Autore:
Elife LUZHA
Miq të dashur,
Sot, në përvjetorin e 18-të të Pavarësisë së Kosovës, me nderim dhe respekt të përulur, ndalemi për të kujtuar guximin, qëndresën dhe sakrificën e gjithë brezave që nuk u dorëzuan kurrë. Ata flijuan jetën dhe rinin e tyre për ëndrrën e madhe të lirisë dhe pavarësisë.
Si qytetarë të Republikës, kemi përgjegjësinë por edhe fatin e madh që së bashku ta ndërtojmë dhe fuqizojmë shtetin e lirë e demokratik të Kosovës.
Në vijim, ju ftoj të lexoni poezinë kushtuar heroit tim të gjallë, i cili, në moshën kur jeta sapo fillon, si 19 vjeçar, ai u arrestua, u torturua dhe u dënua me burg të rëndë, vetëm pse besoi në lirinë dhe pavarësinë që sot po e gëzojmë.
Përkundër torturave të shumta, para trupit gjykues teksa dënohej bashkë edhe me tetëmbëdhjetë shokë të tij, më 10 korrik 1982, Kadri Luzha me guxim prej Prometeu deklaron: “Jam më i riu dhe pa përvojë, por juve dhe pushtuesit e popullit tim që ju mbajnë, ju betohem që do t’ju luftoj tërë jetën”, kujton udhëheqësi i grupit, dhe bashkëdënuesi me Kadriun, Mehmet Hajrizi, në veprën “Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981”
NJERI PERËNDI
(Vëllait, Kadriut)
Me rrufe torturash
Trupin tënd të flashkët
E goditën gjakësorët
Të freskëta
Blerime tëmbëlore
Ishin vitet e tua
Ligësi përbindëshash
Lukuni të uritura
Ishin çnjerëzorët
Mbi plagën tënde
Ylber degëzohej liria
Në kaltërinë e qiellit
Sa herë betuar ishe
Një mijë herë lindje
Blerimit me iu falë
Nuk dini ç’bëni
Ishte fjala jote
Si Promete
U ringjalle










