BEQIR MUSLIU NË KËNDVËSHTRIMIN E LULJETA ISAKUT

0
Rebeka Isaku - Utopia estetike

Nga: Isak A H M E T I

Libri “UTOPIA ESTETIKE SI VETËDIJE MITIKE DHE KRIJUESE HISTORIKE”, Botues USH i Tetovës, 2008, fq. 299, i Luljeta Isakut është studim monografik me gjithëpërfshirësi për krijimtarinë letrare të Beqir Musliut. Në këtë studim është përfshirë në tërësi poezia, drama dhe romani MBLEDHËSIT E PURPURIT të Beqir Musliut. Ky studim monografik, sipas vlerësimit të akademik Ali Aliut, ka tri shtylla kryesore, përkatësisht atë që studion tërësinë e krijimtarisë lirike të Beqir Musliut.

Te kapitulli i dytë është shqyrtuar dhe analizuar romani: Mbledhësit e purpurit, ndërsa te pjesa e tretë e studimit në fjalë që është gjithsesi më gjithëpër fshirësi për veprën e këtij shkrimtari, ( që ende nuk është studiuar sa duhet e si duhet ndonëse është modern dhe me vlera shumëdimensionale), trajton veprimtarinë e begatë dramatike të shkrimtarit të mirënjohur Beqir Musliu.

Është me shumë rëndësi të theksohet se për korpusin letrar të Beqir Musliut kanë shkruar Ibrahim Rugova, Nehas Sopaj, Isak Ahmeti e ndonjë tjetër, mirëpo studiuesja Luljeta Isaku ka meritën e veçantë edhe për faktin se ka trajtuar gamën e gjerë të vlerave të korpusit letrar të Beqir Musliut, vlera këto që ndërlidhen me mitologji dhe mite, me realitete dhe ëndërrime, me magji, me mistere që nga zanafilla, nga Adami dhe Eva, Bibla dhe Kur’ani, antikiteti dhe Iliria, ringjallja, Rozafa e Kosova, të përcjella dhe të shenjuara me simbole e metafora …siç e thotë edhe vetë në përmbyllje të studimit monografik kushtuar korpusit letrar të Beqir Musliut.

Krejt në fund të këtij shkrimi po theksoj këtu paksa në mënyrë të veçantë se studiuesja në fjalë ,mikja ime edhe në fb, ka shfrytëzuar në mënyrë shumë korrekte disa referenca nga studimet e mia monografike ku kam shkruar për ndikimet e Biblës dhe Kur’ anit në veprën letrare të Beqir Musliut. Në lidhje me këtë ajo më ka njoftuar edhe privatisht dhe më ka shkruar si vijon, citoj: “Respekt për ju !

Kam shfrytëzuar disa referenca nga librat tuaj, në botimin tim të fundit “Reflekset mitike në letërsi “(Bibla, Kur’ani, Letërsia”!

Studiuesja Luljeta Isaku, për sa jam në dijeni, është autore edhe e librit: Reflekset mitike: Letërsia, Bibla, Kur’ani (2020). Ç’është e vërteta, kjo problematikë e trajtuar nga kjo studiuese është shumë interesante dhe letërsia nuk mund as të paramendohet as të studiohet pa këto ndikime, me të cilat unë mbase, në rrafshin kombëtar, jam i pari që jam marrë në mënyrën më të veçantë me këtë problematikë!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.