
Bedri TAHIRI
Në studion e poetit kombëtar Atdhe Geci, midis një mali me fletëza të shkruara gjeta edhe këtë thirrje kombëtare:“O frymë e re e Atdheut, lajmëroni shqiptarët se kthimi i Atdheut në emrin e vet Iliri, është e ardhmja jonë kombëtare”.

Libri më i ri i poetit dhe publicistit Atdhe Gecit, “Vogëlimat e prushit” me një mijë poezi dhe me nga katër vargje që, po i jepet në dorë lexuesit tonë është një kështjellë poetike në ndërtim. Të gjitha poezitë në librin “Vogëlimat e prushit” ose “Gacat poetike”, titull i punës së librit, janë poezi të shkurtra ose siç i ka quajtur me të drejtë autori Geci, vogëlima. Është interesant të thuhet se në letërsinë tonë të bukur për herë të parë kemi një libër të plotë me këtë lloj poezie të “Vogëlimave poetike”.
Kjo jetë e vogël që çelë në mua
është jeta ime, koha në të cilën
jetoj, me poezi e ndaj jetën me
ju, dhe dashurinë me Drenisën.
Dardania sërish po rilindet me emrin e vet. Qenia jonë kombëtare ditë e për ditë po merr shtat. Libri i shkrimtarit kombëtar Atdhe Gecit “Vogëlimat e prushit” u lind nga dorëshkrimi i “Gacave poetike”, nga fryma e ashpër e jetës së poetit, nga muza me këmishë flamuri, nga motivet e pafundme të jetës. Në një poezi të Gecit lexoj: Kur mami e babi puthen / një emër më shumë / dhe njëmijë urime i shtohen një të linduri…
Në Kodër të Brijës, në balkonin e Roganës më thotë poeti, më erdhi poezia e parë, më erdhi e zhurmshme dhe me rropamë, por melodia e vargjeve të poezisë të atij frymëzimi qe e jashtëzakonshme. Bedri, unë kujtoj se çdo herë fryn kur më lind poezia!…
Në Kodër të Brijës në Roganë
një kaçubë më ka pas thënë
jam e vogël dhe kam pak shtat
vesë prej barit pijë çdo natë…
Poeti kombëtar Atdhe Geci në një intervistë të tij rreth librit, “Vogëlimat e prushit” është shprehur: “Komunikimi shpirtëror dhe artistik i poezisë midis librit dhe lexuesit i ngjan besimit të njeriut ndaj zotit. Lexuesi çdo herë është i lirë që veprën letrare të çdonjërit nga shkrimtarët ta vlerësoj sipas shijes së tij artistike që i jep vepra. Atdhe Geci shkruan: E dua poezinë kur vjen nga muza dhe hyn me hove në fletoren time, e ndiej ardhjen e saj dhe e dëgjoj; ne jemi njerëzit, koha, dhe krijimi!…
Kalli i lindur në flakë
Disa nga poezitë e librit “Vogëlimat e prushit”, të publikuara edhe nëpër revista letrare dhe nëpër antologji, dëshmojnë se ky lloj i poezisë së vogëlimave të poetit Atdhe Gecit është pranuar dhe vlerësuar nga njohësit e letërsisë dhe nga studiuesit e saj.
Digjet e piqet kjo botë n´zjarrmi
Në qendër të Prishtinës ngulmon gjak i ri
Arti i çlirimit nuk njeh kufij
Në të gjitha kohërat ka emrin liri!
Ndërgjegjja e veprës letrare është dhe ndërgjegjja e shkrimtarit. Filozofët dhe shkrimtarët antikë e thoshin, poeti është edukatë e zotit. Libri i poetit kombëtar Atdhe Gecit “Vogëlimat e prushit” është një frymë e re dhe më e drejtpërdrejtë për t´u kuptuar, duke shprehë një vuajtje dhe dhimbje të përbashkët me tërë qytetarët e atdheut dhe të popullit të tij. Populli shkruan poeti Atdhe Geci, është qytetari i parë / mbjellësi i të tëra mbjelljeve /kryengritësi i gjithë betejave / dhe heroi i të gjitha fitoreve.
Poezitë e librit “Vogëlimat e prushit” motivin e kanë nga jeta e përditshme, nga udha e diellit majëmaleve, nga zbritja e rrezeve të diellit nga shpatet, nga hënat dhe yjësitë e universit.
“Në Roganë unë me orë të tëra shikohem me dheun e argjilës së kuqe, me baltën rrënjë luleve, me durimin e farave të bimës tek mbijnë, me shkëmbinjtë që i mbajnë Kodrat dhe shpatet e maleve, me natyrën e mbushur me shëndet. Në Roganë është e pamundur të mos e ndjesh frymëzimin poetik:
Rritu bimë e gjuhës dhe e fjalës
ti që vjen nga gjiri tragjik i jetës
ji shpërthim i flakëve të shpirtit
je lavdi e popullit të përgjakur
Fjala në poezinë e poetit kombëtar Atdhe Gecit kurrë nuk e humbë shkëlqimin, as forcën artistike, as guximin prej shkrimtari. Sa herë e ardhmja ma bën me shenjë më thotë Atdhe Geci unë vargjet i peshoj në peshoren e vetvetes, në peshoren e së vërtetës dhe të mundësive. Çdo varg në librin “Vogëlimat e prushit” shprehet poeti Atdhe Geci është një copë diell në duart në udhët e popullit tim.
Krejt brenda kraharorit
Zemërimi i bie daulles
Trishtimi i bie kitarës
e liria një kënge me vaj…
Miq të poezisë thërret Geci, unë nuk ndahem nga toka dhe atdheu im që më dha aq gëzime dhe të mira në jetë. E ndjej veten të nderuar që jam poet i Roganës, poet kombëtar i atdheut, poet i Çamërisë shqiptare, poet i Iliridës, Krahinës së Mollës së kuqe si dhe Mollgjakes së Ulqinit dhe Kotorit.
Nëpër fletët që shkruaj
kam një dridhje të barit
që era nuk i lëkund,
por një duf prej zjarrit.
Jo të gjitha lulet dhe fijet e barit vyshken nën thikat ku kalon plugi i kohës.
Kam pakënaqësi në kraharor
do duhej të isha më i lumtur
jam popull me vaj të moçëm
kam histori të pasur të fillimit…
Fije jetëshkrimi…
Poeti kombëtar Atdhe Geci, u lind me 06. 01. 1950 në Roganë të Dardanës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Gjimnazin në Gjilan dhe Dardanë. Atdhe Geci u kulturua në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Poeti dhe publicisti Atdhe Geci 15 vjet punoi gazetar, bashkëpunëtorë dhe redaktorë në disa redaksi të Televizionit të Prishtinës. Poeti Atdhe Geci shkruan:
Këta gurë hero j të tokës
i kam shokë, i kam miq
i kam pasuri të vendit,
i kam dhe gurë të truallit
Në Televizion, Atdhe Geci i takonte grupit atdhetar për Çlirimin e Kosovës. Pas desantit ushtarak të Ushtrisë serbe në vitin 1990 mbi Televizionin e Prishtinës, Atdhe Geci në vitin 1995 mërgohet në Dortmund të Gjermanisë, ku, edhe sot e gjithë ditën vazhdon veprimtarinë e tij letrare-artistike e patriotike.
Vepra e Atdhe Gecit është e gjerë dhe e thellë sa detet dhe oqeanet. Librat e tij, “Kanuni poetik” dhe “Iliada shqiptare”, në poezi dhe në poema, bartin kohën e poetit, regjistrin e mesazheve të kombit tonë. Poeti Geci shkruan:
Lexues, duaje këtë libër
përqafoje e shtrëngoje
është si vajzë e bukur
dhe si djalë i pashëm!…
Më 30 tetor 2016, në Kuvendin gjithëpërfshirës çam dhe arbanitas, shkrimtarit Atdhe Geciti iu besua Shpallja e Pavarësisë së Çamërisë, në Konfederatë me Greqinë dhe Bashkim me Republikën e Shqipërisë. Atdhe Geci është autor i „Himnit të Çamërisë“, bashkautor dhe botues i „Kushtetutës të Republikës së Çamërisë“, autor i librit, “Kanuni poetik”, „Dora e Atdheut“, „Trokitje çame“, “Pasha këtë tokë”, “Flatrat”, “Gjuha e së dielës”, „Çamëria, kthim në histori, mision“ dhe autor i librit kryevepër „Shqipëria, më e madhe se Shqipëria“.
Libri epiko-lirik “Iliada shqiptare” i poetit Atdhe Geci është vepër e veçantë letrare në letërsinë shqipe. Ky libër është vlerësuar meritueshëm nga artisti dhe poeti, Llemadeo Lleshi, duke u cilësuar si libër kolos në letërsinë tonë të bukur:
Tre Drina rrjedhin tokës së Atdheut
tre Drina bartin flamuj të ndryshëm
tre Drinat flasin me pasaportë mes veti
tre Drinat i thërrasin ndërgjegjes sonë!
Roganën e dua,- shkruan Atdhe Geci, në një ese të tij, sepse Rogana më mbanë të ëmbël mallin e vendlindjes dhe të Atdheut. Në Roganë zemra ime është më e kënaqur se kudo tjetër dhe më frymëzuese!…
Këndo shqipe e argjilës së kuqe
këndo Roganë e kohës së sotme
një shi Zeusi po bie në Roganë
për lulet, pemët dhe të mbjellat…
Kthimi i emrit të atdheut në emrin e vet, Iliri- është ardhmëria jonë.
Në studion e poetit Atdhe Geci, midis një mali me fletëza të shkruara gjeta edhe këtë thirrje kombëtare: “O frymë e re e Atdheut, lajmëroni shqiptarët se kthimi i Atdheut në emrin e vet Iliri, është e ardhmja e kombit tonë”. Miku im, Bedri Tahiri! Nuk e kam të domosdoshme të jem atdhetar as nuk e kam të domosdoshme të merrem me Atdheun, janë frymë së thelli të zemrës dhe të shpirtit që, i japin kahe krijimit tim!…
Shkrimtari i shuar Veli Kajtazi në librin e tij eseistik kushtuar “Iliadës Shqiptare” të Atdhe Gecit, shkruan: Letërsia shqipe çdoherë ka pas nevojë për zëra poetësh që tejkalojnë kohën dhe hapësirën. Për krijues që me penat e tyre ndërtojnë ura midis kohërave për frymë e ide të reja në letërsi.
Tre gurë graniti janë te Arat e kuqe
tre gurë graniti e kanë një histori
gurit i ka hije të ketë fytyrë të gurit
dhe lisit i ka hije të ketë fytyrë lisi…
Me rastin e përurimit të librit “Shqipëria është më e madhe se Shqipëria”, pos tjerash pata thënë: Libri “Shqipëria është më e madhe se Shqipëria” e meriton emrin e librit që i ka vënë autori. Autori i librit që sot po e përurojmë nuk është Sami Frashëri, as Aristidh Kolia, as Musa Demi, as Dhimitër Pilika, as Elena Kocaqi, as Agron Dalipi, as Hasan Prishtina e Ismail Kadare, por është Atdhe Geci, hartuesi i librit, “Shqipëria është më e madhe se Shqipëria”…
Nga rrjedh Drini, Vjosa dhe Thiami,
i gjallë për dheu lidhur është çami,
për tokën Nënë dhe për vëllain Det,
çami ka forcën që i del zot vetë!..
Këtë ese për librin” Vogëlimat e prushit”, po e përmbylli me një fragment të vetë autorit, nga libri “Çamëria , kthim në histori- mision”:…
Republika e Çamërisë, e shpallur më 30 tetor 2016, në Hagë të Holandës, u lind 15 mijë vjet pas qytetërimit pellazg, 5 mijë vjet pas Diskut të Festos dhe Gurit të Lemnit, 2 mijë e 700 vjet pas Mbretërisë së Pirros, dhe rreth 600 vjet pas Princit të Arbrit dhe Mbretit të Epirit, të hyjshmit,-Gjergj Katriotit- Skënderbeut. Në këtë udhë të gjatë qytetërimi, Epiri i Ilirisë-Çamëria, pati mijëvjeçarë të shkëlqyer të kulturimit; artit, shkencës dhe filozofisë. Por, udhës së vështirë nëpër epoka Epiri i Shqipërisë, Çamëria përjetoi luftëra dhe gjenocide të rënda nga fqinjët tanë; një gjenocid nga Perandoria Romake, një gjenocid nga Perandoria Osmane dhe 3 gjenocide nga shteti grek e ai serb. Dhe, mjerisht, të gjitha këto gjenocide, kurrë të padënuara. Populli që shkruan histori di ta zgjidhë gjëzën e vet qoftë në fushën e betejës qoftë me firmë e bisedime.
Çamëria shqiptare, jo pa të drejtë quhet fole pellazgo-ilire dhe, djep i qytetërimit evropian e botëror. Sipas Robert d’Angaily ajo është djep i burrave të mëdhenj! Është shumë e vërtetë. Çamëria pellazg-ilire nxori viganë, si: Akilin, Odiseun, Aleksandrin e Madh, Pirro Burrin, Papa Shën Eleuterin, Hoxhë Hasan Tahsinin, Dora d’Istrian, Muhamet Çamin, Musa Demin, Marko Boçarin, Mitrush Kutelin, Faik Konicën, Osman Takën, Billall Xhaferrin, Qamil Buxhelin e tjerë!… Në një poezi në librin”Vogëlimat e prushit” poeti kombëtar Atdhe Geci shkruan:
“Koha, Grushti e Nevoja,
Të gjitha janë në listë;
koha akuzohet për ikje,
e liria për prishje të rendit!
Për Çamërinë shqiptare, Çamëria është Shqipëri! Njëmbëdhjetë kryeministra të Greqisë ishin shqiptarë. Vetë babai i historisë, Herodoti, thoshte: Përpara se të pranoheshim ne këtu ku jemi sot, këtu ishin pellazgët! Thuhet koha shëron plagët! Po plagët tona janë të shumta, vetë duhet t´i mëkojmë…
Lexues i nderuar!
Atdheu nuk di të vjetrohet. Të vjetrohet nuk nuk di as liria dhe ëndrra e tij. I tillë është Atdheu i të gjithë shqiptarëve. Poezia nuk shpjegohet, por përjetohet! Ky libër me rreth 1200 faqe ngërthen më vete kohën e poetit dhe të popullit të tij. Libri i poetit kombëtar Atdhe Gecit “Vogëlimat e prushit “ është një frymë e re, një prurje nga më të veçantat e poezisë së këtij lloji në letërsinë shqiptare. Libri i poetit kombëtar Atdhe Gecit “Vogëlimat e prushit” i skalitura mjeshtërisht nga pena e poetit sjell një porosi jetike, të jashtëzakonshme, për Atdheun, ashtu siç e fali Zoti, me emrin e vërtetë ILIRI!
Të jesh në dashuri me atdheun
me lulet që e përbëjnë kohën
me tokën që i rritë të mbjellat
je poet, -fjalë e lindur në flakë
Urime, përgëzime e suksese të pandalshme, poet i papërsëritshëm Atdhe Geci!
Bedri Tahiri, shkrimtar
Galicë, gusht 2025