TRAJTIMI I DEMONSTRATAVE STUDENTORE NË SHTYPIN E ILEGALES (3)

0
Mediat për demonstratat në Kosovë

Sabile Keçmezi-Basha Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

 Çdo kush mund të bënte pyetjen: Si është e mundur që disa qindra “huliganë” të bëjnë, gjatë një muaj rresht, greva e demonstrata të njëpasnjëshme, bile në të gjithë Kosovën? Si arritën disa “rrugaç” siç thoshin ata, që të nxjerrin “me dhunë” masat në demonstrata, kurse pushtetarët me gjithë dhunën e presionin që ushtrohej mbi ta , me gjithë organet e shumta që kanë dhe me gjithë demagogjinë e tyre të njohur, nuk ia arritën të nxjerrin popullin  në mitingjet që organizoheshin , për të “pritur” stafetën , pikërisht atë ditë kur bëheshin demonstratat. Si nuk iu mjaftoi gjithë ajo polici që sollën nga Serbia, por u detyruan të fusin  në veprim edhe ushtrinë me tanke e avion, të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme dhe të vendosnin orën policore.

Çdo kush e dinte dhe e kishte të qartë se demonstratat që ishin organizuar në Kosovë gjatë vitit 1981 ishin popullore, se me demonstruesit ishte i gjithë populli, se populli kishte dalë të kërkonte në mënyrë paqësore të drejtat e tij, ndryshe nuk do të ndaleshin aq lehtë armiqtë që guxonin të sulmonin me armë popullin e paarmatosur. Gjithkush e shihte se zhurma e madhe që bëhej rreth gjoja brutalitetit dhe vandalizmit të demonstruesve, ishte një  përpjekje për të fshehur brutalitetin dhe vandalizmin e tyre, për tua hedhur demonstruesve  fajin e përgjegjësin për dhunën e paparë që u përdor, dhe për gjakun që ishte derdhur[1].

Natyrisht, në demonstrata të tilla të mëdha e popullore, është e natyrshme që të ndodhë dhe të bëhej edhe ndonjë veprim i nxituar, i pamatur dhe i panevojshëm. Edhe në demonstratat e 1981-shit, nuk përjashtohej  të jetë bërë ndonjë veprim i tillë, por karakteristikë e përgjithshme e demonstruesve të Kosovës  ishte rregulli, durimi, pjekuria dhe gjakftohtësia shembullore. Vërtet populli kishte dalë në demonstrata por jo në kryengritje, ai  kërkonte të drejtat  dhe lirinë që nuk e kishte, dhe jo gjakderdhje, prandaj ai ngriti parullën “Pa dëmtime”, “Pa incidente”[2], dhe vërtet pothuajse asnjë dëm, asnjë incident nuk u bë nga ana e demonstruesve para se të sulmoheshin nga policia.

Nuk do të bëheshin  kurrë dëmet që u bënë, nuk do të derdhej as gjaku që u derdh, nëse ndaj popullit demonstrues të mos përdorej që në fillim dhuna policore dhe, sidomos, mos të kishte ndërhyrë policia e huaj, e cila me veprimet e saj shoviniste  të padëgjuara bëri që jo vetëm populli, por edhe policët kosovarë të përlesheshin me ta. Vandaliste e brutale, mizore e kriminele, në të vërtetë, ishin veprimet e policisë fashiste dhe të UDB-ës rankoviçiane, që ushtruan mbi popullin  shqiptar gjithë atë dhunë e terror të paparë.

Përgjegjësit kryesorë për atë që ndodhi në Kosovë ishin krerët politik, qofshin ata në Beograd apo në Kosovë, qofshin shqiptarë apo jo shqiptarë, që urdhëruan  shuarjen me gjak të demonstratave, ishin edhe ata që sollën në Kosovë  policinë e Serbisë e të Jugosllavisë për të gjakosur, rrahur e poshtëruar popullin, për të tmerruar edhe foshnjat në djep, për të shkretuar rrugët dhe arat tona, përgjegjës ishin të gjithë ata që e bënë Salvador të dytë Kosovën. Ata janë përgjegjës për të gjitha  ato që kishin ndodhur dhe ndodhën  në Kosovë, ata janë përgjegjës për gjakun  që u derdh dhe pa dyshim  për këtë, një ditë, do të japin llogari (siç po japin tani në Hagë), para botës.

Autori i shkrimit më të gjatë “ Lufta e popullit tonë është e drejtë dhe do të triumfojë”, në nëntitullin “Zëri i popullit- zëri i së vërtetës” në mes tjerash na prezanton se “Në kohën kur propaganda e Beogradit dhe një pjesë e shtypit reaksionar botëror kishin shpërthyer një fushatë të paparë shpifjesh, trillimesh e dezinformatash të paskrupullta rreth Kosovës dhe demonstratave të saj”. Gazeta “Zëri i popullit”, organ i Komitetit Qendror të PP të Shqipërisë, botoi një artikull me titull  ”Pse u përdor dhuna policore e tanket kundër shqiptarëve  në Kosovë”[3], i cili me argumente të shumta dhe të pakundërshtueshme, hidhte dritë mbi të vërtetën që detyruan popullin  e robëruar të ngrihet në greva e demonstrata, rreth qëllimeve e kërkesave të vërteta të tyre.

Me anë të këtij artikulli, Shqipëria ngriti fuqishëm zërin në mbrojtje  të popullit tonë të robëruar dhe luftës së tij të drejtë, dënoi ashpër dhunën dhe terrorin barbar që u ushtrua  mbi ne dhe riafirmoi edhe një herë qëndrimin e saj të drejtë si ndaj popullit shqiptar në Kosovë, Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, ashtu edhe ndaj popujve të Jugosllavisë”[4]. Autori këtu  citon gazetën më prestigjioze të ish- sistemit komunist shqiptar.

Veç këtij shkrimi, shtypi shqiptar i kohës botoi dhe shumë shkrime të tjera të cilat në mënyrë të thukët trajtonin situatën në Kosovë dhe padrejtësitë e shumta që iu bëheshin popullit të saj. Vlen të përmendet edhe shkrimi po aq i rëndësishëm që e botonte “Zëri i popullit” me titullin “Vazhdojnë masat represive dhe diskriminimi  i shqiptarëve  në Kosovë dhe në vise të tjera  të Jugosllavisë”[5]. Po ashtu edhe shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare, nuk qëndroi duarkryq por reagoi ashpër kundër gjenocidit dhe kulturocidit që po ndodhte në Kosovë. Ai në gazetën prestigjioze të vendit, botoi shkrimin: “Kultura shqiptare në shënjestër të shovinizmit serbomadh”[6].

Ky artikull i botuar në “Zërin e popullit” pati jehonë të jashtëzakonshme dhe të paparë ndonjëherë. Populli ishte i bindur se “Zëri i popullit” ishte vërtet zë i popullit, se ai është edhe zëri i tij, se reagimi i Shqipërisë ishte zë i së vërtetës.

Ndërsa në nënkapitullin “Populli i ynë kërkon liri e jo luftë”, autori konstaton se “në përpjekjet e vazhdueshme për ta mbajtur popullin tonë nën thundër, vojvodët e rinj të Beogradit dhe veglat e tyre  e kanë përdorur gjithmonë edhe shantazhin e rrezikut të shpërthimit të ndonjë konflikti të madh në Ballkan dhe të ndërhyrjes së superfuqive  imperialiste. Këtë kartë ata po e përdorin edhe tani në fushatën propagandistike kundër popullit.

Duke i akuzuar demonstruesit dhe përkrahësit e tyre si “luftënxitës dhe prishës të paqes e të stabilitetit në Ballkan”, ata kërkojnë hapur nga populli që të rrijë urtë e të mos bëjë zë edhe kur ai është i shtypur dhe shfrytëzohet nga të tjerët. Sepse në të kundërtën, po të ngrihej e të kërkojë ndonjë të drejtë a liri, atëherë ai bëhej shkaktar i prishjes së paqes dhe stabilitetit dhe i ndërhyrjes së superfuqive në Jugosllavi, bile edhe në Shqipëri[7] vjen në përfundim autori.

Populli shqiptar kishte luftuar në shekuj për liri por, ai kurrë nuk e kishte dashur luftën, kurrë nuk kishte qenë luftënxitës. Luftërat që u bënë kurdoherë ia kishin imponuar të tjerët, ata që i shkelnin në vatër dhe ia rrëmbenin lirinë. Ai kurdoherë luftën e ka bërë me forcat e veta  dhe kurrë në dëm të popujve të tjerë. Populli ynë nuk dëshironte luftë e gjakderdhje. Prandaj, kërkesat e tij i bënte në rrugë paqësore. Por, udhëheqja shoviniste e Beogradit, me qëllim që ta frikësojë atë, këtyre kërkesave iu përgjigj me dhunë dhe terrorin më të egër fashist.

Por, ajo duhet ta dijë mirë dhe ta mbajë parasysh se masat e dhunës policore dhe ushtarake që u ndërmorën  e po vazhdojnë akoma, vrasjet, burgosjet masive dhe torturat çnjerëzore, kërcënimet e vazhdueshme me tanke, aeroplanë e masa të ashpra ligjore, jo vetëm që nuk e frikësojnë popullin, por e zemërojnë dhe e egërsojnë atë edhe më shumë, jo vetëm që nuk mund ta qetësojnë, por e detyrojnë që, për realizimin e kërkesave[8], të mendojnë  rrugë dhe mjete të tjera.

Mënyra e vetme për ta qetësuar popullin e revoltuar të Kosovës, propozon autori i tekstit  ishte realizimi i menjëhershëm i kërkesave të  tij të drejta, heqja e gjendjes së jashtëzakonshme, lirimi i të gjithë të burgosurve politik, dënimi i atyre që urdhëruan ndërmarrjen e masave të përgjakshme ndaj popullit etj. Në të kundërtën, zjarri do të rritej edhe më shumë, e përgjegjësia për pasojat që mund të rrjedhin binte vetëm mbi udhëheqjen revizioniste jugosllave[9].

Në nëntitullin “Vetëm marksizmi- leninizmi tregon rrugën e vërtetë të lirisë”, autori shkruan se “vetëm në kushte të këtilla të dhunës dhe terrorit të egër që po ushtrohet mbi ne e që nuk është parë as në kohën e Rankoviçit, secili e sheh qartë fytyrën e vërtetë gjakatare dhe antishqiptare të udhëheqjes shoviniste  jugosllave dhe shërbëtorëve të saj, prandaj, çështja shtrohet prerë: O me popullin, o me armiqtë e tij, me popullin ose me ata që e vrasin, burgosin, torturojnë e poshtërojnë bijtë dhe bijat tona më të mira, me popullin ose me shovinistët rankoviçian dhe me këlyshët e tyre shqiptarë.

Kështu duhet të gjykojnë edhe bijtë e ndershëm të popullit në organet e ndryshme të pushtetit, edhe ata që për të siguruar kafshatën e gojës, ose edhe të mashtruar, janë detyruar t’ia vënë vetes emrin e urryer të agjentit e të policit. Ata nuk duhet të lejojnë veten të bëhen mashë në duart e armiqve dhe, për hir të “udbashëve” çetnik të Nishit dhe Beogradit, të vrasin, gjymtojnë e torturojnë vëllezërit e motrat e veta, bijtë dhe bijat më të mira të popullit”[10].

Lufta për liri është detyrë dhe nder për çdo shqiptar. Por, populli ynë siç ka ditur në të kaluarën, do të dijë edhe në të ardhmen të bëjë dallime në mes atyre  që vërtet luftojnë  për interesat e tij  dhe atyre që orvatën  ta keqpërdorin  e ta shfrytëzojnë luftën e tij të drejtë për qëllime të errëta. Nuk mund të jenë kurrë me popullin kriminelët që kanë vrarë patriotë të mëdhenj  si, Bajram Currin e Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën e Avni Rrustemin. Nuk mund të jenë kurrë me popullin ata që janë me çetnikët, ustashët e UDB-ën e Jugosllavisë titiste për të luftuar kundër shqiptarëve.

Populli i Kosovës, që kurrë në historinë e tij nuk u kishte rënë në qafë popujve të tjerë, as më vonë nuk lejoi asnjë shfaqje të nacionalizmit e shovinizmit  ndaj popullsive jo shqiptare në Kosovë. Atë që e bënë të tjerët, nuk e bënë asnjëherë shqiptarët. Lufta e shqiptarëve, edhe atëherë kur ndodhi, ishte e drejtuar vetëm ndaj atyre që e shtypën dhe  e shfrytëzuan, kundër shovinistëve  robërues të Jugosllavisë e tradhtarëve shqiptarë të Kosovës, dhe kurrsesi jo kundër popujve jugosllavë, të cilët sikurse edhe shqiptarët,  shtypen e shfrytëzohen nga borgjezia e re jugosllave[11].

Lirinë e ëndërruar në shekuj, populli shqiptar do ta fitojë vetëm me punën dhe luftën e pamposhtur të tij, vetëm me vuajtjet, sakrificat dhe gjakun e bijve dhe bijave të tij. Por në luftën e tij të lavdishme, nuk ishte vetëm. Me të ishin dhe do të jenë populli liridashës i gjithë botës. Andaj duke u nisur nga të gjitha këto, lufta e popullit tonë është e drejtë, dhe patjetër do të triumfojë[12].

SHTYPI ILEGAL PËR QËNDRIMET E INTELEKTUALËVE SHQIPTARË NË KOSOVË[13]

Organi kryesor informativ i organizatës marksiste-leniniste të Kosovës “Liria”, iu kushtonte vëmendje të posaçme sjelljeve dhe qëndrimit të intelektualëve shqiptarë. Kjo gazetë në numrin 3, viti 1981, në lidhje me regjistrimin e popullsisë në Kosovë reagonte ashpër, ngase ishte kundër regjistrimit në gjendje lufte, pasi “Regjistrimi në Kosovë po bëhej nën hijen e tankeve”[14]. Pushteti jugosllav lidhur me regjistrimin e popullsisë kishte zhvilluar një fushatë sa të ethshme aq edhe perfide në dëm të popullit shqiptar. Në shtyp thuhej se shteti zhvillonte propagandë e fushatë në dy drejtime.

Drejtimi i parë kishte të bënte me propagandën dhe agjitacionin e organizuar shtetëror në disa pjesë, t’i quajmë skajore, të popullsisë shqiptare, në të cilat pushtetarët jugosllavë ia kanë dalë të ushtrojnë edhe më përpara njëfarë ndikimi ç kombëtarizues e asimilues, siç ishin të ashtuquajturit “torbeshë” apo “maqedonas mysliman” në Maqedoninë Perëndimore dhe të ashtuquajturit “myslimanë” të viseve shqiptare  në Mal të Zi. Sa i përket popullsisë shqiptare të viseve të Sanxhakut,  shovinistët e Beogradit  kanë arritur ta shtypin pa mëshirë ndjenjën kombëtare të tyre dhe ta çrrënjosin  në masë të madhe gjuhën amtare shqipe.

Ndërkaq, drejtimi i dytë,  kishte të bënte me frenimin e ndjenjës kombëtare të shqiptarëve, kudo që të jenë ata, me presione të gjithanshme politike etj. Ky ishte dhe qëllimi i tejdukshëm që me anën e mjeteve  dhe metodave të njohura shoviniste të “shkencëtarëve” të dikurshëm sllavë si Cvijiçi e Gjorgjeviçi[15], te kjo pjesë e popullsisë shqiptare të thellohet edhe më tej apolitizimi, pacifizmi dhe asimilimi, duke i ngulitur asaj në kokë mendimin se më parë mund të jetë gjithçka tjetër sesa popullsi shqiptare.

Gjatë kësaj periudhe u shkruan shumë shkrime me karakter propagandues, u xhiruan shumë emisione televizive me popullatën shqiptare në Maqedoni duke i detyruar të pranojnë se janë torbeshë e mysliman maqedonas. Por, egërsia dhe kuazi-shkenca erdhi në shprehje nga 25 shtatori deri më 21 tetor të vitit 1980, në gazetën “Veçer” të Shkupit, kur në një seri shkrimesh, Njazi Limanovski botoi fejtonin në 23 vazhdime me titull “Islamizmi i Maqedonisë”, duke u përpjekur  gjoja për t’u dalë zot “torbeshve” apo “maqedonasve myslimanë” siç e quanin një pjesë të popullsisë shqiptare,  pjesërisht të asimiluar[16].

Gazeta në fjalë doli me sulme të hapëta shoviniste, të padëgjuara deri më atëherë. Në shtypin ilegal të kohës thuhej se është për t’u habitur se ndaj këtij shkrimi dhe shumë shkrimeve të tjera antishqiptare nuk reaguan as politikanët e as shkencëtarët, “përveç njërit – Akademik Ali Hadri”, i cili doli dhe reagoi në mënyrë të thukët shkencore, duke hedhur poshtë shkrimet e autorit të mësipërm si të pa baza shkencërisht dhe politikisht tendencioze”[17].

Ndërsa, po në të njëjtin vit (1982), gazeta ilegale “Zëri i Kosovës” nr.3/82, në shkrimin “Edhe një proces i montuar gjyqësor”, tërheq vëmendjen e opinionit të gjerë se duke e ditur se Universiteti i Kosovës është zemra e popullit shqiptar në Jugosllavi, kurse Fakulteti Filozofik zemra e vet Universitetit, kriminelët e Beogradit… mendonin t’i jepnin një goditje vdekjeprurëse me qëllim  të tmerronin popullin dhe inteligjencën shqiptare. Për të arritur një qëllim të tillë morën vendim, që të arrestojnë dhe të diferencojnë një numër të madh intelektualësh. Që të kenë sukses këto procese gjyqësore, dhe diferencimet, intelektualët shqiptarë i rrahën dhe i torturuan me mënyrat më të tmerrshme[18] (duke pasur gjithnjë kujdes që të mos vdesin gjatë torturave e të shndërrohen në idhull të Kombit).

Në një shkrim tjetër “Mos ta durojmë tiraninë”, ndër të tjera ilegalët  shkruajnë për universitetin dhe për vetë profesorët, tek të cilët populli dhe ilegalja shqiptare kishte mbështetur shpresat e fundit për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Aty shkruhet se “sulmi i egër kundër Universitetit daton që para lindjes së tij, por sidomos pas marsit të vitit të kaluar ai mori përmasa  furie…”[19] dhe me pasoja shumë të mëdha ndaj kuadrit arsimor e shkencor.

Në Universitet shkrimi i historisë më së shumti  pengohej.  Prandaj të gjithë ata të cilët kontribuonin që rinia shqiptare  në vend të Car Dushanit, Nikolla Pashiçit  etj., të mësonin historinë e ilirëve, ata automatikisht u bënë armiq të përbetuar të pushtetarëve të Beogradit. Për të vazhduar më tutje se “Objekt i  parë i këtij sulmi ishte dhe është akademik Ali Hadri. Menjëherë pas tij vjen Rexhep Qosja, të cilin e goditnin me të madhe pse ua ka çjerrë maskën prej kriminelësh në “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, ndërsa Fehmi Aganin e sulmonin pse nuk ka duartrokitur gjatë një fjalimi që kishte mbajtur një pushtetar…[20]”.

Ata, dhe sipas tyre këta profesorë e punonjës shkencorë dhe shumë kolegë të tyre, qenkan dashur t’i njollosin studentët e vet dhe (në çka insistohej më së shumti) të sulmojnë dhe përdhosin atdheun e të gjithë shqiptarëve, Shqipërinë se ajo na qenka shkaktarja kryesore  e Kryengritjes Popullore  të Kosovës më 1981. Kjo metodë e tejkaluar “devijo et impera”  nuk kaloi tek shqiptarët, sepse së pari akademik Ali Hadri nga i sulmuar u kthye në sulmues, pra nga Drajfus në Emil Zolë dhe i akuzoi serbomëdhenjtë  dhe veglat e tyre për inkuizicionin  mesjetar, për falsifikimin e fakteve  historike, për gjenocid, për tradhti, për moral të qindfishtë e për çka jo tjetër…”[21] përfundojnë ilegalët shkrimin e tyre të sipërpërmendur.

Për intelektualët dhe qëndrimin e tyre dinjitoz  u shkrua mjaft në shtypin ilegal të kohës. Ata u morën në mbrojtje gjatë tërë periudhës së diferencimit, pasi organizimi ilegal ishte i tillë, që degët e veta i kishin edhe në fakultet, dhe në çdo kohë ishin të gatshëm për t’iu ardhur në ndihmë atyre.

(vijon)


[1] Po aty.
[2] “Kriminelët akuzojnë për vandalizëm”, Liria, nr. 3, 1981, 7.
[3] “Pse u përdor dhuna policore e tanket kundër shqiptarëve në Kosovë”, Zëri i Popullit, Tiranë, 25 korrik 1981.
[4] “Zëri i popullit- zëri i së vërtetës”,  Liria, nr. 3, 7.
[5] “Vazhdojnë masat represive  dhe diskriminimi i shqiptarëve në Kosovë dhe në vise të tjera në Jugosllavi”, Zëri i popullit, Tiranë, 23 korrik 1981.
[6] “Kultura shqiptare në shënjestër të shovinizmit serbomadh”, Zëri i popullit, Tiranë, 29 maj 1980.
[7] “Populli ynë kërkon liri e jo luftë”,  Liria, nr. 3, 1981, 7.
[8] Po aty.
[9] Po aty.
[10] “Vetëm marksizëm-leninizmi tregon rrugën e vërtetë të lirisë”, Liria, nr. 3, 1981, 8.
[11] Po aty.
[12] Po aty.
[13] Sabile Keçmezi-Basha, Shtypi ilegal për qëndrimet e intelektualëve shqiptarë në Kosovë, Epoka e Re, 2 dhjetor 2015
[14] “Regjistrimi në Kosovë po bëhej nën hijen e tankeve”, Liria, 1981, nr. 3.
[15] Po aty.
[16] Njazi Limanovski, “Islamizmi i Maqedonisë”, fejton, Veqer, Shkup,  25 shtator deri më 21 tetor, të vitit 1980.
[17] “Edhe një proces i montuar gjyqësor”, Zëri i Kosovës, nr.3/82.
[18] Po aty.
[19] “Mos ta durojmë tiraninë”, Zëri i Kosovës, nr.3/82
[20] Po aty.
[21] Po aty.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.