Aristotel Mici
Esse
Flamuri shqiptar me shqiponjën në mes ka historinë e tij të herëshme, që buron nga vete lashtësia e kombit. Jo rastësisht Eqrem Bej Vlora do të shkruante për atë në kujtime: “Historia e këtij flamuri tretet në mjergullën e kohës”[1]. Simboli emblematik i shqiponjës në fushën e kuqe të flamurit fillon në kohën e vjetër Para Krishtit, vazhdon në Mesjetë edhe mbërrin në kohët e reja moderne. Imazhi i shqiponjës së këtij flamuri nis me një legjendë antike, kurse gjurmët e tij enden që nga librat historikë e deri te dëshmitë materiale, që nga vargjet e poetëve e deri te këngët e trimave kryengritës.
Straboni,[2] duke hetuar për kohën Pellazgo – Ilire, vinte re se ky popull në të vjetrat kohe ishte më i rrepti e më luftëtari e Shqiponja ishte pajtorja më e mirë për të. Atëherë që kur Zeusi nga pellazgo-ilirët nderohej si perëndi, faltoren e vetë e kishte në Dodonën e thesprotëve, pra në Çamëri. “Dhe kështu me kalimin shkallë shkallë të paganizmit në monotheizëm, shqiponja nga simbol fetar u kthye në simbol kombëtar. Aq shumë u përngjit ajo me njeriun vetë sa atij zuri t’ia mënjanonte tërë emërtimet e tjera, duke i lënë emrin e vetë përgjithësues “shqiptar” (biri i shqiponjës)”[3]. Natyrisht, ky është një rrëfim legjendar dhe, si i tillë, mund të jetë i diskutueshëm.
Po mos të harrojmë se edhe emri i detit Egje mbështëtet mbi një rrëfim legjendar. Siç na mëson mithi i lashtë, mbreti Egje u mbyt në këtë det, tek pa i pikëlluar velat e zeza të anijes së birit të tij, Tezeut, duke e marrë të birin për të vdekur. Atëherë, sipas mithit të lashtë, emrin e mbretit Egje e mori deti. Edhe kontinenti plak i Evropës e ka marrë emrin nga një e dashur e Zeusit, me emrin Evropa, me të cilën ai pat rënë në dashuri.. Dihen nga të gjithë historianët këto emërtime mitiko – legjendare, po asnjë komentator nuk shprehet kundër.
Ka edhe ndonjë studiues që mendon se shqiponja, edhe pse është simbol, nuk ka qenë ndonjëherë “totem” e gjyshërve tanë në Dheun e Arbërit; dhe, duke mos qenë e tillë, ajo nuk është figurë bindëse për të përligjur idene e hipotezës se etnonimi shqiptar, qoftë në mënyrë hipotetike, mund ta ketë prejardhjen nga emri i shpendit të “shqiponjës” apo” shqipes. Aq me mosperfillje shihet kjo ide e mundshme, sa nuk futet as në listat e hipotezave, që rrahin të qartësojnë etimologjinë e fjalës shqipe dhe të emrit shqiptar. Kur lexon një arsyetim të tillë, mendja të shkon vetiu te legjenda e “nënës ulkonjë” në Romën e lashtë, tek ajo ujkonja e gdhendur ne skupturë me emrin Lupa Capitolina, e cila, sipas legjendës, ushqeu me qumështin e saj binjakët Romulin dhe Remin.
Kjo ujkonjë nuk ka qenë “totem” për fisin Latin të Laciumit. Këtë e dinë latinistët, po megjithatë, ata nuk e hedhin poshtë legjendën e themelimit të Romës nga Romi. Për më tepër, figura e “nënës ujkonjë” demonstrohet me madhështi nësa e sa vepra arti, që nga mozaiku dhe pikturat e Leçes, ne jug të Italisë, e deri te skulpturat, altoreliefet e basoreliefet e Romës antike dhe asaj të sotme, pa përmendur reklamat e panumërta nëpër kutitë e qumshtit. Atëherë lind pyetja pse shqiptarët duhet të jenë kaq shpërfillës ndaj simbolit të tyre shekullor? Kështu të krijohet një lloj çudije, kur atë që na e pohon Straboni si shenjë krenarie, e shmangim ne sot.
* * *
Po me tepër se hamendja e një legjende, janë faktet e shumta historike dhe arsyet gjuhësore që të sjellin te hipoteza se simboli emblematik i shqiponjës duhet të jetë në themel të idesë për unitetin tonë kombëtar. Nuk ka dyshim se flamuri me fushën e kuqe dhe shqipen dykrenare në mes është simboli ynë më i vjetrër mbarëkombëtar. Me këtë flamur në mendje dhe në zemër ne kudo ndjehemi shqiptar. Gjuha shqipe dhe flamuri na bashkojne e na vëllazërojne kudo që të ndodhemi si te Nëna Shqipëri, si në Kosovë, në Maqedoni, në Preshevë, Bujanovsk, në Mal të Zi, në Itali, në Greqi, në Turqi dhe kudo nëpër kontinente, nga Amerika e deri në Australi. Flamuri dhe gjuha amëtare janë dy hallkat që na lidhin si vëllezër shqiptar të një gjaku.
Qysh në shekullin e dytë Pas Krishtit, biografi i antikitetit, Plutarku, në veprën “Jetë Paralele” tregon për Pirron e Epirit se kur ushtarët po e glorifikonin pas betejës së Heraklesë (280 PK) duke e quajtur atë “Shqiponjë”. Ai iu drejtua atyre dhe u thotë: “Nga ju unë jam shqiponjë; dhe si të mos jem i tillë, kur ju jeni flatrat e mia që me ngrini aq lart!”.[4]
Nga ky episod fare qartë duket adhurimi i stërgjyshërve tanë për figurën e shpendit të shqiponjës, e cila gjatë shekujve do të kthehej në simbol emblematik, duke u bërë shënja më dalluese për të gjithë arbëreshët në Dheun e Arbërit. Këtë ide e mbështet edhe Pashko Vasa në artikullin ”Shqypnia dhe Shqyptarët”, të botuar më 1879, kur shkruan: “Që prej fjalëve që i thanë ushtarët Pirros, e prej fjalëve që iu përgjegj Pirroja, na ka mbetur neve emni shqiptarët, e dheut ynë i thonë Shqypni, e gjuhës yne i thonë shqype e Plutarku e dëfton hollë e hollë”.[5]
Kurse Apostulli i Shqiptarizmës, poeti Naim Frashëri, do të thurte vargje tek poema “Dëshira e vërtetë e Shqiptarëve”:
U quajt me këtë emër që moti shqiptari
Nga “shqipja”, q’ish i fortë, në luftë më i pari.
E nga që mbante krye në flamur kurdoherë
Shqiponjën, shenjë të trimërisë në vlerë[6]
Dhe në vitin 1886 në kapitullin “Prindërit” tek “Histori e Shqipërisë” po ky Rilindas i madh do të pohonte:”Shpesi që i themi “shqipe” ishte sipas besës zogu i Hyjit dhe shenjë e trimërisë. Andaj e kishin në flamur shqiptarët e vjetër, pa nga shqipja u quajtën shqiptarë”.
Në unison me këtë ide të poetit Naim Frashëri është edhe Prof. Abas Ermenji, i cili në një studim voluminos për vendin e Skëderbeut në histori, shpreh mendimin e vetë për etnonimin shqiptar si edhe për emrin e gjuhës amtare, ku shkruan se: “Në kohën e Skenderbeut dhe përpara tij, Shqiptarët e quanin veten Arbëreshë. Kështu quhen edhe sot Shqiptarët e Italisë së jugës, që e lanë vendin tonë pas asaj epopeje…. Si qëlloi që gjatë sundimit turk, Shqiptarët u quajtën me emrin që kanë sot? Emri Shqiptar dhe gjuha shqipe nuk besohet të kenë asnjë tjetër prejardhje përveç shqipes që përbën simbolin e flamurit të Skenderbeut.
Pas vdekjes së kryetrimit, Shiptarët nuk u nënshtruan me një herë ndën Turqit. Ata vazhduan për shumë kohë përpjekje e kryengritje, qofshin krahinore (në veri e në jugë), qofshin në një lidhje më të gjërë, për t’u çliruar nga zgjedha turke. Këto lëvizje ishin të frymëzuara prej kujtimesh të Skenderbeut dhe të shqipes së tija dykrenore.
Duket se Shqiptarë u quajtën ata që ecnin pas shqipes, ose ndjekës të shqipes, që ndiqnin akoma flamiurin e Skenderbeut, domethënë luftën e tija. Ky emër pastaj u përgjithësua dhe përfshiu tërë Shqiptarët pa përjashtim.
Nuk na duket të ketë një shpjegim tjetër më të përshtatshëm mbi kthimin e emërit Arbëreshë në emrin Shqiptarë.”[7]
Nga të parët historianë këtë flamur na e tregon Anonimi i Tivarit, më 1480,(i cituar nga Biemmi), i cili shkruan :”Flamuri i Skënderbeut ishte një shqiponjë e zezë me dy krerë dhe e hapur në shesh të kuq”. Dëshmi të njëjtë për këtë flamur me shqiponjën në mes jep edhe biografi i Skënderbeut, Marin Barleti :“Skënderbeu mbante flamuj të kuq, të qendisur me shqiponja të zeza dykrenare, ky ishte flamuri i fisit të tij”.[8]
Ky flamur ishte tipari dallues në të gjitha veprimtaritë luftarake të ushtrisë së Skënderbeut. Flamuri qe bërë pjesë e krenarisë së tyre ndër betejat heroike. Kudo që shkonte ushtria e Skënderbeut për të luftuar, flamurët nuk i ndante nga vetja. Në të njëjtën vepër Marin Barleti tregon se “trimat e Skënderbeut nën komandën e tij kur shkuan në Pulje, për të ndihmuar mbretin Ferdinand të Napolit…mbanin flamurët e kuq me shqiponjën dy krenare në mes”.
Po gjurmët e këtij flamuri me shqiponjën dy krenare shihen dy shekuj më përpara epokës Skënderbejane. Shenjat e flamurit me shqiponjë duhet t`i kërkojmë qysh me Principatën e Arbërit dhe Despotatin e Epirit. Aty nga fundi i shekullit XII, Progoni (1190-1199) do të sundonte dhe do të qeveriste principatën e Arbërit me gjithë atributet e një prijësi me vulën e flamurin e tij. Dhe më vonë, siç pohohet në “Historinë e Shqipërisë”, në vitin 1336, Principata e Arbërit qe forcuar aq shumë, sa Ludoviku, i Anzhuinëve, i njohu Andrea Muzakës titullin Despot i Arbërisë[9].
Tre dekada më pas, kur Andrea Muzaka II i mundi bullgarët tek Mali i Peristerit në vitin 1372, pozita e despotatit forcohet edhe më tepër. Në ndihmë të këtij mendimi na vjen Princi Gjon Muzaka, i cili, në Memorien e vetë të shkruar më 1510, tregon sesi “Perandori i Konstandinopolit u kënaq shumë që zoti Andrea Muzaka kishte pasur një fitore të tillë, me që kishte larguar nga muret e Adrianopolit armikun e tij të madh…I përmenduri Perandor urdhëroi që t`i jepnin atij stemën, d.m.th., shqiponjën me dy krerë….… i dha edhe një titull despotal… Në të cilin ishte përvijuar me gurë xhevahiri shqiponja që thamë”[10]. Bëhet e qartë nga ky pohim se Muzakajt që pas mezit të shekullit të XIV mbanin titullin e despotit, që jepej nga perandori si edhe flamurin me simbolin e shqiponjës dykrenare.
Me këtë flamur me shqiponjë Andrea Muzaka, në krye të luftëtarëve të tij, do të shkonte në Betejën e Fushë Kosovës më 1389 kundër ushtrisë së Sulltan Murati të Parë. Në atë betejë të prgjakshme, ku, siç shkruan Evlija Çelebiu[11], “Sulltan Muradi shkoi 700,000 të pafe në teh të shpatës ( nënkupto martirët e rënë nga radhët e forcave të aleancës së princave të Ballkanit). Atje u vra edhe prijësi i sipërpërmendur i principatës së Muzakajve.
Lidhur me lashtësinë e flamurit shqiptar me shqiponjën dykrenare duhen përmendur edhe “Statutet e Shkodrës” të zbuluara kohët e fundit në bibliotekën e Muzeut Correr të Venecias. Këto “Statute” hedhin dritë edhe më shumë në lashtësinë e flamurit kombëtar shqiptar. Statutet e Shkodrës pasqyrojnë një lloj “kushtetute” për banorët e qytetit në shekullin e XIV – XV. Sipas studiuesve ato janë hartuar para vitit 1446. Po ajo që është e rëndësishme të theksojme është fakti se në një faqe të ilustruar të këtyre statuteve gjendet i pikturuar simboli kombëtar: “Shqiponja me dy krerë”.
Historiania e Mesjetës, Lucia Nadin, duke komentuar këtë faqe të ilustruar të “Statuteve”, shikon se në këtë pikturë pasqyrohet një stemë heraldike e bërë me kujdes: …një shqiponjë dykrenare e kurorzuar me ar në të dy krerët (…) “aquila bicipite, coronata d’ oro su entrambe le teste”). [12] Kjo studjuese, e nxitur nga zbulimi i këtyre dokumenteve shkruan: “Gjetja e “Statuteve të Shkodrës” rihap një faqe shumë të ndritshme, të harruar të ketij vendi, i njohur vetëm si vendi i Shqiponjave”[13]. Dhe më tej Prof. Nadini, duke analizuar simbolikën e kësaj embleme, shikon se në të, në mënyrë figurative pasqyrohet “shqiponja triumfale, simbol i një autonomie të fuqishme qytetare[14]”
Emblemën e Shqiponjës dykrenare në shekullin e XV e gjejmë jo vetëm në jug të Arbërisë si tek Pricipata e Muzakajve, a po ne Veri si ishte rasti i Statuteve të Shkodrës, po edhe në Arbërinë e Mesme dhe Veri-Lindore si tek principata e Kastriotëve. Në librin “Historia e Shqipërisë”, kur trajtohet kryengritja e Gjon Kastriotit kundër fillimit të pushtimit turk, tregohet edhe stema e principatës së tij, me emblemën e shqiponjës me dy krerë, rreth viteve 1429-1430.
Është për t`u vënë re se ky flamur dhe emblema me shqiponjën dykrenare qenë bërë aq të njohur, jo vetëm midis ushtarëve të Skënderbeut dhe popullit në Arbërinë e asaj kohe, po edhe midis radhëve të turqve osmanllinj. Këtë jehonë të simbolit të shqiponjës në radhën pushtuesve turq na e sjellë në mendje Marin Barleti me veprën e tij “Rrethimi i Shkodrës”, tek tregon se si Sulltan Mehmeti II, i shoqëruar nga kalorësit e vetë, kur ka parë pozicionet e qytetit të Shkodrës, paska thënë: “Oh ! se ç’ vend të shkëlqyer dhe të lartë paska zgjedhur shqiponja për vete dhe për folenë e zogjëvë te saj”.[15].
Po ky flamur do t`i ngacmonte mendimin edhe baronit francez J.de Lavardin[16], në vitin 1576, kur do të shkruante: “Në flamurët e tij, që ishin të gjithë të kuq, Skënderbeu kishte një shqiponjë të zezë me dy krerë. Shqiponjën me dy krerë Skënderbeu do ta mbante te parzmorja, në kraharuar, si edhe në vulën shtetërore.”
Dhe tani do të ishte më me interes të dimë edhe për shtrirjen gjeografike të emblemës së Arbërisë për atë kohë. Dhe kjo kuptohet më mirë po të kemi parasysh lidhjet e krushqive midis familjeve princërore në shekujt e XIV dhe XV. Kështu përshëmbull tre nga vajzat e Gjon Kastriotit u martuan me bujarë nga familjet e njohura princërore, si tek Muzakajt, Aranitët e Topiajt (Hitoria e Shqipërisë- f.252). Po ashtu, siç tregon Gjon Muzaka në “Memoria”, një motër e Gjin Muzakës, Maria, qe martuar me Gjergj Aranitin. E para bijë e tij, Andronika, kur u rrit, u bë gruaja e Gjergj Kastriotit, Skenderbeut. Kurse Gjon Muzaka e mori nusen e vetë nga dera e Dukagjinëve.
I përmendëm këto krushqi për të përfytyruar sadopak lidhjet miqësore, si dhe hartën e aleancave midis familjeve feudale në Arbëri. Dhe në çdo dasëm midis tyre ka lëvizur flamuri me shqiponjën, që i printe krushqit tek kalëronin për çdo festë martese. Deri vonë ka qenë ky zakon. Madje në Kosovë udhëtimi i krushqëve me flamur kombëtrar, kur merrej nusja ishte i gjallë deri në fillim të këtij shekulli të ri. Kjo dukuri zakonore ka rëndësi të kuptohet për anën etnografike të çështjes: se si emblema e shqiponjës dykrenare është futur aq natyrshëm në psikologjinë kombëtare qysh nga thellësia e shekujve. Kështu duhet të pranojmë se shenja më dalluese e shqiptarëve pas gjuhës amëtare ishte dhe është flamuri me këtë emblemë. Pra lufta për flamurin dhe me këtë flamur në ballë, në gjoks dhe në zemër ishte lufta për idenditetin kombëtar.
Një dëshmi tjetër materiale që flet për lashtësinë dhe adhurimin e të parëve tanë për flamurin është edhe epitafi në varrin e Gjon Muzakës, që gjndet në Francavilla të Otrantos: “I plotfuqishmi Jezu, ty të falet këtu Gjon Muzaka, i biri i Gjin Despotit, Zot i Myzeqesë dhe i Epirit që nga qyteti i Bizantit trashëgoi shqiponjën dykrenare qe e mbante në flamur, i dedikohet kurorë detyrimi në vitin e Krishtit 1510”[17]
I ngjajshëm me këtë fakt duhet përmendur si dëshmi me interes për simbolin kombëtar të Shqiponjës edhe varri i nipit të Skënderbeut, Kostandin Kastriotit, që ndodhet në kishën e Shën Marisë së Napolit, ashtu si e përshkruan edhe Eqrem Bej Vlora: ”Mbi varrin e nipit të Skënderbeut në kishën e Shën Mërisë së Ëngjejve në Napoli është venë stema e tij: një shqiponjë heraldike me një yll të bardhë e vezullues pesëcepësh mbi të dy krerët”[18]
Këto episode tregojnë për lidhjen shpirtërore që kanë pasur etërit tanë me simbolin e Shqiponjës, me emblemën e flamurit të tyre. Ata e adhuronin atë në këtë jetë, po edhe deri në amshim. Ashtu, ata duken sikur thonë se edhe të vdekur ata janë mbajtës të flamurit, janë mbajtës të shqipes, janë shqiptarë për jetë të jetëve.
Shumë domethënës është edhe një afresk i piktorit të famshëm italian Paolo Veronëzi[19]. Ky artist, në kishën San Sebastian[20] të shqiptarëve të Venecias, ka pikturuar një afresk në qendër të të cili të duket një person që mban në gjoksin e tij të veshur një këmishë me shqiopopnjën dykrenare të flamurit shqiptar. Edhe kjo pamje e afreskut mesjetar, e mesit të sh.XVI, dëshmon se sa fortë kanë qenë të lidhur shpirtërisht të parët tanë me emblemën e flamurit të tyre, gjë që i ka bërë aq përshtypje frymëzuese edhe piktorit të famshëm Paolo Veronezit, që brenda mureve të kësaj kishe e ka trajtuar dy herë embelemën e flamurit shqiptar. Është kënaqësi që këto afreske janë të ruajtura fare mirë deri në ditët tona.
* * *
Po ky flamur me shqiponjën në mes do të ishte simboli i bashkimit të stërgjyshërve tanë edhe për gjatë kohës së qendresës kundër pushtimit turko-osman siç shkruan dhe Pashko Vasa në veprën e tij për kohën e rënies së Shkodres: “Një pjesë e popullsisë, për të mos u nënshtruar gjithësesi, u ngrit e iku në dhe të huaj dhe kërkoi strehim në Itali; një pjësë tjetër mori malet, në majat e të cilave flamuri kombëtar vazhdonte të valvitej krenar dhe i nderuar.”[21]
Kjo lidhje shpirtërore e stërgjyshërve tanë me simbolin e shqiponjës u ka pas tërhequrn vëmendjen shumë studjueve të huaj, të cilët, duke qënë eruditë të shquar, e dinin rolin e emblemave në Mesjetën Evropiane për të emëruar etnitete a po dinasti të ndryshme. Njeri nga këta eruditë që qe i angazhuar me gjuhësinë shqipe është albanologu Maximilian Lambertz [22] . Prof. E. Çabej, duke trajtuar problemin e emrit etnik, shkruan në librin e tij “Shqiptaret midis Perëndimit dhe Lindjes”: ”Oberhummer pranon së fundi mendimin e M.Lambertz-it, ky dijetar, thotë ia kishte spjeguar emrin mjaftë mirë prej shqiponjës, si emër i një totemi nga koha e Skënderbeut”[23].
Po në atë faqe të veprës së tij Prof. Çabej shenon se ky mendim gjen mbështëtje te një vrojtim i Edith Durham-it[24]… “Shqiptarët quhen kështu pas shqiponjës. Në flamurin e Skënderbeut dhe te stema e Shtetit të ri Shqiptar ndodhet një shqipe.” Me këtë rast theksojmë se Prof. Çabej nuk shpreh mendimin e tij për këtë çështje, po ai as nuk e mhon këtë hipotezë. Përkundrazi, ai lë shkas për diskutim, kur në veprën e tij ka pohuar : Duke përmbledhur ç’kemi thënë na rezulton se emri i ri (shqiptar) na shfaqet si emër familjeje në një kohë kur emri i vjetër i popullit është edhe në lulëzim e sipër. Të dy emrat do të kenë luftuar shekuj me radhë me shoqi-shoqin për përhapjen e vet në popull, gjersa nga fundi i shekullit të XVII emri i ri doli fitues.[25]
Në këtë tragë mundohet të ecë edhe studiusi francez, Robert d’ Angely, i cili, bazuar në gjellitjet e veta për etnonimin “shqiptar” thotë se fjala “shkibetar” nuk do të thotë tjetër gjë, veçse mbajtësi i shqipes( i shqiponjës)[26]. Dhe më pastaj ky autor vazhdon ta shtjellojë idenë e tij se fjala “shqiptar u bë e njohur dhe e famëshme për shkak të qendresës së një ushtrie të vogël shqiptare, që ishte bartëse e shqiponjës, e shqipes të princit legjendar Gjergj Kastrioti”[27].
I impresionuar nga simbolika e flamurit tonë kombëtar, edhe studiuesi dhe diplomati amerikan Xhorxh Fred Uilliams, i cili dallohej për kulturën e tij gjuhësore dhe historike, gjykon e shkruan për popullin tonë në trojet e ish Arbërisë: “Emri i vërtetë i kësaj toke është Shqipëri, dhe i popullit shqiptar, që do të thotë “toka dhe bijtë e shqipes”.[28]
Ndër shekujt e robërisë turke, shumë nga të dhënat dokumentare për flamurin kombëtar të Shqipërisë nuk kishin mbetur fare të izoluara. Në qarqet e dijetarëve dhe historianëve të Evropës, kur është folur e shkruar për luftën e Shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut, është përmendur kohë pas kohe me siguri edhe flamuri tij. Mjafton të kujtojmë rastin interesant të shkrimtarit amerikan Henri W.Longfellou, i cili më 1873, shkroi një poemë për heroin tonë kombëtar të titulluar “Scanderbeg”. Në mënyrë të vaçantë ai përshkruan momentin solemn, që ka të bëjë me ngritjen e flamurit me shqiponjën dykrenare, më 28 Nëntor,1443, që në përkthimin e Fan Nolit lexohet aq bukur:
“Nga kështjella shpejt ka rënë
Flamuri me gjysëm hënë,
Edhe populli shikon
Që në vend të tij valon
Flamuri i Skënderit n’erë,
Skabë’ e zezë me dy krerë[29].
Është me rëndësi të vemë re se si poeti amerikan prej mijëra kilometrsh larg arrin të gjejë subjektin e poemës për heroin kombëtar të shqiptarëve dhe të fokusojë poetikisht emblemën tradicionale “Shkabën e zezë me dy krerë”. Kështu, ky rast, kur në kushtet e shekullit XIX, një poet i Botës së Re, matanë Atlantikut, kalon oqeanin me fantazinë e tij, për të hulumtuar një të vërtetë historike lidhur me simbolin tonë kombëtar, nuk ka se si të mos i jepë kënaqësi çdo shqiptari, që ta ndjejë veten krenar për vendin dhe Flamurin e tij të lashtë si simbol mbarëkombëtar.
Mbas Luftës së Dytë Botërore një tjetër autor, Julian Ameri,[30] në librin e tij “Sons of the Eagle” (Bijtë e Shqipes), duke kuptuar adhurimin e shqiptarëve për flamurin e tyre me shqiponjë, do të shkruaj: “Shqiptarët, të cilët pohojnë se vijnë prej ilirëve të vjetër, e quajnë veten “shkipetarë”, fjalë, që po të përkthehet, ka kuptimin “bijtë e shqipes” .
Pak a shumë këtë gjë thotë edhe një autor amerikan, Robert Kaplan në librin “Balkan Ghosts” (Fantazmat e Ballkanit). Duke komentuar për shqiptarët dhe Shqipërinë, ai shkruan se “Atdheu i tyre quhet Shqipëria, që do të thotë “toka e shqiponjës” (Land of the Eagle).
Nga sa u parashtrua duket qartë lidhja e përherëshme shpirtërore e të gjithë shqiptarëve me simbolin e shqiponjës së flamurit. Ja pra, është kjo arsyeja pse dhe shumë studiues të huaj e njësojnë emrin e shqiptarit dhe të Shqipërisë me simbolin e shqiponjës së emblemës së flamurit. Prej gjithë këtyre deklarimeve kuptohet se Flamuri me Shqiponjën dykrenare qe bërë pjesë e ndërgjegjes sonë shqiptare.
Politika asimiluese e sulltanëve gjatë periudhës së errët të sundimit turk bëri që shumë nga traditat tona kulturore te dobësoheshin ose të zhdukeshin. Kështu qe e ndaluar në të gjitha trevat arbërore të përmendej flamuri kombëtar dhe emri i lavdishëm i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Po simbolet kombëtare, si dhe figura e Skënderbeut mbetën të gjalla në mendjen dhe kujtesën popullore, e sidomos tek vëllezërit e n jë gjaku , tek arbëreshët, që u vendosën në Itali, pas vdekjes së Skënderbeut. Tok me këngët dhe legjendat për kohën e Skënderbeut ata ruajtën dhe flamurin tonë të lashtë. Vlen të përmendet me këtë rast patrioti intelektual Zef Skiroi, i cili, në të përmuajshmen e tij “Arbëri i ri”, do të vendoste rregullisht emblemën tradiciuonale të flamurit me shqiponjë dykrenare, nga 1880 deri 1895. Pak më vonë, mbas vitit 1900 këtë shembull do ta ndiqte edhe F. Konica, i cili edhe ai, kur botoi të përmuajshmen e vetë “Albania”, do të vinte në faqen e parë të kësaj reviste këtë emblemë të Flamurit me simbolin e shqiponjës. Po ky Flamur me këtë emblemë, i ardhur vëllazërisht nga arbëreshët e Italisë, do t’i printe kryengritësit malësorë me në krye Dedë Gjo Lulin, dhe që më 6 prill të vitit 1911 u valëvit në majën e Deçiçit.
Pak kohë më herët, para kësaj ngjarjeje, në pranverën e vitit 1908, poeti i Rilindjes Kombëtare, Asdreni, do t’i jepte korit të kolonisë shqiptare të Bukureshtit poezinë e tij “Betimi mbi Flamur” si tekst për Himnin Kombëtar. Kështu filloi të këndohej Himni i Flamurit, që do të vinte me anë të poetit patriot Hilë Mosit nga Bukureshti në Korçë dhe prej atje do të përhapej gojë më gojë dhe shpejt e shpejt nëpër disa anë të Shqiperisë. Dhe, pasi qe kënduar për rreth katër vjet, në fusha dhe male, kënga e Himnit të Flamurit do të futej edhe në Kuvendin Mbarëkombëtar të Vlorës, më 28 Nëtor 1912. Atë ditë historike, kur prinjësi i Kuvendit të pavarësisë, Ismail Qemali, do të ngrinte Flamurin, ai do të bekonte edhe Himnin e këtij Flamuri, që do të këndohej nga Kuvendarët dhe do të shpallej Himn Kombëtar. Që nga ajo kohë , për më shumë se një shekull, Himni Flamurit ka qënë preludi i i tërë aktiviteteve patriotike, kulturore, artistike e sportive për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Qysh atëherë fjalët e Himit Kombëtar na shungullojnë në vesh si një thirrje dhe kushtrim për të qënë të bashkuar si komb rreth simbolit të Flamurit:
Rreth flamurit të përbashkuar,
Me një dëshirë’ e një qëllim,
Të gjith’ Atij duke iu betuar,
Të lidhim besën për shpëtim.
Bibliografi:
1- Çabej, E. “Shqipëtarët midis Perëndimit dhe Lindjes” MÇM, Tiranë, 1994.
2- Ermenji, A. “Vendi që zë Sëkënderbeu në Historinë e Shqipërisë”, btimi II, Tiranë, 1996.
3- Vlora, E. “Kujtime”, Shtëpia e Librit dhe komunikimit, Tiranë, 2001.
4- Shehu, A.. Gazeta “Illyria”, Nëntor,2003.
5- Plutarck’s Lives, vol. III, Boston, 1859.
6– Vasa, P. “Vepra Letrare” 1, Shtepia Botuese “N. Frashëri”, Tiranë, 1986.
7- Barleti M. “Historia e jetës dhe e vep. të Skenderbeut”, Tiranë 1968.
8- Muzaka, Gj. “Memoria”, Toena, Tiranë, 1996.
9- Nadini, L. “Statuti di Scutari”, Universita di Venecia, 2002.
10– Barleti, M. “Rrethimi i Shkodrës”, sh. Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1982.
11- Muzaka, K. “Memoria”, Toena, Tiranë, 1996.
12- Vasa, P. “Vepra letrare”, 2, sh. b. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1987.
13- Angely, R. D’. “Enigma”, Toena, Tiranë, 1998.
14- Amery, J. “Sons of the Edagle”,London, 1948.
15- Noli, F. “Vjersha te Zgjedhura”, Instituti i studimeve shkollore, Tiranë, 1965
Massachusetts – Boston
15- X – 2023
[1] Eqrem Bej Vlora, “Kutime”.v.2., Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit, Tiranë 2001, f.13.
[2] Straboni – ( 63 Para Krishtit – 24 Pas Krishtit): Gjeograf dhe historian i antikitetit greko – latin.
[3] Agim Shehu, Gazeta “Illyria”, Nëntor, 2003.
[4] Plutarch ‘ s Lives, vol. III, Boston, 1859, f.11.
[5] Pashko Vasa, Vepra letrare 1, (Shqypnia dhe Shqiptarët), Shtëpia Botuese “N. Frashëri”, Tiranë, 1987, f..53.
[6] N.Frashëri, “Vepra Letrrare”2, Rilindja, Prishtinë, 1978, f. 150
[7] Abas Ermenji, “Vendi që zë Skëndserbeu në Historinë e Shqipërisë”, Botimi I I, Tiranë, 1996.
[8] Marn Barleti, “Historia e jëtës dhe e veprave të Skënderbut”, Tiranë 1968 f.. 93.
[9]Historia e Shqipërisë, Tiranë 1959, f. 208.
[10] Gjon Muzaka, ”Mëmoria”,, Toena,Tiranë,1996, f.29.
[11] Evlija Çelebiu: Kronikan turk..Shënimet e tij nga përshtypjet që pati për vëndin tonë dhe viset fqinjë janë përkthyer nga A. Myftiu dhë janë publikuar më 2007 nga botimet “Faik Konica” në Prishtinë. Nga kjo përmbledhje kemi marrë këtë frazë të nënvizuar.
[12] Lucia Nadin, “Statuti di Scutari”, Universita di Venecia, 2002, f.79.
[13] Lucia Nadin,”Statuti di Scutari”,Universita di Venecia, 2002, f. 49.
[14] Lucia Nadin, “Statuti di Scutari”., Universita di Venecia, 2002, f. 50.
[15] Marin Barleti, “Rrethimi I Shkodrës”, Tiranë, 1982, f. 56.
[16] J. de Lavardin ,baron i kulturuar francez që shkroi një libër biografik për Skënsderbeun i bazuar kryesisht te M.Barletit.Vepra pati jehonë në Francë dhe më gjërë. Para së gjithash duhet të përmendim mbresat që i la poetit më të ndritshëm të Pleiadës P. Ronsard-it, i cili, i frymëzuar nga libri, shkroi një sonnet lavdëruse për autorin , duke ngritur lart heroin e veprës Gj. Kastriotin/ Skënderbeun,duke e quajtur atë Akil dhe që fitoi njëzet e dy herë kundër turqve Osmanllinj. Shenojmë se kjo sonnet është në faqen e parë të veprës, pra si parathënie, gjë që tregon se Poeti e ka pas lexuar veprën e Lavardinit në dorëshkrim.
[17] Kostandin Muzaka, “Memoria “ e Gjon Muzakës,Toena, Tiranë, 1996, f.68.
[18] Eqrem Bej Vlora, “Kujtime”, vëll.2, Shtëpia e Librit dhe Komunikimit, Tiranë, 2001, f. 13.
[19] Paolo Veronese është piktor i Rilindjes italiane, 1528-1588.
[20] Kisha San San Sebastian u përkiste shqiptarëve, që kishin vajtur në Venecia pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, Skenderbeut. Ndërtimi i kësaj kishe at filluar më 1605 dhe u kompletua më 1648.
[21] Pashko Vasa, “Vepra Letrare”, vol. 2, Tiranë, Shtëpia Botuese “N.Frashëri”, 1987, f. 21.
[22]Maximilian Lambertz: (1882- 1963): albanolog austriak; mbas Luftës së Dytë Botërore u vendos në Gjermaninë Lindore.
[23] Eqrem Çabej, “Shqiptaret Midis Perëndimit dhe Lindjes”, MÇM, Tirane, 1994, f. 15.
[24] Edith Durham(1863-1944): studiuese angleze në Institutin Mbreteror Anthropologjik. Në fillim të shek. XX ajo bëri disa shtegëtime kërkimore në Shqipërinë e Veriut. Përshtypjet e saj janë përmbledhur në librin ”High Albania”.
[25] E. Çabej, Shqiptarët midis Perëndimit dhe lindjes, MÇM, Tirannë, 1994, f. 15.
[26] R. d’ Angely, “Enigma”, Toena, 1998, f. 180.
[27] R. d’ Angely, “Enigma”, Toëna, 1998, f. 290.
[28] Xh.F. Williams (Georg Fred Ëilliams) (1852-1932), studiues dhe diplomat amerikan, që shërbeu si ambasador në fillim të shek. XX në Greqi dhe në Mal të Zi.
[29]Fan Noli, “Vjersha të zgjedhura”, Tiranë, 1965, f. 44.
[30] Julian Ameri (1919-1997): Politikan edhe studiues anglez; u fut në Shqipëri në prill të vitit 1944 në kuadrin e forcave aleate. Qendroi në Shqipëri në radhët e forcave të luftës kundër nazistëvë gjërmanë. Pas Luftës së Dytë Botërore botoi disa libra; njëra nga ato është për Shqipërinë dhe titullohet “Sons of the Eagle” – (Bijtë e Shqipes).