Në aktivitetin “Shqipja në diasporë”, të mbajtur më 26 nëntor 2022 në Tiranë, me temën: “Shembuj suksesi dhe risi në mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë” – (Punimi im)
Shkruan: Mustafë Krasniqi
”Takim i sotëm “Shqipja në diasporë” përpos që na inkurajon në misionin e mësuesit, na bënë edhe më të ndërgjegjshëm të ecim të bashkuar për ruajtjen e gjuhës shqipe. Por, ajo që duhet të na shqetësojë, është mosinteresimi i shumë mërgimtarëve shqiptarë për shkollën shqipe, të cilët nuk i çojnë fëmijët e tyre në klasat, ku mësohet gjuha e kultura shqiptare. Këta fëmijë, pa fajin e tyre, kanë filluar ta belbëzojnë gjuhën mëmës, ndërsa në një të ardhme, rreziku është edhe më i madh, kur edhe mund të mos flasin fare në gjuhën shqipe.
Këtë dukuri e preka qëllimisht, që ta kuptojmë realisht se kemi të bëjmë me një fenomen të shëmtuar, siç është asimilimi i heshtur. Pra, nëse ne (shteti dhe prindi) nuk e marrim seriozisht këtë fenomen, e ardhmja do të jetë e dhimbshme dhe me pasoja të mëdha, për kombin. Ngaqë numri i nxënësve që kemi, apo numri që do të shtohej tutje është një pikë ujë në lum, në krahasim me numrin e atyre që duhet ta vijojnë mësimin në gjuhën shqipe. Kjo na bënë ta pyesim vetën, së pari si individ, prind dhe si shtet, deri kur më me kaq shumë humbje e dhembje?!
Pavarësisht përpjekjeve që bëjmë për sensibilizimin dhe rritjen e numrit të nxënësve, ne si mërgatë nuk do të kemi suksese të dëshiruara për arritjen e qëllimit, misionit dhe vizionit, nëse nuk kemi bashkëpunim të ndërsjellë me institucionet tona. Dhe, pa këtë bashkëpunim gjithmonë do të mbetemi një numër simbolik, sa për të thënë, se funksionojnë shkollat shqipe në diasporë.
Andaj, seriozisht duhet t’i qasemi këtij problemi, duke kërkuar përkrahjen e shtetit amë, por edhe shteti do të duhej të marrë përsipër, seriozisht, organizimin dhe të na përkrahë e të na japë ndihmën e tij, meqë kështu shpëtojmë një pjesë të brezave të rinj që janë e do të jenë në mërgatë. Nëse duam të punojmë e veprojmë, suksesi nuk do të na mungojë, por kushti i vetëm është, nëse vërtet jemi të vendosur e të bashkuar për këtë qëllim madhor.
Kur flasim për temën si shembuj suksesi dhe risi në mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë, së pari, duhet të kemi parasysh: sfidat, rrugëtimin, qëllimin, bashkëpunimin dhe sensibilizimin.
(Rrugëtimi, qëllimi, bashkëpunimi dhe sensibilizimi)
Gjatë rrugëtimit, ne si mësimdhënës duhet ta kemi si qëllim parësor, qasjen korrekte dhe të dimë se çfarë duam dhe çfarë synojmë, për të arritur deri te realizimi i vizionit dhe misionit tonë. Kështu mund të marrim mbi vete përgjegjësitë që na takojnë, për një mësimdhënie të unifikuar e të koordinuar në funksionimin e mbrojtjes së gjuhës shqipe, të mbështetur në baza të forta didaktike, linguistike dhe ato shkencore. Prandaj kjo është rruga e bashkëpunimit profesional dhe organizues mes mësuesve dhe bashkëkombësve, të cilët jetojnë jashtë kufijve të trojeve shqiptare, dhe natyrshëm së bashku me institucionet tona përkatëse, si Ministria e Arsimit, Ministria Punëve të Jashtme, të të dyja shteteve do të bëheshim, faktor kyç për sensibilizimin e shkollës shqipe në diasporë.
Po, kur flasim për këtë faktor sensibilizimi, rol të rëndësishëm, kanë edhe mediat, nëse ato na përkrahin natyrshëm, duke e bërë detyrën e tyre, si mbështetje e përpjekjeve atdhetare. Po, mbi të gjitha shteti, të ketë parasysh dhe t’i ofrojë mundësinë mërgimtarit të jetë ligjërisht më afër atdheut dhe aspak të mos e injorojë.
(Si shembull, modeli dhe mësimdhënia)
Kur flasim për mësimdhënien duhet të kemi parasysh rrethanat, atje ku rriten fëmijët, por të dimë se ç ‘ njohuri kanë ata, si duhet ta përshtatim mësimdhënien natyrisht të mbështetur sipas korrikulës, kur kemi të bëjmë me nxënës që nuk e kanë të njëjtën moshë e janë në të njëjtën orë mësimi.
Si shembull konkret ta marrim modelin e shkollës shqipe në Zvicër, e cila ka paraqitur suksese të dukshme profesionalisht, duke e shtuar numrin e nxënësve dhe duke hapur klasa të reja. Këtë model e kemi edhe te “Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë” në Bavari, të cilët rrugëtimin e vet e kanë filluar në bashkëpunim me prindërit, mësimdhënësit dhe me institucionet, konkretisht në koordinimin e ngushtë me konsullatat e dy shteteve tona në Mynih. Kështu “Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë” në Bavari është angazhuar, përpos rritjes së numrit të nxënësve edhe për hapjen e klasave të reja, por edhe për përgatitjen e mësimdhënësve, përmes takimeve profesionale dhe mbajtjes të seminareve.
Po marrë si shembull takimin në Ausburg të Bavarisë, (të organizuar nga Fondacioni “Besa”) më 10 tetorit të këtij viti, ku në prani të tri shoqatave të shkollës shqipe në Gjermani: të “Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë” (LAPSH) në Bavari, Organizatës së Akademikëve gjermano-shqiptare “ODA” në Hamburg dhe të Këshillit të Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”(KASH) në Nordrhein-Westfalen, u mbajt një takim pune, duke zbërthyer praktikisht atë që ishte dhe është e që mbetet, si: bashkëpunimi, shkëmbimin i përvojave etj.
Nga ky takim u zbërthyen në mënyrë shkencore format e mësimdhënies, duke u nisur nga e drejtat thelbësore, që i takon një mësimdhënësi të gjuhës së dytë, siç dhe është gjuha shqipe në Gjermani, krahas gjuhëve tjera. Po ashtu u theksuan edhe format e inkuadrimit në rrjetin institucional të mësimdhënësit të gjuhëve të huaja, me të drejtën e pagës së ligjshme, si dhe forma praktike e mësimdhënies.
Suksesi i mësimdhënësit është në orën e mësimit, por dhe në përcjelljen e seminareve, ku si shembull po japim takimin e 22 tetor, në prani të mësuesve të tri shteteve: Zvicër, Austri dhe të LAPSH në Bavari të Gjermanisë, ku u realizua seminari dy ditor me temën: “Gjuha si pjesë përbërëse e identitetit të një kombi”, dhe “Shkëmbimi i përvojave të mësimdhënësve.” Temat qenë këto:
1. “Përdorimi i gjuhës letrare shqipe në shkollat shqipe”,
2. “Të mësojmë duke luajtur”,
3. “Miqësia postare si njësi mësimore, si mjet komunikimi dhe rrjetëzimi”,
4. “Planifikimi ditor i mësuesit, proces drejt suksesit” dhe
5. “Gabimet drejtshkrimore dhe deformimi që po pëson gjuha shqipe”
Në secilin ligjërim u demonstrua praktikisht mësimdhënia me elementet e saj nxitëse, e në këtë kuptim përpos shkëmbimit të përvojave mes mësimdhënësve, u përdorën edhe këto modele si: të mësuarit në natyrë, në kopshtin zoologjik, në bibliotekë etj. Të gjitha këto përvoja, praktika profesionale nga mësimdhënësit, kanë një qëllim të përbashkët, se si ta joshim nxënësin për ta dashur gjuhën amtare.
Por, kjo do edhe një motivim nga shteti; shteti të jetë përkrahës i mësimdhënësit dhe t’i ofrojë mundësinë që ai ta shfaqë me dashuri mësimdhënien, ngaqë puna vullnetare mund edhe të dështojë, pavarësisht dëshirës që e kanë mësimdhënësit.
Është edhe një veçori tjetër që na bie të sfidohemi në këtë rrugëtim, me vështirësitë e ndryshme, siç duhet të dimë si t’i gjejmë rrugët e të kuptuarit të mirëfilltë dhe paditurisë së thellë:
Ne duhet të flasim për vështirësitë kur përballemi me probleme si mos-pagesa e mësimdhënësit sa duhet e si duhet, gjetja e lokalit në shkollë për mësimdhënie, kërkimi i nxënësve për ta plotësuar klasën, sipas rregullit, që ka të bëjë me numrin e nxënësve, të cilët duhet të jenë 12 a më shumë dhe kështu në vazhdën e këtyre vështirësive është mospërkrahja e mjaftueshme e bashkëkombësve dhe e shtetit.
Ndërsa të kuptuarit mirëfilltë, është faktor i rëndësishëm, që bashkëkombësin, konkretisht prindin ta informojmë, që ai ta kuptojë drejt, se mësimi i gjuhës amtare, jo vetëm se nuk është pengesë për integrim dhe të mësuarit e gjuhës vendore, por është një sukses më i madh dhe ndihmesë e madhe kur njeriu e zotëron mirë gjuhën amtare, meqë edhe mësimi i gjuhëve të tjera është shumë më i mundshëm i dhe inatyrshëm. Në këtë kuptim edhe ndihmesa e shtetit është shumë e mirëseardhur, e cila mund të bëhet përmes mekanizmave të vetë profesional, në bashkëpunim me mësimdhënësit.
Me keqardhje duhet të flasim edhe për një dukuri jo të këndshme, paditurinë e thellë.
Fatkeqësisht, në rrugëtimin tonë të mësimdhënies, hasim njerëz të atillë, që e injorojnë me apo pa dashje angazhimin për shkollën shqipe, njerëz këta të cilët mbështeten në faktin, se ne jetojmë në një shtetet tjetër ku shqipja nuk na hyn në punë fare dhe që të dy këto fakte janë të dëmshme dhe të rrezikshme, të cilat dhe po ndikojnë të kemi pak të nxënës në shkollën shqipe.
Por, ajo që është për keqardhje të madhe, duhet ta themi, se ka prindër shqiptarë që fëmijët e vet i dërgojnë në klasat greke, ku edhe feja bënë punën e saj, pa u shqetësuar fare ata që fëmijëve t’ua mësojnë gjuhën shqipe e t’i dërgojnë në shkollën shqipe. Kjo sipas mendimit tim e tejkalon të gjithë pritshmërinë. Por për, raste të tilla, duhet ta vrasë mendjen shoqëria dhe shteti.
Në fund suksesi i mësimdhënësit dhe risitë në të ardhmen.
Natyrisht është e domosdoshme mbajtja e seminareve, licencimi i mësimdhënësve, relacioni prind mësues e nxënës, përkrahja institucionale. Megjithëkëtë, është shumë e nevojshme që shkollat shqipe të jenë në fokus të mediave. Të gjitha këto, po t’i plotësoheshin komunitetit tonë atëherë bindshëm do të flisnim për rezultate të dukshme.
Qëllimisht nuk u ndala te profesionalizmi, por duke e ndërlidhur problemin me faktin real, besoj se natyrshëm duhet ta bëjmë me dije shtetin, se mërgata po ballafaqohet me asimilimin e fëmijëve. Shpresoj se shteti e merr seriozisht këtë fakt, por gjithashtu edhe faktin tjetër, që ka të bëjë me të rinjtë, të cilët gjithnjë e shumë po ikin nga trevat shqiptare dhe po mërgojnë. Kështu, mjerisht, kemi të bëjmë me rrezikun e madh të asimilimit të një pjesë të madhe të popullit shqiptar.
Krejt në fund thërras komunitetin shqiptarë të mërgatës dhe institucionet tona, që së bashku të punojmë për t’u mos u asimiluar fëmijët tanë mërgimtarë!
E nisa këtë ditë me leximin e ketij shkrimi për Shkollën Shqip në Diasporë nga i nderuari Mustafa Krasniqi, që më bëri mua 86 vjeçarin, të shkruaj këto fjalë falenderimi, si një jetë Mësus-Dashamirës, në radh të parë, për fëmijët në migracion, në vitt që përjtojmë. Nga Toronto ju përgëzoj ju z. Mustafa, sa gjithë të angazzhuarit për këtë problem. Përfitoj nga rasti të falenderoj gjithë të angazguarit për këtë problem në Toronto dhe disa qytete rreth saj, ku ky problm është kapur mirë. Shoqatat-Deri kujdesi direkt i Ambasadave përkatëse- Shqipëri-Kosovë-janë për t’u lavdëruar. Model janë MëSUSIT e Kalgaharit, me te nderuarën pasionate atdhtare – Ardiana Bejko etj.(që unë gjysh ngatroj sa harroj dhe emrat me falni). Në Toronto paraprijnë mësust veterane; Rajmonda Dema, Evgjeni Xhakolli, Pavdlina Muca, Tefta Tahiri, Drita Plana, Merita Halili, Astrit Demmollari, Gani Sadushi. Kry tyrmë veterane MESUSE Nikolta Kostandini, si nismëtar në VITE- etj.
Juve sa shkruani më siper, i nderuari Mustafa Krasniqi me shëmbujt në Zvicër, ju falmindrit. *86 vjecari Mësues sot mbi 30 vjet pesionist, përkushtuar mësimit të gjuhës amtare në migradinon nga Athina në Toronto… Ju faleminderit. Mbështetësve mësues të përkushtuar atdhtarë.. sa aktivistëve drejtus të Shoqatave mbarë shqiptare. Mrodhësi ju uroj dhe GEZUAR Vitin e RI që presim. Urimi i parë për Ju – z. Mustafa Krasniqi.