Zgjedhje po, zgjidhje jo

0
Kuvendi Kosovë

(Reflektim mbi papërgjegjësinë politike të deputetëve tanë)

Arif Ejupi Në Kosovë, zgjedhjet e rregullta Parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt të këtij viti. Mirëpo, sa herë që përfundon numërimi i votave, fillon numërimi i krizave të reja.

Fituesit sillen si humbës që nuk dinë ç’të bëjnë me fitoren, ndërsa humbësit sillen si fitues që nuk dinë të pranojnë humbjen.

Parlamenti është shndërruar në barrikadë bllokimesh politike, ndërsa Qeveria në një fantazmë institucionale. Votuam në dimër, e siç duket, po na zë vera pa Parlament funksional dhe pa Qeveri të konstituuar.

Derisa qytetarët planifikojnë pushimet, politikanët kalkulojnë pazaret e radhës për poste dhe ndikim.

Takimet e njëpasnjëshme, kinse për konstituimin e Legjislativit dhe të Ekzekutivit, deri më tani kanë qenë vetëm lojë politike. Në sfond krijohej përshtypja se marrëveshjet ishin afër, por në realitet, rezultati çdoherë përfundonte 0 me 0.

Në këto maratona të neveritshme dhe monotone nuk shihet asgjë serioze, përveç retorikës dhe lakmisë për pushtet.

Mbase nuk gaboj kur them se mazhoranca nuk po ngutet për të marrë përgjegjësi qeverisëse, nga frika e ballafaqimit me vendime të rënda, që pashmangshëm do të krijonin pakënaqësi te elektorati.

Ndërsa opozita, dikur në pushtet, nuk mund të flasë me integritet për luftën kundër korrupsionit, nepotizmit dhe keqpërdorimit të pushtetit, kur vetë është e zhytur në këto dukuri.

Kjo rrëmujë politike i shkon për shtati Listës Serbe, një subjekt që historikisht ka penguar funksionimin demokratik të shtetit. Ajo ka punuar dhe punon hapur kundër sovranitetit të Kosovës.

Nga mosmarrëveshjet e partive tona më së tepërmi përfiton Lista Serbe. Ajo forcon ndikimin e saj përmes bojkotit dhe bllokadës.

Mirëpo, përgjegjësia për këtë nuk është vetëm e brendshme. Bashkësia Ndërkombëtare mban një pjesë të madhe të fajit.

Duke ditur se drejtuesit e kësaj Liste kanë kryer veprime që bien ndesh me ligjin dhe rrezikojnë sigurinë dhe integritetin territorial të vendit, ajo duhej të kërkonte përjashtimin e saj nga skena politike, në përputhje me legjislacionin vendor dhe standardet ndërkombëtare.

Tolerimi i vazhdueshëm nuk është neutralitet, por stimulim në heshtje.

Në këtë situatë absurde, habit fakti se disa propozojnë zgjedhje të reja, pa marrë parasysh koston financiare që ato i sjellin buxhetit të Kosovës.

Në një vend ku ka zgjedhje, e s’ka zgjidhje, çdoherë fitojnë ata që duan mjegull dhe rrëmujë.

Loja e papërgjegjshme e atyre që morën votën e popullit fare lehtë mund të çojë në zemërim qytetar dhe në humbje të shpresës për ditë më të mira.

Andaj, nuk duhet të çuditemi që Kosova po mbetet pa të rinj, sepse loja me ta ka filluar kaherë.

ARIF EJUPI
Gjenevë, 14 qershor 2025

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.