Lutfi Coka
Një autobus i mbushur me udhëtarë po udhëtonte qetësisht drejt destinacionit. Ndërkohë, moti pëson ndryshim dhe fillon të bjerë shi, i shoqëruar nga erëra të forta, bubullima e vetëtima. Udhëtarët vënë re se vetëtimat dukeshin sikur vijnë e i afrohen autobusit, për tu larguar më pas më tej. Pasi kaloi pak kohë në këtë gjendje, shoferi i autobusit hapi krah dhe ndaloi mjetin disa metra larg një peme.
Ai u kthye nga pasagjerët dhe u tha:”Më dëgjoni me kujdes! Me ne këtu në autobus është një person të cilin e kërkon vdekja medoemos. Të gjithë ne jemi dëshmitarë të shumë vetëtimave që na kanë kaluar shumë pranë. Kam frikë se për shkak të atij personi po rrezikohet një autobus i tërë me njerëz. Prandaj dua që secili nga ne, një e nga një, të zbresë nga autobusi, të shkojë tek pema përballë, ta prekë me dorë dhe të kthehet sërish. Personin të cilin e kërkon vdekja do e godasë rrufeja mu tek pema, ndërkohë që të tjerët do të shpëtojnë! Kjo është zgjidhja e vetme për këtë tmerr dhe panik ku ndodhemi! Po ju, çfarë mendoni?!”
Të gjithë kishin frikë, por në fund pranuan.
Personi i parë që ishte ulur në sedijen pas shoferit u detyrua të ngrihej dhe të nisej drejt pemës.
Gjithë frikë ai hidhte hapat drejt pemës së vdekjes. Zemra i rrihte fort sa më shumë që i afrohej asaj peme.
Ndodhej një hap larg pemës, duart i dridheshin, zemra gati sa nuk i dilte vendit dhe frymëmarrjen e kishte shumë të shpeshtë. Nuk donte t’ia dijë për shiun dhe erën.
Zgjati dorën dhe preku pemën i pushtuar nga frika, por asgjë nuk ndodhi. Buzëqeshi dhe gjithë gëzim rendi drejt autobusit.
E njëjta gjë ndodhi dhe me udhëtarët e tjerë, njëri pas tjetrit, derisa i erdhi radha personit që qëndronte në fund të autobusit.
Të gjithë i ngulën sytë gjithë inat, sikur i hakërreheshin për faktin se kishte qenë ai që kishte rrezikuar jetën e gjithë të tjerëve. Të gjithë sikur donin ti thoshin:”Çfarë paske bërë more delenxhi?! Kujt i ke hyrë në hak kaq shumë?!”
Sakaq udhëtarin në fjalë e mbërtheu paniku dhe nuk donte të zbresë. Por vështrimet gjithë inat dhe gatishmëria e pasagjerëve të tjerë për t’iu hedhur në fyt, e detyruan të ngrihet dhe me hapa të ngadaltë të zbresë nga autobusi. Ai u nis drejt pemës ndërkohë që i dukej se zemra do i dalë vendit nga frika.
Në mendje i vinin familjarët, të cilët do të qanin ndarjen e tij nga jeta, por edhe fundin e tij tragjik. Kushedi sa në turp do të ndiheshin.
Iu afrua pemës dhe e preku me duart që nuk i kontrollonte.
Në çast, një bubullimë e madhe e shoqëruar nga një vetëtimë verbuese mbuluan vendin.
Ktheu kokën dhe pa autobusin të përfshirë nga flakët.
Po, vetëtima kishte goditur gjithë autobusin, duke u marrë jetën të gjithë pasagjerëve me shoferin brenda.
Vetëtima nuk e kishte goditur më parë autobusin për shkak se brenda tij kishte qenë ky njeri, të cilin nuk e kërkonte vdekja. Ai duhej të dilte jashtë autobusit, e më pas vetëtima do të bënte të sajën.