Nue Oroshi
Shpeshherë më herët në traditën shqiptare besëprerve ju është dhënë kafja me metoda të ndryshme dhe jo në mënyrën tradicionale, siç ju është dhënë më parë, besëprerët që kanë prerë në besë mikun e shpisë, apo mikun që kanë kaluar një kohë të gjatë me njëri-tjetrin, shpeshherë edhe kanë ra pre e tradhtisë duke tradhëtuar miqtë e tyre.
Këto tradhëti janë shënuar edhe në këngët shqiptare. Njëra ndër tradhëtitë e mëdha është edhe ajo e Bejta Sylës, që tradhëton dy vëllëzerit e gruas për të marrë ca para të ndryshme. E rapsodi këto momente të tradhtisë i ka përshkruar shumë bukur kur e këndon këngën: “Xhelatgjia e mbrehka shpatën/ Musa i vogël e kthejka qafën/ prejum mu, mos ma prej bacën,/ xhelatgjia po banë bé,/ kurrë k’si trimash nuk kam pré.”
E më pas kur miqtë e hetojnë tradhëtinë e dhëndërrit duke biseduar se ku i kanë armët i thonë njëri-tjetrit: “Ku i kemi armët me jatagan/ na i ka mshefur miku mbramë/ e ka mendjen me na nxan/ se ka mendjën me na i dhanë“. Edhe Bejta Syla që njihët në këngë edhe si Bejta qeni e pëson në fund nga e motra e tyre Hajria ku thotë: “Kur ja qita thikën burrit,/ mu dok se u ngjall Musa prej burgut.”
Një tradhëti tjetër që këndohet në këngët tona popullore është edhe ajo e Bec Sinanit, i cili tradhëtohet nga shoku i tij i ngushtë, por që në fund e pëson edhe ai dhe vritet nga Bec Sinani. Është për t’u theksuar edhe tradhetia që i bën Selman Kadrisë, daja i tij Rama e ku edhe ai që e fut në kurth Selman Kadrinë vritet nga djalëria shqiptare, dhe para që të vritet i thonë: “Ku e ke djalë ti Krajl Pjetrin,/ të ka falë Zoti e po të merr dreqi.”
Të pabesët në të kaluarën gjithmonë kanë qenë të injoruar nga shqiptarët. Shpeshherë është përdorur edhe shprehja: “Ma mirë Qiriu i fiktë se sa i flliqtë.” Shpeshherë tradhëtitë ndaj mikut i ka shfrytëzuar armiku me një mençuri te veçantë. Ata kanë gjurmuar se si një atdhetarë apo idealistë me kënd shoqërohet më së shumti. Në momentin që e kanë përfituar mikun e atdhetarit ata e kanë arritur qëllimin e caktuar.
Prerja e mikut është gjëja më e rëndë për shqiptarinë. Ai që e prenë mikun në besë ai është në gjendje të bën çdo gjë të keqe e të shëmtueme vetëm e vetëm për të ardhur deri tek ndonjë përfitim financiar. E çfarë mund të shkruan tradita shqiptare për të pabesët. Natyrisht se ata janë llomi më i madh i shqiptarisë.
Por deri sa në të kaluarën janë definuar qartë të pabesët, besëprerit dhe përsonat që kanë prerë mikun në besë, sot besëprerja është bërë ushqim i përditshëm i shumë individëve të cilët nuk skuqën fare kur e prejnë mikun në besë. Këta besëprerë janë shumuar dhe shpeshherë bëjnë edhe be në rrenë.
Të bësh bé në rrenë nuk ka qenë traditë e shqiptarit. Sido që të jetë besëprerët janë përsonat që fundi gjithmonë ju ka ardhur tragjikë por gjithmonë kanë vdekë më marre. Kurse idealistët pavarsisht jetës së veshtirë, që e kanë bërë, ata kanë jetuar kryelartë dhe nuk janë nënshtruar kurrën e kurrës tradhëtisë. Dallimi në mes të besatarëve dhe besëprerve është shumë i madh. Besatari për mikun e jep jetën, kurse besëpreri e pret mikun në besë.
Ta presh mikun në besë do të thotë se e ke prerë një copë të trupit tënd, për faktin se deri sa e ke konsideurar mik dhe ke kaluar një pjesë të jetës me të, ai nuk është vetëm thjeshtë mik por është edhe vëlla.
Besëprerja në luftë
Në të shumtën e rasteve gjatë luftërave të ndryshme ka pasur shqiptarë, që kanë prerë dhe vrarë bashkëluftëtarin. Këto vrasje janë të dhimshme se të vrasësh bashkëluftëtarin, që e ka kapë pushkën për ta çliruar vendin, vetëm pse nuk është në vijën tënde ideologjike, apo për shkak të ndonjë ngatërrese të mëhershme private, që ke pasur më të është gjëja më ë shëmtuar që ka ndodhur në mesin tonë.
Në një rast gjatë luftërave kundër komunistëve ishte vrarë një luftëtar nacionalist. Luftëtari i vrarë ishte në një ngatrresë më një bashkëfshatar, që po ashtu ishte luftëtar. Për të hequr dilemën se a është vrarë në luftë apo është vrarë mbas shpine, një luftëtar më përvojë e shplon të vrarin dhe ia shikon plagën.
Plaga ishte në ballë. I qoftë për hajr trimëria se ky është vrarë në luftë kundër armikut. Edhe profesor Alush Leshanakun e vranë në pabesi. Edhe shumë luftëtarë që luftuan për Shqipërinë Etnike u vranë në pabesi. Është e dhimshme që të pabesët, që vranë nacionalistët dhe atdhetarët, ata edhe sot e asaj dite vazhdojnë t’i shajnë dhe nëpërkëmbin atdhetarët madje e marrin guximin, që në palo librat e tyre plot gënjeshtra t’i shajnë me epitetët e ndryshme nacionalistët shqiptarë si: Shaban Polluzha e Mehmet Gradica.
Ky vrull duhet ndalur dhe t’iu thuhe njëherë e përgjithmonë stop besëprerëve. Edhe djali i një besëpreri mirditor që në Qafë të Valmerit katërmbëdhjetë mirditorëve të plagosur për vdekje, iu jep plumbin në ballë më lejen e kriminelit Mehmet Shehu, i cili sot shanë atdhetarët dhe nacionalistët dhe ishte mjaft aktiv në kritikat e Monumentit të Gjergj Kastriotit në Prizren dhe ende nuk ka kërkuar falje për masakrat e babait të tij.
Ky së paku le të bëhët burrë dhe të na tregojë, se ku i kanë hedhur komunistët eshtrat e Kapidan Mark Gjon Markut dhe Kapidan Llesh Gjon Markut, që t’i varrosim me dinjitet. Sot më shumë se kurrë duhet të bëjmë identifikimin e besëprerëve, qofshin ata besëprerët që punojnë për pansllavizëm qofshin besëprerët, që punojnë për rikthimin e neotomanizmit. Këto dy kancere besëprerësish që bashkëpunojnë ngushtë më njëri – tjetrin për të keqen e shqiptarizmës janë gangrenë dhe kancer i shqiptarizmës.
Besëprerja është gjëja më e shëmtuar për shqiptarinë. Por fatkeqësisht familjet besëprerëse janë shumuar dhe ato tash e shtatëdhjetë e shtatë vite janë duke e udhëhequr politikisht shqiptarinë, më ndonjë përjashtim në ndonjë periudhë kohore. Besëprerët në varr do të shkojnë me faqe të zezë e shqiptaria do t’i bëjë me gisht ja besëprerët, kurse vllaznit do t’i thonë motrës: “Mori motër e zeza motër,/ mos tleftë ty kurrë djalë në votër“, ndërkohë që motra do të përgjigjet: “Mos më leftë kurrë e mos mu rritë,/ këtë punë motra në pastë ditë./ Hajt Halil e Musa i motrës” – ia pret motra besprerit të Shkodrës.