BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH…
Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha & Prof. Dr. Tefik Basha
Pas disa orësh të mbushura me kujtime nga Bratislava, vetura jonë fluturonte drejt Vjenës, duke përshkruar pa u ndalur ato 60 kilometra rrugë të hijshme. Tefiku ishte i ulur përpara, i qetë, ndërsa unë, Albina dhe Beni i vogël në karriget e pasme, zhytur në biseda që na bënin të harrojmë çdo lodhje. Albina, nusja e djalit, kishte një vend të veçantë në zemrën time, ashtu si një motër e vogël për Artën.
Agoni shpesh na ngacmonte me shaka, duke thënë: “Ju shihni veten! Harrojeni që jeni nuse dhe vjehërr, duhet të ziheni siç ndodh zakonisht. Unë, djali i mamit dhe burri i nuses, duhet të ndërhyj dhe t’ju pajtoj me autoritetin tim!”. Dhe qeshnim të gjithë me këtë skenë imagjinare, sepse realiteti ishte i kundërt – lidhja jonë ishte e fortë, një harmoni që rrallë shihet, e veçanërisht kur Arta ishte afër, bisedat tona ktheheshin në një tandem të shkëlqyer familjar.
Me Albinën bisedonim aq shumë, saqë nuk ndienim as rrugën që kalonte nën ne. Kilometrat gëlltiteshin nga gomat e veturës, ndërsa koha sikur rridhte pa u ndier. E gjithë ky udhëtim kishte një lehtësi të veçantë, sidomos kur Agoni dhe Albina, të cilët kishin vizituar më herët Vjenën, na tregonin me entuziazëm për përvojat e tyre. Shtëpinë e kishin mbushur me broshura, ku secila fliste për kulturën e pasur të Austrisë dhe hijeshinë e saj, duke na bërë që të prisnim me padurim çdo hap që na afronte me këtë qytet të mrekullueshëm.
Agoni, me një shkëlqim në sy, na tërhoqi vëmendjen: “Hej, shikoni, jemi në hyrje të Vjenës!” Ndërsa i emocionuar, ai përfitoi nga momenti për të na dhënë një përshkrim të veçantë për këtë vend të magjepsur, që mezi prisnim ta përjetonim më thellë, sikur të ishim gati të zhyteshim në qetësinë e saj.
“Babi,” iu drejtua Tefikut me një zë të butë, “e di që ti ke më shumë njohuri për Austrinë, por para dy ditësh, rastisa të lexoj diçka në Google dhe më pëlqeu shumë. Austria, emri zyrtar qenka Republika e Austrisë, dhe qenka një shtet federal në zemër të Evropës Qendrore, me një sistem qeverisës parlamentar. Kufijtë e saj ndajnë përqafimin me kaq shumë vende të tjera: me Gjermaninë në veriperëndim, Republikën Çeke në veri, Sllovakinë në verilindje, Hungarinë në lindje, Slloveninë dhe Italinë në jug, dhe me Zvicrën e Lihtenshtajnin në perëndim.”
Ndërsa Agoni fliste, ne e ndienim se po përthithnim më shumë sesa fakte të thjeshta – ishte si të përgatiteshim për t’u zhytur në thelbin e këtij vendi të lashtë dhe modern njëkohësisht. Ai vazhdoi: “Vjena, kryeqyteti, është zemra e këtij vendi, plot me histori, kulturë dhe jetë. Austria qenka anëtare e Kombeve të Bashkuara që nga viti 1955, dhe më ka befasuar fakti se ky shtet, me sipërfaqen e tij prej 83,870 kilometra katrorë, përmban 82,444 kilometra tokë malore dhe vetëm 1,426 kilometra ujë.”
Fjalët e tij na mbushën me një përzierje emocionale të dijes dhe pritjes. Ndërsa përshkruante koordinatat e sakta dhe popullsinë e vendit, duke na kujtuar se Vjena mban mbi 1.6 milion banorë, ndjeva se po afroheshim drejt një qyteti që nuk ishte thjesht një pikë në hartë, por një fllad i ri, që priste të na përshëndeste me hijeshinë e saj të papërsëritshme.
Pas atij shpjegimi të hollësishëm të Agonit, Tefiku qeshi me të madhe, një qeshje e ngrohtë që e ndriçoi gjithë bisedën tonë. “Ah,” tha ai me buzëqeshjen ende në fytyrë, “me gjentilencë më the se unë kam më shumë njohuri për Austrinë, por, të them të drejtën, çdo gjë po ndryshon me shpejtësi. Informacionet po ndryshojnë për gjithçka, si rrymat e një lumi që nuk ndalet. Tani, teknologjia është bërë si një sy i përhershëm që ndjek gjithçka në kohë reale. Nuk mund të jesh më pronar i së kaluarës, aq më pak i së ardhmes. Dhe kështu, informatat e tua, edhe pse të dy ditëve më parë, janë po aq të sakta. Ti ke të drejtë, unë mund të flas për të kaluarën, por për të ardhmen? Këtë askush nuk mund ta zotërojë.”
Tefik Basha, Sabile Keçmezi-Basha, Ben Basha, Agon Basha, Albina Balidemaj-Basha, Pallati i Habzburgëve, 2019
Ndërsa biseda jonë e qetë po rridhte si një lumë i ngadaltë, papritmas, Beni u zgjua nga gjumi. Me entuziazmin e pafajshëm të një fëmije, ai duartrokiti me doçkat e tij të vogla dhe bërtiti me gëzim: “Babi, erdhëm! Erdhëm! Unë gjithsesi do të shkoj në kopshtin zoologjik!” Pastaj, si një ëndërr e ndërprerë që po kërkonte ta vazhdonte, mbylli sytë dhe u kthye në gjumin e tij të pafajshëm.
Vazhduam të ecim në rrugën kryesore, e cila me kalimin e kohës u bë rruga që ndan zemrën e Vjenës. Drita e ditës po shuhej ngadalë, dhe nata, me perden e saj të butë, po mbulonte qytetin me qetësi. Pas një gjysmë ore udhëtimi, gjetëm vendin ku do të qëndronim, para një hoteli që na magjepsi me arkitekturën e tij moderne dhe pamjen e hijshme. Dukej sikur ishte një strehë e re për udhëtarët si ne, e mbushur me elegancë dhe ngrohtësi. Më vonë, e kuptuam se Agoni gati çdo herë që vinte në Vjenë, qëndronte në të njëjtin vend, sikur ai hotel ta kishte bërë të vetin.
Recepsionisti na priti me një përzemërsi të veçantë, sikur të na njihte prej kohësh. Me një buzëqeshje të butë, ai i ofroi Agonit dy çelësat për dhomat tona. Dhe kështu, në qetësinë e natës vjeneze, ne u zhytëm në një tjetër kapitull të udhëtimit tonë, duke ndjerë se Vjena po na priste, e gatshme të na tregojë mrekullitë e saj.
Si gjithmonë, procedura e rehatisë në dhomë u zhvillua pa zhurmë. Zbraza valixhet me përkujdesje, duke sistemuar çdo gjë në vendin e saj, kur papritmas në derë trokiti Beni, i vogël dhe plot energji. “Nushi, a po shkojmë për darkë në restorant? Unë kam uri të madhe!” – foli me një zë të qartë dhe të ëmbël, dhe qeshëm të dy, sepse fjalët e tij, edhe pse të thjeshta, ishin plot bukuri.
Sabile Keçmezi-Basha& Tefik Basha, Shatravani i njohur i Vjenës, 2019
Hoteli ishte i përshkuar me një llukës të tepruar, sikur çdo detaj të ishte menduar për komoditetin dhe kënaqësinë tonë. Kishte gjithçka që një familje mund të kërkonte – nga hekuri dhe tavolina për hekurosje, te pantoflat e buta që priteshin në prag të dhomës. Peshqirë të butë e jastëkë të formave të ndryshme zbukuronin dhomën, ndërsa aparati për kafe na ftonte të përgatisnim një filxhan të ngrohtë në çdo çast.
Të gjitha sendet ishin vendosur me kujdes – gotat të kthyera përmbys, të mbrojtura nga pluhuri, ndërsa sheqeri, mjalti, biskotat e ëmbla dhe të njelmëta qëndronin mbi një pjatë të hijshme, duke pritur të shijoheshin. U ndala për një çast dhe u mahnita nga bollëku i dhomës. Nuk munda të mos i thosha Tefikut: “E sheh? Kjo kushton një dreq e gjysmë!” Ai qeshi lehtë, duke i dhënë një kuptim më të thellë fjalëve të mia.
Zbritëm me ashensor, ku Agoni, Albina dhe Beni na prisnin në një tavolinë të rehatshme në restorantin e hotelit. Të gjithë të qetë, me biseda që rridhnin natyrshëm, komentuam për ditën që lamë pas, të mbushur me kujtime të freskëta dhe pritshmëri për ato që do të vinin. Agoni, me atë kuriozitetin e tij të zakonshëm, na pyeti: “Si ju duket Vjena deri tani?” Qeshëm të gjithë dhe, me një buzëqeshje të lehtë, i thamë: “Nesër do ta shohim më mirë…”
Të jesh në Vjenë është si të hapësh një libër magjik, ku çdo faqe fsheh një histori madhështore. Ky metropol, një nga më të vjetrit dhe më të bukurit e Evropës, është një kënaqësi e veçantë për çdo udhëtar. Vjena shquhet për arkitekturën e saj të mahnitshme perandorake, muzetë që ruajnë thesare të kulturës dhe historisë, ushqimin që shpalos shijet e botës, dhe jetën e natës që lulëzon në çdo qoshe të saj. Vjena është një përjetim që të merr frymën – një qytet që të përqafon me madhështinë e tij dhe të lë të mahnitur para çdo pamjeje që zbulon.
Ky qytet perandorak, që dikur i mbante frerët e pushtetit botëror, fillimisht si kryeqytet i Perandorisë Austriake dhe më pas si zemra e Monarkisë Austro-Hungareze, ka një forcë të veçantë që nuk lë askënd indiferent. Vjena të magjeps qysh në hapat e parë mbi rrugët e saj. Ecja nëpër këtë qytet është vetë një aventurë, ku çdo cep, çdo qoshe ruan bukurinë dhe fuqinë e historisë. Ndërtesat, që i përkasin një kohe të lavdishme, të presin me një dinjitet të heshtur, duke bartur brenda tyre grushtin e historisë, artin që ka ndriçuar shekuj, dhe kulturën që është ngulitur në muret e saj. Ky qytet, i stolisur me gëlqere të bardhë dhe me elementë të artë, është një dëshmi e qartë se dikur Vjena ishte një superfuqi.
Qendra e saj të lë pa fjalë, e mbushur me turistë që enden mes karrocave mbretërore dhe karrocave me kuaj, që rikujtojnë ditët kur perandorët udhëtonin nëpër të njëjtat rrugë. Një qytet ku pret në radhë jo vetëm për të hyrë në muze, por edhe për të shijuar një kafe të famshme ose një copë bukë të freskët. Vjena është një qytet që ka atraksione për çdo interes, që të josh dhe të fton të zbulohet pa fund, duke të ofruar një copëz magjie për çdo xhep dhe shije.
Të nesërmen, të veshur lehtë, me atlete dhe xhinse, vendosëm të eksploronim më shumë. Parkuam veturën në një garazh nëntokësor dhe në pak minuta u gjetëm në qendër të qytetit. Aty na u shfaq madhështore shtëpia e famshme e Operës së Vjenës, një ndërtesë me stil të Rilindjes, që ngrihej përballë nesh si një tempull i artit dhe muzikës. Teatri, një nga më të mëdhenjtë dhe më të famshmit në Evropë e në botë, është një simbol i kulturës vjeneze. Për të hyrë brenda, për të ndjerë magjinë e një opere, duhej të paguaje çmime të larta, dhe jo kushdo ishte i përgatitur për të. Shitja e biletave ishte një garë më vete, dhe të ftuarit duhej të ishin të veshur me kujdes të veçantë, pasi kjo shtëpi mbante brenda saj një traditë të shenjtë të artit të operës.
Opera Shtetërore e Vjenës, e njohur si “Wiener Staatsoper”, është një xhevahir i vërtetë. Një shtëpi historike, një udhëheqëse botërore në interpretimin e veprave të kompozitorëve më të mëdhenj si Richard Wagner, Wolfgang Amadeus Mozart dhe Richard Strauss. Ajo qëndron krenare në zemrën e Vjenës, pranë muzeut të famshëm Albertina dhe hotelit legjendar Sacher. Ndërtesa, e ndërtuar në stilin neo-Rilindës, me kapacitet prej 1709 vendeve, ishte ndër të parat në Unazën e Vjenës. Ajo është një monument i gjallë i historisë dhe kulturës, një përfaqësim i përjetshëm i madhështisë që ky qytet ruan dhe shpalos në çdo shikim.
Ben Basha, Albina Balidemaj- Basha dhe Sabile Keçmezi-Basha, në qendër të Vjenës, 2019
U kënaqa duke e soditur këtë madhështi që sytë i përpinë, të mahnitur jo vetëm nga pamjet, por edhe nga historia e saj e thellë. Mbetëm të habitur e të magjepsur, duke menduar se kurrë, në ato vite të largëta, nuk kisha imagjinuar se një ditë do të prekja me dorë këtë shtëpi të shenjtë të Operës së Vjenës. Arkitektura e saj më solli ndërmend kohët e rinisë, kur gjithë familja, me një durim të pashoq, prisnim me padurim orën 11 për të shijuar koncertin e famshëm të Filharmonisë së Vjenës që jepej për vitin e Ri. Ato tinguj që përkëdhelnin shpirtin dhe na mbushnin me një gëzim të qetë.
E pashë Agonin në sy dhe, me një shprehje falënderimi, ia shtrëngova dorën me butësi. Ai e kuptoi dhe, me një zë të sigurt, më tha: “Mam, nëse do mundemi, pse mos të shkojmë të shohim ndonjë koncert apo pjesë muzikore?” Qesha, duke i thënë: “Mjafton edhe kjo… është mrekulli që jam kaq afër kësaj bukurie.” Çdo hap që bënim na zhyti më thellë në historinë e këtij qyteti.
Ndërsa donim të vazhdonim rrugën, djali na tregoi për një objekt tjetër përballë: Hoteli legjendar “Sacher” dhe kafeneja “Mozart.” Nuk më besohej se ishin kaq afër Operës, sikur çdo gjë ishte e lidhur me një fije të artë të së shkuarës. Përpara tyre, radhë të gjata njerëzish prisnin me durim për të shijuar një kafe. Një skenë e pazakontë për ne, të mësuar në Kosovë me lehtësinë për të hyrë në çdo kafene dhe për të porositur kafen kur të duam, ku të duam, pa asnjë pritje. Në Vjenë, radhët ishin bërë rregull i pashkruar, një pjesë e përditshmërisë.
Kudo që shkuam, në çdo muze, librari, dhe edhe në kopshtin zoologjik, radhët ishin të pashmangshme. Ndoshta ishte një shenjë disipline apo respekti për artin dhe kulturën që ky qytet mishëronte. Por unë s’mund të mos mendoja për vendin tim. U luta që një ditë edhe në Kosovë të kishim radhë të tilla për të blerë libra, për të parë muzeun e Kosovës, për të vizituar banjat turke të Prizrenit dhe gjithë atraksionet turistike që vendi ynë ofron, duke i dhënë vlerë asaj që kemi me të njëjtën dashuri dhe përkushtim.
Agoni, me një pasion të veçantë, i kishte hyrë rrugës së eksplorimit të çdo cepi të Vjenës, duke i vendosur në radhë të gjitha atraksionet më të rëndësishme turistike që ky qytet i lashtë ofronte. Ndër këto, Katedralja e Shën Stefanit ishte si një yll i ndritshëm në qiellin e historisë dhe besimit, një monument që mbante brenda vetes peshën e shekujve dhe të madhështisë shpirtërore. Thjesht, nuk mund të vizitoje Vjenën pa bërë një ndalesë në Sheshin e Shën Stefanit, aty ku katedralja kishte qëndruar krenare për rreth 700 vjet, si një rojtar i heshtur i këtij qyteti plot magji.
E ndërtuar mbi themelet e dy kishave të mëparshme, më e lashta e të cilave datonte që nga shekulli i 12-të, kjo katedrale gotike filloi të ngrihej në shekullin e 14-të dhe, me kulla që prekën qiejt, ajo rrëfente një histori që kalonte përtej kohës. Kulla jugore, me një lartësi mahnitëse prej 136 metrash, ishte si një sfidë për turistët që guxonin të ngjiteshin 343 shkallët e saj për të parë Vjenën nga lartësitë, ku pamja shtrihej si një vizatim i gjallë dhe i pafund. Për ata që donin një sfidë më të lehtë, kulla veriore e papërfunduar ofronte gjithashtu një pikë të lartë, 68 metra mbi tokë.
Gjithsej 23 kambana rrinin pezull në qiejt e kësaj katedrale, dhe më e madhja ndër to, Pumerini, peshonte mbi 20,000 kilogramë. Legjenda thotë se kur kambanari i saj ra një ditë, Beethoveni e kuptoi se kishte humbur dëgjimin e tij, duke parë vetëm tufat e zogjve që fluturonin, por pa dëgjuar asnjë tingull. Ai moment ishte si një pasqyrë e heshtur e fatit të tij, një zbulim që e preku thellë shpirtin.
Brenda katedrales fshihej një thesar i paçmueshme – altarë të shumtë të zbukuruar me gurë të çmuar, kapela që mbajnë brenda tyre emra të mëdhenj, si Eugjeni i Savojës, dhe relikte të pasura me histori, liturgji, libra e më shumë. Por, për fat të keq, rendi për të hyrë ishte i gjatë, dhe ne kishim shumë vende të tjera për të parë, duke e lënë kështu katedralen të na ftonte një herë tjetër.
Lexova diku se brenda kësaj katedraleje, kur ishte vetëm pesë vjeç, Josef Haydn kishte kënduar në korin e saj të famshëm. Dhe vetë Mozart, ai gjeni muzikor, ishte martuar po këtu, duke i dhënë kësaj kishe një vend të veçantë në rrugën e jetës së tij të ndritur.
Nën hijen e katedrales së shenjtë të Shën Stefanit, thellë në tokën e saj të vjetër, shtrihen katakombet e fshehura, ku prehen mbetjet e një historie të lashtë. Aty, varret e disa anëtarëve të dinastisë së fuqishme Habsburge flenë në qetësi, përfshirë Dukën Rudolf Themeluesin, ndërsa urnat që mbajnë hitin e Habsburgëve ruhen me kujdes në Kriptën Perandorake. Mbi 11,000 shpirtra kanë gjetur paqen e përjetshme në këtë vend të shenjtë, duke u bërë dëshmitarë të një kohe që duket e pafund.
Tefik Basha, Sabile Keçmezi-Basha, Albina Balidemaj-Basha dhe Agon Basha,
kopshti i njohur i Vjenës, 2019
Pranë katedrales, në zemër të qytetit, ndodhet Sheshi Stephensplatz – pikë kyçe jo vetëm gjeografike, por edhe shpirtërore e Vjenës. Këtu, përballë katedrales, ngrihet një ndërtesë moderne, Haas-Haus, një strukturë prej xhami dhe çeliku që, fillimisht, ishte pritur me skepticizëm nga publiku. Por, me kalimin e kohës, ky kombinim i katedrales mesjetare me ndërtesën moderniste u bë një simbol i harmonisë mes së vjetrës dhe së resë, një testament i aftësisë së qytetit për të përzier historinë dhe të ardhmen në mënyrë elegante.
Rrugët që çojnë në katedrale, Kartner Strasse dhe Graben, gumëzhijnë nga zhurma e jetës. Dyqanet e modës dhe marketet e vogla të ushqimeve janë një thesar për kalimtarët, që ecin ngadalë, duke thithur atmosferën e gjallë të qytetit. Dhe, ndërsa kalon nëpër Graben – një nga rrugët më të njohura të Vjenës – ndjen se je në zemër të saj. Në këtë rrugë të ngushtë, këmbësorët janë mbretër të qytetit, ndërsa kalojmë përmes saj, të mbushur me freskinë e vizitës nga katedralja e shenjtë.
Graben-i i sotëm, një rrugë që pulson nga jeta dhe historia, ka rrënjë të thella që shtrihen deri në kohërat e Perandorisë Romake. Atëherë, aty ku sot gumëzhijnë këmbësorët dhe tregtarët, ishte një hendek që rrethonte qytetin, një vijë mbrojtëse që e ruante Vjenën e hershme nga armiqtë. Por, si çdo qytet që rritet dhe transformohet, me zgjerimin e Vjenës gjatë mesjetës, hendeku u mbush, dhe mbi të lindi një rrugë që do të bëhej pjesë e zemrës së qytetit. Që atëherë, tregjet e gjalla e mbushën këtë shteg, dhe për shekuj me radhë, Grabeni ishte skenë për festime dhe procesione të rëndësishme që përmbyllnin jetën e qytetit.
Kur erdhën shekujt XVIII dhe XIX, rruga u transformua edhe më tej, duke marrë një pamje të re me ndërtesa të larta dhe të mrekullueshme që qëndrojnë si dëshmitare të një kohe të begatë. Sot, Grabeni është një bulevard madhështor ku përzihen dyqanet luksoze me ato të thjeshta suveniresh. Në këto ndërtesa elegante, shëtitjet janë një kënaqësi, edhe nëse nuk blen as edhe një magnet të vetëm që shitësi të ofron me buzëqeshje. Një prekje e elegancës dhe historisë qëndron në çdo hap të kësaj rruge.
Në numrin 17 të kësaj rruge të famshme, dikur jetonte gjeniu muzikor Mozart. Megjithatë, kalimtarët sot mund të kalojnë pa ditur se një nga mendjet më të ndritura të botës ka kaluar pak kohë aty, pasi nuk ka asnjë shenjë që ta kujtojë këtë fakt.
Por rruga nuk është vetëm arkitekturë dhe tregti; ajo është e përshkuar me kujtimin e dhimbjes dhe shpresës. Në qendër të saj ngrihet Monumenti i Trinisë së Shenjtë, i njohur edhe si Shtylla e Murtajës. Në vitin 1679, një murtajë e pamëshirshme u përhap në Vjenë dhe mori jetët e mbi 100.000 njerëzve. Perandori Leopold I, në dëshpërim të thellë, u zotua të ngrinte një monument kur të mbaronte kjo fatkeqësi. Edhe pse ai vetë u largua nga qyteti për t’i shpëtuar murtajës, ai e mbajti fjalën. Fillimisht u ndërtua një shtyllë prej druri, por me kalimin e kohës, ajo u zëvendësua me monumentin e mrekullueshëm që qëndron sot, një simbol i qëndresës dhe falënderimit të qytetit që mbijetoi.
Dy shatërvanë të përjetshëm qëndrojnë si roje anësore të Monumentit të Trinisë së Shenjtë, ku ujërat e tyre kristalore rrjedhin me një qetësi hyjnore, vetëm pak hapa larg shtyllës së lartë. Ata mbajnë emrat e dy shenjtorëve, Shën Jozefit dhe Shën Leopoldit, duke ngjallur ndjenjën e shenjtërisë dhe besimit që përshkon këtë shesh të lashtë.
Jo shumë larg, qëndron Pallati Hofburg, i cili dikur ishte zemra e Perandorisë Habsburge. Ky kompleks perandorak, një nga më të mëdhenjtë në botë, mban gjurmët e historisë që nga shekulli i 13-të. Ish-rezidenca e perandorëve, sot ende pret presidentin e Austrisë në një pjesë të saj. Pallati mbledh brenda mureve të tij thesare të panumërta: apartamentet mbretërore që kanë pritur aristokracinë e Evropës, muzeun e njohur të Mbretëreshës Sisi, bibliotekën kombëtare që përmban mendimet e epokave të shkuara, si dhe thesarin mbretëror ku ari dhe xhevahiret flasin për fuqinë e perandorëve të kohërave. Për të mos harruar Shkollën Spanjolle të Kalërimit, ku fisnikëria shfaqet në lëvizjet e kuajve të bukur. Dita tjetër do të na çonte në këto vende magjepsëse, një udhëtim në vetë thelbin e historisë.
Por, në atë pasdite, lodhja nisi të na kaplojë. U ulëm për të shijuar një drekë që na pushtoi me shijen e saj të papërshkrueshme, ndërsa më vonë, duke shëtitur pranë lumit Danub, dëgjuam zhurmën frymëzuese të Vjenës, që ngjante me një simfoni të fshehtë. Nata ra qetësisht mbi qytet dhe, pas shëtitjes, u kthyem në hotel rreth mesnatës, me shpirtin ende të mbushur nga përjetimet e ditës.
Në mëngjesin e ardhshëm, Agoni duhej të shkonte në fakultet, por ne nuk e lamë të vetëm. E shoqëruam në atë ndërtesë madhështore, duke hyrë e dalë nga sallat e saj impozante. Fakulteti ndodhej në zemër të Vjenës, dhe pas vizitës aty, morëm rrugën drejt parkut më të bukur që kisha parë ndonjëherë. Çdo cep i tij ishte i mbushur me trëndafila – të kuq, të bardhë, të verdhë – në ngjyrat më të ndezura që vetëm nëna natyrë mund të krijojë. Ngrohtësia dhe freskia e luleve na përqafoi ndërsa ecëm nëpër këtë parajsë të gjelbër.
Pas parkut, mbajtëm premtimin e dhënë Benit që nga Prishtina dhe vizituam kopshtin zoologjik. Fytyra e tij e mbushur me lumturi ishte shpërblimi ynë i vërtetë.
Më vonë, në rrugët e ngushta dhe të hijshme të Vjenës, morëm një fiaker me kuaj. Udhëtimi nëpër rrugët e qytetit në këtë karrocë elegante na mundësoi të shihnim shumë atraksione pa lodhje, duke na dhënë një pamje tjetër të këtij qyteti të jashtëzakonshëm.
Ndër ndalesat tona ishte edhe Šenbruni, ish-rezidenca verore e Habsburgëve dhe sot një nga atraksionet më të vizituara në Vjenë. Ky pallat barok, me pamjen e tij madhështore, tërheq miliona vizitorë çdo vit. Pallati filloi të ndërtohej nga perandori Leopold I në fund të shekullit të 17-të, por ishte perandoresha Maria Tereza që i dha pamjen e sotme, atë të një perle arkitektonike të mesit të shekullit të 18-të, një dëshmi e fuqisë dhe elegancës së asaj epoke.
Perandoresha Maria Theresa, me ndjenjën e saj të përkryer për elegancën dhe luksin, e mori këtë kështjellë si një dhuratë martese nga babai i saj, dhe e shndërroi atë në një pallat që përfaqësonte jo vetëm kërkesat e saj dhe të familjes së saj të madhe, por edhe shijen e saj të rafinuar. Në këtë pallat të madh, ku 16 fëmijë e zgjerojnë dhe e mbushin hapësirën me gëzim dhe zhurmë, Maria Theresa bëri ndryshime që e përshtatën sipas dëshirave dhe preferencave të saja personale.
Nëpërmjet kohës, Schönbrunn e priti edhe Franz Joseph, perandorin më jetëgjatë të Habsburgëve, i cili lindi dhe jetonte në këtë kështjellë me gruan e tij të bukur, perandoreshën Elizabeth, e njohur si Sisi. Bukuria e saj e jashtëzakonshme ishte legjendare, dhe ajo kalonte orë të tëra duke u zbukuruar në dhomat e saj në Schönbrunn. Megjithatë, në moshën e saj të pjekur, Sisi ndaloi të bënte portrete, duke ruajtur kështu misterin e natyrshëm të kalimit të kohës dhe duke e mbajtur pamjen e saj rinore të paprekur për publikun.
Pas rënies së Monarkisë Habsburge në vitin 1918, vetëm dy vjet pas vdekjes së Franz Joseph, Schönbrunn kaloi në duar të reja si pasuri e Republikës së sapokrijuar të Austrisë dhe u shndërrua në një muze të përjetshëm, një thesare i historisë dhe kulturës.
Agon Basha, Tefik Basha, Sabile Keçmezi-Basha, Albina Balidemaj-Basha dhe Beni i vogël, duke provuar vozitjen me fiaker, Vjenë, 2019
Nga 1441 dhoma që përbëjnë këtë pallat madhështor, vetëm 45 janë të hapura për vizitorët, por çdo hapësirë e këtyre 45 dhomave të hapura është një dëshmi e pasurisë që ndodhet në to. Kur truri fantazon mbi këto dhoma, ndoshta mund të kuptojmë pak nga jeta e pasur dhe e lavdishme që kanë jetuar perandorët Habsburgë.
Përveç vetë pallatit, pasuria e Schönbrunn është e njohur edhe për shatërvanët e saj të bukur, statujat e mahnitshme, pemët dhe lulet që krijojnë një peizazh të pabesueshëm. Glorietta, një strukturë që dikur shërbente si dhoma mëngjesi për Franz Joseph, ofron pamje të jashtëzakonshme të Pallatit Schönbrunn dhe të gjithë Vjenës. Sot, në Glorietta mund të gjejmë një kafene që ruan frymën e kohës së kaluar.
Ne vazhduam të eksploronim çdo atraksion që ngjallte interesin tonë, duke ruajtur çdo përjetim në arkivin e kujtimeve tona si një pasuri të paharrueshme.
Belvedere, një tjetër kompleks madhështor i pallateve që përbëhet nga Belvedere i Epërm dhe i Poshtëm, portokallia, stallat dhe parku, është një kreacion arkitektonik që ngjall magji dhe histori. Ky kompleks u ndërtua si një rezidencë verore për princin austriak Eugene të Savojës, dhe pas vdekjes së tij në vitin 1736, kaloi në duar të vajzës së madhe të vëllait të tij. Në vitin 1752, Perandoresha Maria Theresa e bleu Belvederen, por kjo pasuri e bukur u la pas dore për një periudhë të gjatë.
Kthesa e vërtetë për Belvedere ndodhi në vitin 1770, kur ky vend u bë qendra e një topi të maskuar për të festuar dasmën e paralajmëruar të Princeshës Marie Antoinette me Louis XVI, mbretin e fundit francez. Ky eveniment i mrekullueshëm tërhoqi deri në 16,000 të ftuar, duke e mbushur këtë hapësirë me një shkëlqim dhe bujë të paharrueshme.
Disa vjet më vonë, Perandoresha Maria Theresa dhe djali i saj Joseph II e zhvendosën Galerinë Perandorake në Belvederen e Epërm dhe e hapën atë për publikun në vitin 1781, duke krijuar kështu një nga muzetë e parë publikë në botë. Ky ishte një hap i rëndësishëm në historinë e artit dhe kulturës.
Megjithatë, vetëm 15 vjet më vonë, muzeu u mbyll dhe Franz Ferdinand, trashëgimtari i fronit, u zhvendos në Belvedere. Pas vrasjes së tij dhe rënies së Monarkisë Habsburge, si dhe përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Belvedere u shpall pronë kombëtare, e përkthyer si pronë e Galerisë Shtetërore.
Sot, Belvedere është një thesari i artit, që strehohet koleksioni më i madh i artit austriak dhe kryeveprat e artistëve të famshëm ndërkombëtarë si Monet dhe Van Gogh. Koleksioni austriak përfshin veprat e mrekullueshme të Gustav Klimt, Egon Schiele dhe Oskar Kokoschka.
Në Belvedere të Poshtme dhe portokalli, ekspozohet arti bashkëkohor, ndërsa në stallat e mëparshme perandorake ruhet një koleksion i artit mesjetar. Më shumë se një muze, Belvedere është gjithashtu një hapësirë që mban dasma dhe festime të tjera, duke ruajtur një lidhje të bukur mes të kalueshmes dhe të përjetshmërisë.
Në shtratin e këtij qyteti të mrekullueshëm, Kuarti i Muzeve shtrinë një hapësirë të pasur që përfshin më shumë se 90,000 m² dhe është një labirint i artit bashkëkohor, duke pritur me krahë hapur 60 institucione kulturore. Ky kompleks është një prej lagjeve më të mëdha për artin bashkëkohor, një mrekulli e artë që ndriçon qytetin me krijimtari dhe frymëzim. Megjithatë, koha e shkurtër e ndalesës sonë nuk na dha mundësinë për ta eksploruar këtë oazë të kulturës dhe pasurisë artistike.
Në qendër të Vjenës, pranë shtëpisë së operës, ndodhet Muzeu Albertina, një tempull i arteve që përmban mbi një milion objekte të çmuara. Aty janë të ekspozuara krijime të maestrove të mëdhenj si Pikasos, Mikelanxhelos, Renoir, Leonardo da Vinci dhe Klimt. Ky muze është një thesar i vërtetë, një nga më të vizituarit në Vjenë, që kërkon gjithashtu një periudhë të gjatë për të siguruar një biletë, duke reflektuar kështu popullaritetin dhe rëndësinë e tij.
Ndërsa ne shëtisnim dhe gëzonim bukuritë e parkut të Vjenës, ndërtesa e Parlamentit, e njohur si Reichsratsgebäude, qëndronte krenare në horizont. Ky monument i madh, një nga simbolet më të fuqishme të Vjenës moderne, është një nga ndërtesat më të mëdha dhe më monumentale në Ringstrasse. Me më shumë se 13,500 m², ajo ngre krenare strukturën e saj historike, duke akomoduar sot Parlamentin austriak dhe dy dhomat e tij: Këshillin Kombëtar (Nationalrat) dhe Këshillin Federal (Bundesrat).
Pallati, që ndodhet në qendër të ringut historik të Vjenës, është një testament i epokës së Perandorisë Austro-Hungareze. U ndërtua për të përmbushur nevojat e Parlamentit të pjesës austriake të monarkisë së Cislajtania pas ndryshimeve kushtetuese. Me më shumë se njëqind dhoma, përfshirë sallat madhështore për seancat e Këshillit Kombëtar dhe Federal, dhe peristilin që shërben për ceremonitë speciale, ky pallat është një vend ku historia dhe arti bashkohen në një harmoni të jashtëzakonshme. Zyrat e zyrtarëve të shumtë të Parlamentit janë të shpërndara në ndërtesat përreth, si pallati Epstein, duke e bërë këtë kompleks një qendër të gjallë dhe dinamike të jetës politike dhe kulturore të Vjenës.
Pallati qëndron si një epitomë e ngjarjeve dhe festave të rëndësishme, një vend ku dhomat e shumta për komisionet parlamentare, bibliotekat e pasura, hollët, dhomat e ngrënies, dhomat e gjumit, bare dhe sallat për tubime më të vogla shërbejnë si skenë për ceremonitë shtetërore më të larta. Në këtë pallat ndodhin momentet e mëdha të kombit, si betimi solemn i Presidentit të Republikës së Austrisë dhe fjalimi i tij në Ditën Kombëtare më 26 Tetor.
Krijuar me mjeshtëri ndërmjet viteve 1873 dhe 1883 nga arkitekti danez Theophilus von Hansen, më vonë shtetas austriak, ky pallat është një shembull i ndritshëm i arkitekturës historike. Në stilin e një tempulli antik, me kolona korintike dhe elementë të lashtë të arkitekturës, ndihmon të mbajë ndjesinë e grandeurit dhe solemnitetit të një periudhe të lashtë. Skulptura të shumta, të krijuara nga skulptori Edmund Hellmer, zbukurojnë muret dhe rampat e hyrjes, duke shtuar një dimension të jashtëzakonshëm estetik.
Një ndikim i rëndësishëm në paraqitjen e këtij pallati të lavdishëm kishte industrialisti dhe mbrojtësi i artit Nikolaus Dumba, me origjinë greke. Pjesë e projektit të Theophilus Hansen ishte dhe pallati Zappeion i parlamentit grek në Athinë, një tjetër shenjë e krijimtarisë së tij. Guri i themelit për këtë ndërtesë të re u vendos më 2 shtator 1874, dhe pas një periudhe të gjatë ndërtimi, seancat e para plenare të dy dhomave të parlamentit të ri u mbajtën më 4 dhjetor 1883.
Ndërmjet viteve 1883 dhe 1918, gjatë monarkisë austro-hungareze, kjo ndërtesë ishte e njohur si Ndërtesa e Këshillit Perandorak (Reichsratsgebäude), duke strehuar Dhomën e Lartë të Parlamentit dhe Dhomën e Përfaqësuesve. Në periudhën e Republikës së Parë Austriake, ndërmjet 1934 dhe 1938, ajo u quajt Shtëpia e Legjislacionit Federal (Haus der Bundesgesetzgebung), si shtëpia e dy dhomave të Republikës: Këshilli Kombëtar dhe Këshilli Federal.
Në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore, më 7 shkurt 1945, bombarduesit britanikë dhe amerikanë goditën rëndë peristilin qendror, duke shkatërruar kolonat dhe shembur çatinë. Kjo tragjedi bëri që ndërtesa të kalonte një periudhë të gjatë në rinovimin e pas luftës.
Pas shijimit të bukurive të këtij monumenti të madh dhe eksplorimit të atraksioneve të tjera turistike, u kthyem në hotel. Të nesërmen, pasi blemë dhurata për nipat tanë në Prishtinë, u nisëm me veturën tonë të besueshme dhe u rikthyem në Budapest. Pas dy orësh fluturimi, ne ateruam në Prishtinë, duke mbyllur kështu një udhëtim të paharrueshëm.