Emrije Krosi
Kuptimi dhe krijimi i konceptit të poezisë, përmes rotrespektivës, (kthim pas në botën poetike), evidenton ekzistencën e saj poezie (por edhe vetë poetit në një kohë tjetër), i qasemi mes dy rrafsheve:
- rrafshi i parë: dimensioni i ekzistencës njerëzore brenda dy kohëve (e shkuara/e tashmja),
- rrafshi i dytë: dimensioni i ekzistencës së realitetit fizik, që lidh lexuesin e bashkohësisë dhe të gjeneratave të shkuara.
Arketipet poetike nuk “vjetërohen”, veçse mundësojnë forma dhe modele të reja të rimodelimit të arsyes dhe perceptimit të ri, të shprehurit poetik, përmes dy marrëdhënieve:
- marrëdhënia e poezisë me autorin,
- marrëdhënia e poezisë me lexuesin (në dykohësi), ku semantika personale jep shumëçka
mbi terrenin kulturor dhe letrar (Vinca: 1985: 26), kur është shkruar poezia. Kur fillon të lexosh një poezi, një lexues model sipas Eco-s, futet brenda poetikës, por edhe në të gjitha rrafshet semantike të saj, duke formësuar edhe një lloj “shtrese fonologjike” individuale të autorit. Lexuesi si kategori estetike, krijon edhe mjedise mikroestetike dhe kompoziocionale, ku elementi autorial kushtëzohet me kompetencën e lexuesit si një binom (Kerkering: 2003: 30).
Duke patur parasysh materien shkrimore, stilistikën dhe jetëshkrimin e autorit në kohë të ndryshme, nëpërmjet karakterit estetiko-filozofik, përmes simbolikave kontekstuale, vjen para lexuesit të sotëm, përmbledhjen me poezi “Anatomia e brymës” (Dibrani: 2013).
* * *
Ky vëllim poetik i Shefqet Dibranit është e ndarë në 5 (pesë) libra:
- Libri i parë: “ Larg pikon hëna”, spikat një strukturë e imazheve të poezisë në fushën e
“kërkime individuale”, që lidhet gjithmonë me situatat e jetës, me situatat personale, që përfundojnë, me projeksione kombëtare. Vargjet: shkoi një vit/ dy/ tre/ Edhe sa do të shkojnë/ Kush ma thotë/ Edhe sa do të shkojnë/ E unë i gjallë të digjem /Në burgun pa mure/ pa tela/ pa roje në mërgim rrjedhin vitet, ku atdheu përkufizohet përmes linjës autoriale por edhe me domenet e mëvetësisë së vendlindjes.
Kontrata shoqërore me poetin, lidhet me dëftimin apo edhe me simbolikën e komunikimit, se poezia në rrafshin e saj shoqëror, nuk është vetëm një hipotezë verbale e dëshirës dhe (pa)dëshirës së (pa)kryer të një mërgimtari. Poezia “Larg”, me vargjet: larg të afërmve në perëndim/ Jeta ik e unë ndiq/ Malli këtu e unë atje/ Atje tek uji i ftohtë i Llapit/ Që s’e shuan vullkanin e mallit/ Po gjer kur gjer kur/ Larg do të më jetë vendlindja/ Sytë e mi mbetën kah Dardania.
Metodaa realiste, si një funksion social i letërsisë, “prodhon” edhe ndërgjegjësimin, si fakt interesant për një poezi jo vetëm në kohën e shkuar por edhe në bashkohësi, që nuk janë më fakte kundërshtare por plotësuese (Fraj: 1990: 76).
- Libri i dytë: “Pse e urrej Kadarenë”, prezenca autoriale pëson një zhvendosje, duke e
lidhur poezinë me një lloj shumëllojshmërie dhe kompleksiteti, me një grup ndërveprimi mes imagjinatës krijuese, ku logjika e brendshme e artit ka një “fiksion suprem” e cila operon përmes burimit të shumë formave, sidomos të kushtimeve të miqve të tij poetë si: Kadare, Mekuli, Agim Spahiu, Naim Kelmendi etj., me poezi të tilla si: “Pse e urrej Kadarenë”, “Censura”, “Fotoreporteri”, “Kodra e trimave”, “Daulinë në përgjërim”, “Portrete”, etj., por edhe poezi si: “Mesazhi”, “Azilanti”, “Metamorfoza” “Shqipëria etj.
Poezia “Metamorfozë”, është metamorfoza e fshatarit të kohës, por edhe të sotëm. Alegoria e shëndërrimit në dykohësi, nuk e fsheh surrealizmin dhe ekzistencializmin e një poetike të dukshme moderniste në gjuhë (Hopkins: 2020: 9), me vargjet: ata si shushunja/ i thithnin fshatarit gjakun/ këta të kohës/ medet medet/ i shtynë fshatarët/ shushunjave gjakun t’ua pinë.
Metamorfoza, vjen si përjetim i fenomenit të dhembjeve dhe momenteve të caktuara, që i njohim përmes artin të të shkruarit, të vetë shëndërrimit të shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe asaj kosovare në veçanti. Metamorfoza lidhet edhe me “strukturat e thella” poetike, me një sërë variantesh që ka e njëjta strukturë bazë propozicionale dhe leksikore, si forca gjeneruese e poezisë moderne (Slater: 1997: 17).
Edhe diptikët, në këtë libër sillen nga poeti, si imazhe të tekstit të (pa)lirisë: liri po vonon shumë/ s’kam nge të të pres, se liria është e “supozuar” në imazhin e pritjes së autorit. Ajo shfaqet si mungesë (për njerëzit që u mungon liria) dhe tepri, për vendet që ajo herë-herë quhet abuzive.
- Libri i tretë: “Ditar mërgimi”, vetë togfjalëshi tregon për dhimbjen e detyruar të
poetit që të mërgojë në Zvicër, për arsye sigurie. Në poezinë “Studio mërgimtari”, vargjet: rri në mur një kartolinë me peizazhe atdheu/ Copëza gazetash mbi tavolinën e bukës/ Varur rrobat e trupit në ndryshkun e viteve/ Kundërmojnë djersën e dhembjes sikurse enët e palara/ Që presin duart me kakusha ushqimin e ri ta gatuajnë, poeti nuk përdor mekanizma gjuhësore, për të përcjellë domethënien poetike, duke “maskuar” realitetin.
- Libri i katërt: “Strehët e gjakut” me vargjet: pikat e gjakut/ Quk-quk zhbirojnë gurët në
themelet e kullave shekullore/ pa pikë fryme shurdhër ranë mbi dhé/ thika e përgjakur qëndrueshëm rri/ në dorën e farës së gjinisë me rrënjë tekanjoze, duke ndërtuar një epope të gjakut dhe dhembjes, si mekanizëm shenjues të teorisë semiotike, përtej trukturave nënkuptuese (Riffaterre: 1978: 20).
Kryemetaforat si: [gjaku / barbarët / atdheu / muzgu / kafkat / maskat / varret / dhuna / dimrat / tragjedi / përgjakje / baladë], kanë ndërtuar një semiotikë të qëndresës, dhembjes, vdekjes, dhunës, luftës, lirisë, me emrat e dëshmorëve si: Ramadani dhe Pajaziti etj., ku portreti i përgjakur i heroit, as nuk hiperbolizohet por as nuk mitizohet: barbari të kishte zënë pritë në rrugën përbri shtëpisë/ krisma të shkurtra shurdhët u dëgjuan. Ky cikël poetik, na kumton këtë strukturë:
- strukturën materiale që gjeneron teksti,
- strukturën potenciale të imazheve,
- strukturat sipërfaqësore që gjenerojnë matricat poetike,
- strukturat individuale dhe socio-kolektive,
- kuptimet simbolike me referenca mimetike, dhe me shumë referenca ekstratekstuale
(Culler: 2002: 34 ), që gjenerojnë matrica të pafundme. Ndërtimi përmes gjendjeve hipnotike, si në aktin e krijimit ashtu edhe në atë të receptimit, është një lloj “sui generis”, se poezia lexohet dhe shijohet, si njësi e unitetit tekstor, por interpretimi ka jo pak vështirësi.
Poema “Poema e ardhmërisë” ose “Kënga e jetës”, prej 25 pjesësh me vargjet: përgjakja e ditës në betejë/ Lakuriq ka dalë për fushë/ Nga errësira e shëmtuar/ Është kjo kënga e jetës […] Një shekull dhe një brez/ për veten fola sa munda/ ha…ha…haaaaaaaaaaaa lidhet me ironinë “vrastare” të jetës, përmes gjakut, (duke përmbysur mitin biblik të gjakut të Krishtit). Poeti me shumë përgjegjësi, tejkalon të gjitha energjitë që janë jashtëzakonisht trans/ progresive, bashkë me energjitë e fshehura duke mposhtur fuqitë e errësirës (Blake:1982: 86).
- Libri i pestë: “Ëndërr e njëjtë, tokë tjetër” është pothuaje një libër më vete, pasi poeti
shpalos individualitetin e tij. Egoja dhe Uni, vijnë pas tematikave të “forta” ku emigranti politik, i kanalizon shqetësimet e tij për atdhun, në tre kohë:
- koha e shkuar: atdheu nën presionin e dhunës së huaj,
- koha e tashme: atdheu nën “presionin e vetvetes”,
- koha e ardhme: atdheu si pjesë e njësisë së kohës së humbur. Ka një mbikalim nga
tematikat kolektive tek ajo personale. Vështirësitë e të qenit i huaj, i tigëllon si një këmbanë e ndryshkur: më shpon një fjalë në vesh/ “I huaj je në këtë dhe!”/ “Dikush më pëshpërit”, përdorimi i vargjeve për të përshkruar modelet e jetës nga përditësia (sidomos vështirësitë e të qenit i barabartë në atdheun e huaj), gjejnë një fokus veçanërisht bindës edhe në këto vargje: unë thashë:/ “I fik dritat si të gjithë fqinjët përreth/ Hamë bukë e pimë ujë, ndonjëherë edhe verë/ Gdhihem herët, në punë dal si çdo herë/ Askush nuk ma ka dëgjuar zërin, as pipth kurrë s’kam bërë/ Blej në shitore ato që i blnjejnë të tjerë/ Puthemi në rrugë e ndër sheshe/ Sa për t’u dukur të moderuar/ Lahem në banjë publike pa brekë/ Ecim në dy këmbë si çdo homo sapiens/ Me sa di, kur kam lindur, edhe mua koka më ka dalë së pari/ Më kanë thënë se kam lebetitur, gjë që s’e bën vetëm shqiptari…“.
Njohja e vetvetes, më përtej “tjetrit” apo të “huajit”, në vizionin e shqiptarit, nuk është vetëm term letrar por edhe term mbijetese. Dëshira për të kapërcyer kufijtë e post/modernizmi, përmes trans/shedencës, është një integrim i përvojës njerëzore në universin global, ku poezia është anija që na shpëton nga asimilimi ynë human. Tematikat personale hapen dhe mbyllen me poezi të tilla si: “Ëndrrat”, “Të ikurit”, “Misionari i paqes”, “Fjala e lirë”, “Fjala dhe mërgimi”, “Kujtesa”, “Kur ra në komë dashuria” etj. Analiza konkrete e realitetit post/modernist, në formën e një diskursit kameleon është më afër kulturës masive dhe pop artit, ku stuktura kuptimore dhe shenjimi simbolik i kotësisë, na e sjell komunikimin e përditshmërisë, që lidhet me hapsirën referenciale (Cassirer: 1955: 13).
Poezia “Kur ra në komë dashuria”, me vargjet: kur ra në komë dashuria/ gati sa nuk u çmenda nga lemeria/ Mjeku ia behu për ta kthyer në jetë dashurinë/ në fakt kisha rënë unë në koma/ dhe e doja lemerinë, fjalët si: [dashuria/lemeria], i bën një “atentat” dashurisë përmes inversionit. Një përsëritje termash dhe temash fikse. Kjo përsëritje është sigurisht aty; por më e rëndësishmja, është përsëritja brenda një serie, ose përsëritja me një ndryshim të kuptimit i cilit “matet” gjithmonë në poezi.
Ironia e Dibranit, për dashurinë jo si marrëdhënie reciproke mes njerëzve (që japin dhe marrin dashuri), por si indicie e arrogancës njerëzore, dominon edhe egon njerëzore, ashtu siç thotë Foucault; se besojmë se ekziston një marrëdhënie e ngushtë midis dijes dhe fuqisë, kështuqë, diskursi mbi njeriun e vjetër ose skllav të vetvetes, shkon ose drejt përsosmësirë njerëzore, ose drejt shkatërrimit të tij, jo si “ndëshkim”, por e lidhur ngushtë me ndjenjën e ekzistencës tonë në kohë (Perelman: 1966: 35).
Poezia është një “leksion”, për njeriun, kohën, lexuesin, se motivet përsëriten vazhdimisht dhe mbartin një ngarkesë të veçantë konceptuale, ku tërheq vëmendjen gjuha, si një material mbi të cilin po imponohet “forma” në proceset e ligjërimit poetik, në kuptimin e ndërprerjes të së vetëdijshmes mbi të pavetëdijshmen, që saora sjell poezia.
Së fundmi: poezia e Shefqet Dibranit, tashmë është një poezi që ka tejkaluar kohën e saj të receptimit mes dy shekujve, më përtej përmasave kohore. Duke depërtuar mjegullinave të një mase lexuesish në dy kohësi (lexuesi i sotëm dhe ai i hershëm), bashkohësia emeton “tepri vlerash” të një gjenerate zhurmëmadhe, në emër të një atdhetarizmi të shpëlarë, që shumë poetë në diasporë e përdorin me tepri, në emër të genit së tyre të qëndresës dhe vlerave etnokulturore.
BIBLIOGRAFIA:
- Blake, William. (1982): The Complete Poetry and Prose of William Blake, ed. David V. Erdman, rev. ed. Berkeley: University of California Press.
- Cassirer, Erns. (1955): The Philosophy of Symbolic Forms, volume two: Mythical Thought, New Haven: Yale University Press.
- Culler, Jonthan . (2002): Barthes – A Very Short Introduction. Oxford: Oxford University Press.
- Dibrani, Shefqet. (2013): Anatomia e brymës, “Faik Konica”, Prishtinë.
- Fraj, Northrop. (1990): Anatomia e kritikës, përkth. Avni Spahiu, “Rilindja”, Prishtinë.
- Hopkins, A. F. John.(2020): The Universal Deep Structure of Modern Poetry. Cambridge Scholars Publishing
- D, John. (2003): The Poetics Of National AndRacial Idfentity In Nineteenth-Century AmericanLiterature , Loyola University Chicago.
- Perelman, Bob. (1996): The Marginalization of Poetry. Princeton: Princeton University Press.
- Riffaterre, Michael. (1978): Semiotics of poetry. Bloomington : Indiana University Press.
- Slater, Don. (1997): Consumer Culture and Modernity, p. 136. Polity, Cambridge.
- Vinca, Agim. (1985): Struktura e zhvillimit të poezisë…, “Rilindja”, Prishtinë.