Prof. Dr. Haki Kasumi
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha “Top Sekret – Dëshmitë për keqtrajtimet dhe deformimet e SHSHS të Jugosllavisë në Kosovë (1945-1966)”, botoi Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë 2024
Disa ditë më parë, kolegia ime, Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, mu lutë që të lexoja dorëshkrimin e librit të saj me titullin intrigues, “Top Sekret – Dëshmi për keqtrajtimet dhe deformimet e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Jugosllavisë në Kosovë 1945-1966”. Me një ndjenjë kureshtjeje të thellë, e mora librin dhe e lexova pa pushim. Që në fillim, titulli më tërhoqi vëmendjen për natyrën provokuese të tij, dhe më tej, më shtyu të zbuloj se çfarë të dhënash fshiheshin në brendësinë e këtij libri.
Mbeta thellësisht i impresionuar nga struktura e librit dhe përmbajtja e tij, e cila është punuar me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe me një seriozitet që reflekton peshën e temës. Libri është i ndërtuar nga dokumentet e kohës, të cilat, të cilësuara si “Top Sekret”, zbulojnë periudhën kur UDB-ja jugosllave, për çdo veprimtari të shqiptarëve në Kosovë, i kategorizonte si aktivitete ilegale dhe antishtetërore. Për pasojë, masat represive që merreshin ndaj popullatës shqiptare ishin antiligjore dhe plotësisht të padrejta, duke synuar shtypjen dhe frikësimin e një kombi të tërë.
Libri voluminoz i Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha përbëhet nga shtatë kapituj, ku secili prej tyre sjell një sërë dokumentesh që zbulojnë me kujdes ngjarjet dhe faktet deri në vitin 1966, apo siç njihet Plenumi i Brioneve. Autorja e ndan periudhën e sundimit të Rankoviqit nga viti 1953-1966, por edhe në veprat e saj të mëparshme sugjeron se edhe pas kësaj kohe, politika e tij nuk u zhduk plotësisht nga Kosova. Dokumentet arkivore dëshmojnë se arrestimet, ndëshkimet dhe burgosjet e shqiptarëve vazhduan edhe pas 1966-ës, por në forma më të sofistikuara dhe më të maskuara.
Që nga viti 1945, organet e ndjekjes dhe hetuesit jugosllavë ishin vazhdimisht të pranishëm në Kosovë, duke torturuar, burgosur dhe dënuar me vite të gjata burgu shqiptarët e pafajshëm. Qëllimi ishte i qartë: të shpërngulnin sa më shumë shqiptarë nga Kosova dhe ata që mbeteshin, t’i detyronin të pranonin me nënshtrim dorën e fortë të pushtetit.
Autorja e librit Prof. Dr. Keçmezi- Basha, pas Plenumit të Brioneve, mbajtur më 1 korrik 1966, thekson se një valë hulumtimesh të thella zbardhin një të vërtetë të hidhur: politika e emërimeve në organet e Sigurimit Shtetëror ishte monopolizuar nga një grup individësh të fuqishëm. Dhe për dy dekada, Rankoviqi dhe Stefanoviqi kishin pasur dorë në përzgjedhjen e udhëheqësve të këtij institucioni. Me kontrollin absolut mbi Shërbimin e Sigurimit, ata kishin shkelur në mënyrë flagrante kufijtë e autoritetit të tyre, duke ndërhyrë në jetën personale dhe profesionale të funksionarëve dhe duke shfrytëzuar pushtetin për përfitime personale.
Në kapitujt e librit, ky keqpërdorim i UDB-e nxirr në pah tendencën e tyre për të mbajtur një kontroll të hekurt e të rreptë mbi institucionet e shtetit, duke deformuar strukturën politike dhe administrative. Në këtë kontekst, deformimet në Shërbimin e Sigurimit Shtetëror, si në nivel të Jugosllavisë, e më shumë në ate të Kosovës, ishin të thella dhe të përhapura. Grupi i Rankoviqit përdori taktika burokratike për të minuar marrëdhëniet ndëretnike në të gjithë territorin jugosllav, duke krijuar tensione dhe ndasi. Veçanërisht në Kosovë, këto deformime u përjetuan me intensitet të lartë, duke sjellë një shqetësim të thellë ndër udhëheqësit politikë vendas.
Më vonë autorja vazhdon duke theksuar se pasojat e këtyre deformimeve u ndien në çdo aspekt të shoqërisë, përfshirë ideologjinë, kulturën, artin, shkencën dhe letërsinë. Në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, deri në vitin 1953, kishte një prani të konsiderueshme të kuadrove shqiptare në Shërbimin e Sigurimit të Kosovës. Por me kalimin e kohës, ky përfaqësim u zbeh ndjeshëm, duke u reduktuar në vetëm 13.33%. Shumë prej këtyre kuadrove u larguan për shkak të dyshimeve mbi besueshmërinë e tyre, ndërsa të tjerë u transferuan në pozita të tjera brenda strukturave të Sigurimit Shtetëror.
Dhe me këto të dhëna, libri i autores na ofron një pasqyrë të qartë se si një grup udhëheqësish mund të deformojë strukturat e një shteti dhe të cenojnë të drejtat e një kombi të tërë përmes kontrollit të pakufizuar dhe abuzimit me pushtetin.
Profesoresha e nderuar thekson se deri në Plenumin e IV të Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, Sigurimi Shtetëror në Kosovë kishte hapur 22,038 dosje personale, ndër të cilat 240 ishin për figura politiko-shoqërore. Këto dosje përfshinin katër anëtarë të Komitetit Qendror të LKJ-së të kombësisë shqiptare dhe 16 anëtarë të Komitetit Krahinor, si dhe një numër të madh punëtorësh politiko-shoqërorë, nga sekretarët e organizatave punuese deri te deputetët e kuvendeve të ndryshme. Këto veprime, që ngjanin me një rrjet të madh survejimi, kishin si qëllim kontrollin dhe nënshtrimin e elitës shqiptare.
Sigurimi Shtetëror kishte adoptuar një strategji të qartë për të paraqitur Kosovën si një rajon të turbullt, duke sugjeruar se çdo ditë ekzistonte rreziku i një ngjarjeje që do të kërcënonte zhvillimin e Kosovës dhe Jugosllavisë. Kjo narrativë e qëllimshme kishte për qëllim justifikimin e masave të ashpra dhe represive që zbatohej në këtë krahinë. Raporti vjetor i Sekretariatit Krahinor të Punëve të Brendshme i vitit 1965 përmendte se “dukuri të rrezikshme irredentiste po manifestoheshin te shqiptarët, shpesh në forma legale, madje edhe te punëtorët politiko-shoqërorë të shquar”. Sipas raportit, këto mendime irredentiste depërtonin jo vetëm në sferat publike dhe politike, por edhe në shkolla, në programet mësimore, dhe në prodhimet shkencore, duke ndikuar në marrëdhëniet ndërmjet individëve.
Qëllimi dihej se, këto veprime të Sigurimit ishin të orientuara për të diskredituar dhe shkatërruar kuadrot shqiptare të afta, të cilët ishin të verifikuar dhe të angazhuar për të përfaqësuar interesat e popullit të tyre. Një shembull i qartë i deformimeve të rënda ishte aksioni i mbledhjes së armëve në Kosovë gjatë dimrit të viteve 1955-1956, një operacion i planifikuar dhe miratuar nga qarqet e Sigurimit Shtetëror të Krahinës, Republikës, dhe Federatës. Ky aksion nuk ishte vetëm një akt represiv, por një përpjekje për të frenuar dhe kontrolluar më tej popullin shqiptar, duke i dhënë mesazhin se çdo formë e qëndresës apo kërkese për të drejta kombëtare do të shtypej me forcë.
Kështu, në këtë periudhë, Sigurimi Shtetëror jo vetëm që përjetësoi një atmosferë frike dhe shtypjeje, por edhe deformoi vetë bazën e marrëdhënieve ndërnacionale dhe të drejtat e shqiptarëve, duke i paraqitur si armiq të shtetit dhe socializmit.
Aksioni i mbledhjes së armëve, i cili u trajtua në Plenumin e VII të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, u shfaq si një nga ndërhyrjet më të diskutueshme të Sigurimit Shtetëror. Ndërsa zyrtarisht thuhej se aksioni ishte organizuar pa dijen dhe pëlqimin e Komitetit Krahinor, ndërsa realiteti ishte shumë më i ndërlikuar. Ky operacion, unikal në gjithë Jugosllavinë, gjeti mbështetje nga Komiteti Krahinor dhe organizatat e Lidhjes së Komunistëve vetëm në kuadrin e mbledhjes së armëve të paligjshme. Megjithatë, zbatimi i këtij aksioni kaloi të gjitha kufijtë e pranueshëm dhe shkelte rëndë kompetencat e organeve të Sigurimit Shtetëror. Metodat e përdorura ishin jashtëzakonisht të dhunshme, duke përfshirë rrahjet brutale dhe format ekstreme të torturave.
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, në librin “Top Sekret- Dëshmitë për keqtrajtimet dhe deformimet e ShSHS të Jugosllavisë në Kosovë (1945-1966), tërë këtë periudhë të errët, e thekson se shumë individë të pafajshëm u torturuan rëndë, me qëllim që të gjunjëzoheshin dhe të mbilleshin frikë. Dhe si pasojë e krejt kësaj ishte se, një numër i madh shqiptarësh humbën jetën nga këto trajtime çnjerëzore, disa të tjerë u detyruan të vetëvriteshin, ndërsa të tjerët u detyruan të emigronin për të shpëtuar, duke kaluar kufijtë e Kosovës e madje edhe të Jugosllavisë. Përmasat e këtij operacioni ishin të mëdha, duke përfshirë 30,000 shqiptarë të maltretuar dhe mbi 100 persona që humbën jetën si rezultat i torturave të ashpra.
Një aspekt tjetër tragjik i kësaj periudhe ishte shpërngulja masive e shqiptarëve drejt Turqisë. Ky fenomen, i lidhur ngushtë me politikat e Sigurimit Shtetëror, kërkon një analizë të thellë për të zbuluar prapavijën e tij të vërtetë, thotë autorja. Emigrimi i shqiptarëve nuk ishte thjesht një zhvillim spontan, por rezultat i një strategjie të planifikuar dhe të manipuluar nga aparati i Sigurimit, i cili në këtë rast veproi në përputhje me interesat dhe politikat e Jugosllavisë borgjeze. Kjo dëshmon se aksioni i mbledhjes së armëve dhe shpërngulja ishin pjesë e një plani më të gjerë për të dobësuar ndikimin shqiptar dhe për të krijuar një situatë ku popullata shqiptare ishte e kontrolluar dhe e nënshtruar politikisht.
Marrëveshja e vitit 1938 midis Mbretërisë Jugosllave dhe Turqisë synonte një akt të thellë transformues në Jugosllavi, duke parashikuar shpërnguljen masive të 250,000 shqiptarëve drejt Turqisë. Ky plan për të ndryshuar strukturën demografike të popullsisë shqiptare kishte për qëllim dobësimin e ndikimit të tyre në Kosovë dhe në rajonet përreth. Megjithatë, ky projekt ambicioz u ndërpre nga zhvillimet dramatike të Luftës së Dytë Botërore dhe nga rezistenca e vendosur e shqiptarëve, të cilët kundërshtonin forcërisht idenë e largimit nga vendlindja e tyre.
Pas përfundimit të luftës, marrëveshja mbeti e paprekur deri në vitin 1951, kur palët nuk kërkuan më zbatimin e saj. Megjithatë, Sigurimi Shtetëror, një organ i frikshëm dhe brutal në kohën e pasluftës, ndonëse nuk mund të përmbushte direkt dispozitat e marrëveshjes, u përqendrua në taktika të tjera shtypëse. Në përpjekjen për të kontrolluar individë të ndershëm dhe intelektualë të spikatur, ata shpesh mbështeteshin në eliminime fizike ose, në raste të tjera, në përpjekje për të njollosur dhe diskredituar individë me ndikim. Këto masa ishin veçanërisht të përhapura ndaj rinisë shkollore dhe banorëve të zonave kufitare, ku presioni dhe dhuna ishin më të lehta për t’u realizuar.
Pas Plenumit të IV të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, që u mbajt më 1 korrik 1966 në Brione, ndodhi një ndryshim i rëndësishëm politik. Plenumi i dha jetë një procesi reflektimi dhe shqyrtimi të gabimeve të së kaluarës. Si rezultat, Sekretariati Krahinor i Komitetit të Lidhjes Komuniste të Kosovës formoi një komision special për të hulumtuar përgjegjësitë politike dhe individuale të anëtarëve të Komitetit Krahinor që kishin punuar në Shërbimin e Sigurimit Shtetëror. Ky komision duhej të hetonte dobësitë dhe deformimet që kishin përshkuar këtë shërbim, duke e kthyer atë në një organ represiv dhe të papërgjegjshëm.
Anëtarët e komisionit përfshinin figura të shquara të asaj kohe si Ilija Vakiqi, Sait Zatriqi dhe Blažo Ljutica, ndërsa herë pas here edhe politikanet si Ali Shukrija, Blažo Radonjiqi, Asllan Fazlija, Sinan Hasani dhe Kadri Reufi të cilët merrnin pjesë në punimet e tij. Komisioni filloi punën menjëherë pas caktimit të anëtarëve, duke u mbledhur në seanca të shumta gjatë muajve korrik, shtator dhe tetor të vitit 1966.
Në këtë periudhë intensive pune, komisioni kishte zhvillua biseda të gjera me personazhe të rëndësishme të UDB-es, si Mića Mijushkoviqi, Stanisllav Gërkoviqi, Shaban Kajtazi dhe Rajko Vidaqiqi. Përveç intervistave gojore, komisioni kërkonte edhe deklarata me shkrim nga këta individë, duke fiksuar dëshmitë e tyre mbi veprimtarinë e tyre në Shërbimin e Sigurimit. Gjithashtu, komisioni kërkonte deklarata nga figura të tjera, përfshirë Rrezak Shalën, një anëtar i rëndësishëm i Komitetit Krahinor që kishte shërbyer në këtë shërbim deri në vitin 1965.
Përmes këtyre dëshmive dhe hetimeve të shumta, autorja zbërthen një gamë të qartë të deformimeve të Sigurimit Shtetëror, duke treguar sesi ky organ ishte përdorur për të shtypur dhe eliminuar çdo rezistencë intelektuale, rinore dhe patriotike në Kosovë. Tregimet e këtyre dëshmive janë pjesë e një historie të dhimbshme dhe dramatike që tregon përballjen e individëve të pafajshëm me një makineri represive që kërkonte t’i thyejë ata fizikisht dhe moralisht.
Në këtë peizazh të errët politik, rezistenca e popullit shqiptar dhe vendosmëria për të mbijetuar përballë dhunës dhe shtypjes janë një testament i fuqishëm i forcës së tyre shpirtërore dhe aspiratave për liri.
Pas Plenumit të Brioneve të vitit 1966, ndonëse disa përpjekje u bënë për të zbutur kujtesën kolektive apo për të deformuar vlerësimet historike të kësaj ngjarjeje, rëndësia e këtij momenti mbetet e pamohueshme, sidomos për historinë e Kosovës. Ky Plenum, i cili shkaktoi valë të reja zhvillimesh politike dhe reformash në Jugosllavi, është i lidhur ngushtë me periudhat e dhunës, terrorit dhe ndjekjeve sistematike ndaj shqiptarëve, të cilat nisën pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe u intensifikuan në dekadat që pasuan.
Në periudhën mes viteve 1966 dhe 1981, shqiptarët përjetuan një ndjesi më të madhe lirie dhe një frymëmarrje politike më të lirshme, krahasuar me periudhën e ashpër dhe represive që parapriu Plenumin. Kjo periudhë u duk si një çast lehtësimi në horizontin politik të shqiptarëve në Jugosllavi. Reformat e ndërmarra pas Plenumit sollën një lloj hapjeje politike dhe rritje të autonomisë krahinore, duke krijuar një mjedis ku shqiptarët, për herë të parë pas një kohe të gjatë, mund të ndiheshin më të sigurt dhe të përfshiheshin në jetën institucionale dhe kulturore të vendit.
Në vazhdim, autorja thekson se kjo periudhë nuk duhet idealizuar. Ishte një gabim i madh të mendohej se shqiptarët ishin të liruar plotësisht nga tirania e një shteti që vazhdonte të ruante natyrën e tij policore dhe diktatoriale. Jugosllavia, edhe pas Plenumit të Brioneve, mbeti një shtet i ndërtuar mbi kontrollin e hekurt, dhe shqiptarët ishin ende objektivi kryesor i terrorit shtetëror. Strukturat e fshehta të sigurisë vazhduan të ushtrojnë presion ndaj shqiptarëve, duke përndjekur në mënyrë të pandërprerë intelektualë, aktivistë dhe të rinj që guxonin të shprehnin aspiratat e tyre kombëtare dhe kulturore.
Në këtë periudhë, ndonëse mund të thuhet se jeta u bë më e durueshme, nuk mund të mohohet se shqiptarët vazhdonin të jetonin nën hijen e një shtypjeje të pashmangshme. Dhuna nuk u zhduk, por mori forma më të sofistikuara dhe më të fshehta. Shumë nga veprimet e shtetit jugosllav ishin të mbështjella me një maskë reformash dhe modernizimi, por në thelb, ato nuk arritën të çlirojnë popullin shqiptar nga zinxhirët e një shteti që i konsideronte ata si një kërcënim të përhershëm për unitetin e tij. Në këtë kontekst, edhe pas një periudhe që dukej më premtuese, padrejtësia dhe represioni ndaj shqiptarëve vazhdoi të mbijetojë në format më të ndryshme.
Në një mënyrë të heshtur, terrori shtetëror vijoi të përhapte rrënjët e tij në shoqërinë shqiptare, duke kufizuar liritë dhe shpresat e një populli që, megjithatë, nuk rreshti së kërkuari të drejtën për të qenë i lirë dhe për të pasur një të ardhme më të ndritur. Plenumi i Brioneve shënoi një pikë kthese në histori, por nuk arriti ta ndryshojë thellësisht natyrën represive të regjimit jugosllav ndaj shqiptarëve, të cilët, edhe në këtë periudhë të “lehtësimit”, vazhduan të përballen me një shtet që nuk respektonte liritë dhe të drejtat e tyre themelore.
Krejt në fund, dua të shprehi përgëzimet dhe mirënjohjen tonë të thellë për Prof. Dr. Sabile Keçmezi, për përkushtimin dhe punën e saj të palodhur në ndriçimin e aspekteve të rëndësishme të historisë sonë. Përmes hulumtimeve të saj të vlefshme dhe të dhënave që na sjell, ajo ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e kujtesës historike, duke bërë që e kaluara jonë të mos harrohet, dhe, mbi të gjitha, të mos përsëritet më kurrë.
Shpresojmë dhe urojmë që Prof. Dr. Keçmezi- Basha të gëzojë shëndet të plotë dhe energji të pashtershme për të vazhduar rrugën e saj të jashtëzakonshme. Me përkushtimin e saj të palodhur, jemi të sigurt se ajo do të na sjellë edhe shumë libra të rinj që zbardhin të kaluarën tonë të dhimbshme, por njëkohësisht të lavdishme, duke mbajtur të gjallë shpirtin dhe dinjitetin e kombit tonë.