SHOKU IM, DËSHMITAR I ËNDRRËS PËR ATDHE

1
Ilmi Ramadani

Shoku i rinisë sime, Ilmi Ramadani, paska ikur në botën e amshimit!

Pikëllimi është i natyrshëm për mua…

Në këto çaste më rikthehen copëza kujtimesh: ndejat në odën e Malajve, të Hasanit e të Rexhepit me Nijazi Korçën, Fazli Abdullahun e ndonjë tjetër, e rregullisht me Ilmiun te Selku, siç e thërrisnim babain e tij.

Edhe pse ishim fare të rinj, Ilmiu ishte më i riu ndër ne. I heshtur e plot kureshtje, ai i gëlltiste fjalët tona që lidhnin shpresat me diçka të “rrezikshme”: kundërvënien ndaj asaj Jugosllavie që na shkelte kurrizin.

Nuk bisedonim për dashuri, as për “dashuriçka” të rinisë. Ne gatuheshim nga frymëzimet e atdhetarëve të ndjekur e të burgosur politikë. Ata ishin heronjtë që përfliteshin në ndejat tona. Pyetja që na mundonte ishte: si të merrnim mësimet nga bëmat e tyre?

Pastaj erdhën provat e para – Demonstratat e 1968 në Gjilan. Ilmiu nuk reshti së vepruari. Ai u bë i pandashëm me Rexhep Malën. Pasuan ndjekjet e UDB-së, burgosjet. Edhe Ilmiu u burgos, por nuk u ndal kurrë.

Ai vazhdoi veprimin e tij deri në Luftën Çlirimtare të UÇK-së. Në atë luftë të pabarabartë me Serbinë çetnike, Ilmiu dha gjithçka që kishte. Pas çlirimit të Kosovës, ai mbeti i lidhur me çështjen kombëtare e politike, duke e përmbyllur jetën e tij si veteran i idealeve për të cilat kishte sakrifikuar rininë.

Ilmi S. Ramadani pushoftë në dheun e atdheut për të cilin sakrifikoi rininë dhe pranverën e jetës së tij, të mbrujtur me idealet e çlirimit kombëtar!

Shoku im… Kujtimi yt do të mbetet i pashuar në zemrat tona dhe në historinë e Kosovës!

MEHMETALI REXHEPI

1 KOMENT

  1. Lajmin për ndarjen nga jeta, të atëmëmëdhetarit të devotshëm, Hilmi Ramadanit, e pritëm familjarisht me dhembje të madhe. Me këtë rast, shprehim ngushëllimet më të sinqerta Teutës, bashkëshortes dhe bashkëluftëtares së tij, familjarëve, miqve, bashkëveprimtarëve, bashkëluftëtarëve çlirimtarë dhe gjithë opinionit të gjerë publik, për humbjen e këtij atëmëmëdhetari e personaliteti të shquar shqiptar.

    Lavdi jetës dhe veprës së Ilmi Ramadanit!
    U përkujtoftë përjetësisht ky bir besnik i popullit liridashës shqiptar!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.