Më 7 qershor 2025, Shqipëria do të përballet me Serbinë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Për shumëkënd, kjo duket si një ndeshje e zakonshme në kalendarin sportiv evropian.
Por, për çdo shqiptar me kujtesë të gjallë historike, kjo ndeshje është një acarim i plagëve të hapura që ende kullojnë gjak.
FIFA dhe UEFA, si dy institucionet më të larta dhe më kredibile të futbollit, është dashur të tregojnë ndjeshmëri minimale historike dhe politike.
Në një kohë kur mbi 1.600 shqiptarë të Kosovës ende figurojnë si të zhdukur nga lufta e fundit – shumë prej tyre në varre masive në Serbi,përballja Shqipëri–Serbi, është jo vetëm e papërshtatshme, por moralisht e turpshme.
Si mund të flasim për “normalizim marrëdhëniesh përmes sportit”, kur ende nuk janë kthyer eshtrat e mijëra shqiptarëve të masakruar nga policë e paramilitarë serbë.
Në këtë rast të paprecedentë, Shqipëria është dashur të kundërshtojë fuqishëm përfshirjen e saj në të njëjtin grup me Serbinë, e jo të zgjedhë heshtjen.
Kjo ndeshje i shërben vetëm Serbisë, e cila përpiqet të mbulojë krimet e saj në fushën e futbollit.
Takimet sportive nuk mund të shërbejnë si fasadë për një barazi të rreme midis viktimës dhe agresorit.
Të mos harrojmë ndeshjen e 14 tetorit 2014, kur kombëtarja shqiptare u sulmua në Beograd. Lojtarët tanë u rrahën, u përndoqën nga forcat speciale serbe dhe asnjëherë nuk ka ndodhur një kërkimfalje zyrtare nga shteti serb.
Përkundrazi, atë atmosferë urrejtjeje e kanë promovuar figurat më të larta politike të Serbisë, si Vojislav Sheshel, i dënuar për krime lufte dhe Tomislav Nikoliq, atëherë president i vendit.
Në vend të reflektimit dhe kërkimfaljes, Serbia e shndërroi dhunën në krenari.
Presidenti aktual i saj, Aleksander Vuçiq, në prag të kësaj ndeshjeje i kërkoi trajnerit të kombëtares së tij, Dragan Stojkoviq, që “ta mundë Shqipërinë me çdo kusht”.
Kjo nuk është thjesht një dëshirë, por një mobilizim politik dhe nxitje e urrejtjes.
Edhe në deklaratat e mëhershme, shihet qartë se Vuçiq është vazhdues i politikës së Millosheviqit, vetëm me një petk tjetër.
Futbolli, në asnjë mënyrë, nuk mund të jetë më i rëndësishëm se drejtësia. Nuk mund të ketë sport mbi eshtra të paidentifikuar, mbi dhembje të pashëruara e mbi histori të pambyllura.
Shqipëria nuk është dashur të qëndrojë indiferente ndaj një çështjeje kaq të ndjeshme.
Ajo duhej të kishte reaguar dhe të kishte kërkuar përjashtimin nga përballjet me një shtet që ende glorifikon krimin dhe fsheh të vërtetën.
Kjo ndeshje nuk është shpresë për pajtim, është dëshmi e një heshtjeje të turpshme.
Dihet botërisht që UEFA dhe FIFA kanë ndaluar ndeshjet ndërmjet përfaqësueseve të vendeve me konflikte të hapura ose tensione të thella politike.
Rasti më i freskët është ai i Rusisë dhe Ukrainës, të cilat nuk lejohen të përballen në asnjë garë ndërkombëtare që prej aneksimit të Krimesë dhe fillimit të agresionit rus.
Po ashtu, Armenia nuk lejohet të luajë kundër Azerbajxhanit për shkak të konfliktit në Nagorno-Karabakh.
Edhe Spanja nuk është lejuar të përballet me Gjibraltarin për shkak të mosmarrëveshjeve territoriale.
Një tjetër rast domethënës është ai ndërmjet Turqisë dhe Qipros, të cilat nuk lejohen të përballen në gara zyrtare për shkak të ndarjes së ishullit që nga viti 1974.
Atëherë, si mund të eksperimentohet me Shqipërinë, kur motrat dhe vëllezërit e saj në Kosovë ende nuk i dinë varret e më të dashurve të tyre. Plagët e tyre janë ende të gjalla nga politika gjenocidale e Serbisë.
Kjo përballje nuk ndihmon paqen, përkundrazi, rrezikon dinjitetin e shqiptarëve kudo që janë.
Standardet e dyfishta dhe politizimi i skajshëm i institucioneve të futbollit ndërkombëtar lehtë mund të çojnë në ngjarje me pasoja të paparashikueshme.
ARIF EJUPI