E KALUARA E NDRITSHME E PËRJETËSUAR POETIKISHT

0

Timo Mërkuri - Sarandë Timo Mërkuri

(Rreth romanit të Anton Nikë Berishës “Bimorja”, botimi i dytë i përpunuar)

Në romanin e Anton Nikë Berishës “Bimorja” Pjetër Bogdani nuk vjen thjesht si një figurë historike, por si një trupëzim drite, një shpirt që bart në vete klithmën e një kombi të përndjekur dhe mallin e një atdheu që ende nuk ka lindur plotësisht. Ai rrëmon në thellësinë e dheut të vet për të gjetur jo vetëm rrënjët, por edhe rrugët e shpëtimit. Nga faqet e romanit, Bogdani ngrihet si një kryemurg i gjuhës, i fesë dhe i kombit, një figurë e ndritshme që flakëron në terrin e shekullit XVII.

Kohë e përflakur është ajo e Bogdanit: Perandoria Osmane në grahmat e saj, dhuna e sistematizuar mbi trojet shqiptare, një shoqëri që lëngon nën barrën e varfërisë, analfabetizmit dhe konvertimeve të dhunshme. Në këtë sfond të errët, Bogdani është drita që guxon të ndeshet me perandorinë, jo me heshta, por me pendë. Ai e përshkruan Perandorinë si një “i sëmurë i Bosforit” që përhap mjerim, ndërsa shqiptarët si njerëz që i përballojnë këto plagë me krenari dhe qëndresë – si rrënjë, bimësi që ngrihen mbi gërmadha.

Romani, i ndërtuar me një gjuhë që përzihet ndërmjet epikës së moçme dhe thurjeve të poetikës moderne, i jep zë shpirtit të Bogdanit përmes letrave, kujtimeve dhe përfytyrimeve. Ai shfaqet njëherazi si bari shpirtëror dhe prijës popullor; një ndërmjetës ndërmjet tokës dhe qiellit, që e kupton se kombi s’mund të shpëtohet vetëm nga qielli. E ndjen thellë përgjegjësinë ndaj njerëzve të gjakut të vet, dhe kështu përgatit një kryengritje, kërkon ndihmë ndërkombëtare, thur plane ushtarake dhe ruan besimin në fjalën e dhënë: “Kur shqiptari jep besën, atëherë mëdyshje s’ka; vetëm vdekja mund t’ia thyejë”.

Në romanin “Bimorja” Anton Nikë Berisha e vesh Bogdanin me tis legjendar. Ai është një figurë që kalon kufijtë e historisë dhe shndërrohet në simbol të qëndresës. Edhe pas vdekjes, ai nuk gjen qetësi, trupi i tij kërkohet nga Porta e Lartë, ndërsa hija e tij ndjek nëpër net sadriazemin osman, duke i pëshpëritur në gjuhën amtare kujtimin e mëkatit dhe peshën e tradhtisë. Është Bogdani që e zgjon ndërgjegjen e fjetur, që flet në emër të një populli të përbuzur, por të papërkulur, një murg që kurrë nuk heshti, një shkrimtar që e shkroi shpirtin në gjuhën e vet.

Përmes një strukture të ngjeshur dhe një stili të ngjizur me figura të fuqishme poetike, “Bimorja” nuk është vetëm roman për një njeri, ai është elegji për një epokë, një himn për gjuhën dhe një testament për të ardhmen. Në këtë rrëfim të ndërthurur mes mitit dhe realitetit, Pjetër Bogdani është më shumë se një hero, ai është vetë gjaku që qarkullon në trungun e kombit shqiptar. Ka njerëz që nuk ikin kurrë, sepse nuk kanë jetuar vetëm për veten. Ata marrin frymë nëpër gjuhën dhe gjurmët që lanë pas.

I-Subjekti dhe personazhet në “Bimorja” – ndërmjet kujtesës, veprimit dhe hijes së pavdekshme

Në romanin Bimorja Anton Nikë Berisha thur një rrëfim që shtrihet në kufirin mes historisë dhe mitit, mes jetës dhe vdekjes, ku qenia njerëzore e vendosur përballë dhunës së Perandorisë Osmane merr përmasat e një qëndrese epike. Subjekti ngrihet mbi gjurmimin e një kufome, të arqipeshkvit, Pjetër Bogdanit, një trup i fshehur që tmerron Portën e Lartë, sepse nuk është thjesht një trup, por është një shpirt që s’ka pranuar të shkojë në qiell pa u përfunduar më parë misioni në tokë.

Varrimi i tij, i padukshëm,  pazhurmshëm dhe i pabashkëngjitur me ceremoni, është gur shqetësimi për Sulltanin dhe Sadriazemin, sepse aty është një kryengritje, një thirrje lirie, një popull. Pra, Porta ngarkon njerëzit e saj të zbulojnë vendvarrimin, por sa më shumë kërkojnë, aq më e thellë bëhet misteri. Rrëfimi ndjek dy fusha të mëdha që përballen, njërin të zaptuar nga frika e humbjes dhe të tjetrit të ndriçuar nga drita e qëndresës.

  1. Kampi i dritës, Pjetër Bogdani dhe pasuesit e tij

Në zemër të kësaj fushe qëndron Pjetër Bogdani, “bari i përshpirtshëm” dhe njëherazi strateg i lirisë. Ai është më shumë se një njeri, është një kryq i ngritur në ballë të kombit dhe një pendë që derdh gjakun në faqet e letërsisë shqipe. Në letrat e tij, ai rrëfen me dhembje dhe përkushtim fatin e shqiptarëve: “Nuk heqin dorë nga gjuha e tyre, që e çmojnë të shenjtë. Nuk heqin dorë as nga përkatësia kombëtare e fetare; ruajnë me këmbëngulësi doket dhe zakonet e lashta…”.

Pranë tij qëndrojnë priftërinj si don Drenekurti, zëra të heshtur që ruajnë kujtesën, librat, letrat, besën, njësoj siç mbrohen rrënjët e një bime të lashtë nga era që kërkon t’i shkulë. Edhe figura si Lukë Marini, “i përshpirtshmi” që sillet në hijet e kishave, e që fillimisht i shërben kadiut, preket nga drita e Bogdanit dhe ndien se ky “qiri i ndezur për njeriun tonë” mund ta ndryshojë edhe vetëdijen e tij.

2. Kampi i errësirës – Porta e Lartë dhe hijet e saj

Në skajin tjetër qëndron fusha e errësirës; Kopryly Fayil Ahmet Pasha, sadriazemi shqiptar me shpirt të humbur, që e sheh veten si pjesë të fuqisë, por që brenda tij flet një zë i thellë, i përgjumur, po ende gjallë. Ai përndiqet nëpër net nga hija e Bogdanit që i flet në gjuhën e nënës: “O i mjerë, që gjaku t’u ka bërë ujë, po të flas në gjuhën, me të cilën të ka kënduar me aq dashuri nëna jote në djep!”

Ai është i ndarë mes detyrës dhe prejardhjes. Hije të tjera si Kadiu Abdul Hikmeti dhe zyrtarët e tjerë, bredhin nëpër dosje, letra, urdhra dhe harta, por kurrë nuk prekin thelbin, sepse po kërkojnë kufomën e një trupi, ndërsa ajo që i tremb vërtet është gjallimi i një fryme, i frymës së lirisë.

Në këtë përplasje të gjatë, Anton Nikë Berisha nuk shkruan thjesht një histori për të kaluarën, por ndërton një poemë për fatin shqiptar. Bimorja është një rrëfim për gjurmimin e një varri, i cili është bërë bimë, është ngjizur me tokën dhe ka shndërruar vetëdijen në rrënjë të pashkulshme.

Në fund, të dy veprimet mbesin: njëri në heshtjen e dosjeve që nuk flasin më, e tjetri në frymën që endet ndër male, ndër libra, ndër gjuhë, ndër breza. Dhe në mes qëndron ai, Pjetër Bogdani,  i gjallë në vdekje, i rrënjosur si bimë që nuk thahet.

II-Risitë e romanit “Bimorja”: Kur historia shndërrohet në shpirt dhe kujtesa bëhet bimë.

Në një kohë ku shpejtësia e harresës është më e madhe se ajo e mendimit, Bimorja e Anton Nikë Berishës vjen si një vepër që nuk ecën në udhët e modës letrare, por rritet në heshtje si një bimë me rrënjë të thella, që ushqehet nga kujtesa kolektive, nga dhimbja e trashëguar, nga fjala që nuk vdes. Risia e saj nuk qëndron në një risi teknike apo thjesht strukturore – ajo vjen nga fryma, nga qasja shpirtërore që kjo vepër i jep historisë dhe identitetit shqiptar.

  1. Historia e rikthyer si rrëfim poetik

Risia e parë është mënyra si Berisha e kthen historinë – këtë materie të rëndë, shpesh të ftohtë – në një rrëfim me vlerë poetike, ku edhe arkivat marrin frymë, edhe dosjet psherëtijnë, edhe hijet ngjiten nëpër netët e njerëzve. Ai e kthen një ngjarje historike – vdekjen dhe fshehjen e varrit të Pjetër Bogdanit – në një dramë metafizike, ku kërkimi i kufomës shndërrohet në kërkim të kuptimit, të shpirtit, të të vërtetës. Kryepersonazhi i këtij romani është i vetmi në letërsisë tonë dhe më gjerë, që fizikisht është i vdekur.

“Emri i tij ishte gjetur në librin e të vdekurve të spitalit të Prishtinës. Çdo gjë tjetër e kishte gëlltitur Toka…”.

Ky nuk është thjesht fakt, por mallkim, zbrazëti, metaforë për një komb që e fsheh të gjallin nëpër varre dhe i kërkon shenjat më pas, nëpër letra, pluhur, gjurmë, rrënjë.

  1. Te “Bimorja” shfaqet shkrirja e zhanreve; roman, poemë, testament, duke sjellë risinë e gjuhës dhe të shprehurit; një prozë që përkundet si psalm, që përzihet me ligjërimin rrëfimtar, dokumentar, mistik e filozofik. Ajo nuk ndjek një linearitet tradicional, por ndërton vetveten si një lëndinë me shtegtime shpirtërore. Bimorja është roman, por është diçka më shumë; ajo është poemë në prozë, është testament kombëtar, është këngë zie dhe lavdie me të njëjtën frymë.
  2. Këtu heroi vjen si një zë kolektiv dhe kujtesë e gjallë. Në kohën tonë të individit të zbrazët dhe heroit të sajuar nga mediat, Pjetër Bogdani rikthehet si një figurë që nuk e shteron dot as historia, as letërsia. Ai nuk është vetëm një njeri i kohës së vet, por një flamur i asaj që nuk vdes: kultura, gjuha, besimi, atdhedashuria. Risia qëndron në këtë përmasim të ri që i jepet heroit, ai nuk është thjesht një prijës shpirtëror, por një rrënjë që ndriçon edhe kur ndodhet nën dhe. Dhe ky portret, kjo masë është shprehur poetikisht në roman, gjë që shfaq talentin e autorit dhe ndërlidhjen me njohjen e historisë dhe të teologjisë. “Në luftë për atdheun ata nuk kursejnë asgjë. I njoh mirëfilli këta njerëz… edhe sot janë të gatshëm të bëhen therorë për të mirën e atdheut dhe lirimin e tij.”
  3. Një tjetër risi e fuqishme është metafora e vdekjes, që nuk shfaqet si një fund, por si nisje. Romani “ Bimorja” na flet për një trup të vdekur që mbahet i fshehtë, por që pikërisht për këtë bëhet më i pranishëm, më i rëndë, më i frikshëm për pushtuesit. Kjo është një mënyrë e re e të konceptuarit të martirizimit në letërsinë shqipe: jo si mbyllje, por si dritare e hapur, si farë që pret të mbijë. “Ai ka qenë njeri me zë të madh në atë krah dhe rrënjët e veprimit të tij nuk shuhen lehtë…”

Romani nuk vjen për të tronditur me shfaqjen e jashtme, ajo flet me thellësinë e saj. Në kohën e sotme të klithmave, ajo zgjedh urtësinë. Në epokën e  harrimeve të mëdha, ajo ndalet dhe kujton. Është një roman që i flet shpirtrave të kohës sonë përmes një gjuhe që nuk vdes, përmes një heroizmi që nuk thërret, por ngjizet si bimë që përkundet në tokën e plagosur dhe, prapëseprapë lind.

Kjo është risia më e madhe: një roman që nuk shpreh vetëm çfarë ndodhi, por si duhet ta ndjejmë atë që na ndodhi, dhe si duhet ta ruajmë që të mos na ndodhë më.

III- Në romanin Bimorja të Anton Nikë Berishës përmendet vepra themelore e Pjetër Bogdanit, “Çeta e profetëve” (Cuneus Prophetarum botuar më 1685), që cilësohet si themeli i prozës së vjetër shqiptare bashkë me paraardhësit e tij, Buzkun E budin, dhe përmendja e saj në roman shërben për të ndriçuar rolin e Bogdanit jo vetëm si klerik dhe prijës popullor, por edhe si ndër themeltarët e letërsisë së shkruar shqipe. Në roman thuhet: “Ky njeri, përveç se ishte udhëheqës shpirtëror, kishte shkruar edhe një libër të rrallë për kohën, në një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme për malësorët, për ta bërë Zotin të afërt dhe fjalën e shenjtë të kuptueshme për popullin e vet…”.

Ky pasazh është një referencë e qartë për “Çetën e profetëve”, dhe tregon se Anton Nikë Berisha ka pasur për qëllim të theksojë rolet e shumëfishta të Bogdanit: si shpirtëror, atdhetar, por edhe si krijues i gjuhës shqipe të kultivuar, i cili e ngriti fjalën në nivel të shenjtë, në shërbim të kombit.

Ky fakt që përmendje nuk është i rastësishëm, ai ndihmon në ndërtimin e një portreti të plotë të Bogdanit, i cili në roman paraqitet jo thjesht si figurë historike, por si bimë që lëshon rrënjë në të gjitha shtresat e shpirtit shqiptar: në gjuhë, në besim, në letërsi dhe në kujtesë.

Anton Nikë Berisha, përmes Pjetër Bogdanit, nuk e sjell vetëm figurën e një arqipeshkvi të urtë e kryengritës, por rikujton dhe rithemelon një prej gurëve të paktë e të çmuar të themelit të shqipes së shkruar. Ai nuk e ndan gjuhën nga qëndresa, e as besimin nga letërsia. Kjo është njëra nga risitë domethënëse të romanit: ai e shpalos Bogdanin si njërin nga prindërit e gjuhës shqipe, që me “Çetën e Profetëve” hodhi themelet të një shqipeje të ndriçuar, të pasur, të qartë – një gjuhë që sot na mban gjallë si komb.

Në një kohë kur kujtesa jonë për portrete të tilla historike po tretet dhe rrënjët shpesh zbehen nën hijen e harresës, Bimorja vjen si libër i kujtimit dhe i trashëgimisë dhe i nderimit të gjuhës shqipe, që nga goja e Bogdanit nuk doli vetëm si predikim, por si shpëtim dhe atdhe dashuri. Kjo rikujtesë, në vetvete, është një dëshmi shpirtërore dhe kulturore për leximtarin e sotëm, që në figurën e Bogdanit gjen një fakt se fjala shqipe i ka pasur priftërinjtë e saj që e kanë mbrojtur me jetën dhe e kanë bekuar me veprën.

IV- ”Bimorja”  na shfaqet si një epikë e rrënjëve dhe dritës në errësirën e Perandorisë. Në këtë roman, Anton Nikë Berisha, një njohës i thellë i historisë dhe shpirtit shqiptar, e ndërton veprën e tij jo si një rrëfim të thjeshtë ngjarjesh, por si një poemë të gjatë dhe të dhimbshme për qëndresën, për nderin, për fjalën e patharë në gjuhën amtare dhe për kujtesën që nuk dorëzohet. Vlerat e këtij romani nuk qëndrojnë në temën që trajton, por në mënyrën si ai e thur dhe e shpreh historinë me poezi, filozofinë me dhembje, dhe gjuhën me shpirt.

  1. Vlera artistike është fjala që rritet si bimë mbi dhé të djegur, pse Berisha e shkruan Bimoren me një gjuhë të ngjeshur, të dendur, që nuk rrëshqet lehtë, por duhet ta mbash si një emër të dashur mbi gjuhë për ta ndier peshën dhe aromën e saj. Figura si Bogdani, pashai osman, kadiu, Sadriazemi, Lukë Marini, janë jo thjesht personazhe, por shtresa të mendimit dhe kujtesës. Aty nuk ka bardhësi absolute e as zi të kulluar, por një dritë që vjen nga rrënjët dhe një errësirë që rrjedh nga padija, pushteti dhe frika.

Pjetër Bogdani është portretizuar përmes një gjuhe që e ngre mbi tokën e zakonshme, por pa e larguar nga njerëzit e tij. Ai është i përshpirtshëm dhe i heshtur, por njëkohësisht i zhurmshëm në kujtesë, saqë edhe i vdekur, trupi i tij tund themelet e Portës së Lartë: “Trupi i tij do t’u qitet qenve te Sheshi i tregut… sepse nga trupi i tij nuk u shkëput shpirti…”.

Ky është një nga kulmet e artistikes: kur shpirti i heroit mbetet në tokë për të vazhduar betejën, për të qenë me popullin e vet, për të mos u ngritur në qiej pa parë lirinë.

  1. Vlera historike është më së pari kujtesa që përgjon prapa çdo fjale, pse romani “Bimorja” nuk është vetëm letërsi, ajo është dëshmi historike e bërë art. Proza ngre një pasqyrë të thellë të shekullit XVII, ku perandoria osmane, me burokracinë e saj të sëmurë dhe dhunën e përditshme, përpiqet të mbysë çdo shkëndijë ndriçimi në viset shqiptare. Letra që Bogdani i dërgon Papës dhe Perandorit të Austrisë janë letra historike të vërteta, të dokumentuara, të cilat autori i ka qepur në rrëfim me një mjeshtëri të rrallë: “Jam i gatshëm të ngre në luftë prej 6000 deri në 8000 vetë, burra të paepur… dhe një pjesë e mirë janë shqiptarë të besimit islam. E kur shqiptari jep besën, mëdyshje nuk ka…”.

Kjo është histori shqiptare që flet shqip, që flet me gjakun dhe besën e popullit, kjo është një portret i vetë popullit shqiptar që qëndron përballë pushtuesit turk dhe islamizmit që ai sjell, për të qëndruar të lidhur me Evropën dhe krishterimin. Duket sikur thotë: Ne jemi Evropë, nuk bëhemi Azi.

  1. Vlera filozofike që shfaq romani duket kur njeriu bëhet rrënjë dhe fjala bimë. Në thelbin e veprës qëndron një filozofi e thellë: çfarë ndodh me njeriun kur vdes, por nuk vdes shpirti i tij? Çfarë ndodh me një komb kur i fshihet varri i kujtesës? A mund të shuhet drita që është rrënjosur thellë në shpirtin e njerëzve? Pashai i Sulltanit, sadriazemi Kopryly, është përfytyrimi i një qenieje që s’ka më as atdhe, as gjuhë, as kujtesë. Ai përndiqet në gjumë nga hija e Bogdanit, që i flet në gjuhën që ai e ka harruar: “Po të flas në gjuhën me të cilën të ka kënduar nëna në djep…”

Ky është momenti më filozofik i romanit, fjala e nënës, fjala shqipe, si zgjim i ndërgjegjes së fjetur, si thirrje për dalje nga errësira.

  1. Antiteza e romanit: Bogdani i dritës kundër Pashait të verbërisë, pse në zemër të romanit gjendet antiteza e madhe: Bogdani dhe Pashai. Bogdani është shkrues i fjalës që shëron, pashai është shkresaxhi i urdhrave që vrasin. Bogdani kërkon lirinë dhe i flet Perëndisë, pashai kërkon varrin dhe i flet frikës. Edhe i vdekur, Bogdani shndrit si yll mbi viset shqiptare; ndërsa pashai, edhe i gjallë, është një hije që tretet në oborret e Portës. Në përballjen e tyre, e vdekura fiton mbi të gjallin, sepse është një e vdekur që nuk u nënshtrua.

5.Portreti kolektiv paraqet malësorët dhe ushtarët osmanë, por me ngjyra të ndryshme. Malësorët janë gjaku që nxit Bogdanin. Ata janë të heshtur, por me zemra që vlojnë si vullkane. Ata nuk kanë as letra, as fjalime, por kanë besën, pushkën dhe këngën. Ata janë të rrallë në faqe, por të gjithë pranishëm në frymë, në betejë, në mal, në lartësi.

Përballë tyre qëndrojnë ushtarët osmanë, figura pa emra, pa rrënjë, që ndjekin urdhrin dhe jo ndërgjegjen. Ata janë pjesë e një trupi të verbër, që frikësohet nga hija e një kufome dhe që trembet nga fjala që nuk mund ta kuptojë.

Bimorja është një ndërtim me gurë të rrallë: gjuha, kujtesa, qëndresa dhe drita e shpirtit shqiptar; një roman ku e shkuara nuk është vetëm histori, por një pasqyrë që na flet edhe sot, edhe nesër, për atë çfarë duhet të jemi, dhe për atë çfarë s’duhet kurrë të harrojmë. Bogdani është i vdekur, por ai mbin si bimë në çdo cep të tokës shqiptare ku fjala e tij është ruajtur. Ka të vdekur që nuk vdesin kurrë, dhe të gjallë që nuk jetojnë asnjëherë.

V-Romani “Bimorja” është një vepër moderne me frymë thellësisht introspektive dhe të përshpirtshme, e cili i qaset qartë rrymës moderniste të romanit eseistik dhe simbolik, duke u ushqyer njëkohësisht nga rrënjët e prozës meditative dhe të kujtesës kolektive. Ai nuk ndjek format klasike të rrëfimit realist, por zgjedh udhë të shpirtit, të ndërgjegjes, të simbolit dhe të fjalës që bart kuptimin përtej të dukshmes.

  1. Romani i përket rrymës moderniste, sepse shkon përtej linjës së zakonshme narrative; nuk i qëndron besnik një ngjarjeje të vetme, por shfaq një strukturë të ndërlikuar që ndërlidhet më shumë me mënyrën si ndërtohet mendimi, kujtesa, frika dhe përsiatja sesa me veprimi i jashtëm. Struktura është cirkulare, shpesh fragmentare, me kthime të brendshme, dhe mendimi filozofik mbizotëron mbi ngjarjen. P. sh., përshkrimet e natës së Sadriazemit, ku hija e Bogdanit i shfaqet në ëndërr dhe i flet me gjuhën e nënës, nuk janë vetëm ngjarje, ato janë gjendje shpirtërore, ndërgjegje e përndjekur: “O i mjerë, që gjaku t’u ka bërë ujë… Mos të është shuar çdo gjë dhe nuk e ndien më atdheun tënd?”

Ky zë nuk është zë i narracionit të zakonshëm, por një zë i ndërgjegjes historike, një ndërthurje e realitetit me metafizikën e shprehur përmes artit të pasur. Qëllimi kryesor i autorit të këtij romani është që gjuha me të cilën rrëfehet të jetë sa më poetike dhe teksti që e krijon të jetë sa më poetik dhe kuptimisht sa më i pasur dhe më shumësor, si dëshmohet në këtë pjesë të tekstit:

Buzëlythi, i cili kishte gropuar paksa dhe madje një pjesë të dheut e kishte hedhur anash, e pa me kureshtje dhe me frikë Vetullprerin e stepur në bishtin e kacisë. Një nur i hirtë ia kishte mbuluar fytyrën; i kishin rënë vetullat deri poshtë dhe i ishte ngrysur pamja thuajse ndonjë re e vrugët i ishte ngjitur për fytyrë. Gjithë atë që Buzëlythi e vërejti te Vetullpreri, e arsyetoi: puna që bënin ua gërmonte shpirtin me kazmën e ferrit. Ata njëmend gërmonin në varrin e panjohur, po a nuk gërmonin njëherit në kobin dhe në fatkeqësinë e tyre? Në qoftë se vdekatari është shndërruar në lugat, atëherë së pari do të sulet mbi këta që ia prishin qetësinë, e trazonin. Kur njeriu vdes asgjë nuk është e tij, pos ajo pjesë e tokës. Po qe se në këtë varr, njëmend, rri ndonjë lugat, çfarë e keqe do t’i gjejë? Ndoshta nga ai do të shpërthejë shkumë e verdhë verbuese që t’i mbështjellë si shtjella e vdekjes?

Ndoshta do të shqirret me zë të tillë gërvallës sa do t’ua shqyejë timpanet e veshëve? Mund të ndodhë që në shenjë hakmarrjeje t’i kafshojë me dhëmbët që i janë zgjatur nga pluhuri, nga balta dhe nga terri i nëntokës ose do t’ua ngulë thonjtë e stërzgjatur nga amshtimi e kjasina e dheut? E keqja e lugatit nuk do të marrë fund me kaq; mbasi të kryejë punën me varrmihësit, do të kaptojë varrezat dhe do të mësyjë shtëpitë e tyre. Do të presë të bëhet natë, pastaj do të fluturojë dhe do t’u fryjë njerëzve me dufin e lugatit dhe ata frik do të shndërrohen në qenie të botës së nëndheshme, që për ushqim do t’i kenë rrënjët dhe thëngjillin, ndërsa etjen do ta shuajnë me djersën dhe me lotët e tyre! Vërtet çka do të ndodhte me ta? Në ç’mënyrë do t’i sulmonte lugati nga varri që po e hapnin?

  1. Rryma tjetër moderniste që përshkon romanin është ajo simboliste, ku çdo element merr ngarkesë të shumëfishtë kuptimore. Vetë titulli “Bimorja” është një metaforë: Bogdani nuk është thjesht një kufomë, por një bimë që mbin nën tokë dhe çel kujtesën e popullit të vet. Është një shenjë që nuk vdes, një rrënjë që nuk thahet. Kërkimi i trupit të Bogdanit nuk është thjesht një urdhër burokratik, por një udhëtim i frikshëm i Perandorisë drejt vetëzbulimit të shkatërrimit të saj.

Simboli i hijes, i trupit të zhdukur, i zërit të përtejbotshëm, janë elemente që e afrojnë veprën me modernizmin e autorëve si Kafka, Joyce apo Faulkner, ku realja nuk është kurrë e vetme, dhe rrëfimi është rrafsh më shumë shpirtëror sesa kronikal.

  1. Bimorja është pjesë e modernizmit të identitetit dhe të gjuhës, një rrymë që e sheh njeriun si qenie të ndërlikuar historikisht e shpirtërisht, të lidhur pazgjidhshmërisht me gjuhën e tij, me rrënjët e tij. Figura e Bogdanit është shkrirje e arqipeshkvit, atdhetarit, filozofit, dhe autorit të gjuhës, një hero i paemër i shpirtit kolektiv shqiptar. Në këtë aspekt, romani ndjek gjurmët e modernizmit që e sheh letërsinë si mjet për të rindërtuar kujtesën dhe për të rikthyer zërin e humbur të një kombi.

Kjo vepër, në thelb, është një sublimim i përndritur nga rrënjët, ku përmes figurës së një të vdekuri që nuk vdes, lexohet historia, filozofia dhe letërsia e një kombi i cili, për të mbijetuar, ka mësuar të jetojë edhe duke kujtuar.

VI- Në një kohë kur fjalët rëndojnë si gurë mbi vetëdijen kombëtare, kur zërat e përvuajtur të historisë po shuhen në harresë, romani Bimorja i Anton Nikë Berishës vjen si zë i ngjizur nga rrënjët, si një mallkim i ëmbël ndaj heshtjes sonë kolektive. Ky roman nuk e rikthen Pjetër Bogdanin vetëm për të nderuar një figurë, por për të na rikujtuar vetveten në një kohë që kemi harruar kush jemi.

  1. Rikthimi i Bogdanit në letrat tona nuk është një gjest përkujtimor, por një shkundje e thellë ndaj fjetjes sonë shpirtërore. Ai rikthehet si një frymë e tokës që nuk është pajtuar me harresën. Në një epokë ku jeta politike dhe kulturore ndonjëherë është shndërruar në një pasqyrë pa thellësi, figura e Bogdanit ngrihet si një shtyllë e ndërgjegjes së mirëfilltë.

Ai nuk thërret me fjalë të mëdha, por me një zë të qartë, që buron nga dheu, nga besa, nga gjuha. Tek ne vjen si një profet i heshtur që nuk predikon, por jeton brenda çdo fjale që e kemi harruar. “Ai kishte mbetur i pazbuluar, i pastër, i palëvizur… si një farë që pret tokën e duhur për të mbirë”.

2.Në vendin tonë ku pemët në tokë, por dhe vetë toka,  ka nevojë për rrënjë të thella. Shqipëria, Kosova dhe trojet tona të tjera janë truall i plagosur nga harresa dhe nga përçarja, por edhe vend i bekuar nga shpirtra të mëdhenj.

Berisha e sjell Bogdanin si një farë të gjallë që duhet të mbillet në çdo cep të atdheut, për të mos harruar se gjuha jonë, feja jonë, liria jonë kanë pasur themelues, martirë, njerëz që u dogjën për dritën që na lanë. Nëpër faqet e romanit, populli ynë përshkruhet si një bimë që është përpjekur të shkulet, por nuk është shuar, sepse rrënjët e tij janë thellë, atje ku fjala e Bogdanit është ngulitur si kryq i pathyeshëm.

  1. Populli që Berisha përshkruan përmes letrave të Bogdanit nuk është një turmë e përgjumur, por një popull me ndërgjegje të lashtë, me besë të pathyeshme, me gjuhë të shenjtëruar. Figura e Bogdanit bëhet zë i shumësisë, bëhet ikonë e atij shqiptari që, pavarësisht besimit, e mban tokën dhe gjakun si shenjtëri.

I njoh mirëfilli këta njerëz… janë shqiptarë të besimit islam, por kur japin besën, mëdyshje nuk ka…”. Në këtë fjali rrëqethëse, Bogdani flet për një popull të bashkuar në vlerë, jo në formë; në shpirt, jo në dogmë. Dhe kjo është një nga vlerat më të mëdha që romani “Bimorja” i sjell kohës sonë, një popull nuk matet me ndasi, por me thellësinë e rrënjës së tij të përbashkët.

  1. Ky roman është më shumë se një histori: është një pasqyrë që na fton të shikojmë veten përmes një figure të ndritshme, për të matur sa larg jemi nga fjala, nga nderi, nga përkushtimi. Është një udhëtim brenda vetes, ku Bogdani nuk është thjesht një personazh, por një zë që troket në ndërgjegjen tonë dhe na pyet në heshtje: “Po ju, çfarë po bëni me fjalën, me gjuhën, me atdheun”?

Rikthimi i Pjetër Bogdanit në kohën tonë, përmes romanit Bimorja është një vlerë që nuk mund të matet me fjalë të zakonshme. Ai është dritë e moçme që vjen për të na ndriçuar udhën, është një gojë e vjetër që na thotë fjalën e re, është kufomë që ringjallet në çdo ndërgjegje që nuk pranon të vdesë pa pasur liri. Në thelb ai është një dritë që kërkon sy për t’u parë.

Për këtë arsye, ky roman është një bimë që duhet lexuar ngadalë, me kujdes, siç bëhet një lutje e vjetër, siç dëgjohet një këngë e harruar, që vetëm kur e këndon edhe ti, kupton se është kënga jote.

VII- Në letërsinë shqipe, ku zërat janë të shumëllojtë, por jo gjithmonë të thellë, Bimorja e Anton Nikë Berishës qëndron si një psalm që nuk thotë fjalë për të rrëfyer ngjarje, por për të shkundur ndërgjegje. Ky roman nuk ecën nëpër udhët e zakonshme të prozës realiste apo të trillimit të përshpejtuar. Ai është i vetmi në llojin e vet në letërsinë shqipe bashkëkohore, një tekst i rrallë që ngjiz gjuhën, historinë dhe filozofinë në një poemë të heshtur, në një rrëfim që i flet thellësisë dhe që kërkon lexues me sy të brendshëm.

1. Në letërsinë shqipe Bimorja është një gjuhë që nuk vjen nga sipërfaqja, por nga brendësia e dheut. Stili i autorit është i qëndrueshëm, i kthjellët, por i ngjeshur si gur varri mbi të cilin rritet një bimë e gjelbër. S’ka zbukurime të kota, s’ka ndjeshmëri të lehtë apo retorikë të zhurmshme. Ka një përulje të thellë përpara fjalës dhe respekt të heshtur për kujtesën, për trashëgiminë, për të mbijetuar.

Mirëpo, përsëritja e shpeshtë e fjalëve dhe jehona e thekshme e daulles sa shkuan dhe u futën në kokat e qytetarëve, u ranë si shkreptimë e mbytur në gjëmë: i hapën sytë dhe i picërruan veshët. Një mëdyshje e pafund i futi në dredhën e etheve dhe i shaloi nëpër hulli të errët. Ishte ëndërr apo zhgjëndërr ajo që dëgjonin? Disa thanë se gjithë ajo që ua therte veshët ishte vetëm një përftim që e kishte vjellë nata dhe se ndriçimi i ditës do ta shkrinte si flluskë sapuni. Disa të tjerë mendonin se fjalët dilnin nga kokat e njerëzve dhe nuk i thoshte askush! Plakat dhe pleqtë vunë gishtat në veshë që të hiqnin dyllin e shtresuar me vite si diçka e kobshme që ishte grumbulluar me pahir aty dhe nuk i linte të dëgjonin si duhet, ndërsa fëmijët kumtin e morën si fillim të një loje, e cila do të bëhej më e madhe dhe më e pazakontë; në të do të futeshin edhe të tjerë: të rinj e të vjetër; do të shtyhen si delet kur ua çel derën e vathit dhe gëlojnë nga lugjet me kripë!

Gjuha e Bimorja është e ngjashme me gjuhën e urtive të moçme, e fjalëve që nuk harxhohen, por ndriçojnë. Ajo vjen nga tradita e prozës së lashtë shqipe, nga ligjërimi kishtar, nga rrëfimi biblik dhe nga vargu i këngëve të kreshnikëve.

Ky gërshetim e bën romanin unik në letrat tona, një tempull të ndërtuar me gurët e historisë, me erën e dheut dhe me zërin e fjalëve poetike të shkruara me gjak. “Në të ashtuquajturin spital kishte një libër ku regjistroheshin të vdekurit… por emri i tij qëndronte i vetmuar, i palidhur me asgjë.”

Ky pasazh nuk është thjesht informatë, kumt; është dhimbje e heshtur, zbrazëti që flet më shumë se çdo fjalë tjetër.

  1. Në horizontin më të gjerë të letërsisë evropiane, Bimorja mund të vihet në një vijë me veprat që nuk janë krijuar për të argëtuar, por për të trazuar mendimin, për të ndezur heshtjen. Ajo i afrohet frymës së Albert Camus, kur ky shkruan për absurditetin e ekzistencës dhe të drejtësisë që mungon; i afrohet Hermann Broch, me romanin Vdekja e Virgjilit, ku fati i njeriut të shenjtëruar përzihet me fatin e perandorive që bien në mëkat. Ashtu si ata, edhe Berisha, nuk e ngut rrëfimin, ai e mban fjalën në dorë si një gur të shenjtë dhe e lë të bjerë vetëm kur toka është e denjë për ta pranuar. Ai e ndjen që fjala është përgjegjësi. Dhe përgjegjësia është gur i rëndë në kohën tonë.

3. ”Bimorja” është një vepër e ndërmjetme, një urë mes tokës dhe përtejmendimit; në qoftë se romanet e zakonshme ndjekin personazhe, veprime, konflikte të jashtme, ky roman s’ka konflikt klasik, ajo ka dridhje të brendshme, psherëtima të historisë, trokitje të hijes në ndërgjegjen e njeriut.

Kjo e bën romanin një vepër që qëndron në kufirin ndërmjet prozës poetike dhe meditimit, ndërmjet dokumentit dhe mitit.

Figura e Pjetër Bogdanit është arketipi i njeriut që nuk pranon të pushojë edhe në vdekje, një shenjt laik i kombit, që përmes vdekjes, bëhet më i gjallë se kurrë. Portretizimi i tij është si një dritë që ndriçon nga nëntoka, si një rrënjë që thërret mbi dhé.

4. Bimorja është një nga ato vepra që nuk bëjnë zhurmë, por qëndrojnë si një shtyllë në mes të një rruge të errët. Ajo është më shumë një dritare shpirtërore sesa një dritë e menjëhershme.

Kjo e bën veprën një gur të çmuar, si ato që gjenden rrallë në letërsinë shqiptare, një vepër që vjen nga rrënjët për të ndriçuar trungun dhe që i përket një gjysmë-heshtjeje që është më e fortë se çdo britmë. Ndoshta, siç na thotë vetë Bogdani në roman: “Nuk do të më gjeni më në asnjë libër… por do të jem aty ku do të jetë fjala që nuk u shit.”

Dhe aty Bimorja ka vendin e vet, në ato pak vepra që nuk i përkasin vetëm një kohe, por asaj që nuk shuhet: kujtesës, fjalës poetike, dhe shpirtit që nuk harron.

VII- Vetëm pas kësaj ndjen se titulli “Bimorja” është një nga ato tituj që nuk e zbulon vetveten menjëherë, por të fton ta mendosh, ta ndjesh dhe ta përjetosh thellë. Është një titull poetik, simbolik dhe filozofik njëherësh, që nuk ka të bëjë me një emër personi, vendi apo ngjarjeje, por me një gjendje, një prani që nuk shuhet, një shenjë që nuk vdes.

1. ”Bimorja” shfaqet si emër i rrënjës që nuk thahet. Në vetë fjalën “bimorja” dëgjojmë një botë të heshtur që rritet nga nëntoka, një frymëmarrje që vjen nga dheu, si një jetë e dytë që nuk ka nevojë për dritë, por për kujtim. Kjo fjalë e rrallë, në gjuhën shqipe, shënjon diçka që ka lidhje me bimët, me rritjen, me tokën, me procesin e heshtur të ringjalljes.

Në roman Bimorja është trupi i Pjetër Bogdanit i fshehur në një varr të panjohur, që nuk tretet, që nuk pushon, që mbetet gjallë në ndërgjegjen e pushtuesit dhe në frymën e popullit. Trupi i tij është si një bimë e gjallë, që edhe pse i varrosur, nuk pushon së jetuari. Ai bëhet rrënjë kujtese, rrënjë fjale, rrënjë kombi. “Trupi i tij s’u gjet, por njerëzit vazhduan ta ndienin praninë e tij. Si një bimë që rritet në errësirë.”

2. ”Bimorja” vjen si metaforë e qëndresës dhe e kujtesës, pse bart në vetvete një kuptim më të thellë: atë të qëndresës në heshtje, të ringjalljes së një ideali, të jetës që nuk përfundon me vdekjen; nënkupton se Bogdani, ndonëse i zhdukur fizikisht, ka mbetur në këtë tokë si një bimë e pavdekshme, që u përket malësorëve, kujtesës, dhe vetë gjuhës shqipe që ai e deshi dhe e ngriti në fjalë të shenjtë.

Bimorja është ajo që nuk bërtet, por mbin. Ajo që nuk klith, por lëshon rrënjë në heshtje. Ajo që nuk vret, por rilind.” Pra, edhe figura e Bogdanit është një bimë që mbijeton në çdo ndërgjegje të pastër, në çdo këngë që thërret emrin e tij pa e ditur se pse, në çdo fjalë të shqipes që ka ngrohtësinë e gjakut të shkrimtarit që e shkroi atë me dashuri.

Sigurisht që ndokush do pyesë: Përse ky titull në kohën tonë?

Koha jonë ka nevojë më shumë se kurrë për rrënjë të gjalla, jo për simbole të ngrira. Ka nevojë për njerëz që nuk shihen, por ndihen. Për kujtime që nuk shiten, por qëndrojnë. Titulli Bimorja është një thirrje që të mos kërkojmë heronjtë vetëm në monumente, por në nënësinë e gjuhës, në pjekurinë e mendimit dhe në heshtjen e tokës që ruan emra të mëdhenj;  është një fjalë që e përmbledh gjithë frymën e romanit: Pjetër Bogdani si rrënjë, si gjuhë, si frymë që s’pushon, si truall që lind për të na mbajtur gjallë.

Sarandë, mars 2024-korrik 2025

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.