Ese letrare: (2)
Nga Safet SADIKU
Në një kohë kur zërat e paragjykimeve përzihen me jehonën e historisë dhe kur e vërteta shpesh mbulohet nga hija e miteve të vjetra, fluturimi i Shqiponjës shfaqet si një përfaqësim i kthjellët e vetëdijes dhe e dinjitetit shqiptar, duke u ngritur mbi epoka, mbi padrejtësi dhe mbi keqkuptime, për të dëshmuar se identiteti nuk është barrë e së kaluarës, por forcë që ndriçon të tashmen dhe hap horizonte të reja për të ardhmen…
Në një qytet të vjetër, ku rrugët prej guri ruanin kujtesën e hapave të panumërt dhe ku mbrëmjet zbrisnin ngadalë si një perde kadifeje mbi mendimet e njerëzve, u takuan tre figura që në dukje nuk kishin asgjë të përbashkët. Por, ajo që i bashkonte, ishte pikërisht një etje e thellë për ta kuptuar dhe lexuar më mirë kohën: Ciceroni, Roboti dhe Gjergji ynë. Ciceroni, me togën e bardhë që i valëvitej lehtë nga era e historisë, fliste me fjali të sakta e të ndërtuara me kujdes, sikur çdo fjalë të ishte një gur themeli në tempullin e arsyes, dhe sytë e tij shndrisnin me atë dritën e pashuar të besimit se republika, ligji dhe fjala e lirë janë shtyllat që e mbajnë njeriun larg errësirës së tiranisë dhe harresës. Kjo gjë na mundëson me parë botën si një tribunë të madhe ku çdo qytetar ka për detyrë të dëshmojë jo vetëm për veten, por për të mirën e përbashkët, sepse mendimi i artikuluar me guxim është forma më e lartë e veprimit dhe heshtja përballë padrejtësisë është forma më e rafinuar e bashkëfajësisë.
Përballë tij qëndronte Roboti, një krijesë prej metali dhe qarkesh të ndërlikuara, i ndërtuar në laboratorë ku drita artificiale nuk fiket kurrë dhe ku heshtja ndërpritet vetëm nga gumëzhima e procesorëve. Ai e analizonte botën përmes ritmeve të ftohta, por që në thellësi të kodit të tij kishte nisur të lindte një pyetje e pazakontë dhe pothuajse njerëzore: a mund të matet drejtësia me numra dhe a mund të përkthehet ndërgjegjja në formula, apo ekziston një dimension i padukshëm që nuk kapet nga sensori më i ndjeshëm? Ai fliste me qetësi të përpiktë, me fjali të qarta e të strukturuara si ekuacione, duke kërkuar prova, të dhëna dhe logjikë, por edhe duke ndier se diçka e papërkufizueshme, si një rrymë e fshehtë nën sipërfaqen e detit, i shpëtonte çdo llogaritjeje.
Dhe mes tyre qëndronte Gjergji, jo thjesht si një individ, por si një jehonë e thellë historike që mbante në shpinë shekuj përballjesh dhe ringritjesh, një figurë që në heshtje sillte me vete hijen e Gjergj Kastrioti dhe simbolin e shqiponjës që fluturon lart jo për të sunduar, por për të vëzhguar dhe për ta mbrojtur, duke u bërë metaforë e një populli që shpesh është gjykuar nga mite negative, por që rrallë është dëgjuar në thellësinë e vet. Biseda e tyre nuk ishte thjesht dialog filozofik apo shkencor, por një përpjekje për të thyer pasqyrat e mjegullta të paragjykimeve që për vite me radhë kanë deformuar figurën e shqiptarëve në sytë e botës, sepse aty ku dikur përmendeshin vetëm konfliktet dhe varfëria, tani ngrihej një rrëfim tjetër, i mbushur me dije, me kujtesë dhe me një energji krijuese që zëvëndëson errësirën me dritën.
Ciceroni e shihte këtë si triumf të arsyes mbi shpifjen, ndërsa Roboti si provë empirike që të dhënat mund të rrëzojnë stereotipet, ndërsa Gjergji si vazhdimësi të trashëgimisë që e ka mësuar se miti më i rrezikshëm nuk është ai që të lartëson, por ai që të nënvlerëson. Por, thyerja e tij kërkon jo britmë, por vepër, jo zemërim, por vizion. Kështu, në atë qytet të vjetër që dukej sikur mbante mbi supe gjithë historinë e Mesdheut; fjala, teknologjia dhe kujtesa u bashkuan si tre lumenj që derdhen në të njëjtin det. Ato krijuan një rrëfim të ri për çështjen shqiptare, dhe në të njëjtën kohë vlerësojnë se shqiptarët nuk paraqiten më si popull me figurë të ngrirë në kronika të huaja apo si objekt debatesh diplomatike, por si subjekt aktiv i historisë së tyre. Pra, si një kolektiv i vetëdijshëm që di të shndërrojë mitet në burim force, bashkë me përvojat e dhimbshme në vetëdije politike, dhe paragjykimet në ura mirëkuptimi me botën.
Ndërsa Gjergji, me duar të ashpra nga puna dhe me një zemër që rrihte në ritmin e tokës së tij, i dëgjonte të dy me një vëmendje që nuk buronte nga auditorët e universiteteve apo nga laboratorët me drita të ftohta, por nga përvoja e jetuar dhe nga heshtjet e gjata të historisë. Ai fliste me një qetësi që kishte peshë, dhe fjalët e tij rridhnin si një lumë i thellë që nuk bën zhurmë, por gdhend brigjet me durim. Fjalët e tij shpesh kishin përzier urtinë e trashëguar brez pas brezi me dhimbjet e padukshme dhe me shpresat kokëforta të përditshmërisë shqiptare. Në zërin e tij ndihej jehona e Gjergj Kastrioti si një kujtesë e gjallë, se identiteti nuk është kostum festiv që vishet sipas rastit. Por, është një lëkurë e dytë që nuk hiqet as në stuhi, as në diell.
Kjo ndërtohet nga gjuha e nënës që të mëson fjalën e parë, nga këngët e vjetra që mbajnë brenda histori të pathëna, nga sakrificat e bëra në heshtje për të ruajtur dinjitetin, edhe kur bota të sheh me dyshim ose me paragjykim. Ai besonte thellë se identiteti i njeriut nuk është thjesht një koncept filozofik për t’u analizuar në libra, as një variabël (ose numra të panjohur) teknologjike që mund të programohet në kod, por një ndjesi e brendshme që ndizet si një dritë e vogël në kraharor dhe që mbetet e gjallë edhe kur erërat e historisë përpiqen ta shuajnë. Kjo, sepse burimi është i lidhur me tokën, me kujtesën dhe me përgjegjësinë për të mos e lënë të shndërrohet në karikaturë nga mitet negative të të tjerëve. Në atë shesh të heshtur, ku e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja dukej se takoheshin si tre rrugë që kryqëzohen në një pikë të vetme drite, Ciceroni mbronte fuqinë e fjalës si armë kundër kaosit dhe shpifjes, duke e parë retorikën si mburojë të qytetërimit.
Ndërkaq, Roboti kërkonte rend dhe saktësi në çdo gjë që ekziston, duke besuar se transparenca dhe logjika mund të çmontojnë paragjykimet si mekanizma të prishur, ndërsa Gjergji përpiqej t’i pajtonte të dy, duke thënë se njeriu ka nevojë si për arsyen ashtu edhe për zemrën, si për ligjin ashtu edhe për mëshirën. Pra, vetëm në këtë ekuilibër ndërtohet një shoqëri që nuk e humb shpirtin në përparimin e saj dhe nuk e harron rrënjën në kërkim të lartësisë. Ndonëse, nata po thellohej dhe yjet ndiznin qiellin me një dritë të lashtë sa vetë pyetjet e tyre, tre figurat vazhdonin dialogun e gjatë, secila duke sfiduar dhe pasuruar tjetrën, duke e kthyer debatin në një udhëtim të brendshëm ku thyhen mitet e vjetra dhe lindin kuptime të reja, në një kërkim të përbashkët për të kuptuar se çfarë do të thotë të jesh njeri në një botë ku historia flet me zë të lartë dhe teknologjia përparon me hapa gjigantë. Ndërkaq, zemra, pavarësisht gjithçkaje, përpiqet të mos mbetet pas, por të ecë krahas mendjes drejt një horizonti më të drejtë e më të ndriçuar.
Në një sallë të gjerë, ku dritaret e larta lejojnë dritën e diellit të bjerë mbi tryezën e rrumbullakët si një dëshmi e heshtur e kohës që vazhdon pa u ndalur, Ciceroni dhe Roboti qëndrojnë përballë njëri-tjetrit dhe flasin jo më për abstraksione të largëta, por për fatin e një populli që ka mësuar të mbijetojë mes të papriturave dhe padrejtësive. Ata e kanë përmendur me nderim figurën e Gjergj Kastriotit, si jehonë e qëndresës së dikurshme, që sot kërkon forma të reja shprehjeje në një botë të dominuar nga teknologjia, nga interesat globale dhe kërkesat që shpesh e shtrembërojnë të vërtetën.
Ciceroni, me tonin e tij të thellë dhe me fjali që rrjedhin si një lumë i gjatë argumentesh, thotë se historia nuk është vetëm një rrëfim i së kaluarës, por një gjyq i përhershëm ndaj padrejtësive që përsëriten me emra dhe forma të reja. Por, populli shqiptar, i cili dikur mbronte tokën e vet nën simbolin e shqiponjës dykrenare, sot përballet me vështirësi më të ndërlikuara. Beteja nuk zhvillohet vetëm me shpata, por me dije, me hulumtime shkencore dhe me guxim intelektual që tejkalon skepticizmin e botës, sepse paragjykimet moderne janë më të fshehta, se sa armët e dikurshme, të cilat shpesh maskohen si analiza të ftohta apo si opinione të paanshme.
Ai shton se thyerja e miteve negative nuk arrihet me zemërim të verbër, por me argument të qartë dhe me shembuj konkretë, që e detyrojnë mendimin ndërkombëtar të rishikojë bindjet e veta, ashtu si një gjykatës që përballet me prova të reja dhe është i detyruar të rishkruajë vendimin. Roboti, duke analizuar me qetësi të ftohtë por me një kureshtje që tejkalon programimin e tij fillestar, flet për një shkencëtar të ri shqiptar, një mendje që po habit laboratorët dhe qendrat kërkimore ndërkombëtare. Ai ka arritur të projektojë një sistem mbrojtës kundërajror që, duke përdorur rrezet e diellit si burim energjie të përqendruar, mund të ndërtojë një mur mbrojtës në dhjetë kilometra lartësi… Një ide që për disa tingëllon si fantashkencë, por që për të është dëshmi se imagjinata njerëzore, kur ushqehet nga nevoja dhe nga historia e qëndresës, bëhet më e fuqishme se çdo dyshim dhe më e kthjellët se çdo propagandë.
Në analizën e tij, ai thekson se ky sistem nuk është projekt dominimi, por mburojë parandaluese, një arkitekturë drite që synon të neutralizojë kërcënimin para se ai të shndërrohet në tragjedi! Por, fakti që kjo ide vjen nga një vend i vogël në hartë, por i madh në kujtesë historike, e tejkalon vetë logjikën e paragjykimeve që e kanë parë përherë ish-Ballkanin si burim konflikti dhe jo si burim zgjidhjeje. Në atë sallë të ndriçuar, ku rrezet e diellit bëhen furnizim i energjisë së pashtershme krijuese, dialogu i tyre shndërrohet në një akt simbolik. Ndonëse, fjala e Ciceronit përfaqëson arsyen që kërkon drejtësi, analiza e Robotit përfaqëson shkencën që kërkon prova, dhe figura e Gjergj Kastriotit qëndron si urë mes lashtësisë dhe së ardhmes, duke dëshmuar se një popull që ka ditur të mbrojë veten me shpatë, sot mund ta mbrojë njerëzimin me dritë.
Ciceroni e dëgjon me vëmendje dhe shton, me theks të qartë mbi drejtësinë dhe dinjitetin, se është paradoksale dhe e dhimbshme që një popull i vogël në numër, por i madh në trashëgimi dhe kujtesë historike, shpesh përballet me nënvlerësim dhe pengesa të padrejta. Ai thekson, se bijtë dhe bijat e tij prodhojnë ide që mund të ndryshojnë ekuilibrat strategjikë dhe të rishkruajnë mënyrën si konceptohet mbrojtja dhe sovraniteti në shekullin e ri. Sipas tij, kjo është dëshmi se madhësia e një kombi nuk matet nga territori apo popullsia, por nga fuqia e mendjes dhe vizioni që ai prodhon. Roboti, duke projektuar në ajër modele tredimensionale të rrezeve të përqendruara që ngrihen si kolona drite drejt qiellit, përshkruan skenarë ku ky zbulim jo vetëm që forcon sigurinë, por gjithashtu hap horizonte të reja për përdorime paqësore.
Pra, ashtu si mbrojtja nga rreziqe natyrore, devijimi i objekteve të rrezikshme apo shpëtimi i komuniteteve në situata emergjente, duke theksuar se teknologjia në vetvete nuk është as e mirë as e keqe, por merr ngjyrën morale të atyre që e përdorin dhe se mund të jetë mjet për të ndërtuar një botë më të drejtë dhe më të qëndrueshme. Ndërsa dialogu vazhdon, të dy bien dakord se e papritura më e madhe nuk është vetë zbulimi, por reagimi i botës ndaj tij, sepse aty ku dikur shqiponja simbolizonte mbrojtjen fizike të një kështjelle dhe fuqinë e luftëtarit, sot rrezet e diellit simbolizojnë mbrojtjen inteligjente dhe vigjilente të një hapësire ajrore.
Kështu në këtë kalim nga legjenda në laborator, nga shpata në foton që përqendrohet në qiell, fshihet rrëfimi i një populli që refuzon të mbetet viktimë e padrejtësive dhe zgjedh të bëhet protagonist i së ardhmes së vet, duke treguar se dinjiteti, identiteti dhe dijenia janë armët më të fuqishme kundër çdo paragjykimi apo kërcënimi. Në parim, në atë sallë të ndriçuar nga dielli që bëhet burim i energjisë së pashtershme njerëzore, Ciceroni dhe Roboti nuk flasin më vetëm për një shpikje apo për një figurë historike. Ata flasin për një vazhdimësi që lidh lashtësinë me të tashmen, duke e paraqitur në ekran një tablo ku historia, krenaria kombëtare dhe hulumtimi shkencor bashkohen në një rrëfim të gjatë, të qetë dhe plot situata intriguese, ku e drejta për t’u dëgjuar dhe për t’u vlerësuar bëhet po aq e rëndësishme sa vetë fuqia e dritës. Pra, sa kjo fuqi që ngrihet drejt qiellit dhe shndërrohet në simbol të mbrojtjes, të dijes dhe të lirisë së mendimit.
Në atë hapësirë ku drita e diellit thyhet mbi muret e qelqta dhe ku teknologjia vizaton në ajër trajektore drite që ngrihen deri në dhjetë kilometra lartësi si një mburojë e padukshme, zëri i Gjergj Kastrioti duket sikur gumëzhin mbi kohën, jo si një jehonë e largët muzeale, por si një thirrje e gjallë që depërton në ndërgjegjen e secilit që ndjen peshën e dinjitetit shqiptar mbi supe dhe rëndësinë e mbajtjes së traditës së lartë përtej kohës dhe hapësirës. Ai nuk flet me fjalë të thjeshta e të shkurtra, por me një frymë të gjatë që mbart erën e maleve dhe krismën e betejave të dikurshme, duke kujtuar se shqiponja nuk është vetëm një simbol në flamur. Por, ajo është një mënyrë e të menduarit që kërkon lartësi, guxim dhe kthjelltësi, dhe qartëson, se padrejtësitë që rëndojnë mbi një popull nuk zhduken me heshtje apo përulje, por me vetëdije, me dije dhe me një qëndresë, që sot nuk matet me shpata, por me ide, shpikje dhe guxim intelektual që e detyrojnë botën të rishikojë paragjykimet, të njohë vlerat dhe të shohë shqiptarët si aktorë aktivë të së ardhmes së tyre.
Në këtë mënyrë, dialogu në mes të kaluarës dhe të tashmes bëhet më shumë se një rrëfim. Ai shndërrohet në një udhërrëfyes për mënyrën se si identiteti, kultura dhe risitë shkencore mund të bashkëjetojnë për të krijuar një histori që nuk ndalet, por që lë gjurmë të pashlyeshme mbi mendjet dhe zemrat e të gjithëve. Ndërsa, Ciceroni qëndron i menduar, sikur përpiqet ta përkthejë këtë jehonë në gjuhën e arsyes dhe të ligjit, dhe në ndërkohë, që Roboti po regjistron çdo frekuencë të atij zëri që për të është një kombinim emocionesh, me histori që tejkalon çdo ritëm normal. Por, thirrma për dinjitet bëhet boshti i komunikimit të tyre, sepse ajo lidh të shkuarën me të tashmen dhe e shndërron në një shpikje shkencore në një akt simbolik vetëmbrojtjeje dhe vetëvlerësimi, ku drita dhe dijenia bashkohen për të treguar se madhështia e një kombi nuk është e matur me numra apo me territore, por me thellësinë e mendimit dhe fuqinë e shpirtit.
Zëri i Gjergjit duket sikur thotë se një popull që dikur ngriti kështjella mbi shkëmbinj të thepisur, sot mund të ngrejë mure drite në qiell. Pra, jo për të kërcënuar, por për të mbrojtur, jo për të izoluar, por për të dëshmuar se dinjiteti nuk është relike historike, por energji e gjallë që qarkullon në gjakun e brezave dhe që shfaqet herë si qëndresë fizike, herë si guxim intelektual, dhe herë si një zbulim që trondit botën me risinë e vet. Kjo rrjedhë e proceseve është duke tejkaluar të gjitha paragjykimet dhe njëkohësisht është duke rivendosur autoritetin moral të një populli të vogël si pamje e parë, por në fakt është popull shumë i madh në trashëgimi.
Dhe në atë gumëzhimë që përzien epokat, superfuqia ndien se thirrja për dinjitet shqiptar nuk është një britmë zemërimi, por një kërkesë e qetë dhe e fuqishme për respekt, për drejtësi dhe për njohje të vlerës. Është një thirrje që nuk kërkon mëshirë, por barazi, dhe që përmes figurës së Gjergj Kastrioti shndërrohet në një dritë udhërrëfyese që ndriçon jo vetëm kujtesën historike, por edhe horizontin e së ardhmes, duke treguar se fuqia e një populli që e promovon veten e tij, është më e madhe se çdo vështirësi dhe më e qëndrueshme se çdo paragjykim…
(Nga dorëshkrimet, sirtari 160). – Vijon –











