Naxhije Doçi – Prishtinë
SHEKULL I ANKTHIT
Kohë amullie shekulli njëzet i ankthit
mbi nënqiellin krahështrirë me etje lirie,
për çdo ditë vdiste nga një dashuri
refren i dhembshëm në mbamendjen time,
përmendoret ngriteshin në zemër
nuk emëroheshin me emër.
Flakë ndizej përmallimi
nga pengu i llahtarisë së zezë.
Në heshtjen memece të netëve të vona
grishnim blerimin e vonuar
me këngën e zogjëve.
Me xixa stralli i verbonim stuhitë
që na i ngatërronin stinët me kafshim gjarpërinjsh.
Me sy shihnim e flisnim,
fjalët mes grilash akordonin tingujt.
Kohë shumë e prapë për Kosovën
shekulli njëzet i ankthit
në copëza ndarë trungu i lashtë
lot e dhembje ngjizur në asht
nga rënkimi i gjymtyrëve mbetur jashtë.
Në rrumbullaksim të mijëvjeçarit të dytë
dritë yjësish mbi mëkatet e shekullit të ankthit,
ndezja e këngës së përlindur
histori sfidimesh në krahasime
për frymim të lirë në zemër
dhe bashkim të gjymtyrëve në një emër.
Pranverat në Kosovë
asnjëherë nuk e shkumbëzuan detin
më shumë se në këtë fundshekull njëzet,
jetë-luftë mbi dymijë vjetë.
Stuhitë e tërbuara
nuk mund i shuanin sythat në bulim
mbi rrënjët me legjenda hyjnore ngjeshur.
– Prishtinë – 21.05.2022