TRAKTET E LËVIZJES ILEGALE DHE REZISTENCËS SHQIPTARE ( 40 )

0
Traktet në Kosovë
Sabile Keçmezi-Basha
Sabile Keçmezi-Basha

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

FJALIMI NË DYSELDORF TË GJERMANISË, 1981

Kadri Zeka dhe roli i tij udhëheqës në organizimin politik të mërgatës shqiptare në Perëndim

Në historinë e lëvizjes kombëtare shqiptare në mërgatë, emri i Kadri Zekës zë një vend qendror, si një ndër figurat më të angazhuara dhe më vizionare të asaj kohe. Ai nuk ishte thjesht një pjesëmarrës, por promotori dhe frymëzuesi kryesor i shumë prej zhvillimeve që ndodhën ndër shqiptarët në Perëndim, sidomos në periudhën pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë.

Kadri Zeka - portret
Kadri Zeka – portret

Kadri Zeka e kuptoi më mirë se kushdo rëndësinë e diasporës shqiptare, jo vetëm si mbështetje financiare dhe logjistike për lëvizjen atdhetare, por si një fuqi politike e vetëdijshme dhe organizuese, e cila duhej të mobilizohej dhe të drejtohej në mënyrë të organizuar për të ndikuar opinionin ndërkombëtar dhe për të bërë të njohura kërkesat legjitime të popullit shqiptar në Jugosllavi.

Në këtë kontekst, një nga momentet më domethënëse të veprimtarisë së tij në mërgatë ishte organizimi i mitingut protestues në Dyseldorf të Gjermanisë, një akt me peshë të veçantë politike dhe simbolike. Ky tubim nuk ishte një ngjarje spontane, por rezultat i një pune të gjatë e të strukturuar, me bashkërendim të fuqishëm dhe me vetëdije të thellë për rëndësinë e ndërkombëtarizimit të çështjes shqiptare. Gjatë këtij tubimi, Kadri Zeka mbajti një fjalim të fuqishëm dhe frymëzues, i cili do të përfshihet i parafrazuar në këtë libër, jo vetëm për të kujtuar fjalët që ai tha, por për të dokumentuar frymën e kohës, përkushtimin ideologjik dhe aftësinë e tij për të mobilizuar një komunitet të tërë në funksion të një qëllimi madhor: çlirimit dhe vetëvendosjes së popullit shqiptar në Kosovë.

Roli i Kadri Zekës nuk duhet parë vetëm në dritën e organizimeve praktike, por si udhëheqës i mendimit dhe i veprimit politik, i cili shkriu kufijtë midis brendësisë dhe jashtësisë së atdheut, duke e kthyer diasporën në një arenë të vërtetë të qëndresës kombëtare. Ai ishte ndër të parët që e pa mërgatën jo si të shkëputur, por si pjesë të pandashme të kombit në lëvizje, dhe për këtë arsye, veprimtaria e tij mbetet model frymëzimi dhe organizimi politik për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Thirrja nga mërgata për Kosovën e rrethuar 

Në këtë tubim, ai thirrtë “Sot, jemi mbledhur jo si individë të shpërndarë, por si një trup i vetëm, me grushte të shtrënguara dhe zemra të përbashkëta, për të ngritur zërin e protestës kundër krimeve të rënda dhe sistematike që regjimi jugosllav, përmes ushtrisë dhe policisë së tij fashiste, ka kryer mbi popullsinë shqiptare të Kosovës. Ky tubim është shumë më tepër se një reagim spontan: është akti i ndërgjegjes sonë kolektive, i solidaritetit me viktimat, i angazhimit për drejtësi. Fati i errët i shqiptarëve në Jugosllavi nuk është një e re e kohëve të fundit, por një plagë e thellë dhe e trashëguar, një vijë e pashkëputur shtypjeje që ka mbajtur të gjymtuar popullin tonë për dekada.

Shqiptari i Kosovës nuk ka pasur sigurinë më minimale të ekzistencës: i është mohuar buka e gojës, mbulesa e trupit dhe çatia mbi kokë. Dhe ndërkohë që tokat e tij – mbi dhe nën tokë – janë të begata, ai vetë është lënë të endet rrugëve si punëtor i përkohshëm, i dëbuar herë drejt shkretëtirave të Anadollit, herë drejt qyteteve të Evropës, Amerikës e Australisë, për të kërkuar mbijetesë atje ku duhej të kishte pasur jetë të dinjitetshme në vendin e vet.

Regjimi jugosllav nuk ishte mysafir në tokën tonë – ka qenë pushtues. Ai kishte hyrë me arrogancë, kishte imponuar ligje të padrejta, kishte zaptuar institucionet dhe pasuritë, ka uzurpuar postet dhe resurset ekonomike, ndërsa shqiptari është shtyrë gjithnjë në periferi, në varfëri dhe në mërgim. Me një shkelje të pandërprerë të të drejtave njerëzore dhe kombëtare, në vend të dialogut, ka ofruar dhunë; në vend të drejtësisë, ka mbjellë frikë; në vend të bashkëjetesës, ka vendosur bajoneta.

Por ajo që ndodhi në Kosovë e kishte kaluar çdo kufi të imagjinatës dhe durimit njerëzor. Hordhi të tëra ushtarësh dhe milicësh ishin derdhur nga Beogradi si përmbytje e egër, dhe kishin rrethuar Kosovën si në një gjendje lufte të pa shpallur. Tanket në rrugë, patrulla të armatosura në çdo lagje, plaka që nuk guxojnë të çojnë ujin, fëmijë që nuk dinë më ç’është loja dhe buzëqeshja, burra që arrestohen pa arsye dhe gra që përjetojnë frikë në vend të sigurisë së shtëpisë.

Kosova atëherë nuk jetonte më jetën e një krahine autonome brenda një federate – ajo përjetonte një rrethim të hekurt, një mbyllje që kishte për synim asgjësimin e çdo zëri shqiptar. Por kjo dhunë, edhe pse brutale dhe e sinkronizuar, nuk kishte arritur ta shtypte shpirtin e rezistencës. Përkundrazi, sa më shumë rrethohej aq më shumë zgjerohej ndërgjegjja kombëtare dhe bëhej më i fuqishëm zëri i bashkimit dhe qëndresës. Në këto momente të errëta, detyra e çdo shqiptari, kudo që të ndodhej, ishte të ngrihet në mbrojtje të së vërtetës, të drejtës dhe të jetës. Sepse liria nuk ishte vetëm privilegj i atyre që ishin brenda kufijve të dhunës, por edhe përgjegjësi e atyre që jetonin në vende të lira për të ngritur zërin për ata që s’mund të flasin.

Izolimi, kërcënimi dhe kriza e ndërgjegjes në Kosovën e vitit 1981

Në realitetin e zymtë që përjetonte Kosova gjatë represionit të vitit 1981, regjimi jugosllav kishte shtrirë jo vetëm kontrollin ushtarak, por edhe një terror psikologjik të përmasave gllabëruese, duke tentuar të shkatërronte vetë strukturat më të natyrshme të jetës shoqërore dhe familjare shqiptare. Edhe bisedat më të zakonshme mes prindërve dhe fëmijëve, vëllezërve, motrave, shokëve të afërt, ishin vënë nën ndalim të heshtur e kërcënim të hapur.

Shkalla e izolimit, ndarjes dhe tensionit të brendshëm ishte e tillë që vetë komunikimi njerëzor – kjo bazë e jetës shoqërore – shihej nga pushteti si kërcënim i mundshëm politik. Në këtë atmosferë frike të institucionalizuar, pushteti nuk ngopej me dhunën fizike – ai e kishte kaluar kufirin e vrasjes e plagosjes masive, ku studentë, nxënës, gra, pleq e fëmijë binin viktimë e armës pa dallim moshe apo faji. Çdo pjesë e popullsisë ishte e ekspozuar ndaj një politike të egër eliminimi, që synonte jo vetëm shuarjen e protestës, por edhe deformimin e vetë moralit dhe ndërgjegjes kolektive.

Në këtë kontekst represiv, pushteti përdorte instrumente të ulëta e çnjerëzore për të shantazhuar qytetarët, ruajtja e vendit të punës, e lirisë apo edhe e sigurisë fizike, kushtëzohej me tradhtinë ndaj më të afërmve. Burgosja mund të shmangej vetëm nëse qytetari tregonte vëllanë, shokun apo fqinjën që kishte marrë pjesë në demonstratë ose që simpatizonte kërkesat e saj. Kjo krijoi një situatë dramatike të përmbysjes së vlerave njerëzore e kombëtare, ku për të shpëtuar nga dhuna, individi detyrohej të mohojë vetveten dhe të shkelë mbi vetë idealet e tij më të thella.

Në thelb, pushteti po e kthente gjithë Kosovën në një burg të padukshëm, ku muret nuk ishin vetëm prej hekuri e guri, por prej ndarjes, frikës dhe detyrimit për të jetuar në gënjeshtër dhe heshtje. Frymëmarrja në gjuhën shqipe, në mënyrë simbolike dhe reale, po dënohej si akt kriminal. Vetë shprehja e identitetit kombëtar ishte bërë rrezik ekzistencial.

Pikërisht në këtë kontekst, revolta nuk ishte më vetëm reagim ndaj shtypjes sociale dhe politike, por një reagim i thellë moral – një refuzim për të qenë bashkëpunëtor në vetërobërim. Populli shqiptar nuk e kundërshtoi vetëm tankun dhe armën, por edhe përpjekjen për ta bërë bashkëfajtor në rrënimin e vëllazërisë dhe të nderit. Sepse ajo që kërkonin demonstruesit – të drejtat kombëtare, ekonomike, arsimore dhe kulturore – ishte thelbi i të drejtave të gjithë shqiptarëve, dhe si e tillë, nuk mund të tradhtohej pa e mohuar vetveten.

Kosova si pengesë historike e shovinizmit jugosllav

Ngjarjet e përgjakshme që po zhvilloheshin në Kosovë gjatë asaj periudhe historike, nuk ishin thjesht shfaqje të një represioni të zakonshëm. Ato përbënin dëshminë më të qartë të dështimit të strategjisë politike dhe ushtarake të regjimit shovinist të Beogradit, i cili asaj radhe, më shumë se kurrë më parë, kishte bërë një llogari të gabuar e të pamoralshme mbi reagimin dhe qëndresën e popullit shqiptar.

Duke e trajtuar Kosovën si një njollë që duhej fshirë me forcë, qeveria jugosllave kishte vendosur në zbatim një makineri represive të paimagjinueshme, ku pjesë përbërëse ishin njësitë speciale të milicisë – një strukturë e krijuar dhe trajnuar posaçërisht për të ushtruar terror psikologjik dhe fizik mbi popullsinë civile. Milicë të rekrutuar shpesh nga shtresat më të margjinalizuara shoqërore, pa rrënjë identitare e shpirtërore, ishin përdorur si mjete pa ndërgjegje për të shtypur protestat masive që përfshinë Kosovën gjatë vitit 1981.

Por ndryshe nga pritjet e qeverisë, populli nuk qëndroi i përkulur. Përkundrazi, ai u ngrit me një heroizëm që i përngjan epopes historike të rezistencës shqiptare – ku emrat e Mic Sokolit, Selam Labit dhe Vojo Kushit u bënë më shumë se kujtime, u shndërruan në simbolikë të përjetshme të përballjes pa frikë, edhe kur përballë ishte tanku dhe bajoneta. Demonstruesit – të rinj, punëtorë, studentë – dilnin përballë armëve me gurë në duar dhe me vendosmërinë e një populli që nuk pranonte më të jetonte në nënshtrim. Ironia e madhe qëndronte në faktin se kjo rezistencë e drejtë, ky shpërthim i dinjitetit kolektiv, nga propaganda jugosllave quhet dhunë dhe terrorizëm.

Por në të vërtetë, ai që ishte i zhytur në dhunë ishte vetë shteti jugosllav, i cili, përballë vendosmërisë shqiptare, kishte hyrë në një rrugë pa dalje. Katër muaj të tërë kishin kaluar dhe pushteti i Beogradit nuk kishte arritur të mposhtte as moralin dhe as vullnetin e popullit të Kosovës. Përkundrazi, ishte vetë regjimi që kishte humbur terren – jo vetëm në aspektin politik dhe moral, por edhe në aspektin e stabilitetit të brendshëm dhe të ekonomisë së vendit.

Kosova, në vend që të nënshtrohej, po shndërrohej në “kockën që nuk kapërdihet”, në barrierën historike ndaj politikave të vjetra shoviniste, dhe në dëshmimin e pamundësisë për të shtypur një popull që kërkonte të drejtat e tij legjitime. Ndërkohë që Jugosllavia llomotite për vëllazërim-bashkim, në terren ajo po e mbante Kosovën nën sundim me tanke, policë dhe masakra, duke nxitur jo bashkëjetesën, por përçarjen, jo qetësinë, por krizën. Kjo situatë kishte vënë në rrezik jo vetëm besueshmërinë ndërkombëtare të federatës jugosllave, por edhe strukturën e brendshme të saj politike dhe ekonomike, e cila tashmë ishte e plasaritur dhe buzë një katastrofe që e kishte burimin në padrejtësinë që i bëhej Kosovës.

Përshkallëzimi i krizës në Kosovë dhe dështimi i politikës jugosllave 

Në valën e ngjarjeve dramatike që po zhvilloheshin në Kosovë, regjimi jugosllav po tregonte një mungesë të thellë vizioni politik dhe ndjeshmërie njerëzore. Përballë thirrjeve të justifikuara për dinjitet dhe liri, që po ngrihej me forcë nga zemra e popullit shqiptar, Beogradi po zgjedhte të përgjigjej jo me reflektim e reformë, por me arrogancën e tankut dhe me dhunën e çeliktë të bajonetës.

Në vend që të tërheqte forcat ushtarake të vendosura në mënyrë të paligjshme në Kosovë, regjimi shovinist jo vetëm që po i mbante ato, por po i shtonte në numër, duke krijuar jo pa qëllim një atmosferë të militarizuar që i ngjante më shumë një gjendjeje lufte sesa një trajtimi të një çështjeje të brendshme të një federate që pretendonte të jetë demokratike. Ky përshkallëzim i dhunës ishte dëshmi e qartë se Beogradi kishte vendosur ta çojë deri në fund përplasjen, duke sakrifikuar çdo mundësi për pajtim e reformë.

Ky qëndrim, i mbështetur mbi shovinizmin e zhurmshëm dhe politikën e verbër represive, kishte bërë që regjimi titist të shkatërrojë përfundimisht çdo urë besimi me shqiptarët e Kosovës dhe të trojeve të tjera, njëherë e mirë dhe në mënyrë të pakthyeshme. Në një periudhë gati katërdekadëshe të sundimit të ashpër, që përfshiu shtypjen e çdo aspirate kulturore, shoqërore dhe kombëtare, nuk kishte mbetur më shumë shpresë që plagët historike të këtij populli të shëroheshin. Por ajo që po ndodhte, kishte mbyllur përfundimisht çdo derë të shërimit të këtyre plagëve – edhe sikur ndonjëherë të vinte një dorë e butë për të tentuar paqen.

Situata në Kosovë ishte bërë emblematike për mënyrën se si një shtet që pretendonte të jetë federativ, shkelte parimet më elementare të bashkëjetesës dhe vetëvendosjes, dhe kjo tashmë ishte e qartë për të gjithë botën. Ajo që mund të ishte një çështje e brendshme për t’u zgjidhur me dialog e reformë, ishte shndërruar në një krizë me përmasa ndërkombëtare, dhe ishte pikërisht qeveria shoviniste e Beogradit që mbante të gjithë përgjegjësinë për këtë përshkallëzim.

Demonstratat e 11 marsit – të nisura me kërkesa thelbësore për bukë, për kushte jetese më të dinjitetshme, për arsim e barazi – u zhvilluan fillimisht nga nxënësit dhe studentët, por shumë shpejt u përkrahën nga tërë popullsia e Kosovës, sepse ato nuk ishin më thjesht protesta ekonomike apo sociale, por shprehje e një vetëdijeje kolektive për dinjitet dhe për përfshirjen e Kosovës si Republikë në federatën jugosllave. Kërkesa kjo legjitime, e mbështetur në realitetin historik, demografik dhe politik të vendit.

Por përgjigjja e Beogradit ishte brutale dhe e njëanshme: tanke në rrugë, plumba mbi protestues, burgime dhe diferencime masive. Në vend që të dëgjonte kërkesat e popullit dhe të shfaqte vullnet për zgjidhje, regjimi zgjodhi shtypjen dhe frikën. Por përpjekja për të shuar revoltën që në turin e parë, dështoi. Populli shqiptar nuk u gjunjëzua, por përkundrazi, gjeti një energji të re morale dhe politike për të vazhduar përpjekjen e tij për liri, barazi dhe vetëvendosje.

Kjo qëndresë, në vend që të fashitej, po rritej përditë. Dhe me të po rritej edhe kostoja që regjimi i Beogradit do të paguante për zgjedhjen e rrugës së përplasjes. Jo vetëm pozita ndërkombëtare e Jugosllavisë ishte vënë në pikëpyetje, por edhe vetë stabiliteti i saj i brendshëm ishte përballë një krize strukturore, ku shtypja në Kosovë ishte bërë simbol i rrënimit moral dhe ekonomik të gjithë shtetit.

Politika luftënxitëse e Jugosllavisë dhe dinamika e radikalizimit të rezistencës shqiptare

Regjimi jugosllav, në etjen e tij të pashuar për të shtypur dhe nënshtruar shqiptarët, ka ndjekur një strategji represive të dhunshme, që më shumë sesa të trembë, ka prodhuar një efekt të kundërt, ka ndezur flakët e rezistencës dhe ka zgjuar një vetëdije të re politike e kombëtare. Shteti që synonte t’i frikësonte shqiptarët me dhunë, arrestime dhe gjakderdhje, në fakt e ka çuar popullin në një gjendje të pezmatuar aq thellë, saqë kufijtë e durimit ishin tejkaluar dhe po lindëte një psikozë e përhapur e përballjes.

Në vend që të zgjidhte rrugën e dialogut dhe integrimit të vërtetë demokratik, Jugosllavia kishte adoptuar një qëndrim që nuk lënte vend për dyshime – një qasje luftënxitëse, të strukturuar dhe me bazë ideologjike, historike dhe gjeopolitike. Kjo politikë, e maskuar shpesh nën retorikën e “vëllazërim-bashkimit”, kishte në të vërtetë rrënjë të thella në planet e hershme shtetërore të sllavizimit të trojeve shqiptare, si dhe në frikën e hershme strategjike ndaj unitetit shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve të Jugosllavisë.

Kjo qasje nuk ishte as spontane, as vetëm rezultat i ndonjë krize të brendshme momentale. Ajo mbështetej në linja të vjetra strategjike të Beogradit, të cilat, sipas të gjitha gjasave, kanë gjetur sërish mbështetje të fshehtë apo të heshtur në rrethe të caktuara ndërkombëtare, veçanërisht në Moskë. Lidhjet historike midis Serbisë dhe Rusisë – ku kjo e fundit e ka konsideruar gjithmonë Serbinë si “motrën e vogël” të sllavizmit në Ballkan – po rishfaqej në një formë të re dhe të rrezikshme.

Në këtë kuadër, ndezja e konflikteve ndëretnike, sidomos me shqiptarët, shihet jo vetëm si instrument për dominim të brendshëm, por edhe si mjet për të ripozicionuar Serbinë në hartën strategjike të rajonit. Shtytja drejt një përplasjeje të re, qoftë në formë represioni të brendshëm apo konflikti të hapur, mbartte pasoja potencialisht katastrofike për gjithë Ballkanin. Një luftë e re ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve nuk mund të mbetej konflikt lokal – ajo do të kishte efekte të përhapura, me rrezik real për destabilizim rajonal dhe madje edhe më gjerë në Evropën Juglindore. Politika e militarizimit të çështjes shqiptare ishte, pra, një zjarr që po ndizej në një hambar të mbushur me barut ndërkombëtar.

Por përtej aspektit gjeopolitik, duhet theksuar se kjo politikë agresive ishte gjithashtu produkt i një krize të thellë të brendshme të shtetit jugosllav. Gjendja e rëndë ekonomike, polarizimi shoqëror, fragmentarizimi etnik dhe kolapsi i besimit qytetar ndaj institucioneve, kanë prodhuar një kontekst ku Beogradi zgjedh rrugën më të rrezikshme, eksportimin e krizës përmes konfliktit dhe përdorimit të “armikut të brendshëm” si pretekst për ruajtjen e pushtetit.

Kështu, në përpjekje për të ruajtur pushtetin përmes dhunës, Jugosllavia jo vetëm që nuk kishte zgjidhur asnjë nga problemet e saj, por i kishte përkeqësuar ato në mënyrë të pakthyeshme. Në vend që të shuante zërin e shqiptarëve, e kishte përforcuar atë. Në vend që të shuajë revoltën, e kishte kthyer atë në një lëvizje me dimensione të gjera politike dhe historike. Dhe në vend që të zbusë armiqësinë, kishte nxitur një radikalizim të qëndresës, e cila tashmë nuk kishte të bënte vetëm me kërkesa të përditshmërisë, por me çështjen kombëtare, me vetë ekzistencën dhe të ardhmen e një populli.

( vijon )

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.