20.5 C
Tirana
E enjte, 4 Qershor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Dita e tretë e protestave në Tiranë: Nga zemërimi për Zvërnecin te...

Dita e tretë e protestave në Tiranë: Nga zemërimi për Zvërnecin te kërkesa për ndryshim të sistemit politik!

0
Laguna e Zvërnecit

Nga Safet SADIKU

Dita e tretë e protestave në Tiranë tregoi se kemi të bëjmë me një lëvizje të ndryshme nga protestat tradicionale që janë parë gjatë viteve të fundit. Ndryshe nga tubimet e organizuara nga opozita parlamentare, të cilat shpesh mblidhnin një numër të kufizuar protestuesish dhe përfundonin në skenarë të përsëritur përplasjesh simbolike, protesta e këtyre ditëve ka marrë një karakter më të gjerë qytetar dhe më të drejtpërdrejtë politik.

Për vite me radhë, protestat e partive kryesore shoqëroheshin me akuza për marrëveshje të pashkruara mes elitave politike, ku tensioni krijohej deri në një pikë të caktuar, por pa rrezikuar seriozisht ekuilibrat e pushtetit. Në perceptimin e shumë qytetarëve, ato mbartnin logjikën e heshtur: “tërhiq e mos e këput”, duke ruajtur status quo-në dhe interesat e klasës politike.Ndërsa protesta për Zvërnecin po shfaq një tjetër frymë. Ajo lindi nga pakënaqësia ndaj mënyrës së qeverisjes dhe u zgjerua në një kundërshtim më të përgjithshëm ndaj sistemit politik. Në ditën e tretë, protestuesit dolën hapur me parulla që nuk kursenin asnjërin prej protagonistëve kryesorë të politikës shqiptare. “Rama në burg”, “Berisha në burg” dhe “Duam ndryshim sistemi” ishin ndër thirrjet më të dëgjuara në rrugët e kryeqytetit.

Këto slogane tregojnë se zemërimi i protestuesve nuk drejtohet vetëm ndaj qeverisë aktuale, por edhe ndaj modelit politik që ka dominuar Shqipërinë për dekada të këtij tranzicioni famkeq. Për shumë pjesëmarrës, problemi nuk lidhet vetëm me individë të veçantë, por me një sistem që ka prodhuar korrupsion, pabarazi dhe mungesë besimi te institucionet. Pikërisht ky është elementi që e dallon protestën e këtyre ditëve: refuzimi i ndarjeve tradicionale mes mazhorancës dhe opozitës. Në vend të mbështetjes për një kamp politik kundër tjetrit, po artikulohet kërkesa për një ndryshim më të thellë, që synon reformimin e vetë mënyrës se si qeveriset vendi.

Mbetet për t’u parë nëse kjo energji qytetare do të mund të organizohet dhe të shndërrohet në një lëvizje afatgjatë. Por dita e tretë e protestave në Tiranë dëshmoi se pakënaqësia e akumuluar në shoqëri po kërkon gjithnjë e më fort një shprehje politike që shkon përtej kufijve të zakonshëm të debatit partiak. Në anën tjetër, deklaratat e kryeministrit Ramatingëlluan më shumë qesharake sesa bindëse. Kjo ishte një përpjekje për të ironizuar protestën. Ai pranoi në mënyrë të tërthortë një fakt të rëndësishëm: se pakënaqësia qytetare tashmë ka marrë përmasa që nuk mund të injorohet. Pretendimi se pas revoltës qytetare qëndrojnë interesa të huaja, konkurrenca turistike apo shërbime sekrete të vendeve fqinje, (Greqia, Serbia) nuk shpjegon dhe as nuk e arsyton dot zemërimin që po shfaqet në rrugët e Tiranës.

Ajo që kryeministri dhe drejtuesit e tjerë të politikës shqiptare nuk pranojnë të thonë është se përgjegjësinë kryesore për këtë klimë mosbesimi e mbajnë vetë elitat politike. Për vite me radhë, politika është ndërtuar mbi logjikën e përçarjes, të kontrollit dhe të pazareve të mbyllura, duke trajtuar shpesh pasuritë publike si pronë private dhe jo si pasuri që u përket qytetarëve. Pakënaqësia dhe pjesëmarrja masive në protestë duket se kanë dalë përtej llogarive të zakonshme politike dhe përtej kontrollit të partive tradicionale. Kjo nuk është meritë e ndonjë force politike të caktuar, por pasojë e pakënaqësisë, e cila është akumuluar prej vitesh. Qytetarët nuk po kërkojnë luks apo privilegje, por ata po kërkojnë standarde minimale të qeverisjes, transparencë në përdorimin e pasurive publike dhe respektim të interesit kombëtar.Mesazhi që po artikulohet gjithnjë e më qartë është i thjeshtë: Shqipëria u përket shqiptarëve dhe jo pushtetarëve të radhës. Ndërkohë, përdorimi i burimeve publike dhe i parave të taksapaguesve për propagandë politike dhe fushata elektorale ka thelluar ndjeshëm hendekun mes qytetarëve dhe klasës politike, duke prodhuar një nivel të lartë mosbesimi ndaj institucioneve.

Nga ana tjetër, shumë protestues shprehën shqetësimin se në ditën e tretë pati përpjekje për ta devijuar karakterin qytetar të demonstratës dhe për ta zhvendosur vëmendjen drejt incidenteve të izoluara. Sipas këtij perceptimi, çdo shfaqje dhune apo tensioni i shërben më shumë atyre që duan të zbehin mesazhin kryesor të protestës sesa vetë qytetarëve që kërkojnë ndryshim. Pikërisht për këtë arsye, sfida kryesore e protestës mbetet ruajtja e karakterit të saj qytetar, paqësor dhe të pavarur nga interesat e grupeve politike që mund të përpiqen ta përdorin atë për llogaritë e tyre. Përballë këtij realiteti, rrjetet sociale janë mbushur me gjuhë fyese, zemërim dhe urrejtje të pakontrolluar, shpeshherë të nxitura edhe nga mekanizma të manipulimit politik. Në vend të debatit racional dhe ballafaqimit me argumente, hapësira publike po dominohet nga sulmet personale, etiketimet dhe përpjekjet për të diskredituar çdo zë kritik. Kjo atmosferë jo vetëm që nuk i zgjidh problemet, por e thellon më tej krizën e besimit dhe polarizimin shoqëror.

Nga ana tjetër, mbetet e vështirë të kuptohet se si lidershipi politik shqiptar është shndërruar në një kastë pothuajse të pandryshueshme për më shumë se tre dekada. Të njëjtët emra, të njëjtat figura dhe të njëjtat qendra vendimmarrjeje vazhdojnë të dominojnë jetën politike, duke lënë pak hapësirë për gjeneratat e reja dhe për ide të reja. Në këtë klimë, deklaratat e ashpra që dëgjohen në publik, sipas të cilave elita politike i shërben më shumë interesave të veta sesa interesit kombëtar, janë shprehje e një zhgënjimi të thellë qytetar. Edhe pse shpesh të formuluara në mënyrë të vrazhdë dhe emocionale, ato pasqyrojnë hendekun në rritje mes pushtetit dhe qytetarëve që dikur ua besuan votën këtyre forcave politike. Sot, ky hendek duket më i madh se kurrë dhe zhgënjimi ndaj klasës politike është shndërruar në një nga tiparet më të dukshme të realitetit shqiptar.

Megjithatë, kërkesa për ndryshim sistemi dhe për mbylljen përfundimtare të politikës së tranzicionit nuk është një ide e pa artikuluar edhe më parë. Për vite me radhë, kjo kërkesë është artikuluar publikisht edhe nga programi “Platforma për Referendum Kombëtar”, i cili përmes dokumenteve programore, analizave dhe shkrimeve publike ka propozuar kalimin drejt një modeli më të avancuar të pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje. Sipas këtij vizioni, demokracia përfaqësuese do të plotësohej me mekanizma të demokracisë direkte, duke i dhënë qytetarëve mundësi më të mëdha kontrolli mbi vendimet strategjike të shtetit dhe mbi përfaqësuesit e tyre politikë. Një model i tillë synon të kufizojë abuzimin me pushtetin, të rrisë transparencën institucionale dhe të vendosë një mbikëqyrje më të fortë mbi klasën politike, pavarësisht se cila forcë ndodhet në qeveri apo në opozitë.

Në këtë këndvështrim, zgjidhja e problemeve të trashëguara të tranzicionit lidhet me krijimin e një raporti të ri mes shtetit dhe qytetarit, ku sovraniteti nuk ushtrohet vetëm një herë në katër vjet përmes votës, por edhe përmes instrumenteve të drejtpërdrejta demokratike. Përkrahësit dhe bashkëthemeluesit e kësaj platforme argumentojnë se një proces i tillë, në bashkëpunim me partnerët strategjikë perëndimorë dhe në përputhje me standardet evropiane, mund të krijojë kushtet për reforma më të thella politike, institucionale dhe kombëtare. Nëse protestat e sotme po kërkojnë ndryshim sistemi, atëherë sfida e vërtetë mbetet kalimi nga revolta spontane drejt formulimit të alternativave konkrete politike dhe kushtetuese, të cilat ndryshime do të votohen në referendumin e parë Shqipëri-Kosovë. Vetëm në këtë mënyrë pakënaqësia qytetare mund të shndërrohet në një proces real transformimi demokratik dhe jo thjesht në një cikël tjetër zhgënjimi të përsëritur.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.