SHKRIMTARI MEHMEDALI HOXHA – BORXHI YNË

1
Mehmedali Hoxha

Është përkujtuar shkrimtari Mehmedali Hoxha

Fadil Curri Fadil CURRI (1959 – 2024)

Akademi përkujtimore

Me rastin e 90 -vjetorit të lindjes së shkrimtarit nga Ladorishti i Strugës, Mehmedali Hoxha (1924 – 1991), në Shkup u mbajt akademi përkujtimore nga Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë në Maqedoni, të cilën e drejton kryetari i saj, Kalosh Çeliku. Referimet për jetën e veprën e të ndjerit Mehmedali Hoxha i shfaqën historiani Dr. Nebi Dervishi dhe shkrimtari Fadil Curri. Për figurën e tij folën edhe kolegët e bashkëvendësit Fejzi Bojku, Ibrahim Zhuta, Halil Zendeli, Agim Poloska, Liri Lena, pastaj fëmijët e të ndjerit Mehmedali, Bujar e Mirushe Hoxha, mbesa Teuta dhe ndonjë pjesëtar tjetër i familjes. Në vazhdim po e publikioj shkrimin tim nga kjo akademi.

Duke lexuar shumë poezi të Mehmedali Hoxhës, më dolën si detyrim mbresat se ai kishte fushë të kënaqësisë dhe objektivit krijues tokën dhe njeriun në të, natyrën dhe kohën. Më doli para poezia “Shtatë ditët e mia”, sikur tregonte identitetin preokupoues të poetit Mehmedali Hoxha. Në ditën e parë ia vranë vëllanë, kur peshqit bënë grevë etjeje duke dalur në breg e liqeni mbeti pa ujë. Në ditën e dytë ia pushkatuan babain, ndaj dallëndyshet e lemerisura i brakisën foletë dhe gjarpërintë bënë rrëmujë. U ngritën nëntoka e mbitoka e gjallë kundër krimit. Edhe ditën e tretë pati shkundje të mëdha, kur qyteti vërdallisej e fshatit iu shuan fëmijët.

Megjëthëkëto, askush nuk u gjunëjzua. Ngjashëm ishte edhe ditën e katërt, kur pyjet zbritën në qytet, e ky i fundit i priti duarthatë, Vaji i nënave u bë festival në fshat e qytet ditën e pestë, kur gjaku u bë det. Dielli këndellës ditën e gjashtë me rrezet e tij flakëroi mbi trimat e rraskapitur e të vrarë. Ditën e shtatë poeti e ringjalli natyrën, kur e poqi grurin. I solli zogjtë me cicërimat dhe ia fali liqenit agimin shpresëdhënës se terri po ikte.

Numri shtatë më duket metaforik në poezinë e Mehmedaliut, sepse është përsëritës i muajit, vitit e jetës, I lidhur pashkëputshëm për tokën, nëntokën, mbitokën, pra natyrën dhe njeriun në të. Madhështia metaforike e numrit shtatë poetik lidhet ngusht edhe me foklorin frazeologjik, me shprehjet “e futi shtatë pash nën tokë” e “shtatë pash në qiell” (vertikalisht) dhe pas “shtatë bjeshkëve” (horizontalisht).

Me këtë numër javor gëlon përditshmëria njerëzore e kësaj anë, fatkeqësisht gjakësore dhe zhbërëse, objektriv i ëndrrave djallëzore. Së këndejmi, del se shtaëditëshi është realitet social-historik i njeriut të Mehmedali Hoxhës. Përkundër trysnive zhbërëse, njeriu i këtushëm rritet me trimëri që nga foshnjëria, me artin poetik të nënës, të letraizuar nga ky poet në vargjet:

BORA BIE FIJE-FIJE
RRITMU BIR SI TË KA HIJE:
TË MË BËHESH TRIM DAHI,
TËRË BOTA TË TË KETË ZILI…

Natyrën dhe njeriun në të, pamjet e këndshme, i ka frymëzim të dendur në poezinë. Pra, vertikalen e horizontalen i gërsheton me domsodonë e njeriut. Pas rreshjes së shiut, rritet lumi dhe ky me freskun e ajrit e njomin tokën, që të bëhet e bereqetshme. Kur shkruan për shkollën, përmes krahasimeve të dendura e lidh me qielloren, tokësoren dhe njerëzoren në të, me të dashurat. Shkolla është e bukur si hëna dhe e dashur si nëna, është e pastër si lumi dhe i ngjan zogut gëzim-sjellës, është si dielli i ndritur, i, lartë sa qielli, ka forcën e trimit dhe bardhësinë e agimit. Së këndejmi, nënkuptojmë se shkolla sjell mrekullitë, dhuntitë hyjnisht të krijuara, atë që nuk e bën dot çdokush.

Njeriu i kësaj toke dhe i këtij nënqielli vërdalliset me fatin e antifatin e rtij. Njeriun e do me emër bujar, me shkollë mbi kodrinë, me libra duke gëzuar. Si antipod i së keqes, të errëtës, të robërisë, e jep lirinë, për të cilën del në mal t’ia japë këngës së bilbilit, personifikim i lirisë së paanë, Të arrihet deri te ajo, nuk është lehtë, sepse trishtohet kur e sheh vdekjen me sy, tërbohet kur i vriten shumë shokë për lirinë. Të gjitha mesazhet poetike i thotë me nëntekst dhe tejtekst, sepse lë vend edhe për poezitë tjera, nuk i rrezikon nga syri i keq censuror i kohës inkuizicioniste me të parën ato. Por, disi në një rast sikur flet me muzat e tij e shkruan me krenari e gojëplot që të dijë secili njeri e fëmijë se:

SA I DASHUR ËSHTË ATDHEU
SA E RËNDË ËSHTË ROBËRIA
SA E SHTRENJTË ËSHTË LIRIA!

E kjo liri ishte busollë e aspiratës që robëria edhe pas qindra ladorishtarëve të vrarë, të jetë idhtësia më e ëmbël, si pjesë e shtatëditshmërisë ciklike të njeriut në qielltokën e këtushme.

Mehmedali Hoxha e bëri të veten mbinjerëzisht për popullin e vendin përmes poezisë e biografisë së tij vetflijuese. Ishte mësues i shumëfiushtë; nëpër shkolla me nxënës, mësues letrar për shkrimtarët e ardhshëm dhe mësues popullor me vizionin e rrezatimin e tij jo vetëm poetik.

Por, mbeti borxh yni, i kësaj shoqërie që me meritë ta nderojë veprën-shembëlltyrë të tij, që së paku ndonjë shkollë, ndonjë rrugë e Shkupit ose e Strugës, ndonjë përmendore, ndonjë godinë kulture, ndonjë çmim letrar, ndonjë rreth kulturor, ndonjë faqe letrare internet, ndonjë festival poetik të mbajë emrin e tij. Është e kundërta e pyetjes retorike që të mos pyesësh se ç’ bëri Amerika për ty, por pyete veten ç’ bëre për Amerikën. Në rastin tonë, duhet të pyetemi se ç’bëri Shkupi e Struga për Mehmedali Hoxhën, dhe jo vetëm këta?

Ndaj, borxhi për të është shumë i madh dhe duhet larë.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Shkup, më 26.12.2014

(E përcolli për publikim: Kalosh Çeliku. Shkaku,se: autori dhe shkrimtari Fadil Curri (1959 – 2024) nuk e pati fatin të marrë pjesë, dhe mungoi në Tribunën Shkencore në Shkup 12.11.2024).

I ftuari special, Adem Kastrati, piktor me famë ndërkombëtare, origjinal në stilin dhe teknikën e tij pikturore, etnograf, krijues letrar e publicist, pedagog arti, i përndjekur politik dhe Kalosh Çeliku, krijues letrar antikonformist, kryetar i Shoqatës së Shkrimarëve Shqiptarë në Maqedoni, ndjekin me ngazëllim një program kulturor të pasluftës në shkollën fillore të Hanit të Elezit.

1 KOMENT

  1. Këtu në portalin FJALA E LIRË lexova shkrimin e juaj me titull: “Mehmedali Hoxha – borxhi ynë.” Më bëri përshtypje të thella shkrimi i juaj (sa një roman), ndaj vendosa të jap koment.

    Nga shkrimi juaj veçova, po citoj:
    “Duke lexuar shumë poezi të Mehmedali Hoxhës, më dolën si detyrim mbresat se ai kishte fushë të kënaqësisë dhe objektivit krijues tokën dhe njeriun në të, natyrën dhe kohën. Më doli para poezia “Shtatë ditët e mia”, sikur tregonte identitetin preokupoues të poetit Mehmedali Hoxha. Në ditën e parë ia vranë vëllanë, kur peshqit bënë grevë etjeje duke dalur në breg e liqeni mbeti pa ujë. Në ditën e dytë ia pushkatuan babain, ndaj dallëndyshet e lemerisura i brakisën foletë dhe gjarpërintë bënë rrëmujë. U ngritën nëntoka e mbitoka e gjallë kundër krimit. Edhe ditën e tretë pati shkundje të mëdha, kur qyteti vërdallisej e fshatit iu shuan fëmijët.”

    Ju lumtë mendja dhe ju lumt pena!

    Mendjet e ndritura me kujdes dhe profesionalizëm i trajtojnë çështjet.
    I lum ai njeri që vdes në qetësi e pas veti lën vepra të mira.

    Është madhështore kur nga gjiri i një populli të vogël, dalin njerëz që me veprat e tyre bëhen të mëdhenj e të njohur dhe vendin dhe populliin e vet i bëjnë të mëdhenj e të njohur.

    Në kujtesën e një populli mbetet gjatë vetëm ai njeri i cili atij populli i ka bërë të mira.

    me respekt
    Ismet M. Hasani, Suedi

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.