– Parathënie –
“Sa gjë e vështirë është proza. Kurrë nuk është e gatshme, gjithmonë mbetet diçka për t’u përpunuar. Prapë mendoj se mund t’i jepet fuqia e vargut. Fjalia e mirë në prozë duhet të jetë si ndonjë varg i mirë, e pandërrueshme, po ashtu ritmike, po ashtu tingëlluese”.
Gustav Flober
Dukuria e llojeve letrare
Llojet dhe nënllojet letrare, qoftë të letërsisë gojore, qoftë të letërsisë së shkruar, s’janë asgjë tjetër pos mënyra të ndryshme që i kanë menduar, i kanë përdorur dhe i përdorin shkrimtarët për të komunikuar artistikisht me veten dhe me të tjerët, përkatësisht për t’i shprehur dukuritë e jetës dhe të botës së brendshme përmes tekstit dhe të ndikojnë estetikisht në marrësin. Llojet letrare, aq sa shprehin mëvetësinë e tyre, po aq janë të gërshetuara dhe dëshmojnë afërsinë dhe ngjashmërinë me llojet e tjera. Kufij të prerë midis tyre as s’kanë ekzistuar as nuk do të ekzistojnë[1].
Këtë gjë e kushtëzon para se gjithash gjuha poetike, të shprehurit poetik, që është i qenësishëm dhe i përbashkët për të gjitha llojet letrare, qoftë për ato që synojnë të ruajnë mëvetësinë e llojit, siç ndodhi qindvjetsha me radhë, fjala vjen, me përrallën, qoftë ato për që synojnë afrimin dhe gërshetimin më të ndieshëm me llojet e tjera; e kushtëzon shumësia e mesazheve poetike që del prej tekstit, e bukura që përftohet përmes strukturës gjuhësore shprehëse, nga se, siç thotë dhe Prend Buzhala, “E Bukura asnjëherë nuk humb nga shkëlqimet e saj të pafund… deri tek përmasat e Të Pashprehmes!”
Llojet letrare jo vetëm e përligjin në mënyrën më të mirëfilltë e më të thellë natyrën, mëvetësinë, pasurinë dhe shumësinë e të shprehurit poetit të artit të fjalës, po njëherit shprehin ndërliqësinë dhe mundësitë e parëndomtë të ndikimit estetik në marrësin.
Veçantia e gjinive – llojeve letrare nuk ndodh vetëm në tri format kryesore të të shprehurit poetik, siç i përcaktoi studiuesi gjerman, Emil Shtaiger (Stajger) në veprën e tij “Grundbegriffe der Poetik” – Termat bazë të poetikës (nëntitulli “Von Grund der poetischen Gattungsbegriffe”, të botuar më 1946): Lyrisch, episch und dramatisch (lirike, epike dhe dramatike[2]), po dhe në nënllojet letrare, që janë përftuar dhe janë zhvilluar në rrjedha kohore të ndryshme.
Madje, studiuesi i njohur, Cvetan Todorovi thekson se llojet letrare lidhen edhe me periudhën e caktuar: “Brenda çdo periudhe gjinitë formojnë një sistem; ato mund të përkufizohen vetëm në relacionet e tyre reciproke. S’do të ketë më gjini unike „tragjedi”: tragjedia do të ri përkufizohet, në çdo moment të historisë letrare, në raport me gjinitë e tjera bashkekzistuese[3].
Se afritë dhe përkimet e llojeve të ndryshme letrare janë të natyrshme, madje të pashmangshme, dëshmohet dhe nga mendimi i njërit ndër stilistët më të shquar të prozës, Floberit, i cili theksonte se mbasi i jepte prozës së tij përmasën poetike të poezisë, vërente se i mbetej ende punë për ta pasuruar e lartësuar atë poetikisht. (Shih mendimin e tij më krye të punimit).
Në këtë rrjedhë po sjell dhe një mendim të studiuesit polak, Sławinski-t, që është përpjekje e mirëfilltë për të përcaktuar ndryshimin midis poezisë dhe prozës si forma të rëndësishme të ekzistimit të artit të fjalës, letërsisë, po njëherit dhe dëshmi e pamundësinë që ato të përcaktohen në mënyrë të prerë: “E kundërt me shprehjen vjershore, në të cilën mund të dallohen pjesë kuptimesh, që krijojnë lidhje më komplekse në të gjitha nivelet e njësive linguistike […], në shprehjen narrative këto mund të dallohen vetëm në nivelin e fjalisë. Tërësitë semantike të fjalisë paraqesin madhësi elementare nga të cilat gjatë zhvillimit të kumunikateve të prozës pasojnë ‘njësi të shumta kuptimore’.
Këtij relacioni pozitiv të fjalive i përgjigjet raporti i tyre negativ ‑ pengimi i pjesëve më të vogla autonome […] ato nuk lejojnë që të konstituohen njësi kuptimore të nivelit më të ulët, ose nuk u mundësojnë, përkatësisht i shtyjnë në gjendjen e pontencialitetit. – Për dinamikën kuptimore të veprës poetike duket se është karakteristike tejdukshmëria e njësive më të mëdha linguistike në raport me ato më të voglat […] Sekuenca poetike, sikur në tekstin e vet, e bën të pranishme strukturën e elementeve gjuhësore, nga të cilat përbëhet ‑ e gjithashtu edhe në rrafshin kuptimor. Në komunikatin rrëfimor prozaik vepron tendenca e kundërt: segmentet e rrafshit më të lartë absorbojnë segmentet e rrafshit më të ulët, të cilët mjegullohen, bëhen transparentë për tërësi më të mëdha kuptimore[4]”.
Ajo që u tha më lart lidhet pandërmjetësisht dhe me prozën poetike si forma letrare, që u përdor dhe u pasurua nga një varg autorësh të huaj dhe tanë, dhe dëshmohet edhe përmes vëllimi “Ujëvarë shpirtësie” të Prend Buzhalës me proza poetike të zgjedhura.
Proza poetike si formë është e ndërlidhur ngushtë me tregimin e shkurtër dhe midis tyre është e pamundur të caktohet kufiri i sakët. Duke e pasur këtë parasysh mund të them se, edhe tregimi i shkurtër, edhe proza poetike e shkruar e përligjin në mënyrë të mirëfilltë tekstin poetik. Të dyja rrënjët i kanë në kallëzimin dhe në anekdotën gojore, që në rrjedhë të shekujve u zhvilluan dhe u bartën përmes procesit të gojëshmërisë.
Përmes këtyre dy formave – tregimit të shkurtër dhe prozës poetike dëshmohet mirëfilli arti i madh dhe mundësia e ndikimit estetik të tekstit poetik në marrësin, pikërisht ashtu siç thoshte Lasgush Poradeci ynë për poetin: “[…] poeti duhet të jetë kursimtar i madh në fjalë, të thotë maksimumin e ndjenjave me minimumin e fjalëve[5]”.
Duke folur për veçantitë e tregimeve të Çehovit, Tomas Manit (Mann) pati thënë: “[…] Ndaj llojit të tillë letrar sikur kemi ndjerë njëfarë urrejtje, duke mos kuptuar që atëherë se fuqia e gjeniut mund të përmblidhet edhe në lëvoren e arrës. Ende s’e kam pasur të qartë se tregimi me qartësinë dhe me koncizitetin e tij mund të përfshijë thelbin dhe esencën e jetës dhe të nxitë te ne admirimin më të madh. Dhe kështu në dukje vepra e vogël për nga fuqia e vet mund t’i kalojë edhe romanet më të mëdha, të ngritur deri në re, romane të mëdha të cilët gjatë kohës pashmangshëm zbehen, pa hetuar, kalojnë në bezdi të ëmbël dhe harrohen”[6].
Në këto dy lloje të shkurtra të prozës rëndom bëhet objekt trajtimi poetik një ngjarje ose një çast jetësor i përcaktuar, një dukuri, një ide ose shprehet një tipar ose një mëdyshje. Që në fjalitë e para preket çështja ose dukuria; s’ka gërshetime ngjarjesh, as degëzime (retardime); përdoret stil i ngjeshur e shprehje e kursyer. Me tekstin përkatës, me strukturën gjuhësore shprehëse synohet të përligjet shumësia sa më e madhe kuptimore[7].
Proza poetike që të pushtojnë me artin e pasur
Gjithë ajo që u tha lidhet pandërmjetësisht me prozat poetike të vëllimit “Ujëvarë shpirtësie”, po dhe ndihmon që të flitet më me bindje, më përafërt dhe të ndriçohen disa nga vlerat e tekstit të tyre poetik.
Prend Buzhala ka vite që i krijon tregimin dhe prozën poetike. Përcaktimi i tij t’i krijojë këto dy forma të shkurta të prozës nuk është i rastit nga se ato ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme që me pak tekst të shprehet sa më shumë mendime dhe të mund të bëhet ndikim më i fuqishëm në marrësin.
Të dy këto lloje – forma poetike dëshmojnë një kursim të pazakonshëm të leksikut, të tekstit. Pra, sasia e tekstit (kuantiteti) duhet ta zëvendësohet me një gjuhë poetike cilësore, ku çdo fjalë e shprehje të ketë ngarkesë sa më të madhe kuptimore; lidhjet, përkimet, kundërvënien ose kundërshtimet të shprehen në forma sa më të dendura e në rrafshe të ndryshme, në mënyrë që marrësit t’i hapen mundësi dhe shtigje sa më të shumta për të vijuar edhe më tej zgjerimin dhe përimtimin e kuptimësive të mundshme të tekstit.
Me pak fjalë: në tekstin e tregimit të shkurtër e të prozës poetike s’ka fjalë e shprehje të tepërta, prandaj po hoqe dhe një të tillë, vërehet zbrazëtia, ndihet mangësia. Në vend të ngjarjes e të rrëfimit të zgjatur, mbipeshojnë kumtet dhe pamjet poetikisht të pasura që të pushtojnë me artin e tyre.
Natyrisht, kjo veçanti kushtëzon që dukuritë që bëhen objekt vështrimi poetik të shprehen në thellësinë e tyre përmes të shprehurit poetik.
Realiteti që krijohet në to është realitet poetik, realitet i fjalëve dhe i shprehjeve, realitet i ndërtuar përmes gjuhës poetike. Ai ekziston si i tillë vetëm në tekst dhe mund të bëjnë ndikimin e shumëfishtë. Në të vërtetë, realiteti i përftuar në këto krijesa poetike të përfshira në “Ujëvarë shpirtësie” është përfytyrues, realitet imagjinativ. Ndodh kështu për arsye se përfytyrimi dhe imagjinata mundësojnë që liria e hartimit të tekstit, e pamjeve poetike të shkojë, të thuash, deri në pafundësi.
Është ajo që thoshte Flober-i se po shkruante një libër që do të qëndronte falë të shprehurit gjuhësor, pamjeve që krijohen dhe mesazheve poetike që dalin prej tekstit: “[…] libër që s’ka asnjë lidhje me realitetin e jashtëm, libër që do të qëndronte vetëm me fuqinë e brendshme të stilit, sikur toka që qëndron pezull dhe nuk e mban asgjë”.
Kjo ngjet edhe në këto proza poetike të Prend Buzhalës, ku përmes tekstit poetik ndërtohet realiteti i mëvetësishëm, i kundërt dhe i përmbysur në krahasim me atë konkret, po që nxit dhe kushtëzon një komunikim shumë gjallërik e të fuqishëm nga se del si pasurim, si një dytësi e realitetit konkret:
Kur e zhyti dorën në ujët e lumit, iu duk se po kridhej nëpër pamjet e një realiteti, nëpër sipërfaqen e tij. Mandej, thellë e më thellë, dora u zhyt te pamjet e shtëpive, bjeshkëve, rrugëve, dhe u ndal te një shtëpi e braktisur. I pëlqeu kjo lojë me sipërfaqen e lumit, në të vërtetë me sipërfaqen e realitetit. Kur u drudhën valët e lumit, u shkërmoq edhe realiteti. U bë grimca-grimca. Qenie njerëzore qenkan, pëshpëriti më vete, ani se dukeshin si shpirtra të gjallë që lëviznin nëpër hapësirat bosh të errësirës së nëndheshme. Shtëpia fluturonte nëpër re, rrugët fundoseshin diku nën sipërfaqen e tokës, shndërroheshin në rrugë të nëndheshme, nëpër të cilat lëviznin kreatyra të panjohura.
Mandej ngjanin në shpirtra të errësirës, shpirtra të vdekur. (Realiteti po jepte shpirt)
Për të pasur një pasqyrë sado të përafërt se cilët janë objektet poetike të vështruara në këto proza të Prend Buzhalës (të ndara në katër grupime: Në kërkim të vetvetes, Ëndrrat shakullina të heshtura, Vrunduj psherëtimash dhe Etja e vatrës), po përmend pak prej titujve: Dritarja sa një sy; Nga ëndrra më zgjon buzëqeshja jote; Ta lexosh mendimin e pemës; Në anën tjetër të fundit të kohës; Fytyrat prej pluhuri; Hapësira e zbrazë e shpirtit; Deri te ai çasti i zbrazëtisë; Psherëtimë bari; Përqafimi i lules me gurin; Mbreti i syrit të hyjit; Qielli i zgjuar te një fije floku; Midis asgjësë dhe zbrazëtisë; Pëshpërima e rrufesë është fjala jote; Pëshpërima e rrufesë; Emri me kokrriza rëre; Qiellit i mungonin lotët.
Realiteti që autori e përfton në këto proza poetike ngjizet dhe me realitetin e ëndrrës, që nënkupton zbatimin e lirisë së të shprehurit dhe të shqiptimit të dukurive e të mendimeve; përftimin e tablove të rralla dhe poetikisht të pazakonshme; mendimet sa degëzohen e shtrihen në vijën vertikale, po aq në atë horizontale ose në të njëjtën kohë ngjasin në të dy përmasat. Kjo ndodh edhe me kohën; në to edhe ajo përligjet e gjithkohëshme; është subjektive që, po ashtu, u jep teksteve mëvetësi dhe vlerë.
Më vjen në ëndërr e nga ëndrra më zgjon buzëqeshja jote, nga hareja jote. Sytë e tu i ngjajnë diellit. Dhe ai shkëlqim sysh lëshon rreze.
Erdh dhe kjo Pranverë, pa Syrin Tënd e pa Buzëqeshjen tënde. Qe pesëmbëdhjetë herë.
Oh, jo, jo! Unë e shoh Syrin Tënd Pranveror dhe Buzëqeshjen Tënde Diellore. (Nga ëndrra më zgjon buzëqeshja jote).
* * *
S’ka gjë, shtegtar je, me derdhje ëndrrash në emër të kërkimit. Ti nuk dëshiron të kthehesh. (Rrëfim për një shtegtar…)
* * *
Dikush e tha: jeta nuk është një lule vjollce në shtrat. Jeta e tillë bëhet lule e tharë, e vyshkur. Dhe një peizazh i tërë, me pyje të mjegullt, labirintesh të panumërt, shfaqet në ndërgjegjen tënde. Pyje të ndërgjegjes.
Kur del te bregu, e sheh një tjetër pengesë. Dhe e sheh se si ky Breg i haresë, mbytet në Bregun e Pikëllimit. (Shpata e dritës)
Realiteti i njëjtë krijohet edhe kur Prend Buzhala përsiat për atdheun, për fatin e njeriut tonë, për vendlindjen dhe vatrën. Kjo mënyrë e të shqiptimit na bën ta shohim atdheun dhe dukuritë që lidhen me të në mënyrë tjetër, tejet të veçantë, po që na afrojnë e na njësojnë me to në mënyrë sa të natyrshme, aq dhe të fuqishme.
Sa herë të kam parë me sytë e shpirtit, o Atdheu Im! Të kam parë e përfytyruar me mijëra trajta të gjakimeve. Te ti i blatuam kalvaret tona, vuajtjet, peshën e mendimeve.
S’ka rrugë që nuk na shpie te ti,
s’ka rrugë që nuk i ka pikat e gjakut të plagëve tona,
s’ka lumë, det a oqean që nuk e ndien trandjen që ua shkakton ti, me dhembjet tona, të shpërndara nëpër të gjitha limanet e pritjes nëpër botë,
s’ka shteg që nuk i bart plagomat tona të shpirtit nëpër stacionet e aeroportet e rruzullimit. (Loja e historisë)
Ngjashëm ndodh dhe me realitetin, ku shprehet dashuria, shprehet e dashura dhe drama në jetën e njeriut ose ndonjë dukuri tjetër.
E gjeta Çelësin e Jetës për t’i zgjidhur trishtimet e misteret që më mundojnë, të gjitha mundimet e mospërfilljet, sfidat, gverret dhe mospajtimet.
Është ai Çelësi i Dashurisë, valë dashurie që shtrihet pakufishëm, e hapet, e hapet. Ky qenka ai misteri i lumturisë që nuk e gjen kurrë edhe kur e kërkon. (Me një valë dashurie që hapet e hapet).
* * *
Lutju kësaj dite, hidh përsipër vetes mbulesën e saj të pa njollë, e virgjër. Ja, edhe pak arrin tek Bregu i Përjetshëm, me vete ke mburojën e tij. Dërgoje, si mblatë, një Tufë të amshueshme, të padallueshme nga syri njerëzor. Është thjesht një Tufë Dashurie, me kokrrat e arta të shpirtit. (Vello e pacenuar e jetës)
* * *
Në mbyllje të parathënies po theksoj se libri “Ujëvarë shpirtësie” me proza poetike të zgjedhura dëshmon mirëfilli se Prend Buzhala edhe me këtë lloj – formë të të shprehurit poetik e pasuroi prozën tonë, siç veproi dhe në fushën e poezisë dhe të kritikës letrare, të studimit të çështjeve dhe të veprave letrare të veçanta.
Prishtinë, janar – shkurt 2024
ANTON NIKË BERISHA
[1] Shih për dukuritë e ndryshme letrare në librin tim Çështje teorike të letërsisë. Faik Konica, Prishtinë 2006, f. 139 – 142.
[2] Emil Staiger, Grundbegriffe der Poetik. Deutscher Taschenbuch Verlag. Müncen 1971, f. 148.
[3] Shih Osvald Dykro & Cvetan Todorov, Fjalor enciklopedik i shkencave të ligjërimit. Përktheu nga frëngjishtja Dr. Rexhep Ismajli. Rlindja, Prishtinë 1984, f. 215 – 216.
[4] Shih Janusz Sławinski, Semantika narativnog iskaza. Shih Zdenko Škreb, Metaforičnost terminologije znanosti o književnost: Zatvorena i otvorena forma. Në “Umjetnost riječi”, god. XXI, br. 1-3, Zagreb 1977, f. 205.
Përkthimi im nga kroatishtja.
[5] Petraq Kolevica, Lasgushi më ka thënë…Shënime nga bisedat me Lasgush Poradecin. Botimi i dytë i plotësuar. “Toena”, Tiranë 1999 f. 82.
[6] Toman Man, Për Çehovin. Në “Ese dhe shkrime të tjera”. Përgatitur nga Piro Misha. Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1986, f. 125.
[7] Shih veprën e përbashkët me Labinot Berishën Ligjërime rreth tekstit letrar poetik. “Faik Konica”, Prishtinë 2017, f. 175.