11.5 C
Tirana
E dielë, 25 Janar 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Skënderbeu Nuk Ka Varr — Ka Tokë, Flamur dhe Komb

Skënderbeu Nuk Ka Varr — Ka Tokë, Flamur dhe Komb

0
Gjergj Kastrioti - Krujë

Asllan Dibrani - Skënderbeu-pikture Nga Asllan Dibrani – Luani

Sot është dita e heshtjes së rreme,
dita kur armiku mendoi se fiton me varr,
por Skënderbeu nuk ka varr,
ai ka kohë,
ka tokë,
ka kujtesë.

Sot është përvjetori i vdekjes sate,
por vdesin vetëm ata që harrohen.
Ti u bëre shekull,
u bëre epokë,
u bëre kockë e kësaj toke!

Dhe u tha në ditën e fundit të tij:
“Mos më kërkoni në varr,
se varri im do të jetë frika e armikut.”

Sot është dita kur u errësua toka për një çast,
por qielli u ndez për pesë shekuj.
Sepse Skënderbeu nuk vdiq —
ai u shpërnda.

Ia zhdukën trupin si hajdutë nate,
ia copëtuan eshtrat si paganë të frikësuar,
se edhe i vdekur ua trondiste fronin.
Por ç’trup kërkuan ata, o të verbër?
Trupi i tij u bë tokë shqiptare,
u bë mal, gur, kështjellë,
u bë gjuhë që nuk përkulet.

Qohu, o Skënderbe,
jo nga varri i fshehur prej armikut,
por nga damarët e kësaj toke!
Qohu nga kujtesa që digjet,
dhe lësho shpatën tënde prej drite,
se tradhtia ende merr frymë
dhe frika e tyre mban emrin tënd.

Tradhtarët u shumuan si farë e keqe,
mercenarët u veshën me petka feje,
me fjalë të huaja dhe besë të shitur.
Por sot, edhe në këtë ditë,
ata dridhen,
sepse emri yt është gjykim.

Ti je profeci e përmbushur,
një njeri që u bë nishan,
një shpatë që u bë ligj,
një vdekje që u bë dritë për brezat.

Dhe unë, me dorë arti e shpirt zjarri,
të pikturova mbi pëlhurë,
me ngjyra që ndriçon ballëlart në Krujë,
me nuanca frontale në beteja,
sikur vetë historia të më udhëheq dorën.

Në atë pëlhurë ka bojë,
ka betejë.
Nuk ka heshtje,
ka kushtrim.
Aty kali yt del nga shekulli,
dhe shpata flet pa zë.

O Krujë, qytet i zgjedhur,
ti ende rri zgjuar!
Sepse Shqipëria nuk u mposht,
nuk u shua,
nuk u shit —
ajo vetëm u plagos nga bijtë e dobët.

Skënderbeu nuk vdes.
Ai ringjallet sa herë që një shqiptar
refuzon të bëhet shërbëtor.
Ai ngrihet sa herë që tradhtia turpërohet.

Dhe kështu u shkrua:
Armiku e fshehu trupin,
por nuk e fshehu dot flamurin, token dhe kombin.

Shkuar me 17.01.2025 në Prishtinë

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.