Arben Çokaj
Sapo i dhashë fund edhe një përkthimi tjetër. Është libri i shkrimtarit të njohur amerikan Stiven King, Mbi të shkruarit – Kujtimet e një mjeshtri. Një libër i mirë dhe që ia vlen të lexohet, sidomos nga ata, që synojnë të bëhen shkrimtarë.
Stiven (Stephen) King është tani 77 vjeç dhe ka mbi 400 milion dollarë pasuri. Ai e filloi jetën e tij, që përshkruhet në libër, si djali i dytë i një nëne të divorcuar dhe tregon për vuajtjet, varfërinë dhe sorollatjet që përjetoi në fëmijëri, si dhe përpjekjet e para drejt shkrimit. Vëllai i madh Davidi, kishte talent, filloi të shtypte gazetën e parë si fëmijë Dave’s Rag, në Maine, ku edhe Stivi i vogël dha kontributrin e tij.
Kur ishte në rini, Stiven bëri punë të ndryshme, nga mulliri te lavanteria e qytetit Maine. Ai bën përshkrime të mrekullueshme e shpesh të vështira për t’u përkthyer, përdor rëndom edhe fjalë të ndryra, dhe i justifikon ato me origjinalitetin e tij. Në një moment fillon e punon në bibliotekën e qytetit, ku një ditë shikon vajzën me trupin më të bukur, që kishte parë ndonjëherë, Tabitha Spruce, ajo po qeshte çlirët me miqtë e saj, dhe që në atë moment, ata u njohën, e shumë shpejt ajo u bë gruaja e tij. Ishin të varfër ku s’ka. Jetonin në shtëpi të këqia, me qera, në rulota, etj. Dhe punë nuk kishin, derisa Stiven kreu një shkollë për mësues dhe gjeti një punë si mësues, por rrogat ishin tepër të ulëta në ato vite në Amerikë.
Dy veprat e para, Stiven i shkroi te lavamani i shtëpisë. Romanin thriller Carrie, të cilin më pas e shiti paperback (me kapakë të hollë) për 400 mijë dollarë, ku gjysmën ia merrte botuesi i tij. Stivin nuk po e mbanin këmbët dhe harroi çdo gjë, që kishte folur atë ditë me botuesin e tij, kur ai i dha lajmin e madh, se do të fitonte 200 mijë dollarë nga shitja. E pabesueshme. Llogarit një mësues që rrogën vjetore e kishte në atë kohë 6 300 dollarë. As ai e as e shoqja nuk e kishin pritur një fitim të tillë, dhe kur ai i tregoi të shoqes, asaj nuk po i besohej, dhe filloi të qante… Ishin në një shtëpi modeste dhe sapo kishin vënë edhe telefon në shtëpi, për herë të parë në jetë. Stiven ishte 29 vjeç. Por situata filloi natyrisht të përmirësohej gradualisht. Libri i tij i parë Carrie, që bën fjalë për një vajzë me aftësi telekinetike në shkollë, që i lëvizte gjërat me sy, u filmatizua më pas dhe John Travolta luan rolin e djalit të keq në atë film.
* * *
Libri Mbi të shkruarit sapo kishte dalë, ishte viti 2001, ka mundësi, nuk e mbaj mend saktë. E pashë librin në një librari në Aeroportin e Kopenghagës dhe e mora ta lexoj. Në kopertinë pashë se Stiven ishte përballur me një akrident trafiku në qershor 1999. Një furgon me ngjyrë blu të çelët e kishte goditur në Route 5. Mezi kishte shpëtuar. Kjo më dha një ndjesi të habitshme ngjashmërie, një goditje të ngjashme kisha marrë edhe unë në marsin e atij viti 1999, nga një furgon blu, dhe mezi shpëtova – dhe tani ngaqë isha tërhequr nga puna shkaku i këtij aksidenti, mendoja të merresha edhe me shkrime. Dhe e bleva librin e Stiven King, Mbi të shkruarit (On Writing), dhe vendosa ta përkthej atë. Kjo edhe në shenjë solidariteti, për një fatkeqësi të përbashkët. Aksidenti i Stivit ngjante me një histori nga një vepër e tij, ndërsa aksidenti im – dy javë para se NATO të bombardonte Serbinë, – kishte padyshim lidhje me qarqet serbe në Kopenhagë (shpirti u hëngërt dhé), që mendonin se do të shpëtonim Millosheviqin… Ironi e fatit…
Librin ka vite që e bëra gati për përkthim, po e përktheja pjesë pjesë dhe vitet kalonin, e ja që erdhi dita ta përfundoj, pasi vendosa të mos e vonoj më – natyrisht se jam shumë i gëzuar, ndërsa po i shkruaj edhe këto radhë. Ky libër nuk është si gjithë librat e tjerë të Stiven, e thotë edhe vetë autori këtë, nuk është thriller. Është jeta e tij me disa leksione mjaft të vlefshme se si të shkruash, si të bëhesh shkrimtar, si t’i shesësh historitë e tua. Se letërsia e librat janë treg, librat shkruhen që të lexohen.
‘Lexo shumë e shkruaj shumë’ – është këshilla e Stiven King për çdo shkrimtar – ndryshe nuk bëhesh shkrimtar.
Libri Mbi të shkruarit fillon me një C.V. të autorit, ku ai tregon rrugën se si u bë shkrimtar. Duket se këtë pjesë, Stiven e shkroi aty nga vuiti 1997, pas një bisede me një kolege të tij, shkrimtare, e cila ia dha si ide. Por nuk po i ecnin planet si i kishte menduar, Libri po i dukej disi i vështirë për t’u shkruar, nuk e kishte atë pasionin apo muzën e duhur. Pastaj vijon me një kapitull Çfarë është shkrimi, ku ai thotë ndër tjera:
“Nuk po ju kërkoj të vini me nderim apo pa diskutim; Unë nuk po ju kërkoj të jeni politikisht korrekt ose të lini mënjanë sensin tuaj të humorit (lutju Zotit të keni një të tillë). Ky nuk është një konkurs popullariteti, nuk është Olimpiadë morale dhe nuk është kishë. Por është të shkruash, ta marrtë dreqi, nuk është larja e makinës apo vendosja e lentes së syrit.” f. 105-106.
Dhe vazhdon me Kutia e mjeteve, ose veglat e punës, që i duhen një shkrimtari për të punuar. Aty Stiven e krahason punën e shkrimtarit me atë të një marangozi. Duhet si shkrimtar, përveç talentit, të keshë edhe disa mjete, t’i zotërosh ato, për të shkruar si duhet. Dhe Stiven tregon se i ka zët ndajfoljet, eleminojeni ato sa të mundeni – thotë ai. Në këtë pjesë, Stiven tregon për teknikat e shkrimit, shkrimi i mirë apo i keq dhe jep shembuj të ndryshëm.
Pjesa në vazhdim është esenca e librit dhe titullohet pikërisht: Mbi të shkruarit. Këtu Stiven ndalet pak më gjatë dhe tregon se të shkruash është sikur po nxjerë fosile nga nëntoka (nga pavetëdija). Shkrimi ka personazhet e tij dhe ato gradualisht zhvillohen me historinë e tij. Muza, sipas Stiven është një djalë i ri i pabindur. Ai mendon se duke shkruar sistematikisht përditë, muza vjen vetvetiu. Duhet të shkruani rregullisht, të përgatisni Draftin e parë, pastaj Drafti 2 = Drafti 1 – 10% – është një këshillë me vlerë, që ai e merr që herët nga një editor libri, i cili pasi ia refuzoi një botim, ia dha këtë këshillë dhe Stivi e mbajti në mendje dhe e aplikoi për gjithë jetën. Pta, drafti i dytë gjithmonë 10% më i shkurtër se i pari, pak a shumë.
Në këtë pjesë të librit, Stiven jep shembuj të ndryshëm nga vepra të tjera dhe vepra të tij, për të argumentuar leksionet e tij mbi të shkruarit, se si korrigjohet shkrimi e më gjerë. Stiven mendon se pasi ta kryeni një vepër, lëreni 6 javë të pushojë në sirtar, pas 6 javësh ‘dorëshkrimi piqet’, nxirreni dhe lexojeni atë, ku edhe mund ta korrigjoni ose shtoni gjëra të ndryshme. Ky rregull u prish për librin në fjalë, pasi Mbi të shkruarit po i merrte më gjatë, e kishte më të vështirë ta shkruante, po flinte në sirtar më shumë dhe bam, në një moment, i ndodhi aksidenti, në qershor 1999, ku libri u ndërpre dhe nuk do e kishim parë kurrë, sikur ai të mos shpëtonte. Stiven shpëtoi dhe e kreu këtë vepër, për kënaqësinë tonë, dhe më pas ai shkroi edhe mbi 20-30 vepra të tjera.
Por për të përfunduar, ai vijon me një pjesë për Mbi të jetuarit – Një passhkrim. Shtëpia verore e tyre ngjante me shtëpinë e përshkruar te libri Bag of Bones (Thesi i kockave), ata e kishin lënë si familje të shkonin në orën 17:30, për të parë në kinema filmin Vajza e gjeneralit, ku luante edhe John Travolta. Stiven u nis për një shëtitje të pasdites, që e bënte rutinë. Në Route 5, pas një kodre, nuk e shihje mirë se kush vinte nga pas, një furgon që drejtohej keq, për shkak të një qeni rottewhiler, u bë shkak për një aksident tepër të rëndë. Stiven goditet keq dhe fluturon rreth 4 metra lart, bie në hendek, dhe thyhet në disa pjesë të trupit, sidomos në këmbën e djathtë 9 thyerje. Shpëton mezi. Stiven përshkruan kështu aksidentin e ndodhur dhe rrugën që bëri deri te rikthimi.
Ai shkruan: “Të shkruarit nuk ka të bëjë me fitimin e parave, për t’u bërë i famshëm, për të marrë takime, për t’u shtruar ose për të bërë miq. Në fund, ka të bëjë me pasurimin e jetës së atyre që do të lexojnë veprën tuaj dhe pasurimin e jetës tuaj gjithashtu. Ka të bëjë me ngritjen, përmirësimin dhe tejkalimin.” f. 264.
Pastaj për fund, Stiven jep një pjesë nga Historia e Hotelit dhe tregon se si e korrigjoi ai atë. Librin e mbyllë me një numër veprash, nga autorë të ndryshëm, që ai i ka lexuar dhe i kanë lënë mbresa, si sugjerim edhe për shkrimtarët e rinj. Lexim të këndshëm edhe ju!