POETESHA SHQIPTARE IRMA KURTI BOTOHET NË AMERIKË

0
Irma Kurti - One day you will tell me

Libri me poezi i titulluar “One day you will tell me” mban logon e Shtëpisë Botuese Southern Arizona Press

Irma Kurti është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara në shtete të ndryshme të botës

Nga LORENZO SPURIO
Poet dhe kritik letrar

Irma Kurti Poetja Irma Kurti (foto) boton në Amerikë librin me poezi “One day you will tell me” (Një ditë do t’më tregosh). Ky botim vjen pas botimeve të fundit në Kili dhe në Serbi. Përmbledhja poetike mban logon e shtëpisë botuese Southern Arizona Press në Amerikë me botues Paul Gilliland. Ky është libri i katërt i Kurtit që botohet në SHBA pas I knew the gray sky (2014, Unë njoha qiellin gri), Under my blouse (2015, Nën bluzën time), Without a homeland (2019, Pa atdhe).

Parathënia është shkruar nga kritiku letrar Lorenzo Spurio, kurse imazhi i kopertinës
është i fotografit italian Biagio Fortini. Vitin e kaluar kjo vepër u botua në gjuhën italiane me titullin “Un giorno mi racconterai” nga Shtëpia Botuese Akademia Barbanera.

Irma Kurti është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara në shtete të ndryshme të botës. Librat e saj, përveçse në Shqipëri, janë botuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Rumani, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun, Indi, Kili dhe Serbi. Ajo është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 75 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali e Zvicër, shumë prej të cilave kanë qenë çmime të para. Ka shkruar rreth 150 tekste këngësh dhe është pjesëmarrëse në festivale të muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut.

Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.

Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Italiane. Në vitin 2021 është nderuar me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali.

Po ashtu, i janë akorduar çmimet “Leonardo da Vinci”, 2021 dhe “Giacomo Leopardi” nga Shoqata Kulturore “Chimera” në Leçe. Në vitin 2022 u nderua me çmimin “Ambasadore Europiane” për arritje të rëndësishme në fushën e letërsisë si dhe “Poetja më e mirë e vitit”. Në të njëjtin vit emërohet Ambasadore për Shqipërinë nga Akademia e Arteve dhe Shkencave Filozofike në Bari. Iu dha titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve. Është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë. Një libër i pasur me jetë, me emocione dhe imazhe…

Kam vite që ndjek me interes të pashtershëm dhe kuriozitet të madh veprimtarinë poetike të Irma Kurtit për të cilën kam pasur rastin të shprehem edhe më parë. Për mua është nder që të mund të shfletoj faqet e çmuara të njërit prej librave të saj të rinj. Aq të pasur me jetë, me emocione, me imazhe që shikojnë me pasion drejt një të kaluare që largohet gjithnjë e më tepër nga një përditshmëri fluide.

Poetika e Irma Kurtit është e vëmendshme ndaj veçanësisë të situatave, ndaj imazheve që kanë forcën t’i sjellin në mendje kujtime të gjalla, të këndshme për t’u kujtuar, si një fllad ajri, por në të njëjtën kohë edhe të dhembshme, pasi zbulojnë distancën nga e djeshmja e shkujdesur dhe gati hyjnore, e jetuar në plotësinë e ndjenjave dhe në shoqërinë e figurave të dashura siç janë prindërit, të cilëve u është dedikuar përmbledhja poetike. Nëse është e vërtetë që mbizotëron një ndjenjë melankolie e thellë dhe e dhembshme (edhe pse iluzore), nga ana tjetër këto krijime janë mjeti i preferueshëm me të cilin Poetja – edhe sot – është në gjendje të mbajë gjallë këtë lidhje me të dashurit e saj. Prani të pazgjidhshme në ekzistencën e saj, të cilat banojnë kudo dhe kurdo, në çdo vend ku ajo jeton.

Siç është vënë re edhe në ndonjë libër tjetër, imazhi i prindërve skicohet jo vetëm në momentet e qetësisë me të cilën ata rrethoheshin në një epokë lumturie, kur jeta rridhte normalisht pa shqetësime të veçanta, por edhe në momentet më të vështira që poetja i kujton me një përzierje trishtimi dhe mllefi, si në lirikën kushtuar nënës së saj të dashur: “Rrugët zgjateshin përpara teje,/ pa fillim e fund, ndërsa ti rrekeshe / të mblidhje copëzat e mbetura / të dëshirave të tua që veniteshin / si re të bardha, tej në muzg”. Vetë poezia bëhet, pra, ndjenja e kohës dhe ngjyroset gradualisht nga imazhet e vuajtjes për shkak të dhembjes së përjetuar nga sëmundja e njerëzve të afërt të saj, nga gulçimet për arratisje e dëshira për të shpresuar, por edhe nga përshkrimi i kujdesshëm i mjediseve, rrethanave, ndryshueshmërisë së kohës dhe stinëve.

Gjithçka tregon me saktësi ndryshimin e kohës, ikjen e papërmbajtshme të saj, që na bën ta zbulojmë veten si qenie të brishta, kalimtare, gjithnjë në ndryshim, të nënshtruara ndaj situatave të vështira njerëzore të shkëputjes, zisë, mungesës. Janë – për ta interpretuar sipas Arnold Van Gennep – momentet në të cilat një qenie me vetëdije përpunon kalimin nga një fazë në tjetrën, kur jo rrallë zonat kufitare, përfaqësojnë shpesh përvoja të zymtësisë dhe konfuzionit, të jetuara në një vetmi të theksuar dhe në kërkim të ethshëm të arsyeve që, për fat të keq, nuk mund të identifikohen.

Megjithatë, libri paraqet një larmi tematike mjaft të gjerë, që e bën të këndshëm dhe bindës për lexuesin. Rizbulojmë ndjenjën e nostalgjisë për atdheun (“Dua të shpëlaj trupin atje ku/ rrjedh me vrull një ujëvarë” dhe pastaj sërish “Ne kishim detin pranë / na mjaftonte fare pak/ që në duar të mbanim një dallgë.”) por edhe vështrimin mbi hallka ekzistenciale kanonike që e vendosin njeriun në situata të pakapërcyeshme e në dilema të pazgjidhshme (“Kush do të të shoqërojë në ëndrrat e tua, / […] / kur unë të mos jem më në këtë jetë?”).

Poetesha reflekton edhe mbi vlerën autentike të fjalës dhe lehtësinë e të thënit që shpesh shpalos ndërtime verbale hipokrite (“askush nuk u beson fjalëve të tyre/ as ata që i kanë shkruar me pasion”) shenjë e një realiteti në të cilin ekziston një hendek i papajtueshëm midis të thënit dhe kuptimit dhe ku duket se bëhen protagonistë moskomunikueshmëria e plogështia, edhe brenda botës së ndjenjave që duhen mbrojtur me zjarr. E gjitha kjo vihet në kontrast me një gjuhë metafizike, të përjetshme, të përbërë nga tinguj të perceptuar në brendësi, nga dialogë dhe ndijime të pathëna që e afrojnë Poeten me njerëzit e dashur, një lloj ultratingujsh të pakapshëm për shumicën që forcon, megjithatë, në heshtje, një lidhje dashurie që nuk tretet kurrë, as me vdekjen (“Forca e mendimit tënd do të më sjellë tek ti / për të venitur të gjitha trishtimet”).

Irma Kurti, e cila është një poete e thellësisë, në përvijimin etimologjik të fjalës “poezi”, e tregon veten si një grua e vëmendshme dhe e pasionuar në gjurmimin në letër, falë vështrimit gjenial dhe krijimit që e mbështet atë, të imazheve, formave e ndryshimeve që na bëjnë të pyesim veten dhe na magjepsin…: “Rrëketë e shiut do t’i mbledh në duar/ si pellgje të vegjël plot me ujë / rrufetë do t’i shndërroj në llamba / rrrugën ta ndriçojnë sonte kur ti të kthehesh tek unë”.

Marrë nga Nacional

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.