Col Mehmeti
Edhe sot ushton jehona e thirrjeve qysh shqiptarët, turqit e të tjerët janë vllazën që i përbashkon besimi. Homofetarësia, pra, përdoret si lubrifikant me e krijue imazhin mitik të nji harmonije edenike mes popujsh që na u paska bâ copë e grimë vetëm kur u hangër molla e ndalueme.
Nuk shahet nacionalizmi kështu në ajër, nuk shahet nacionalizmi i të fortëve, por shahet, si gjithmonë, targeti i lehtë, veç kur shqiptari i çel sytë me idenë kombëtariste! Le ta shohim me nji dorë shembujsh sa i “dëshiruem” ka qenë shqiptari mesatar në Lindje, në Orient!
Në nji pamflet të shkruejtun në vitin 1910, shkrimtari turk Ahmed Hilmi bânte thirrje postemocionale qysh shqiptarët, kurdët e çerkezët duhet me hjekë dorë prej nacionalizmit tu mos e harrue vllaznillakun me turq (sic!).
Nëse e përimtojmë kaleidoskopin social të kohës del që n’Stamboll e gjetkë kutërbonte bigotria kundërshqiptare që shërbehej me klishe, stereotipe e paragjykime.
Disa vjet para se kryeministri infamoz serb, Vladan Gjorgjeviq, t’i quente shqiptarët si «lëkurkuqtë e Evropës», nji gazetar xhonturk veç kishte bâ krahasime të tilla derogatore.
Fjala âsht për Hüseyin Cahit (1875-1957), botues i gazetës «Tanin». Nji rival i tij na e paska akuzue Hüseyin Cahit-in se âsht shqiptar.
Pason përgjigjja mohuese e këtij të fundit ku betohej para lexuesve se as prindërit dhe as të afërmit nuk dinin asnji fjalë shqip. I mërdhezun, ai shkroi tyrkçe:
«Bugün nasıl bir zenci ya da kırmızı derili bir Amerika yerlisi değilsem, Arnavut da değilim» (Përkthimi: Nuk jam shqiptar e as zezak a lëkurkuq i Amerikës)
Bash në po të njejtin vit, Riza Nur (përndryshe nji nga bashkëpuntorët ma të ngushtë të Ataturkut) kallxon me mburrje qysh nuk âsht martue me njí femën të bukur veç pse ajo ishte shqiptare.
Dromca si këto, sado të hapërdame, ndriçojnë mikrokozmosin aspak dashamirës ndaj shqiptarëve n’Stamboll, urrejtjet e fobitë që sendëzoheshin në politikën privuese dhe përjashtuese që u përcoll nga Perandoria Osmane në agun e Turkisë moderne.