Prof. Dr. Fatbardha Fishta Hoxha
Prof. Jup Kastrati ka zene prej kohesh nje vend te shquar ne filologjine shqiptare te gjysmes se dyte te shekullit kaluar. Ai,ashtu si personalitet e shquara prof. Aleksander Xhuvani,prof.Eqrem Cabej,prof.Mahir Domi shfaqi interesin shkencor jo vetem ne fushen e studimeve gjuhesore,te cilave ata u kushtuan jeten e tyre dhe talentin virtuoz,por dhane kontribute po aq te cmuara edhe ne lemin e studimeve letrare.
Në personalitetin e shumanshëm dhe në veprën tejët voluminoze të Jup Kastratit do të shfaqej interesimi i shumëfishte për disa fusha dijesh njëherësh. Në veprën e tij të pazakonte që numëron dhjetëra tituj librash, disa qindra faqe shtypi shkencor,një vend të rëndësishëm dhe të veçantë zënë studimet për letërsinë shqiptare.
Dhe fillimet e tij si studiues në mesin e viteve ’40, i kemi pikërisht në këtë trevë studimesh. Dhe kjo nuk ndodhte rastësisht. Jup Kastrati do të vinte në jetë në ato vite kur Shkodra e më pas Tirana njihnin ritme të reja në zhvillimet kulturore. Ai do të vinte në jetë në një familje të kulturuar në zemër të qytetit të Shkodrës. Në këtë qytet në fundin e 800-shit dhe në fillimet e 900-shit ishin krijuar dhe funksiononin Shoqëria “Bashkimi” dhe “Agimi”, si dhe “Komisia letrare” ne fillimet e shekullit te kaluar që mund të konsiderohen si më të parat akademi gjuhësore e letrare shqiptare, që do të linin gjurmë në kohë në historinë tonë kulturore e kombëtare.
Në qytetin e tij të lindjes ai ndjek pa ndërprerje për 8 vjet me radhë (1936–44) në kulmet e zenitit kulturor,gjimnazin klasik dhe liceun real, qëndron edhe për pak muaj në një lice shkencor në Itali. Dhe nëse ai me të mbaruar studimet do të afirmohej jo në një fushë, por në disa më tej, arsyet duhen kërkuar sa tek predisponimi i rrallë natyror aq edhe në këtë formim të dyfishtë të lakmuar për atë kohë që do t’i jepte karakter universal formatit të tij kulturor. Dhe pas këtyre fakteve nuk mund të mos lexosh nivelin evropian të shkollës shqiptare të asaj kohe si dhe cilësinë e studentëve të saj. Edukimi i dyfishtë që ai merr si në dijet klasike dhe shkencore natyrore do të shfaqet herët thuajse në një kohë të paparashikueshikuar në frute që paralajmërojnë lexuesin skrupuloz, kërkuesin dhe gjurmuesin pasionant, intelektualin e ngjizur me dije krijuese e kritike.
Me mbarimin e studimeve në gjimnaz ai boton në të përkohshmen kritike “Revista letrare” që dilte në Tiranë më 1944 dhe që drejtohej nga intelektualë krijues si Vedat Kokona, Mitrush Kuteli, Nexhat Hakiu dhe Sterjo Spasse. Për të sjellë në vëmendje atmosferën kulturore të Shkodrës së atyre viteve, le të kujtojmë që më 1944, bashkëqytetarë të Jup Kastratit do të botonin, Arshi Pipa revistën “Kritika” në Tiranë dhe Qemal Draçini revistën “Fryma” në Shkodër. Ndonëse më i ri se ata, Jup Kastrati na shfaqet po aq i sigurt në udhën ku hyn me studimin e parë të botuar prej tij “Dramatika shqiptare” tek “Revista letrare” edhe pse autori nuk është më shumë se nëntëmbëdhjetëvjeçar, ai ka arritur të shprehë aq shumë kontribute që e bëjnë punimin një zë të rëndësishëm të bibliografisë kritike shqiptare.
Serioziteti, përgatitja e shkencëtari dhe dijetarit të ardhshëm bie në sy që në zgjedhjen e argumentit të punimit. Kishte në themel kjo përzgjedhje sa shpërpjestimin që vihej re në zhvillimin e gjinisë dramatike krahasuar me gjinitë e tjera të letërsisë shqipe, sidomos në poezinë si dhe në diskutimin e ndezur në shtypin letrar kritik të kohës për të tejkaluar vonesat në zhvillimin e gjinisë dramatike, pa harruar që qyteti i tij Shkodra qe ndër të parët qytete që pati në fund të shekullit 19, salonin e parë teatror të realizuar nga etërit jezuitë dhe më pas nga ata françeskanë, se aty morën jetë shoqëri si Bogani, Mustafa Pasha që e nxitën dhe e zhvilluan artin dramatik.
Ndonëse i ri 20 vjeçar Jup Kastrati u takon atyre intelektualëve që kthimin e teatrit në një institucion të fuqishëm publik edukues e shihnin të varur nga letërsia dramatike, prandaj me zgjuarsi dhe optikë të admirueshme i përvishjet punës edhe pse i mungon përvoja, por kurrsesi formimi, edukimi me vlerat dramatike klasike botërore si dhe pasioni i fuqishëm për të artikuluar mendimin e tij përmes të gjithë efekteve, që prodhon fokusi i tij i vëzhgimit.
Punimi “Dramatika shqiptare” është strukturuar me një disiplinë të rreptë shkencore gati të habitshme për moshën e autorit. I ndarë në tri pjesë ai trajton fillimet e dramatikës në letërsine shqiptare në pjesën e parë që e titullon “Qysh xu fill dramatika jonë”, ku nuk mungon një shqyrtim jo thjesht historik, përshkrues, por teorik-estetik i vlerave dhe veçorive të saj. Sa i takon korpusit të dramës ai shpreh dy kërkesa: së pari, që kjo gjini kërkon përgatitje në artin dramatik, çfarë nënkupton teknikat dramatike dhe së dyti, përshtatje të argumentit dramatik në frymën e popullit tonë.
Sado që njeh mirë çdo përpjekje nga shqiptarët dhe të huajt në bibliografi deri atëherë ai shpreh që në fillimet e punës së tij shqetësimin për “mungesën e një katalogu të përgjithshëm të librave në gjuhën shqipe” duke shfaqur qartë ekzigjencën e tij shkencore dhe prirjen e pasionin e tij në një disiplinë ekzakte siç është bibliografia. Në vazhdim rendit plot 38 vepra nga fillimet duke lënë jashtë lëndën që do të trajtojë në pjesën e dytë dhe të tretë të punimit.
Nisur nga bibliografët Emil Legrand, Henri Gyis, Gaetano Petrotta si dhe hulumtimet e tij ndër 1500 libra shqip të botuar deri atë vit, 150 ose 1/10 janë pjesë dramaturgjike ku përfshin edhe pjesë të përkthyera nga Skënder Luarasi, Dom Lazër Shantoja, Gjergj Bubani, Hilë Mosit, Padër Vinçens Prendushit, Zef Valentinit e Injac Zamputit etj. Në mes të këtij grumbulli veprash që ai ka gjurmuar e lexuar, Jup Kastrati bën vlerësime dhe klasifikimin e autorëve, detyrë kjo nga më të parat të kritikës letrare që vjen si rezultat i një njohjeje të thellë dhe të imtë të lëndës letrare. Sipas mendimit tim, thekson studiuesi, vetëm nja katër a pesë autorë meritojnë me u studjue si duhet e këta janë:
1. At Gjergj Fishta dhe Dom Ndre Zadeja si dramaturgë.
2. Kristo Floqi si komediograf.
3. Ethem Haxhiademi si tragjedian.
4. Fan S. Noli si përkthyes.
Renditja me numra natyrorë, shpreh siguri, qartësi dhe mvehtësi në vetëdijen e tij krijuese e kritike si studiues, çfarë shmang çdo ekuivok apo luhatje.
Në vazhdim ai shqyrton në mënyrë sintetike 20 pjesët dramatike të shkruara nga Fishta, 4 pjesët e shkruara nga Zadeja dhe 7 tragjeditë e shkruara nga Ethem Haxhiademi. Studimin e bën interesant sprova për tipologjinë e veprave si edhe kritika ku ai shkel rrugë të parrahura më parë me objektivitet. Por mbi të gjitha të bën përshtypje fakti që koha nuk ka lëvizur përfundimet e arritura shumë vite më parë nga studiuesi me dije dhe kompetencë.
Në shqyrtimin e tërësishëm të lëndës dramatike Jup Kastrati do të ishte tepër objektiv dhe i matur. Pesë vite më vonë, më 1949 albanologu gjerman Maksimilian Lambertz do të shprehej “Drama nuk i ka interesuar shqiptarit dhe ende nuk është krijuar asnjë dramë e rëndësishme”, çfarë shkon në përputhje me konstatimet e vlerësimet e studiuesit Jup Kastrati, që kishte vërejtur ndonëse i ri, mungesën e kryeveprave dramatike, faktin që ata që u shkruan nuk arritën të preknin të tilla nivele krijimi, të realizuara në gjininë poetike ne letersine shqipe. Me punimin “Dramatika shqiptare”, që përbën një nyje me rëndësi hapet vepra jetësore shkencore e prof. Jup Kastratit, që e kapërcen si hark kohor gjysmën e shekullit.
Veprimtaria e J. Kastratit në lëmin e studimeve letrare është e gjerë dhe shumëplanëshe. Ai studion dhe gjurmon me një sens kërkimi të veçantë. Ai përgatit për botim veprën e Z. Jubanit, F. Shirokës, J. De Radës, Kolë Mirditës (Helenaunt) harton bibliografinë e veprës së tyre dhe të autorëve si Mjeda dhe Migjeni, Konica, S. Spase etj. Ai përkthen e përshtat vepra të J. De Radës. Hedh dritë mbi personalitete të hershëm letrare, si Buzuku, Mikel Scutari etj. Gjurmimet letrare siç dëshmon vetë në shënimin hyrës të veprës të zgjedhur të Zef Jubanit, i ka nisur si bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit të Shkencave që me themelimin e tij më 1953.
Pas një dhjetëvjeçari punë të dendur ai boton më 1962 një monografi të ngjeshur prej 70 faqesh për J. De Radën dhe më 1963, me rastin e 50-vjetorit të Pavarësisë ai boton vëllimin “Figura të ndritura të Rilindjes Kombëtare” ku përfshin një monografi 70 faqesh për Z. Jubanin një për Pashko Vasën me 50 faqe që pasohet me vështrime monografike për Isuf Tabakun, zotëruesin e një prej bibliotekave më të pasura personale të Shkodrës të shekullit XVIII, për Daut Boriçin që ka meritën e publikimit të një alfabeti, një abetareje, fjalori e gramatike, për Hodo Sokolin dhe Ded Gjo Lulin. Shënojnë këto sprovat e para për këta personalitete.
Më 1879 ai boton një version të zgjeruar të pasuruar të monografisë për Jeronim De Radën. Varianti i ri me 30 kapituj është fryt i gjurmimeve të gjata për autorin dhe veprën sa në Shqipëri aq edhe tek arbëreshët. Në 240 faqet e librit J.Kastrati, bibliograf, përkthyes, përshatës i veprës së autorit arbëresh i ka dhenë një dimension të ri studimit të personalitetit dhe veprës së Jeronim De Radës në një kohë kur ajo është ndër më të studiuarat si brenda dhe jashtë trojeve shqiptare.
Edhe në këto rrethana, kontributi i J. Kastratit është i konsiderueshëm. Po kështu pas një gjurmimi të thelluar disa vjeçar më 1987 J. Kastrati arrin të japë një version të plotë monografik për Zef Jubanin, rilindësin poliedrik. Monografia e botuar më parë i shërben si substance fillestare që autori te arrijë në një vështrim të plotë. Monografia me 24 kapituj e saj e 190 faqet mbetet unikale për këtë autor.
Personalitet me shumë kontribute, siç na e shfaq edhe bibliografia e botuar nga Diana Kastrati, ai nuk është selektiv, ai vë në fokusin e interesimeve dhe gjurmimeve çdo gjë që i shërben njohjes dhe zbulimit të identitetit të kombit të vet, si në historinë e gjuhësisë apo të letërsisë, në historinë e shkollës dhe të kulturës kombëtare duke dhënë në të gjitha këto fusha studime niveli dhe duke kaluar lehtësisht nga një rreth dijesh në një tjetër, veçori e personaliteteve universale.
Në studimet letrare, Jup Kastrati do të mbetet së paku me katër korpuse studimi: së pari me korpusin e bibliografive të autorëve nga me të shquarit e letërsisë si të N. Mjedës, Migjenit, F. Konicës, S. Spasses etj., së dyti me korpusin e studimeve mbi letërsinë dhe kulturën arbëreshe ku shquan si deradiani më i madh i shekullit të kaluar, së treti: me korpusin e studimeve monografike për autorët e letërsisë së traditës si Z. Jubani, P. Vasa, etj. Punë të vëllimshme ai ka bërë për publikimin e veprës së Z. Jubanit, F. Shirokës, De Radës, K. Mirditës etj.
Një korpus më vete formon zbulimi tërësor i figurës së jashtëzakonshme të Faik Konicës, në të gjitha rrafshet të politikës kombëtare, të shtypit shqiptar, të shkrimtarit nga me të shquarit, si lëvrues i rrallë i shqipes, si stilist nga më të veçantët. Veprimtaria kulturore e Konicës e konceptuar në një rrafsh gjithëpërfshirës e bën veprën të ketë pretendime shterruese. Pasionant dhe këmbëngulës edhe në kohë jo të favorshme shfaqet personaliteti i J. Kastratit si studiues. Ai punon pa u tërhequr për asnjë çast në gjurmimet e veta rreth një figure të jashtëzakonshme të letërsisë dhe të kulturës kombëtare siç është Faik Konica.
Monografia Faik Konica(Jeta dhe vepra), fryt i një gjurmimi disa dhjetëvjeçarë, publikuar nga Kompania botuese Gjon Lekaj New York, më 1995, i bën nder të veçantë jo vetëm autorit por edhe historiografisë shqiptare.
Monografia u kushtohet shqiptarëve të Amerikës që gjatë shek. XX punuan pa u lodhur për Shqipërinë, siç shkruan autori, për kulturën kombëtare, për gjuhën amtare, për shkollën dhe letersine shqiptare,per shtypin dhe fjalen e lire.Kjo monografi botohet me rastin e zhvendosjes se eshtrave te Faik Konices nga Bostoni ne Tirane sipas amanetit te tij.
* * *
Do të mjaftonte vetëm kjo vepër unike në llojin e saj për argumentin që trajton me 24 kapitujt e saj, dhe rreth 600 faqet e saj, me bibliografinë me 100 faqe e veprës së Konicës dhe mbi veprën e Konicës, për t’i dhënë Jup Kastratit një vend nderi në historinë e mendimit të shkencës dhe të kulturës shqiptare. Vepër e një jete të tërë për një autor të mohuar dhe të ndaluar e punuar në heshtje ajo të habit për akribinë që e shquan.
Vepra e prof. Jup Kastratit është një vepër e rrallë në llojin e vet. Voluminoze, ajo nuk lë aspekt të jetës, personalitetit dhe veprës së Konicës pa shqyrtuar.
E konceptuar si një vrojtim i hollësishëm gjithëpërfshirës ajo ndriçon pamjet e shumta të veprimtarisë së Konicës, publicist, gazetar, editor.Historia mbi 150 vjeçare e shtypit shqiptar i detyrohet shumë dhe eshte e lidhur ngushte sipas prof.Jup Kastratit me emrin e F.Konices. Ai themeloi 10 organe, bashkëpunoi me 50 organe ndër të cilat la gjurmë të pashlyeshme, sidomos me Albanian, që me rreth 5000 faqet e saj doli ne momentet kyc për fatet e kombit më 1897–1909 si e tillë e luajti rol parësor në jetën e shqiptarëve.
Prof. J. Kastrati merret në mënyrë të veçantë me Konicën gjuhëtar, lëvrues dhe studiues i shqipes, historian, kritik letrar, novelist pamfletist, portretist, poet, përkthyes, polemist, duke mos lënë jashtë vëmendjes veprën postume dhe epistolarin e pasur të Konicës. J. Kastrati iu qaset me objektivitet shkencor marrëdhënieve të Konicës me “Diellin” dhe “Vatrën”, qëndrimeve të tij lidhur me çështjen e alfabetit dhe Kongresin e Manastirit, raporteve të tij me Fan Nolin, Ahmet Zogun dhe Naim Frashërin duke mos heshtur edhe për ndonjë moment të këtij personaliteti të fuqishëm, jo rrallë të keqinterpretuar në të shkuarën.
Ai u qaset me objektivitet shkencor dorëshkrimeve të Faikut. Parashtuese mbi lëvizjen kombëtare shqiptare më 1899 ruajtur në Arkivin e Vjenës si dhe të dhënave të tjera që ofron ky arkiv për Faikun. Një shqyrtim i tillë e shpije prof. J. Kastratin në përfundim se ai përfaqëson një shkrimtar nga më të rëndësishmit e letërsisë shqiptare dhe një intelektual të madh të jetës kombëtare shqiptare.
Ai është ndër projektuesit e një platforme moderne të politikës kombëtare, themelues i shtypit, kritikës letrare dhe publicistikës moderne shqiptare. Rrallë në historinë e një kombi që një personalitet të mbajë aq atribute sa mbart Faik Konica, i jashtëzakonshëm dhe i zbuluar me një vizion konceptimi dhe disipline shkencore të lakmueshme në këtë vepër.
Me plot të drejtë prof. Rexhep Qosja thekson në parathënie se: “Monografia e Jup Kastratit është një vepër e çmuar në të cilën lexuesi do të gjejë shumë të dhëna të hulumtuara gjatë dhe me kujdes, që do të shërbejnë për të krijuar mendim më në fund të drejtë për këtë figurë shumëfish të rëndësishme të letërsisë dhe të kulturës sonë.”
Prof. Jup Kastrati edhe pse e lidhi jetën me Shkodrën, qytetin ku lindi, u edukua dhe fitoi atë format të papërsëritshëm, interesimi e tij për botën shqiptare, në kohën e izolimit të pashembullt, emri dhe vepra e tij i kapërcyen kufijtë politikë, por edhe kufijtë natyrorë të Shqipërisë. Shqiptarët kudo ku ndodhen kanë ditur të çmojnë e të nderojnë profesorin e paharruar Jup Kastrati per vlerat e kontributeve të veprës së tij shkencore.