Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
Shqiptarëve nuk u kishte mbetur rrugë tjetër, përveç demonstratave
Sipas Kushtetutës së Jugosllavisë, Kosova ishte një “krahinë autonome” në kuadrin e Republikës së Serbisë. Më se 85% të banorëve të Kosovës (rreth 1.400.000 veta), ishin shqiptarë, të cilët ndodheshin praktikisht nën kontrollin e serbëve. Dhe shqiptarët e “krahinës autonome” të Kosovës nuk përbënin veçse gjysmën e shqiptarëve të Jugosllavisë. Ka 700.000 shqiptarë në Republikën e Maqedonisë, 80.000 shqiptarë në Republikën e Malit të Zi, 100.000 shqiptarë në Republikën e Serbisë dhe mbi 150.000 shqiptarë jetojnë të shpërndarë nëpër Jugosllavi.
Shtrohet pyetja, përse regjimi i Beogradit nuk u kishte njohur kurrë këtyre shqiptarëve të drejtën që të formojnë një republikë autonome, në kuadrin e shtetit federativ jugosllav, siç kanë vepruar me popullatat e tjera që kanë qenë me një numër banorësh shumë më të ulët sesa numri i shqiptarëve.
Manifestimet e studentëve në Universitetin e Prishtinës, kishin filluar më 11 mars, për të protestuar kundër ushqimit shumë të dobët që u jepej atyre, por sidomos për të kërkuar të drejtën e arsimit të barabartë me kombësitë e tjera dhe tekste shkollore në gjuhën shqipe. Të shtrënguar prej shtypjes dhe prej shfrytëzimit ekonomik, manifestuesit kishin shfaqur edhe rivendikime të tjera, duke kërkuar lirinë e shtypit, liritë kulturore në gjuhën shqipe dhe ngritjen e Kosovës në një republikë autonome. Vetëm njohja e këtij statusi mund ta zhdukë pabarazinë që ekziston ndërmjet shqiptarëve dhe kombësive të tjera të Jugosllavisë[1], kishte konstatuar “Lidhja Kosovare”
Policia gjatë trazirave kishte ndërhyrë rreptësisht dhe kishte burgosur mbi 50 studentë. Shumë reparte policësh kishin ardhur nga Beogradi.
Më 26 mars, manifestimet patën filluar rishtas në Prishtinë dhe u përgjithësuan. Populli iu bashkua studentëve dhe merrte pjesë me ta. Të tjera reparte policësh arritën me urgjencë nga Beogradi. Fuqitë e armatosura jugosllave vepruan gjatë 24 orëve për të shtypur demonstratat. Viktimat dhe arrestimet ishin të shumta.
Më 1 prill, demonstratat u shfaqën përsëri me një hov më të madh dhe u zgjeruan në të gjitha anët e Kosovës: në Podujevë, në Vushtrri, në Mitrovicë, në Ferizaj, në Drenicë, në Gjilan, në Pejë, në Gjakovë, në Prizren e vende të tjera. Populli dhe studentët bërtisnin kundër mjerimit ekonomik, kundër shtypjes politike, kundër shfrytëzimit, duke kërkuar statusin e një republike autonome që do ta vinte grupin etnik shqiptar në një shkallë barazie me kombësitë e tjera të Shtetit Federativ Jugosllav.
Në Podujevë (25 km në veri të Prishtinës), ballafaqimet me forcat e armatosura kanë qenë të ashpra dhe kanë vazhduar disa ditë. Në Ferizaj, policia kapi 11 veta dhe i pushkatoi menjëherë në errësirën e natës. Në Drenicë, policia vrau Tahir Mehën dhe Nebi Mehën (babë e bir); në Vushtrri, vrau Salih Zekën.[2] Këso pushkatimesh të shpejta ka pasur kudo.
Ushtria e gjeneralit Lubiçiq, e ardhur me urgjencë nga Nishi, kishte shpallur shtetrrethimin dhe e transformoi Kosovën në një zonë të mbyllur, ku asnjë dëshmitar i huaj nuk mund të hynte. Kështu që, në ballafaqim me shqiptarët, tanket mund të vepronin jashtë vështrimit të gazetarëve dhe të ndonjë turisti të huaj. Këto përpjekje kishin vazhduar disa ditë, duke vrarë e shtypur një numër të madh shqiptarësh, midis të cilëve kishte pasur edhe gra e fëmijë.
Lëvizja kishte filluar përsëri në Prishtinë, më 20 të majit, kur kishin filluar “proceset” e gjykatave të poshtëruara policore kundër të burgosurve shqiptarë, të cilët paditeshin për veprim shkëputjeje nga Jugosllavia. Më 19 maj, mbi 1000 studentë kishin manifestuar përsëri nëpër rrugët e Prishtinës duke kërkuar ngritjen e Kosovës në rangun e një republike autonome.
Megjithëse qeveria e Malit të Zi, më 2 e 3 prill, kishte marrë një sërë masash “politike dhe administrative” për të ndalur manifestimet e shqiptarëve në atë republikë, lëvizja shqiptare u përhap në Plavë, Guci e Ulqin. Malësorët e Hotit e të Grudës zbritën në Ulqin për të manifestuar bashkë me nxënësit shqiptarë të këtij qyteti. Autoritetet e Malit të Zi bënë shumë arrestime.
Ky manifestim i përgjithshëm i shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi tregon vullnetin e të gjithë shqiptarëve në Jugosllavi për t’u mbledhur në një republikë autonome, në kuadrin e Shtetit Federativ të Jugosllavisë. S’kishte fjalë më të drejtë dhe më legjitime nga kjo, mbasi këta shqiptarë përbëjnë një grup etnik kompakt prej 2.500.000 vetash, që kanë gjuhën e tyre dhe kulturën e tyre. Atëherë, përse autoritetet e Beogradit ndjekin një politikë të egër kundrejt këtij grupi etnik, duke i ndaluar çdo shprehje të lirë dhe duke e shtypur nën rrotat e tankeve.
Kush do ta shkruajë listën e plotë të dëshmorëve që u vranë gjatë këtyre manifestimeve për çështjen e Kosovës, dëshmorë që kishin dalë para tankut me kraharor të zhveshur. Po me kraharor të zhveshur kishin dalë edhe studentët: Hasan Haxhaj, Fatmir Bala, Ibrahim Abazi e qindra të tjerë, këngëtarja Shyhrete Behluli, studentja Zyrafete[3] e shumë të tjera, që dhanë jetën për Kosovën.
Përpara se të laheshin rrugët nga gjaku i derdhur i shqiptarëve, arrestimet dhe pushkatimet nëpër terrin e natës vazhdonin pa ndërprerje. Njëkohësisht, numri i punëtorëve të përzënë prej pune dhe i studentëve të përzënë prej universiteti ishte tepër i madh. Ishin përjashtuar prej pune sidomos shumë kuadro dhe arsimtarët në tërë Kosovën, kështu që shkollat shqipe kishin mbetur pa mësues dhe pa profesorë. Lëvizja e shqiptarëve kishte shkaktuar një pështjellim në radhët politike dhe administrative të krahinës. Mbi 442 veta, në mesin e të cilëve ishin 110 mësues dhe 100 studentë, ishin përjashtuar nga Lidhja e Komunistëve të Kosovës.
Megjithëse grupe shqiptarësh ndodheshin akoma të arratisur maleve, “proceset” e gjykatave policore kundër mijëra shqiptarëve vazhdonin me shpejtësi nga të gjitha anët e Kosovës. Më 20 maj, gjykata e Shkupit i jepte fund “procesit të të pestëve”, duke i dënuar:
- Zaim Beqirin,mësues, me 13 vjet e 6 muaj burg të rëndë;
- Ragim Nezirin,murator, me 13 vjet burg të rëndë;
- Shaban Limanin,teneqexhi, me 10 vjet burg të rëndë;
- Esad Abdyrrahmanin,punëtor, me 10 vjet burg të rëndë;
- Ibrahim Shabanin,bujk, me 7 vjet burg të rëndë.[4]
Të gjithë këta kanë qenë të paditur për veprimtari kundër integritetit të Jugosllavisë.
Në Ferizaj, ndërmjet 300 të arrestuarve që patën marrë pjesë në demonstrata, 35 u dënuan menjëherë me dënime të rënda që shkojnë gjer në 15 vjet burg.
Në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi, dënimet vazhdojnë me grupe. Nuk kemi mundësi tani të japim një listë të plotë të dënimeve, që në shumë raste nuk botohen fare. Të burgosurit transferohen nëpër burgjet e Serbisë dhe të ishujve Dalmat, mbahen të veçuar dhe nuk mund të kenë asnjë kontakt me familjet e tyre.
Ministri i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, Franjo Herleviç, në raportin e 9 qershorit që kishte paraqitur para Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, jepte numrin prej 506 shqiptarëve të dënuar me burgime të ndryshme për manifestimet e marsit dhe prillit. Kurse, sipas informatave që kishte siguruar gazeta “Qindresa Shqiptare”, thuhej se numri i shqiptarëve të dënuar arrinte mbi 2.000 veta. Këta të burgosur torturoheshin në mënyrat më mizore.
Në Beograd, një nga ata që drejtonte shtypjen e egër kundër shqiptarëve, sidomos kundër rinisë, kundër kuadrove dhe intelektualëve shqiptarë ishte famëkeqi Dushan Ristiç. Ky serbomadh i tërbuar, që ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Rankoviçit kundër shqiptarëve, po tregohet akoma sot si një shtypës mizor i shqiptarëve. Në këtë ndërmarrje të shëmtuar ndihmohet prej Boshko Dimitrijeviçit e disa kriminelëve të tjerë të këtij lloji.
Shprehja e pakënaqësisë tek mërgimtarët shqiptarë
Shqiptarët e mërguar në botën e lirë u treguan më të bashkuar se kurrë për të shfaqur zemërimin e tyre kundër qeverisë së Beogradit, e cila përdorte të gjitha mjetet ushtarake për të shtypur manifestimet e studentëve shqiptarë dhe për të vrarë, si gjithnjë, gra e fëmijë.
Shqiptarët e mërguar, kudo që u ndodhën, organizuan mbledhje, demonstrata dhe protesta kundër regjimit tiranik jugosllav, duke kërkuar ndërhyrjen e botës së lirë për të mbrojtur shqiptarët në Jugosllavi.
Lidhja Kosovare organizoi në Amerikë dy demonstrata të mëdha, njërën në Uashington, më 13 prill, dhe tjetrën në Nju-Jork, më 18 maj, ku me mijëra manifestues kërkonin drejtësi për bashkatdhetarët e tyre në Jugosllavi, si dhe ndërhyrjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund gjakderdhjes që regjimi mizor jugosllav po bënte mbi popullin e pafajshëm; ata kërkonin mbrojtjen e popullit të Kosovës me anën e një kontrolli ndërkombëtar.
Mbas demonstratës së 13 prillit në Uashington, një delegacion i Lidhjes Kosovare u prit nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së Jashtme dhe zyrtarë të Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Deputetëve, ndihmësministri i Punëve të Jashtme për Evropën Lindore, Z. Harry Gilmore; i ngarkuari me çështje të Jugosllavisë, në Ministrinë e Jashtme të Amerikës, Richard Monre Miles; zëvendësndihmësi i Ministrit të Jashtëm për çështje legjislative, Belden Bell dhe të tjerë.
Të tjera demonstrata u bënë nëpër qendrat e ndryshme të Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë, si dhe në Evropë; në Frankfurt, në Stokholm, në Gjenevë të Zvicrës, në Paris etj. Refugjatët kroatë kishin marrë pjesë bashkë me shqiptarët në shumë demonstrata.
Komiteti Kombëtar-Demokratik “Shqipëria e Lirë”, në Paris, kishte protestuar pranë qeverisë frënge e të tjera qeverive evropiane. Ai ua paraqiti gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi organizatave ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kryetari i Komitetit, Abas Ermenji, u bëri gjithashtu një thirrje energjike të gjithë shqiptarëve që të tregohen të bashkuar, të fortë e aktivë kundrejt këtij gjenocidi që po bëhej ndaj kombit shqiptar.
Nga ana tjetër, Komiteti Kombëtar-Demokratik “Shqipëria e Lirë”, Balli Kombëtar dhe Lidhja Kosovare u kanë drejtuar telegrame: Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ronald Regan, Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kurt Waldheim, Sekretarit të Shtetit Amerikan, Gjeneralit Aleksandre Haig, Kryetarit të Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit Amerikan, Charles Percy, Kryetarit të Komisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan, Clement Zablocki, si dhe shumë senatorëve e deputetëve, miq të Shqipërisë.
Presidenti i Amerikës, me një letër të 17 prillit, nënshkruar nga Jack Burges, iu përgjigj me simpati thirrjes së shqiptarëve.
Gjithashtu, Senatori Charles H. Percy, Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit Amerikan, Senatori Alphonse d’Amato, Senatori Daniel Patrick Moyniham e të tjerë personalitete amerikane i janë përgjigjur pozitivisht përfaqësuesit në Amerikë të Komitetit Kombëtar-Demokratik “Shqipëria e Lirë”, Dr. Ali Koprenskës.
Shqiptarët e Turqisë i drejtuan një thirrje Kryetarit të Shtetit Turk, Gjeneralit Kenan Evren, më 5 prill, duke iu lutur që të ndërhynte pranë qeverisë jugosllave. Thirrja ishte nënshkruar nga Hajredin Bytyçi, i cili më 24 prill mori përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë. Përgjigjja thoshte se thirrja drejtuar Kryetarit të Shtetit ishte marrë në konsiderim.
Përfaqësuesi i Komitetit Kombëtar – Demokratik “Shqipëria e Lirë”, në Palermo, Gjon Gjomarkaj, u drejtoi nga një thirrje të prekshme Presidentit të Republikës Italiane, Kryetarit të Këshillit të Ministrave, kryetarëve të Senatit dhe të Dhomës së Deputetëve, si dhe personaliteteve dhe institucioneve fetare e kulturore të arbëreshëve në Italinë e Jugut. Thirrja e Gjon Gjomarkaj shoqërohej me një dokumentim të përpiktë mbi gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi.
Me rastin e mbledhjes së rinisë së Bashkimit Federal të Komuniteteve Etnike Evropiane, në Gjermaninë Perëndimore, prej 13 gjer më 17 prill 1981, Luli Kurteshi, vajti nga Suedia në atë mbledhje për të parashtruar ngjarjet e Kosovës dhe për të kërkuar mbështetjen e rinisë evropiane në ndihmë të shqiptarëve në Jugosllavi.[5]
Kudo, shqiptarët e mërguar u treguan gati për çdo sakrificë dhe gati për t’iu shkuar në ndihmë bashkatdhetarëve të shtypur nën thundrën jugosllave.
Gazeta “Qindresa Shqiptare” mbi demonstratat
Në numrin 116, “Qindresa Shqiptare”, në faqet e saj vend të veçantë u jep ngjarjeve dramatike – demonstratave studentore të vitit 1981. Në rubrikën “Lajme nga Kosova e robëruar”, duhet veçuar shkrimi “Rrjedhimet dramatike të lëvizjeve të pranverës 1981”. Në të bëhen analiza, por edhe përmenden proceset gjyqësore që pasuan menjëherë pas demonstratave studentore në Kosovë. Rrjedhimet dramatike të ngjarjeve të marsit dhe të prillit 1981, edhe pse kishin kaluar disa muaj, nuk kishin përfunduar. Qeveria e Beogradit, siç dihej, të gjitha ato demonstrata i kishte shtypur me anë të policisë dhe ushtrisë së saj “popullore”.
Pas përfundimit të gjithë kësaj, në skenë kishte dalë policia e fshehtë jugosllave (UDB-ja), e cila mbi vete kishte marrë veprimet makabre të vrasjeve nëpër rrugë, të arrestimeve të panumërta, të torturave dhe të dënimeve qindra e mijëra shqiptarëve gjithandej ku jetonin ata në ish-Jugosllavi. Sipas gazetës, vetëm gjatë kësaj periudhe ishin vrarë 3.000 shqiptarë dhe ishin burgosur mbi 20.000 veta,[6] nga të cilët vetëm një numër i vogël përmenden në shtypin e Jugosllavisë. Të gjithë të burgosurit janë të veçuar, mbahen në izolim me vite të tëra dhe torturohen në mënyrë sistematike nga organet e hetuesisë.
Edhe pse kishte kaluar një periudhë kohore, shqiptarët përsëri ishin mbledhur për të shënuar njëvjetorin e ngjarjeve të 81-shit. Shtypi kosovar, këtyre ngjarjeve nuk u kushton ndonjë rëndësi të veçantë. Të rinjtë ishin tubuar, si në Prishtinë, Suharekë, Obiliq, Podujevë, Gjilan dhe në vende të tjera, duke brohoritur kërkesën e vazhdueshme “Kosova-Republikë”. Si çdoherë në këso rastesh, me tërë mllefin e vet kishte ndërhyrë policia dhe përsëri kishte arrestuar shumë shqiptarë që kishin marrë pjesë në tubimet paqësore.
Viti 1982 vlen të shënohet si viti në të cilin u organizuan dhe u mbajtën më së shumti procese gjyqësore ndaj shqiptarëve. Po këtë vit u organizua procesi gjyqësor kundër grupit të quajtur “Grupi i intelektualëve”, në të cilin, veç të tjerëve, ishin Ukshin Hoti e Ekrem Kryeziu, pastaj ndaj gazetarit Fadil Bujarit e Rexhep Zogajt, profesorit Zaim Beqirit dhe Ragip Hazirit, të dënuar me nga 15 vjet burg të rëndë, mësuesve Muharrem Fetiu dhe Daim Selmani, me nga 13 vjet burg të rëndë, studentëve Bedri Halimi, Burhanedin Ahmeti, Zonjusha Krasniqi, si dhe shumë e shumë të tjerëve.[7]
Gjuetia ndaj shqiptarëve nuk bëhej vetëm në Kosovë, por ata ndiqeshin edhe në Serbi, Kroaci, Slloveni, Bosnjë e kudo tjetër. Në Zarë, sipas gazetës “Qindresa Shqiptare”, u dënuan tre studentë shqiptarë: Adem Cekaj, 21 vjeç, Muhamet Bytyçi, 22 vjeç dhe Fadil Bufaj, 21 vjeç.
Në Kosovë, dukshëm është intensifikuar ndjekja e kuadrit mësimor, duke filluar nga shkollat fillore e deri tek ata mësimdhënës që punojnë në Universitetin e Prishtinës. Duhet përmendur se nga puna u pushuan drejtori i shkollës Gani Reka, mësuesit Nebi Reka, Vehbi Neziri, Mustafa Hyseni, Fehmi Kashtanjeva dhe Xhavit Seiti.
Po ashtu, në gazetë përmenden edhe demonstratat që u organizuan nga qytetarët shqiptarë të Mitrovicës, kundër ndryshimit të emrit të qytetit të tyre. Qytetarët në mënyrë të organizuar dolën në rrugë duke kundërshtuar, se qyteti i tyre në shekuj ishte shqiptar, e asnjëherë nuk kishte qenë i Titos. E tërë kjo i shërbeu si pretekst i mirë policisë jugosllave për të arrestuar dhe për të futur në burg shumë shqiptarë të pafajshëm.
Menjëherë pas demonstratave studentore, më 1981, në Kosovë kishte filluar një fushatë e egër ndaj udhëheqësve shqiptarë të Kosovës. Ata fyheshin e njolloseshin nga shtypi jugosllav me fjalët më të ndyra, por kishin filluar edhe largimet e shumta të tyre nga vendet udhëheqëse.
Shtypi i mërgatës shkruan se në Kosovë, është larguar nga posti udhëheqës, Veli Deva dhe arsyetimi ka qenë se ai ishte njeri i paditur dhe jo i zoti për të qenë në atë vend të punës me përgjegjësi. Në vendin e tij është emëruar Sinan Hasani. Kryetarin e Lidhjes Socialiste të Kosovës Ali Shukrin e kanë larguar dhe në vend të tij kanë vënë Kolë Shirokën. Në vendin e Riza Sapunxhiut, kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, kanë emëruar Ymer Pulën[8].
Po ashtu, edhe disa udhëheqës lokalë i kishin pushuar nga puna dhe i kishin burgosur, siç janë: Muhamet Fejzullahu, Adem Hyseni, Shefki Qorolli, Ibrahim Qorolli, Mahmut Jashari dhe Izet Aliu.[9] Ndërsa shumë nxënës i kanë përjashtuar nga shkolla dhe prindërit e tyre i kanë dënuar me shumë vjet burg të rëndë.
(vijon)
[1] “Në këto kushte, si të mos lëvizë dhe të mos manifestojë rinia”, Qindresa Shqiptare, nr. 114, Paris, 1981, 3.
[2] Po aty, 4.
[3] Po aty.
[4] Po aty, 6.
[5] “Reaksioni i shqiptarëve të mërgimit”, Qindresa Shqiptare, nr. 14, Paris,1981, 7-9.
[6] “Lajmet nga Kosova e robëruar”, Qindresa Shqiptare, nr. 116, Paris, 1982.
[7] “Rrjedhimet dramatike të lëvizjeve të pranverës 1981”, Qindresa Shqiptare, nr. 116, Paris, 7.
[8] “Ndryshime në udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kosovës”, Qindersa Shqiptare, nr. 116, Paris, 8.
[9] Po aty.