Zymer Mehani
Te Lapidari i Dëshmorëve
Në qendër të fshatit, ku dielli perëndon,
Një lapidar i madh, në heshtje qëndron.
Ai flet për dëshmorët, që pas gjithçka lanë,
Për lirinë e atdheut, u bënë flakadanë.
Lapidari i tyre, ne shumëçka na thotë,
Në çdo stinë ndryshon, por mbetet i fortë.
Në dimër- i bardhë, si dëbora e ftohtë,
Në pranverë, kurora lulesh atë e zbukurojnë.
Në verë, dielli e ngroh, me rreze të nxehta,
Me gjethe të kuqërremta nderohet nga vjeshta.
Pavarësisht stinëve, qëndron i pandryshuar,
Si dëshmia e trimave, e pakundërshtuar.
Lapidari i Dëshmorëve-simbol i lirisë,
Një kujtesë për ata, që sakrifikuan.
Le t’i nderojmë prore, me shumë dashuri,
Dhe ta ruajmë lirinë, që ata na dhuruan.
KËSHTJELLA E FJALËVE
Në qiellin e bruztë të ndjenjës së thellë,
Një kështjellë shpërfaqet, prore rri e çelë.
Muret e saj të trasha prehen veç me fjalë,
Si gurët e mëdhenj, e fortë forca e saj.
Ngjitet dhe lartësohet mendja shpirtërore,
Në qiellin e ideve tërthore, kryqëzore.
Portat hapen vetë me të zgjedhurat fjalë,
Themelet e saj, një shkëlqim i rrallë.
Nëpër korridore vargjet seç ngarendin,
Të rënda plumb, shpërthyese si argjendi.
Dritat shndërrohen në poezi, pa u tretur
Zbardhin si agimet e muzikës së heshtur.
Kështjellë e fjalëve, me porta të arta,
Krijimi është mbretëria, me ndjenja të zjarrta.
Nisja e Beharit për në luftë
(Tregim)
Behari ishte një djalë i ri nga një fshat i vogël në Alballap. Ai ishte i njohur për sytë e tij të ndritshëm dhe për zemrën e tij të guximshme. Ishte i dashuruar me vendin e tij dhe i përkushtuar për të mbrojtur atë.
Ai ishte i fortë, jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht. E karakterizonte një vullnet i hekurt dhe nuk kishte frikë të përballej me sfidat. Ishte i gatshëm të sakrifikonte gjithçka për vendin e tij dhe për të ëmën e tij.
Behari ishte gjithashtu i zgjuar dhe i matur. Ai e dinte fare mirë se lufta ishte zgjidhja e fundit për t’u çliruar nga kulçedra karpatiane, prandaj edhe shprehu gatishmërinë të luftonte, gjithmonë me shpresën për liri
Mbi të gjitha, Behari ishte një djalë i mirë. Ai e donte të ëmën e tij dhe ishte i përkushtuar ndaj saj. Ai i premton asaj se do të kthehej, në çastin kur u nis për në luftë, dhe ky ishte vetëm një premtim, ngase liria ka çmim e çmimi i saj është gjaku…
Djaloshi guximtar, Behar Begolli po qëndronte përballë shtëpisë së tij, duke e shikuar të ëmën e tij që qante në heshtje.
“Ëma, unë duhet të shkoj,” tha ai me zë të butë. “Është detyra ime të mbroj vendin tonë.”
E ëma e tij, një grua e fortë dhe e guximshme, e shikoi të birin me sy të mbushur me lot dhe me krenari.
“E di, djali im,” tha ajo. “Por zemra ime është e thyer.”
Behari e përqafoi atë ngrohtësisht.
“Unë do të kthehem, mama,” i premtoi ai. “Do të luftoj me gjithë zemrën time për vendin tonë dhe për ty.”
Dhe me ato fjalë në gojë, Behari u largua, duke lënë pas shtëpinë e tij dhe të ëmën. Ai e dinte se çfarë e priste dhe ishte gati të luftonte për atë që ai besonte, për lirinë e atdheut.
Kjo ishte nisja e Beharit në luftë, dhe biseda e tij e fundit me të ëmën.