Nga Gjon Marku
Oroshi: një vend me histori të madhe
Oroshi është vendi me të cilin është lidhur një histori e tërë. Ai bëri epokë edhe në kancelaritë e Evropës dhe u bë një emër i njohur, ndërsa arkivat e vendeve të ndryshme ruajnë ende shumë nga historia e tij. Këtu gjendet kryetempulli i Mirditës, Abacia e Oroshit, si dhe rezidencat e tjera kishtare të Malësisë së Shenjtë. Në shekujt XVIII–XX Oroshi tërhoqi vëmendjen e albanologëve, eksploruesve, diplomatëve dhe politikanëve. Prej tij mbahej lidhja me kancelaritë e larta të Evropës. Këtu u diskutuan piketat për një shtet të pavarur dhe për një alfabet kombëtar, dhe këtu nisën planet e luftërave në mbrojtje të kombit.
Oroshi, si qendër e Mirditës dhe e gjithë krahinës, ishte kthyer në shtyllë të katolicizmit dhe në mbrojtës të identitetit kombëtar. Zef Mirdita, në një intervistë për Mirditën, thekson: «Ajo ka qenë shtyllë e katolicizmit dhe, me këtë, edhe urë që e lidhte popullin shqiptar me kulturën evropiane, dhe njëherit mund të themi se gjatë kohës së sundimit osman ka qenë, falë intelektualëve – klerikëve të vendit – edhe mbrojtëse e identitetit kombëtar…»¹
Mirdita është trevë e veçantë dhe e vetmja e rrethuar nga të gjitha anët nga pushtuesi, i cili nuk arriti të futej aty. Në mungesë të një institucioni shtetëror civil, gjatë sundimit shumëshekullor osman ajo pati një organizim politiko-shoqëror, të njohur si autonomi krahinore me forma vetëqeverisjeje. Elementi koheziv i këtij organizimi ishin dymbëdhjetë bajraqet, që qëndronin nën një flamur të vetëm dhe e forconin qëndresën. Kjo vetëdije skënderbegiane lidhej edhe me derën princërore të Gjomarkajve.
Në momente të caktuara historike kjo derë ka luajtur edhe rol negativ, sidomos në vitet ‘20 të shekullit XX, me themelimin e «Republikës së Mirditës». Kundër saj qëndruan jo vetëm kleri katolik, por edhe çdo intelektual katolik shqiptar. Megjithatë ajo ka luajtur rol pozitiv në ruajtjen e kontinuitetit shtetëror të kohës së Skënderbeut, të cilin pushtimi osman e kishte ndërprerë. Duhet pasur parasysh se kjo derë ka pasur marrëdhënie politike ndërkombëtare. Këtë vetëdije e kanë shfrytëzuar dhe e kanë forcuar më pas klerikët e shquar katolikë të vendit.²
Vetë ekzistenca e «derës princërore» flet për zhvillimin e një vetëdijeje të unitetit politik, të mbështetur nga krerët e klerit katolik. Kjo del në pah sidomos në shekullin XIX, me rastin e «Krizës Lindore». Edhe Kanuni i Maleve e vërteton këtë. Paragrafët e tij, sidomos ata që rregullojnë marrëdhëniet shoqërore, ekonomike e familjare, i afrohen në përmbajtje së Drejtës Romake. Në trajtë të krishterizuar, Kisha Katolike i ka përfshirë të njëjtat norma në strukturat e Kodit Kishtar. Vetëm ky fakt mjafton për ta vlerësuar lart Kanunin, i cili i dha Mirditës një formë vetëqeverisjeje politike. Kjo formë ka zgjuar kureshtjen e vizitorëve të huaj dhe të atyre që janë marrë me çështjen e Mirditës, si nga aspekti sociologjik, ashtu edhe nga ai politiko-kulturor e fetar. Interesante, dhe madje emancipuese, është edhe pozita e gruas mirditore në familje.
Besoj se kronisti i kryengritjeve të Malësisë dhe poeti demokrat Risto Siliqi ka të drejtë kur e quan Mirditën «trimëreshë të dheut» dhe mirditorët «fis të kryekreut të Arbërisë». Mirdita meriton emrin «trimëreshë», sepse gjithë historia e saj është histori luftërash dhe qëndrese shekullore për të mbrojtur trojet dhe lirinë, për të ruajtur besën, normat e jetës shoqërore dhe vlerat shpirtërore.³
Nuk është e rastit që Mirdita ka gëzuar një status të veçantë në Perandorinë Osmane. Këtë status e fitoi me trimëri, por edhe me mençuri. Siliqi ka të drejtë edhe kur i quan mirditorët «fis të kryekreut të Arbërisë». Edhe nëse nuk e ka pasur parasysh hipotezën e diskutuar vitet e fundit se Kastriotët duhet të jenë nga Mirdita (hipotezë e pavërtetuar, por që mund të provohet), ai e ka njohur me siguri zbulimin e Ipenit, pra mbishkrimin e Arbërit në Gëziq të Mirditës. Ky mbishkrim e çon në mendimin se Mirdita ka qenë epiqendra e shtetit të parë të Arbërit në shekujt XII–XIII.⁴
Mirdita në kulturën kombëtare shqiptare
Në kulturën dhe historinë kombëtare shqiptare Mirdita zë një vend të veçantë. Ajo është një areal me pasuri të madhe arkeologjike, etnografike, gjuhësore, folklorike dhe kulturore. Banorët e saj kanë qenë gjithmonë të lidhur ngushtë me traditat, gjuhën, doket dhe vlerat e tyre, dhe këtë lidhje e kanë ruajtur deri në ditët tona. Kjo ka ndodhur përmes një procesi të gjatë ruajtjeje dhe evolucioni, që përbën vetë historinë e zhvillimit shpirtëror të kësaj treve si pjesë e kulturës kombëtare. Mirdita bashkon traditat e jetës pagane me qytetërimin kristian, të pasuruara me idetë e kulturës moderne të Rilindjes, dhe prandaj ka një rol të rëndësishëm në rrjedhat e kulturës kombëtare.
Mirdita njihet si vendi i kuvendeve benedictine dhe i një rrjeti të gjerë institucionesh arsimore, ku shqipja u mësua që në shekullin XVII. Këtu u ruajt një traditë arkaike me vlerë për studimin e zhvillimit etimologjik të shqipes. Treva shquhet për pasurinë etnografike, për kostumet dhe këngët popullore, për fondin e krijimeve lirike e epike, si dhe për krijues të mëdhenj si Gjergj Fishta dhe Shtjefën Gjeçovi. Veprat e tyre, Lahuta e Malcís dhe Kanuni, lindën në Gomsiqe. Në këtë shtrat kulturor dolën edhe figura të shquara të Mirditës, si Prend Doçi, Ambroz Marlaskaj dhe Dom Nikollë Gazulli.
Mirdita nuk është një enklavë e mbyllur, as një fosil i pakuptueshëm. Ajo është plot histori të pashkruar. Në fushën arkeologjike dhe historike, studimi për të është ende i pamjaftueshëm, pasi deri tani është bërë shumë pak, megjithëse kanë shkruar për të studiues të huaj dhe shqiptarë. Mirdita është një njësi gjeografike e veçantë, ku historia është mbushur me paradokse, vlera kulturore, tragjedi dhe marrëzi të shekujve. Nuk synoj t’i bëj apologji Mirditës dhe as të përgjithësoj; nuk synoj të komentoj apo të ndreqë pozicione e situata mendore të sotme. Mirdita është një sistem referimi që nuk mund të mbivlerësohet, por as të nënvlerësohet.
Duke u mbështetur te Zeqo, theksoj se populli i Mirditës është në thelb popull shqiptar. Kjo e vërtetë është e padiskutueshme. Ndjej nevojën për një arketip psikofizik të mirditorit, por jashtë formulave frojdiane, që sot janë bërë dogma. Një etnolog si Klod Levi-Stros do të kishte shkruar diçka shumë interesante për Mirditën sikur ta kishte njohur. Megjithatë, edhe shumë studiues më modestë kanë vënë re gjëra befasuese për të. Dëshiroj të theksoj disa motive që kanë arsye historike të brendshme për t’u rishfaqur dhe për t’u artikuluar në gjuhën dhe mendimin e sotëm.
Oroshi dhe Abacia e Mirditës: roli fetar, kulturor dhe kombëtar
Sipas albanologut të madh vienez Karl Paç, ilirët pirustë banonin përtej kufijve të Maqedonisë, në provincën Dalmatia, konkretisht në Mirditën e sotme, dhe ishin të njohur për trimërinë luftarake dhe ndjenjën e fortë atdhetare. Si fis ilir ata ishin të shumtë, dhe kryeqendra e kësaj krahine nga gjysma e dytë e shekullit XVII ishte Oroshi. Studiuesi përshkruajn një ansambël kishtar të ndërtuar në mënyrën më të përsosur. Ai përbëhej nga Abacia e vjetër e Shën Llezhdrit, kisha e Shën Gjinit, e Shën Gjergjit, e Shën Gjonit, e Shëlbuemit dhe e Petkut (për vendosjen e petkave të të vdekurve), së bashku me kumbonaret dhe rezidencat verore të abatit. E gjitha kjo përbënte një dekor të madh e madhështor, një «qytez» të rrallë të krishterimit.
Nga dokumentet historike del se kisha e Shën Llezhdrit, e vendosur në Malin e Shenjtë, përmendet në një dokument të vitit 1319. Studiues të tjerë, duke u mbështetur në dokumente të ndryshme, kanë vënë re se Kuvendi Benediktin në Malin e Shenjtë daton që nga viti 1313.⁵ Gjurmët e kishës së Oroshit duhen kërkuar edhe më herët.
Abacia e Mirditës del në vartësi të Ipeshkvisë së Arbërit, siç dëshmon Imzot Karl Poten (f. 107), i cili, duke u mbështetur te Farlati, flet për vitin 1367. Në vitin 1426 abacia e Oroshit del e vënë nën juridiksionin e Selisë së Shenjtë.
Ndue Dedaj, duke u mbështetur në dokumentacionin arkivor, arrin në përfundimin se Abacia e Oroshit mund të ketë qenë qendër e Ipeshkvisë së Arbërit.⁶ Oroshin ai e konsideron vendin kryesor qendror të Abacisë. Këtë tezë ai e mbështet me dokumentacion të pasur arkivor dhe me argumente të forta, dhe e trajton çështjen me realizëm të madh.
Për traditat e veta katolike dhe për pozicionin gjeografik, Mirdita ka qenë gjithmonë kala e fortë e katolicizmit shqiptar. Dioqeza dhe pasuria e saj bënë të mundur që kjo trevë të ruante identitetin fetar në një krahinë strategjike të Shqipërisë së Veriut. Ajo nuk ishte thjesht një titull nderi, por një nevojë strategjike për mbrojtjen e gjithë Shqipërisë katolike nga influencat e huaja dhe nga rreziqet që sillnin kohët e reja.⁷
Mirdita, me shtrirjen e saj në qendër të Shqipërisë së Veriut, ishte një urëlidhje në arteren kryesore mes lindjes dhe perëndimit. Duke e parë si nyje jashtëzakonisht të rëndësishme, Papa i Romës vendosi në Mirditë qendrat e këtyre kuvendeve.
Oroshi nuk ishte vetëm një qendër e rrallë e krishterimit, por edhe një qendër e rëndësishme e rezistencës antiosmane. Në Kishën e Shën Llezhdrit, në vitin 1602, u mbajt një kuvend i madh mbarballkanik, ku princave të Evropës dhe Vatikanit iu dërgua kërkesë për ndihmë në luftën kundër turqve.⁸ Mirdita mbeti qendër e rëndësishme dhe prej saj morën impuls edhe lëvizjet e mëvonshme antiosmane. Siç shkruan Baldacci, mirditorët nuk luftuan vetëm me turqit, serbët, grekët dhe malazezët në territoret shqiptare, por arritën deri në frontin rus.⁹
Bib Doda Pasha, pinjolli më i përmendur i familjes Gjomarkaj deri në atë periudhë, mori titullin Pashë pas luftërave në Bosnjë dhe në Mal të Zi.¹⁰ Ai u dekorua gjithashtu nga Papa me urdhrin e Shën Gregorit dhe nga Sulltani me dekoratat Iftihar dhe Mexhidije.
Studiuesi Kahreman Ulqini, duke u marrë me çështjen e Mirditës, pohon se historikisht provohet që Mirdita ka qenë pjesë e principatës së Kastriotëve. Sipas Baldaccit, mirditorët formojnë fisin më klasik, më numeroz dhe më homogjen, dhe prandaj më karakteristik në të gjithë Shqipërinë.¹¹ Nga Oroshi nisën edhe lëvizjet e mëdha të viteve 1910–1912, të drejtuara nga Prenk Bib Doda, pinjolli i fundit i asaj dere dhe një nga politikanët më të suksesshëm mirditorë.
Arsimi, gjuha shqipe dhe pushtimi osman
Oroshi është edhe vendi i shkollës së parë laike të Mirditës. Për rolin e kësaj abacie dhe të abacive të tjera kanë shkruar jo pak autorë të huaj, mes tyre edhe Shufflay. Sipas tij, që nga shekulli XIV, në jug, mes gjindjeve shqiptare, dilnin priftërinj për gjithë Dalmacinë, ndërmjet lumenjve të dy faneve. Aty vepronin Abacia e Shën Palit dhe Shën Mëria di Trifantina, e cila funksionoi deri në shekullin XVII.¹² Ishte koha kur arsimi kaloi tërësisht në duart e klerikëve dhe lëvizjet kishtare filluan të marrin karakter të theksuar kombëtar.¹³
Dokumentet e studiuesve perëndimorë për periudhën para pushtimit osman flasin për lulëzimin e një kulture të mirëfilltë evropiane dhe të një niveli të lartë arsimor, aq sa në Shqipëri përgatiteshin klerikë për gjithë Dalmacinë, madje edhe për Raguzën.¹⁴
Pushtimi i gjatë osman nuk mundi ta asimilojë kulturën e lashtë të Mirditës dhe as ta nënshtrojë atë, sepse mirditorët nuk e lëshuan kurrë armën nga dora. Oroshi ishte qendra e tyre kryesore frymëzuese. Megjithatë, pushtimi e dëmtoi rëndë jetën kulturore e arsimore në Mirditë, si në të gjithë Shqipërinë. Fushatat e shumta ushtarake të osmanëve bënë që abacitë e Ndërfanës të shkatërroheshin nga themelet, ndërsa Abacia e Oroshit u dëmtua më pak. Palë Doçi shkruan se nga fundi i shekullit XV dhe gjatë shekujve XVI–XVII ajo u rrënua dhe u dëmtua disa herë nga pushtuesit.¹⁵ Kështu, sulmet e osmanëve bënë që abacitë të mbylleshin dhe shkollat të mos funksiononin për një kohë të gjatë.¹⁶
Megjithatë, përpjekjet për arsimin dhe për gjuhën shqipe nuk pushuan kurrë. Edhe në fillim të shekullit XVII, pavarësisht vështirësive të mëdha të krijuara nga izolimi, pushtimi dhe varfëria, pati klerikë të fuqishëm e të përkushtuar. Mirditorët që predikonin në shqip shkruanin edhe ndonjë letër apo kontratë në shqip. Një prej tyre ishte Shtjefën Gazulli, i cili nënshkroi tri kontrata për shitje toke nga disa oroshjanë në fillim të shekullit XVII.¹⁷
Kleri katolik shqiptar i ka kërkuar vazhdimisht Selisë së Shenjtë ndihmë për hapjen e shkollave shqipe. Kjo shihet qartë në relacionet që ipeshkvijtë shqiptarë i kanë dërguar Propagandës Fide. Ipeshkvi i Arbërit, Gjon Koleci, kërkon hapjen e një ose dy shkollave me nga 10–12 nxënës, ku të mësohej shkrim e këndim. Ai e arsyeton këtë me faktin se kështu do të nxirrej fryt i vyer në vendet pa shkollë, pasi nxënësit, kur të mësonin, do të bëheshin mësues për të tjerët.¹⁸ Edhe ipeshkvi i Tivarit përdor fraza të ngjashme: shqiptarët po vuajnë shumë dhe po bien në errësirë, sepse janë pa shkollë, pa kolegj dhe pa asnjë ndihmë shpirtërore.¹⁹
Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, Selia e Shenjtë pa se krahina të tëra të Shqipërisë së Veriut i kishin dalë nga dora për shkak të mungesës së kishave (të shkatërruara nga osmanët). Duke ndier edhe presionin mbi Portën e Lartë, ajo e kuptoi rëndësinë e çështjes, dhe lëvizja kishtare mori përmasa të mëdha. Ajo që kishte ndaluar kategorikisht shkollat në gjuhën shqipe, e detyruar edhe nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pas shumë shekujsh lejoi për herë të parë hapjen e shkollave shqipe dhe përdorimin e shqipes si gjuhë mësimi.²⁰
Abacia e Oroshit në shekullin XIX dhe shkolla e parë laike
Abacia e Oroshit shërbeu si vend ku abati vendas Gazulli, në kapërcyell të shekullit XIX, vendosi marrëdhënie me Ali Pashë Tepelenën. Më vonë abat ishte Pjetër Zarishti (1800–1866) nga Zadrima. Me vdekjen e tij, më 1876, Abacia e Mirditës u mbyll dhe u bë mollë sherri. Pas tij erdhi Gaspër Krasniçi nga Podrima. Abacia u rihap me dekretin papnor Supra Montem Mirditarum në vjeshtën e vitit 1888, me abat Imzot Prend Doçin.²¹
Kështu Oroshi u bë sërish qendër e Abacisë së Mirditës. Duke njohur dëshirën e popullit për të ecur në rrugën e arsimit, abati i famshëm Prend Doçi iu vu punës për të hapur shkolla në Mirditë. Në vitin 1889, në një ndërtesë të thjeshtë pranë Abacisë së Oroshit, u hap shkolla e parë laike në Mirditë. Vitin e parë e ndoqën 14 djem të Oroshit, të cilët i mësoi klerik Zef Marashi. Po atë vit u hapën edhe shkolla të tjera. Një kontribut të rëndësishëm në këtë periudhë dha edhe Austria, e cila financoi hapjen e tyre.
Shoqëria «Bashkimi» dhe intelektualët mirditorë
Prelati Imzot Prend Doçi u gjend në krye të shoqërisë «Bashkimi», të themeluar në janar të vitit 1899 në Shkodër. Ai nuk ishte i vetëm në plejadën e intelektualëve mirditorë; pranë tij qëndronin Gjergj Fishta, Dom Dodë Koleci, Tom Velaj e të tjerë. Ajka e kësaj plejade, figurat më në zë të Mirditës, e lidhi veprimtarinë e vet me Shkodrën. Shumë bashkëpunëtorë të shoqërisë ishin famullitarë të Mirditës, të cilët i kthyen kishat e tyre në mes të maleve në qendra dijeje e kulture. Nga studiuesi Ndue Dedaj dihet se Dom Dodë Koleci e hartoi në Ndërfanë (Gëziq) Fjalorin e ri të shqipes në vitin 1908.
Dijetarët e kësaj shoqërie hartuan vepra të vlefshme shkencore: Abetaren, Gramatikën, Manualin e Estetikës, Historinë e Shqipërisë dhe Fjalorin e gjuhës shqipe. Ata hartuan edhe Alfabetin e gjuhës shqipe, kryeveprën e kohës, që do të miratohej në Kongresin e Manastirit në vitin 1908 nën kryesinë e Gjergj Fishtës.
Literatura:
Zef Mirdita, «Mirdita, shtyllë e katolicizmit, mbrojtëse e identitetit kombëtar», në: Gjon …











