(Refleksione për disa librat në vitrinën e botimeve shqiptare dhe jeta e bariut shpirtëror mes kalvarit të mundime…)
“Me kujtue njerëzit, që janë mundue të lanë diçka të mirë e shejte, në dobi të idealeve të mëdha siç janë Feja e Atdheu, asht detyrë e të gjithëve… Asht fjala për Klerin Katolik, i cili në ato kohë të trazueme dhe të errëta robnie, derdhi mundin, djersën e dha edhe jetën për lulëzimin e fesë dhe lumturine e kombit tonë. Kleri Katolik, i ka hap dyert qytetnimit e Perëndimit.” – Imzot Zef Simoni Ipeshkëv (1928-2009), shkrimtar, ish i perndjekur politike në kohën e komunizmit dhe Ipeshkev Ndihmës i Arqipeshkvisë Metropolitane të Shkodrës
“Meritë e këtij kleri, qe se punoi në Shqipni, pa iu largue terrorit të huej a vendas, pa i ikë shtypjes politike, ekonomike e kushteve të këqia të jetës… Kleri katolik buroi, zakonisht nga mallet e fushat shqiptare, u arsimue në shkollat europiane e jetoi në Dukagjinin e egër, për me e zbut me Kristianizëm, jetoi në Malësinë e Madhe, për me fisnikërue me pasuni e pastri virtytesh, jetoi në Mirditën e pavarun me e ndërgjegjësue me shpirt kombëtar.” – Kolec Çefa (1937-2021), studiues, dhe ish redaktor i revistës “Kumbona e së dielës”
Klajd Kapinova
Begatia intelektuale, një virtyt i bariut shpirtëror
Shkrimtari prozator geg imzot Zef Simoni, prezamtohet ne publikun e gjerë shqiptar me librin e tij: “Portrete Klerikësh Katolikë” (Shtypur në Shtypshkronjën “Volaj” Shkodër 1998), saktësisht në kohën kur lexuesit e etur shqiptarë duan të dinë e të mësojnë më shumë, për figurat e harruara, të përbaltura vazhdimisht dhe të ndritura të kishës, klerit dhe kombit shqiptar.
Krejt si pakuptuar, me pandalshmërinë e saj të domosdoshme, pikërisht atëherë kur të rinjtë dhe lexuesit e tjerë të penës së prozatorit Simoni preheshin në qetësi, tashmë kanë disa ditë, që me kënaqsinë e asaj që kanë lexuar po diskutojnë rreth veprës së re, më të fundit që kanë fatin t’a lexojnë me sytë e tyre.
Në fund të fundit, të mos harrojmë, se kjo është detyra më e lartë e çdo njeriu të komunitetit dhe popullit tonë, që të njoh perlat e letërsisë së hershme dhe të ditëve tona, që po rrukullisen me shpejtësinë e kohës moderne.
Zëri disident dhe vepra reale gjithmonë fatkeqe në kohën e komunizmit ateist (1944-1990), i këtyre fytyrave të ndritshme, që këndshëm na ka ofruar shkrimtari ipeshkëv Simoni, nuk duhet ndjerë tjetër ndryshe, veçse si dhimbje e plagë e paharruar e një historie të etur për vazhdimësi shëmbelltyre pozitive.
Kur njeriu përballet me një ngjarje, fillon të pyes veten mbi përsenë. Kjo është domethënia, që e mundon njeriun e komunitetit tonë sot, por që me mprehtësinë e një shkrimtari të thekur në ide dhe mendime, meshtarin e thjeshtë e të urtë deri në madhështi Simoni, ka arritur t’i dhurojë kombit e lexuesve të tij 50 portrete në prozë të klerikëve të shquar dhe martir katolike shqiptarë, të persekutuar dhe anatemuar sistematikisht dhe barbarisht në kohën e zezë të komunizmit dhe ateizmit leninist dhe bolshevik të stepave të largtëta të Siberisë…
Vepra e freskët, vjen menjëherë pas kolazhit të 9 librave të suksesshëm të botuar asokohe (për botën e letrave shqipe), në variantin e përpunuar të gjuhës së bukur gegë, që ka përfshirë në gjirin e saj fondi i letërsisë së sotme shqipe. Dhe ato vijnë varg si motra të njëra-tjetrës dhe si pjesë e bibliotekave private në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj.
Me pendë të sinçertë dhe mendime të skalitura me kujdes, morën fizionomi dhe jetë të plotë shkrimore në gjuhën e vjetër amtare gegë, seriali i prozave moderne narrative të imzot Zef Simonit, siç janë:
- “Jeta e Zojës”, të shkruar që herët si dorëshkrim (në disidencë) nën diktaturën barbare ateisto-komuniste, por e botuar pas triumfit të demokracisë dhe rifimit të lirisë fetare, shtypur në vitin 1993, në Shtypshkronjën e Urdhërit Françeskanë në qytetin e Tiranës.
- “Jeta e Shën Jozefit”, botuar në muajin mars të vitit 1994, në qytetin Foggia të Italisë.
- “Jeta e Jezu Krishtit”, botuar në muajin qershor të vitit 1994, në qytetin Foggia të Italisë.
- “Dritë në errësirë” (Ribotim i plotë edhe në gjuhën italiane), i dedikohet Persekutimit të Kishës dhe Klerit Katolik Shqiptar, e cila e pau dritën e botimit në muajin tetor të vitit 1994 në Shtypshkronjën Françeskane në Tiranë.
- “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni”, 1994, është botuar në Itali, hqip dhe italisht. (Simoni, Zef (2000). La persecución de la Iglesia católica en Albania de 1944 a 1990 (në italisht). Ecclesia. Revista de cultura católica XIV. fq. 305–316.)
- “Një barkë në histori”, u botua në gjuhën e bukur gegë, në vitin 1996.
- “Atdheu ynë”, sërisht në gjuhën e bukur gegë, është botuar në vitin 1996.
- “Ringjallja”, u botua sërisht në gegnisht në vitin 1997.
- “Zgjimi”, sërisht botuar në gjuhën e bukur gegë, dhe merr jetë botimi në vitin 1997.
- “Stinët”, një vepër e re e botuar po në gjuhën gegë, sheh dritën e botimit për lexuesit shqiptarë në vitin 1997.
- “Portete Klerikësh Katolikë”, Shtypur në Shtypshkronjën “Volaj” në Shkodër, është botuar në vitin 1998. Këto 50 jetë bashkëvuajtësish të vëllezërve të tij në Krishtin, janë figura të ofruar në gjininë e prozës moderne, të cilat nuk janë thjeshtë përberës të historisë së kombit shqiptar, por vetë historia e tij.
- “Ngjarje në Tokë” (Autobiografi ose Jetëshkrim), Shtypur në Shtypshkronjën “Volaj” në Shkodër, është botuar në gjuhën e kandshme gegë, në vitin 1998.
- “Drejtësia dhe Dashunija, dy element esencialë të lirisë”, botuar në vitin 1998.
- “Letërsia shqipe e pame ndryshme”, si pjesë e kolanës “Botime Françeskane”, shtypur në Shtypshkronjën “Volaj”, Shkodër, 2006.
Dhe së fundi, sa për t’i rikujtuar lexuesit e gjuhës shqipe, se “qetësia” e penës së shkrimtarit imzot Zef Simonit, ishte relative, sepse autori i begatë shkodran, ofron për të gjithë shqiptarët veprën e nëntë me titull sinjifikativ: “Portete Klerikësh Katolikë”, shtypur në Shtypshkronjën “Volaj” në Shkodër, dhe është botuar më 11 mars të vitit 1998.
Autori i kujdeshëm, në trajtimin e temave të tilla e përuroi librin e ri në prag të Jubileut të Madh të 2000-vjetorit të Krishterimit ndër shqiptarë, si pjesë e së cilës është edhe ajo e barinjëve shpirtërore të popullit shqiptar.
E pra, s’ka se si të ndodhte ndryshe, mbasi ipeshkvi ynë dhe njëherazi edhe drejtuesi (1991-2008) i së përkohshmes kulturore fetare popullore “Kumbona e së dielës” (1942-2024), ka lënë si Parathënie këto rreshta përkushtimi të veprës së vet: “Me kujtue njerëzit, që janë mundue të lanë diçka të mirë e shejte, në dobi të idealeve të mëdha siç janë Feja e Atdheu, asht detyrë e të gjithëve… Asht fjala për Klerin Katolik, i cili në ato kohë të trazueme dhe të errëta robnie, derdhi mundin, djersën e dha edhe jetën për lulëzimin e fesë dhe lumturine e kombit tonë. Kleri Katolik, i ka hap dyert qytetnimit e Perëndimit.”
Jo larg këtij vlerësimi është edhe studiuesi dhe redaktori i revistës “Kumbona e së dielës” Kolec Çefa, i cili në punimin interesant e të ngjeshur mbi librin e ri të prozatort Simoni Ipeshkëv, zbulon me elegancën e elokuencës fine gegë, se:
“Meritë e këtij kleri, qe se punoi në Shqipni, pa iu largue terrorit të huej a vendas, pa i ikë shtypjes politike, ekonomike e kushteve të këqia të jetës…
Kleri katolik buroi, zakonisht nga mallet e fushat shqiptare, u arsimue në shkollat europiane e jetoi në Dukagjinin e egër, për me e zbut me Kristianizëm, jetoi në Malësinë e Madhe, për me fisnikërue me pasuni e pastri virtytesh, jetoi në Mirditën e pavarun me e ndërgjegjësue me shpirt kombëtar.”
Më shumë se këto rreshta e lartcituar, që firmosin dhe vulosin realisht cilësinë e veprës së imzot Zefit, nuk do të ishte e udhës që të lodhim lexuesin me komente të tjera.
Jetë të gjalla të kthyer mjeshtërisht në prozë
Monsinjor Zef Simoni, i përket atij brezi, i cili edhe pse vuajti jo pak në burgjet komuniste dhe u torturua në mënyrën më çnjerëzore, do të gjente forca të mbijetonte dhe pas ardhjes së demokracisë do të vihej në shërbim të Kishës Katolike të Shkodrës.
Aftësia e imzot Simonit, për të depërtuar në zërin e njerëzve dhe shpirtin e tyre, është një ndër dhuratat më të bukura të njeriut-bari, duke na u shfaqur vepër pas vepre një talent, që në ecjet e jetës ka ruajtur të ndezur pishtarin e prozatorit të ndjeshëm, me hijëshi dhe elokuencë estetike, dhunti e talent tregimtari konçiz, si sinonim i tingujve muzikorë, tek shfaqet sa herë që e rilexon.
Për më tepër, portreti i tyre plot madhështi e merita konkrete njerëzore e devocioni të vazhdueshëm fetarë zbresin në rreshtat e librit në mënyrë të natyrshëm, përmes pendës së shkrimtarit nga lartësitë qiellore, ku ato pushojnë për të biseduar me grigjën apo popullin e tyre, me brezat, që me dashurinë popullore i mbajtën përherë në gji.
Të shohësh fotografitë e tyre dhe të lexosh me endje tregimet e ëmbla në stil tërheqes të shkrimtarit-meshtar, të duket se ato i ke në tryezën e bukës, që janë ulur në sofër bashkë me ty, dhe qetë e qetë nisin të kuvendojnë me dashuri për Krishtin dhe Zojën e Bekueme, që i kanë takuar në lumninë e pasosun; të tregojnë episode nga nata e tmerrshme e kampeve shfarosëse të diktaturës më të egër nazi-komuniste, dhe për fjalët e tyre të fundit, që mbetën lapidarë: “Rrnoftë Krishti Mbret!; të tregojnë për studimet e tyre perkushtuese për gjuhën e bukur dhe të ëmbël shqipe; koloritin e pasur dhe të shumëllojshëm të folklorit arbnor; traditat e transmetuara me dashuri dhe respekt brez mbas brezi; studimet e historisë dhe lashtësinë e arkeologjisë albanologjike; gjeografinë e bukur të trojeve etnike të Arbërit; për stacionin e parë sinoptik, që ndërtuan si model bashkëkohorë në të gjithë Shqipërinë; Muzen e parë të Arkeologjisë iliro-shqiptare; të flasin me dashuri dhe respekt të përhershëm për kryetrimin e shtetit të Arbërit Heroin kombëtar Gjergj Gjon Kastriotin Atletin e Krishtit; për 25 luftrat liridashëse anti-otomane, si tmerr i vazhdueshëm i taboreve apo ekspeditave të hordhive pushtuese otomane; të flasin më shumë për librat dhe revistat apo buletinet e përkohshme, që një herë e një kohë kishin pushtuar apo dominonin shtypin e pavarur të kohës, ku ½ e shtypit periodik të të gjithë Shqipërisë drejtohej nga prelatët dhe klerikët e tjerë të urdhrave shpirtërore martire katolike…
E për çfarë nuk të flasin këto klerikë të sypatrembur dhe të pamposhtur ndër shekuj, mbasi ke lexuar prozën e shkurtër dhe konçize të Imzotit prelat. Ndërsa jeta e njeriut, është pafundsisht e mundimshme, si një krijesë tragjike, ai ndeshet me përvoja të ndryshme.
Mirëpo, në të kundërt me te, Zoti, është i pavdeshëm, është përfekt, është mishërimi i gjithëpushtetshmërisë në qiell e Tokë, mbasi veprimi i Tij është pa sforco, sepse lart në qiell mbizotëron mendimi i njëjtë me veprimin.
Bota dhe mendja e larmishme e klerikëve katolikë shqiptarë, të përfshirë në historinë e lavdishme të kishës universale në 2000 vjet mbijetesë, mbetet vazhdë e traditës, të sjellur si rikujtesë e freskët nga dora e tregimtarit tashmë të vetëm, që lëvron në këtë linjë origjinale të fushës së letrave shqipe religjioze fetare.
Në këtë rast, lexuesi i kujdeshëm shqiptar, kupton se ekzistojnë njerëz, që me pendën plot përvojë, mbushin me dritë mjedisin letrar, ne të cilin tashmë janë përfshirë me dinjitet pa sforco milintantizmi, siç ishin dikur “shkrimtarët” e social-realizmit shterpe komunist dhe më pas socialist.
Mirëpo, shqiptarët gjenden të etur për të zbuluar dhe përvetsuar këto vlera e cilësi të reja artistike dhe stilistikore të shkollës me tradita letrare gegë veriore të shkollës françeskane dhe jezuite, që gëzonin për fat të mirë të gjithë Urdhërat Katolike, në qytetin e lashtë të Shkodrës dhe më gjërë në të gjithë Shqipërinë.
Për më tepër, këto dituri të traditës dhe bashkëkohore, të mbushur plot diversitete mendimi dhe ide, të pajisin me bagazhin e shkollës progresiste europiane të kulturës kristiane, që kanë njohur kulmet e veta, me shkrimtarë të ndritur religjiozë shekull mbas shekulli dhe deri në ditët tona.
Në pragfillimin e shekullit XXI, kjo vepër shkrimtore dashurie për Fenë dhe Atdhenë, mbart bujarinë dhe virtyte të tjera pozitive dhe krenarie. Nëse e shohim me shumë kujdes faqe për faqe veprën e re të shkrimtarit Simoni, shohim se tematika e saj në fjalë është vijimi natyrshëm i kolazhit plot kolorit artistik, ku dominon shija e hollë artistike dhe stilistikore, që autori ka preferuar në zbëthimin me detaje të temës fetare.
Ai i bën prozës një zbërthim artistik dinjitoz, si në brendësi, në formë, duke skicuar në artin e të shkruarit rrjedhshëm portretet e pader Gjergj Fishtës o.f.m., të cilin e mbante mend qysh kur ishte fëmijë, duke vijuar pastaj me mjeshtërit dhe mësuesit letrare, më të cilët ka biseduar, gjatë viteve të mëvonshme, si: Atë Justin Rrotën O.F.M. apo Abatin e fundit të Mirditës imzot Frano Gjinin, për të cilin ruan veneracionin e veçantë sa herë që emri i tij përmendet kudo; Kardinalin e Parë të Botës Shqiptare imzot Mikel Koliqin apo imzot Luigj Bumçin; ipeshkvin e Durrësit dhe drejtuesin për disa vite të revistës së famshme popullore “Hylli i Dritës” (1913) imzot Vinçenc Prendushin, për të cilin shqiptaro-amerikani Professor Emeritus Arshi Pipa, ruan kujtimet më të dashura, gjatë viteve të burgut në Shqipëri.
Kur lexon prozën dedikuar imzot Frano Illisë Arqipeshkëv Metropolitan i Shkodrës (i cili fatmirësisht, mbas kalvarit të pambarim të burgut ateisto-komunist, ai do të shugurohet më 25 Prill 1993, brenda katedralës së famshme historike të qytetit antik nga vetë Ati i Shenjtë sot shën papa Gjon Pali II), për çdo banor shkoran, etj., imzot Simoni, të zgjon sekuencat nga bisedat, që mund të keni zhvilluar edhe ju i dashur lexues, sepse proza e tij është vetë jeta e gjallë e njerëzve, që bënë një pjesë të historisë së kombit martir shqiptar.
E kështu mund të vijonim gjatë, si p.sh. për imzot Nikollë Kaçorrin, zv/Kryeministrin e Parë të Shqipërisë së lirë, i cili me përkushtim atdhetar lartësoi ose nxiti drejtpërdrejtë Pavarësinë e Shqipërisë (më 28 Nëntor 1912),… edhe atëherë kur disa pseudoshqiptarë dhe pseudopatriotë shterpë, të shtyrë më tepër nga interesat private financiare e fetare islame otomane, kërkonin me fanatizëm edhe një herë “baba (Dovletin) Sulltanin”, të qëndrojnë nën ombrellën e pushtuesve barbarë otomano-islam, vetëm pse ato kishin të njëjtin fe të imponuar me dhunë nga pushtuesit, shkrimtari si narrative i ëmbël të rikujton, që historia duhet lexuar dhe duhet t’u mësohet edhe brezave që do të vijnë me realizëm dhe fakte, ashtu sikurse është e vërteta, si pjesllë e kohës.
Brenda kësaj kulturë, në Familjen e Madhe të Shenjtëve të Kishës sonë, ndoshta gjatë shekullit XXI, do të ketë vend për të kuvenduar në paqen qiellore edhe për imzot Frano Gjinin, këtë martir të shenjtë apo për stoikun e pamposhtur atë Pjetër Meshkallën o.f.m., ç’ka të kujton shenjtërit, në epokën e agimit të Krishterimit në trevat e Ilirisë, si: Shën Astin (Ashtin) apo Shën Florin e Shën Laurin në Dradani etj.
Diçka më shumë për veprën e re
Për autorin e librit, për martirët e fesë dhe të kombit shqiptar mons. Zef Simonin, kjo vepër e re që tafmirësisht gjendet tashmë në bibliotekat e shumë lexuesve dhe dashamirësve të letërsisë shqipe (brenda dhe jashtë vendit në diasporë), janë copëza origjinale jete, të kthyer sot pas shumë vite shprese në portrete, siç dëshiron t’i cilësojë prozatori ynë, por që janë gjinia më ë lexueshme sot.
Si një lëvrues pasionant dhe plot dashuri për prozën e shkurtër moderne, autori nuk shtë thjeshtë vetëm bartës i një vokacioni të traditës fisnike si udhëheës shpirtëror i grigjës së vet, por edhe i atij tunduesi, që nuk di të shkëpusë për asnjë çast bashkëveprimin e shpirtit me pendën ose Fesë me Atdheun, si sinonim të njera-tjetrës.
Pa shumë bujë e kupton, se autori ecën me krenari në gjurmët e traditës së hershme të shkrimtarëve pararendës të qarkut verior gegë, ndonëse në këtë rast gjuha dhe stili i tij janë në evoluim, në përshtatje me kohën dhe rethanat e reja, ku ai vepron. Për këtë me kujdes mund të lexosh për respektin dhe mirënjohjen e thellë të përhershme, që përcjell përmes veprës letrare, kur shkruan, se: “Kanë përpunue gjuhën shqipe, e kanë dhanë në këtë, perlat e poezisë shqipe e nga ky kontigjent dolën shkrimtarët e vijës së parë në letërsi shqipe: Dom Ndre Mjeda, imzot Prendushi dhe personaliteti i shkrimeve kryevepra At Gjergj Fishta e sa të tjerë.”
Me xhelozinë (për të ditur sa më shumë) e një njeriu me kulturë të gjërë e të thellë mons. Simoni, që në rininë e hershme ishte brumosur mes kryqit e pendës, që e ruajti e i dha hove të reja krijimtarisë së tij letrare, në kohën e disidencës së heshtur, gjatë regjimit komunisto-ateist dhe deri në ditët tona.
Sa herë që e takon në tavolinë e punës së tij, ai është i zhytur në botën e letrave shqipe, ku librat janë dashuria e përjetshme, me oreksin për të përthithë sa më shumë nga nektari i kulturës shumë dimensionale botërore dhe gurrës së ëmbël dhe të pashtershme kombëtare shqiptare.
E jo vetëm kaq. Këto cilësi pozitive, i ktheu në virtyte, që spikasin edhe pas gjithë atij kalvari të gjatë plot mundime (kampe të ndryshme dhe të tmershme ferrri internimi politik, të kohës së zezë të diktaturës nazi-komuniste), që kaloi vazhdimisht mbi shpinën e vet shkrimtari ynë gegë.
Ky kalvar, në vend që t’a mposhte apo gjunjëzonte, duke e spostuar në drejtim të qetësisë personale, pas shumë mundimeve të lodhshme stresi dhe mjerimi, ato në fakt për fat të mirë, kanë ndikuar në ripërtëritjen e energjive shpirtërore dhe intelektuale, duke qenë kësisoj i begatë, kur u lejua të veprojë në liri të plotë fetare dhe intelektuale.
A nuk e shprehin këtë begati 15 veprat dinjitoze, ku vetëm disa kopje i kanë mbetur në bibliotekën e shtëpisë së tij private, kurse të tjerat me kohë janë bërë pronë e lexuesve dhe admiruesve të pendës dhe stilit narrative gëg të ipeshkvit tonë.
Sikurse shihet, në mënyrë të natyrshme, ai sot përballon ngarkesën e ofiqit të lartë kishtar si ipeshkëv në Arqipeshkvinë Metropolitane në Shkodër, këtij qyteti si djepi kulturdashës, që me të drejtë mund të njihet edhe fetarisht si Vatikani i Vogël.
Kushdo që i lexon veprat, ngacmohet për të gjetur momentin për t’a uruar shkrimtarin, që me buzeqeshje te ciltërt të futë në botën e letërsisë së traditës dhe bashkëkohores. Dhe kështu, shtytja më e zgjedhur për besimtarët e krishterë ose jo, është lartësimi në art i temës së këndshme fetare.
Ai ndriçon më shumë se në portrete, meshtarët e fillim dhe fundit të shekullit XX, duke e shtrirë pendën deri në ditët e sotme, ku dallohen portretet e spikatura të dom Jak Zekaj apo mons. Nikollë Mazreku, të meshtarit italian atë Jak (Giacoma) Gardini-t o.f.m. (që bëri dhjetë vjet burg në vitet 1945-1955, në kampet e tmerrshme të përqendrimit nazi-komunist në Shqipëri), apo të atë Aleks Baqlit o.f.m. etj.
Prozatori Simoni, ka meritën të ngritur në intuit artistike, ku dora-dorës punimet e kujdeshme, të krijojnë një hapsirë të re, ndonëse ndërtimi i prozës është i shkurtër, por konçiz, ku argumenti i kthyer në stilin e paraqitjes artistike dhe stilistikore, gjithsesi është dominat në artin e të shkruarit, tek mediton mbi çdo skicë dhe ide të realizuar me kulturë prozaike.
Këtë brum e ka përpunuar e përpunuar me kujdesin e duhur, mbasi këto portete një pjesë të tyre fatmirësisht i ka njohur në realitet dhe më pas në kartën e bardhë i ka ofruar me copëza jetë origjinale interesante, në të gjithë faqet e veprës, duke mos na i dhënë si jetëshkrime standarte, biografi të lodhshme apo studime të gjata kilometrike, ç’ka do t’a demtonin shkrimtarin Simonin të dilte nga mënyrë e rrëfimit të prozatorit joshës.
Duke e lexuar faqet e librit të ri, kushdo vë re, se natyshëm shpaloset penda apo pupla e zhdervjedhtë autorit, që talentin e tij në gjininë e preferuar të prozës, jo rastësisht ka bërë për vete shumë admirues, duke qenë në këtë rast sa më afër nesh në hapsirë dhe kohë.
Për këtë përkujdesje, ai lexohet dhe do të lexohet vazhdimisht edhe në të ardhmen me endje nga çdo kënd i Shqipërisë e përtej saj, sepse gjuhën e bukur gegnishte e ka latuar me kujdesin e një gjuhëtari, që për kedo (lexuesit) në Veri dhe Jug të trojeve shqiptare mbetet mirëseardhur.
Aty lexon dhe mëson esencialisht për përballimin e stuhive të përditshme të kohës së diktaturës komuniste, ku pikëtohet martirizimi i ngadalshëm, që ngjau në vendin tonë me gjak (permes pushkatimeve të njëpasnjëshme me gjyq e pa gjyq të klerikëve dhe grigjës së tyre antikomuniste) dhe me vdekje në burgjet dhe kampet e përqendrimit të tmerrit nazi-komunist.
Dhe në këtë rast, nënteksti del i lexueshëm kjartë, ku mesazhi është i hapur, sepse vetë shkrimtari imzot Zef Simoni ipeshkëv, është një dëshmitar okular i gjallë, si një fletë e historisë sonë të dhimbshme. Në këtë mënyrë, prozatori-meshtar ka ofruar sërisht personazhe të reja, që ishin dhe mbetën vellezër të tij në Krishtin, si poetin dhe oratorin e ëmbëlsisë dom Ndre Zadeja, i cili edhe ai fatkeqsisht pushkatohet nga togat e zeza të komunizmit të ri, që sapo kishin marrë pushtetin me dhunë në vendin tonë.
Në fokusin e mendjes së autorit, shpalosën edhe prozat sinjifikative mbi dom Alfons Trackin, atë Anton Harapin o.f.m., këtë martir stoik të shqiptarizmës së kulluar, që fatkeqsisht nuk është përfshirë në listën e martirëve të elterit të klerikëve katolikë nga Selia e Shenjtë në Vatikan.
Të njëtat profile apo portrete interesantë në prozë janë edhe ato atë dr. Gjon Shllakut o.f.m., që mbeti një enciklopedi e gjallë e kulturës shqiptare dhe botërore, për të ravijuar më pas me atë Benardin Palaj o.f.m., dom Kolec Prendushin apo albanologun e shquar italian atë Fulvio Cordingano-n o.fm., dhe profesorin e nderuar atë Zef Valenini-n o.f.m.., përshkrimi joshës i gjuhëtarit të ëmbël atë Justin Rrota o.f.m., duke ardhur natyrshëm deri tek mons. Gaspër Gurakuqi, atë Benardin Dema o.f.m., atë Mark Harapi o.f.m., dom Mikel Beltoja (Gjergji) apo Andersenin Shqiptar atë Donat Kurtin o.f.m., dom Injac Gjoka, atë Frano Kiri o.f.m., etj.
Dhe sot me të drejtë fitoi kultura Perëndimore progresiste e sanksionuar në shkëlqimin e dijës konkrete dhe të përparimit të provuar në nivele shumë të larta civilizimi, duke mposhtur obskurantizmin e injorancës orientale dhe primitive otomano-arabe, që mbolli për 500 vjet vetëm prambetje, mjerim, përçarje, skamje, uri, varfëri ekstreme, gjakmarrjen, veshtjet, urbanistikë primitive dhe tipike orientaliste, huazimet gjuhësore dhe kulturorë të huaj, sikurse edhe mbi 60% të përdorimin të fjalëve të huaja të përditshme të edhe në ditët tona, janë fatkeqsisht me bazë lingustike me origjinë të pastër otomane të vjetër me bazë arabe (mbasi sikurse dihet se pushtuesit shumë shekullorë otoman nuk lejuan me anë të dekreteve të Parlamentit të Parandorisë Xhihadiste Islame Otomane, përdorimin e gjuhës etnike iliro-arbëeore-shqiptare (fatkeqsisht të votuar nga vetë edhe nga trathtarët arnaut, që shërbenin si qej besnik në Parlamentin dhe 39 qeveritë me ish kryeministra shqiptarë), vese dhe antishqiptare etj., deri në shkëputje fatale të vijimsisë së kulturës dhe vlerave kristiane dhe humane të vendeve të Europës.
Të gjithë portretet e skalitura me kujdes me pendën apo daltën e mprehtë nga dora e shkrimtarit dhe artistit plot shije të hollë, janë në vetvete mendimi më konçiz i bariut bashkëvuajtës imzot Simoni, ku mjeshtëria fine ia rrit vlerat çdo portreti të dhënë me shpirtin e pastër të krijuesit.
Portret mbas portreti, deri më sot në të gjithë veprën e re shkrimore mbizotëron mendimi i stilit me narracion të rrjedhshëm, pa stërhollime kilometrike, që e lodhin lexuesin modern të kohës sonë. Ai për zemër ka pjesët e shkurtëra, me ngarkesa brenda kontureve të arsyeshme, që mban logjika e ndërtimit të një proze të tillë.
Emocioni, është arma që ka menduar të pushtoj zemrat e lexuesve, ku vlerat emocionale kanë doza të arsyeshme, dhe që gradualisht çlirohen, duke i dhënë jetë çdo portreti në prozë përmes detajeve të gjetura (ndodhura) historike. Argumenti emicional, i gjallë me kthejelltësi mendimi, të sintetizuar në fjalë më të thjeshta, duke mbetur kësisoj i ëmbël për vetë gjuhën e komunikimit, që ai ka pëlqyer të bashkëbisedoj me lexuesit shqiptar.
Fakte, gjykime, ndjenja, përcillen me një stil pikant si original të shprehur bukur në gjuhën e ëmbël gegë, ç’ka e pasuron fondin e shumëllojshmërisë së letërsisë artistike, që ende ai krijon në ditët tona.
Dhe me të drejtë, mund të themi, se sot për sot për prozën e shkurtër me tematikë fetare, imzot Zef Simoni është i vetmi që shkruan në këtë gjini të suksesshme e i rrallë po të hulumtosh me shumë kujdes gjatë këtij shekulli.
Kësisoj tematika e librit të ri: “Portrete Klerikësh Katolikë” (Shkodër, 1998), lexohet me një frymë, që të josh t’a mbarosh deri në fund. Si një ritëm i qetë, ndihen tingujt e muzikalitetit artistik. Kjo për meritë të gjuhës së ëmbël gegë, të latuar me art dhe narrativitet bashkëkohorë, ku e ke shumë të vështirë të dallosh se ku fillon proza dhe ku mbaron poezia, mbasi që të dyja janë binome të një linje që mjeshtri me pendë ka ofruar me stilin përfekt, i influencuar nga ndjenja dhe harmonia e vargut me prozën e zgjedhur narrative.
Si dy motra, janë përpunuara me finesë doktrina prestigjioze kristiane me etikën, ku mendimi i zgjedhur ka peshën e vet, që gradualisht mendoj se çlirojnë risi të re, përmes gjuhës së komunikimit dhe natyrshëm ai duket se ka hyrë në bisedim me lexuesin, pa qenë present fizikisht.
Dhe kjo është një meritë më shumë, mbasi sot abstraksioni fatkeqsisht po lodh dhe shpërlan trurin një masë të gjërë të popullit, që ndryshe kërkon një komunikim të lirë, të drejtpërdrejtë, t’a implikojë natyrshëm në dialogje, me atë pjesë të gjallë të historisë martire shqiptare t’i nxisë jo vetëm kureshtjen, por të bëj të gjykoj mesazhin fitimtarë, që për Kishën dhe Klerin Katolik Shqiptare e cila ishte trinomi: Fe-Atdhe-Përparim.
Ky nuk është thjeshtë predikim, por është arti i të gjykuarit, që falë qënies si bari i devotshëm i imponuan për lexuesin tregime artistike të bazuara në realitetin e kohës, por që në këtë rast ata ofrohen me gjakftohtësi dhe që ndryshojnë në ekspozim nga njëra prozë në tjetrën.
Këtu nuk ka mllef, por duresë dhe shpirtbutësi kristiane, nuk ka urretje por humanizëm, të cilën e reflekton edhe në jetën e tij. Ai i ka dhënë tonacionin e jetës së vet, si natyrë e qetë falë temperamentit të botë, i dashur, i dhimbshëm, i përmbajtshëm edhe atëherë kur situatat ishin vazhdimisht të pakëndshme (armiqsore ndaj tij), por si një bari i qetë falë dhe vetëm falë mençurisë si dhe duresës (si guri që goditet vazhdimisht nga pika e ujit) është i dashur dhe respektuar nga të gjithë, pasojë dhe vlerë e trashëguar e shpirtit të tij human.
Mund të them, se portreti i 51-të i veprës ”Portrete Klërikësh Katolikë”, është i gdhendur në vetë qënien e tij, sepse në të lexohet vuajtja si devocion, lëshon thirrje drite dhe shprese dhe jo ofshama (mallkime), bën apel të thekshëm, për të ruajtur vlerat e këtij kontributi të madh, që dhanë para-ardhësit e tij prelatë dhe klerikëtë thjeshtë katolikë, në hullinë e së cilës ai po ecën denjësisht.
Mons. Zef Simoni ipeshkëv, ishte mes klerikëve të shumtë shqiptarë, që gjatë regjimit komunist provuan burgjet dhe kampet e internimit. Ai ishte mes klerikëve të shumtë shqiptarë, që gjatë regjimit komunist provuan burgjet dhe kampet e internimit. Pas proçeseve demokratike, Zef Simoni shërbeu si ipeshkev ndihmës ne Arqipeshvinë e Shkodrës, duke dhënë kontributin e tij jo vetëm në meshtari, por edhe në letersinë dhe studimet shqiptare.
Kjo vepër e re, shpreh dukshëm zemrën e një atdhetari që ka rrahur më përpara dhe sot, për të mirën e begatinë e këtij populli martirësh, ku klerikët katolikë me gjakun e freskët të tyre çimentuan agimin e lirisë që gëzojmë fatmirësisht sot.
Në natyrën e pendës së prelatit Zef Simonit ipeshkëv, të bie në sy sipas pikëpamjet sime mënyra e ndërtimit të fjalive e cila ka një veçori origjinale; ku ai më shpesh ose në formë alternimi përdor më shumë ndërtimet e drejta të fjalive me ato të zhdrejta. Për sa cituam, mendoj se ato burojnë nga fakti i thjeshtë, se prozatori është njohës i mirë i artit të retorikës, ku fjalia e shkurtër me mendim të ngjeshur është më ë përdorur në këtë vepër.
Kësisoj, ai është më afër rrymës letrare me varg të shkurtër e të ngjeshur ç’ka edhe pëlqehet nga rinia e ditëve tona, i këndshëm për t’u asimiluar edhe nga shkrimtarë të tjerë veriorë gegë dhe të toskërishtes letrare.
Me shpresën dhe besimin e përhershëm, se një vitalitet i tillë do të jetë i begatë si deri më sot, si krijues do gjenerojë vepra të tjera letrare, që do të lartësojnë edhe më shumë në botën e letrave shqipe, penë e cila buron virtyte jetike për atdhtarizmin dhe fenë tonë të shenjtë.[1]
Shënim: Shkrimi im është marrë nga koleksioni i revistës fetaro-kulturore “Kumbona e së Dielës”, Shkodër, Nr. 6/1998, fq. 15-18
Post scriptum (2002-2023)
Imzot Zef Simoni (1928–2009), ka qenë ndihmës-ipeshkëv i Arqipeshkvisë Metropolitane të qytetit të Shkodrës. Unë kam mik i tij dhe kam pas fatin, nderin dhe privilegjin, që për disa vite të punoj dhe qëndroi pranë tij, duke qenë redaktor i revistës fetare kulturore popullore “Kumbona e së Diellës”.
Prelati ynë, ka qenë ndër të mbijetuarit e klerit katolik nga përndjekja e vazhdueshme, që u bë babarisht nga diktatura komuniste.
Në parathënien e librit “Ngjarje në tokë”[2] autori mons. Zef Simoni Ipeshkëv, në Parathënien e vet, tregon se vepra e re në fakt është autobiografia e tij. Ai ndër të tjera shkruan:
“Kishe nevojë e dëshirë ta shkruejshe këtë libër, tue e zgja argumentin për shumë ngjarje, që kanë ndodhë brenda dhe rreth meje…
Tue kundrue jetën time e shoh të mbushun me ngjarje sasiore dhe monente, për këto arsye: së pari, si çdo njeri, jam bir i Zotit e së dyti jam bir i prindërve të mi.
Më ka ra për shtat në jëtën time vorfënia deri aty, sa me qenë i vobekti publik i qytetit. E mos u çuditni për këto fjalë: ia kam pa hajrin varfërisë. Varfënia tuj qenë një gjendje vuejtje, të ban të zbulosh vetën, t’i kontrollojsh forcat tueja, të mos mujsh të fshehësh asgja e kjo mund të arrijë të formojë në ty dinjitetet ose me të shkatërrue krejt përsonen tande.
Pa fillue me u hjedhë në jetë, unë e të gjithë kemi pa dyert e ferrit e madej të pjekun e të hjedhun edhe ferrin vetë tokësuer në komunizëm.
Unë ia mbërrijta një ideali me u ba meshtar, tue pasë marrë një edukatë kristiane e si i ri në fillim edhe një kulturë kristiane graduale, kishe dëshirë të fortë me pasë si rregull jete e ma vonë si ideal krishtërimin. E ideali në ato kushte të kohës, të një sundimi krejt antinjerëzuer dhe me kobe mbas kobesh, në personin tim nxuer vokacion.
Njerëzit dalin fitues në çdo rrethanë edhe me ideale të tjera të mira. Por unë kam dalë fitues, kam ngallënjyer me vokacion. Ka dashtë Zoti, që unë të ishe meshtar i Krishtit dhe i Kishës së Tij. E për ma tepër shugurue si ipeshkëv prej Shejtit Atë Papë Gjon Pali II në Shkodër, tue i përkitë kështu Kishës Shejte Katolike me dëshirë e vullnet, me arsye e betim.
Ky asht një roman autobiografik… Por tue qenë se ky roman asht historik, asht pikërisht historia e një kombi, që asht futë trathtisht në diktaturë. Nuk asht vetëm përsekutimi i Kishës, që e kam thanë në librin tim “Dritat në errësirë”[3] por persekutimi i Kishës me analizë, me spiegime, edhe diktatura, kjo periudhë famëkeqe, e tmerrshme për një popull të tanë në robin. Jemi rrahë të gjithë, i madh e i vogël, i fuqishëm e i ligshtë, i miri dhe i keqi, i flijuemi dhe vetë dktatori. Shqipnia, pat ra krejt në zjarr.
Kam pasë parasysh të shkruejshe këtë vepër me një ide të madhe: atë të Providencës. Kjo edhe e shpëton një autobiografi nga çdo merzi dhe e shtien vepren në realitetin e historisë dhe të vlerave të saj…
Por unë, në të vërtetë, shihshe pak në personin tim: disa vuejtje të vogla e normale. Këto nisen ma vonë te unë. Kështu me sa vuejtje familjare, me vdekjen tragjike të mbytjes së vëllait në ujë, me salvimet e meshtarëve e të popullit, veçanërisht për fe, të katolikëve, me skrupujt e jashtëzakonshëm, që më kanë torturue shpirtin e trupin për mase tri vjetë, me arrestimin e burgun tim dymbëdhjetë vjetë nga dita në ditë, e arrestimin e dy herëve të tjera, por pa u dënue, me sëmundje të randa dhe me rrezik vdekjeje e sa e sa provëve të tjera të vogla e të mëdha, deri me ndonjë shpifje publike në jetën time meshtarake, që më ka takue të dëgjoj, por pa jetë të gjatë. Të gjitha këto janë sjellë në mue, por tham, në një lloj gëzimi shpirtnuere kam pa se Zoti i ka lejue për të mirën e shpirtit tim…
Tue qenë se ky roman asht autobiografik, personazhi kryesuer jam unë. Dalin por edhe një numër i madh njerëzish shumë pozitiv, si njerëzit e familjes time, mësuesit, profesorët e shkollave, njerëzit e Kishës, bamirësit gjatë kohës së burgut tim e të vëllait, Gjergjit e në kohën e lirisë Kisha, institucionet e rregulltarëve e të rregulltareve, kudo, kur ishte jashtë shteti në sa vende të Europës, mjekët, infemierët gjatë sëmundjeve të mia në spitalet e Shkodres, të Tiranës, San Giovanni Rotondo, të Zemrës së Krishtit në Negrar e të Veronës.
Nuk shkruej për njerëzit që kanë ba keq, veç për ndonjë që ka lanë gjurmë të madhe…
Jam mundue me thanë të vertetën pastër e me sinqeritet, tue vue në dukje të metat, fajet e një kohësisht ma tepër natyren time e me një dëshirë me i rrëfye para Zotit e botës…”[4]
Dom Zef Simoni, sikurse e thërrisnin të gjithë në qytetin e Shkodrës, ishte bir i një familjeje të varfër, e cila së bashku me vëllain e tij meshtarin dom Gjergj Simonin dhe motrën e vetme Ciljetën (Simoni), të cilët me shumë sakrifica iu përkushtuan shkollimit dhe (dy vëllezërit Zefi dhe Gjergji) thirrjes për t’u bërë prift.
Ai u shugurua më 9 shkurt të vitit 1961 dhe 6 vjet më vonë u arrestua nga forcat e regjimit komunist në shtëpinë e tij, e cila u bastis dhunshëm nga forcat e Sigurimit të Shtetit nazi-komunist dhe punonjësit e Degës së Punëve të Brendshme të qytetit të Shkodrës, në vitin e zi 1967, në kohën e Revolucionit Kulturor Kinez dhe shpalljes fatkeqsish të Shqipërisë si shteti i parë ateist në botë, ku u burgos menjëherë në Spaç.
Ai shkollën fillore e kreu në shkollën “Skanderbeg” të qytetit. Fillon shkollën e mesme në Liceun Francëskan “Illyricum” në Shkodër dhe pas mbylljes së tij, nga komunistët e përfundon në liceun e shtetit “At Gjergj Fishta”. Ai u emërua mësues në shkollën fillore dhe më vonë në 7-vjecare. Mbasi mbaron studimet e larta në Insitutin Pedagogjik në Tiranë në Gjuhë Letërsi, jep mësim gjuhën shqipe në gjimnazin tregtar të qytetit Shkodër. Pasi kreu edhe studimet e filozofisë dhe të teologjisë pranë Arqipeshkvisë Shkodër, ai shugurohet meshtar në fshehtësi nga Imzot Ernesto Çoba. Në vitin 1976 ai dënohet me 15 vjet burg nga regjimi komunist, prej të cilave kreu 12 vjet, duke u liruar në vitin 1988. Në vitin 1991 u emërua nga papa Gjon Pali II famullitar i Shkodrës dhe në vitin 1992 Vikar i Përgjithshëm i Shkodrës dhe i tre famullive të tjera: Pult, Lezhë dhe Mirditë, detyrë që e mbajti deri në vitin 1993, kur u emërua ipeshkëv.
Më 25 prill të vitit 1993, prelati ynë shugurohet si ipeshkëv nga Shkëlqësia e Tij, Papa Gjon Pali II në Katedralen e madhe e shën Shtjefinit protomartir të Shkodrës.
Ai caktohet nga Konfecenca Episkopale e Shqipërisë, për të folur mbi persekutimin dhe nevojat e sotme të kishës në disa vende të ndryshme të Europës, si: Francë, Poloni dhe disa herë në Itali, Austri, në Mynih të Gjermanisë, Kosovë dhe Mal të Zi.
Si shkrimtar geg, ai iu dedikua shkrimeve qysh në moshën rinore, me ridaljen e revistës “Kumbona e së dielës”, ku ishte drejtor i saj dhe nis edhe botimin e punimeve të ndryshme të tij. Gjatë gjithë kohës boton në italisht në gazetën e përditshme “Osservatore Romano”, organ zyrtar i Selisë së Shenjtë në Vatikani.
Monsinjori, mbajti një ligjeratë pikëdhuese për kalvarin e gjatë të Klerit Katolik në Shqipëri gjatë vitëve 1944-1990, në një Simpozium Ndërkombëtar “Krishtërimi ndër shekuj” në maj të vitit 2000 mbi shkallën e madhe të persekutimit, torturave dhe akteve të dhunës në Shqipëri nga diktatori Enver Hoxha dhe regjimi tij totalitar.
Në kujtimet e veta, ipeshkvi-ndihmës i Shkodrës, imzot Zef Simoni ndalet në vitet e errëta të persekutimit komunist në vend, por edhe tek përpjekja e vazhdueshme mbarëkombëtare për ruajtjen e orientimin perëndimor të shqiptarëve.
Prelati ynë, bëri shumë vjet burg e, pikërisht në qelitë e shtetit ateist, pa letër pa laps, nisi krijimet e tij të para, të regjistruara e të ruajtura në arkivin e trurit. Këto vepra i hodhi në letër e i botoi vetëm pasi doli nga burgu.
Ai e krahasoi me të drejtë kampin e burgut komunist, me kampet naziste të përqendrimit dhe shfarosjes masive si Maut’hausen dhe Aushvicin, gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore. Ai e dokumentoi periudhën e përndjekjes së klerit katolik nga viti 1944 deri më 1990 në librin Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare (1944-1990), i cili u përkthye edhe në italisht.
Më 1992 u caktua ipeshkëv titullar i ipeshkvisë së Bararus-it dhe ndihmës-ipeshkëv të Arqipeshkvisë së qytetit të madh verior Shkodrës. Emërimi titullar si Monsinjor iu dha më 25 prill 1993 nga vetë Ati i Shenjtë Papa Gjon Pali II. Asokohe prelati i ri, ishte ndër katër ipeshkvit e parë të periudhës pas-komuniste.
Më 20 janar 2004, iu pranua dorëheqja nga shërbimet fetare për arsye të moshës së thyer nga papa Gjon Pali II. Prelati dhe shkrimtari ynë geg, ka qenë anëtar i rrregullt i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare deri sa kaloi në amshim.
Organizmi i Kishës Katolike pas diktaturës komuniste ateiste dhe rivendosja e hierarkisë katolike shqiptare pas vitit 1993
Organizimi kishtar katolik fillon mbas shembijes se diktaturës komuniste dhe rifitimit të lirisë fetare në Shqipërinë poskomuniste. Mesha e parë e mbajtur në vorrezat katolike të lashta dhe historike të Rrmajit (sot të shpallur nga shteti shqiptar si monumente kulture) më 4 dhjetor 1990 shënoi hapjen e dyrve të kishave dhe objekteve të tjera fetare në Shqipërinë poskomuniste. Kështu sot kemi Arqipeshkvinë Metropolitane e Tiranë-Durrës, Arqipeshkvia Metropolitane e Shkodër-Pult, Ipeshkvia e Sapës, Ipeshkvia e Lezhës, Ipeshkvia e Rrëshenit, Administratura Apostolike e Shqipërisë së Jugut.
Prelati shqiptar mons. Zef Simoni ipeshkëv, ishte përfaqësuesi i parë i Kishës shqiptare në një ngjarje të madhe si Sinodi i Ipeshkvijve për Evropën Lindore, që u mbajt në Vatikan më 28 nëntor 1991, e më pas në shumë ngjarje të tjera të rëndësishme kishtare.
Riorganizimi i hierarkisë kishtare filloi më 25 prill 1993, kur Papa Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë, duke u ndaluar në Shkodër pranë kishs së famshme Zoja e Shkodrës, rrëzë kështjellës Rozafa dhe Tiranë, kun ë kryeqytet ai mbajti një përshëndetje historike për mbarë popullin shqiptar.
Ati i shenjtë, gjatë vizitës i dhuroi kishës së martirizuar hierarkinë e re të pasdiktarurës katër ipeshkvij të rinj: Imzot Frano Illinë (1918-1998), Imzot Rrok Mirditën (1939-2015), Imzot Robert Ashtën (1918-1998) dhe Imzot Zef Simonin (1928-2009).
Më 26 nëntor 1994, Ati i Shenjtë, krijoi Kardinalin e Parë Shqiptar, Hirësinë e tij, Mikel Koliqin (1900-1997).
Më 7 dhjetor 1996, Shenjtëria e Tij Gjon Pali II, në vijim të riorganizimit të dioqezave të Kishës katolike në Shqipëri, themeloi Dioqezën e Rrëshenit (Mirditë), në vend të abacisë së Oroshit dhe emëroi të parin Ipeshkëv të Rrëshenit dhe administrator apostolik të dioqezës së Lezhës, atë Angelo Massafra o.f.m. (arbëresh), asokohe Këshilltar i Provincës Franceskane Shqiptare dhe famullitar i Troshanit; ndërsa administrator apostolik të Shqipërisë së Jugut, emëroi atë Hil Kabashin o.f.m., asokohe kapelan i besimtarëve shqiptarë në Gjermani.
Shkrimtari geg imzot Simoni sipas pendes së poetit geg shqiptaro-amerikanë Anton Çefa
Poeti, studiuesi dhe ish editori i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria” (1909) të Federates Panshqiptare “Vatra” (1912) shkodrani Anton Çefa, me banim ne Neë Jersey, SHBA, mbi veprën “Letërsia e pame ndryshe” të autorit Zef Simoni, Ipeshkëv, ndër të tjera vlerëson: “Ky libër, që i paraqitet lexuesit nga Monsinior Zef Simoni, – “Letërsia e pame ndryshe” – pa synue për të qenë një monografi kritike analitike, e hollësishme e gjithpërfshise e letërsisë sonë, ravijëzon në një vështrim panoramik personalitetet e letrave tona, përbasit ma të qenësishëm të veprave letrare, kumteve të tyne, duke ndërthurë aty-këtu edhe shpjegime për çashtje të ndryshme teorike të artit, qenësisë së tij, marrëdhënieve të tij me realitetet shoqnore; kryesisht, me religjionin dhe moralin.
E shkrueme me dorën e një shqetësimi të vetëdijshëm, të thellë e nevralgjik ndaj ndikimeve të përmbajtjeve e mesazheve letrare negative dhe vlerësimeve të gabueme a të ndergjegjshme e të qellimshme të kritikës letrare në të kaluemen, dhe me përkushtimin human të një prifti ndaj misionit të vet, që asht qiellor pikërisht sepse asht i lidhun ngusht me tokën e hallet e saj, vepra godet pa mëshirë “mëkatet”, tue shtrue nevojën e “pendesës” dhe katarsit.
Bukuritë e artit letrar dhe vlerat e tij estetike, njohëse e edukative vihen në peshojën e një kriteri të vetëm kategorik: moralit të veprës letrare.
“Artet, letërsia janë vepër e shpirtit, që i jep frymë religjioni. Religjioni nuk asht art, por vertëtësi e mbinatyrshme prej kah vjen edhe fuqia e virtyteve dhe e frymëzimit”.
E shprehun ndryshe në këtë vepër, letërsia trajtohet nga pozitat e një besimtari; ma tej, të një besimtari katolik dhe ma përtej, të një prifti, bile të një ipeshkvi, dhe, njëkohësisht, edhe të një letrari e kritiku, që i njeh letërsisë një mision të naltë edukativ, moral, estetik, dhe patriotik.
Diktue nga qëllimi i trajtimit të landës dhe nga kriteri i këtij trajtimi, vepra fiton një fizionomi strukture të veten, origjinale. Jepen vlerat ma spikatëse për shkrimtarët, përgjithësisht, pa u futë në analiza të plota veprash, krtikohen pikëpamjet dhe mesazhet, që kanë sjellë ndikime negative në formimin e lexuesve.
Shkrimet kundër besimit, kundër Zotit “në vend që të sjellin përparim, bijnë regres, në vend të shpëtimit disfatën, në vend të lirisë terrorin, të qetësisë shpirtnore vrasjen shpirtnore e në vend të rendit anarkinë”.
Kështu, tehut të ashpër të kritikës nuk i kanë shpëtue as kulmet e letërsisë sonë aq të vlerësuem në studimet e deritashme, si: Naimi, Noli, Konica, Koliqi, etj. Damtimet në moralin e veprës letrare – argumenton autori – kanë rrjedhë nga ndikimet filozofike, sociologjike e politike të doktrinave, që bien ndesh me moralin fetar, e damtojnë apo e mohojnë atë.
Në mënyrë të veçantë, janë kritikuar ndikimet nga deizmi, panteizmi, iluminizmi në fillim dhe që kanë përfundue tek pozitivizmi e materializmi. Deizmi dënohet si rrugë që futë mësimin dhe idenë se Perendia nuk ka asnjë lidhje me botën. Simbas kësaj doktrine, Zoti asht vetëm një spektator e njerëzimi ka punën e vet ndër të mira e ndër të këqija.
Në vijë të këtij gjykimi, autori shtron pyetjen: “Çka kishin me na u dashtë ne lidhjet me njeni – tjetrin, po të mungojshin lidhjet me Zotin e të Zotit me ne?”
Mësimet e ilumistave me idetë e tyne çuan tek pozitivizmi i August Compte-s, “një teori reaksionare me ide të kufizueme, që do të përjashtojshin me përbuzje të mbinatyrshmen”.
Kritikohet deizmi i Samiut dhe panteizmi i Naimit që “e ban të njajtë Zotin me materien”, tue i hapë rrugën materializmit dhe darvinizmit ekstrem.
Shumë ashpër kritikohet Çajupi, që përveç se asht “shkrimtar i sa shkrimeve atdhetare e vjershave të bukura”, asht kundërshtar i besimit dhe antiklerikal.
Me anën e një pyetjeje retotike të fuqishme, autori i drejtohet lexuesit: “A me këso idesh do të mbëkambet Shqipënia?! Cila kishte për të kenë detyra jonë të dojë e të çmojë për hir të disa rreshtave të mirë e letrarë persona që nuk duen të njohin Zotin e ta luftojnë?”
Mbasi jepen vlerësimet ma të nalta për Nolin “fjala e të cilit asht e madhnueshme si poezi ashtu edhe në prozën përshkruese, tregimtare e parashtruese, me fuqi burrnore e heroike” dhe që cilësohet si “bomba historike nëpër terrenet mbretnore të monarkisë sulltanore”, që në poezitë e tij “jepte një strukturë zemrake të politikës shqiptare me një shpirt demokratik të vendosun”, Noli kritikohet për përkthimet nga Shekspiri, sidomos për Hamletin, ku predikohet hakmarrja, për përkthimin e Ibsenit e të Hauptmanit me burime devijimesh e të sa mendimeve damtuese.
Autorë si Koliqi, Konica, rishtas Noli, kritikohen, për licensiozitet; Konica për stilin fyes plot shamje e fjalë të ndyta. Vihet në dukje e argumentohet fakti që duhet të shahet e të urrehet e keqja e jo i keqi, njeriu. Noli kritikohet për “Rubairat” dhe Koliqi për “Shija e bukës mbrume”, “ku ka landë që prishin një popull, tue rritë një rini të prirun kah instinkte”.
Ma ashpër se të gjithë shkrimtarët kritikohet Migjeni “si përkrahës i një bote të pa Zot e i një shoqnije pa religjion”. Migjeni, “figura e sëmunrë e anti-Krishtit në letërsinë tonë”, sado që qe një artist i madh origjinal,“ me proza e poezi të dhimbshme që futën në thellësi të fatkeqësive, të mjerimeve tona, por tue çue kah protesta të rrezikshme, pse për idetë që paraqet autori, damet i sjell të mëdha, me landë kryesisht pa Zot e mbushë me urejtje kundër klerit katolik.
Ai ka shkrue me urrejtje kundër motrave, që i kanë sjellë aq e aq të mira të sëmurëve e të vorfënve. Mjafton me përmendë Nanë Terezen me urdhnat, që ka krijue ajo dhe pa lanë mbanesh edhe murgeshat e spitalit Torre Pelice, që u kujdesën me dashtëni e sakrificë për poetin e sëmundë.
Me këto ide, ai do t’i bante shërbim komunizmit, i cili “do të luftonte e do të punonte pa asnjë lavdi për të shërue plagët e botës, mbushë me vorfni e shtypje, por që askush nuk do t’ia shtonte ma randë, ma idhtë, me persekutim të rafinuem e të parafinuem të vobektëve, të shtypunve e të drejtëve mjerimet me të gjitha format, për t’u quejtë me të vërtetë komunizëm tanësisht mbrapshti e rrenim”. Simbas teologjisë e moralit kristian të këqijat e vuajtjet e njerëzimit shërohen me ndimën e Krijuesit.
“Letërsia e pame ndryshe, nuk përfill rrymat letrare: “nuk kemi pasë rryma të zhvillueme letrare si letërsitë e mëdha të kombeve tjera”, “kemi copa rrymash”; por i njeh letërsisë sonë vetëm një rrymë: atë të realizmit socialist, e cila – si letërsi e mbështetun në skajin ma negativ të filozofisë, në materializmin dialektik e historik dhe në ideologjinë marksiste-leniniste, pjellë e tij, – nuk pasqyron të vërtetën, por e shtrembnon atë.“
Në kjoftë se një vepër nuk ka vërtetësi rranjësisht, qëndron gënjeshtra e, ma tepër se gënjeshtra, dhuna e përzieme me atë, mungon baza e artit, esenca e tij.” – thotë autori.
“Veprat e realizmit socialist ngrihen kundër pronës private, kundër religjionit, kundër jetës njerëzore, familjare, shoqnore, intelektuale, me diktaturën e egër të luftës së klasave.”
Prandaj, për hir të talentit, për hir të mjeshtërisë artistike “nuk duhen vlerësue kurrë veprat e përmbajtjes helmuese”.
Kështu kritikohen Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Jakov Xoxe, Dhimitër Shuteriqi, etj. Permendën si disidentë Trebeshina e Xhaferi; vlerësohet nalt Camaj, me atributin “fuqia e pendës”, i cili në romanin “Rrathët” ka paraqitë “individin në një shoqëni totalitare, që kalon në tre rrathë: rrathë uji, rrathë zjarri e rrathë gjaku”…
Trajtohen ma ndej një grup shkrimtarësh klerikë mbas diktaturës, si: Dom Nikollë Mazreku, Dom Jak Zekaj, At Zef Pllumi, Mons. Frano Illia, Dom Zef Simoni, që vuejten burgjet komuniste, por nuk u përkulen dhe i qendruen besnikë besimit dhe atdheut dhe vertetësisë së artit.
Gjithashtu çeken shkrimtarët e burgosun: Musine Kokalari, Pjetër Arbnori, Frederik Reshpja, Visar Zhit, Maks Velo, Luan Myftiu, si dhe disa shkrimtarë të talentuem të ditëve tona si Fatos Kongoli, Preç Zogaj, Rudolf Marku, Besnik Mustafaj.
Libri përfundon me “I persosuni i botës e i gjithçkafes asht Zoti”…
* * *
Vepra ka një fizionomi të vetën parashtrimi, që buron nga fakti që nga pena e autorit nuk rrjedh vetëm gjykimi, analiza e ftohtë e studiuesit; sepse, tue qenë një personalitet i letrave, penën e ven në lëvizje edhe një forcë tjetër shpirtnore: ndjenja.
Gjykim e ndjenjë përndriten nga ideali. Komentet janë origjinale, hove të fuqishme, të befasishme e të sinqerta, të indëzueme përherë nga emocione të fuqishme. Po bie një shembull: Në fillimin e bukolikës së Naimit “Bagëti e Bujqësi”: ‘O ju malet e Shqipërisë e ju o lisat e gjatë!’ – shkruen autori – na shtohen ndiesitë, kemi një hymen që këndon madhëni shqiptare e me prirje naltësie, për të cilën kemi aq nevojë. Malet që kanë një bukuri egërsuese, kanë edhe ajrin e pastër e fuqinë mitike të orëve e të zanave: një pastërti që të jep mundësi të shofish në thellësi, e sadopak në horizont”.
Kjo fizionomi parashtrimi e landës i jep një vulë origjinaliteti bukurie të veçantë stilit të autorit, i sendërtuem me fraza shpesh të gjata e po aq shpesh edhe të shkurta, shumë herë eliptike. Do të zgjateshim po të jepshim shembuj.
Asht një stil tashma karakteristik, që e dallon autorin; një stil i konsoliduem, sepse ai e ka përdorë vazhdimisht, edhe në vepra dokumentare, memoriale e edhe letrare artistike.
Ndër shumë elemente të tjerë stilistikë të shfrytëzuem mjeshtërisht, më vjen mbarë të dalloj përdorimin e dendun të shkallëzimeve, aliteracioneve dhe esklamacioneve në funksion të sqarimit e të përforcimit të idesë, thellimit dhe shtrimjes së ndjenjës. Jo vetëm frazat e shkurta e të randueme nga mendimi, po edhe të gjatat, jo rrallë i japin stilit ngjyra sentence: “Arti për të ekzistue duhet të japë vlerat poiztive të kohës”, “Artisti i përkryem në ekzistencë asht Zoti”, “Ideali ma i zgjedhun në botën e fajeve asht ai i pendimit rranjësuer.
Njeriu i papenduem nuk ka njohje të hapun, as ecje e jo udhë zhvillimi. Udha e zhvillimit ka horizontet e veta, që shkojnë shumë thellë: thellësi të pastërta e bukuri sublime, që i përkasin idealeve ma të nalta të njofjes”, “bashkimi, që fillon me mirëkuptim, duhet të arrijë te harmonia. Ma vonë vjen uniteti që asht maja e dukshme e suksesit”.
Ky stil origjinal e gjen veten sidomos në përcaktimet e veprave, në karakterizimet e personaliteteve të letrave, të situatave dhe të fakteve të veçanta, me anën e fjalive të shkurta, zakonisht eliptike, me epitete e atribute, të veshuna aty-këtu me një rrobë të mëndafshtë metaforike, që shkojnë crescendo, me përsëritje në përforcim e sqarim të ideve, etj. Ja një fragment nga karakterizimi i Fishtës: “…Talent mbi talent. Asht i dashtun, i rreptë, i fuqishëm, mendimtar, meditativ, i gojës, i zemrës, energjik, i shiut të butë, i reve të zeza, i rrufeve e i bubullimave, e i qiellit, i qiellit të kaltër në hapsinat shqiptare, i pavdekshëm edhe mbas deke, monument në vorr edhe kur eshtnat e tij të jenë tretun…”, “Në pikapamje artistike asht i veçantë: asht një thellësi, naltësi, shtrisi me një ushtimë, me krizëm dhe me tinguj melodiozë…”.
Vepra lexohet me kënaqësi e shije për stilin; me interes për idetë origjinale, për mënyrën e trajtimit të landës dhe përfundimet e arrituna; me kërshëri për komentet, vlerësimet e sidomos për tehun e kritikës; me përfitim e dobi si një pamje e veçantë, e ndryshme, e letërsisë sonë. Edhe pse e shkrueme nga një meshtar katolik, ajo lexohet me andje nga çdo njeri i zakonshëm, i çdo besimi qoftë; mjafton që për te “nuk ka ideal ma të naltë se me njoftë Zotin, me pranue qenien e Tij, se me e dashtë Zotin, me i shërbye e me jetue për Atë”. Sepse, “me njoftë qenien e mbinatyrshme – thotë autori – asht në natyrën njerëzore.”
Vlerësime për mons. Zef Simonin ipeshkëv
“Duke ndjekur shembullin e mësuesit të Tij, edhe i ndjeri mons. Zef Simoni ipeshkëv, ka kërkuar Atit t’i falë ata që e kishin dënuar dhe e kishin bërë të vuajë aq shumë, duke treguar kështu në mënyrë shprehëse bujarinë dhe zemërgjerësinë e vet.” – Ati i Shenjtë Papa Benedikti XVI, Vatikan, Itali
“Sot në këtë ditë lamtumire, kujtojmë se jeta e tij ishte një shembull përkushtimi ndaj Fesë, Atdheut dhe Lirisë, e cila na bën të përkulemi me respekt para veprës së tij. Imzot Simoni i përket atij brezi klerikësh që u persekutuan me egërsi nga diktatura e që iu kundërvunë asaj me besimin e palëkundur tek Zoti. Kontributi i tij ishte një gur themeli në rilindjen e Kishës shqiptare dhe një pasuri e madhe në zhvillimet shoqërore të këtyre viteve. U prehtë në paqe. I përjetshëm qoftë kujtimi i Imzot Zef Simonit!” – Bamir Topi, Presidenti i Shqipërisë
“Imzot Zef Simoni ipeshkev, ishte një martir i vërtetë i lirisë dhe kishës, një intelektual i shquar i kombit tonë, i cili i përket asaj plejade të meshtarëve shqiptarë, të cilët, njësoj si Krishti u kryqëzuan, për vlerat hyjnore dhe u ringjallën sepse meritonin ringjalljen… Ne ndahemi sot nga një meshtar epik, nga një bari epik i kishës, nga një martir i vërtetë i lirisë dhe kishës, nga një intelektual i shquar i kombit tonë. Imzot Zef Simoni ndahet i lumtur nga ne, nga Shkodra që e deshi kaq shumë, nga kombi i tij, sepse ai ia doli që, me jetën dhe përkushtimin e tij, të ndjejë, të përjetojë rrugën e Krishtit. Shumë nga ne kemi qenë këtu 16 vjet më parë, në prill të viti 1993, kur Papa Gjon Pali II, ky mik i madh i kombit tonë, shuguroi Imzot Zef Simonin dhe 3 meshtarë të tjerë të kishës sonë. Disa orë më vonë do të gjendesha me Atin e Shenjtë në një dhomë, së bashku me familjen time, në rezidencën presidenciale. Iu drejtova me fjalët se kjo ishte një vizitë e shkurtër e tij, por shumë intensive. Ndërsa ai m’u përgjigj se për të kjo ishte një ditë ringjalljeje, sepse kjo Katedrale e bukur që gjatë regjimit diktatorial u ndalua, atë ditë u konsakrua sërish si Katredale dhe se meshtarët e kishës që unë shugurova sot ishin të ringjallur. Prandaj vërtetë ajo qe një dite ringjalljeje. Ndaj Imzot Zef Simoni ndahet nga ne i lumtur.” – Sali Berisha, ish President dhe ish Kryeministër i Shqipërisë
[1] EUROPA/ALBANIEN-ALBANIEN FEIERT DAS ZEHNJÄHRIGE JUBILÄUM DES PAPSTBESUCHS. Tirana (Fidesdienst)-Die albanischen Katholiken feiern den 10. Jahrestag des Besuchs von Papst Johannes Paul II. in Albanien am 25. April 1993. Aus diesem Anlass reiste auch der Erzbischof von Bombay, Kardinal Ivan Dias, nach Tirana, der vor zehn Jahren als Nuntius in Albanien tätig war und in entscheidendem Maß zum Wiederaufbau der katholischen Kirche in Albanien beigetragen hat. Ihm Rahmen der Jubiläumsfeiern wird auch die 10 jährige Bischofsweihe, der von Papst Johannes Paul II. geweihten ersten vier albanischen Bischöfe der nachkommunistischen Zeit gefeiert werden. Bei diesen Bischöfen handelt es sich um den gegenwärtigen Bischof von Durazzo-Tirana, Rrok Mirdita, den heutigen Weihbischof von Skutre Zef Simoni; sowie die inzwischen verstorbenen Bischöfe Frano Illia und Robert Ashta. Am 25. April feiert Kardinal Dias in Skutre als Hauptzelebrant einen Festgottesdienst, an dem alle albanisch Bischöfe sowie die Priester, Ordensleute und Gläubige aus ganz Albanien teilnehmen. Am 26. April wird Bischof Mirdita seine 10 jähriges Bischofsjubiläum in Trana feiern und sich aus diesem Anlass auch am Nachmittag mit den Priestern seiner Diözese treffen. Außerdem ist ein Konzert des Chors Pax Dei mit klassischen Stücken zu österlichen Themen geplant. Vom 1. bis 3. Mai ëird die Caritas Albania ihr 10 jähriges Gründungsjubiläum feiern: aus diesem Anlass werden im “Friedensdorf” in Skutre mehrere Konferenzen stattfinden, an denen verschiedene Bischöfe sowie das albanische Staatsoberhaupt Alfred Moisu teilnehmen werden. Der Staatspräsident wird die zehnjährige Tätigkeit der menschlichen Förderung bei dieser Gelegenheit offizielle würdigen. Zu den Feiern wird der Fidesdienst ein Intervieë mit Erzbischof Rrok Mirdita von Durazzo-Tirana veröffentlichen. (Fidesdienst 24/4/2003-25 Zeilen, 256 Worte)
[2] Mons. Zef Simoni Ipeshkëv, “Ngjarje në tokë” Shtëpia Botuese “At Gjergj Fishta”, Shkodër, 1998, fq. 3-5.
[3] Mons Zef Simoni Ipeshkev, “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni”, Shkodër, 1994
[4] Po ai, po aty.