Nga Gjon Marku
- tregim
Atë ditë mesgushti vapa pikonte etje. Qielli digjej e digjte. Bretkosat nëpër kanale nuk pushonin së kukaturi. Gjethet ndër lisa shushurisnin. Në zabel, gjinkallat zhuzhiturinin deri në pëlcitje. Ishte ora më e vdekur e ditës në zheg. Prej kupës së kaltër, pa njolla, të qiellit u shigjetua një skifter e ra në përtejqafë ndër lugje, atje ku gurgullon uji i kulluar si lot vashe. Në atë vetull mali kullotat këndonin kwngwheshtjen e tyre, ndërsa sukat në krye të kodrës ngjitur, disa shpendkëqinj, pendëzinj, i kishin zaptuar me këngën e tyre krrau-krrau. E midis kësaj kodre e atij mali që ndante Gjakovën me Tropojën, hepohj Lëndina e Pikëllimit. Gazetari i njohur i njërës prej të përditshmeve kombëtare kishte mbërritur në atë lëndinë kur ende dhjetëra trupa gjendeshin mbi dhé. Ai kishte qenë autori i disa prej kronikave më të dhimbshme të asaj paslufte të përgjakshme e të përmortshme.
Nëpër mendje i erdhi kronika për Lëndinën e Pikëllimit, në të cilën atij i ishte bërë sikur prej nëndheu qoheshin kufomat e atij varri masiv në Mejë, që ndoshta ishte i vetmi në llojin e vet në botë. Vazhdimisht sillen eshtra dhe varrosen aty. Poshtë, nën tokë, gjenden eshtrat e qindra burrave dhe grave të pafajshme, bijve të popullit të Gjakovës dhe trevave përreth, ndërsa sipër një mal kurorash dhe lulesh, të cilat, sa më shumë që ecën koha, aq më shumë duket se e ndjejnë pikëllimin. Gjithkush që bën të mbërrijë gjer në Lëndinën e Pikëllimit, natyrshëm do të ndjejë peshën e një emocioni dhe dhembjeje jo të zakonshme. Lëndina vetë duket sikur buçet e klith. Drejtori i Bibliotekës së Gjakovës prek lehtë pllakën e varrit, pastaj fshin lehtë pluhurin mbi të, sikur friket mos iu lëndon plagët vëllezërve të vet. Pastaj tregon se i vranë të katërt lidhur dorë për dore. Sipër u hodhën librat, të cilave iu vunë zjarrin, dhe kështu i dogjën pasi i kishin vrarë, aq sa ne nuk e njohëm asnjërin.
Eh, medet, si do t’i tresë dheu barbarët që si bisha u turrën mbi foshnja të njoma…
Ishte zhytur në mendime të tilla dhe në ato kronika të dhimbshme, kur ra zilja e telefonit e ai sikur u zgjua nga një ëndërr e trishtë.
– Jam drejtori i Bibliotekës së Gjakovës, – kishte dëgjuar zërin e tjetrit në receptorin e telefonit, por ende s’e kishte mbledhur veten e iu duk si një klithmë e ardhur prej Lëndinës së Pikëllimit, aty nga varri i Mejës.
U vesh dhe zbriti poshtë, ku u përshëndet me drejtorin e bibliotekës dhe me Ajetin, kolegun e tij në gazetën „Bota sot”. Prej një makine të kuqe zbriti një mesoburrë rreth të shtatëdhjetave.
– Unë jam Nikolli, – tha tjetri duke i zgjatur dorën.
Koha kishte rrëshqitur nën duar si gjarpërinjtë nëpër gurë, mendoi Arbëri, ngaqë nuk po kujtohej se kush ishte Nikolli. Pra, atë nuk po e njihte, por nuk këmbyen shumë fjalë, pasi të gjithë u drejtuan drejt makinave, të cilat morën udhën e ngushtë mes për mes Çarshisë së Vjetër, e pasi dolën në kodrën ngjitur mbi Gjakovë, hynë në një restorant.
Akoma nuk kishte ardhur porosia, kur një djalë i vogël u afrua me një çantë me lajthi.
– Një euro një qese, – tha ai duke vështruar secilin prej nesh si të kërkonte mëshirë.
E vështruam me keqardhje. Nikolli e mbajti për krahu dhe e pyeti se në ç’klasë ishte e i kujt ishte. Djali sypërlotur filloi të mërmëriste për të atin, i cili kishte mbetur në luftën e Kosovës, dhe tha se ai kishte lindur në Shqipëri atë ditë që i ishte vrarë i ati, e kur kishte ardhur nga Shqipëria pas luftës, kishte qenë një foshnjë pa baba.
Nikolli, i përlotur, nxjerr portofolin.
– Unë e dua një pako, – i thotë djaloshit dhe i zgjat një dhjetëeuroshe.
Djali e nxjerr pakon me lajthi dhe kërkon t’i kthejë kusur.
– Jo, jo, – i tha Nikolli, dhe sërish shikoi portofolin e tij. – Jepu të gjithëve nga një pako me lajthi dhe hajde merr lekët.
Djaloshi na zgjati dhe neve nga një pako me lajthi dhe kërkoi t’i kthejë Nikollit ndonjë euro, por tjetri nuk e mori kusurin dhe sërish nxori një kartëmonedhë me një prerje disa herë më të madhe, duke ia zgjatur fëmijës, i tha:
– Merri, merri këto dhe shko të shesësh lajthitë e tjera.
Fëmija largohej me sytë që i ndrisnin dhe vazhdimisht kthente kokën mbrapa e na hidhte vështrimin neve, pastaj vështronte Nikollin që nuk ia ndante sytë.
Nikolli, sypërlotur, pasi tha se i ati i atij djali ishte vrarë bashkë me të birin e tij, vijoi:
– Nuk e di se ç’qe ai kob i zi që na ra, duke më lënë mua pa djalin e vetëm e këtë vogëlush pa babanë e tij, që ditën që lindi. E, pra, ditëlindja e tij ishte në një ditë me ditëvdekjen e të atit, vrarë prej plumbave në pabesi.
– Ju faleminderit, mor bir, – iu drejtua Arbërit. – Unë jam shumë borxhli ndaj teje. Sikur ma ngjallje tim bir, kur lexoja ato kronikat e tua për të dhe luftëtarët e tjerë.
Shpejt, si e kishte fshirë lotin, e kishte pyetur dhe Arbërin se ç’njerëz kishte.
– Babai më ka lënë të vogël, – vijoi ai t’u përgjigjej pyetjeve të tij.
Kjo ndoshta kishte qenë fjalia më e paduhur. Pse duhej ta niste me të vdekurit para tyre…
E kështu ishte njohur me Nikollin. Kështu kishte shkuar ajo ditë e ai ishte kthyer në Shqipëri. Kishte qenë duke punuar në redaksi, kur kishte rënë zilja e telefonit.
– Jam Nikolli, – kishte dëgjuar zërin në receptor, dhe menjëherë ishte kujtuar për djalin e lajthive.
– Si e ke babën? – kishte pyetur ai nga Zyrihu, ku ishte.
Tjetri ishte hutuar prej pyetjes së tij. Kishte heshtur disa çaste, pastaj ishte munduar të shpjegohej.
– Dëgjo, Nikollë, mua babai më ka lënë të vogël. Më duket se nuk ua paskam thënë kur ishim në Gjakovë?
– A më vjen keq, – tha tjetri dhe vijoi pyetjet e zakonshme. – Të jam borxhli për atë që keni bërë për mua dhe djalin tim, – ishte fjalia e fundit e Nikollit.
Në mes të vjeshtës Arbëri kishte ditëlindjen e të birit, i cili mbushte dhjetë vjeç, kur ra zilja e derës. Postieri solli një dhuratë për të birin, brenda së cilës ishte dhe një letër prej Nikollit.
– Ju uroj jetë të gjatë për djalin, ta lashtë zoti, – niste letra, pastaj vijonte me pyetjen: – Po babën si e ke, a erdhi me të urue për djalin?
Arbëri mori telefonin e formoi numrin e Nikollit, të cilin, si e falenderoi për dhuratën dhe urimin për të birin, i tha:
– Po të saktësoj se babain nuk e kam, ai ka shumë vjet që më ka vdekur, o Nikollë.
“Eh, more mik, sa mirë e paske mbajur mend ditëlindjen e tim biri”, – mërmëriti me vete ai, pasi kishte mbyllur telefonin.” Po sa çudi, si nuk i kujtohet se unë i kam thënë sa herë se babai më ka vdekur.”
Muajt kalonin e erdhi Viti i Ri. Arbëri ishte duke u bërë gati të ulej në tavolinë, kur ra zilja e telefonit.
– Jam Nikolli, po të flas nga Kosova, mora me të urue Vitin e Ri.
E, pas urimit, ai menjëherë kishte pyetur për babanë. Arbëri ishte dredhur e nuk kishte ditur çfarë të thoshte.
– Më vjen keq, Nikollë, po babai mua më ka vdekur kur unë kam qenë fëmijë, – i ishte përgjigjur, për kushedi për të satën herë.
– Më fal, Arbër, kujtoja se e kishe babën gjallë. Gjithsesi, gëzuar familjarisht!
Në fillim të pranverës Arbëri shkoi në Kopenhagen, në një kurs trajnimi. Ishte duke pirë një kafe në një ndër pushimet, kur ra telefoni. Zërin e Nikollit e njohu menjëherë.
– Gëzohem, Arbër, që paske shkuar në Europë, aq larg, po si i ke nga shtëpia, a je lidhë në telefon me babën, si është me shëndet?
Arbëri s’kishte ditur çfarë të thoshte.
– Nikollë, unë besoj se ua kam thënë sa herë… se nuk e kam babën, ai nuk rron prej vitesh.
– Eh, të lashtë zoti kë ke, mora me e ditë se si je, e nëse ke ndonjë nevojë, më thirr në telefon! – kishte thënë në fund të bisedës Nikolli.
Arbëri ishte trazuar prej asaj telefonate, a thua tjetri i ndillte ndonjë të keqe, a thua shihte ëndrra ku i përhiheshin të vdekurit. Por, meqë hyri menjëherë në leksion, e harroi telefonatën.
Mbërriti në Shqipëri e filloi punën si zakonisht në redaksi. I erdhi një letër prej Nikollit, i cili kishte shkuar për disa ditë tek i vëllai në Australi. „Arbër, unë do të jem disa ditë në Australi, po kur të kthehem do të vij dy a tre ditë në Shqipëri. Bëj, të fala babës prej meje!” Tek kjo fjali gërmat sikur i ishin bashkuar, e nuk kishte dashur ta besojë atë fjali, por pasi ishte përqendruar sërish, kishte lexuar qartë fjalët „bëj, të fala ba….”
– Eh, mor Nikollë, babai im tash është tretur nën dhe e veç kockat i kanë mbetur, – tha me vete, dhe nxori prej paketës e filloi të tymoste një cigare.
Nikolli, në kthimin e tij prej Australisë, ishte ndalur në Shtudgard, ndërsa Arbëri gjendej në Stamboll. Ishte në hyrje të sarajeve të sulltanit, në sheshin përpara atyre sarajeve, duke vështruar detin Marmara, kur ra zilja e telefonit.
– Arbër, jam tuj u kthye prej Australie, tash ndodhem në Shtudgard. Jam këtu në një dyqan orësh e kam gjetë një orë të mirë me qostek, e sapo ta kam ble, për babën.
– Nikollë, të lutem, mos blej asgjë, babai im ka vite që ka vdekë.
Këtu kishte mbaruar bateria e telefonit e biseda kishte mbetur pa përfunduar. Pavarësisht prej njëri-tjetrit, Arbëri u kthye prej Stambollit në Shqipëri, e Nikolli prej Australisë në Kosovë.
Ishte fundi i prillit, e mërkura e Pashkëve, kur Arbërit i ra sërish telefoni.
– Jam Nikolli, – u dëgjua zëri përtej telefonit.
– Gëzuar Pashkët, e për shumë mot, Nikollë. Jam munduar të të marr e të të uroj, po nuk më je përgjigjur. Unë jam në fshat, tek njerëzit e mi.
– Nuk kam qenë, isha për Pashkë tek motra në Gjermani, po harrova telefonin, kështu që të mora sot unë me të urue. Po si i ke? A po ma jep babën në telefon, që t’ia uroj Pashkët dhe atij, se asht plak njeri e i bahet qejfi? Mos harro, orën me qostek e kam gati, kur të vij atje do t’ia sjell si dhuratë…
Arbëri, i stërlodhur prej kësaj pyetje, nuk diti çfarë t’i thoshte, e megjithatë ia ktheu.
– Nikollë, baba më ka vdekur bash si sot, të dielën e Pashkëve!…
– Zoti të dhashtë forcë! – dëgjoi zërin e tjetrit prapa telefonit. – Arbër, unë qenkam korit që nuk mundem me ardhë në mort. Kam borxhe ndaj teje.
– Po më vjen keq.
“Çudi, – mendoi Arbëri, – Nikolli ishte burrë i veçantë, kujtohej për gjithçka, e pyeste pa harruar asgjë, as emrin e djalit e vajzës, bile kujtohej e uronte dhe për ditëlindjet e tyre, fiks në datën e caktuar. Bashkë me urimin, u postonte prej larg edhe ndonjë dhuratë të vogël. Por çudi, veç vdekjen e babës gjithnjë e harronte, e gjithnjë vazhdonte të pyeste për të? Apo nuk i kishte blerë dhe orën me qostek?”
E pa në ëndërr babanë atë natë. Iu duk më i lodhur, më i plakur, mbushur plot e përplot me dhembshuri.


