🇦🇱 KOMANDANT TELI – LEGJENDË SHQIPTARE 🇦🇱

0
Komandant Teli

Nga Kolec P. Traboini

Me 8 gusht 2001 ra me tradhti prej segmenteve të Shtabit të UÇK-së në bashkëpunim me policinë sllavo-maqedonase, në një shtëpi të Gazi Babës kryetrimi i luftës së shqiptarëve në Iliriadë, Komandant Teli – Lefter Lutfi Koxhaj, bashkë me luftëtarët e njësitit të tij “Teli-69”, Ndriçim Koxhaj, Pajtim Roçi, Arben Bajrami e Abaz Beqiri dhe me pas Adem Asani.

Edhe sot e kësaj dite kjo tradhti ka mbetur enigmë, por veç një gjë është e deklaruar që tradhtia ka ardhur nga segmentet e Shtabit të cilët i sakrifikuan e tradhtuan djemtë e masakruar nga frika se u dështonin bisedimet që atë kohë zhvilloheshin në Ohër, çfarë përfundoi me vrasjen e djemve natën në gjumë pasi i kishin helmuar dhe firmosjen e Marrëveshjes së Ohrit, cila më shumë se paqen gjysmake na kujton Tradhtinë e Madhe.

Komandant heroik Teli, ka mbetur i gjallë në mendjen e zemrën e shqiptarëve
atdhetarë që mendojnë e punojnë për Bashkimin Kombëtar. Lavdi të përjetshme djemve që luftuan për ideale të mëdha kombëtare. Ideali i tyre le të vlojë në zemrat e të gjithë brezave të sotëm e të së ardhmes. Atdheu është kudo ku flitet shqip, kudo u është derdhur gjak shqiptar, e kudo ku pushojnë eshtrat e të parëve tanë.

Lefter Koxhaj lindur në Nishovë, Berat më 22 shtator 1969 dhe vrarë më 8 gusht 2001 në Shkup. Kishte luftuar edhe në Kosovë e në Preshevë. Në vitin pranverë 2001 iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare që luftonte kundër forcave ushtarake maqedonase. Më që kishte punuar teknik armësh në uzinën ushtarake të Poliçanit, duke qenë një njohës i efikasitetit të armëve, çfarë e ndihmonte të kishte shumë sukses në ndeshjet luftarake kundër forcave maqedonase.

Ka drejtuar një njësit special për aksione të emëruar njësiti 69, mesa duket viti 1969 ka qenë viti i lindjes së tij. I shquar veçanërisht në luftën disa ditore të Haraçinës ku forcat maqedone pësuan humbje të mëdha dhe u tërhoqën në panik.
Me 8 gusht 2001 u vra me tradhti në Gazibabë të Shkupit nga forcat speciale maqedonase ku po flinte në shtëpinë e Muzafer Halimit me 5 bashkëluftëtarët e tij. Rreth 600 forca maqedonase rrethuan shtëpinë ku po flinte Teli dhe rreth orës 1 të natës hapën zjarr pa paralajmërim. Maqedonasit vrasjen e Telit e cilësuan si suksesin më të madh të tyre.

Lufta e 2001 përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit. Më 25 prill 2011 me vendim qeveritar Lefter Lutfi Koxhaj u shpall Dëshmor i Atdheut.
Këtu keni një episod të luftës së Komandant Telit në Haraçinë pjesë e një libri që po shkruhet.

🇦🇱 KOMANDANT TELI DHE FLAMURI NË HARAÇINË

Ngjarje e jetuar

Një Flamur dhe një Hero. Koha i solli të dy në Haraçinë në një nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Beteja e Haraçinës i bashkoi edhe heroin edhe flamurin në një simbolikë me dimensione kombëtare. Flamuri kishte një histori të gjatë nëpër kryeqytetet e Evropës. Heroi asokohe ishte ende fëmijë, ndoshta jo më shumë se dhjetëvjeçar diku në fshatrat e Skraparit kur flamuri shqiptar me shqiponjën e zezë dykrenore kish nisur të valëvitej në demonstratat e shqiptarëve nën thirrjet “Kosova Republikë”.

Në vitet `90 ndodhën shumë ngjarje që do të shkruhen në histori. Me ardhjen e lirisë në Kosovë, Flamurit i kishte ardhur koha të qëndronte në familjen Abazi në Haraçinë. Ishte Flamuri i familjes, i krenarisë së saj si një vatër me tradita shqiptare.

Pranvera e vitit 2001 erdhi me luftëra në trevat shqiptare në Maqedoni. Jo vetëm njerëzit por edhe flamuri si simbol i identitetit kombëtar u përfshi në këtë luftë.

* * *

Në fillim në Haraçinë u shfaq Teli me njësitin e tij special për të vëzhguar e pastruar terrenin. Më pas erdhën trupa të tjerë të UÇK-së dhe Haraçina u shpall zonë e lirë.

Armiqtë u përpoqën disa herë ta merrnin Haraçinën duke përdorur tërë arsenalin e ushtrisë. U përdorën armët më moderne. Tanket dhe avionët u vërsulën si të çmendur mbi atë Haraçinë që për nga shkalla e rezistencës po krijonte një legjendë. Ministri i brendshëm, Lube Boshkovski kishte deklaruar se duhej t`i bënin gati një kafe që ta pinte triumfator kur të mbërrinte në Haraçinë. Por ky ministër kriminel nuk e piu dot kafenë në Haraçinë. Në vend të kafesë e pritën me plumba. Aq e madhe ishte rezistenca e luftëtarëve sa nuk bënin punë as tanket e avionet.

Në një nga ditët e luftimeve më të ashpra, Komandant Telit iu plagos luftëtari më trim në njësit, Arben Bajrami. Sulmet e armiqve ishin të furishme dhe rrezikohej të çahej mbrojtja. Për të shpëtuar situatën Komandant Hoxha i dha urdhër Telit që bashkë me njësitin e tij të bënte një tërheqje taktike për të ruajtur forcat, por ai nuk u tërhoq. Përgjigja e tij qe: – “Vetëm më sillni armatim se po mbaron. Nuk i lë armiqtë të kalojnë veç mbi trupin tim”.

Dhe armatimi erdhi. Madje erdhën edhe disa forca të reja të freskëta nga njësiti Skënderbeu. Veç ta shihje atëherë komandant Telin. I ngulur aty në llogore ai luftonte si një luan. Shokët e tij e shihnin dhe nuk u besonin syve. Tek shihnin Telin që luftonte atyre ju mbushej shpirti me besim. Atje ku ishte komandanti kishte vetëm fitore.

Ndërkohë që në frontin përballë duke e parë se nuk po përparonin asnjë pëllëmbë tokë në Haraçinë kishte nisur paniku. Të vrarët ishin të panumërt. Por as që mund t’i tërhiqnin trupat e të vrarëve sepse zjarri që lëshonte Teli dhe njësiti i tij ishte i tmerrshëm. Dhe erdhi një çast kur trupat sulmuese që kishin ardhur me aq pompozitet, sapo u përhap fjala se përballë në front kishin Komandant Telin, i thërritën me zë të lartë njëri-tjetrit “Begaj begaj ide Zhica (Ikni, ikni se po vjen Teli”).

Gjatë ditëve të luftimeve kishte dhe situatë armëpushimi për tërheqjen e të vrarëve. Por ishin të shumta edhe situatat e tensionuara kur predhat binin kahmos si shi i metaltë. Kaq i furishëm ishte sulmi i forcave qeveritare sa dikush hapi fjalë paniku sikur luftëtarët e dërrmuar kishin ngritur flamurin e bardhë për dorëzim. Komandant Teli atëherë doli përballë ushtarëve të vet e u tha “Jo, nuk jemi dorëzua e as dorëzohemi për të gjallë”.

Komandant Teli kishte parë në shtabin e improvizuar në një shtëpi një flamur, pikërisht flamurin e familjes Abazi që kishte kaluar nëpër tërë Europën dhe në Luftën e Kosovës.

“Ky është territor i lirë. Këtu do të valëvitet flamuri ynë kombëtar.”- tha komandant Teli. Dhe urdhëroi komandantin e policisë ushtarake të Brigadës 114 Jahi Vishticën, të ngrinte Flamurin e kuq me shqiponjë dykrenore. Dolën Jahi Vishtica, Xhezmi Nebiu dhe Baki Abazi dhe e vendosen flamurin. Gjatë gjithë ditëve të betejave flamuri kombëtarshqiptar qëndroi në ballë të Haraçinës.

Armiqtë që ishin vendosur përballë e kishin halë në sy atë flamur dhe meqë nuk arrinin të çanin frontin e mbrojtjes së luftëtarëve të UÇK-së, menduan të përdornin ndonjë mënyrë djallëzore për t`ua ulur frymën luftarake. Nisën disa forca speciale me qëllim që ta rrëmbenin flamurin e kuq me shqiponjën e zezë, pastaj atë rrëmbim ta trumbetonin si një fitore, sikur shqiptarët ishin tërhequr në panik dhe kishin lënë jo vetëm të vrarë, por kishin braktisur edhe flamurin kombëtar.

Ne realizim të planit djallëzor filluan të qëllonin me breshëri në distancë mbi flamurin. Qëlluan aq shumë e pa ndërprerje dhe prisnin që me t`u rrëzuar flamuri nga shtylla, të lëshonin forcat speciale për ta rrëmbyer. Një ushtar e njoftoi Komandant Telin se ç’ po ndodhte në hyrje të Haraçinës: – “Armiqtë po duan të na rrëmbejnë flamurin.”

Djemtë ushtarë të UÇK-së u përpoqën disa herë por ishte e pamundur të afroheshe pranë shtyllës ku qe vendosur flamuri për shkak të breshërisë së plumbave të forcave qeveritare.

Por erdhi një çast që flamuri u shkëput dhe ra. Ndërkohë Komandant Teli erdhi me një frymë në vendin ku po luftohej për një flamur. Pa edhe disa forca speciale në frontin përballë që nisën të përparonin drejt vendit ku kishte rënë flamuri. Atëherë ju tha luftëtarëve të vet ta mbështesnin. Filloi një zjarr në të dy krahët. Nuk kish më kohë të mendohej se çfarë duhej bërë. Nuk e pa të udhës të urdhëronte ndonjë nga djemtë të shkonte të merrte flamurin në mes të breshërive të vdekjes.

I pa shokët në sy. Kish një dashuri aq të madhe të Komandantit për ushtarët e vet. Jo ai nuk mund të sakrifikonte asnjërin prej tyre. Shpëtimi, ushtari i tij trim që kish luftuar në Kosovë dhe në Luginë të Preshevës ishte vetëm 21 vjeç, të tjerët po ashtu.

Si e vrojtoi terrenin me kujdes krejt papritur, me një shpejtësi e shkathtësi që vetëm ai mund ta bënte, Komandant Teli iu afrua shtyllës ku kish rënë flamuri. Shokët e njësitit nuk e reshtën zjarrin për të mos i lënë armiqtë të qëllonin mbi komandantin. Në këtë terren luftimi vdekja ishte e sigurt, por Komandant Teli nuk e kishte frikë vdekjen.

Përmes plumbave që vërshëllenin, me flamur mbështjellë pas gjoksit ai erdhi tek bashkëluftëtarët. Kishte djem luftëtarë që ju mbushën sytë me lot. E përqafonin komandantin e tyre dhe mendonin se ish njeri me flatra. Njeri që nuk e zë as plumbi pushkës dhe as predha e topit.

Forcat qeveritare përballë, kur e panë se flamuri tanimë ishte në duart e luftëtarëve të UÇK-së, reshtën së qëlluari. Ishte krejt i kotë harxhimi i municioneve.
Përpjekje për t`u marrë simbolin shqiptarëve kishte dështuar.

Tek e përqafonin komandantin e tyre ushtarët e njësitit vunë re se flamuri kishte marrë disa plumba. Armiqtë kishin dashur të vrisnin edhe Flamurin, por nuk mundën. As Haraçinën nuk e morën dot, as kafenë nuk arriti ta pinte në këtë vend ministri i brendshëm i shtetit.

Në Haraçinë valonte flamuri i lirisë, flamuri i shqiptarëve, simboli i shpirtit të tyre të pamposhtur.

Për të mos dalë të turpëruar në përpjekjen e tyre të dështuar armiqtë hapën fjalë me lajmin e rrejshëm se vetë shqiptarët e kishin ulur flamurin në Haraçinë dhe në vend të tij kishin vënë një flamur të bardhë kapitullimi. Mirëpo askush, madje as të huajt, nuk besonin që kjo të kish ndodhur. Tani që forcat luftarake shqiptare nga Haraçina e kishin fare afër Shkupin, u mor si një kërcënim serioz. Madje që andej komandanda e UÇK-së deklaroi se nëse nuk do të tërhiqeshin forcat qeveritare nga sulmet në Likovë e Mateç, do të bombardonin edhe aeroportin ku kishin zënë vend avionët luftarakë qeveritarë.

Nuk shkoi shumë dhe vëzhguesit e huaj vunë re se avionët luftarake qeveritare u ngritën e morën rrugën për në aeroportin e Ohrit, larg zonës së luftimeve. Por edhe trupat qeveritare u tërhoqën nga sulmet në zonën Likovë e Mateç, ku forcat e UÇK-së ishin nën presion e të rrezikuara. Ultimatumi i luftëtarëve shqiptare kish bërë efektin e vet në Shkup, por edhe qarqet diplomatike evropiane u bindën se shqiptarët në betejën e Haraçinës kishin triumfuar, duke gjunjëzuar shtetin megaloman që shpërfillte, shtypte dhe masakronte qytetarët e vet.

Të huajt bënë çfarë ishte e mundur për ta shpëtuar shtetin që po gremisej në luftën etnike dhe bënë presion mbi shqiptarët që të tërhiqeshin nga Haraçina në shkëmbim të një armëpushimi të qëndrueshëm, por që kurrë nuk u respektua nga forcat qeveritare.

* * *

Mbas luftës, Flamuri me shenja plumbash, që e mbrojti dhe e shpëtoi Komandant Teli, vazhdoi të qëndrojë në familjen Abazi në Haraçinën heroike, atje ku u zhvillua beteja më e lavdishme e shqiptarëve që tronditi themelet e një shteti megalloman.

Kur bëhen luftëra vriten e plagosen luftëtarët, por vriten e plagosen dhe flamurët.

© Copyright Traboini 2012-2025

Nuk lejohet ribotimi i këtij materiali letrar në median e shkruar apo elektronike pa lejen e autorit.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.