9.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor 2025
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)

Kryengritja e Fierit në optikën e Dr. Jakov Milajt

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Aristotel Mici

Botohet me rastin e 90 vjetorit

Monografi

Në kujtim të fqinjësisë me familjen e Dr. Jakov Milajt në mbarim të
viteve’50 të shekullit XX, kur jetonim në Fermën “Çlirimi” të Fierit.

Autori

Kryengritja e Fierit e 14 Gushtit 1935 tronditi themelet e mbretërisë zogiste, duke bërë bujë të madhe edhe ne botën e jashtme. Shoqata ndërkombëtare “për mbrojtjen e të drejtave të njeriut” dërgoi kryetarin e saj në Tiranë për të parë në vend gjendjen dhe për të biseduar me qeveritarët e këtushëm mbi të burgosurit e Fierit- (fl 58-59)- J. Milaj

* * *

Regjimi qeveritar veproi kundër kryengritësve me një ashpërsi çnjerëzore: Vetëm në burgjet e Fierit u kaluan mbi 2000 persona si të pandehur, (kur qyteti i Fierit nuk i kalonte ende 4000 banorë). Versioni zyrtar i qeverisë i botuar në një deklaratë të dt. 17 shtator 1935 konfirmonte se numri i të arrestuarve ishte 539 vetë. Prej këtyre gjykata e posaçme për faje politike dënoi 213 të pandehur, nga të cilët 53 me vdekje dhe të tjerët me burgime te ndryshme. Po duhet thënë se në prag të ekzekutimit, si rezultat i presionit të brendshëm, po sidomos edhe i atij ndërkombëtar, shumë nga dënimet me vdekje u thyen me burgim të përjetshëm. (fl.61).

Kryengritja e Fierit në Optikën e Dr. Jakov Milajt

Refleksion

Kryengritja e Fierit më 14 gusht 1935 ishte një shpërthim i urrejtjes dhe zemërimit popullor i mbledhur për gjatë viteve kundër regjimit të Amet Zogut dhe njerëzve të tij më të afërt. Sa do e vogël në dukje, ajo kryengritje qe një revolucion në miniature, që tronditi shtetin dhe pati jehonë brenda dhe jashtë vendit. Revolta e saj prirej nga ide të njerëzve përparimtarë, që nuk e pranonin formën orientale të qeverisjes me nëpunës turkoshak të mykur, alla bejlurçin, siç i quante Fan Noli.

Për këtë rast, është për t’u kujtuar se dy shekuj e ca vjet më parë, më 1804, ish Presidenti Thomas Jefferson, si ideator i republikanizmit amerikan, thoshte se në Europë, sundojnë princërit dhe mbretërit, si një vazhdim i Mesjetës, kur nuk bëheshin zgjedhje demokratike1
Duke ngritur lart idenë e Republikës, ky President bënte vërejtje për qeverisjet e atëhershme europiane dhe deklaronte: “Qeveritë europiane janë monarkiste. Ato janë mbështetur në parimin që një pakicë njerëzish kanë dhuntinë e shenjtë të shtypin shumicën. Kurse sistemi republikan amerikan nënkupton prishjen përfundimtare të kodeve feudale e të autoritarizmit mbretëror”

Për ironi të fatit historik në Shqipëri, në kundërshtim me idenë e republikanizmit demokratik të Thomas Jeffersonit, jo më 1804, po më 1924 rrëzohet qeveria e demokratike e Fan Nolit, për t’u zëvendësuar me monarkinë gjysmë-orientale, për monarkun e së cilës vetë përkrahësi i saj, Eqrem Bej Vlora, shkruan në kujtimet e tij se mbreti në atë shkollë turke të Stambolit, të kohës së Sulltan Abdyl Hamitit, kishte mësuar sjellje dhe mënyra të foluri, të cilat i kishin dhënë oborrit të Zogut vulën e një Sulltani dalë mode.

Pikërisht, për të krijuar një qeverisje demokratike, disa intelektualë dhe persona me prirje europiane, krijuan më 1934 një shoqëri politike, që e emëruan “Organizata e fshehtë”, e cila arriti të krijonte dhe disa degë në krahina dhe qytete të ndryshme. Kjo organizatë e kryesuar nga Ali Shefqet Shkupi, u përpoq të bënte atë lëvizje, e cila kulmoi me Kryengritjen e Fierit, dhe që shpërtheu më 14 gusht 1935. Lidhur me këtë ngjarje, në vite në vazhdim do të dilnin studiues të profileve të ndryshme, historianë, gazetarë dhe shkrimtarë, që do të komentonin dhe do të hidhnin dritë rreth qëllimeve dhe synimeve, që kishte pasur kjo kryengritje.

Nga autorët shqiptarë, që kanë trajtuar këtë ngjarje në dekada të ndryshme po përmendim firma si T.Zavalani, M.Belegu, H.Emiri, I.Gjika, N.Paku, Y.Polovina .Si autorë të huaj janë shquar N. Smirnova dhe Brend Fisher. Po burimet më të besueshme duhen kërkuar te të dhënat, që vijnë prej personave, qe qenë aktivistë direkt, duke i vuajtur e përjetuar momentet dramatike të atyre ditëve siç janë Dr. Jakov Milaj, Ramiz Omari, Xhevahir Spathari, Xhelal Staravecka .

* * *

Midis studimeve për Kryengritjen e Fieri, një vend të veçantë zë monografia e Prof. Mentar Belegut. Pavarësisht nga prirja partiake e kohës, kjo monografi na njeh me gjendjen kur plasi kryengritja, me individët dhe grupet social-politike, që morën pjesë në atë kryengritje. Sipas këtij studimi kuptojmë se Kryengritja e Fierit ishte antizogiste, se ajo qe organizuar për përmbysjen e regjimit monarkik ; të shmangte ndërhyrjen e imperializmit Italian në Shqipëri, dhe të vendoste një regjimi republikan. Shkaku i kryengritjes qe keqësimi i gjendjes ekonomike dhe politike të vendit. Kryengritja u përgatit nga “Organizata e Fshehtë” antiqeveritare me qendër në Tiranë.

Në të merrnin pjesë ushtarakë si Ali Shevqet Shkupi, Riza Dibra, Ali Fehmi Kosturi; po kishte komunistë si Hasan Reçi, Asim Vokshi, Mustafa Kaçaçi, Riza Cerova. Po në organizatë morën pjesë gjithashtu çifligarë të mëdhenj, edhe persona që kishin si qëllim të merrnin drejtimin e lëvizjes për interesat e tyre ekonomike dhe politike. Anëtarët e organizatës së fshehtë synonin ta përmbysnin monarkinë me anë të ndonjë puçi ushtarak. Për mungesë të organizimit dhe të përgatitjes ajo shpërtheu para kohe dhe u lokalizua vetëm në Fier, Mallakastër dhe në Skrapar.

Forcat kryengritëse të Fierit dhe Mallakastrës më 14 gusht 1935 shpallën republikën në Fier dhe sulmuan garnizonin e xhandarmarisë në Lushnje. Aty ndeshen në qëndresën e trupave qeveritare dhe u shpërndanë. Degët e tjera të lëvizjes, që kishin premtuar se do të merrnin pjesë në kryengritje nuk patën as kohë as mundësi t’i vinin në ndihmë kryengritësve. Kryengritja e Fierit u shtyp me egërsi nga forcat qeveritare. Disa prej drejtuesve të saj u dënuan me vdekje. Gjithsesi ajo ngjarje pati jehonë në opinionin publik përparimtar brenda dhe jashtë vendit. Një gjykim i drejtë i autorit në këtë studim është ideja se pushkatimet dhe dënimet e ashpra, të gjyqit politik të Fierit prishën imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.

* * *

Po për ta përshkruar sa më bindshëm atmosferën e kohës për Kryengritjen e Fierit, do të ishte mirë të mbështeteshim edhe në materialin dorë-shkrimor të Dr. Jakov Milajt, ish pjesëmarrës aktiv i asaj ngjarjeje, i arrestuar dhe i dënuar me burgim të përjetshëm, i falur pastaj nga Mbreti, prej presionit ndërkombëtar, që ushtruan indirekt fuqitë e mëdha. Ajo që unë po e quaj “dorë-shkrim” në fakt është një fletore me 77 faqe, e shkruar me dorë, të cilën e kam ruajtur në rrethana të veçanta, nga një vend e nga një shtëpi në tjetrën, për disa dekada.

Për të sqaruar se si më ka rënë në dorë ky material dokumentar, po shënoj për lexuesin se nga viti 1956 qesh transferuar në Fermën “Çlirimi”, ku tok me te ndjerin Kristaq Shtëmbari, themeluam shkollën unike, si quhej atëherë shkolla shtatëvjeçare, në atë qendër të madhe bujqësore. Atje më dhanë një apartament të vogël për strehim. Pikërisht në të njëjtën godinë do të strehohej familjarisht edhe doktor Jakov Milaj, që vinte me detyrën e kryeveterinerit. Emrin e tij e kisha dëgjuar në mjedise qytetare fierake, veç nuk e kisha parë si person. Po gjatë leximit të gazetave dhe revistave për kohën e viteve’30 të shekullit të kaluar, sidomos te “Përpjekja shqiptare”, “Arbëria”, “Bashkimi i Kombit” dhe “Bota e re”, organe shtypi këto, ku e kisha gjetur atëherë si emër Jakov Milajn.

Emri i tij dukej edhe krahas Branko Merxhanit, të cilin ai e vlerësonte si korife të publikes shqiptare; po e kisha parë atë edhe tok me firma të tjera me ide progresive, siç ishin personalitete me emër në publicistikën e kohës si Vangjel Koça, Vedat Kokona, Nonda Bulka, Petro Marko, Misto Treska dhe Migjeni; poezitë e këtij të fundit ai i adhuronte. Për më tepër, miqësia e tij me Migjenin do të vazhdonte edhe në Torino të Italisë, ku do të ishin pranë njeri tjetrit, Jakovi si student, kurse Migjeni për t’u kuruar në sanatoriumin e Torre-Peliçes. Në këtë qendër kurimi Jakov Milaj do t’i gjendej Migjenit dhe më tepër, sidomos në mbarim të jetës, kur poeti do t’i jepte atij amanetin e fundit si edhe dorëshkrime për veprën e vetë Vargjet e Lira, me porosinë që t’ia dorëzonte të motrës Ollga Nikolla ( Luarasi), që ajo ta botonte.

Kështu, pra, Dr. Jakov Milaj vinte në Fermën “Çlirimi” me detyrën e kryeveterinerit, dhe që për koincidencë do të ishim fqinj .Ai emërohej në atë funksion, pasi kishte vuajtur burgun e regjimit zogist po edhe burgun e sistemit komunist. Po pavarësisht nga vitet e mundimeve në dy burgje, ai profesionalisht dhe moralisht qëndronte krenar dhe me dinjitet.
Për mua ishte një rastësi e bukur ta kisha fqinj atë intelektual, se më jepej mundësia të takohesha me një personalitet erudit si Dr. Jakov Milaj.

Herë pas here shkonim në familje si fqinj të pritur nga gruaja e tij, një zonjë shumë fisnike, që me respekt, natyrshëm e thërrisja, Zonja Vasho, tek e cila nëna ime ndjehej gjithnjë e nderuar nga ajo, po edhe nga tre fëmijët aq të edukuar. Duke e ditur se ai kish qenë pjesëmarrës në Kryengritje e Fierit, herë pas here, gjeja mënyrën dhe e pyesja për kuriozitete rreth asaj ngjarje. Po një mbrëmje, pas disa kohë fqinjësie, duke pirë kafe, Dr. Jakovi me shumë mirësi dhe etikë qytetare, vuri mbi tavolinë, si surprizë, një fletore mesatarisht të madhe, ku shkruheshin fjalët:

Kryengritja e Fierit

KUJTIME

Nga Jakov Milaj

Kujtoj se ma dha fletoren e shkruar me një kaligrafi të qartë, (po në disa faqe të korrigjuar nga ai vetë). Me sa kuptova ma dha për ta parë, dhe të shuaja disa kuriozitete. E falënderova për këtë dhe kur u ndamë, e mora atë fletoren me vete. Nisa ta lexoja qysh atë natë, duke e nënvizuar. Në ndonjë paragraf leximi vështirësohej, se kishte korrigjime, ku duhej të dalloheshin mirë rregullime frazash, ose plotësime fjalish. Kuptohej se fletorja ishte shkruar si kujtime për vetë autorin dhe jo me qëllim që ta merrte dikush tjetër, dhe aq më pak, që ta përhapte, a po ta komentonte. Si të thuash, ma kish dhënë si për të plotësuar disa nga kuriozitetet sipas pyetjeve që kisha bërë tek pinim kafe, ose çaj ndonjë mbrëmje më parë. Mbas një kohe, kur u takuam, desha t’ia ktheja fletoren. Po i ndjeri Jakov, i sjellur si gjithnjë, me modesti, më tha: ”Po unë nuk ta dhashë që të ma ktheje, po ta mbaje si kujtim për Kryengritjen e Fierit.”

Atëherë e falënderova përsëri, duke i thënë se po e merrja atë fletore me shënime jo vetëm si kujtim, po edhe si një dhuratë me vlerë dokumentare për atë ngjarje historike të Fierit. Ashtu më lindi ideja se në të ardhshmen mund ta kisha atë si bazë fillestare për ndonjë shkrim rreth asaj revolte popullore, që qe frymëzuar nga dëshira për demokraci dhe ide antizogiste.

Me modesti, dua ta them se e ndjeva veten të vlerësuar, kur një autor i shquar i publicistikës i viteve ’30, të shekullit të kaluar, koleg me Branko Merxhanin, e Vangjel Koçën, mik i ngushtë i Migjenit, të më besonte mua, atëherë ende djalosh, dhe të më jepte, atë fletore, ku ishin fokusuar shumë kujtime, fakte, episode, opinione dhe analiza karakteresh për atë ngjarje, që tronditi themelet e mbretërisë Zogiste siç qe Kryengritja e Fierit e 14 gushtit 1935.

* * *

Është me vend të them se ne përshtypjet e mia Jakov Milaj ishte intelektual i ngritur, që dinte të fliste me takt me gjithë njerëzit, jo vetëm me punonjësit e fushës së tij, qofshin ata kuadro a po teknikë të zooveterinarisë, po edhe me studentë, që vinin nga Instituti i Lartë Bujqësor për praktikë. Ballkoni i vogël përdhese i apartamentit të shtëpisë së tij, shpesh kthehej në një qendër konsultimi me studentët.

Sa mirë e gjen kohën, doktor, – i thashë një herë, kur e pashë të lodhur pas orarit zyrtar tek vazhdonte të merrej dhe me punë didaktike dhe komente profesionale me studentët e veterinarisë.

– E kam kënaqësi, – më tha t’ju shpjegoj studentëve të institutit, aq sa di dhe sa mundem . E ndjej edhe detyrim moral, se kështu shtojmë kuadrot e larta të veterinarisë dhe të zooteknisë, se pa këta specialistë nuk zhvillohet blegtoria, nuk rritet mirëqenia. Jo më kot Naim Frashëri e ka titulluar poemën e tij të famshme “Bagëti e Bujqësia”,…. pra fjala e parë e titullit të poemës është “Bagëtia”, gjë që tregon se përveç anës poetike, ka edhe atë të vlerës ekonomike .Po ndërkaq dua të shtoj se duke u dhënë ndihmën time këtyre studentëve të pasionuar, më kujtohet edhe djali im, Agroni, që sapo ka filluar teknikumin e veterinarisë në Shkodër. Atë çast e pyeta se a e pëlqente djali atë shkollë?

– Ai e ka me shumë dëshirë, më tha, dhe unë jam shumë i kënaqur që ai do të marrë profesionin tim.

Përgjithësisht doktori nuk ishte njeri që hapej në motive personale nga e kaluara, po kur vinte puna te personi i Migjenit fliste me admirim dhe përkushtim. “Milloshi, – më tha një herë, – nuk gjeti një traditë aq realiste, ku të mbështetej për pasqyrimin kritik të jetës, po me stilin e tij lakonik, dhe pasionin krijues, ai bëri traditë, gjë që u duk tek vepra “Vargjet e lira”, po edhe në ato pak krijime në novelistikë”. Po për artikujt e vetë publicistikë ai nuk fliste; Dr. Jakovi nuk komentonte as për librin e tij të llojit antropologjik “Raca Shqiptare” dhe aq më pak për vepra në dorëshkrim, si mund të ishte edhe “fletorja” me kujtime dhe analiza situatash dhe karakteresh politike të Kryengritjes së Fierit, që më pat dhënë mua.

Kështu, fjala vjen, për këtë rast të maturisë së tij etike, ia vlen të tregoj një episod të ndodhur me të. Qe fillim vjeshte dhe po shkoja në një udhë të drejtë, që më shpinte nga qendra e Fermës “Çlirimi” në fshatin Radostinë, ku kishte pak familje, që s’po i sillnin fëmijët në shkollë, se qe viti i parë, që kish filluar zbatimi i detyrimit arsimor, pra jo vetëm për filloren, po edhe për shkollën unike (shtatëvjeçare). Tek po ecja në këmbë, ndjeva trokëllitjen e rrotave të një biroçi, që, kur mbërrijti pranë meje, ndali. Ktheva kokën dhe pashë doktor Jakovin, i cili po më ftonte të hipja në kaloshin, duke më thënë :

Ke kuriozitet të shikosh pularinë dhe gjithë fermën e shpendëve?
– Me kënaqësi, – i thashë, duke menduar se ashtu shkurtoja rrugën, por edhe se do të shikoja një kulturë të re në një shpendëtari të organizuar prej specialistësh me përvojë.
Dhe tek mora të hipja në birotçe, m’u kujtua koteci i vogël i nënës time, që kishte sajuar, diku jashtë pas në një kënd muri, me ca dërrasa të vjetra dhe e kish mbuluar me letra katramaje, ku ajo mundohej të shtronte ndonjë pulë shqerake.

Kur kaloshini mori udhën, i thashë Jakovit se “dhe unë çoç di nga praktika e nëna Linës rreth punëve me shpendët, se edhe ajo ka sajuar një qymez … .po ku koteci aq primitiv i nënës time e ku pularia gjigande me mijëra krerë shpendësh!….”

Ajo që thua ti se pularia e fermës është me përmasa të stërmëdha, në krahasim me kotecin e nënës tënde, është e vërtetë, po me gjithë atë, nga ana profesionale, Nëna Lina, ka diçka që na e kalon.

Dhe kur unë po e dëgjoja si me habi, Dr. Jakovi, tërhoqi pak frerin e kalit, ndali karrocën dhe më tha: “Mos u çudit që them kështu, po e vërteta është se në qymezin e saj Nëna Lina rrit krahas zogjve shqerakë edhe zogj pulë deti, gjë që ne ende s’po e bëjmë dot. Pra të rrisim dhe ne kaposha deti .Mbase nuk është e zorshme,… po ja që edhe rritja e zogjve të pulës së detit i do ca shprehi mjeshtërie. Zogjtë e pulës së detit duhen ushqyer me durim. Nuk rriten pa mundim”.

Ndër kaq, gjeta rastin e i thashë se kisha filluar ta rilexoja “fletoren” e tij në dorëshkrim. Po ai nuk u hap, tundi pak kryet dhe foli i qetë: ”Lexoje pa ngutje, po kije një gjë parasysh se veprat në “dorëshkrim” u ngjajnë “sytheve të fjetur” atje në trungjet e drurëve, që sipas botanikës mund të çelin ose jo, në mëvartësi të rrezeve të diellit.

Ja kështu ishte doktor Jakovi, i çiltër, që nuk ngutej, shumë popullor, po kudo i sjellur dhe me kulturë, po që nuk donte të binte në sy për vete, a po për veprën e tij.

* * *

E bëra këtë parantezë për të rrëfyer se në ç’rrethana më ra në dorë fletorja me kujtimet dhe analizat që i bën Dr. Jakov Milaj kryengritjes së Fierit dhe disa personazheve të asaj kohe, po edhe të pohoj se mendimet dhe përshtypjet janë rrjedhojë direkt e fletores së shkruar shumë vjet më parë dhe jo të stisura më vonë.

Pikërisht nga faqet e kësaj fletoreje po përpiqem të nxjerrë fakte, detaje, që mund ta përshkruajmë sa më bindshëm të vërtetën rreth Kryengritjes së Fierit më 1935, pra përmes optikës së Jakov Milajt.

Duke rrëfyer dhe dokumentuar materialet e “fletores” kam synuar të shpreh episode dhe fakte, që pasqyrojnë me autenticitet gjykimin e një intelektuali për ngjarjen, që na ka lënë në dorëshkrim. Prandaj librin po e titullojmë “Kryengritjen e Fierit në Optikën e Dr. Jakov Milajt”, i cili siç e kemi përmendur, ka qenë pjesëmarrës direkt në atë ngjarje dhe i dënuar me burgim të përjetshëm .Për të ruajtur sa më mirë atmosferën e kohës nuk e kemi prekur leksikun ligjërimor të përdorur nga autori në fletore; prandaj fjalëve të tilla, pak si arkaike, siç po përmendim disa syresh si gjindarmari, kontrabandier, gjykimore, përfaqësonjës, abandonancë, maqinë, u kemi ruajtur trajtën e tyre si në origjinal. Po për paraqitjen e materialit nga ana shkrimore, kemi pasur parasysh normën letrare të Kongresit të Drejtshkrimit.

Kapitulli i parë i fletores hapet me personin e mbretit. Duke biseduar një ditë e pyeta autorin se pse e kish filluar analizën me Ahmet Zogun?

E kam filluar ashtu, sepse dihet, – m’u përgjegj,- se Kryengritja e Fierit ishte antizogiste. Rrëzimi i Zogut nga froni ishte qëllimi kryesor i Lëvizjes së Fierit. Së dyti, kjo lëvizje kërkonte edhe shkëputjen e Shqipërisë nga influence e Italisë fashiste. Po ky qëllim nuk mund të arrihej me Ahmet Zogun në krye, i cili qysh në fillimet e veta të qeverisjes i qe nënshtruar politikës italiane.

Duke parë këto fjalë të Dr. Jakovit, unë i thashë atij, një ditë, në se ai u mbahej ende këtyre mendimeve të shkruara në fletore, dhe ai më sqaroi atëherë se vazhdon të ish konsekuent për gjithë vërejtjet dhe kritikat, që bënte, dhe më tha se “jo vetëm i kam jetuar ato ngjarje, po edhe i kam vuajtur. “- dhe pastaj ai vazhdoi, – unë nuk i kam pas pëlqyer “hosanatë”, që i kushtoheshin Ahmet Zogut, dhe as panegjerismat, që zbukurojnë ikjen e mbretit gjysmë fshehur, duke lënë ushtrinë në mes të rrugës dhe duke abandonuar popullin e revoltuar, që kërkonte armë për të përballuar pushtimin”.

Pak a shumë këto mendime të shprehura me shkrim në këtë material do të formonin topikun, ose idenë kryesore të gjithë faqeve të fletores të lëna dorëshkrim nga i ndjeri Jakov Milaj, të shkruara prej tij disa dekada më parë. Me qëllim që materiali i publikuar të jetë sa më i besueshëm për efekte dokumentare, po përpiqem t’i jem sa më pran origjinalit.

Dhe konkretisht qysh në faqen e parë të fletores shkruhet se “Lëvizja e Fierit synonte rrëzimin e Zogut, shkëputjen e Shqipërisë nga influenca e huaj, shpalljen e një republike demokratike të udhëhequr nga elementë përparimtarë. Për të realizuar këto qëllime, më parë duhej të zhdukej nga skena politike Ahmet Zogu, se ky ishte armiku kryesor i popullit shqiptar dhe i Shqipërisë. Po shënoj për këtë vetëm pesë fakte, që vërtetojnë më së miri se ai ishte tradhtar i Atdheut, ishte njeriu që për para u shiti Shqipërinë italianëve .Ai, për sa kohë sundoi, kishte një qëllim të vetëm: të grabiste sa më shumë për të siguruar jetë luksoze. Dhe për të grabitur nuk u druajt nga asnjë poshtërsi. Ja pesë fakte që njoh unë”:

1) Një nëpunës banke italian, Teruzzi, para çlirimit, qe drejtor bankën në Sarandë dhe në Vlorë, që punonte edhe në Bankën e Tiranës, në nëntor të vitit 1926 urdhërohet nga Baron Aloisi dhe nga një eksponent tjetër i ardhur nga Italia, të qëndronte në zyrë pas mbarimit të orarit dhe të mbante sekretin me të madh për sa do të ndodhte. Kur kishte mbetur vetëm, natën më të errët, vjen aty me një maqinë eksponenti i Romës, dhe ngarkon bashkë me Teruzzin shumë pako me para flori dhe shkojnë së bashku në pallatin e presidentit të republikës, tregon ai.

– Këtu Teruzzi shkarkon pakot me flori dhe i vendos me radhë në një zyrë të madhe, në krye të së cilës ndodhej personalisht A. Zogu. Ishin rreth 200 000 napolona (afër 4 milion franga ar.). Teruzzi shkarkon arin, përshëndeti dhe lagohet. Mbetet në zyrë Baron Aloisi dhe përfaqësonjësi tjetër i dërguar nga Italia. Të nesërmen të gjitha angjensitë telegrafike të botës trumbetuan lajmin e nënshkrimit të Paktit të Tiranës. “Mua më vinte turp,- më thoshte ky Italian, – që ai pakt hyri në fuqi, pasi unë ngarkova në bankë dhe shkarkova te Amet Zogu 200 000 napolona flori” . (fl.1-2).- në fletore.

2) Për të mbajtur salltanetet, më parë si president i republikës dhe më pas si mbret i Shqiptarëve, Zogu merrte për çdo vit nga Italia një milion lireta, që me kursin e asaj kohe bënin rreth 280 000 franga ari ose 14 000 napolona flori. Për shpenzimet personale në rangun e kryetarit të shtetit, Zogut, nuk i mjaftonin ato që merrte nga arka e varfër financiare, 500,000 fr. ari, për personin e tij, 200 000 fr. ari për nënën mbretëreshë, dhe nga 100 000 fr. ari në vit për çdo princeshë dhe princ, si dhe të ardhurat nga çifligjet, pyjet dhe qyteti i Sarandës, që me aq bujari ia dhuroi Parlamenti, pra s’i dilnin këto, po duhej të merrte edhe ryshfete vjetore nga Italia.

3) Më 1938, edhe frangu zviceran u çvlerësua si të gjitha kartëmonedhat e shteteve. Natyrisht të gjithë pasanikët, që kishin depozita nëpër bankat e Zvicrës, pësuan dëme. Me këtë rast “Journal de Geneve” botoi një listë të dëmeve, që pësoi kapitali i çdo shteti në përpjesëtim me sasitë që ishin depozituar në bankat Zvicerane. Në kursin e saj kohe këto kishin vleftë gati të barabartë me frangat shqiptare. Po e kujt ishte e gjithë kjo depozitë monedhash shqiptare atje në bankat e Zvicrës? Sigurisht e Zogut dhe e Familjes mbretërore. Të mos harrojmë se në këto kohë i gjithë buxheti vjetor i shtetit Shqiptar vërtitej rreth 15-20 milion franga ari .Pra Zogu nga grabitjet, rrogat e ryshfetet kishte grumbulluar e dërguar në bankat e huaja rreth trefishin e të ardhurave vjetore të shtetit. Ky lajm është i saktë; ( por pa zënë në gojë Lartmadhërinë), dhe është botuar edhe në revistën ”Përpjekja Shqiptare” të atij viti) (fq. 3 e fletores).

4) Dhe erdhi koha që Zogu të dorëzonte “mallin” për të cilin kishte marrë kaparin që prej 14 vjetësh, domethënë të dorëzonte Shqipërinë te Italia. Po edhe në këto çaste dramatike të cilat do ta kishin hutuar çdo njeri, sado pa skrupull, që të ishte, ai nuk e humbi toruan për paratë… Mendonte thesarin e shtetit dhe nuk deshtë të largohej nga Shqipëria, pa futur në valixhet e udhëtimit dhe ato pak franga, që kishin mbetur në fundin e arkës qendrore të Ministrisë së Financave . Lidhur me zhvatjen e parave të thesarit nga Zogu në ditët e fundit të qëndrimit të tij në Shqipëri, Jakov Milaj jep një tjetër dëshmi interesante lidhur me natyrën e tij lakmitare për para:

Në orët e vigjiljes së pushtimit, “mbreti rrinte i strukur në shtëpinë e Koço Kotës, për të qenë i mbrojtur nga rreziqet. Në këtë shtëpi Zogu thirri drejtorin e Thesarit, Kel Naraçin dhe detyroi atë që t’i dorëzonte 250 000 franga ari, që gjendeshin në arkë. Kel Naraçi ma ka përshkruar ankthin me të cilin ndodhej për të siguruar ndershmërinë e tij, duke i marrë sovranit një nënshkrim, me të cilin të justifikonte në të ardhmen dorëzimin e parave të fundit, që ishin mbledhur nga taksat. Më në fund edhe firma u vendos në proces verbalin e përpiluar nga Keli. Është një akt historik, që duhet gjetur dhe botuar (f.3-e fletores))

5) Kam njohur një shtetas italian të lindur dhe rritur në Shqipëri, me atin italian dhe me nënë shqiptare. E quanin Zef Xanuto. Ky kishte një shok e mik të nguste fëmijërie me kolonelin e aviacionit italian me mbiemrin Simini, i cili qe martuar me një vajzë shkodrane. Pikërisht ky kolonel, Simini, do t’i tregonte ne konfidencë Xanutos se “më 7 Prill 1939, skuadrilja ime kishte për detyrë që të fluturonte mbi rrugën Tiranë-Elbasan-Korçë-Bilisht, për të shoqëruar dhe mbrojtur nga sulmet e papritura të shqiptarëve karvanin e maqinave që transportonte Zogun, familjen mbretërore dhe klikën e tij për në Greqi.” Ky qe shërbimi i fundit, për ato që mori ai nga Italia. Këtë fakt, që sapo tregova ma ka thënë Zef Xanutua vetë,- pohon në shënimet e veta Dr. Milaj (fq. 5-6)

Mjaftojnë këto pesë rrëfime për të provuar se sa përparimtar dhe patriot ka qenë Ahmet Zogu. – Kështu e mbyll ai këtë paragraf.

Ndër kohë gjendja ekonomike e mbarë vendit gjatë sundimit të A. Zogut vazhdon të rëndohej. Fshatarësia, e cila përbënte shumicën e popullatës, jetonte në varfëri, sa nuk siguronte bukë e gojës, ndërsa taksat sa vinin dhe shtoheshin, siç ishin taksat e “të tretës”, taksa e “të dhjetës”, vergjia , xhelepi e të tjera (fq.8). Industri po thuajse nuk kishte, kurse prodhimet e artizanatit të konkuruara nga mallrat e importit e kishin humbur rëndësinë e dikurshme. Edhe midis punëtorëve, të cilët punonin nëpër ndërmarrje të huaja, sidomos italiane, kishte pakënaqësira kundër pronarëve, po edhe nga qeverisja e asaj kohe, që krijohej më shumë edhe nga diskriminacioni kombëtar. Për të njëjtën punë dhe për të njëjtën aftësi teknike, shqiptari shpërblehej shumë më pak se sa i huaji. Numrin e njerëzve të pakënaqur e shtonin edhe tregtarët e vegjël, të cilët përpiqeshin të shisnin mallrat e tyre nëpër fshatra, po këta nuk kishin fuqi blerëse, se edhe prodhimi tyre qe fare i paktë (fletore.11).

Iluzioni i reformës agrare

Në ato rrethana, për të dalë nga vështirësitë ekonomike, nisi të flitej nga individë të ndryshëm për nevojën e një reforme agrare. U duk sikur edhe mbreti e shikonte për mirë këtë ide të reformës agrare dhe ngarkoi një profesor, Lorenzani, për ta përgatitur dhe për ta parë pastaj me Mehdi Frashërin .Në të vërtetë në vitin,1930, Zogu e dekretoi reformën agrare, po ky akt qeveritar nuk pati për qëllim që të ndihmonte bujarisht fshatarësinë e varfër pa tokë, as që të çonte në rrugë të mbarë bujqësinë, e cila shkonte nga viti në vit keqe më keq, por ajo synonte në dy pika të tjera: E para, që të ngjallte te fshatarët shpresën për një të ardhme më të mirë, duke i bërë ata që të ëndërronin se nesër a pasnesër do të kishin nga një copë truall të vetin dhe një kasolle ku të futnin kokën; dhe kjo shpresë t’i largonte nga mendimi i ndonjë revolte të rrezikshme.

Ideja e dytë, ishte që kjo reformë t’u qëndronte mbi kokë si shpata e Damokleut çifligarëve, sidomos atyre që ishin shfaqur si kundërshtarë që në vitet e para pas “Triumfit të Legalitetit”. Pra, mendohej se nga frika e reformës, këta (bejlerët kundërshtarë) nuk do të guxonin që të ngriheshin kundër Zogut, pse në qoftë se zbulohej ndonjë veprim i tillë, ata jo vet që do të dënoheshin, po do të humbisnin dhe çifliqet . (fetore.-12-13).

Zogu rierdhi në Shqipëri në fund të dhjetorit të vitit 1924 i përkrahur nga çifligarët dhe nga bajraktarët. Po me disa nga të parët i këputi shpejt lidhjet, që kur prishi fejesën me të bijën e Shevqet Vërlacit. Pasi e kish marrë pushtetin, ai kish vendosur që të sundonte në Shqipëri i vetëm pa pasur asnjë antagonist. Bejlerët e mëdhenj i kishte ferrë nëpër këmbë, meqenëse nuk pranonin t’i bindeshin atij verbërisht. Ai dyshonte se mund t’i nxirrnin edhe telashe, sepse kishin një farë influence nëpër krahinat ku zotëronin tokat. Bëri çmos për të zhdukur influencën e tyre; bëri atentat kundër Shevqet Vërlacit, vrau të kunatin Ceno Beg Kryezinë, përjashtoi nga postet qeveritare Myfit Bej Libohovën.

Nga çifligarët e mëdhenj Zogu mbajti afër Toptanasit, në derën e të cilëve ishte nip, po dhe ndonjë bej tjetër pa personalitet, që nuk i sillte pengesa politike si Veli Juba, Ahmet Resuli, Sulçe Beg Bushati, Hysen Vrioni e të tjerë. Po në të vërtetë figurat më të urryera të klikës zogiste gjatë sundimit të tij ishin Abdurrahman Krosi, Musa Juka, Xhemal Aranitasi, dhe Koço Kota .Disa nga këta zyrtarë të larte vunë pasuri, blenë çifliqe, duke zënë vendin e çifligarëve të vjetër (fletore. 18- 19).

Me Shpalljen e Monarkisë

Dëshpërimi dhe urrejtja kundër regjimit të Zogut arriti kulmin pas shpalljes së Monarkisë. Pjesa më e madhe e Shqipërisë ishte gati të ngrihej kundër tij, po të kish pasur një udhëheqës patriot, të ndershëm e të mendshëm që t’i printe, mund të kish ndodhur ndonjë ndryshim. Po ky personalitet mungonte. Të arratisurit antizogistë tashi i kishin këputur lidhjet me popullin. Ata kishin hyrë në marrëdhënie me fuqitë e huaja. Shumë nga ata u kthyen në Shqipëri që në vitet e para pas ”triumfit të Legalitetit”, tradhtuan idealet demokratike e nacionaliste, për të cilat kishin luftuar dhe pranuan të merrnin poste me rëndësi në administratën e Zogut. Këta janë “Shën-Pjetrat në mangall”, që stigmatizonte Fan Noli (flet. 26)

Atëherë, në ato rrethana, organizimi i një lëvizje antizogiste, që të arrinte rrëzimin e regjimit, kishte dy pengesa:

A) Shumë të paktë ishin ata që besonin se një ndërmarrjeje kaq të rëndësishme mund t’i dilej në krye vetëm duke u mbështetur në forcat e veta. Sipas tyre, duhej që një fuqi e huaj, e madhe, që të ndihmonte në fushën diplomatike, përkrahjen e lëvizjes që do të fillonte. Dhe ky ishte gabim i futur edhe në trurin e disa patriotëve të ndershëm. Nga ky koncept opinioni Shqiptar do të sqarohej atëherë, kur Partia Komuniste me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare vërtetoi se është populli ai që vendos për të shkundur zgjedhën robëronjëse, qoftë kjo e brendshme, qoftë e jashtme. Këtë çështje atë kohë nuk e kuptonin dot as antizogistët. Për shkak të këtij mendimi të shtrembër kish dështuar ca vjet më parë Kryengritja e Dukagjinit , “Organizata e Vlorës “ dhe disa grupime të tjera më të vogla.

B) Pengesë e dytë, që pengonte organizimin e një lëvizje antizogiste, ishte personi, që do të caktohej në postin drejtues pas largimit të Zogut. Asnjë nga antizogistët e dëgjuar nuk pranonte që të bëhej i dytë dhe të parin t’ia linte dikujt tjetër, që të ishte më i zoti. Duke u mbështetur në këtë mendjemadhësi, shumë nga ata që mendonin të organizoheshin kundër Zogut, shqyrtonin më parë mundësinë për t’u bërë president a kryeministër. Ky patriotizëm fallco ra shumë në sy gjatë gjyqit që u bë kundër anëtarëve të organizatës së Vlorës. Midis patriotëve të ndershëm kishte edhe nga ata të periudhës’20-24 që mbetën të pakorruptuar.

Grupet antizogiste, nga fillimi i vitit 1934, u njësuan dhe formuan një bashkim me emrin “Organizata e frshehtë”, që u shtri në Tiranë dhe më pas edhe në qytete të tjera. Po kjo organizatë nuk kishte një program të paracaktuar mirë. Synimi kryesor ishte rrëzimi i Zogut dhe vendosja e një regjimi republikan demokratik të aftë për të zgjidhur problemet ekonomike dhe për të siguruar pavarësinë kombëtare. Mënyra e organizimit të grupeve dhe lidhjet që ata do të kishin me udhëheqjen dhe midis tyre nuk ishin përcaktuar me hollësi dhe nuk respektoheshin. Me gjithë këtë grupet u shumëzuan dhe u zgjeruan më tepër (f. 26 -27-28).

Grupi i demokratëve patriotë përbënte bërthamën e kryengritjes, që po organizohej. Në udhëheqjen e tij ishin caktuar tre oficerë të vjetër, të cilët me gjithëse patriotë të mirë dhe ushtarakë të përgatitur, qenë përjashtuar nga postet që kishin pasur në ushtri e në gjindarmari dhe ishin nxjerrë në pension për shkak se nuk kishin qenë puthadorë të Zogut. Këta tre persona ishin: Ali Shevqet Shkupi, Ramiz Dibra, dhe Ali Fehmi Kosturi.

Që në fillimin e organizimit këta ushtruan ndikimin e tyre në miq dhe shokë dhe u lidhën shpejt me disa oficerë, që mund të kishin lidhje edhe me element komunist. Shënojmë se më 1934 grupe komuniste kishte ne Tiranë, në Korçë, në Fier dhe në Peqin. Këto celula njiheshin midis tyre, po nuk kishin lidhje të ngushta disiplinore. Përbëheshin prej nëpunësish të vegjël. Kishte edhe ndonjë person të kthyer nga Bashkimi Sovjetik. Ndonjëri ishte edhe me mision nga Kominterni me udhëzim që të krijonin lëvizjen komuniste në Shqipëri. Në radhët e tyre nuk kishte punëtorë dhe fshatarë të varfër, prandaj ndikimi i tyre në shtresat e gjëra popullore ishte shumë i kufizuar. Udhëheqësi kryesor i tyre ishte Ali Kelmendi, në atë kohë i internuar në Korçë. Ai hyri në kontakt me borgjezinë antizogiste dhe pranoi që të marrë pjesë e të bashkëpunonte, duke caktuar një vijë të vetme politike si edhe disa pika kryesore që duhet të respektoheshin pas rrëzimit të Zogut.

Këto pika bazë ishin: Krijimi i republikës, anulimi i marrëveshjeve që ishin lidhur deri atëherë me Italinë e Mussolinit, amnisti e gjërë për te gjithë të arratisurit politikë. Këto parime u pranuan pa ndonjë kundërshtim nga krerët e “Organizatës së fshehtë” .Pas kësaj marrëveshjeje, në udhëheqje të lëvizjes antizogiste hyri edhe Hasan Reçi si përfaqësues i komunistëve; kështu vazhdoi bashkëpunimi me “Organizatën e fshehtë” . Me këtë organizatë do të lidheshin edhe Mustafa Gjinishi, që ndodhej në burgun e Tiranës si edhe Mustafa Kaçaçi dhe Jahja Baçi.

“Organizata e fshehtë” hyri në kontakt me edhe me bejlerët antizogistë, që përfaqësoheshin nga Shevqet Vërlaci dhe Qemal Vrioni. Këta pranuan të merrnin pjesë në kryengritje dhe nuk kundërshtuan asnjë nga pikat kryesore të programit. Bejlerët kërkonin një lloj regjimi që t’u siguronte përjetësimin e pronës tokësore, po, siç doli më vonë, qëllimi i tyre ishte jo i pastër. Dihej se bejlerët e pasuruar me toka ishin të lidhur ngushtë me çifliqet e tyre, po ashtu edhe me Italinë, që u premtonte përjetësimin e atyre çifliqeve. (f. 29)

Dukej se për lëvizjen antizogiste që po përgatitej qenë vënë në dijeni edhe diplomatët italianë, të cilët kishin qëllimet e tyre të caktuara, t’i nxitnin vetë bejlerët që të bashkoheshin me “Organizatën e fshehtë”, me qëllim që po të rrëzohej Zogu, të mos realizoheshin pikat kryesore të marrëveshjes midis “Organizatës së fshehtë dhe Grupit Komunist. Mirë po ishte mezi i vitit 1935, kur Italia qe e zënë me pushtimin e Abisinisë dhe bëri kujdes, atëherë lidhur me momentin për situatën në Shqipëri, sepse agjentura italiane kishte konstatuar faktin se në “Organizatën e fshehtë” po ndihej fryma nacionaliste kundër italiane. Në ato rrethana, diplomacia e saj porositi njerëzit e vetë, që ta shmangnin Kryengritjen, që mund të ndodhte në Shqipëri

Ndërsa komunistët nga ana e tyre, i pranuan bejlerët taktikisht në organizatë, për të shfrytëzuar influencën që ata mund ta kishin në një pjesë të popullit nga njëra anë, po nga ana tjetër edhe për të përfituar nga mundësitë e tyre financiare, për të blerë pushkë dhe municione. Kurse, pas triumfit të kryengritje, ata mendonin se nuk do ta kishin të vështirë, që t’i dëbonin bejlerët nga skena politike dhe të krijonin në atë mënyrë një demokraci të tipit borgjez. Zhvillimi i ngjarjeve dhe grupzimi i forcave, do ta përcaktonin të ardhmen e regjimit të ri të vendit . (f.31).

Sipas planit të përgjithshëm të shtabit kryesor për kryengritjen do të kryheshin disa veprime:

PËR ORGANIZIMIN E KRYENGRITJES

1)Në ditën e caktuar dhe në orë të caktuar, nën komandën e një oficeri, disa oficerë, kryesisht skraparllinj, do te bënin atentate kundër Abdurrahman Krosit, Musa Jukës dhe Xhemal Aranitasit. Këto atentate do të ishin fillimi i organizimit të kryengritjes . Ishte parashikuar që me anën e një kroati, Rudolf Laundrec, të bëhej edhe atentati kundër Zogut, po organizimi i këtij atentati dështoi, siç do të flasim edhe më poshtë, dështoi disa ditë para datës së caktuar për kryengritje.

2) Trupat e artilerisë së Tiranës dhe disa reparte ushtarake të shkëputura, po të drejtuara nga oficerët pjesëmarrës të “Organizatës” do të mobilizonin fuqitë ushtarake besnike dhe do të arrestonin njerëzit e Zogut, që ndodheshin në kryeqytet. Këto trupa viheshin në komandën e shtabit qendror për të kryer edhe veprime të tjera.

3) Fuqitë ushtarake të Elbasanit do të drejtoheshin kundër Tiranës dhe do të bashkëpunonin me trupat kryengritëse të kryeqytetit. Disa reparte ushtarake të Durrësit e Shkodrës, oficerët e të cilave ishin lidhur me kryengritjen, do t’u bënin ballë fuqive ushtarake ose mercenarëve besnikë të Zogut. Këto do të merrnin masa edhe për mbrojtje n e kufijve brenda territorit te tyre . (fl. 33-34).

4) Fuqitë civile të rretheve të tjera, të bashkuara me ushtarë e xhandarë antizogistë, në orë të caktuara, do të shpallnin kryengritjen do të arrestonin autoritetet kundërshtare, do të siguron administrimin e përkohshëm të vendit me anën e komisioneve, që do të formoheshin për këtë qëllim dhe do të caktonin forcat e nevojshme për ruajtjen e qetësisë. Pastaj do të niseshin me një herë në drejtim të kryeqytetit. Nga këto grupe, shpresë të madhe, Udhëheqja kishte mbështetur në fuqitë e Skraparit, të cilat do të grumbulloheshin dhe do të drejtoheshin nga Riza Cerova.

5) Kryengritësit e qarqeve të Korçës e Gjirokastrës do të shpërndanin fuqitë zogiste, do të siguronin mbrojtjen e kufirit, do të shtinin në dorë pushtetin lokal dhe do të organizonin mbledhje e mitingje për të shtruar programin e forcave të reja.

6) Malësitë e Veriut do të rroknin armët dhe do të drejtoheshin drejt Tiranës, pasi të kishte plasur kryengritja në rrethet e jugut. Lidhur me pjesëmarrjen e Malësisë së Veriut, duhet të bëjmë një parantezë dhe të shtojmë sa vijon: Nga fillimi i vitit 1935, edhe kleri katolik i Shkodrës, i përfaqësuar nga P. Bernardin Palaj, hyri në marrëveshje me “Organizatën e fshehtë”. Ky pranoi që të aderoj dhe të verë në lëvizje të gjitha malësitë katolike, ku ai shikonte influencën e vetë, por me një kusht: Meqënë se malësitë e Dukagjinit ishin “djegur” dhe dëmtuar rëndë në kryengritjen e tyre të Dukagjinit, nëntë vjet më parë, kërkohej prej tyre që ata t’i rroknin armët tri ditë pasi Kryengritja të kishte filluar në vise të tjera të Shqipërisë …….. (fl. 31-32-33-34).

Për të qenë realist duhet te pranojë se malësorët e Dukagjinit kanë protestuar të parët kundra regjimit të Ahmet Zogut, qysh më 1926. Atë vit rreth 1000 trima u çuan në kryengritje. Katër qind veta ishin të armatosur me armë zjarri. Pengesat e vogla që u nxori policia vendore nuk i ndalën dot. Po kur mbërrijtën tek Ura e Mesit, u gjendën para një force ushtarake të armatosur mirë, ku u bënë luftime të ashpra. Aty forcat qeveritare patën 17 të vdekur. Gjatë konfrontimit të ashpër mes dy palëve u plagos prijësi i kryengritësve Ndokë Gjeloshi. Me plagosjen e tij u fashit vrulli i kryengritësve, te cilët, të mbetur pa asnjë ndihmë, u tërhoqën. Disa nga ata, që u kapën, u dënuan nga gjyqi zogist me afate të ndryshme burgimi, kurse Dom Gjon Gazuli, u dënua me vdekje, me varje në litar, dhe u ekzekutua më 5 mars 1927 . Ja, pra, ishin këto arsyet, që i detyronin malësorët se do t’i bashkoheshin Kryengritjes, kur ajo të fillonte në të gjithë vendin.

Shenoj se për pjesëmarrjen e Klerit Katolik në Lëvizjen e Fierit kam dëgjuar nga Jahja Baçi e Mustafa Kaçaçi. Ndërmjetës midis udhëheqjes së “Organizatës së fshehtë dhe P.Bernard Palajt ka qenë Hafëz Ali Kraja (Tarja) (fq-31).

* * *

Për përgatitjen e Kryengritjes Qeveria mori vesh me siguri vetëm atëherë, kur u zbulua organizata në burgun politik, që do të kryente atentatin kundër Zogut, por nuk pat mundësi të vepronte, pse nuk dinte hollësira, as për njerëz të tjerë përveç të burgosurve dhe dy mjekëve; nuk dinte as ditën kurdo të shpërthente kryengritja.

Ja si ndodhi kjo: Mustafa Gjinishi, anëtar i celulës komuniste të Tiranës, ose sekretar i saj, ishte burgosur e dënuar për propagandë subversive kundër regjimit. Në këtë kohë, kur ky ndodhej në burgun politik, sjellin aty një kroat, me emrin Rudolf Laudrec, i cili e hiqte veten për komunist dhe pretendonte se kishte ardhur në Shqipëri për qëllime politike. Ndërkohë, Gjinishi u miqësua me Laundrecin, besoi verbërisht në sinqeritetin e tij dhe i foli atij për lëvizjen komuniste, që kishte filluar në Shqipëri dhe për Kryengritjen që po organizohej.

Një ditë, kur të dy kishin shkuar në spital të shtirë si të sëmur, bien në kontakt dhe me Uan Filipin, kryeinfermierin e spitalit civil, që ishte pjesëtar i “Organizatës së fshehtë” dhe vendosën që Laundreci të bëjë atentatin kundër Zogut. Kroati i përngjante shumë në tipare një adjutanti të Mbretit., Allaman Çupit, prandaj i veshur me divizën e oficerit të gardës mbretëror, plot nishane e kordona, mund të hynte lirisht në pallat, pa u diktuar nga rojet dhe mund ta kryente fare lehtë atentatin.

Laundreci, si revolucionar me ndjenja gjoja internacionaliste, e pranoi propozimin, qoftë edhe me rrezik jete. Kur u kthye në burg, vuri në dijeni këtë propozim një spiun të regjimit, i cili qe i burgosur për vjedhje, dhe ky njoftoi me një herë Ministrinë e punëve të brendshme. Sipas udhëzimeve që iu dhanë, Laundreci vazhdoi lojën deri në fund. I shtirë si i sëmurë, shkoi disa herë në spital për t’u mjekuar nga Dr. Hajdar Vlora; nxuri shumë hollësira në lidhje me Kryengritjen dhe së fundi mori nga Uan Filipi edhe uniformën e oficerit të gardës mbretëror, për ta veshur, me të cilën do të kryente fare lehtë atentatin. (f. 38-39).

Laundreci, si revolucionar me ndjenja gjoja internacionaliste, e pranoi propozimin, qoftë edhe me rrezik jete. Kur u kthye në burg, vuri në dijeni për këtë propozim një spiun të regjimit, i burgosur për vjedhje, dhe ky njoftoi me një herë Ministrinë e pune të brendshme. Sipas udhëzimeve që iu dhanë, Laundreci e vazhdoi lojën deri në fund. I shtirë i sëmurë, shkoi disa herë në spital për t’u mjekuar nga Dr. Hajdar Vlora, nxuri shumë hollësira në lidhje m Kryengritjen dhe së fundi mori nga Uan Filipi uniformën e oficerit të gardës mbretërore, i veshur me të cilën do të kryente atentatin.

Për të gjitha informatat dhe për uniformën e përgatitur, Laundreci njoftoi Ministrinë e Brendshme tre katër ditë përpara afatit për kryengritje dhe kjo arrestoi me një herë Uan Filipin dhe Dr. Hajdar Vlorën. Me tortura dhe pyetje të vazhdueshme gjindarmaria i mundoi këta që të tregonin hollësira mbi organizatën, mbi pjesëtarët e saj, dhe për ditën kur do të fillonte kryengritja. Po nuk mori vesh gjë të sigurte gjer të merkur më drekë, pak orë përpara kohës së caktuar për fillimin e lëvizjes. Po ishte vonë dhe informatat nuk ishin të plota. Qeveria nuk pati kohë që të vepronte. (f. 40).

Është folur disa herë se kryengritja në Fier shpërtheu përpara datës së caktuar dhe kjo u bë shkak kryesor i dështimit të saj, po kjo nuk është e vërtetë. Udhëheqja në fillim pat diskutuar që lëvizja të kryhej në vjeshtën e vitit 1935, ose nga muajt e parë të vitit të ardhshëm. Po jo më vonë, se duke menduar që organizata u shtua shumë si numër dhe si grumbullim anëtarësh, mund të lindte rreziku që ndonjë anëtar të dekonspironte dhe si rrjedhim qeveria ta shpartallonte atë pa filluar veprimet. Duke pasur gjithashtu, para sysh, se marrëdhëniet midis Zogut dhe Mussolinit ishin shumë të tendosura. Atëherë, më 7 gusht 1935 u vendos që kryengritja të fillonte në orën 21 të datës 14 gusht.

Po u fol, ndër kohë, edhe se qe vendosur që të bëhej në javë më vonë, domethënë më 21 gusht, po kjo datë as nuk ishte biseduar nga udhëheqja e “Organizatës së fshehtë”. Këtë datë të dytë e shpiku dhe e përdori Qemal Vrioni, për të justifikuar mos-marrjen pjesë të bejlerëve në lëvizje. Duket se bejlerët, kur panë se pjesëmarrësit e lëvizjes u shtuan, sa s’besohej dhe se organizata tani përbëhej prej elementësh të shumtë, që nuk ishin në influencën e parisë feudale, kuptuan se mbetën në pakicë dhe atëherë qëllimet e tyre nuk mund të realizoheshin, atë kohë, kur Zogu do të zhdukej nga skena politike. Për këtë arsye ata vendosën që ta sabotojnë lëvizjen.

Ndofta edhe vetë diplomacia italiane, duke parë se në lëvizje u shtua shumë numri i patriotëve dhe i njerëzve përparimtarë, e kuptoi se bejlerët nuk do të kishin më influencë dhe nuk do të ndihmonin dot, për të realizuar qëllimet e saj aneksioniste, dha urdhër atëherë për ta sabotuar at.

Qemal Vrioni, që qe ngarkuar për ta penguar shpërthimin e kryengritjes më 14 gusht, thirri në Fier Seit Bej Vrionin dhe po atë ditë shkon në Vlorë te Nuredin Bej Vlora, për t’i bindur këta që të mos lëvizin me pretendimin se lëvizja ishte caktuar për një javë më vonë. Dhe me këtë pretekst të trilluar bejlerët nuk dërguan asnjë njeri në lëvizje. (f.41).

Kështu, edhe në Fier Kryengritja duhet të shpërthente në orën 21 të datës 14 Gusht, por nisi disa orë më parë, pse nënprefekti i vendit Hasan Lame, i cili në orët e para pas mesditës, e mori vesh nga një tregtar, se Kryengritja do të fillonte brenda ditës, prandaj kërkonte makinë për të shkuar sa më parë në Tiranë, për të lajmëruar Qeverinë për ç’ka po ndodhte. Ndërkaq, Musa Kranja u informua se nënprefekti po përgatitej për t’u nisur. Atëherë, ai për ta ndaluar shkoi me një herë në zyrën e tij dhe e arrestoi.

Me arrestimin e këtij u morën me të shpejtë masat e duhura: u shpall shet-rrethimi dhe u ndalua dalja e makinave nga qyteti; u ndaluan lidhjet telefonike e telegrafike me rrethet e tjera, u caktuan patrullat e përbëra prej fshatarësh kryengritës të armatosur për mbajtjen e rregullit; u thirr gjithë populli për të marrë pjesë në një miting, që do të mbahej përpara bashkisë .Atëherë u mblodhën në nënprefekturë paria e gjithë qytetit dhe nga këta u zgjodh një komision për të administruar vendin, gjersa kryengritësit të merrnin në dorë pushtetin në të gjithë Shqipërinë.

Si pjesëtarë në komisionin administrativ u caktuan persona të njohur nga opinioni: Spiro Papa, Dr. Kostandin Kallogjeri, Dr. Musa Delvina, Ramiz Omari, Taqi Bozua, Idriz Bylua, Sotir Bitri dhe Duran Qadhimi. Komisioni vetë zgjodhi si kryetar për punët e rrethit Spiro Papën dhe për punët e bashkisë Ramiz Omarin (fl.42). Fuqia për mbajtjen e qetësisë u vu nën komandën e Hekuran Manekut, i cili organizoi me një herë patrullat, të cilat përbëheshin prej fshatarësh të varfër të paraqitur vullnetarisht dhe të rekrutuar nga krerët kryengritës. Midis përbërësve të patrullave ishte edhe një cigan (arixhi nga Baltëza) Halim Duçja.

Në orën 18, përpara godinës së bashkisë u mblodh me shumicë, sa kurrë më parë, populli i qytetit, dhe i fshatrave për rreth, përzier me shumë kryengritës, që kishin ardhur nga katundet e largëta dhe nga Mallakastra . (f. 43)

Nga ballkon doli Komisioni administrativ, Musa Kranja, Kostë Çekrezi (ky kishte ardhur para dy ditësh bashkë me Musan prej Tirane), Zejnel Hekali dhe të tjerë. Mitingun e hapi Musa Kranja dhe pas tij foli Kostë Çekrezi si edhe arsimtari Zejnel Hekali. Të tre përmëndën vuajtjet e popullit nën regjimin zogist, tradhëtinë e Ahmet Zogut ndaj Atdheut, zinë e bukës që kërcënonte. Fjalimin më të ndjeshëm e mbajti Zejnel Hekali. Me këto fjalime u shpall republika dhe u konsiderua e rrëzuar monarkia.

Gjatë metingut ndodhi një gjë e papritur. Gjeneral Gjilardi, adjutant i mbretit, aventurier, me origjinë të panjohur(mbase kroat), që kishte ardhur në Shqipëri si kapiten që në kohën e Vidit, po kalonte nga Tirana për në Manastirin e Pojani, që të blinte antikitete të Apolonisë, nga ato që gjenin rastësisht fshatarët nëpër ara e kullota. Sa e panë, patrullat e ndaluan me një herë makinën e tij dhe lajmëruan Musa Kranjën, që ndodhej bashkë me të tjerët në ballkonin e bashkisë. Ky urdhëroi që të qëllohej kundër tij dhe në atë çast një nga xhandarët e tij besnik Myrteza Dejlanin ose Xhevahir Abazi e la të vdekur për tokë.

Edhe pas vrasjes së gjeneralit mitingu vazhdoi. Madje, si lexojmë në fletoren e kujtimeve të Dr. Jakovit, Fjala e Zejnelit është mbajtur pas vrasjes së Gjeneral Gjilardit. Ai, Zejnel Hekali, e filloi fjalimin e tij me këto fjalë: ”Unë nuk jam Demosteni, që u drejtohet athinasve, as Ciceroni, që u drejtohet romakëve, po vëlla e shok i juaj, që u drejtohem juve, për të qarë hallet bashkë me ju për t’u treguar se në ç’ditë të zezë na ka çuar regjimi i satrapit Zogoll dhe për t’u ftuar edhe ju që të merrni pjesë në këtë Kryengritje e cila ka për qëllim të zhdukë nga faqja e dheut Zogun dhe gjithë tarafin e tij dhe të çojë përpara Republikën që po shpallim sot…” Dhe, kur fjalimet, brohoritjet dhe shprehjet e urrejtjes së popullit ndaj regjimit zogist morën fund, me porosinë e udhëheqësve, vullnetarët, që do të merrnin pjesë në Kryengritje, qëndruan në vend, kurse popullsia u shpërnda e gëzuar që do të shpëtonte nga gjakpirësit.

Vrasja e Gjilardit u mbajt si ogur i mirë, se populli filloi të besonte që Kryengritja kishte plasur në të katër anët dhe se disa personalitete besnike të regjimit po largoheshin nga Tirana, për t’i shpëtua hakmarrjes popullore (fl.44) Në drejtim të Lushnjes u nisën afro 200 kryengritës hipur në makinat e Fierit, që ishin rekuizuar nga komanda. Midis tyre kishte mallakastriotë, myzeqarë, kosovarë, lebër, xhandarë dhe intelektualë. Në krye të kolonës printe vetura në të cilën ndodhej Musai, Çekrezi, dhe Zejneli. Ndihej shumë nevoja e armëve. Vetëm gjysma e kryengritësve ishte e armatosur me pushkë të gjata, që ishin tërhequr nga posta e gjindamarisë. Pjesa tjetër kishin vetëm nga një revolver, që e kishin mbajtur fshehur. Sikur të kishte pasur pushkë me shumicë, numri i vullnetarëve, që do të drejtoheshin kundër Tiranës do të ishte shumë më i madh.

Në të hyrë të Karbunarës, te kthesa e Beratit, kolona ndalet. Kryengritësit zbresin nga makinat dhe vendosen nëpër pozicionet. Krerët takohen me çetën e Lushnjes, që ishte mbledhur në një zabel dhe aty priste forcat e Fierit.

Kryengritësit e Fierit bashkë me të Lushnjes, u drejtuan për në qendër të qytetit, po aty u pritën me pushkë nga kundërshtarët, që ishin në mbështetje të regjimit .Pra, filloi luftimi që vazhdoi disa orë .Një herë qe menduar që kjo qendër rezistence të lihej prapa dhe forcat te kalonin nën qytet, të dilnin afër ish shkollës bujqësore dhe pastaj të vazhdonin rrugën drejt Tiranës, ku të bashkoheshin me fuqitë e tjera kryengritëse të Peqinit, e Kavajës dhe të arrinin në kryeqytet. Kalimi në jug të Lushnjes ishte shumë i lehtë dhe mendimi dukej i arsyeshëm. Por pastaj u vendos që më parë të sqarohej situata.

Një grup i përbërë prej pesë vetësh: Musa Kranja, Zejnel Hekali, Jakov Milaj e të tjerë shkoi në godinën e post-telegrafës, që ndodhej afër nënprefekturës dhe aty me ndihmën e telegrafistit Nuri Radhima, i cili ishte pjesëtar i Lëvizjes, hyri në kontakt me centralet telefonike të Vlorës, Beratit, Rogozhinës, Peqinit dhe Durrësit. Telefonatat e shërbimit të shumicës së qendrave u përgjigjen se kudo kishte qetësi dhe bënin shaka, që për ata janë të zakonshme, sidomos në orët e vona të natës, kur duan të luftojnë gjumin me të qeshura e bisedime kot.

Vetëm telefonisti i Beratit tha se në qytet ishte krijuar një gjendje e zymtë, se ndiheshin nëpër kalldrëme zhurmët e këpucëve të patrullave dhe se llampa në zyrën e prefektit nuk ishte fikur: dukej se ky punonte e vepronte. Me këtë u sqarua se pjesëmarrësit e Kryengritjes të rretheve të ndryshme, ose të paktën të rretheve me të cilat duhej të hynte në kontakt Fieri, për të përparuar drejt Tiranës, pra nuk kishin zbatuar urdhërin e udhëheqjes për të vepruar në ditë dhe në orë të caktuar. U muarr vesh që Kryengritja kishte dështuar (f. 47).

Kur grupi, që kishte folur në telefon, u kthye te forcat kryengritëse, Musa Kranja u shpjegoi këtyre pjesërisht bisedën dhe u tha se “ne përkohësisht do të kthehemi në Fier, të organizoheshim atje dhe të drejtoheshim për në Tiranë, pasi të bashkoheshin me ne edhe forcat e tjera, që do të vinin nga Vlora, Berati dhe nga rrethet e tjera të jugut.”

Kështu u veprua. Kryengritësit u kthyen në Fier me makinat me të cilat kishin ardhur. Po makina e Musa Kranjës, e cila tani gjendej në bisht të kolonës, diku dredhoi gjatë rrugës dhe nuk u pa të kthehej shpejtë në Fier. Po në fakt Musai erdhi me vonesë në Fier; shkoi në shtëpinë e vetë, ku mori disa tesha, dogji dokumentet komprometuese dhe u largua në drejtim të Karavastasë, pa u takuar me asnjë pjesëtar të Lëvizjes. Forcat që prisnin urdhëra të rinj nga komanda, kur panë se mbetën pa udhëheqje, u shpërndanë (fq. 47).

Po ç’kishte ndodhur? Dukej se prej ditësh Musa Kranja kishte hyrë në bisedime me një italian, që gjuante peshk kontrabandë në ujërat e territorit të Shqipërisë . Me të ai ishte marrë vesh që në një ditë të caktuar, në qoftë se kryengritja do të dështonte, ta priste atë me shokë të tij, që t’i merrte në motobarkën e vetë atje, te liqeni i Karvastasë. Dhe ashtu, siç e kishte bërë marrëveshjen, u nis me makinë drejt Karvastasë për tek motobarka tok me Kostë Çekrezin, Arshi Shehun, Zejnel Hekalin. Po siç u mor vesh më vonë midis grupit kish ndodhur edhe një incident: Musai donte ta zbriste Zejnelin nga makina gjatë rrugës dhe mos ta hipte në motobarkë, por kur ai kundërshtoi me pushkë në dorë dhe nga e keqja pranuan që të mos ndodhte ndonjë vrasje.

Motobarka i çoi të arratisurit Në Monopoli të Italisë, ku ata iu dorëzuan autoriteteve portuale. Më tej, duke komentuar lidhur me motobarkën e kontrabandistit italian, Dr. Jakovi vazhdon të na dëshmojë se të dhënat mbi motobarkën, që priti në Karavasta dhe për një marrëveshje të mundshme të Musajit me kontrabandistin italian, i pata dëgjuar në burg nga njerëzit, që kishin ndjekur së afërmi lëvizjet e Musajit, të cilët dinin se ai tre a po katër ditë përpara 14 gushtit kishte kaluar në zonën e Libofshës, dhe, kur ishte kthyer, kishte thënë se kishte hyrë në bisedime me xhandarët e asaj ane, të cilët do të rekrutoheshin në Kryengritje. Kurse për sherrin midis Musajit dhe Zejnelit më ka folur edhe vetë Zejneli, kur u kthye nga mërgimi, (fl. 47-48).

* * *

Epiqendra e Kryengritjes duhet të ishte Tirana, jo Fieri. Atje ishte qendra e “Organizatës së fshehtë”, atje ishte ushtria nga e cila pritej shumë, atje ishte edhe Zogu me gjithë tarafin e tij. Po nuk ndodhi kështu. Kryengritja duhej të fillonte me atentat. Meqenëse atentati kundër Zogut dështoi, duhej të kryheshin të tjerë atentate kundër Musa Jukës, Abdurrahman Krosit, dhe Xhemal Aranitasit. Për drejtimin e tyre qe ngarkuar togeri i gjindarmarisë Asim Vokshi, i cili ishte një nga njerëzit më të rëndësishëm të Kryengritjes.

Ishte djalë trim, njeri i ndershëm, dhe komunist i vendosur. Për ekzekutimin e atentateve qene zgjedhur 10 nënoficerë të rinj, thuajse të gjithë nga Skrapari, të cilët u treguan të gatshëm për të qëlluar kundër njerëzve më të ngushtë të Zogut. Për organizimin e atentateve dhe për zgjedhjen e atentatorëve punën kryesore e kishte bërë Riza Cerova, kur ndodhej në Tiranë (fl. 48).

* * *

Me gjithë këto parashikime punët nuk shkuan ashtu si u mendua. Disa ditë para datës së Kryengritjes, në udhëheqjen e “Organizatës së fshehtë” paraqitet togeri i intendencës, Emin Bushi, i futur prej në organizatë, i cili kërkon me këmbëngulje që t’i drejtojë ai atentatet. Udhëheqja e bindur në besnikërinë e tij ndaj çështjes për te cilën do të luftohej dhe e magjepsur nga zelli tij i tepruar, e ngarkon Asimin me detyra të tjera në lidhje me oficerat e repartit ushtarak, kurse drejtimin e atentateve ia beson Eminit. Ky hyri në kontakt me nënoficerat, që do të bashkëpunonin me të, iu jep udhëzime të hollësishme për atentatet, që do të kryheshin, cakton orën e veprimit e të tjera. Por disa orë përpara kohës së caktuar pendohet për detyrën që do të kryente dhe shkoi te gjeneral Aranitasi, i përgjunjur i kërkon këtij të falur për’kobin” e rëndë që do të kryente dhe i tregon atij të gjitha sekretet qe dinte në lidhje me Kryengritjen që po fillonte.

Lidhur me këtë pabesi të Emin Borshit, Jakov Milaj shkruan: “Kalimin e detyrës për kryerjen e atentateve nga Asim Vokshi te Emin Bushi ma ka thënë vetë Asimi . Kjo gjë bisedohej hapur në Burgun e Durrësit. Bile për këtë pabesi, sa kohë gjendej në burg, të burgosurit e tjerë nuk i flisnin me gojë Eminit; ky gjersa u dërgua në Tiranë mbeti krejt i izoluar. Nënoficerët, që nuk dinin gjë për tradhtinë e udhëheqjes së tyre, shkuan të gjithë në orën e përpiktë në vendet e caktuara për të kryer atentatet, po përpara se të marrin sinjalin e veprimit, rrethohen. Atëherë, disa prej tyre arrestohen nga fuqitë qeveritare.

Kështu dhe këto atentate dështuan . Më vonë u muar vesh se Emin Borshi pjesëmarrjen në lëvizje dhe gatishmërinë për të kryer atentatet nuk i kishte bërë për ndjenja patriotike ose pse ishte antizogist i vendosur, por pse kishte vjedhur nga arka e intendencës disa mijëra napolona dhe, për të zhdukur gjurmët e vjedhjes, desh të kryente këto atentate dhe në të njëjtën kohë të digjte edhe dokumentet e arkës. Kështu Emini, duke tradhtuar Lëvizjen, shpresonte të shpëtonte nga pushkatimi.

Po le të bëjmë edhe një paranthezë të shkurtër për karakterin e këtij Eminit, që pati edhe një shkak tjetër personal: në vjedhjen e parave kishin marrë pjesë edhe dy oficerë të tjerë, që ishin nipër të Abdurrahman Krosit; këta pas kthimit të dënimit të tyre “me vdekje”, në dënimin me “burgim të përjetshëm”, gjetën rastin, që në kohën, kur e kërkuan në Tiranë për të dorëzuar arkën dhe llogaritë, sajuan mënyrën për dorëzimin e tij (Eminit) në spitalin civil, gjoja për mjekim. Atëherë prej andej, njerëzit besnik të Krosit e nxuarrën nga spitali dhe e shoqëruan deri sa doli jashtë shtetit. Kështu iu shpërblye tradhtia dhe iu mbuluan fajet e tjera këtij zuzari. (f. 49-50).

* * *

Të kthehemi prapë në kryeqytet, ku duhej të vihej në lëvizje edhe artileria me disa reparte të tjera ushtarake. Këto do të ndalonin aktivitetin e grupeve të komanduara nga oficerët besnikë, duke përdorur armët. Po asgjë nuk bënë. Ndër kohë duheshin bllokuar automjetet ushtarake. Këtë detyrë e kreu mirë komandanti i autoreparteve nëntoger Xhelal Çami, i cili në ditën e Kryengritjes zbërtheu të gjitha makinat ushtarake, me qëllim gjoja shërbim riparimi, kurse disa pjesë të tyre të rëndësishme, kur mundej, i fshehu. Ky veprim duhet të gjendet edhe në aktet gjyqësore,- shënon autori, – duke shprehur edhe shqetësimin se ku ka përfunduar Xhelal Çami, pas daljes nga burgu, që unë s’e di. Repartet e tjera nuk kryen ndonjë veprim.

Si e pamë, shpresa të mëdha “Organizata e fshehtë” kishte mbështetur në regjimentin e Elbasanit, të cilit i ishte ngarkuar detyra, që ditën e caktuar të largohej nga kazermat dhe të sulmonte Tiranën. U fol se oficerët bënë diçka për të kryer këtë mision. Një ditë para, repartet e këtij qyteti, të pajisura me armë dhe municione, lanë kazermat buzë Shkumbinit dhe organizuan një manovër në malet që ndajnë Elbasanin nga Tirana. Sikur ata të kishin marrë vesh se Kryengritja shpërtheu në të gjithë Shqipërinë, ata do të mësynin Tiranën. Po kur në vend të këtij Lajmi, që pritnin, ata morën vesh dështimin, atëherë vazhduan lojën dhe u kthyen në vendin nga ishin nisur.

Udhëheqja e Organizatës priste shumë edhe nga forcat kryengritëse të Peqinit, të cilat kishin për detyrë të bllokonin urën e Rrogozhinës. Udhëheqja ia kishte ngarkuar këtë detyrë për bllokimin e urës anëtarit të Organizatës Hasan Reçit, i cili përfaqësonte edhe celulat komuniste. Por Hasani nuk e kreu detyrën. Në vend që të shkonte në Peqin, te forcat që e prisnin, ai i trembur nga arrestimi i Uan Filipit, u fsheh, po u arrestua nga gjindarmët e regjimit diku në qarku e Elbasanit .Për këtë paaftësi edhe Mustafa Gjinishi do ta akuzonte rëndë Hasan Reçin, pse nuk e kreu detyrën në Peqin. Pjesëmarrja e forcave të Peqinit në Kryengritje, sipas tij, mund ta kishte ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve, sepse anëtarët e Organizatës së këtij rrethi ishin të shumtë dhe trima. Për këtë arsye Gjinishi nuk i foli me gojë Hasan Reçit për shumë muaj me radhë, sadoqë jetonin në të njëjtin kaush. (f. 51).

Në Shkodër grupi i oficerëve pat punuar më shumë për të zbatuar udhëzimet. Aty nëntogeri Lutfi Shehu organizoi grupin e Kryengritjes për të marrë në dorë qytetin. Në këtë grup bënin pjesë edhe Arshi Velua, Lato Zequa, Rifat Sera. Me anën e tetarit Lato Zeqo u krye edhe atentati kundër komandantit të garnizonit, Kapiten Ismail Osmanit, i cili për shkak të funksioneve, që i kishin ngarkuar në ushtri dhe në administratë, ishte një sundimtar i vërtetë i Shkodrës. Po vrasja e këtij oficeri u mbyll pa bujë të madhe, se atentatori e akuzoi të vrarin për imoralitet dhe i gjithë opinioni publik qe i një mendje me të.

Me gjithë këtë, Lato Zequa, kur po arratisej për në Jugosllavi, u kap në liqen të Shkodrës, pranë katundit Zogaj, pak metra përpara se të kalonte kufirin, dhe u dënua me vdekje, por nuk u ekzekutua. Mbi veprimet e organizatës së Shkodrës dhe mbi vrasjen e Ismail Osmanit pata dëgjuar hollësira që më 1935. Emrat e personazheve m’i ka kujtuar Rifat Sera, oficer në pension. Me përjashtim të Lutfi Shehut, tre të tjerët morën pjesë në Luftën Nacional-Çlirimtare, duke fituar dhe grada si oficer. Nga këta Lato Zequa ka rënë dëshmor, në atë kohë ka qenë zëvendës komandant kompanie, Arshi Velua ka vdekur pas çlirimit, dhe Rifat Sera jeton pensionist në Fier (f. 52).

Edhe në Vlorë qenë organizuar nga Beqir Sulo Agalliu disa fshatarë antizogistë, që do të merrnin pjesë në Kryengritje. Këta shkuan edhe në qytet që të zbatonin planin e parapërgatitur. Po këtu Nuredin Vlora, i mashtruar nga Qemal Vrioni, e bindi Beqirin që të mos vepronte dhe të prisnin udhëzime të reja nga Tirana, me qënëse data e caktuar për Kryengritje ishte ndryshuar. Beqiri i besoi Nuredn Beut dhe ai atëherë i shpërndau forcat. Vetë ai, kur mori vesh dështimin e lëvizjes, u detyrua të dalë jashtë shtetit.

Nga forcat civile kryengritëse të Skraparit pritej më shumë se nga viset e tjera të Shqipërisë. Atje punonte Riza Crova, i njohur nga të gjithë për trimëri dhe shpirt demokratik, i cili ishte kthyer nga Bashkimi Sovjetik para katër muajsh. Ai sapo erdhi në Shqipëri, hyri në Oganizatën e fshehtë, që po përgatiste Kryengritjen kundër Zogut. Rizai qe krahu i djathtë i lëvizjes dhe e ndihmoi atë për t’u organizuar sa më mirë. Nga fundi i korrikut ai vajti në fshatin e tij të lindjes dhe filloi propagandën kundër regjimit. Sa kohë që ishte vendosur në Tiranë merrte e jepte mendime për mënyrën e ngritjes së çetave dhe organizimin e tyre.

Vendimi i udhëheqjes së Organizatës së fshehtë nuk iu dorëzua Rizait me një herë. Ai u vu në dijeni vet më 11 gusht, pra tri ditë para datës së caktuar për veprim. Ahmet Shehu nga Karbunara e Lushnjes, qe caktuar për të mbajtur kontakte me atë, pra me Riza Cerovën; nuk e di se për ç’arsye ia bëri atij me aq vonesë njoftimin për fillimin e Kryengritjes. Shënoj se faji i Ahmet Shehut, që nuk lajmëroi me kohë Riza Cerovën, qe rrahur e diskutuar edhe në burg, ku Asim Vokshi dhe të tjerë e dënuan Ahmetin për këtë faj .Kjo vonesë ishte një nga shkaqet kryesore për mos-realizimin e planit të caktuar. Po të kishte pasur kohë, qoftë edhe një jave, Rizai të do mblidhte një forcë më të madhe kryengritësish, de do të mund të kishte pushtuar Beratin, pasi marrja e Beratit ishte e lehtë, se kishte vetëm pak xhandarë.

Prej andej Rizaj do të bashkohej me forcat e Fierit, Lushnjes, dhe atë herë komanda luftarake nuk do të mbetej në dorë të Musa Kranjës, i cili, para se të fillonte lëvizjen, deshi të siguronte kokën, duke marrë me qira motobarkën e kontrabandierit italian, por komanda do t’i kalonte atij, Rizajit .Lajmërimi i vonuar i Rizajit qe katastrofë për Kryengritjen. Ai pati vetëm dy ditë kohë që të mblidhte luftëtarët. Megjithatë ai grumbulloi 30 apo 40 vetë dhe me ata erdhi deri në Berat. Po pa hyrë në qytet, mori vesh ngjarjet e Lushnjes.

Prandaj u detyrua të kthehej prapa i shoqëruar nga trimat më të mirë. Ndër kohë ai ishte i kërcënuar e ndiqej këmba këmbës nga fuqitë qeveritare. Atëherë Riza Cerova vendosi të shkonte drejt kufirit me Jugosllavinë për të dalë edhe një herë në mërgim. Duke luftuar me ndjekësit, arrijti gjer te pylli i Marianit afër Pogradecit. Atje në luftë e sipër u plagos rëndë, po gjeti mundësinë të shkruante letrën e famshme për familjen, dhe pas disa orësh, më 24 gusht 1935 dha shpirt . Vdekja heroike e Riza Cerovës, qe akti i fundit i lëvizjes, që mori emrin Kryengritja e Fiert. (f. 55).

* * *

Kur u muar vesh se ç’po ndodhte në Fier dhe në qendra të tjera, krerët qeveritar të Tiranës u trembën shumë. Nuk po dinin nga t’ia mbanin. Meqënë se e mësuan se ideja e Kryengritjes ishte përhapur në të gjithë Shqipërinë, menduan që hë për hë të mbronin me anën e ushtrisë vetëm kryeqytetin. Mirë po pyetja bëhej se cili oficer kishte mbetur besnik i Zogut, që të drejtonte forcat ushtarake dhe kush ishte i lidhur me Organizatën e fshehtë. Këtë gjë nuk e dinin as qeveritarët vetë .U dha urdhër nga lart që njësitet e artilerisë të vendoseshin nëpër kodrat rreth e qark Tiranës. Dhe, për të kontrolluar se nga ishin drejtuar tytat e topave, shkoi vetë Abdurrahman Krosi. Ky gjithë natën e 14 -15 gushtit u vërtit kodrave me bastun në dorë nga frika se mos ushtria, në vend që të priste me zjarr kryengritësit, ia drejtonte gjylet pallatit mbretëror.

Të nesërmen situata u sqarua. U muar vesh se Kryengritja ishte kufizuar vetëm në Fier, ku ishte vrarë gjeneral Gjilardi .Atje u dërguan forca të shumta, që filluan me një herë ndjekjet në Fier, në Berat dhe posaçërisht në Skrapar, për të kapur Riza Cerovën. Komandant operacioni u caktua Ali Riza Kosova. Në ndjekje muarën pjesë shumë reparte ushtarake dhe toga të gjindarmarisë; më të shumtët e oficerëve ishin matjanë dhe dibranë, që mendohej se ishin besnikë të Zogut.

Po edhe midis tyre gjendeshin element të influencuar dhe të lidhur me Organizatën e fshehtë. Përveç fuqive të rregullta, për të kapur kryengritësit e lidhur me Lëvizjen, muarën pjesë edhe disa çeta bashibozukësh të drejtuara nga Veis Sevrani, Hysni Toska, Jako Kumani e të tjerë më të vegjël. Veis Sevrani u nis në ndjekje të Riza Cerovës; Hysni Toska shkoi me fuqitë e veta në katundet e Mallakastrës dhe Jako Kumani veproi në rrethin e Beratit dhe ne mënyrë të veçantë në zonën e Roskovecit, që është ngjitur me Fierin.

Në kryeqytet shtypi i Zogut filloi të çirret me te madhe kundër armiqve, që guxuan të ngrenë krye kundër Naltëmadhnisë. Kërkohej që kundër turbullonjësve të qetësisë të merreshin masat më ekstreme. Korin e gazetarëve e drejtonin udhëheqësit e gazetës ultrareaksionare “Besa”, pse besaxhinjtë e mbanin veten si besnikët më të devotshëm të Sovranit August. Kështu kishte the organe të tjera, që i mbanin “iso” gazetës Besa (fl.57).

* * *

Më 18 gusht, në Tiranë, u bënë funeralet e gjeneral Gjilardit, trupi i të cilit u përcoll me nderime ushtarake, u përshëndet nga vetë Mbreti, dhe u dërgua në kalanë e Perelës. U varros pranë tyrbesë së Ballaban Pashës, sipas dëshirës së shfaqur nga “i ndyeri vetë”, që kur kish qenë gjallë. Për t’u çuditur është se sa poshtë kishte rënë ndjenja patriotike gjatë regjimit zogist: krerëve të kësaj klike nuk u vinte turp, por u dukej me vend varrimi i këtij “dëshmori të madh” pranë Ballaban Pashës, tradhëtar i njohur i atdheut, që u vra nga Skënderbeu, kur erdhi të shkelte Arbërinë me hordhi turke që i komandonte… Por, ipsi bir

…Të dy sulltanët, Mehmet, i madh i osmanëve dhe Ahmeti i vogël i shqiptarëve kishin pasur dëshira të njëjta: që besnikët e tyre renegatë të gjendeshin pranë njeri tjetrit për të parë që andej nga një majë kodre Shqipërinë se si do të ecte në rrugën e historisë.

* * *

Jehona e Kryengritjes

Kryengritja e Fierit, që tronditi themelet e mbretërisë së Zogut, bëri bujë të madhe jo vetëm në të gjithë skajet e Shqipërisë, por edhe në botën e jashtme. Të huajt, që kishin vizituar vendin tonë ato vite, dhe kishin parë me sytë e tyre regjimin anakronik, sundimin feudal, varfërinë e tmerrshme të popullit dhe mjerimin e përgjithshëm, e prisnin si një gjë krejt të natyrshme lëvizjen popullore me armë .Gjithë bota foli për të. Shtypi përparimtar i jashtëm në ditën e parë, kur u mor vesh shpërthimin i Kryengritjes u shpreh me entuziazëm dhe shkroi në favor të saj, për t’u dhënë zemër Kryengritjes shqiptarëve, që kishin rrokur pushkët.

Po kur u njoftua dështimi i saj, shtypi pozitiv lozi rolin e avokatit mbrojtës dhe u përpoq që të nxiste optimizmin publik për të ngritur zërin kundër masave barbare që ishte duke kryer Zogu. Të shtytur nga ky opinion, shumë qeveri dhe kryetar shtetesh i dërguan Zogut mesazhe për ta shikuar çështjen në mënyrë njerëzore dhe për të mos marrë masa ekstreme. Disa nga këto mesazhe përmendnin edhe persona të caktuar nga ata që ishin arrestuar dhe torturoheshin në burgjet e Fierit. Shoqata ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut do të dërgonte në Tiranë kryetarin e saj, për të parë në vend gjendje n dhe për të biseduar me qeveritarët e këtushëm mbi të burgosurit e Fierit (fq. 59).

Për të treguar edhe më shumë rreth jehonës, që kish gjetur jashtë vendit rapresalja e qeverisë zogiste kundër aktivistëve të Lëvizjes së Fierit, Milaj tregon një episod, që na njeh me delegacionin qeveritar, të kryesuar nga Mehdi Frashëri, që pat shkuar në Gjenevë, për të mbrojtur pranë Lidhjes së Kombeve çështjen shqiptare kundër akuzave të Greqisë dhe shteteve të tjera përsa i përkiste mbylljes së shkollave minoritare; kur në atë rast mistri i jashtëm i Francës i foli me përçmim kryetarit të delegacionit shqiptar për masat çnjerëzore që po merreshin kundër kryengritësve të Fierit, duke i thënë se aty regjimi zogist kishte ngritur një kasaphanë (un abation) (fq. 59).

* * *

Më 18 gusht 1935 mbreti bëri ndryshime në gjykatë

Më 18 gusht, 1935, mbreti bëri ndryshime në përbërjen e gjykatës së posaçme për fajet politike. Dekretoi largimin e kryetarit të mëparshëm dhe të dy anëtarëve. Trupi i ri i gjykatës u formua me këtë përbërje: Kryetar: kolonel Ali Riza Kosova Anëtarë ushtarak : Major Hamz Kuçi. Anëtar ushtarak : Kapiten Zef Prenushi. Anëtar civil : Petro Martini. Anëtar civil: Sadri Fasllia. Prokuror: Kiço Bisha. Ndihmës anëtar : Faik Bregu. Gjithashtu u dekretua transferimi i Gjykatës nga Tirana në Fier.

Në atë kohë mjaftonte të dëgjoje emrat e këtyre njerëzve për të parashikuar sesi do të vepronte gjykata. Por sot që këta janë harruar, duhen thënë dy fjalë për ta. Ali Rizai, dikur oficer i Fan Nolit, i martuar me një kushurirë të largët të Zogut, që nuk dinte të fliste veçse turqisht. Qe si njeri i shkalluar; kënaqësia e vetme e tij ishte të vriste e të torturonte njerëz. Dy anëtarët ushtarakë ishin mjekuar të dy nga nervat për shkak sëmundjesh me origjinë sifilitike; i pari ishte baxhanjak i Ali Rizait; i dyti vetëm pak javë më parë ishe dalë nga Çmendina e Vlorës.

Nga anëtarët civilë, Petro Martini ishte një mumje, “qorr” na dy sytë, që nuk dinte të jepte asnjë mendim për nënshkrimin e dokumenteve, që i firmoste me dorën që ia mbante sekretari. Sadri Fasllia, gjer atëherë gjyqtar hetues në Durrës, ishte njeri i Lal Krosit dhe i shërbente regjimit edhe me detyra të tjera mbi detyrën kryesore. Prokurori Kiço Bisha ishte i njohur për trillim akuzash të rreme e të rënda kundër kujtdo, që i binte në dorë, sidomos po të ishte patriot shqiptar (f. 61).

Fuqitë operative dhe forcat e gjindarmarisë në Tiranë e gjetiu arrestuan shumë njerëz, midis të cilëve dhe intelektualë, që s’i honepste regjimi. U bënë mijëra vet të arrestuar. Shumë nga këta u liruan, pasi u torturuan për ditë me radhë. Vetëm në burgjet e Fierit u kalua mbi 2000 persona. Versioni zyrtar i qeverisë i botuar në një deklaratë, i datës 17 shtator 1935 konfirmonte se numri i të pandehurve ishte 539 vetë (fq. 61)

Për t’u gjetur vend gjithë të burgosurve, të sjellë nga të katër anët e Shqipërisë u përdoren godina të sigurta. Përveç disa lokaleve të përfunduara të nënprefekturës, u kthyen në burgje edhe shkolla e djemve, hoteli ”Liria”, zyra e postë-telegrafës si edhe një rresht dyqanesh, që ndodheshin përballë kësaj godine .Torturat që u përdorën në “kasapanën” e Fieri qenë të tmerrshme. Druri dhe metoda të tjera barbare qenë i vetmi mjet për të zbuluar veprimet e kryera nga secili. Hekuran Maneku, për shkak se nuk i duronte dot këto tortura barbare, tentoi të vriste veten, duke shpuar barkun me një gozhdë të ndryshkur, që e gjeti në murin e birucës, ku e mbanin të mbyllur. Ndër kaq plaga e tij e infektuar po keqësohej pa u vizituar nga ndonjë mjek.

Dhe doktori, i cili më në fund erdhi, bëri një prognozë të keqe dhe tha hapur se i sëmuri shpejt do të vdesë. Po vdekja e Hekuran Manekut do të bënte shumë bujë dhe do të vërtetonte gjithçka ishte pëshpëritur brenda vendit, po dhe në botën e jashtme lidhur me torturat dhe seancat gjykimore, për ç’ishte shkruar rreth asaj mizorie, që metaforikisht ishte quajtur “kasaphana” e Shqipërisë. Atëherë regjimi, që të shpëtonte nga një diskreditim i madh, vendosi ta zhdukte Hekuran Manekun, me pretekstin se ai i kishte lyer duart me gjak. Dhe ashtu, pa u vonuar, ekzekutimi i u bë të nesërmen, më 23 shtator, me varje në një trekëndësh të ngritur 10-15 metra në jug-perëndim të cepit të godinës, që sot shërben si bankë shteti.

I dënuari mbajti një qëndrim shumë të qetë dhe burrëror, kur u njoftua se do të ekzekutohej. Shokët e qelisë së burgut tregonin për vuajtjet e tij jo vetëm fizike, po edhe lëndimet shpirtërore. Oficerët, që e ruanin nuk linin gjë pa i thënë, e shanin dhe e tallnin . I dukej sikur vdekja do ta shpëtonte nga këto tortura dyfishe. Shokët që ndodheshin një birucë me të, u çuditën, kur rojet e nxorën nga biruca për ta ekzekutuar. Ai u përshëndet me ta, ju uroi që shpëtuat jetën dhe i këshilloi që të mbeten patriotë të ndershëm.

Kështu e sillnin në mendje të burgosurit e tjerë Hekuranin,të papërkulur, tek do të nisej për të dhënë shpirt i varur në litar. Kurse një toger matjan, i cili komandonte togën, që e shpuri Hekuranin te trekëndëshi i varjes, ju drejtua të burgosurve, kur u kthye nga ekzekutimi me këto fjalë ofenduese për të: “ai katil, kur vuni litarin në fyt, thërriti rroftë Shqipnia! Desh m’u shit atdhetar ai që luftoi kundër atdheut, kur ka çue pushkën kundër Nalt-madhënisë së tij! (fq. 61-65).

Po pavarësisht nga fjalët e togerit të burgut, Hekuran Maneku ishte një nga përfaqësuesit aktiv të Kryengritjes së Fierit. Pra gjyqi i Fierit, që u mbyll më 17 shtator, pas një gjykimi mizor, që krijoi në qytetin e Fierit, një psikologji terrori, që do të kulmonte ë datën 23 shtator, me varjen në litar të Hekuran Manekut.

Tri katër ditë më vonë, të burgosurit e Fierit u transportuan në burgun politik të Durrësit, që ishte një godinë e marrë me qira nga një tregtar dibran, që qe i lidhur me regjimin.
Ndër kohë, nuk duhet të lëmë në harresë, Jashar Cakrani, i cili në hetuesi hiqte pikën e zezë mes torturash të ndryshme, aq sa prej tyre ai pësoi një tronditje të rëndë nga të rrahurat, sa që u shkatërrua krejt nga sistemi nervoz. U qëllua aq keq, sa nuk mund të shërohej edhe jashtë shtetit,ku e shpunë për mjekim. Prej torturave Jashar ishte bërë gjysmak. Kur qante e kur qeshte pa vend. Herë hante pa masë dhe herë nuk fuste gjë në gojë.

Më kujtohet se kur ndodheshim të burgosur, të mbyllur në një si zyrë, poshtë telegrafës, Jashari i dërmuar nga goditjet, na thotë ne shokëve të tij, që ndodheshim tok: “E kuptoj se ju shokë çuditeni me sjelljet e mia. Po ja shikoni vetë….” dhe atë çast lëvizi të lintat, ndërsa ne atëherë, pamë se nën to, ai sikur kish një palë të linta të tjera të zeza të lerosura me një pellg gjaku. Kështu i ishin bërë mishrat e kofshëve nga të rrahurit .Për këtë person, për Jashar Cakranin, autori i dorëshkrimit ka një konsideratë të veçantë se e kish njohur për karakterin e tij para se të ndodheshin në burg.

Ai kish qenë personi më aktiv në zonën e Mallakastrës përsa i përkiste gjetjes dhe mobilizimit të vullnetarëve për ditën e Kryengritjes. Jashari kishte një natyrë të çuditshme. Ishte shumë zemër mirë, gojëmbël, bujar dhe i afruar me fshatarët e çdo shtrese; ai hante e pinte gju më gju me ta. Kishte një natyrë krejt të kundërt me të atin, Sulo Beun, që ishte koprac i madh, zemërgur, që i kishte vënë vetes për detyrë vetëm të fitonte sa më shumë. Kryengritësit, që mblodhi Jashari ishin nga Kreshpani dhe nga fshatra të tjera të Mallakastrës. Jashari e tregoi veten trim dhe njeri me karakter si në përpjekjen e Lushnjes, ashtu edhe gjatë zhvillimit të gjyqit, me gjithë se u torturua më shumë se çdo i10pandehur (fq.44…)

Gjyqi i Fierit filloi më 21 gusht. Për grupin e parë, që përbëhej prej 21 xhandarësh, të cilët shin pjesëmarrës në kryengritje, gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura, në një nga zyrat e nënprefekturës. Nga këta u dënuan me vdekje 11 veta, me pushkatim në shpinë; kurse të tjerët morën dënime të ndryshme, nga 15 vjet deri në burgim të përjetshëm. Zbatimi i vendimit u bë pas tri ditësh. Në agim të 24 gushtit u pushkatuan: Kapter Hysen Bektashi, rreshter Qirjako Çiço, rreshter Ndue Buzi dhe gjindarmët Ahmet Ismaili, Halit Bektashi, Hysen Ramadani, Abdurraman Zelka, Sinan Beqiri, Nazif Hamzai dhe Abedin Hasani.

Ekzekutimi u krye në një arë disa metra larg në juglindje të Bashkisë. Të dënuarit u pyetën sipas zakonit për dëshirat e fundit dhe të gjithë qëndruan burrërisht. Kur u vendosën rresht me shpinën nga plotori i ekzekutimit, rreshteri Ndue Brozi nga Kthella e Mirditës u bërtiti shokëve, që t’i kthejnë gjoksin plumbit, ashtu siç është zakoni trimave. Të gjithë ashtu me duar të lidhura u kthyen drejt plotonit për qitje. Abdurrahman Zelka prej Tirane thërriti në çastin e fundit: “Poshtë Zogu! Rroftë Republika! Dhe gjithë shokët iu pëgjegjën me “urra” thirrjes së tij. Fjalët e njëmbëdhjetë dëshmorëve para plotonit të ekzekutimit na i thanë ne të burgosurve të tjerë vetë ushtarët dhe oficerët, që kishin bërë pjesë në atë togë pushkatimi.

Më pas mua m’i pat përsëritur dhe papa Polizoi, Ikonomi, që ishte ndodhur prezent, bashkë me hoxhën dhe priftin katolik të Vlorës, për të kryer shërbimi e fundit fetar. Të burgosurit civil, që u ndodhën në një dhomë me xhandarët, tregonin me habi për gjakftohtësinë e 11 dëshmorëve, kur i morën për t’i ekzekutuar. Të gjithë u mbajtën trima, u hallallosën, me shokët, që mbeten, lanë amanetet e fundit dhe ndonjë porosi për t’ua shpurë familjeve. Trim mbi trima u tregua rreshteri Ndue Brozi, i cili midis të tjerash tha që trupin e tij t’ia çonin në Kthellë, për ta vajtuar çikat e malësisë. (f.63).

Seancat e tjera gjyqësore u zhvilluan në kopshtin e Qemal Vrionit; më parë në një cep në hijen e pemëve dhe më vonë përpara shtëpisë, në ballkonin e së cilës kishte zënë vend trupi gjykues, me Ali Riza Topallin në krye (fl. 63).

Meqenëse numri i të pandehurve ishte shumë i madh, gjyqi për ta, në mungesë të ambienti të përshtatshëm, u vendos të zhvillohej në oborrin e shtëpisë së Qemal Bej Vrionit, i cili ishte pjesë e grupit që do të gjykohej. Seancat u realizuan nën hijen e një pjergulle, ku vetiu të pandehurit ngrinin shpesh herë kokën dhe shihnin veshët e rrushit të pjekur. Më pas kthenin vështrimin nga Qemal Vrioni dhe në çaste të veçanta e shpotisnin me romuze : “i mbarë rrushi këtë vit, Qemal Bej!- Verë apo raki do ta bësh këtë vjeshtë? Vërtetë ironi dhe paradoks, kur një i pandehur gjykohej nga një gjykatë, por në shtëpinë e tij.

Midis personave të arrestuar qenë edhe disa njerëz, që vini nga familje me emër të dëgjuar si Vrioni, Dibra dhe Vlora. Për këta persona gjykata nxori prova të dorës së dytë, që dëshmonin një pakënaqësi të përgjithshme ndaj mbretit, qeverisë dhe disa nëpunësve të lartë të veshur me pushtet si mund të ishin për shembull ministri i brendshëm Musa Juka, ministri i luftës Xhemal Aranitasi, si dhe adjutanti i Zogut Abdurrahman Krosi – (Milaj nga fletorja).

Më 26 gusht 1935, u sollën para gjykatës 48 të pandehur nga pjesëtarët, që kishin qenë direkt në Kryengritje. Nga këta, pas tri ditësh, 4 vetë u dënuan me vdekje, 19 me burgim të përjetshëm dhe 14 persona me burgime të ndryshme. (F.63)

Seanca më e rëndësishme filloi më 29 gusht dhe vendimin e dha më 9 shtator. Në këtë seancë u paraqit grupi udhëheqës i “Organizatës së fshehtë”, ku përfshiheshin nën oficerë, që kishin qenë ngarkuar për të kryer atentatet e Tiranës, anëtarët e komisionit koordinativ të Fierit dhe disa të tjerë. Prej këtyre të pandehurve u dënuan me vdekje 23 vetë, midis të cilëve edhe Hekuran Maneku. (fl. 63.)

Më vonë u paraqitën me radhë edhe grupe të tjera, që morën dënime të ndryshme. Nga debatet e zhvilluara në gjyq, me interes për anë ideore bëri përshtypje dhe pati rëndësi për kuptimin politik deklarata e Mustafa Kaçaçit. Ai tha se ishte komunist dhe kishte marrë pushkën kundër regjimit, që të luftonte, për të çliruar punëtorët dhe fshatarët. Ai deklaroi gjithashtu se kurrgjë nuk e bashkonte me Qemal Vrionin ose me bejlerët dhe çifligarët e tjerë, që po gjykoheshin bashkë me të në një grup. Kjo deklaratë e guximshme nuk ishte dëgjuar ndonjë herë në seancat gjyqësore. Po megjithëse nuk u përmend as “Organizata e fshehtë” as grupi komunist, Hasan Reçi dhe Mustafa Gjinishi i mbajtën mëri Mustafës, pse ai.

Po ndërkohë në gjyq prirja për dënime rënda nisi të lehtësohej si efekt i protestë nga opinioni publik i brendshëm dhe i jashtëm (fq. 67). Grupi i fundit u paraqit për gjykim më 16 shtator dhe vendimi u dha të nesërmen, më 17, kur u dënuan me vdekje dy nga të pandehurit.

Si përfundim, në gjithë seancat që u zhvilluan në Fier u paraqitën 539 persona të arrestuar, prej këtyre gjykata e posaçme për faje politike dënoi 213 të pandehur, nga të cilët 53 me vdekje dhe të tjerët me burgime të ndryshme. Po duhet thënë se në prag të ekzekutimit, si rezultat i presionit të brendshëm, po sidomos edhe atij ndërkombëtar, disa nga dënimet me vdekje u ndërruan me burgim të përjetshëm.

Kurse gjyqi për të pandehurit, që ishin arratisur, do të zhvillohej disa muaj më vonë, më 1936…

Duhet të shënojmë se gjatë zhvillimit të hetimeve dhe seancave gjyqësore trupi gjykues nuk mundi të zbulojë të vërtetën mbi këtë lëvizje të madhe. Kjo ndodhi për tre arsye: e para, se urdhri ishte që vendimet të merreshin sa më parë, me që ngutësia i nevojitej regjimit për të tronditur popullin; e dyta, se anëtarët e trupit gjykues ishin të paaftë dhe, prandaj nuk kishin mundësi që të nxirrnin nga goja e të pandehurve ndonjë fjalë më tepër nga ç’mund të nxirrte dajaku; e treta, që qe më e fortë, është se të pandehurit, qofshin këta fshatarë të thjeshtë, a po intelektualë, nuk akuzua njeri tjetrin, veçse në raste të rralla, kur ndodheshin të shtrënguar fortë.

Kështu, me këtë mënyrë veprimi, Gjykata nuk mundi të merrte vesh se si ishte organizuar Kryengritja, cilët qenë pjesëtarët e udhëheqjes së saj, si qenë formuar grupet, pse lëvizja plasi vetëm në Fier. Disa nga këto çështje u sqaruan më vonë, kur disa miq të ministrit të ri të punëve të brendshme Et’hem Toto, i raportuan këtij gjerë e gjatë nga burgu mbi organizimin dhe udhëheqjen e lëvizjes (fq. 66-67).

Për shkak se nuk u zbulua e vërteta, Gjykata e posaçme dha dënime të çuditshme. U dënuan me vdekje edhe njerëz, që kishin faje shumë të lehta. S’ka dyshim se edhe miqtë, simpatitë e antipatitë dhe sidomos ryshfetet, që në atë kohë ishin të zakonshme, loznin rolin e tyre në caktimin e dënimeve.

Anësirat dhe ndërhyrjet viheshin re edhe gjatë faljeve mbretërore që bëheshin dhe që kishin për qëllim të zbusnin acarimin e opinionit publik botëror, që vazhdonte të kritikonte mizoritë e Zogut. Ashtu u pa e arsyeshme të faleshin disa të burgosur nga regjmi i kohës. Kjo gjë ra në sy edhe në amnistinë e vitit 1935, kur në fakt u liruan persona të dënuar me vdekje dhe mbetën në burg njerëz me një ose dy vjet privim lirie (fq.67).

Për këtë veprim është interesante të dihet se ç’u tha nga Komunikata që dha Agjencia telegrafike shqiptare (Albageme) në lidhje me faljen mbretërore. Kam parasysh botimin e gazetës frënge Le Temps, e cila gazetë fliste për bujarinë e mbretit dhe përmendte se midis të falurëve ishte edhe “princi Nuredin Vlora “. Ky shënim bëhej me qëllim për të zbutur opinionin në boten e jashtme. Le të përmendim një rast: meqenëse për Nuredin Benë kishte shumë ndërhyrje, ai duhej të falej. Ndërhyrjet për faljen e tij nisnin duke filluar nga Duka i Windsorit dhe deri te Kalifi, i cili nga Egjypti i dërgonte Zogut një mesazh të shkruar arabisht me ngjyrë të kuqe me anën e të cilit kërkonte që të falej, meqenëse i ati, Ferid Pasha, i kishte bërë shumë shërbime (fq. 67)

Gjatë seancave gjyqësore pati edhe të papritura, që të bënin të qeshje. Kështu qe një shembull, kur kryetari i trupit gjykues i gërthiste një fshatari se ku i kishte fshehur dylbitë e gjeneral Gjilardit, kur prokurori akuzonte për këtë një person tjetër.

Populli, kur pa me sytë e tij seancat gjyqësore, që po bëheshin në qytetin e Fierit, u llahtaris, sepse gjykimi u zhvillua nën një regjim terrori. Dajaku ishte mjeti kryesor, që përdorej nga “hetuesit” e burgjeve, të cilët praktikonin tortura nga më mizoret .Kushtet ishin mizerabël. Mjafton të kujtojmë faktin se dhomat dhe lokalet, ku ishin vendosur të arrestuarit, qenë edhe burgje edhe vende torturash. Pra, nga gjithësa parashtrohet lidhur me kushtet se si zhvilloheshin skenat hetimore, seancat gjyqësore, pushkatimet dhe dënimet e rënda që dha gjyqi politik i Fierit e prishnin përfytyrimin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Me gjithë përpjekjet dhe marifetet e nëpunësve të regjimit, për ta mbajtur të fshehur barbarinë e trupit gjykues dhe të xhandarëve xhahil, egërsia e gjyqit u duk nëpër faqet e shumë gazetave të njohura të shtypit jashtë vendit, nga të cilat duhen përmendur: Times, Daily Telegraph, Le Petit Parisien, Le Figaro, Journal de Geneve, Pravda, Kathimerini, Vreme, e tj, që shkruan artikuj, që mbajtën qëndrim kritik rreth shtypjes me dhunë të asaj që u quajt “Drama juridike e Fierit” . (Pasqyrën e jehonës së shtypit të huaj për këtë ngjarje historike e gjejmë edhe më të plotë nga Prof. Belegu në veprën e tij “Kryengritja antizogiste e Fierit”.)

Jehona e Kryengritjes së Fierit do të ndihej në rast përvjetorësh nga një dekadë në tjetrën, sidomos më në zonën e qytetit dhe të qarkut të Fierit . Kështu, me rastin e 85 vjetorit të kësaj ngjarje historiani Ilirian Gjika do ta përkujtonte atë si një “akt të guximshëm historik “ në gazetën “Orakujt e Tomorrit”, duke shkruar, ai kujton: “Kryengritja e Fierit ishte shprehja më e fuqishme e pakënaqësisë që ekzistonte në vend kundër mbretit Zog. Kjo lëvizje tronditi seriozisht regjimin” gjë që u pa në zhvillimin e seancave të gjyqit politik të Fierit, po që u duk dhe në shkrimet e disa gazetave të ndryshme, madje edhe nga faqet e gazetës proqeveritare si Besa e të tjera”.

Gjithësesi atëherë, presioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar e detyroi mbretin Zog, që vetëm dy muaj më pas, pikërisht për përvjetorin e pavarësisë, më 28 Nëntor 1935, të shpallte një amnisti, e cila i falte një pjesë të dënuarve .Më pas ajo do të pasohej në 31 dhjetor nga një amnisti tjetër, ku një pjesë tjetër e të dënuare u liruan.

Gjatë gjyqeve, që u zhvilluan në Fier, të pandehurit u mbrojtën dhe nga një numër i madh avokatësh të mbledhur nga Vlora, Berati e Tirana. Disa nga këta, që përfaqësonin pasanikë, fituan plot para. Disa prej tyre u treguan edhe të poshtër; përfitonin nga sekretet, që nxirrni prej të pandehurve dhe këto ia raportonin qeverisë. Si shembull për këtë lloj avokati po japim Sezai Qemalin, i cili për të mbrojtur klientët e tij, deklaroi se duhen dënuar të rinjtë ekstremistë dhe duhen liruar Nuredin Bej Vlora, Qemal Bej Vrioni dhe Seit Bej Vrioni, të cilët janë të pasur dhe ndihmojnë shtetin. Ata nuk mund të jenë fajtorë si ekstremistet”.

Po karakteri i avokat Sezaiut si shërbëtor hipokrit i regjimit bëhet dhe më konkret, po të lexojmë një letër të tij drejtuar mbretit .Siç dihet, Zogu më 7 prill 1939, iku dhe e la Shqipërinë dhe pallatin. Ata që e pushtuan pallatin më vonë, kur u futën në arkivin e tij, gjetën një raport, që Shezai Qemali i dërgonte mbretit mbi organizimin e “Lëvizjes së Fierit”, sipas informacioneve që kishte mbledhur ai vetë dhe disa avokatë të tjerë nga klientët e pandehur. Ky raport u shumëfishua dhe u shpërnda nga njerëzit, që e gjetën në arkiv. (f. 68-69).

Ndryshim në Qeveri

Kryengritja e Fierit ishte shprehja më e fuqishme e pakënaqësisë që ekzistonte në vend kundër Zogut. Megjithëse dështoi, ajo qe një grusht i rëndë për regjimin monarkist. Nga kjo lëvizje u bë e qartë se mbështetja e këtij regjimi brenda vendit ishte e dobët, dhe, se me një organizim më të mirë, kryengritësit mund ta kishin rrëzuar atë .Nga mënyra si u zhvilluan ngjarjet pakënaqësia e popullit u shtua dhe më shumë. Për të shmangur revoltën dhe trazirat e mundshme, mbreti manovroi me ndryshimin e qeverisë. Në ato rrethana ai e pa të arsyeshme të shkarkonte qeverinë konservatore të kryeministrit Pandeli Evangjeli dhe ta zëvendësonte atë me një qeveri të re liberale e të moderuar të Mehdi Frashërit.

Kjo qeveri përbej prej anëtarësh, qe nuk kishin pikëpamje politike të përbashkëta, përveç besnikërisë ndaj fronit adamantin të Sovranit August. (flet. f. 71) Me anën e qeverisë së re Zogu synonte të arrinte dy qëllime: Të zbuste deridiku zemërimin e popullit kundër tij dhe nga ana tjetër, të vazhdonte traktativat me Italinë për të marrë hua, që të mund të përmirësonte gjendjen. Gjithsesi me liberalizmin që nisi të duket me qeverinë e re, në jetën e përditshme u vu re gjallërimi i mendimit demokratik. U ngrit niveli i shtypit dhe dolën një brez autorësh të talentuar e përparimtarë, të cilët përshkruanin me gjyra të vërteta varfërinë, korrupsionin e administratës dhe egërsinë e regjimit antipopullor.

Atëherë midis shkrimeve pa ndonjë vlerë sociale, artikuj ose shkrime të botuara nga njerëz me aberracione ideologjike e politike, si ato që botoheshin në gazetën proqeveritare “Besa”, por midis tyre gjeje dhe materiale përparimtare. Atë kohë shkrime të tilla realiste dilnin sidomos në organe të tilla shtypi si “Arbëria”, “Illyria”, “Përpjekja Shqiptare”, revista “Bota e re” e Korçës si dhe revista jetëshkurtër “A.B.C. e Tiranës, që u drejtua prej Petro Markos dhe Asim Vokshit.

Nga emrat e autorëve më të njohur, që botonin nëpër këto gazeta dhe revista, ishin autorë të tillë si Branko Merxhani, Vangjel Koça, Andrea Varfi, Aleks Çaçi, Petro Marko, Asim Vokshi e të tjerë, po kishte edhe autorë që preferonin të përdornin pseudonime si Chri-Chri, Kapa, Harbuti, Demo Koti, Migjeni.


Pse dështoi Kryengritja e Fierit

Historia na tregon se një kryengritje popullore për të arritur qëllimin e caktuar duhet të ketë ide të qartë rreth së cilës të mblidhen elementë nga shtresa të ndryshme pa lëkundje. Kështu që duheshin sqaruar njerëzit për idenë antizogiste, për të rrëzuar monarkinë. Duheshin bindur njerëzit dhe t’u sqaroheshin veprimet e mundshme për aksione antizogiste. E para ishte pakënaqësia popullore brenda vendit. E dyta, konjuktura ndërkombëtare qene favor të kryengritjes: Italia qe e angazhuar me pushtimin e Abisinisë, prandaj i kishte duart të zëna dhe nuk mund të ndërhynte ushtarakisht në Shqipëri.

Kështu që ishte një situatë në favor të antizogistëve. Arsyet e dështimit janë të qarta. Së pari mungonte ideali i përbashkët .Së dyti, në lëvizje morën pjesë grupe me interesa të ndryshme, që jo vetëm nuk përkonin, po në shumë raste, binin në kundërshtime njeri tjetrin. Kështu mund të flitet për diferencat e mëdha midis komunistëve, që përfaqësonin proletariatin dhe atij grupit të bejlerëve, që luftonin kundër reformës agrare; ose bajraktarëve, që donin të ruanin sistemin feudal dhe fshatarëve, që kërkonin të shpëtonin nga ai sistem. Si pasojë, elementët jo përparimtarë, jo vetëm nuk morën pjesë në kryengritje, po krijuan intriga dhe e sabotuan atë.

Edhe brenda grupit të “nacionalistëve demokratë” ka pasur shumë politikanë karrieristë, aventurierë e pseudo-demokratë, të cilët morën pjesë në këtë organizatë kaq të gjërë, pra ishin pjesëmarrës jo si qytetarë të pastër, po sepse mendonin të zinin kolltuqe, të drejtonin shtetin pa ndryshuar sistemin qeveritar, që kishte organizuar Zogu. Të tillë ishin ideatorët, që përpiqeshin gjoja të prinin masën e popullit kryengritës si Bektash Cakrani, Neki Starova, Kostë Çekrezi, Musa Kranja, Afëz Ali Tarja e të tjerë. Këta “drejtues” të lëvizjes formonin atë grupim të bejlerëve, edhe të ca të kamurve, që nuk kishin ndryshim të madh parimor me grupin e bejlerëve të nivelit më superior si Shevqet Vërlacin, Qemal Vrionin, Nuredin Vlorën, Seit Vrionin e Muhamet Këlcyrën.

Këta të fundit i përkisnin asaj radhe të bejlerëve ”kryengritës”, që ishin vetëm armiq personal të mbretit. Disa nga këta mezi prisnin që të “kriste” e të shikonin se si do të shkonte puna dhe pastaj të hynin në valle, për të marrë përfitime. Me një fjalë këta persona nuk arritën të ishin as kryengritës dhe aq më tepër të quheshin pastaj edhe drejtuesit e Kryengritjes.

Një arsye tjetër, që pengonte frymën e aksionit dhe të revoltës, qe ideja iluzive se me fillimin e kryengritjes, me revoltat popullore dhe me atentatet e para, regjimi zogist do të binte vetiu pa përdorur ndërhyrjen me forcë, që ishte ide pacifiste, e cila të shpinte në disfatë.

Kryengritjen e Fierit nuk e bënë këta elementë inaktivë dhe konfuzë, po e bënë fshatarët e krahinave të Beratit, Fierit, Lushnjes, Mallakastrës dhe Skraparit të udhëhequr nga Riza Cerova, Mustafa Kaçaçi, Hekuran Maneku e të tjerë. Katundarët u paraqitën të gatshëm që të sakrifikonin edhe jetën. Rreth tyre do të bashkoheshin edhe shume varfanjakë të viseve të tjera .Po kjo do të ndodhte vërtetë sikur të kishte qene një udhëheqje e fortë, që t’ua bënte të qartë pse duhej të luftonin. Pikërisht kjo mungoi.

“Udhëheqja e Organizatës së fshehtë” nuk ishte monolite. Kishte plot mosmarrëveshje midis drejtuesve të saj . Krerët e Lëvizjes, që përmendëm më lartë, dhe që hiqeshin si ideatorë, e konsideronin veten mbi udhëheqjen kolegjiale, prandaj as qe i zbatonin urdhrat e saj. I vetmi grup, që mund ta ndryshonte gjendjen, të krijonte dinamikën dhe të drejtonte masat, do të ishte ai i komunistëve; po edhe në gjirin e këtij grupi, në atë kohë, kishte të meta. Ata prireshin nga metoda e puçeve. Ideonin atentate, pa pasur një plan për zbatimin e tyre, pa pasur një organizim më të studiuar me kryengritjen masive të pjesëmarrësve të “Organizatës së fshehtë”. Kështu, dy nga krerët kryesor të këtyre grupeve, Hasan Reçi, dhe Mustafa Gjinishi nuk qenë njerëz të vendosur dhe bënë gabime të rënda në komunikimin me njerëzit. (fl. 76)

Për këto arsye dhe të tjera Kryengritja e Fierit dështoi. Përpjekjet, torturat dhe vuajtjet e qindra njerëzve të thjeshtë, që morën pjesë në këtë Lëvizje dhe, që u dergjën dhe nëpër burgje, nuk dhanë rezultat.

Gjaku i 12 dëshmorëve nuk u kujtua për disa kohë.

Pas Kryengritjes së Fierit Megjithëse dështoi, kryengritja e Fierit qe një grusht i rëndë për regjimin zogist. Ajo e bëri të qartë se mbështetja e këtij regjimi brenda vendit ishte shumë e dobët, dhe, se me një organizim paksa më të mirë kryengritësit mund ta rrëzonin atë. Për të shpëtuar hë për hë nga kjo situatë, regjimi përpunoi një taktikë të re qeverisjeje. Para së gjithash duhej që me çdo kusht të paqësohej populli. Pakënaqësia e shtresave të ndryshme, që arritën gjer sa të ngrenë krye, duhej kanalizuar në mënyrë që Zogu personalisht të konsiderohej i pafajshëm për të gjitha të këqijat, që kishte pësuar vendi.

Duhej që fajet e së kaluarës t’i ngarkoheshin dikujt tjetër dhe, prandaj nga pallati mbretëror u përhap parulla se shtypja dhe shpërdorimet ishin bërë prej qeverisë, që kishin vepruar, gjoja, në kundërshtim me vullnetin e sovranit (fl. 70).

Për të zbatuar këtë vijë të re në politikën e brendëshme, në tetor 1935, mbreti rrëzoi qeverinë e Pandeli Evagjelit dhe në vendin të saj erdhi qeveria “liberale ose e të rijve” e kryesuar nga Mehdi Frashëri.

Me anën e qeverisë së re Zogu synonte të arrinte dy qëllime: të zbuste deridiku zemërimin popullit kundër tij dhe, nga ana tjetër, të vazhdonte traktativat me Italinë, për të marrë një hua të re, e cila do të qetësonte ashtu gjendjen katastrofike të financave. Pasi të siguronte mbështetjen e jashtme, do ta ndjente veten më të sigurt, dhe kur të vinte koha të merrte masa shtypëse pa pasur frikë se mos rrëzohej nga populli.

Qeveria e re e Mehdi Beut u quajt liberale, se në fillim ajo, e shtyjtur nga interesat e çastit të regjimit, e dha një frymë të tillë ca tolerante. Të ndihmuar nga ky liberalizëm fillestar, intelektualë përparimtarë patën disa mundësi, që nuk mund t’i siguronin në qeverinë e mëparshme. Grupet komuniste në këtë kohë u zgjeruan me anëtarë të rinj. U shtuan shkrimet që pasqyronin mjerimin dhe ngjyrat e vërteta të varfërisë. Po pikërisht atëherë Zogu u bë më vigjilent për situatën dhe me njerëzit e tij nisi intrigat kundër Mehdi Beut me shokë. Pasi e diskreditoi atë, e detyrojë që të jepte dorëheqjen.

Më gjithë humbjen, nuk mund të thuhet se ndikimi i Kryengritjes së Fierit, qe aq i kufizuar. Zjarri që u ndez nga kjo Kryengritje nuk u shua as pas ardhjes së Koço Kotës e Musa Jukës me shokë. Ky zjarr, që u mbajt i ndezur nga elementët përparimtarë, ndikoi edhe në organizimin e demonstratave popullore para ardhjes së Italisë si dhe në krijimin e grupeve të para antifashiste në Shqipëri.

Është e vërtetë se ngatërresat politike dhe paqartësitë e Kryengritjes së Fierit çoroditën mendjet e shumë njerëzve, që morën pjesë në atë lëvizje. Kështu krerët e bejlerëve dhe shumë pjesëtarë të fraksionit nacionalist u bashkuan me organizata reaksionare gjate luftës kundër pushtuesve; kurse shumë pjesëtarë të shtresave të ulta, fshatarë e punëtorë, që kishin marrë pjesë ne në organizatat e Kryengritjes së Fierit, u bashkuan me Lëvizjen Nacional Çlirimtarë, disa nga ata dhanë edhe jetën, duke luftuar për kundër okupatorëve fashistë italiane dhe nazistëve gjermanë. Të tillë janë dëshmorët Mustasfa Kaçaçi, Asim Mero, Mustafa Gjinishi, Jashar Cakrani, Lato Zeqo.

PASTHËNIE

Në përmbyllje të këtyre meditimeve themi se duke lexuar këto kujtime në dorëshkrim të Dr. J. Milajt për Kryengritjen e Fierit të 1935, kuptojmë se kemi të bëjmë me një intelektual të dorës së parë. Në gjykimet e tij ai del si një përfaqësues i sistemit politik republikan, antimonarkist, i frymëzuar nga ide demokratike. Konceptet e reja përparimtare ai duhet t’i ketë fituar që në rininë e tij, në Shkodër, ku kish vajtur për të studiuar në gjimnazin e parë të atij qyteti, tek kish drejtor personalitetin e shquar Mirash Ivanain, të cilin e admironte si patriot të flakët për mendimet e tij liridashëse.

Ndër kohë në rininë e vetë të pare, Ai kish përjetuar edhe ngjarjet e revolucionit të qershorit të vitit 1924, të prirur nga idetë fanoliste, që lanë gjurmë sociale në qytetin e Fierit. Mjafton të kujtojmë për këtë anë konfliktin midis bejlerëve nga njëra anë dhe tregtarëve, tok me artizanët, nga ana tjetër, që kish si qëllim zhvendosjen e tregut, nga qendra e sarajeve të bejlerëve të Fierit, për ta çuar tregun në fshatin Bishanakë, në lindje të qytetit.

Ky akt i guximshëm bëri diferencimin midis dy shtresave të qytetit. Tregtarët arritën ta mbanin tregun atëherë të veçuar për rreth gjashtë muaj, deri nga fundi i dhjetorit të vitit 1924, pra kur ra qeveria demokratike e Fan Nolit. Në këtë lëvizje me rëndësi sociale u dallua në veçanti revolucionari Naun Prifti (Doko) nga zona e Libofshës, i cili ishte kushuri i afërt me Jakov Milajn. Shembulli i tij me siguri do të ketë ndikuar në formimin e të kushëririt me ide dhe prirje guximtare.

Shënojmë gjithashtu se në rininë e Jakov Milajt në Fier edhe në zonën për rreth tij po dukeshin shenjat e një zgjimi ekonomik dhe kulturor. Qe shtuar rrethi i njerëzve të shkolluar, të cilit kishin ardhur herë pas here prej Janine nga gjimnazi Zosimea . Ata sillnin me vete dhe ide progresive, që i mësonin atje nga pedagogë me kulturë europiane; natyrisht me mundësitë, që u lejonte koha. Këta intelektualë, përmes vështirësive që krijonte regjimi i atyre viteve, do të ishin xixëllonjat fillestare, që në fshehtësi do të hapnin shkollat e para në Myzeqe. Disa prej atyre do të bëheshim therorë të diturisë për t’u mësuar fëmijëve shkrim e këndim si Kozma Shanku, Papa Spiro Saqellari, Kovi Saqellari, At Isaia, Thanas Ikonomi.

Vazhdën e këtyre martirëve do ta ndiqnin edhe mësues të tjerë të dale prej Zosimeas, ose prej Normales se Elbasanit apo ndonjë shkolle tjetër, të cilet, edhe ata do të ishin patriotë të pasionuar si Trush Kola, Fani Puka, Xoxi Dhima, Thoma Mici, Kiço Konomi, Izet Vasjari e të tjerë . Krahas tyre do te dukeshin mësueset e para fierake si Polikseni Gjerazi, Ariste Pogaçe, Goni Shallvari. Në dekadën e dytë dhe të tretë të shekullit XX në Fier do të dilnin dhe intelektualë të lartë të shkolluar jashtë vendit si Dr. Musa Delvina, Dr. Kostandin Kallogjeri, që pat kryer studimet në Universitetin e Bukureshtit, juristi Spiro Papa, i cili, pasi kish mbaruar për avokati në Rumani shkoi pastaj për kualifikim dhe më të specializuar në universitetin e Berklit në Amerikë; po ashtu Sotir Bitri do të vinte nga Italia si farmacist.

Atëherë midis radhës së intelektualëve të rinj të qytetit të Fierit, natyrshëm filloi të dukej edhe figura e studentit të universitetit të Torinos, Jakov Milaj, i cili kish nisur qysh nga fillimi i viteve’30 të botonte artikuj në organet e shtypit të kohës, po kryesisht në revistën “Përpjekja shqiptare” . Po ndërkaq theksojmë se pikërisht në vitet e formimit intelektual të Jakov Milajt, në qytetin e Fierit dhe përqark tij, siç po rritej numri i njerëzve me shkollë, nisi dukej edhe një “bum” i ri ekonomik, me prirje kapitaliste alla perëndimore. Kjo ngritje ekonomike i dedikohej në radhë të parë emigrantëve, kurbetllinjve, që ktheheshin nga Amerika, nga Bostoni, apo Filadelfia ose qyteteve të tjera.

Pra si të thuash kish filluar një erë e re politike dhe një praktikë “evropi” dhe si alla amerikane. Mori hov tregtia dhe u shtuan artizanatet. Me të ardhurat e tyre kurbetlinjtë e kthyer nga Amerika po i shtonin hijeshin Fierit, duke i dhënë atij një pamje urbane të zhvilluar, me rrugë të drejta e me godina e dyqane të reja, që shpesh ngriheshin dykatëshe, nga të cilat binin më në sy për konstruktimin dhe stilin e tyre, siç ishin shtëpitë e zotërinjve tregtarë të shquar si ishin ato të Maj Nitos, Gaq Papës, Vangjel Lules, Vasil Nases, Taq Bozos, Ndin Zotos, Liç Xeges, Tod Shollapi, Nas Shtëmbari, Arqile e Stavri Poros, Nane Panajoti, Tonçi Bufi, Peç Papuçiu, Peç Verria, Margarit Verria. Bush Nati e të tjerë.

Ndër kohë edhe në fshatrat për rreth Fierit po dukeshin shenja të ekonomisë kapitaliste, që ishin ndryshe nga praktika e traditës feudale e bejlerëve, që mbeshtetej me të tretën e prodhimit të tokës. Le te kujtojmë me këtë rast fermën bujqësore alla amerikane në Shën-Pjetër, ku tre tregtarë, ish kurbetlinj nga Amerika, deshën të praktikonin një lloj të re të ekonomisë bujqësore, pra, ashtu si fermerët në Amerikë, me përfitim të dyanshëm midis zotërve të fermës dhe punonjësve . Pavarësisht mossuksesit, kjo iniciativë vlen të përmendet si përpjekje për ta çuar mënyrën kapitaliste të punës edhe në fshat.

Në qendër të asaj ferme me hapësira të mëdha fushore qe ngritur një shtëpi dykatëshe. Atje do të vendoseshin të parët e fisit tim të Micallarëve, të cilët ishin dëbuar prej trojeve të tyre në Grizë Godolesh, në vitn 1925, sepse kishin dhënë shenja revolte; kështu baxhanë ata donin ta kthenin në oxhak, gjë që atëherë nuk lejohej. Nëntë dhjetë vjet më parë, unë do të isha i pari fëmijë, që u linda në atë godine, që qe ndryshe nga gjithë shtëpitë e tjera në fshatra dhe në qytet. Si më kujtohet, ajo qe e ndërtuar me shtylla deri tetë metra të larta. Ato kishin trashësi në formën e një paralelepipedi me faqe shumë të lëmuara dhe me një barazi dimensionesh të saktë, rreth 35 cm. gjerësi.

Po ashtu ishin edhe dërrasat. Të gjitha të faqosura si xham, po dërrasa, ama, shumë të trasha .As brenda në Fier nuk shikoje një tip të atillë ndërtese .Në fëmijërinë time, i mbetur jetim pa baba, mbaj mend që pyeta një herë Nënën se pse dallonte ndryshe shtëpia jonë nga të tjerat. Dhe ime më, gjysmë analfabete, m’u përgjigj “se kjo shtëpi, siç e kam dëgjuar, është bërë me lëndë deti” .Me këto fjalë ajo nënkuptonte se shtëpia qe e ndërtuar me lëndë druri të parafabrikuara në Amerikë prej nga i kishin sjellë deri këtu me det. E tregova edhe këtë fakt të thjeshtë si për të konkretizuar idenë se era e politikës amerikane kish filluar të vinte deri në Fier, madje, dhe në fshatrat përqark, ku disa kurbetlinj të kthyer nga Amerika si Pilo Samarxhiu në Pojan, Çaç Mici nga Grizë Gaodoleshi, Bush Moçi në Radostinë flisnin duke treguar një realitet tjetër.

Me përpjekjet dhe sakrificat e tregtarëve, Fieri u bë shpejt një qytet interesant, sa filluan ta lakmonin edhe biznesmenë nga qytete të tjera; kështu do të nguliteshin në Fier persona me rëndësi si Xhemil Muçoja nga Taragjasi i Vlorës, Nebi Gjata do të vinte nga Kruja dhe do të ndërtonte fabrikë mielli, Shyqeri Çuçi dhe Idris Byloja do të vinin nga Gjirokastra dhe do të bënin atëherë tregtinë e bulmetit.

Ja kështu qe realiteti i Fierit, kur po formohej Jakov Milaj si intelektual në tre dekadat e para të shekullit të kaluar, kur ai do të ndërpriste studimet universitare në Torino, dhe do t’i bashkohej lëvizjes kryengritëse, që po përgatiste “Organizata e fshehtë”, e cila qendrën kryesore do ta kishte në qytetin e Fierit. Jakovi u rrit midis kësaj atmosfere sociale, duke mësuar dhe duke u ndikuar nga ai realitet. Jo më kot disa nga personat e përmendur në fletoren e kujtimeve të tij do të jenë edhe bashkëvuajtës në hetuesi dhe në dhomat e burgimit zogist, siç përmenden bashkëqytetarët Spiro Papa, Dr. Kostandin Kallogjeri, Ramis Omari, Jashar Cakrani, Sotir Bitri e të tjerë.

Pra në personalitetin e Jakov Milajt qenë shkrirë në një kultura e studimeve dhe jeta me vuajtje e bashkëqytetarëve të tij fierakë e myzeqarë. Ai u ishte përkushtuar përpjekjeve, që binin aktivistët kundër regjimit zogist. Por edhe pse me bindje pozitive pro lëvizjes kryengritëse, ai nuk ishte idealizues i saj, por një analizues objektiv i ngjarjeve të atyre ditëve . Në dorëshkrimet e fletores së tij, siç e kemi dëshmuar në këtë meditim, Milja ka dhe vërejtje lidhur me lëvizjen .Kështu, në mes të kryengritësve, ai shikon më shumë një turmë njerëzish të revoltuar, se sa një masë protestuesish të organizuar kundër qeverisë.

Këta të revoltuar nuk kishin ndonjë program të përbashkët politik, për ta mjaftonte të rrëzohej Zogu dhe të zëvendësohej fjala vjen, si komentohej atëherë, me Nuredin bej Vlorën, ose Fuat bej Dibrën… Por ai ndryshim i mundshëm, edhe po të ndodhte, nuk do të sillte ndonjë përmirësim në jetën e popullit të shumë vuajtur.

Vrejtje kritike bën në fletore Jakov Milaj edhe për një pjesë të bejlerëve, që duke qenë në kryesinë e organizatës, synonin, që po të rrëzonin Ahmet Zogun nga froni, të përforconin pozitat për të ruajtur çifliqet e tyre të paprekura. Ndër kaq, Milaj gjen rast të qortojë edhe përfaqësuesit, e ardhur nga grupe ose celula komuniste, që merrnin pjesë dhe vepronin me Kryengritjen e Fierit, të cilët ishin aktivë në lëvizje, po që taktikën e tyre për fitore e lidhnin kryesisht me atentate; praktikë e dështuar kjo, që nuk u kishte dhënë rezultate.

Duke shkruar për të Kryengritjen e Fierit, Jakov Milajt, si një analist, i bie në sy edhe një veçanti e kësaj lëvizje: pjesëmarrja vullnetare e njerëzve të thjeshtë .Edhe pse pa kulturë politike, ata i kishte zgjuar era e re e lirisë qytetare dhe, ashtu, me vetdijë, i qenë bashkuar Kryengritjes. Madje njeri nga ata qe caktuar në patrullat, që ruanin rendin gjatë ditëve që trazuan vendin. Dhe ky person, që, veçanrisht, i pat tërhequr vëmendjen Dr. Jakov Milajt rreth kësaj te lëvizjes qytetare, qe Halim Duçja, një cigan tipik nga mjedisi i arixhinjve të Baltzës afër Fierit; ky shembull flet për përhapjen masive të shpirtit kryengrites deri te shtresa të lëna jashtë vëmendjes sociale të asaj kohe.

Kështu me këtë pohim domethënës po e përmbyll fjalën time rreth fletores në dorëshkrim për Kryengritjen e Fierit të Dr. Jakov Milajt, duke dashur që në kuadrin e 90-vjetorit të saj, ta përkujtojmë atë ngjarje historike në optikën e një pjesëmarrësi, i cili qe edhe vetë i dënuar nga gjyqi i regjimit monarkist.

Boston
Shtator – 2025

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit