Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
ZAHIDE SHABAN GECI – JASHARI
(1924 – 7.3.1998)
Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës zë një vend qendror dhe të pazëvendësueshëm në historinë moderne të Kosovës, duke përfaqësuar një nga kulmet më domethënëse dhe më të ngarkuara me dramë në rrugëtimin e saj kombëtar. Ky moment historik mishëron në mënyrë të qartë dhe të fuqishme qëndresën heroike të shqiptarëve të Kosovës, të cilët përballuan me kurajë dhe sakrificë të jashtëzakonshme me një regjim që synonte nënshtrimin total dhe shuarjen e identitetit të tyre kombëtar. Përballë një agresioni të planifikuar dhe të ushtruar me mjetet më brutale, shqiptarët nuk u mjaftuan me heshtje apo përulje, por u ngritën në një luftë të organizuar që kishte për qëllim jo vetëm mbijetesën fizike, por edhe ruajtjen e dinjitetit, të kulturës dhe të të drejtës për të vendosur vetë për fatin e tyre.
Epopeja e UÇK-së është kësisoj një moment kulmor ku idealet e lirisë, drejtësisë dhe pavarësisë u vunë mbi gjithçka tjetër, duke shpalosur një unitet të rrallë dhe një gatishmëri për flijim që e bëjnë këtë periudhë të paharrueshme dhe themelore në kujtesën historike të kombit. Është një kapitull që nuk mund të lexohet vetëm si përballje me armë, por si një dëshmi madhështore e shpirtit të pathyeshëm të një populli që vendosi të marrë fatin në duart e veta, duke paguar çmimin më të lartë për lirinë dhe për të drejtën për të qenë zot në vendin e vet. Për këtë arsye, Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbetet jo vetëm ngjarje historike, por edhe simbol frymëzimi, një monument moral dhe politik që i fton brezat e ardhshëm të kujtojnë me nder dhe të mbrojnë me përkushtim vlerat për të cilat u derdh gjaku i më të mirëve.
Qëndresa heroike e familjes Jashari në Prekaz, në marsin e vitit 1998, përbën një pikë kthese të pakrahasueshme në historinë moderne të Kosovës, një moment kulmor që tejkaloi përmasat e një akti lokal dhe u shndërrua në frymëzim mbarëkombëtar. Ky akt i jashtëzakonshëm rezistence nuk ishte thjesht një episod i dhunshëm në kalendarin tragjik të një populli të shtypur. Ai u bë një thirrje e fuqishme për ndërgjegjësim dhe mobilizim, duke ngjallur një ndjenjë të re uniteti dhe vendosmërie mes shqiptarëve të Kosovës dhe më gjerë. Në një kohë kur terrori shtetëror dhe represioni sistematik serb synonin të thyenin vullnetin e popullit shqiptar dhe të shuanin ëndrrën e tij për liri, kulla e Jasharajve në Prekaz u shndërrua në një fortesë simbolike të shpirtit të pathyeshëm.
Adem Jashari, udhëheqësi karizmatik i kësaj rezistence, bashkë me tërë familjen e tij të madhe, pranoi me vetëdije rrugën e flijimit, duke e vendosur mbi gjithçka dinjitetin dhe amanetin e lirisë. Ata nuk zgjodhën të dorëzoheshin, nuk kërkuan mëshirë dhe nuk bënë kompromis, por qëndruan të bashkuar si një trup i vetëm në mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe të idealeve kombëtare. Sakrifica e tyre, e vulosur me gjakun e burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm, nuk mbeti një ngjarje e izoluar. Përkundrazi, ajo u kthye në një simbol të fuqishëm dhe të përjetshëm të bashkimit, të vendosmërisë dhe të legjitimitetit moral të luftës për çlirim. Ajo nxiti energjitë e një populli të tërë, duke e bërë të qartë se liria nuk do të vinte si dhuratë, por duhej fituar me qëndresë të paepur dhe me sakrifica të mëdha.
Në këtë mënyrë, Epopeja e Prekazit u bë themeli mbi të cilin u ngritën përpjekjet e organizuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u konsolidua projekti politik për shtetësi dhe pavarësi. Ajo mbetet një testament i gjallë i vlerave më të larta të popullit shqiptar — i nderit, i trimërisë, i dashurisë për atdheun dhe i gatishmërisë për të dhënë gjithçka për të drejtën për të jetuar i lirë. Ky moment i shenjtëruar në kujtesën historike të kombit shqiptar nuk përfaqëson vetëm flijimin e jashtëzakonshëm dhe të pakthyeshëm të familjes Jashari, por shpalos në mënyrën më domethënëse përkushtimin e palëkundur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të mbarë popullit shqiptar të Kosovës në rrugëtimin e tyre të vështirë drejt lirisë.
Akti i qëndresës së Jasharajve nuk mund të kuptohet thjesht si një tragjedi familjare apo si një shembull i izoluar heroizmi. Përkundrazi, ai u bë katalizator i një ndërgjegjeje të re kolektive dhe një simbol i pathyeshëm i aspiratës për çlirim. Në rënien e tyre nuk u fashit shpresa, por u ndez një dritë që ndriçoi rrugën e përpjekjeve të mëvonshme për liri dhe pavarësi.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila mishëronte aspiratën e një populli të tërë për të jetuar i lirë dhe i dinjitetshëm, e pa në këtë akt të jashtëzakonshëm një shembull frymëzimi dhe një porosi morale se liria nuk mund të fitohet pa sakrifica sublime dhe pa përkushtim të përbashkët. Çdo luftëtar i UÇK-së dhe çdo qytetar i thjeshtë që mbështeti këtë lëvizje e gjeti veten në atë betim të heshtur që Jasharët bënë me gjakun e tyre- të mos lejohet kurrë më që pushtimi dhe dhuna të diktojnë fatin e një populli. Ky kapitull historik është më shumë se një kujtim i dhimbshëm, ai është themel i vetëdijes sonë kombëtare. Është dëshmi se përballë një regjimi shtypës dhe të pamëshirshëm, nuk u zgjodh rruga e nënshtrimit, por ajo e qëndresës aktive dhe e rezistencës së armatosur. Dhe në këtë akt të përbashkët përkushtimi, ku bashkohen gjaku i dëshmorëve dhe vendosmëria e gjallë e të mbijetuarve, u shënua rruga drejt një të ardhmeje të lirë dhe sovrane për Kosovën.
Gratë trime të familjes Jashari dhe, më gjerë, të gjitha gratë shqiptare nëpër të gjitha periudhat historike, përfaqësojnë një shtyllë të palëkundur të qëndresës dhe të sakrificës kombëtare. Ato nuk ishin thjesht dëshmitare të ngjarjeve të mëdha që përcaktuan fatin e kombit, por pjesëmarrëse aktive, të vetëdijshme dhe të vendosura në të gjitha betejat për liri dhe dinjitet. Në historinë shqiptare, figura e gruas është shfaqur vazhdimisht si mbrojtëse e vatrës, edukatore e brezave dhe luftëtare në kuptimin më të plotë të fjalës. Në kohë të pushtimeve dhe shtypjes së huaj, ato kanë marrë mbi supe barrën e mbijetesës dhe të ruajtjes së identitetit kombëtar, duke u bërë bartëse të gjuhës, traditës dhe historisë, ndërkohë që shpesh kanë përqafuar edhe armën në dorë kur rrethanat e kanë kërkuar.
Në Epopenë e Prekazit, ky rol i grave shqiptare u shfaq në formën më të pastër dhe më të lartë të përkushtimit. Gratë e familjes Jashari, duke qëndruar krah burrave të tyre dhe duke refuzuar të dorëzoheshin, dëshmuan jo vetëm për dashurinë ndaj familjes së tyre, por mbi të gjitha për besnikërinë ndaj idealit të lirisë. Ato nuk pranuan të largoheshin për të shpëtuar jetën, por zgjodhën me vetëdije të ndanin fatin e përbashkët të rezistencës dhe të sakrificës. Ky kontribut i grave në këtë epope nuk mund të matet vetëm me numrin e jetëve të humbura, por me madhështinë e mesazhit që lanë pas se liria nuk mund të ndahet në përgjegjësi burrash apo grash, por është një e drejtë dhe një detyrim i përbashkët. Ato ranë me dinjitet në altarin e lirisë, duke e bërë të qartë se atdheu kërkon dhe meriton përkushtimin dhe gjakun e të gjithëve, pa dallim moshe apo gjinie.
Përmes këtij akti të lavdishëm, ato u bënë jo vetëm heroinat e një beteje të caktuar, por shembuj të përjetshëm të guximit dhe të dinjitetit për të gjitha gjeneratat që do të vijnë. Sakrifica e tyre mbetet një testament i shkruar me gjak në ndërgjegjen kombëtare, një amanet që fton për nderim, kujtesë dhe përkushtim të vazhdueshëm ndaj vlerave më të larta të lirisë dhe të njerëzisë.
Këtë hyrje e bëra kështu me të vetmin qëllim, sepse ndjej detyrimin moral dhe intelektual që të sqaroj metodën dhe synimin e qasjes sime. Në përpjekjen për të përmbledhur dhe ndriçuar jetët dhe veprën e grave dëshmore të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kam ndjekur një renditje alfabetike — një mënyrë e drejtë dhe e barabartë për t’iu dhënë secilës vendin e merituar në kujtesën tonë historike.
Në këtë rend alfabetik, nënë Zahidja doli e fundit, por në ndërgjegjen dhe respektin tonë ajo nuk është e fundit asnjëherë. Pikërisht për të shmangur keqkuptimin që kjo rastësi alfabetike mund të nënkuptojë, zgjodha që në këtë pjesë të veçantë, që i kushtohet Epopesë së Prekazit, të sjell në vëmendje të gjithë të flijuarit — jo vetëm në formë të përgjithshme apo anonime, por me emër dhe mbiemër. Kjo nuk është një formalitet, por një akt nderimi dhe respekti, një mënyrë për të shpërblyer me kujtesë atë që ato ofruan me jetë.
Në vijim, duke u mbështetur te shkrimi i Mehmet Bislimit “Prekazi dhe flakët e lirisë!”, i publikuar më 4 mars 2025 në radiokosovaelire.com, do të bëj prezantimin e plotë të këtyre emrave të shenjtëruar. Ata janë anëtarët e familjes Jashari dhe të familjeve tjera që ranë për të mos vdekur kurrë, duke e shndërruar emrin e tyre në sinonim të lirisë dhe të qëndresës. Para këtyre emrave, nuk mund të mos përkulemi me nderim të thellë. Ata nuk janë vetëm heronjtë tanë kombëtarë, por përfaqësues të atij ideali universal të lirisë që i bashkon të gjithë ata që besojnë në dinjitetin njerëzor dhe të drejtën për të jetuar i lirë. Përballë kësaj sakrifice të pashembullt, çdo njeri liridashës kudo në botë duhet të ndjejë detyrimin moral për t’u përkulur me respekt, duke e pranuar se liria ka një çmim dhe se dikush e paguan me gjak që ajo të bëhet realitet për të gjithë.
Këta janë heronjtë që, me guximin dhe vendosmërinë e tyre, u bënë mburojë e gjallë e atdheut, duke vënë trupin dhe gjakun përpara çdo rreziku që kërcënonte pragun e shtëpisë shqiptare. Në momentet më të errëta dhe më të rënda, ata nuk u tërhoqën, nuk kërkuan mëshirë, por qëndruan të patundur në bindjen e tyre se Kosova meritonte të ishte e lirë, e pavarur dhe sovrane. Prandaj, kur përmendim emrat e tyre, nuk po bëjmë thjesht një akt formal kujtese. Ne po përulemi para një trashëgimie të shenjtë, po e pranojmë me përulësi dhe respekt borxhin që kemi ndaj tyre dhe ndaj idealeve për të cilat ranë.
Ata janë shembulli më i lartë i dashurisë për atdheun, modeli më i pastër i përkushtimit dhe i gatishmërisë për të sakrifikuar gjithçka për lirinë. Këta janë të rënët që mbrojtën Kosovën e shtrenjtë, duke e shndërruar çdo pëllëmbë të saj në një dëshmi të pavdekshme të trimërisë, krenarisë dhe të drejtës për të jetuar të lirë. Kujtimi i tyre mbetet i gjallë në ndërgjegjen tonë kombëtare dhe na fton që përherë të punojmë dhe të jetojmë në mënyrë që gjaku i tyre të mos shkojë kurrë dëm.
- Shaban Murat Jashari (74-vjeçar), babai i Legjendarit
- Zahide Geci – Jashari (74-vjeçare), nëna e Legjendarit
- Zarife Jashari (49) gruaja e Rifatit
- Hidajete Rifat Jashari (18), vajza e Rifatit
- Valdete Rifat Jashari (15), vajza e Rifatit
- Igball Rifat Jashari (13), djali i Rifatit
- Igballe Rifat Jashari (11), vajza e Rifatit
- Hamëz Shaban Jashari (47), strategu i lirisë
- Feride Mecini – Jashari (43), gruaja e Hamëz Jasharit
- Selvete Hamëz Jashari (20), vajza e Hamëz Jasharit
- Afete Hamëz Jashari (17), vajza e Hamëz Jasharit
- Besim Hamëz Jashari (16), djali i Hamëz Jasharit
- Lirie Hamëz Jashari (15), vajza e Hamëz Jasharit
- Blerim Hamëz Jashari (12), djali i Hamëz Jasharit
- Fatime Hamëz Jashari (9), vajza e Hamëz Jasharit
- Blerinë Hamëz Jashari (7), vajza e Hamëz Jasharit
- Adem Shaban Jashari (42), Komandanti Legjendar
- Adile Rama – Jashari (40), gruaja e Adem Jasharit
- Fitim Adem Jashari (17), djali i Adem Jasharit
- Kushtrim Adem Jashari (13), djali i Adem Jasharit
Nga ai tmerr i përgjakshëm dhe i pashoq që përfshiu kullën e Jasharajve, vetëm njëra prej tyre arriti t’u shpëtonte flakëve të vdekjes – Besarta Jashari. Ajo ishte atëherë vetëm një fëmijë njëmbëdhjetëvjeçar, në moshën e pafajësisë dhe të ëndrrave të thjeshta, kur u përball me mizorinë më të madhe që mund të përjetojë një qenie njerëzore.
Fati e la të mbijetonte, jo për ta harruar atë plagë të thellë, por për t’u bërë dëshmitare e gjallë e një prej krimeve më të rënda kundër një familjeje që kishte zgjedhur qëndresën dhe sakrificën në emër të lirisë. Në sytë e saj të njomë u pasqyrua ajo tragjedi e përmasave biblike, muret që shembeshin nga granatat, britmat e familjarëve, tymi mbytës, dhe heshtja e rëndë që mbuloi gjithçka pas shpërthimeve. Besarta nuk mbeti thjesht një vajzë që i shpëtoi aksidentalisht vdekjes, por u shndërrua në simbolin e gjallë të kujtesës sonë kolektive, në dëshminë e pakundërshtueshme të mizorisë që u ushtrua mbi një familje të tërë.
Ajo mbart me vete amanetin e atyre që nuk mundën ta tregojnë vetë historinë e tyre- të kujtojë, të dëshmojë dhe të mos lejojë që ajo që ndodhi të fshihet apo të harrohet. Në mbijetesën e saj të brishtë fshihet një dimension i thellë tragjik dhe njëkohësisht shpresëdhënës që edhe nga rrënojat e dhimbjes më të madhe, mund të mbijë kujtesa, që nuk vdes shpresa, dhe se çdo popull që ka të mbijetuarit e tij nuk do të lejojë të shuhet as historia, as e vërteta.
– Të rënët tjerë, po atë ditë nga lagja Jashari- Prekaz i Poshtëm janë:
Bahtije Jashari, Abdullah Jashari, Blerim Jashari, Bujar Jashari, Qazim Jashari, Nazmi Jashari, Sinan Jashari, Ali Jashari, Beqir Jashari, Halil Jashari, Sherif Jashari, Elheme Jashari, Murtez Jashari, Faik Jashari, Qerim Jashari, Hamit Jashari, Kajtaz Jashari, Hamide Jashari, Shahin Jashari, Sadik Jashari, Hafije Jashari, Hamdi Jashari, Elfije Jashari, Fatime Jashari, Ramiz Jashari, Mihrije Jashari, Sabrije Jashari, Hanife Jashari, Smajl Jashari, Ukshin Jashari, Hajrije Jashari, Ajvaz Jashari, Fatime Bazaj, Smajl Bazaj, Salë Jashari, Sadik Kaçkini, Fatime Gashi, Gazmend Gashi, Makfirete Gashi.
Përkulje të përjetshme familjes Jashari dhe të gjithë Jasharëve tjerë, toka shqiptare i mbanë përjetësisht në gjirin e vet. Numri i të rënëve në Lagjen Jashari- Prekaz i Poshtëm, është 59. Nga ky numër i përgjithshëm, 55 janë nga lagja e Jasharaj, 4 të tjerë kanë qenë mysafir, në mesin e të rënëve në Prekaz të Poshtëm, 35 veta ishin meshkuj dhe 24 femra.
Le të ndalemi për një çast te figura e Nënë Zahides — një grua e madhe, jo vetëm për nga mosha apo vendi që zinte në familje, por për nga madhështia e karakterit dhe roli i saj në historinë e qëndresës shqiptare. Nënë Zahidja nuk ishte thjesht nëna e tre djemve të saj — Ademit, Hamzës dhe Rifatit — por një nënë që i lindi, i rriti dhe i formoi me përkushtim të jashtëzakonshëm për të qenë të denjë dhe të gatshëm t’i dilnin zot atdheut, sidomos në ditët më të vështira të ekzistencës së tij. Në frymën që ajo u dha, fshihej amaneti i përhershëm i dashurisë për vendin dhe gatishmëria për flijim në emër të lirisë.
Zahidja ishte bija e Shaban Gecit nga Llausha e Drenicës, një familje me emër të madh dhe të nderuar në atë trevë. E lindur në vitin 1924, ajo ishte e vetmja motër mes katër vëllezërve — Ramadanit, Sinanit, Sokol dhe Osman Gecit — burrave të njohur për trimëri dhe ndershmëri. Familja Geci njihej në gjithë Drenicën si një ndër familjet më të shquara për besëmbajtje, guxim dhe për rezistencë të palëkundur kundër pushtuesve të huaj. Ishte një familje që nuk u përkul kurrë, duke ruajtur gjithmonë të shenjtëruar nderin dhe fjalën e dhënë.
Babai i saj, Shaban Geci, përshkruhej si burrë bujar dhe trim — një njeri që jo vetëm zotëronte forcën fizike dhe guximin, por edhe madhështinë morale për të ndihmuar dhe për të mbrojtur të tjerët. Në këtë mjedis të pasur me vlera tradicionale dhe atdhetare u formua Zahidja, duke trashëguar e mishëruar vetitë më të mira të trungut të saj.
Në moshën e njomë 17-vjeçare, ajo u martua me Shaban Murat Jasharin, një trim tjetër të njohur të Prekazit, duke lidhur kështu jo vetëm dy familje të mëdha dhe të nderuara, por edhe dy trashëgimi të fuqishme të rezistencës dhe të dinjitetit. Martesa e tyre ishte më shumë se bashkim familjar, ishte një aleancë e idealeve, e burrërisë dhe e vendosmërisë për të mbrojtur atdheun në çdo kohë dhe me çdo çmim. Populli ynë me urtësinë e tij të lashtë thotë: “Dardha bie nën dardhë,” duke nënkuptuar se virtytet dhe karakteri trashëgohen dhe kultivohen me kujdes në trungun familjar. Kështu ndodhi edhe me këtë martesë. Zahidja, bijë e një familjeje të njohur për trimëri, për ndershmëri dhe besë, e kishte të natyrshme të lidhte jetën e saj me një burrë të njëjtë në vlera, një trim të njohur dhe të respektuar të Prekazit, i ditur jo vetëm për guximin, por edhe për urtësinë dhe mendimin e pjekur.
Ky bashkim nuk ishte thjesht një lidhje martesore në kuptimin shoqëror apo juridik. Ishte një aleancë morale dhe shpirtërore, një bashkim i dy trashëgimive të ndritura që bashkonin jo vetëm gjakun dhe pasurinë familjare, por edhe idealet, bindjet dhe amanetet e brezave të mëparshëm. Ata ndërtuan së bashku një familje ku nderi, fjala e dhënë dhe dashuria për atdheun ishin shtyllat mbi të cilat ngrihej çdo ditë e jetës. Në këtë mjedis të përshkuar nga dashuria, respekti dhe përkushtimi i ndërsjellë, nuk kishte si të lindnin ndryshe bijtë dhe bijat e tyre. Ata trashëguan cilësitë më të mira të prindërve të tyre, u formuan si njerëz të dashur e të afërt, por edhe si trima dhe të mençur, të gatshëm të përballen me çdo sfidë që mund të sillte jeta. Ata ishin vazhdimi i natyrshëm i trungut familjar, dëshmia më e fortë se vlerat e vërteta nuk zhduken, por përçohen, kultivohen dhe shndërrohen në udhërrëfyes për brezat që vijnë.
Në këtë mënyrë, martesa e nënë Zahides me Shaban Jasharin nuk ishte vetëm një bashkim i dy individëve, por një themel i fortë mbi të cilin u ndërtua një familje që do të bëhej simbol i rezistencës, i dashurisë për lirinë dhe i sakrificës për atdheun. Zahidja mbeti përherë një figurë qendrore në edukimin dhe formimin e djemve të saj, duke u ngulitur atyre ndjenjën e përgjegjësisë, nderit dhe gatishmërisë për të dhënë jetën në shërbim të lirisë. Në këtë mënyrë, ajo nuk ishte thjesht nëna e tyre biologjike, por nëna e idealeve të tyre, burimi i palodhur i forcës dhe i karakterit që i bëri të njohur dhe të pavdekshëm në historinë e popullit shqiptar.
Nga martesa e tyre e mbushur me mirëkuptim, dashuri dhe harmoni, Shaban dhe Zahide Jashari sollën në jetë plot 14 fëmijë — bij dhe bija që do të ishin vazhdimi i gjakut, i emrit dhe i idealeve të familjes. Mes tyre, u rritën dhe u trashëguan në jetën e tyre të përditshme e në kujtesën e brezave Hava, Rifati, Zyla, Zoja, Hamza, Ademi, Qamilja dhe Halimja. Këta fëmijë nuk ishin vetëm pjesëtarë të një familjeje të madhe, por bartës të një trashëgimie të pasur shpirtërore dhe të një amaneti të pashkruar për atdhedashuri dhe qëndresë. Nënë Zahidja, në këtë familje të madhe, ishte më shumë se një nënë në kuptimin biologjik të fjalës. Ajo ishte qendra morale dhe emocionale, shtylla që mbante të bashkuar gjithë këtë trung familjar. E përkushtuar dhe e palodhur, ajo nuk i kufizonte përgjegjësitë e saj vetëm brenda mureve të shtëpisë. Përveç punëve të shumta të shtëpisë — që në atë kohë dhe në ato kushte ishin të rënda dhe kërkonin mund të jashtëzakonshëm — ajo i qëndronte gjithmonë pranë bashkëshortit të saj, duke e ndihmuar dhe mbështetur në të gjitha punët jashtë shtëpisë, në tokë, në bagëti dhe në gjithçka që kërkonte forca dhe përkushtimi i përditshëm.
E edukuar me virtytet më të larta të gruas shqiptare — ndershmëri, qëndrueshmëri, bujari dhe trimëri e heshtur — nënë Zahidja mishëronte figurën arketipe të gruas malësore, e cila e shihte jetën si shërbim dhe përkujdesje për të tjerët. Ajo ishte një bashkëshorte e dashur dhe e palodhur, shoqe e vërtetë në të gjitha sfidat e jetës, duke ndarë jo vetëm gëzimet por edhe barrën e vështirësive të përditshme me të shoqin. Për fëmijët e saj, ajo ishte më shumë se nënë, ishte mësuese, udhërrëfyese dhe frymëzim. Ajo kultivoi te bijtë dhe bijat dashurinë për familjen, nderin dhe atdheun, duke mbjellë tek ta virtyte që do t’i shoqëronin gjithë jetën. Për nipërit dhe mbesat, ajo ishte shembulli i gjallë i dashurisë dhe i përkujdesjes pa kushte, një figurë e shenjtë që mishëronte vazhdimësinë e traditës dhe unitetin familjar.
Në këtë mënyrë, nënë Zahidja nuk ishte vetëm një nënë e madhe në numër fëmijësh, por një figurë e madhe në zemër dhe shpirt, një model i pashoq i përkushtimit dhe i dashurisë që bëri të mundur që familja Jashari të jetë jo vetëm e njohur, por e pavdekshme në historinë e popullit shqiptar. Së bashku me bashkëshortin e saj, Shabanin, nënë Zahidja ndërtoi një familje të madhe dhe të begatë në njerëz — një familje shumëanëtarëshe që nuk ishte vetëm bashkësi gjaku, por një vatër e vërtetë e edukimit patriotik dhe e ruajtjes së traditës. Ata nuk i shihnin fëmijët e shumtë si një barrë, por si trashëgimtarë të një amaneti të shenjtë, të cilëve duhej t’u përcillnin jo vetëm emrin dhe gjakun, por mbi të gjitha ndjenjën e shenjtë të dashurisë për atdheun.
Në të gjitha aspektet e jetës, nënë Zahidja ishte e pandashme nga burri i saj. Nuk kishte ndarje të vërtetë mes punëve të burrit dhe të gruas në shtëpinë e Jasharajve- të dy bashkë ndanin barrën dhe përgjegjësitë, duke u bërë shembull i harmonisë dhe i unitetit familjar. Ajo ishte krah i djathtë i Shabanit jo vetëm në punët e shtëpisë, por edhe në përkushtimin ndaj popullit të tij. Por përkushtimi më i madh i tyre ishte edukimi i brezit të ri. Ata i mësuan fëmijët e tyre që mbi çdo interes personal të vendosnin dashurinë për atdheun.
Ata e kuptonin se pa këtë ndjenjë të thellë atdhedashurie, çdo familje, sado e madhe apo e fortë, do të ishte e paplotë dhe e brishtë përballë sfidave të kohës. Nënë Zahidja, me butësinë dhe mençurinë e saj të rrallë, kultivoi tek fëmijët jo vetëm virtyte të zakonshme si ndershmëria dhe respekti, por edhe krenarinë për traditën e qëndresës. Që në djep, ajo u këndonte ninulla dhe këngë që nuk ishin thjesht melodi për të qetësuar gjumin, por rrëfime heroizmi. Ato këngë flisnin për trimat e Drenicës që asnjëherë nuk pranuan të përkulen para “bajlozit të zi” — metaforë e pushtuesit mizor.
Ajo u tregonte fëmijëve histori të lavdishme për Shotë e Azem Galicën, për Ahmet Delinë, për Shaban Polluzhën dhe shumë trima të tjerë që me jetën e tyre kishin dëshmuar se Drenica nuk njihte dorëzim. Përmes këtyre rrëfimeve, ajo nuk përçonte vetëm kujtime të së kaluarës, por i nguliste brezit të ri detyrën morale për ta vazhduar atë traditë të shenjtë të qëndresës dhe të lirisë. Në këtë mënyrë, nënë Zahidja ishte jo vetëm një nënë dhe bashkëshorte shembullore, por një edukatore e vërtetë, një trashëguese dhe bartëse e amanetit kombëtar, që e bëri familjen Jashari një prej simboleve më të ndritura të dashurisë për atdheun dhe të sakrificës për liri.
Nënë Zahidja në Prekazin legjendar përjetoi tri rrethimet e kullës së familjes Jashari. Në rrethimin e parë të kullës së Jasharajve, më 30 dhjetor 1991, nënë Zahidja ishte aty — një prani e patundur dhe e domosdoshme — për të qëndruar përkrah bijve të saj, duke u dhënë zemër dhe forcë në një nga ditët më të vështira që kishte parë familja. Ajo nuk ishte vetëm një vëzhguese pasive e dramës që zhvillohej, por një pjesëmarrëse aktive, që me fjalë të ngrohta dhe me një qëndrim të pathyeshëm, ushqente guximin dhe vendosmërinë e të gjithëve që ndodheshin në atë rrethim.
Nënë Zahidja ishte gjithmonë aty ku kërkohej ndihma — qoftë për të qetësuar, për të inkurajuar, apo për të ndihmuar praktikisht në gjithçka që duhej bërë. Ajo nuk njihte as frikë, as hezitim për të marrë pjesë në çdo aspekt të mbrojtjes së familjes dhe të rezistencës. Në momentet kur bijtë e saj, Hamza dhe Ademi, u detyruan të kalonin në jetën ilegale për t’iu shmangur ndjekjeve të pushtuesit dhe për të vazhduar organizimin e rezistencës, Zahidja u bë më e fortë. Ajo u bë mbështetëse dhe ndihmëse e heshtur, duke iu gjendur pranë me çdo mjet që kishte në dorë, duke e kuptuar plotësisht se rruga që ata kishin zgjedhur ishte e drejtë, por plot sakrifica.
Gjithashtu, ajo ishte shtylla e fortë për fëmijët e Rifatit, në kohën kur ky i fundit ndodhej në mërgim, në Gjermani, duke kërkuar me mund e djersë të mbante gjallë familjen dhe të kontribuonte për çështjen kombëtare nga larg. Në ato vite të rënda, kur mungesa e burrit dhe e djemve binte si barrë mbi supet e saj, Zahidja nuk u përkul. Edukata e saj, e lindur në një familje fisnike dhe e rritur në traditën e fortë të Llaushës, i kishte dhënë një forcë të veçantë karakteri. Ajo ishte bijë e një fisi të njohur për dinjitet dhe për besnikëri, bashkëshorte e një burri trim dhe nënë e djemve që kishin vendosur të mos bënin kurrë kompromis me pushtuesin.
Prandaj ajo qëndronte krenare, jo nga mendjemadhësia, por nga vetëdija se po bënte pjesën e saj në një histori shumë më të madhe se jeta e përditshme e një familjeje. Nënë Zahidja e kishte kuptuar qartë dhe herët se ishte pjesëtare e atyre fijeve të historisë më të re të kombit shqiptar që fillonin të thureshin me gjakun, mundin dhe sakrificën e familjes Jashari të Prekazit. Ajo e dinte se po merrte pjesë në ndërtimin e një amaneti të shenjtë për liri dhe dinjitet, një amanet që do të mbetej përjetë në ndërgjegjen e popullit shqiptar.
Nënë e madhe e kombit, nënë Zahidja gëzonte një dashuri dhe respekt të thellë e të merituar nga të gjithë anëtarët e familjes së saj. Ajo nuk ishte vetëm një figurë amësie, por vetë zemra dhe shpirti i shtëpisë, një burim i pashtershëm dashurie, urtësie dhe përkujdesjeje. Bashkëshorti i saj, Shaban Jashari, e çmonte dhe e respektonte pa masë — jo vetëm si nënë të fëmijëve të tij, por si shoqe jete dhe aleate të palodhur në çdo sfidë. Marrëdhënia e tyre ishte një shembull i vërtetë i jetës së përbashkët dhe mirëkuptimi, i ndërtuar mbi respekt të ndërsjellë dhe mbi besimin e palëkundur te njëri-tjetri. Edhe djemtë e saj — Rifati, Hamza dhe Ademi — e kishin nënën e tyre jo thjesht për nënë, por si një zemër që rrihte pandërprerë vetëm për ta. Për ta, ajo ishte siguria dhe përkujdesja, këshilla e urtë dhe forca morale që u qëndronte gjithmonë pranë, edhe kur rrethanat bëheshin të errëta dhe kërcënuese. Zemra e saj nuk njihte dallime, nuk kursente asgjë për të mirën dhe të ardhmen e tyre, dhe ata e dinin se çdo frymëmarrje e saj ishte e mbushur me dashuri dhe sakrificë për ta.
Një dëshmi e qartë e këtij përkushtimi ndodhi më 22 janar të vitit 1998. Ishte ende errësirë dhe nata po tërhiqej ngadalë për t’i lënë vend mëngjesit, kur ata ishin mbledhur për të ngrënë syfyrin. Rreth tryezës së thjeshtë e të ngrohtë familjare ishin nënë Zahidja, bashkëshorti Shabani, i biri Hamza dhe rejat. Ajo ishte një nga ato çaste intime e të shenjta të familjes, të mbushura me lutje dhe heshtje përkushtimi. Por kjo qetësi u shkatërrua mizorisht nga breshëritë e armëve serbe që goditën kullën, duke sjellë terrorin dhe dhunën në pragun e tyre. Edhe në atë moshë të shtyrë, 74 vjeçe, nënë Zahidja nuk u ligështua e as nuk u tërhoq. Ajo nuk ishte nga ato që përkuleshin para frikës. Edhe ndërsa burrat dhe gratë e familjes luftonin të vendosur kundër forcave të policisë serbe, ajo ishte aty, duke u qëndruar pranë, duke u dhënë zemër dhe kurajë. Fjalët e saj ishin të qarta, të forta dhe të mbushura me besim: “Duhet luftuar shkjaun deri sa të çlirohet Kosova.”
Në ato momente dramatike, ajo nuk ishte thjesht nënë e gjyshe, por një figurë frymëzuese dhe prijëse morale. Ajo mishëronte shpirtin e pathyeshëm të një populli që nuk pranonte të nënshtrohej dhe që besonte me gjithë qenien e vet se liria ishte një e drejtë e shenjtë që duhej fituar me çdo çmim. Me qëndrimin e saj, nënë Zahidja na lë pas një shembull të rrallë të vendosmërisë, guximit dhe dashurisë së pamasë për atdheun dhe familjen.
Në ato orë të rënda dhe vendimtare për historinë më të re të Kosovës — më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 — kur Prekazi i Drenicës u shndërrua në skenën e një rezistence të pashoqe dhe të përgjakshme, nënë Zahide Jashari qëndronte aty, krah për krah me familjen e saj, e palëkundur dhe e pathyeshme. Ajo nuk e mendoi as për një çast të largohej apo të ndahej nga djemtë e saj. Përkundrazi, ajo e kuptonte më mirë se kushdo tjetër se vendi i saj ishte mes tyre, duke ndarë me ta të njëjtin fat, të njëjtin ideal dhe të njëjtin betim për liri. Edhe në atë moshë të shtyrë, kur shumë të tjerë do të ishin të ligështuar nga pesha e viteve dhe frika e natyrshme e jetës, nënë Zahidja mbeti e njëjta grua trime dhe e pathyeshme. Ajo nuk ishte aty vetëm si një nënë që prekte duart dhe fytyrat e fëmijëve për t’i qetësuar, por si një mbështetëse aktive, një burim i pashtershëm kuraje dhe force morale. Fjalët e saj ishin të thjeshta, por të rënda si gurët e kullës ku ndodheshin. Ajo ua kujtonte me maturi dhe bindje të gjithë luftëtarëve të familjes se liria nuk dhurohet, por fitohet me gjak dhe sakrificë.
Në ato çaste të errëta kur breshëritë e armëve dhe shpërthimet tronditshin themelet e shtëpisë, ajo i nxiste dhe i përkrahte djemtë, nipat dhe të gjithë ata që kishin marrë armët, duke u thënë se duhej të qëndronin të patundur deri në fishekun e fundit. Ajo e dinte që dorëzimi nuk ishte një mundësi — ishte turp dhe poshtërim për ata që mbanin mbi supe amanetin e një historie të tërë të qëndresës shqiptare kundër pushtimeve dhe robërisë. Një lumturi e heshtur dhe e thellë e mbushte zemrën e saj edhe në ato momente tragjike, sepse pa se vëllai i saj, Osmani, ishte aty me ta, i ardhur enkas për t’i qëndruar pranë motrës, dhëndrit dhe gjithë nipërve e mbesave të tij. Kjo prani nuk ishte vetëm simbolike, por dëshmi e lidhjes së gjakut dhe e unitetit familjar, një shprehje e asaj ndjenje të thellë se në ditët më të vështira, gjaku dhe besa nuk tradhtojnë kurrë.
Kështu, nënë Zahidja në ato tri ditë të marsit të vitit 1998 nuk ishte thjesht dëshmitare e një historie të madhe, por pjesëmarrëse e saj, frymëzuese dhe bashkëluftëtare. Me vendosmërinë, urtësinë dhe guximin e saj, ajo e përforcoi moralin e të gjithëve dhe vulosi njëherë e përgjithmonë figurën e saj si nënë e madhe e rezistencës dhe e lirisë shqiptare. Për tri ditë të gjata dhe të mbushura me ankth e vendosmëri, nënë Zahide Jashari mbeti e ngujuar në Kullën e Qëndresës, duke ndarë çdo çast me të dashurit e saj. Ajo nuk e mendoi kurrë largimin, nuk kërkoi shpëtim për vete, por zgjodhi të qëndronte krah për krah me familjen, e bashkuar me ta në fatin dhe në betimin e përbashkët për të mos lejuar që armiku të shkelte pragun e shtëpisë së tyre.
Nënë Zahidja e njihte mirë natyrën mizore të armikut. E dinte që nuk kishte vend për mëshirë apo për ndalim të dhunës. Shpirti i saj i nënës, i ushqyer me dashuri, por edhe i kalitur në vuajtje e mençuri, e ndiente me një parandjenjë të thellë se po afrohej ora e madhe — ora e lirisë së premtuar, por edhe ora e sakrificës sublime. Në ato çaste, ajo i lutej me gjithë shpirt Zotit, që t’ia ruante familjen, t’i mbronte bijtë dhe bijat, nipërit dhe mbesat, e të mund t’u dhuronte atyre të ardhmen që meritonin. Por dita e tretë e rrethimit, dita e kulmit të heroizmit dhe e tragjedisë, solli me vete goditje të pamëshirshme dhe të pandërprera nga predhat dhe bombat e armikut. Muret e forta të kullës, simbol i qëndresës shqiptare, u lëkundën dhe u shkatërruan nën shpërthime të rënda dhe të përsëritura. Aty ku dikur jehonte fjala e urtë dhe kënga e nënës, tashmë mbretëronin zjarri dhe shkatërrimi.
Në atë stuhi shkatërruese, e rrethuar nga të bijtë, nipërit, mbesat dhe gjithë familja e saj, nënë Zahidja dha frymën e fundit. Ajo ra në altarin e lirisë jo si një viktimë e zakonshme, por si një heroinë e vërtetë, që në moshën 74-vjeçare mbajti gjallë deri në fund idealin e qëndresës dhe të sakrificës. Ajo nuk u largua, nuk u përkul, por e mbylli jetën e saj mes atyre që kishte lindur, rritur dhe edukuar, duke lënë një amanet të shenjtë për brezat që vijnë.
Lavdi përjetë nënës heroinë, nënës Zahide Jashari, për gjithçka që dha për lirinë e Kosovës. Kujtimi i saj do të mbetet i gjallë dhe i shenjtëruar në ndërgjegjen kombëtare si një simbol i dashurisë së pakufishme për familjen, për atdheun dhe për lirinë, e si një shembull i pavdekshëm i forcës së gruas shqiptare në faqet më të lavdishme të historisë sonë.
Literatura:
- https://www.epokaere.com/qendresa-e-grave-te-familjes-jashari-1998/
- Fehmi Ajvazi, Figura e Adem Jasharit, Prishtinë, 2018
- Bardh Hamza & Faik Hoti, Jasharët, Prishtinë 2003
- https://www.radiokosovaelire.com/selvete-hamze-jashari-3-4-1977-5-3-1998/
- Bedri Tahiri, Adem Jashari legjendë e legjendave, Prishtinë 2008
- Ibrahim Çitaku, Drenica 1991-1999, Prishtinë 2004
- Bedri Tahiri, Drenica djep i trimërisë, Prishtinë 2008
- Jakup Krasniqi, Flijimi për lirinë, Prishtinë, 2011
- https://www.radiokosovaelire.com/mehmet-bislimi-prekazi-dhe-flaket-e-lirise/
- https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10159996081794104&id=133307854103&set=a.10153478970579104
- https://www.radiokosovaelire.com/zahide-shaban-geci-jashari-1924-7-3-1998/
- https://www.facebook.com/100064316756685/posts/zahide-jashari-n%C3%ABna-e-t%C3%AB-gjith%C3%AB-shqiptar%C3%ABve/995353995951816/
- https://www.syri.net/kosova/797366/zbulohet-shtatorja-e-zahide-jasharit-nenes-se-heronjve-adem-e-hamez-jashari-simbol-i-dashurise-dhe-lirise-ne-skenderaj/
- https://www.facebook.com/FaleminderitZotQeJamShqiptar/photos/zahide-jashari-nena-e-adem-jasharit-faliminderit-qe-na-dhurove-djem-trima-y/348567328579040/?locale=sq_AL
- https://www.kosovarja-ks.com/tag/zahide-jashari/
- https://www.visarkryeziu.com/product-page/zahide-jashari-n%C3%ABna-zahide
- https://gazetademos.com/nena-zahide-jashari/
(Vijon)