Prend BUZHALA: ‘ANA TJETËR E JETËS’ (Poezi), LENA, Prishtinë, 2026
Libri poetik “ANA TJETËR E JETËS” i autorit Prend BUZHALA, sipas renditjes së deritashme bibliografike është i tridhjetë e një (31) në radhën e botimeve të vëllimeve të tija poetike. Publikimi i radhës paraqet një fond të dukshëm sasior, që pa dyshim shkrimtarin BUZHALA e radhit te më të frytshmit poetë, i cili si në sasi edhe në cilësi e begatoi poezinë shqipe. Mirëpo, kjo është njëra nga veçantitë jetësore të kultivimit të së bukurës së këtij autori. Veçantia tjetër e qëmtimeve, e kërkimit dhe e pasqyrimit të trajtave dhe të vlerave artistike të tij shtrihet gjerë e gjatë edhe në diskurset kritike, eseistike, publicistike, të studimeve letrare të autorëve të veçantë dhe të dukurive të përgjithshme në letërsinë shqipe. Duke pasur parasysh sferën e kritikës, studimet letrare: eseistikë, publicistikë dhe monografi të veçanta letrare, korpusi i veprave të këtyre gjinive dhe llojeve arrin 97 s’osh, pa tri njëqind (100)! E tëra për një krijues të mirëfilltë si Prend BUZHALA është përmbushje madhështore e opusit të tij krijues, e vlefshme për letërsinë dhe kulturën e shkrimit shqip.
KUJTESA E TRISHTË E EKSODIT TË SHQIPTARËVE
Nisur nga cikli “Eksodi biblik i shqiptarëve të Kosovës më 1999”(Kantatë në tri pjesë për recitativ e kor), vijojnë ciklet e gamës së gjerë të strukturës poetike të librit: “Tapia e rrëfimeve”; “Nëna e heshtjes”; “Në paskajoren e qenies”; “Çaste lirike me rrëfime komentuese”; “Poetët me gjarpër”(Në nëntë paradigma); “Katër etyde për dritën”; “Njeriu i drejtë” (Katër fragmente poetike që kanë humbur nëpër fragmente pa e gjetur as parë dot Njeriun e Drejtë); “Gjuha e zgjuar nga guri”(Dhjetë shpalosje pergamene për një histori jetime); “Kënga e grahmave”(Poezi me pak fjalë) dhe “Doracak nga mësimi i madh i historisë.”
Gjatë leximit nga cikli në cikël, pra në dhjetë sitsh, të hapet moria e motiveve me pamje e përfytyrime të qenësisë së jetës përplot ndjeshmëri, peripeci e përsiatje të sprovave filozofike, etike, estetike dhe ekzistenciale. Siç shihet fushë shtrirja e lëvrimit dhe e mbjelljes të farës së shkronjave, që shpirtëzohen hullive, është e gjatë dhe e gjerë në hapësirë e kohë. Në dyqind e tetëdhjetë e shtatë vargje rrokjesh e ritmesh, çfarë ia diktonin poetit përjetimet e thella dhe drithërimet e pashuara të golgotës shqiptare nga “Eksodi biblik i shqiptarëve të Kosovës” shfaqet kalvari:
“Kur u nisën, si ndjekësit e Moisiut,
pas shenjave, pas etheve e anktheve të zemrave,
ata po shkruanin një hartë të re,
me gishta të mbushur me dhe…”
Kantata e rrëfimit të trishtimit të dhunës hyri në poezinë e poetit, të sprovuar sikurse të tjerët, si dëshmi, si rrëfim vuajtjesh, pamje flakësh në vatra, ankthe djegiesh, vatrash të rrënuara, plagësh që nuk qepeshin dhe, thirrje për brezat qoftë edhe me zë të ngjirur:
“Kthehu, bir! Ma mbaj gjallë kujtimin!”
Pasoja solli rrjedhimin: qenësia lëndore pothuajse ishte zhbërë! Por, çka kishte ngelur nga ajo gjëmë e zhbërjes së përsëritur ciklike mbi etninë jo sllave?! Ajo që duhej t’i shpëtonte zhbërjes nuk ishte materialja. Atë që nuk mund ta zhbënin barbarët do të ishte e pakapshme… E paprekshme ishte kujtesa e rrënjosur thellë në vetëdijen e brezave. Mbajtja gjallë e kujtesës mund t’i rikthente ciklet dhe, t’i rimbushte hapësirat e shtrirjes së ngrohtësisë së lirisë. Trishtimi, frika, dhimbja, djegia e djepave, ndjekja për ikje dhe copëtimi shpirtëror jashtë vatrave… Ku duhej ta lypte shpëtimin popullata, nëse jo te shpresa apo te tejkalimi i frikës? Doemos të përndjekurit e dërmuar duhej ta tejkalonin vetveten përmes një “Kthimi biblik, me ringjallje të heshtur.”
Poezia e një rrëfimi thellësisht të ndjerë kap kalvarin e vuajtjeve të papërshkruara. Vuajtjet nuk dolën nga legjenda e mite të imagjinatës, por mbase tej periudhës së katrahurës ato do të shndërrohen në trajta legjendash e rrëfimesh të trishtueshme, veçmas për ata pasardhës përtej vorbullave të historisë. Kështu ka ndodhur në kohëra të humbura… Me gjasa përmasat e dhimbjes së vërtetë kurrë nuk u përjetësuan, madje as majë penat më të mprehta nuk thurën dot të vërtetat tona të pa jetësuara?!
Një përngjasim përjetësimi homerik të Eksodit Biblik të Etnisë Shqiptare nëpërmjet kësaj kantate për korin e recituesve, mëtoi ta përjetësonte në librin “ANA TJETËR E JETËS” poeti Prend BUZHALA:
“Kthimi ishte një besë, si ajo e Konstantinit me Doruntinën
Një betim në heshtje: Këtu jemi, këtu do të qëndrojmë!”[1]*
KONCEPTI POETIK I RRËFIMIT
Çka sugjeron emërtimi “Tapia e rrëfimeve”, jo vetëm si titullim cikli?
Tapi – a fjalë (turqisht tapu) dokument zyrtar mbi pronësinë e patundshme.
Të kesh tapi mbi një pronë është legjitimimi juridik i pronësisë së trashëguar në breza nëpërmjet dokumentimit themelor të zyrtarizuar, sipas së drejtës etnike dhe qytetare. Këtu rrënjët e tapisë qëndrojnë në qenësinë e vijueshme etnike, me anë të dëshmive arkeologjike nën dhe e, mbi tokë. Por, ja që kjo e drejtë e tapisë ndodhet nën goditjet shekullore shpërfillëse të barbarisë sllave. Gjithsesi me zjarr e hekur etnisë po i grabitej tapia ekzistenciale, duke iu lëshuar mbi trup stiva e dhimbjeve, e dhunës më mizore kundruall të vërtetave të tapisë e ngjizur në gjak, djersë e ëndrra:
“që fshihen nëpër kujtime,
si thesare të nëndheshme”
Atëbotë në zemrën, shpirtin dhe dorën e Mjeshtrit mbetën amanete të pashkruara që të skaliten si:
“rrëfime që derdhin lotët
nga sylynjarët e zemrave” (Po aty; f. 29)
Bartësi shpirtëror i plagëve është i ngarkuar me barrën e këtillë të zbrazjes, që nuk është thjesht zbrazje, me dëshmi rrëqethëse që nuk janë, veçse dëshmi me kujtime të trishta, që s’janë vetëm trishtimi i një katrahure kalimtare, por gjithandej gjëmës që mund të fashitet e t’i mbesin dënesat e herë pas herë të pamundësisë për rikthimin e shërimit e të Shpresës së Madhe! E gjithë kjo periudhë vorbullash e dhunës, poetit i hapi një shteg për ta përtrollitur të zgjeruar konceptin e tapisë së bëmave dhe, kërkoi ndihmën stilistike edhe nëpërmjet antipodit të poezisë: prej rrëfimit arteries gjallëruese të prozës.
Në këtë përmasë shkrimore na vjen pyetja konceptuale: si do të mund ta pajtojë poeti narracionin, përkatësisht stilin rrëfimtar për bartjen e kujtesës mbi natyrën refleksive tejet të ndjeshme të poezisë lirike? Mos vallë shkrim-qëmtuesi me çelësin e gjinisë së prozës, do të mund t’ia shumëfishojë faqet e dëshmive pjellorisë së poezisë, duke i dhënë një rol praktik ndjeshmërisë shprehëse të poezisë edhe përmes mjeteve rrëfimtare, por pa e cenuar frymën e saj figurative? Sido qoftë, Mjeshtri ynë poezisë së tij arriti t’i jap pajtimin përputhshëm: konceptin e rrëfimit poetik me njomështinë e poezisë lirike. Ai këtë barrë e mati me sy e zemër për ta shpjer në cakun e së mundshmes së konceptimit të tij artistik:
“Kjo barrë rrëfimesh
është tapia jonë e dëshmive” (Po aty; f. 31)
Cila është barra shpirtërore e rrëfimeve që poeti duhet t’i nxjerr nga terri i frikshëm në dritën e së vërtetës? Në këtë kontekst nuk ka asgjë paradoksale, por ka një logjikë, përmes së cilës ishte përtrollitur tmerri:
“plagët që na therin,
kur errësira e vuajtjeve na mbulon.”
Të gjitha vuajtjet, plagët, përdhosjet dhe dhimbjet, e gjithë tragjedia e dhunës së shpopullimit të dhe-përshkrimit dardan, në pikë cakun e poetit doemos duhej të sublimoheshin në tapinë tonë madhore, në tapinë e dëshmive tona. Barrës të renditjes së rrëfimeve për ta dëshmuar meritën e përgjakshme të tapisë për trojet, assesi e shmangu poeti i identifikuar me fatin dhe fatkeqësinë e kurdisur mbi kurrizin e etnisë. Çfarë do të ndodhë pastaj në ëndrrat drithëruese të gjakimit të kthimit dhe, të ri -ngulimeve në vatrat e djegura të vendlindjes? Ndodhi rikthimi te tapia, sepse tashmë kemi tapinë e lotëve, të gjakut, të dhimbjes dhe varganin e rrëfimeve… Që të gjitha ia shtojnë vëllimin faqeve të librit dhe tapisë.
Gjithnjë jemi brenda konceptit të rrëfimit ose të shumësisë së rrëfimeve, por në gjininë e ndjeshme të poezisë. Poezia ka veçantinë e saj dhe, rrjedha e rrëfimit doemos i jep asaj aq peshë sa mund të bartin supet e saj të njomë, përherë të ndërtuara në rregullat që e shquajnë. Pa dyshim poeti Prend BUZHALA kaherë është përngjasuar me natyrën e poezisë, me finesat dhe zbatimin praktik të veçorive poetike të poezisë. Ai e sheh të pashmangshëm konceptin e rrëfimit poetik, andaj e zbaton me vendos- mëri. Rrëfimi poetik, sipas poetit, në poezinë postmoderne nuk mund të jetë i një njëshëm, sikurse te simotra rrëfimtare e poezisë proza. Ndarjet klasike të llojeve dhe të gjinive moderne dhe postmodernia ua kanë ndryshuar fytyrën. Te secila shfaqen prani të dukshme të njërës te tjetra, pleksje të llojeve apo të zhanreve. Si tipologji e tillë më gjithëpërfshirëse haset te proza dhe dramat e Beqir Musliut.
Poezisë së poetit dhe estetit Prend BUZHALA koncepti i rrëfimit poetik i shërben për kapje sa më të gjerë të lëndës së dukshme dhe të padukshme ideore dhe të përfytyrimeve imagjinare. Ai në diskursin e vet poetik mëton t’i përmbush dy caqe:
- kapje të gjerësive tematike dhe të motiveve të patrajtuara të realitetit jetësor e fiktiv dhe,
- artikulime përvojash e sprovash për t’i shtruar në një rrafsh të sheshtë qartësie ndikuese, e qëmtuar kryesisht nga s’përshfaqja në thellësi të ngjarjeve dhe të dukurive.
Këto dy premisa janë pikënisje udhërrëfyese për shtjellimin në vargje të akëcilës dukuri të realitetit, që në pamje të parë të duket i pa ndërlikuar, por nën syprina fsheh të panjohurën e këndshme apo të pakëndshme dhe, zgjon përsiatje për perceptime e përthellime të njohjes. Andaj, poetit nuk i mjafton vetëm zgjimi i ndjenjës estetike për të bukurën, për të madhërishmen, për të ligën dhe të shëmtuarën, për tragjiken dhe heroiken, për fatin ironik dhe marrëzinë… Poetit i shtrohen edhe dilema për kahet e mësimeve dhe të pësimeve të shpirtrave njerëzorë. Për çdo zgjim mëngjesor Ai lutët te i Tej të Lartit, që t’i ndjejë dhimbjet dhe të mëshirohet me ne për huqet dhe gabimet tona; të përçojë frymën biblike kundruall ndasive racore dhe të urrejtjes ndërnjerëzore:
“Na ndihmo ta shohim të bukurën
te secila qenie njerëzore.” (Po aty; f. 31)
Lutja si e këtillë shquan tiparet njerëzore dhe estetike për praninë e së bukurës “te secila qenie njerëzore.” Përmes kësaj lutjeje të drejtuar të Tej të Lartit shpërfaqet bukuria estetike, shpirti i një estetike si njëra nga tiparet themelore të cilësisë të së njerëzishmes, kundruall vrazhdësisë dhe egërsisë, tiranisë dhe barbarisë, së keqes dhe djallëzisë mes njerëzve.
LIGJËRIMI I HESHTJES
Në përsiatjet e tij poeti i rreket zbërthimit të ngërthesave, të cilat i has madje dhe në hapësira të panjohura… Ndoshta ato hapësira i përkasin fluturimeve në ndërdymën e poetit? Mos të hamendësojmë: se kërkimi i hireve të njeriut nga poeti, shpijnë edhe atje ku logjikës njerëzore i topitet mendje – mprehtësia. Gjithandej intuita e thellë poetike kap përfytyrime për shenjat e lashta të një kujtese, që nuk ruhet vetëm në sirtarë apo skedarë raftesh të mbyllura brenda muresh dhe kulmesh. Penë – shkruesit tonë përfytyrimet i shpalosen edhe si pohime paradoksale:
“Qenka vetëm qielli
që t’i ruan thesaret e fshehura
në arkivin e vet qiellor.” (Po aty; f. 35)
Poezia që në thelb ngrihet mbi kontraste ndjeshmërie, mbi përfytyrime paradoksale, nuk përmbushet vetëm nga mbresat vezulluese të syprinave. Ajo shfleton edhe arkivin qiellor që t’i kapim shenjat e dikurshme të mbetura për t’i eksploruar në të sotmen.
“ANA TJETËR E JETËS” së qëmtuar të Prend BUZHALËS është shumësia e muzave të kujtesës, Orët e Mësimeve të Pamësuara, hapa të hedhur në labirintet pa mure, harrimi i vetvetes shtresave të vetëdijes somnambul; ligjërimi për “Revoltën e Heshtjes”, shëmbëllimi i Vinçenc Prendushit, i Etëhem Haxhiademit, Marie Tucit e mbyllur në “thesin e natës“, “Në moshën e lulëzimit të jetës” në thes me macen! E folura e prozopopes dëfton dëshminë rrëqethëse të vuajtjes së idealistes shkodrane Marie Tuci:
“Një mace çirrte trupin tim,
por shpirti im rrinte zgjuar
si një yll që nuk fiket
në qiellin e vuajtjes.”
Drama mbi personazhin e poezisë Marie Tuci, përmes rrëfimit poetik në ciklin “Nëna e Heshtjes”, merr shtrirje të përmasës së mizorisë së vuajtjes dhe ngadhënjimit etik mbi vuajtjen në pesëmbëdhjetë njësi poetike. Poeti BUZHALA rikthen në përfytyrime brezash rrëqethshëm shëmbëlltyrën unike të një idealisteje atdhetare, siç ishte Marie Shllaku.
Çështja e ngritur në pararendje të këtij këndvështrimi për rrëfimin si mjeti parësor që ndërton skeletin e prozës, rikthehet pikërisht te cikli përkatës i lëndës, si rrëfim poetik i përdorur me masën e mjeshtërisë që nuk cenon natyrën lirike të kësaj poezie. Në qoftë se elementët e epikës, të paraqitjes epike të së vërtetës, i japin krah mbështetjes së frymëmarrjes lirike, te lirika e motivimit të këtillë kemi një gërshetim pleksjesh të shkrira të anës rrëfimtare me reflektimet figurative të peripecive.
Brenda treqind e pesëdhjetë vargjesh rrokjesh të ndryshueshme në trajtë ri – kujtese poetike, BUZHALA rikthen kujtesën e heshtur për vashën Marie Tuci; një shëmbëlltyrë sakrifice me pikësynime bashkimin e trojeve të copëtuara shqiptare. Dëftorja dramatike ndërtohet në trajtën e një monologu të dialoguar, e shfaqur nga prozopopja që herë – herë veta e dytë e botës së amshimit përplotëson vetën e parë. Vargjet e trajtës shprehëse të prozopopes e përçojnë përcaktimin e pakthyeshëm të Heroinës nga idealet e tërësisë së kombit, pa të cilat nuk e përfytyron jetë – rrojtjen, as gëzimet e moshës:
“Nuk e shita fjalën,
nuk e ula shikimin
nuk e ndava shikimin nga Zoti” (Po aty; f. 55)
Mbresa e thellë e bëmave të krye-personazhit të historisë dhe të poezisë Marie Tuci, nuk të lë të qetë dhe pa përsiatje… Këtë dhunti e ka arti. Sërish nuk mund t’i largohemi mbresës së pyetjes retorike: si iu ngjiz forca morale vashës me prejardhje mirditore? Gjithë ajo forcë pathyeshmërie nga mizoria që zbërtheu mizori mbi atë trup të njomë të Marie Tucit! Asaj forca i ishte ngjizur në bindjen dhe besimin e thellë tek etnia dhe te Zoti, te pastërtia e një shpirti që po i falej kurban atdheut me filozofinë biblike, shëmbëllyeshëm Jezu Krishtit.
Heroina, thellësisht deri në frymën e fundit, do t’i jepet trinisë: idealeve të bashkimit kombëtar, parimeve të filozofisë së Krishtit dhe nderit të papërlyer mbi bazamentin e guximit. Vasha shfaqet në figurën e prozopopes, si një qëmtim i autorit për spikatje të gatishmërisë së një shpirti për flijim. E madhërishmja e flijimit patjetër që duhet nënvizuar si kryefjalë e shëmbëllimit estetik të kategorisë të së madhërishmes.
Poezia “Letër që nuk u shkrua kurrë” ligjëron trajtat e një dëftoreje, e cila brenda vetes mbartë dhimbje e llahtari njëkohësisht admirim e krenari, larg-vajtje të jehonës së mbyllur, së cilës poeti ia zgjeron përmasën e hapësirës sipërore, nga burgu deri në lartësinë e muzave dhe të Hyjnisë qiellore:
“Po më bëjnë copë, më kafshojnë, më thyejnë
Unë nuk qenkam bërë prej frike, nënë.
Jam bërë prej Krishti, prej gjaku mirditor,
Dhe shpirti im i lartë s’njeh dot dorë mizore.” (Po aty; f. 56)
Heshtja si kategori shpirtërore ia përfytyron poetit dëftimet e atmosferës së kohës, bëmat e zëshme, sintezat më kuptimplota, tipare të një lirike e gatuar prej brumit të sprovimeve me sfond biblik:
“Këtu më futën
për ta harruar Zotin,
po unë e bëra Zotin shok qelie
dhe muret i mësova të luteshin”
(Poezia “Qelia nr. 13”)
Rrjedhave të ligjërimit në librin “ANA TJETËR E JETËS” nga konteksti i leximit të metaforës “Thesi i natës”, natyrshëm del analogjia: ana tjetër e heshtjes. Atëherë çka qenka pra ajo anë tjetër e heshtjes? Uni i poetit BUZHALA i dha kahe penës së tij të mos ndryshkej në heshtje. Në të ndërdymën e tij krijuese nuk mbaheshin më tej gacat nën hirin e asaj heshtjeje… Sapo filluan të digjnin ende të pafikura në tetë dhjetëvjeçarë… Autori filloi shpërpushje të zjarrit të gjëmës së mbuluar me hirin e heshtur. Ishte gjëma e madhërishme e Marie Tucit… Asaj duhej t’i spikatej zulma qoftë edhe me figurën që i flet amshimit:
“Unë jam zëri që s’foli
e dëgjohet gjithnjë
në ndërdijen e kombit “
(“Martirja e fundit”)
Kësisoj, heshtja është prodhimtare e një shumësie sintezash artistike, mësimesh të trishtueshme, të cilat dalin si ushtima nga majë – pena e mendjes thellësisht të njësuar me krye – personazhin, motër jona Marie Shllakun. Pamjet e poezisë na vijnë gjithnjë me një stil epik – lirik, heroik e dhimbje – përçues, por përjashtohen pozat patetike dhe ligësia. Mbahet në këmbë logjika e paturbulluar e filozofisë së durimit dhe, krejtësisht logjikshëm përballë akteve të heshtjes del kontrasti i rënkimit e i britmës së kushtëzuar…
Sinteza artistike e poetit pa të ndërlikuar pohimin sjell konstatimin:
“Britma është e shkurtër.
Heshtja është e gjatë
sa përjetësia.” (Po aty; f. 66)
Tre vargjet e kësaj strofe metaforike reflektojnë porosi (j)etike.
Përtej kësaj situate ekzistenciale e qëmtuar për vargje që kapin trajta të heshtjes, tej çdo muri sado të trashë të burgut, referenca e zërit shpërthyes të Heroinës është e pandalshme, madje shndërrohet në jehonë e kambanë tingëlluese e heshtjes:
“Në heshtjen time
u rrit një zë
që nuk mund ta shuaj asnjë burg.”
(“Martirja e heshtjes” f. 66)
Stili i poetit BUZHALA për çdo motiv motivohet, duke e ruajtur mëvetësinë e shprehjes së atmosferës dhe të frymëmarrjes, mbarështron fjalësin me forcën e tij të bindjes dhe, arrin pasqyrime gjendjesh shpirtërore të nuancuara, dritë – hijet e kontrasteve mes kundërshtive njerëzore. Për të ilustruar diskursin konstatues lë t’i përafrojmë dy tipa vargjesh që përfaqësojnë ndërtime të ndryshme stilistike:
“S’ka zinxhirë që mund të mbajë besimin tim” por, vargu vijues i veshur figurativisht e shkrin pararendësin brenda vetvetes. Pohimi prozaik shkrihet në atë figurativ:
“as shufra që shuan dritën që më mbanë gjallë”
Mjaftueshëm përcillet në breza porosia e përgjakshme: e madhërishmja e Heroinës së njomë ngjitet në lartësinë e idealeve hyjnore.
MOTIVE DHE MOTIVIME TË GAMËS SË GJERË
Diskursit tonë vlerësues botimi i librit “ANA TJETËR E JETËS” i sjell shumësi motivesh, idesh dhe ndërtimesh figurative të tekstit poetik. Le t’i nënvizojmë disa formulime që e përshkojnë tërësinë e faqeve të këtij vëllimi:
pamje nën syprina të realitetit, përfytyrime kohësh të papërmbushura me rrëfime, kahe e mëkate të identitetit dhe të ligësisë; filozofia biblike e faljes (modeli i Vinçenc Prendushit); kultivimi i një etike për pezmin kundruall së keqes; reflektime për kthimin te vetvetja; shpalime shtresash të vetëdijes; shenjat e pavdekshme të kujtesës; sprova të urtisë; përshkallëzimi i marrëzisë; alkimia e shndërrimit të helmit të gjarpërinjve nga poetët “në një art të fshehur, të pa emër, për të gjetur shpëtim vetëm për lirinë.”
Mandej, motivime fisnike të poetëve të përcaktuar në misionin për shpëtimin e njerëzores dhe të botës; etydet për dritën; bredhëritje nëpër galaktika; koncepti poetik për fjalën; për të vërtetën; për Fjalën e Lirë; për Pushtetin e Lirisë; ligjërime për vetveten; për krizën e shenjës identitare; për jetën pa të bukurën; “Gjuha e zgjuar nga guri”; “Kënga e grahmave”; shpalime nga mësimi i madh i historisë; Republika e dëshmive të luftës”; sprovime të urtisë; helmi i shndërruar në alkimi”; koncepti për njeriun e harruar; mëkati i heqjes dorë nga vetvetja; poetët me gjarpër…
ALKIMIA E HELMIT TË GJARPRIT
Në 138 vargje të poezisë “Poetët me gjarpër”(Në nëntë paradigma) thuret ideja e metamorfozës së gjarprit, e helmit që “përhapet nëpër kujtime dhe mbështjell secilin mendim të lirë.” Përtej shtjellimit fillestar, poeti përpiqet t’i shpëtojë atij gjarpri të përhershëm pas secilës kthese të shpirtit. Porse, çka qenka ai gjarpër i përhershëm në kafazin e brendshëm të poetit? Këtu poeti kuptoi si zbërthehen trajtat e lakoreve të ngërthesës metaforike gjarpër:
“Gjarpër qenka vetëm mendimi
që të ndjek pa pushim, i heshtur, i përhershëm,
një fantazmë që nuk do të ikë
dhe çdo shpërthim i tij lë një shenjë.” (Poetët me gjarpër1)
Diskursi poetik i metamorfozës poetin e shpie drejt çlirimit të shpirtit dhe, kjo është forca etike – shpirtërore që arrin ta tejkalojë vetveten. Vetvetja bashkohet me të vërtetën. Kështu, poeti merr një rol të ndjeshëm, por të pabujshëm për ta gjetur trajtën e shpëtimit për lutësin. Poetit i është futur helmi, por kërkon trajta për të mos u helmuar, që të mos shndërrohej në helmues! Si do të çlirohet Ai nga helmi i së keqes? Si trajtë zilie apo të tjera sinonime zilish, helmatisja ka depërtuar thellë në egot njerëzore. Poetët e kanë ndjeshmërinë e pagjumë dhe durimin që e futën në çdo fjalë, në çdo simbolikë “kur në shpirtin e tyre helmi bëhet poezi!”
Pohimet e estetëve se poezia në qenien e saj është paradoksale, përputhet pikërisht në këtë trajtë shtjellimesh të metamorfozave ideore të Prend BUZHALËS. Sipas këtij diskursi të artit – etikë poetët e përqafojnë helmin! Po si? Ashtu. Pse e dinë se ai iu shërben si çelës i shpirtit… Ata, poetët arrijnë helmin ta shndërrojnë “në një puthje magjike!” Si? Kështu, ngaqë nuk frikësohen nga helmi që i vret. Ata e mbledhin me duar dhe e “përpunojnë si ar duke e shndërruar në liri.”
Vargjet e diskursit magjik gjithnjë janë në kërkim të magjikes art – jetike. Gjithnjë në kërkime pas krijimit të ëndrrës së prekshme, të urtisë së guximshme ndaj “digjen dhe rilindin”si Feniksi, “për ta dhënë atë që të tjerët s’mund ta shohin”
Në kontekst të paradigmës së katërt (IV) tre vargjet vijues sjellin sintezën e alkimisë:
“Poetët janë ata që e marrin helmin e gjarpërinjve,
dhe në duar të tyre e bëjnë alkimi të pafund,
që vetëm lirinë mund ta krijojë.” (Poetët me gjarpër, f. 104)
Paradigma e pestë përthellon përkufizimin për poetët, si bartës misionesh për ta shndërruar dhimbjen në një simfoni.
“në një melodi që bëhet tingull i shpëtimit
në një notë që ringjall shpresën dhe ndriçon
errësirën e botës së mbërthyer.” (Po aty; f. 105)
Përmasa e misionit të poetëve shtrihet në gjatësi, lartësi dhe thellësi të pamatshme. Diskursit analizues lë t’i flasë tërthoras apo drejtpërdrejt misioni poetik, ndonëse e folura e tërthortë i përket kryesisht stilit figurativ:
“Poetët marrin gjithçka,
çdo armë të përdorur, çdo plagë të hapur,
e kthejnë në poezi, për të krijuar një galaktikë të re,
ku çdo yll që zbret –
është një fjalë e pathënë, një varg që ndriçon
për ata që kanë humbur shpresën.“ (Po aty; paradigma e VIII, f. 108)
Misioni që iu ngarkohet poetëve në nëntë paradigma poetike, në përfytyrimet tona vjen si seria e çasteve të ëndrrave hiperbolike, të cilat burimet i kanë në zhgjëndrra të një realiteti të frikshëm, përplot shpërthime bombash e luftërash dhe tmerresh shkatërrimtare! Megjithatë, poetët shkëpusin yje që t’ua vënë në ballë njerëzve për ta ndriçuar paqen.
Sinteza e zmadhimit poetik e Prend BUZHALËS sublimohet në pohimin madhështorë: se poetët e shpëtojnë botën!
Vëllimi “ANA TJETËR E JETËS” e motivoi gjithanshëm autorin të qëmtojë një mori margaritarësh artistikë, nga gërmimet e pandalshme shtresimeve të kuptimit, prej më të imtave njësi të fjalës e fjalëzave, simbolesh e metaforash, apostrofash e refleksesh që shpërfaqin kumte, kënde e pikasje shpesh të pavërejtura në hapësirat rrethanore të njeriut.
LIGJËRIMI PËR VETVETEN
“ANA TJETËR E JETËS” mbase pashmangshëm prek ligjërimin për vetveten. Për ta njohur vetveten, jo njëherë, duhej të kishe pasur udhëtime nëpër stuhi ndodhish: tërmete, rënie e ngritje, dhimbje, pikëllime, ngazëllime. Poeti BUZHALA jo rrallë sjell konstatime themelore për karakterin njerëzor, për mënyrën e formimit të karakterit mbi parime dhe kënd – shikime e mëdyshje ndaj lakmisë së vetvetes e të brez balljeve.
“Nuk do të jesh i drejtë, as ai që ke qenë,
po që se nuk e ke si mal mbi shpinë
dyshimin mbi vetveten e mbi krejt botën” (Po aty; f. 124)
Karakteri dyshues ndaj vetvetes dhe botës njeriut i jep shkase për përsiatje mbi kahen e udhës dhe çfarësinë e arritjes deri te qëllimi. Mësymja rrugëve të lehta dhe të pandershme drejt mirëqenies nuk të shpien te cilësia e përkufizimit togfjalësh: Njeri i Drejtë. Vetvetja e drejtë provohet vetëm në kontrastin e mundjes së lakmisë dhe, si t’i qëndrosh pastërtisë apo papastërtisë së asaj?
“Si të qëndrosh kështu
i rrethuar nga një botë kaq të shtrembër, kaq katile?
E, po, ky qenka një Hap i Vërtetë:
çdo dyshim qenka një hap drejt njohjes.” (Po aty; f. 127)
Mosnjohja e vetvetes përfshin edhe përmasën e humbjes jo, veçse të shenjave të identitetit… Qartë e thjeshtë identiteti ka shenjat e simbolikës së vet me të cilat identifikohet e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja:
“Në vend të kuqes
erdhi
një ngjyrë që s’ka dhembje,
një stof pa kujtim,
pa shenj gjaku,
pa plagë.” (Po aty; f. 145)
Pësimet etnike të krizës identitare provokojnë vetëdijen e poetit, gjendjen tragjike të humbjes, të mos qenët vetvetja, të tjetërsimit dhe të asimilimit. Nëse mohimi i identitetit kushtëzohej së jashtmi ishte brengë rrethanash, por nëse humbej së brendshmi, heqja dorë vullnetshëm prej vetvetes është mungesë e plotë e vetëdijes?! Pikërisht ky është mëtimi i Thirrjes së Madhe të Mësimit, i apostrofës madhore që rrjedh nga sprovimet e udhë rrëfimit të kësaj tipologjie poetike:
“Nëpër rrugët e mohimit, krijo oazën tënde” (Po aty; f. 177)
Mësimet përgjithësuese për trajtimin e vetvetes dhe përbërësit e ngjizur të identitetit, të qenët vetvetja ose vetja autentike shpalosin cakun konkret të qortimit:
“Po hoqe dorë nga lufta për Fjalën Shqipe,
është njësoj
si të heqësh dorë nga Fjalët Zot e Atdhe
ose nga foshnjat ose nga rrezet e diellit”
Këto porosi të drejtpërdrejta janë abeceja jetike e qenies sonë identitare etnike e njerëzore. Kapërcimi symbyllur mbi këta përbërës të mëkëmbjes së gjallërisë sonë, rezulton mallkimin më të pafalshëm! Kësisoj, poeti nxori nga poezia njërën nga sintezat fondamentale të plotnisë etnike:
“I pari mëkat në botë
qenka heqja dorë nga vetvetja” (Po aty; f. 188)
KONCEPTIMI I JETËS PA TË BUKURËN
E dëgjojmë dhe ndjejmë ëndjen e melodisë së një zëri të bukur dhe përshkues në ndjesi. Shkëlqimin e papritur të rrezeve diellore, prarimin e ngjyrave stinëve të lulëzuara. Hijeshinë e tipareve të vashës; zjarrin e shpërthimit të butë të luleve dhe erë – ëndjen e aromës dehëse të tyre… Pastaj shumë përbërës dukurish që e shpërfaqin magjiken dhe të bukurën e jetës… Ndoshta mos të japin diçka të dobishme, diçka që gufon ndjesitë dhe të joshësh shpirtin për pamjet e përfytyrimet? Ato dalin e hapen si petale, si gjethe të blerta, si faqe fletash të shkruara që t’i lexosh e, t’ua shijosh magjiken e librave përplot hire të Enigmës së Përsosjes së Bukurisë… Trajta të shfaqjes së dritë – hijeve si hijeshi e fisnikëri e qarkullimit të botës së jashtme dhe, pasqyrime të brendshme të shqisave impulsive te homo sapiens.
Poeti Prend BUZHALA këtu ngre vargun hipotetik sintetik për pikëpyetjen që në vetvete ngërthen dhe zbërthen përgjigjen:
“E, ç’kuptim ka jeta pa të bukurën?”
FJALË PËRMBYLLËSE
E tërë lënda poetike brenda titullit të librit, mbase paksa prozaik “ANA TJETËR E JETËS”, i poetit dhe studiuesit të pasionuar Prend BUZHALA, doli e shkruar prej përvojës së thellë të baticave dhe të zbaticave të jetës; e mësimeve nga pësimet e saj, të përthelluara në dukuri e ngjarje reale dhe imagjinare të realitetit tonë të prekshëm dhe të paprekshëm.
Teksti artistik është ngritur në një epërsi shkrim – qëmtuese të denjë për t’u lexuar, për ta shijuar dhe për t’ia vjelë të vërtetat e çiltërsisë së përjetësuar në poezi.
Pothuajse secila poezi në këtë libër të autorit BUZHALA hap shtigje përfytyrimesh, nëpërmjet të cilave mund t’i shohësh dhe t’i ndjesh, të përngjasohesh me anët tjera të panjohura të ekzistencës. Jo në pak raste, poeti më shumë i lë vend perceptimit njohës të vargut dhe figurës, se sa mbresës lirike të poezisë.
Prend BUZHALA në përkushtimin e tij krijues, si i rrallë në letërsinë dhe kulturën e shkrimit artistik e të diskurseve kritike të shqipes, krijoi një opus tejet të pasur letrar.
Atij më së miri i përshtatet pohimi i teorikut Ostin Voren: “Asnjë ditë pa shkruar ndonjë rresht.”
Gjilan, maj 2026
[1] Prend BUZHALA “ANA TJETËR E JETËS”; Lena, Prishtinë, 2026; f. 25











