34.8 C
Tirana
E hënë, 7 Shtator 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj NJERIU, LIRIA DHE POEZIA SI TRIADË E SHENJTË E SHKRIMTARIT

NJERIU, LIRIA DHE POEZIA SI TRIADË E SHENJTË E SHKRIMTARIT

0
Hajdin Morina

Hajdin Morina

Tahir Desku është nga emrat e njohur të letërsisë e veçanërisht të poezisë, e cila për të mbeti lloji letrar dhe mjeti i vetëm për të shprehur qëndrimet si njeri dhe si poet, në shërbim të përsosjes estetike e të katarzës shpirtërore që mundohet ta bëjë letërsia tash e mijëra vjet. Është përfaqësues i brezit letrar të viteve ’80 të shekullit 20, i atij brezi që këmbëngulte për krijimin e një poezie ku do të vërehej qartë novatorizmi, origjinaliteti dhe interesimi e përkushtimi ndaj temave të reja, disa prej të cilave deri më tash kishin qenë në margjina të interesimeve ose tabu për shkak të rrethanave historike e politike. Po, një uragan i ndërprerë është edhe Tahir Desku, ashtu siç e ka cilësuar Ismail Kadare Migjenin: uragan të ndërprerë.

Tahiri, duke i shërbyer letërsisë dhe kombit, la pas vetes vepra të rëndësishme letrare, por ai krijoi edhe veprën njerëzore, kulturore e atdhetare, duke shtuar vlerat e personalitetit të tij që reflekton në forma të ndryshme projektimin për thyerjen e vetmisë, për krijimin e hapësirave të lirisë njerëzore e kombëtare. Antikonformizmi si vlerë e mbrujtur intelektuale e lartëson gjithashtu profilin e njeriut dhe shkrimtarit Tahir Desku, por edhe bohemizmi dhe rebelizmi i tij janë shenja të dëshpërimit e të mospajtimit me rendin e vendosur të normave dhe vlerave.

Pjesëmarrja në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës paraqet një tjetër kapitull të rëndësishëm në biografinë e Tahir Deskut. Puna e vështirë e reporterit të luftës, heroizmi i bashkëluftëtarëve, rëniet për liri e frymëzuan për krijime të realizuara letrare dhe lanë gjurmë të pashlyeshme e të dhimbshme në shpirtin e ndjeshëm të poetit.Ndër biseda me miq Tahiri me emocion thoshte e përsëriste se koha e luftës ishte për të pjesa më e dashur e jetës, më e shtrenjta, më e bukura, më e paprekshmja dhe më e dhimbshmja vlerë. Këtë të vërtetë e skaliti bukur në veprën “Engjëjt e lirisë” (Prishtinë, 2000) të cilën ia botoi SHB “Buzuku” dhe editori i këtij botimi, drejtori i “Buzukut” dhe shkrimtari Abdullah Zeneli e ka shoqëruar tekstin me një pasthënie elokuente ku është vlerësuar lart edhe vepra letrare, edhe vepra jetësore, edhe ndeshtrashat dhe sakrificat e shumta të poetit Tahir Desku.  Në “Engjëjt e rrugëve” si në një teatër antik ndihet dhe përjetohet atmosfera e luftës, ideali i lirisë dhe madhështia e ushtarëve dhe komandantëve të UÇK-së. Kryefjalë e kësaj vepre është poezia “Baladë” dedikuar komandantit Mujë Krasniqi-Kapuçi dhe bashkëluftëtarëve të tij që ranë në Gorozhup të Prizrenit më 14 dhjetor 1998.

“Engjëjt e lirisë” do të mbetet njëra nga veprat e bukura të poezisë moderne, jo vetëm për objektin, por edhe për nivelin estetik.Tahiri këtu ka latuar edhe idealin e vet, entuziazmin ndërmjet luftëtarëve, krenarinë që është pjesë e luftës, prandaj edhe vdekjen e pret qetë, aty pranë një guri, aty pranë një lisi a shkëmbi të pathyeshëm të Drenicës heroike. Është një heroizëm epik dhe estetik që përjetëson luftën dhe kujtimin për këtë epokë supreme të dinjitetit nacional, ndaj së cilës të gjallët në çdo hap kanë detyrimin e veprimit të përligjur e jo të farsës verbale që gjen përkrahje në zagushinë e vakuumit institucional e demokratik.

Tahir Desku ishte njohës i thellë i traditës letrare, i tendencave dhe novatorizmit që kishin sjellë në letërsinë tonë emra të njohur si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Din Mehmeti, Beqir Musliu, Qerim Ujkani, Muhamet Kërveshi, Ali Musaj etj. Duke mos u shkëputur nga kjo traditë, duke krijuar perspektiva të reja poetike, Tahiri shpejt u bë zë dinjitoz i brezit të shkrimtarëve të viteve ’80, të cilët duke asimiluar përvojën poetike të traditës, duke reflektuar herë pas here natyrshëm ndikimin nga kjo traditë, pasuruan poetikën, zgjeruan gamën e interesimeve tematike, skalitën ironinë artistike, konsoliduan një liri metrike dhe gjuhë poetike që mëton të shlyejë kufirin ndërmjet zhanreve letrare, tendenca krijuese këto që, qoftë edhe për shkak të ndikimit të teorisë moderne të intertekstualitetit dhe të teorisë së veprës së hapur, përligjin përqendrimin e krijuesve dhe të lexuesve tek diskursi dhe estetika e tekstit letrar si nocion që ngërthen brenda vetes secilën formë të shkrimit artistik, pa mundimin teorik e akademik të klasifikimit e të tipologjisë në lloje e nënlloje sipas gjedheve të teorisë së letërsisë.

Tahir Desku me aktivitetin dhe vizionin poetik e afirmonte dhe e promovonte mendimin kritik, të cilin e kishte lançuar në fillim të shekullit XX atdhetari, rilindësi ynë i përndritur, shkrimtari e diplomati i kalibrit evropian, Faik Konica, sipas të cilit vepra letrare duhet të vlerësohet ndaras nga jeta e shkrimtarit, në bazë të kritereve estetike e jo në bazë të qëllimeve e të përfitimeve për të cilat shkruhet ajo. Ai, përpos këngës që e qëndisi aq bukur për prometetë që i sollën dritën e lirisë atdheut, u ka lënë brezave të hapësirës kulturore shqiptare një panoramë artistike me personazhe nga shumë kontekste sociale, me ata që jetojnë margjinave të jetës e të shoqërisë, me të pastrehët, me të sëmurët, me të përbuzurit, me fëmijët jetimë, me ata që nuk kanë shpresë.

Tekstet e Tahir Deskut për shkak të masës estetike dhe të emocionit tashmë kanë zënë vendin e konsoliduar në hapësirën tonë kulturore ose në semiosferën e komunikimit dhe të marrjes së kuptimeve, siç e cilësoi këtë fushë semiologu Juri Lotman, i cili e krijoi nocionin “semiosferë” në përqasje me nocionin “biosferë” për të shenjuar një sferë ku jetohet ndryshe, një hapësirë të pafufizuar, ku njerëzit, pavarësisht vendit dhe kohës, jetojnë duke komunikuar me njëri-tjetrin dhe duke marrë e transmetuar ndjenja e kuptime nga sistemi i shenjave gjuhësore që shtrihen në tekste letrare qofshin origjinale ose të përkthyera. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me relacionin autor-lexues, por edhe me relacione dhe receptime të tjera që mbruhen brenda shenjave gjuhësore.

Për mjeshtrit e fjalës Jorgo Bulo shkruan: “Ne ikim, ikim vazhdimisht, herë të entuziazmuar drejt së ardhmes, herë të të trembur drejt humbjes, por ata, zotërit e fjalës, vijnë vazhdimisht drejt nesh, dhe na magjepsin me magjinë e verbit shqip, dhe na shkundin nga marrëzia e shkatërrimit të vlerave ose nga përtacia mendore e indiferencës ndaj tyre.Ata na bëjnë të realizohemi si njerëz të këtij trualli ku ka lindur, për të mos vdekur kurrë dhe për t’u ripërtëritur pafundësisht fuqia e perëndishme e fjalës shqipe”.

Kombin e bëjnë poetët, thotë Lasgush Poradeci, kurse Tahir Desku në një intervistë dhënë shkrimtarit dhe publicistit Frrok Kristaj, për gazetën “Rilindja” të datës 20 janar 2001, tha: “…Poezia është dhembje e bukur…Atdheut, të cilit i mungojnë poetët, i mungon bukuria, ndërsa popullit të atij atdheu i mungon dhembja”. I citova këto thënie lapidare që të spikatet sakrifica e Tahirit në shërbim të njeriut, lirisë dhe poezisë, të kësaj triade të shenjtë të shkrimtarëve.

(Kumtesë e lexuar në manifestimin letrar “Ora e Tahir Deskut”, në Klinë, më 7 shtator 2026.)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.