentë politikë këta të lëvizjeve ilegale, LPK-së, por edhe konkurrentë ideologjikë, se këta kishin një orientim majtist në platformën dhe organizmin e tyre.

Jusuf e Bardhosh Gërvalla - Kadri Zeka

Por edhe veprimtaria e hershme e Ibrahim Kelmendit, si një ‘ujk i vetmuar‘ në fillim, në përpjekje për organizime ilegale të diasporës shqiptare në Perëndim, si dhe problematikat dhe rrezikshmërinë e saj, që në vitet e fundit 1970-të e fillimet e viteve 1980-të, kundër Jugosllavisë së Titos e Serbisë, kishte hijet e veta padyshim, për shkak të natyrës së saj kompleksive dhe veprimtarisë së UDB-së kundër tyre, që nuk do të kuptohen kurrë.

Ibrahim Kelmendi me romanin e tij historik hedhë dritë mjeshtërisht mbi këto ngjarje të asaj kohe, që e bashkëshoqëruan atë, ku ndërthuret bashkëpunimi i tij me Jusuf Gërvallën e shokë, botimi i gazetave Bashkimi e Lajmëtari i Lirisë e më pas Zëri i Kosovës, dhe aktiviteteve të tjera organizative në atë kohë, që çuan edhe deri te atentatet ndaj tyre. Por Ibrahimi mbeti gjallë, ky ishte fat apo zgjuarsi e tij, në atë periudhë të vështirë për ta, por kjo ka ngjallur edhe dyshimet e veta te kundërshtarët e tij, pse Ibrahimi shpëtoi pas gjithë atij aktiviteti, mos ishte edhe ky ndonjë agjent i futur në lojë nga shërbimet sekrete, apo e shpëtoi rastësia, apo bashkëpunimi i tij me gjermanët, e ndoshta edhe me BND-në gjermane (shërbimi sekret gjerman), të cilët e orientuan dhe e mbrojtën atë?!

Romani përshfaqet në dy plane, që kanë të bëjnë me jetën e Miran Bruçajt, personazhi kryesor në roman, që përfaqëson rolin e Ibrahim Kelmendit në këtë kohë. Në njërin plan kemi aktivitetin me Jusufin dhe atdhetarët shqiptarë, dhe në planin tjetër, jeta e tij si student, marrëdhëniet e tij disi të habitshme me Renatën, vajzën e pasur dhe të zgjuar gjermane, që bie në dashuri platonike me Miranin, do që të martohet me të, por Mirani e shtyn, tërhiq e mos e këput, për arsye që nuk bëhen fort të qarta në libër, ngaqë autori ka dashur t’i paraqesë ashtu, apo ashtu ka qenë e vërteta, kjo nuk merret vesh lehtë.

Mirani shkonte në Berlinin Lindor dhe blinte libra atje për marksizëm-leninizmin, të cilët i shpërndante apo i shiste. Një herë blen 50 kg. libra dhe i ndodhë një incident, thotë se i ka të dhuruara librat nga një zonjë, por nuk e mbante mend as emrin e saj, e kështu policia gjermano-lindore e arreston. Një oficer gjerman i shkon në burg dhe e liron, pasi ai kishte respekt për Enver Hoxhën, i cili sipas tij ishte trim, se e shkëputi Shqipërinë nga Bashkimi Sovjetik, por Gjermania Lindore nuk po mundej…

Renata tregohet në libër si një vajzë që bie në dashuri, merret me Miranin, e fton të shkojë në familjen e saj, por Mirani si ‘trangull’ i pagdhendur Kosove, e ka hallin më shumë te lëvizja për liri, se te dashuria… dhe përfundon të merret me disa trapa e fuksa të UDB-së e njerëz pa kulturë, që donin të përfitonin në emër të patriotizmit. Mirani e konsideron veten të mirë, prandaj ka zgjedhur edhe atë emër, por zihet me të gjithë, me atë humorin e tij disi të papërmbajtur, dhe punon nëntokë si mbiemri i tij, si bruç.

Jeta në konviktin katolik dhe Renata, vajza gjermane e dashurisë ideale e pa kushte

Vështirë të gjesh një vajzë ideale si Renatën, prandaj edhe personazhi i saj është paksa i pabesueshëm, ose autori e ka stilizuar vajzën gjermane në atë formë. Marrëdhëniet e saj me Miranin janë aq të ngushta sa ai ka dhënë asaj edhe çelësin e dhomës së tij në konvikt. Por nuk kanë marrëdhënie seksuale me njëri-tjetrin, edhe pse Renata e fton të shkojë në familjen e saj dhe synon edhe të martohet me të. Por Mirani, si njeri i mirë që është, as nuk bën seks me të. Ja si e përshkruan ai këtë situatë të çuditshme:

Ky ngurronte dhe nuk e prekte vajzën gjermane, nga frika se po bën mëkat… :p Dilnin mbrëmjeve dhe shëtisnin bashkë në hapësirat përreth konvikteve dhe kapeshin përdore, ishin aq afër me njëri-tjetrin, por nuk putheshin… Një dashuri e habitshme, platonike…

Renata në përshkrimin e Miranit, ishte vajzë e bukur, e pasur dhe e zgjuar. Cila ishte arsyeja pra, që Mirani u bllokua seksualisht me të dhe nuk ia dha asaj kënaqësinë, që ajo po e kërkonte?! ‘Frika se mos e linte atë vejushë’ – i tha ai në një moment, në përpjekjen e tij për lirinë e Kosovës, ai edhe mund të vritej… Apo Mirani kishte shkuar me Renatën, por nuk do ta pranoijë këtë në rioman? Se është tepër e habitshme, nëse nuk e ka bërë.

Kur ajo shkon një ditë në dhomë, gjen një pusull letre nën derë nga Marta, studentja polake pasuniversitare, e cila i kërkonte seks Miranit, se po digjej aty, pa burrë…

Kjo kërkesë Miranit i vjen, pasi kishte biseduar një ditë me Martën, dhe ajo edhe pse e martuar e besimtare katolike, donte të rebelohej, donte rrush, që Mirani nuk po ia jepte…

Nisur nga këto biseda me Miranin, Renata i thotë atij, se edhe vajza të tjera po shikojnë të krijojnë marrëdhënie me të.

Dhe Mirani i shkretë e kupton, se është ‘trangull’ Kosovë i pafat, si e humbi shansin me Martën ashtu, ngaqë nuk ishte atë natë në dhomë, duke u marrë me lëvizje shqiptare, e sa e sa shanse të tjera humbi ai…

Dhe romani kalon nga jeta studentore te jeta e Miranit me shqiptarët, me Jusufin, Bardhoshin e Kadri Zekën, Vasilin, etj. Mirani e kishte më të avancuar se Jusufi dyshimin te njerëzit, që hiqeshin patriota dhe ishin dorë e zgjatur e UDB-së. E për këtë debatonin herë pas here, në një rast, Mirani i tregon Jusufit për një vajzë që kishte ardhur me një grup muzikor – artistik, për të dhënë shfaqje në Gjermani, dhe përdhunohet barbarisht nga një i dërguar i UDB-së, që shoqëronte grupin. Ai ia jep letrën Jusufit që ta lexojë dhe Mirani mallkon fatin e tij të keq, se si i iku doret një ‘zogëz’ e mirë nga Kosova.

Punonjësi i UDB-së i çon në familje policinë vajzës, që po i rezistonte dhe i terrorizonm ata, dhe nga frika se mund t’ia arrestonin prindërit, vajza detyrohet, sipas saj, të dorëzohet, dhe udb-ashi e përdhunon… Këto gjëra, ajo ia sqaron me një letër, që ia dërgon përmes një të afërmi të saj Miranit…

Edhe Jusufi qan duke lexuar letrën e kësaj vajze fatkeqe, ashtu si kishte qarë Mirani, dhe në një moment, Jusufi i thotë Miranit, se pa viktima, pa arrestime, nuk krijohen kushtet që populli i Kosovës të ngrihet dhe të fitohet liria:

Me 17 janar 1982, ndërsa Mirani me Suliotin u larguan nga shtëpia e Jusufit dhe shkuan për të parë një film shqiptar në klubin ‘Emin Duraku’ në Dyseldorf, ku Mirani do të fliste para bashkëatdhetarëve, ndodhi edhe fatkeqësia. Jusufi, Kadriu e Bardhoshi u vranë barbarisht, ndërsa po hynin në makinë, për të shkuar te një kabinë telefonike, për të folur me Sarandën, nusen e Kadriut, me të cilën ishte martuar para 2 javësh, me 2 janar…

Atë ditë, kishin rënë dakord që tre grupe ilegale që kishin, të bashkohen. Por shqiptarët në shërbim të UDB-së, konkretisht, Rezil Mejtepi (Riza Salihunga Mushitishti i Suharekës), një hoxhë që bashkëjetonte me një serbe, e ka kryer këtë vrasje makabre, sipas Miranit. Kanë qenë dy vetë, shqiptarë ka mundësi, që e kanë kryer atentatin dhe në fotot fantazmë të policisë, të krijuara nga përshktrimi i fqinjit gjerman, që kishte parë ngjarjen në errrësirë, njëri nga atentatorët, i gjatë, i ngjan Rezilit.

Situata rëndohet shumë nga kjo vrasje e trefishtë, dhe në bisedë me kryehetuesin Majer, Mirani kupton se eprori i tij nuk donte që ta zbardhte këtë çështje, dhe se policia kishte vënë përgjues në çdo dhomë të shtëpisë së Jusufit e Bardhit. Në bisedë me Rebekën, Mirani zbulon edhe dyshimin e tij, se organet e shtetit gjerman dhe shërbimet sekrete bashkëpunojnë me ato jugosllave dhe mundet se nuk do e zbardhin këtë çështje.

Edhe Rezil Mejtepi (në të vërtetë Riza Salihu), që u arrestua, shpëtoi nga alibia, sikur ai kishte qenë atë mbrëmjen e atentatit te motra e tij e martuar. Por nipërit e tij thonin se nuk ka qenë, e meqë ishin fëmijë, hetuesia gjermane nxorri pretendimin se dëshmia e tyre nuk mund të përdoret në gjykatë.

Organizimet shqiptare në diasporë vazhdonin të ishin përtokë, për shkak të frikës nga UDB. Ajo shfaqet përmes personazheve shqiptare, që merren me lëvizjen dhe silllen çuditshëm. Mirani ngado ku shkonte krijonte probleme, per shkak të karakterit të tij – ai ua plaste në sy, ose i provokonte ata që merreshin me lëvizjen, kur kishte dyshime se ishin lojë e UDB-së, kështu zihehj me Xhabirin, apo me Sabri Novosellën, që në libër e quan Sabit Katunriu.

Mirani shkoi edhe në Amerikë, të shikonte organizimet atje. Rrugës për atje, në aeroport të Brukselit pa një vajzë malësore shqiptare. Dhe kur shkoi atje vuri re se katolikët malësorë shqiptarë ishin më të civilizuar në krahasim me muslimanët. Ata rrinin për dreka e darka bashkë me gratë kur hanin dhe gratë e shtëpisë flisnin më lirshëm me njerëzit e miqtë. Por nuk i pëlqeu jeta në Amerikë dhe u kthye. Vizita e Miranit atje nuk shkoi pa incidente.

Kur u kthye pati një debat me Xhabirin, i cili gënjente dhe ky e kapi mat. Por u pajtuan përsëri. Në fund, tre vjet pas atentateve, Mirani ia arriti të mbante një fjalim, në formë bashkëbisedimi me tre heronjtë e rënë për liri në varrezat e Shtutgartit. Kjo tregon se Mirani e kapi veten me mbështetjen e disa refugjatëve të rinj të ardhur nga Kosova.

Jusufi ishte një intelektual, por kishte respekt për Enver Hoxhën, si drejtues i shtetit shqiptar. Një herë i lutet atij me një letër, që t’ua dërgojë disa të holla, rreth 10 mijë dollarë, për të blerë një makinë shkrimi, me të cilën bënin gazetën Lajmëtari i Lirisë, e më pas Zëri i Kosovës. Dhe Enveri ua dërgoi…

Lëvizjet për liri të shqiptarëve të Kosovës ishin në format e para të organizimit të tyre dhe frika e terrori serb nga UDB ishin gjithmonë të pranishme. Ata nuk dinin ndryshe, ishin lëvizje të majta, shpesh të manipuluara, por kulmuan me krijimin e UÇK-së dhe e arritën qëllimin e tyre, me mbështetjen amerikane e Perëndimore dhe e çliruan Kosovën.

Po cili ishte roli i Ibrahim Kelmendit në gjithë këtë histori? Në fakt ai luajti një rol të madh për aq sa diti, e aq sa mundi. Nuk vuri pseudonim kurrë, edhe pse katolikët e Amerikës e thirrnin me humor: Palokë. Fati e ndihmoi të mbetej gjallë në ato kohë të vështira edhe pse flitet se UDB dha para për ta likuiduar atë.

Ibrahimi tregonte në postimet e tij në Facebook se si Sabri Novosella kishte marrë 1 milon dollarë ndihmë nga shteti shqiptar i asaj kohe, për aktrivitetin ilegal (Më vonë, Ibrahimi e merr vesh nga punonjës të Shërbimit Sekret shqiptar, se shuma e dhënë nga shteti shqiptar i asaj kohe, për organizimet ilegale në Kosovë, ishte 2 milion USD). Po ashtu, ai tregonte se një të dërguari të Hashim Thaçit i pati dhënë 500 mijë Euro fonde për ndihmë të UÇK-së, dhe ai hapi rrjetin e shitoreve ‘Jyske Sengetøj’ në Shqipëri, Kosovë e më gjerë, me pajisje për zyra e shtëpi e dhoma gjumi daneze. Po Ibrahimi vetë, a mbajti ndonjë shumë nga fondet, që kishte mbledhur në emër të lirisë? Këtë e di vetëm ai…

Duke biseduar në Facebook me Qerimin, vëllain e ndjerë tashmë të Ibrahimit, ish- luftëtarin e UÇK-së, ai më thoshte se Ibrahimi kishte rol më të madh se Rugova. Dhe unë e kundërshtoja duke i thënë se Rugova doli hapur, me një parti demokratike, dhe ia arriti në fund të bëhej President i Kosovës. Kurse Ibbraim Kelmendi iu kushtua nëntokës, lëvizjeve ilegale të asaj kohe dhe sado sukses të kenë, ato kanë gjithmonë hijet e tyre të dyshimit.

Libri “Atentatet” ia vlen të lexohet, dhe ndodh që lexohet me një frymë.

[ Shkarko librin në PDF: “Atentatet” e Ibrahim Kelmendit ]

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.