Skënder Jashari *
Arsyeja është e thjeshtë, Shqipëtarët( e veçmas Shqipëtarët e Luginës) sa herë që ranë nën influencën turke-osmane, pansllavistët përfituan territorialisht.
Ardhja e Perandorisë Osmane në Gadishullin Ilirik, në Betejën e Maricës, të shtator 1371, në të cilën pësuan disfatë të krishterët e ballkanit, që në këtë rast dy princërit serb u bënë vasal të osmanëve. E njejta situatë ndodhet edhe në Betejën e Kosovës, të 1389, falë princit serb i cili tradhëtoi të koalicionin e krishterë të gadishullit Ilirik, fituan osmanët.
Perandoria Osmane, filloi përdhuni islamizimin e Shqipëtarëve, pas dështimit të Kryengritjes së krishterëve( gjegjësisht Shqipëtarëve), të vitit 1689, ku veçmas Shqipëtarët e Nishit-Prishtinës-Shkupit dhe Nishit-Shkupit, pësuan tmerrësisht më keq, pasiqë nëpër kanalin Morava-Vardar, kaluan ushtritë austriake dhe kryengritësit Shqipëtar. Nga njëra anë me dështimin e kryengritjes, Perandoria Osmane filloi gjenocidin sërish kundër Shqipëtarëve për islamizim, ndërsa në anën tjetër Kisha katolike në Mërqi, kërkonte ruajtjen e fesë katolike. Pasuan spastrimet etnike, derisa Shqipëtarët ngriteshim në kryengritje vazhdimisht, 1830, 1847 etj.
Dekretet e Sulltanëve Osman, për osmanizimin e Shqipëtarëve, si ai i vitit 1836, 1856 etj, filluan tashmë tjetërsimin kombëtar( ndalimin e gjuhës shqipe në vende publike, ndalimin e shkollës shqipe, derisa shkolla serbe u lejuan!), pas tjetërsimit fetar të shekullit të kaluar. Nëpër ultësirat e vendbanimeve Shqipëtare, deri në një masë, varësisht nga burimet historike, Shqipëtarët ishin islamizuar. Islamizimi i tyre ishte bërë nën siluetën islam që nënkuptonte edhe ndryshimin e identitetit kombëtar, pra bërjes turk-në fjalorin e stërgjyshërve tonë, thuhet “ ai është bërë turk”- në rastin kur një shqipëtar është bërë musliman.
Ambasadori rus në Sofje, më 1815, kishte vërejtur islamizimin e mjaftueshëm të popullatës së gadishullit Ilirik-Ballkanit, sa që sugjeroi përdorimin e hoxhallarëve të rekrutuar nga Rusia, për qëllim të parapërgatitjes së shtrirjes së pushtimit sllavo-rus, praktikë kjo e përvetësuar edhe nga Serbia dhe Greqia. Derisa këtë praktikë e shohim që edhe sot aplikohet në masë të shtuar në Trojet tona, njihen disa dhjetëra hoxhallarë salafist-vehabist, që janë paguar dhe ndikuar nga Serbia etj.
Derisa atë që s’mund ta bënte Perandoria Osmane, në turqizimin( islamizimin) dhe osmanizimin e Shqipëtarëve, e bënë pansllavistët me anë të luftës. Veçmas kalvari i Shqipëtarëve në vitet 1877-1878, në Qarkun e Toplicës,( rrethet: Jabllanicës, Kosanicës, Prokuplës), Qarkun e Nishit( Vllasotincës, leskocit, Nishit), Qarkut të Vranjës( Masuricës, Polanicës, Pçinjës, Pirotit, Vranjës), por kishte edhe Shqipëtar në Qupri, Paraqin, Krushec, Aleksinc, Kralevë, Beograd, Uzhicë etj. Numri i popullatës ishte i ndryshëm varësisht burimeve, mirëpo historiani amerikan Justin McCarthy flet për 131.000 musliman (nënkupto Shqipëtar) në Sanxhakun e Nishit në vitet 1876, derisa në vitin 1882 kishin mbetur 12.000 të tillë. Tragjedia filloi në dhjetor 1877, kundër shqipëtarëve duke i etiketuar të tillët si turq( derisa kujto që ne Shqipëtarët shumica absolute e quanim veten turq!- turq i quanin edhe Serbia që të përligjte luftën dhe gjenocidin kundër Shqipëtarëve).
Serbia në vazhdimësi pastaj aplikoi mënyra e metoda për turqizimin, islamizimin, boshnjakëzimin, maqedonizimin, kroatizimin, goranizimin dhe egjiptianizimin e fund edhe shpërnguljen e Shqipëtarëve.
Reforma agrare nuk ishin shpikje të Serbisë, por ato u aplikuan kundër Shqipëtarëve së pari nga Perandoria Osmane, e njohur si Tanzimat në vitet 1839 dhe 1876. Derisa Serbia, Mali i zi, përvetësonin praktikat osmane, nga Naçertania; pastaj më 2 mars 1865 nxjorri Ligjin për kolonizimin e të huajve; pasuar pastaj me ligjin e 3 janar 1880, të titulluar Ligji për viset e reja të kolonizuara; Mali i zi nxorri “Ligjin mbi kolonizimin e viseve të posaçliruara” më 27 shkurt 1914; Dekretligjin mbi kolonizimin e viseve të reja jugore i vitit 1920, i aprovuar më 1922 si Ligji mbi kolonizimin e viseve të reja; Dispozitat paraprake për përgatitjen e reformës agrare në Mbretërinë e re të SKS-së, të 25.02.1919 dhe Urdhëresa e Këshillit Ministror të Mbretërisë së SKS-së të 10.09.1919, për aplikimin e pjesërishëm të Dispozitave paraprake për përgatitjen e reformës agrare( edhe pse Mbretëria e SKS-së ishte nënshkruese e Traktatit të Sen Zhermenit, për respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare), e që gjatë kësaj kohe Serbia boshnjakëzonte Shqipëtarët, vlet të shikohet edhe deklarimi i kreut të Bashkësisë Islame të Bosnjës Reis Ul-Ulema Çausheviqi, në nëntor 1918, thekson që në rrethinën e Prishtinës ishin vrarë 5.000 veta! Pasuar nga Vasa Çubrilloviqi, “Problemi i pakicave në Jugosllavinë e re” 3 nëntor 1944; Dekreti jugosllav dhe “ligji për revizionin e ndarjes së tokave kolonëve dhe të interesuarve të tjerë agrarë në Maqedoni dhe në Kosovë e Metohi” të 5 nëntor 1945; Direktiva e Politbyros së KQ PKJ, të 1 prill 1945, për kthyerjen e kolonëve në Kosovë; Këshilli Agrar në mbledhjen e 16.10.1945 për kthim kolonësh.
Pas Luftës së II Botërore: Ligji mbi revidimin e ndarjes së tokës kolonistëve dhe të interesuarëve argrarë në Maqedoni dhe në Krahinën e Kosovës e Metohisë; Ligji mbi reformën agrare dhe kolonizimin; Ligji mbi ndarjen e tokave të braktisura të kolonistëve në KAKM; Ligji mbi reformën agrare dhe kolonizimin e brendshëm; Ligji mbi sekuestrimin e profilit të luftës të arritur gjatë kohës së okupimit të armikut; Ligji mbi kalimin në pronësi të shtetit të pasurisë së armiqëve dhe sekuestrimin e pasurisë së personave të arratisur; Ligji mbi konfiskimin e pasurisë dhe ekzekutimin e konfiskimit; Ligji mbi vërtetimin dhe ndyrhsimet e plotësimit të Ligjit mbi konfiskimin dhe ekzekutimin e konfiskimit; Ligji themelor mbi veprimin me posedimet pyjore të eksproprijuarar dhe të konfiskuara; Ligji mbi veprat penale kundër popullit dhe shtetit; Ligji mbi nacionalizimin e ndërmarrjeve ekonomike dhe private; Ligji mbi nacionalizimin e ndërtesave të dhëna me qera dhe të tokës ndërtimore; Ligji themelor mbi eksproprijimin; Dekretligji mbi arondacionin e tokës ekonomike-bujqësore; Ligji mbi fondin e tokave bujqësore të pasurisë së përgjithshme popullore dhe ndarjen e tokave organizatave bujqësore; Libri i Kaltër, më 1977; Ligji për sigurimin e banesave për nevoja të kuadrit dhe kthyerjen e personave të shpërngulur nga Kosova në periudhën 1989 deri 1993; 6 gusht 1992, Programi për formimin e fondit për zhvillimin e Serbisë; Ligji për Organizimin territorial të Serbisë; etj etj. Në të gjitha këto Shqipëtarët në mënyrë eksplicite apo edhe implicite quheshim turq, shpërnguleshim me dhunë dhe metoda tjera për në Turqi, parashihej asimilimi etj.
Madje edhe gjatë periudhës kur Shqipëtarët ishim në kryengritje të përgjithshme antiosmane, në vitet 1908-1912, Serbia publikoi “Direktivën për punë me Shqipëtarët”. Gjatë kësaj periudhe, Serbia zgjeroi territorin për 82% dhe popullësinë për 55%, Mali i zi zgjeroi territorin për 62% dhe popullësinë 100%, Bullgaria zgjeroi territorin e vetë për 29% dhe popullësinë për 3%, Greqia zgjeroi territorin për 68% dhe popullësinë për 67%, pra të gjitha këto vende zgjeruan territorin për 67.79% në dëm të territorit tonë!
Ushtarët serb, gjatë kryerjes së gjenocidit kundër Shqipëtarëve, të Sanxhakut të Nishit deri në Luginë të Preshevës( dëshmitarë e kësaj Golgote Shqipëtare ka mbetur Lugina e Preshevës), ku edhe sot përcjellen fjalët e të parëve tonë, që çdo ushtar serb i shiste fesin turk që ta vendoste kryefamiljari a familjarët Shqipëtar, për t’u dukur edhe në pamje se janë turq. Madje tregjet shitnin fesat turk, p.sh: me 1 lirë ari mund të bliheshin 70-80 fesa turq, ndërsa vetëm me ardhjen e pushtimit serb 1 fesë turk nuk mund të blihej as për 70-80 lira( Shqipëtarët i kërkonin fesat turk, që të shpëtonin nga vrasja serbe!). Madje çdo shtëpi Shqipëtare në Luginë të Preshevës, deri vonë kishte fesin turk, të ruajtur në rast rreziku të shpëtonin jetën nga Serbia, duke u paraqitur si turk.
Gjatë viteve 1912-1914, rreth 500.000 Shqipëtar, gjatë viteve 1923 deri në Luftën e II Botërore mbi 300.000, në vitet 1953-1956 mbi 530.000 Shqipëtar i shpërngulën për në Turqi u shpërngulën.
Kohëve të fundit, shohim shtimin e drejtëpërdrejtë të ndikimit turk, madje në formë të pushtimit modern, pra një formë e re e ardhjes së pushtimit Osman të ditëve të sotme. Orientimi yn pro-Osman, shkaku i islamizmit që nënkuptonim islamin baraz me turk, në vitet 1877-1908, borxhet e humbjet e Turqisë t’i paguanim ne Shqipëtarët. Andaj sërish i levërdisë Turqisë që edhe në rast humbje, të humbin Shqipëtarët e jo turqit.
Sot, edhe kur kemi dy shtete Shqipëtare, të cilat heshtin dhe nuk parandalojnë rreziqet që i kanosen Shqipëtarëve sidomos atyre të Luginës së Preshevës, është absurd i llojit të vetë.
Nga ana tjetër, vetëm SHBA, në shekullin e shkuar, tregoi denjësi që Shqipëtarët arriti t’i mbrojë, duke mos qenë në asnjë element të vetëm Shqipëtarët të rrezikuar nga SHBA. Madje edhe në këtë millenium, SHBA dëshmoi dhe detyroi institucionet e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, që të luftojnë terrorizmin islamik, dukuri kjo e importuar nga sllavo-turko-arabët. Madje zëri i SHBA-së, u ngrit bashkë me zërin e Shqipëtarëve nacionalist, edhe kundër të ashtuquajturit Sulltan Erdogani dhe ndikimit neocolonialist të Turqisë në Trojet Shqipëtare.
Më: 24.06.2022
Skender Jashari i burgosur politik nga EULEX, për rastet e sulmeve kundër policisë dhe xhandarmërisë së Serbisë në Dobrosin, komuna e Bujanocit. Ky shkrim është pjesë e marrur nga punimi i bërë gjatë qëndrimit në burgimin politik!
Master drejtimi juridiko-penal dhe studime joformale ushtarake.