Abstrakt
Joachim Vadian, në të vërtetë Joachim von Watt, lindi më 29 nëntor 1484 në St. Gallen, Zvicër, dhe ndërroi jetë më 6 prill 1551. Ai ishte një shkencëtar i shquar, humanist, mjek dhe reformator i kohës së Rilindjes (renesancës). Joachim Vadian ka studiuar në Vjenë dhe ka qenë për një kohë edhe profesor. Në Vjenë, ai jo vetëm që zhvilloi interesin për mjekësinë, por edhe për shkencat humaniste. Universiteti i Vjenës ishte një qendër e rëndësishme për studimet humaniste në kohën e tij (fillim-mes të shekullit XVI), dhe Vadian përfitoi nga ky mjedis. Këto përvoja formuan zhvillimin intelektual të Vadianit dhe kontribuuan në karrierën e tij më vonë si shkencëtar, mjek, humanist dhe reformator.
Si një humanist, Vadian ishte një mbrojtës i arsimit klasik dhe ka kontribuar në shpërndarjen e ideve humaniste në qytetin e tij të lindjes, St. Gallen, Zvicer. Ai u zgjodh kryebashkiak i St. Gallen në vitin 1526 dhe luajti një rol të rëndësishëm në përhapjen e Reformës protestante në këtë rajon. Joachim Vadian gjithashtu ka vepruar si shkrimtar, duke shkruar poezi, vepra historike dhe shkrime mjekësore. Vadian ka lënë një trashëgimi të pazëvendësueshme nga koha e tij. Në kuadër të kësaj trashëgimie kemi edhe veprën e tij të rëndësishme “Epitome trium terrae partium” që flet për gjeografinë biblike, për Evropën Juglindore dhe vendbanimet shqiptare.
Fjalë kyçe:
Marrëdhëniet shqiptare-zvicerane, Epitome trium terrae partium, Joachim Vadian, Gjeografia Biblike, Moesia Superior (Mezia e Epërme), Moesia Inferior (Mezia e Poshtme), Mecedonia (Maqedonia) Epirus (Epiri), Dardania, Iliria, Buthrotum, Acroceraunia (Malet Ceraunike, Mali i Kanalit), Elyma (Vlorë), Apolonia, Dyrrachium (Durrësi) dhe Scardona (Shkodër), Shën Pali dhe përhapja e Krishterimit (Romakëve 15).
Parahyrje
Në fund të shekullit të 15-të, pelegrinët evropianë udhëtonin në vendet e shenjta si Jerusalemi, Roma dhe Santiago de Compostela. Në këto pelegrinazhe morën pjesë edhe qytetarë të begatë nga qytetet gjermane dhe zvicerane, veçanërisht në Tokën e Shenjtë të Jerusalemit. Disa prej këtyre pelegrinëve shkruanin raporte pelegrinazhi që përmendnin edhe Shqipërinë. Ata udhëtuan me anije përgjatë bregdetit shqiptar dhe raportuan për këtë. Një tregim i tillë vjen nga Hans Bernard von Eptingen, një fisnik gjermano-zviceran që udhëtoi në vitin 1460 me anijen e Dukës Otto II von Pfalz-Mosbach.1 Në raportin e tij ai përshkruan përshtypjet e tij gjatë lundrimit përgjatë gjirit të Vlorës, ku tregon për malet, një ujëvarë dhe flakët që digjeshin në maje të një mali.2
Një tjetër pelegrin, Felix Fabri, që po kthehej me anije nga udhëtimi i tij në Tokën e Shenjtë në vitin 1483 përshkruan se si anija nuk ishte në gjendje të vazhdonte lundrimin para Krishtlindjeve për shkak të shkëmbinjve nënujorë në bregdetin shqiptar dhe pse ata nuk ishin në gjendje të shkonin në një port të sigurt në Shqipëri pasi osmanët kishin nën kontroll zonën. Më vonë, kur bashkatdhetari i tij Johanes Schürpf nga Lucerni mbërrinë në Korfuz, duke u kthyer nga pelegrinazhi, ai ishte këshillua të shmangte rrugën e drejtpërdrejtë për në Shqipëri, pasi bregdeti ishte i populluar nga osmanët dhe i rrezikshëm.3
Pas 25 vitesh rezistencë kundër Perandorisë Osmane nën udhëheqjen e heroit të famshëm kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i cili vdiq në vitin 1468, shumë familje shqiptare u larguan në shtetet italiane. Disa prej tyre më vonë u treguan se ishin udhëheqës të talentuar ushtarakë, ushtarë dhe luftuan për Papën dhe republikat e tjera italiane. Gati një shekull më vonë, dy familjet e famshme fisnike shqiptare Bruti dhe Bruni4 hynë në shërbim të luftës kundër Perandorisë Osmane dhe dhanë një kontribut të rëndësishëm edhe si ndërmjetësues.
Nga fundi i shekullit të 16-të, në vitin 1596, Antonio Bruni, një shqiptar, shkroi një traktat mbi “Bejlerbejlikun e Rumelisë”. Antonio ishte një përfaqësues i respektuar i familjes fisnike Bruni dhe kishte njohuri të gjera për Perandorinë Osmane, veçanërisht për territoret evropiane dhe shqiptare. Pikëpamja e tij për perandorinë ishte unike, sepse ai e shikonte atë nga këndvështrimi i një intelektuali shqiptar që kishte doktoruar në drejtësi në vitin 1586.5 Ky raport apo traktat i Antonio Brunit është jashtëzakonisht interesant sepse ndryshon nga raportet e zakonshme të shkruara nga diplomatët dhe udhëtarët perëndimorë për Perandorinë Osmane të kësaj periudhe.6
Në shekullin e 16-të, kardinali Cinzio Aldobrandini dhe rrethi i tij u interesuan për një revoltë të mundshme në Ballkan dhe në viset shqiptare të Perandorisë Osmane. Sekretari i Cinzios, Angelo Ingegrin, ishte informuar se Antonio Bruni kishte njohuri të gjera për këtë temë. Bruni ishte një figurë e rëndësishme, ekspertiza e të cilit për këtë qëllim vlerësohej shumë. Në këtë kohë Brunin e kërkonte edhe Lazaro Soranzo, i cili shkroi librin “L’Ottomanno” në vitin 1596 dhe për librin e tij mori nga Antonioinformacione të ndryshme për zonat e pushtuara të Evropësnga Perandoria Osmane. Dy traktatet e para të Brunit mbi Perandorinë Osmane dhe Rumelinë, të cilat Soranzo dhe Ingegerin i përdorën dhe ia dërguan kardinalit Cinzio, nuk ekzistojnë më. Ka vetëm dy kopje të mëvonshme të tij nga viti 1598.7
Antonio Bruni, në raportin e tij të asaj kohe, theksoi rrezikun e inkurajimit të shqiptarëve të krishterë për t`u ngritur për një rezistencë të pashpresë. Kjo mund të çojë në humbje edhe më të mëdha, pasi shqiptarët tashmë janë në një situatë të vështirë dhe janë nën presionin e shtuar të Perandorisë Osmane. Pa mbështetje nga jashtë do të jetë shumë e vështirë të ruhet qëndresa e tyre, gjykonte ai.8 Kjo përfundimisht mund t’i detyronte ata të pranonin paqen me Perandorinë Osmane në kushte jashtëzakonisht të pafavorshme.9
Bruni ishte i vetëdijshëm për rrezikun që përbënin shpresat joreale që ushqeheshin pa ndihmën e jashtme dhe se, sa të rënda mund të ishin pasojat për shqiptarët e krishterë. Në këtë kontekst ai shkruan: “Unë e di se sunduesit [e krishterë] nuk mund të mashtrohen nëse nuk duan të mashtrohen”.10 Bruni e kishte fjalën për një nga kryengritjet e fundit e nxitur nga premtimet e rreme, e cila kishte një pasojë seriozepër shqiptarët e krishterë.
Vlen të theksohet se traktati i Brunit është shkruar rreth 50 vjet pas botimit të veprës së Vadianit “Epitome”. Prandaj, informacioni i Antonio Brunit mund të jetë një shtesë e vlefshme për rajonet e paraqitura nga Vadian në librin e tij.
Në traktatin e Brunit përshkruhet se Bejlerbejllëku i Rumelisë është i banuar nga popuj të ndryshëm me gjuhë dhe fe të ndryshme. Të krishterët përbëjnë shumicën në krahasim me myslimanët. Për shkak të ndarjes midis të krishterëve ortodoksë dhe katolikë, konkurrencës midis kishave dhe injorancës së shumë prelatëve të krishterë, shumë të krishterë, megjithëse mbajnë emra të krishterë, dinë pak për besimin e tyre. Bruni përshkruan edhe shqiptarët që jetojnë në rajone të ndryshme si Epiri, Dardania, Maqedonia, Iliria e deri në Peloponez në Greqi.11
Duhet theksuar se përsa Vadiani e kalonte kohën në Vjenë, ai kishte qasje në informacione bashkëkohore për Evropën Juglindore dhe shqiptarët në veçanti. Kjo ishte për shkak jo vetëm të interesit politik të Vjenës në atë kohë, por edhe të udhëtimeve dhe kontakteve të shumta të Vadianit me personalitete të ndryshme.
Rreth 10 vjet më parë, Albert Ramaj, bashkdrejtues në Albanisches Institut (Institutin Shqiptar),12 bëri një zbulim interesant se kjo figurë e shquar jo vetëm kishte një ndikim të qëndrueshëm në pamjen e St. Gallenit, por kishte edhe njohje në një nga veprat e tij për rajonet e banuara nga shqiptarë në Evropën Juglindore.
Për këtë arsye, ky studimpërshtatet në kuadrin e kërkimor të Institutit Shqiptar (Albanisches Institut), i cili që në fillim të themelimit ka vënë në fokus të veçantë marrëdhëniet zvicerane-shqiptare.
1. Noel MALCOLM, Rebelët, besimtarët, të mbijetuarit, Studime mbi historinë e shqiptarëve, Prishtinë, 2020, fq. 21, 24, 58 v.
2. Po aty fq. 59.
3. Po aty fq. 68.
4. Noel MALCOLM, Angjentë perandorak, Një familje shqiptare në botën mesdhetare të shekullit gjashtëmbëdhjetë, Tiranë 2016.
5. MALCOLM, Angjentë perandorak, fq. 298.
6. MALCOLM, Rebelët, besimtarët, të mbijetuarit, fq. 97.
7. Noel MALCOLM, Rebelët, besimtarët, të mbijetuarit, fq. 97 v.
8. Po aty, fq. 124
9. Po aty.
10. Po aty, fq. 125.
11. Traktatin e plotë të Antoni0 Brunite gjeni te libri i MALCOLM, Rebelët, besimtarët, të mbijetuarit (engl. Rebels, Believers, Survivors), fq. 97-130.
12. www.albanisches-institut.ch (St. Gallen, 12. 06. 2020)