Zymer Mehani
Poeti Sefedin Xhafolli, sa qe gjallë, i botoi gjashtë përmbledhje poetike, me të cilat u dëshmua si penë e spikatur për fuqinë krijuese, duke shtrirë mendimin prej të afërmes kah e largëta, prej të njohurës kah enigmatikja, prej të mundshmes kah e pamundshmja dhe prej reales kah fiktivja, gjithnjë duke evoluar me idetë e veta në trajta shkallëshkallshmërie të kuptimit.
Ky poet shquhet me stilin e tij unikat apo me mënyrën e vargëzimit, duke shpërfaqur preokupimet e veta specifike në interpretim të dukurive, gjithnjë brenda një estetizmi të projektuar qartë.
Në tërësinë e poezisë së tij, poeti Xhafolli s’domend se e vë edhe porosinë e tij, me elasticitet shprehës dhe me figurshmëri komplekse, duke e fuqizuar vargun dhe mendimin shprehës.
Specificiteti dhe origjinaliteti i strukturave poetike nga pena e poetit Sefedin Xhafolli është ndërtuar me maturi, duke i thënë mendimet me prezicitetin e sintaksës së zgjedhur, thjesht dhe kuptueshëm. Pikërisht konstruktet e tilla sintaktike janë vetë pasuria e gjuhës poetike të poetit në fjalë, në vëllim poetik “Varrosmëni vertikalisht”, sepse sapo të hasësh në vargjet e tij, ngazëllehesh nga thjeshtësia e shprehjes me bukurinë dhe elasticitetin e konstrukteve sintaktike.
Ritmi krejt unikat i realizimeve poetike të Sefedin Xhafollit në këtë përmbledhje poetike, vërtet është element i çmueshëm, madje edhe domethënës i vargut të tij. Intensiteti i mendimeve dhe i emocioneve, si dhe vrullshmëria e tyre na dhuron doemos katarzë të fuqishme gjatë aktit të leximit.
Në poezitë e vëllimit në fjalë, gjithnjë do të gjejmë pakënaqësi, idhtësi, por edhe krenari, ku poeti Sefedin Xhafolli do të vazhdojë të ravijëzojë karakteret e përbrendshme të njeriut, me virtytet apo me veset e tij, siç janë humaniteti, atdhetarizmi, trimëria, besa, miqësia (populli, punëtorët, pensionistët, ata që rrojnë me djersën e vet); grindja, përçarja, paftësia, tradhtia, hipokrizia, koprracia, smirëzia, maskarenjtë, narcisoidët, sekserët, gjuhë-helmësit, zemërzinjtë, trundryshkurit, servilët, gllabëruesit, hajdutët (pushtetarët e pandërgjegjshëm); gënjeshtarët, premtuesit e rremë, shkelësit e ligjit etj. etj. (fshikulluar në poezitë “Aftësia”, “Vota e gomarit”, “Një racë e re”, “1000 veta” etj).
Autori Sefedin Xhafolli përgjithësisht te të gjitha poezitë ia ka dalur që me një ironizim fshikullues dhe therrës të satirizojë të gjitha botëkuptimet, të metat, gabimet dhe makutërinë e pseudopolitikanëve të këtij nënqielli. Pra, mund të shprehemi se ky poet i ka zhvilluar me përpikëri harqet e veta të artit poetik, që është përcaktuar me sukses dhe ka zënë vend në horizontet e letërsisë shqipe përgjithësisht, e veçanërisht në poezinë tonë.
Poeti Sefedin Xhafolli do të kritikojë me vargjet e veta hipokrizinë, sidomos të pushtetarëve (poezia “Mos shkel”), servilizmin (poezia “Ferri dhe derri”), interesin (poezitë “Një tullë për atdhe”, “Biznismenët”), trundryshkurit (poezia “Budallai”) etj.
Autori Sefedin Xhafolli bën thirrje që njeriu të jetë i virtytshëm, sidomos ndaj kombit dhe atdheut. Te poezitë e veta ai do të përdor në vargje thumbimin e fishkullimin me fjalën artistike, që do t’i godasë njerëzit me vese (deputetë e pushtetarë të pandërgjegjshëm, por edhe këdo tjetër) dhe do t’i ironizojë e satirizojë pamëshirshëm, ashtu siç di ai me penën e tij majeprehtë:
krejt
racë e re
për ne
që s’di
ABC-e
që lufton
për pré
që varrosë
çdo hare
racë
e pafre
që nënë këmbë
t’ merr dhé
që t’ha t’ gjallë, me gjithë fole
(Poezia “NJË RACË E RE”)
Dhe fare në fund duhet përmendur se autori në fjalë e kupton me seriozitet rolin dhe detyrën e artistit (të poetit), ngase frymëzimin dhe lëndën i gjen duke kërkuar e hulumtuar problemet dhe çështjet e përgjithshme, me të cilat çdonjëri prej nesh preokupohemi vazhdimisht. Ai e ka këndin e vet të të vrojtuarit, nga i cili i shikon dhe heton anomali e deformitete të zhvillimit tonë individual e shoqëror, pa u mashtruar asnjëherë. Thënë poetikisht, ai nëpër zgavra i ka shikuar e hetuar problemet dhe çështjet dhe pastaj zëshëm i ka thënë ato që i ka menduar, duke na dhënë një pasqyrë krejt reale të aktualitetit:
…në shtëpinë
pa zot
hyn
trathtar
del patriot
hyn gjeni
del idiot
hyn
me gaz
del me lot
hyn mollë
del komp’ot
çon lule
mer barot
hyn sot
e s’del
n’mot
(Poezia “SHTËPIA PA ZOT”)
Poeti e bën shpalosjen e përbrendshme të njeriut si karakter, me virtytet e tij, siç janë humaniteti, atdhetarizmi, trimëria, besa, miqësia etj.
…imja
farë
s’ishin
barbarë
s’shkelën
t’huajën arë
më thotë
çdo venë
çdo damar
…bota e di
bota s’ha bar
kemi miq
bashkëmendimtarë
(Poezia “E MERITOJ”)
Në poezinë e poetit Sefedin Xhafolli hasim herë-herë edhe leksik popullor, frazeologji popullore të përdorur shumë saktë dhe me vend, si dhe nuanca të muzës së popullit, që e pasurojnë dhe ua shtojnë vlerën edhe më tepër vargjeve të tij.
Zymer Mehani, Podujevë, më 8 janar 2023