Nga Gjon Marku
- tregim
Marku kishte qenë sekretar i rinisë kur, në mesin e shkurtit të vitit 1967, doli vendimi për mbylljen e institucioneve fetare. Ishte ndër më të zellshmit në zbatimin e tij. Me një vrull që e mbante për detyrë, u hodh kundër kryqeve, ikonave dhe çdo shenje tjetër besimi. Në ato vite, kur kishat u mbyllën dhe Shqipëria u shpall shteti i parë ateist në botë, ai bëri një karrierë të mirë politike. Për shumë njerëz që s’ishin pajtuar me veprimet e tij, emri i Markut u bë sinonim i frikës dhe i telasheve.
Vitet kaluan. Marku u bë drejtor i shkollës së katundit dhe, siç dukej, vendosi ta vazhdonte edhe aty misionin e vet.
Në atë shkollë kishte një mësues që merrte gjithmonë vetëm gjysmën e rrogës. Marku ia shkurtonte herë për një arsye, herë për një tjetër: një ditë pune të humbur, një mungesë të pashpjeguar. Mësuesi nuk ia kthente. E dëgjonte në heshtje dhe vazhdonte punën. Dhe në heshtje i vinte ndër mend një fjalë që e ëma e Markut ia kishte thënë të birit shumë kohë më parë: “Bir, lute Zotin e mos i bëj askujt atë që s’do të ta bënin ty.”
Po Zot, fale, se Marku nuk dinte çfarë bënte.
Kishte diçka që Marku nuk e dinte, ose nuk donte ta dinte. Sa herë që ai mungonte nga shtëpia, mësuesi shkonte e vizitonte të ëmën. Nuk harronte t’i çonte një pako kafeje, ndonjëherë edhe ndonjë send tjetër të vogël. Ajo plakë ishte po ajo që, shumë vite më parë, e kishte mbajtur në krahë në kishë ditën e pagëzimit të tij. Ai nuk e kishte harruar kurrë atë ditë, as dorën e ngrohtë që e kishte mbajtur pranë.
Në katund, njerëzit kishin filluar ta përmendnin Markun me një përzierje habie, keqardhjeje dhe ironie.
Burrat e vjetër thoshin:
– Mos të marrtë marrja në qafë, se bëhesh si Marku! Edhe drejtor shkolle është, por për të Partia qenka mbi Zotin, mbi familjen e mbi gjithçka!
Një ditë një plakë e pyeti se si ishte e ëma.
– Jam turpëruar me të, se s’kam ardhur ta shoh, – i tha.
– Eh, – iu përgjigj Marku, – s’po rinovohet, s’po ia heq mendjen Zotit. Po më vdes pa u reformuar.
Pra, s’e shqetësonte që e ëma do të vdiste. Këtë e dinte se nuk mund ta ndalonte askush. E vriste një tjetër gjë: që ajo do të nisej nga kjo botë pa e hequr besimin te Zoti, dhe që ai, i biri, nuk kishte arritur ta shkëpuste prej tij.
– Zot na ruaj, – murmurisnin plakat me vete. – Atë e ka trangulluar shkolla. Fatkeqësi që është bërë drejtor, se tani po i bën edhe fëmijët si vetja.
Dhe vërtet, Marku nuk e kishte kuptuar kurrë se njeriu mund të arsimohej pa e humbur njerëzillëkun, se mund të mos besonte vetë pa pasur nevojë t’ua ndalonte besimin të tjerëve.
Më në fund erdhi dita kur e ëma ndërroi jetë.
Lajmi mori dhenë në katund. Sipas zakonit, njerëzit nisën të mblidheshin për ta nderuar të ndjerën dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Shumë e kishin njohur si grua të urtë, të mirë e besimtare, nga ato që nuk bënin zhurmë, por që mbanin fjalën dhe nderin e shtëpisë.
Megjithatë, mes tyre kishte edhe nga ata që nuk e linin rastin pa e thumbuar.
– Mirë, mirë, po a arriti Marku ta reformonte të ëmën? – pëshpëritnin me ironi, dhe i shkelnin syrin njëri-tjetrit.
Erdhën edhe vajtueset, njëra pas tjetrës. Zëri i tyre i ngritur, sipas zakonit të krahinës, i jepte mortit atë dhimbje të veçantë që vetëm vajtimi i vjetër di ta përcjellë.
Kur arkivoli po bëhej gati të niste drejt varrezave, njëra prej tyre, një grua me zë të fuqishëm dhe me autoritet në gjithë krahinën, nisi vajin e saj. Fjalët dilnin njëra pas tjetrës, me ritmin e lashtë të dhimbjes:
– …Po ta lëshoj hatrin e Zotit… Motra e dashtun e emja!
Mos më shko ti mrena vorrit… Motra e dashtun e emja!
Kur mbërriti te vargjet e fundit, e ngriti zërin edhe më lart dhe iu drejtua të ndjerës:
-… E ty të pastë Krishti në dorë të vet… Motra e dashtun e emja!
Marku e pa me një vështrim të ashpër. Fytyra iu vrenjt, por nuk foli. Ndoshta donte ta ndërpriste, ndoshta donte t’i thoshte se ato fjalë nuk kishin më vend në kohën e re. Por si t’ia priste vajin një gruaje që po nderonte të vdekurën, një burrnesheje që e respektonte gjithë krahina?
Njerëzit e vunë re reagimin e tij. Disa ulën kokën për të fshehur buzëqeshjen, të tjerë shkëmbyen sërish shikime. E kuptuan se edhe në atë ditë, kur e gjithë familja po i jepte lamtumirën nënës, Marku nuk kishte hequr dorë nga lufta e tij me Zotin.
Kaluan vite.
Koha bëri të vetën. U shembën muret e frikës, ndryshuan rrethanat dhe një ditë dyert e kishave u hapën përsëri. Kambanat nisën të binin, kryqet u vendosën sërish në vendet e tyre dhe njerëzit, pas kaq vitesh heshtjeje, u kthyen në kishat e veta.
Edhe në katundin e Markut u mblodhën njerëzit për të zgjedhur Këshillin e Kishës. U fol për ata që mund ta merrnin përsipër këtë përgjegjësi, për ata që kishin autoritet, që i njihnin punët e katundit dhe që mund ta organizonin jetën e bashkësisë. Marku nuk la gur pa lëvizur që të ishte ai në krye. Dhe, mes gjithë atyre emrave, doli edhe emri i Markut.
Po, i Markut!
I atij që dikur kishte qenë ndër më të zellshmit për të rrëzuar kryqet, për të hequr ikonat dhe për të mbyllur kishën. I atij që kishte ndjekur me aq këmbëngulje këdo që guxonte të fliste për Zotin. I atij që as nënës së vet nuk e kishte lënë të qetë në besimin e saj.
Dhe çudia më e madhe ndodhi kur, pas propozimeve e diskutimeve, katundi e zgjodhi pikërisht atë kryetar të Këshillit të Kishës.
Njerëzit mbetën për një çast pa fjalë. Disa u habitën, disa qeshën nën buzë, të tjerë thjesht shkëmbyen vështrime.
Marku e pranoi detyrën me seriozitetin e dikurshëm. Dukej sikur s’kishte ndodhur asgjë. Sikur nuk kishte pasur kurrë kryqe të rrëzuara, ikona të shkatërruara, njerëz që kishin vuajtur për besimin e tyre.
Ishte po ai Marku. Vetëm koha kishte ndërruar drejtim.
Atëherë një plakë, që e kishte njohur mirë të ëmën e tij, iu afrua një tjetre dhe i pëshpëriti:
– Zot, fale… Se nuk di çfarë ka bërë!











