Në foto: Konstantin Josef Jireček – Nga Geschichte der Serben : Bis 1371. – Gotha : Perthes, o. J., 1911
Serbët kanë mbetur përherë një komb problematik i Gadishullit Ballkanik, që nga imigrimi i sllavëve në Ilirinë e lashtë. Historia e tyre ndahet në dy periudha: në të parën janë në plan të parë kontaktet me Perandorinë Romake lindore, në të dytën ato me turqit osmanë.
Përktheu nga gjermanishtja: Dr. Elda Gjana-Boriçi
Në mesjetë serbët në periudha të ndryshme ishin aleatë, vasalë, rivalë dhe kundërshtarë të bizantinëve, por kurrë nënshtetas të drejtpërdrejtë të perandorit të Kostandinopojës, si dikur fqinjët e tyre, bullgarët e vitit 971, pjesërisht nga 1018 deri në 1186.
Ndërkaq, ata u bënë ithtarë besnikë të kishës lindore, ata më në skaj në veriperëndim kundër kishës romake që sundonte në Dalmaci, Kroaci dhe Hungari dhe sektet e patarenëve (bogomilët ose babunët), të cilat ishin bërë si të shtëpisë në Bosnjë. Ndryshimi i pozicionit të pushtetit solli me vete ndryshime të qendrës politike të serbizmit, i cili haset në shekuj të ndryshëm në luginën e Limës, në Liqenin e Shkodrës, në brigjet e Rashkas në Novipazarin e Sotëm, në Shkup të Maqedonisë Veriore, në fund në Beograd dhe Smederevo anës Danubit.
Ndërkaq, kisha kombëtare serbe e kishte qendrën e saj, që nga shekulli 13 deri në shekullin e 18, përherë në Pejë (turq. Ipek), pranë kufirit lindor të Malit të Zi të sotëm. Sunduesit e serbëve quheshin princa ose dukë, zhupanë të mëdhenj, despotë, mbretër, madje perandorë (carë) në shekullin e 14, në kohën kur mbretëria serbe nën sundimin e “perandorit të serbëve dhe grekëve”, Stefan Dushanit (1331-1355), përfshiu brenda vetes pjesën më të madhe të gadishullit. Menjëherë pas kësaj filloi lufta kundër turqve, me betejat anë Maricas (1371) dhe në Fushë-Kosovë (1389). Të shtrënguar midis hungarezëve dhe turqve, serbët i bënë rezistencë këmbëngulëse depërtimit të osmanëve.
Rënia e shtetit të vjetër serb pati si pasojë një emigracion të fuqishëm drejt veriut dhe veriperëndimit, Hungarisë, Kroacisë dhe Dalmacisë, por njëkohësisht edhe një pakësim të madh të elementit serb brenda gadishullit, në zonat e quajtura sot “Serbia e Vjetër”. Ky emigracion bëri atë që sot pasardhësit e kryepeshkopëve të vjetër serbë ose patriarkët e Pejës ta kenë selinë në Karlovic pranë Danubit mbi tokën e “mbretërisë trinike” të Kroacisë, Sllavonisë dhe Dalmacisë në monarkinë austro-hungareze.
Gjatë rënies së Perandorisë Osmane serbët morën pjesë në të gjitha luftërat turke të austriakëve, venedikasve dhe rusëve. Luftërat e tyre për liri çuan në lindjen e dy shteteve të reja serbe (?! Mali i Zi ka serbë, por nuk janë serbë), të mbretërive të sotme të Serbisë dhe të Malit të Zi.
Literatura mbi historinë serbe nuk është e vogël për nga shtrirja. Në sinorin midis historiografisë mesjetare dhe asaj moderne, qëndron një raguzian, benedikti Mauro Orbini me librin e tij “Il Regno degli Slavi” (Pesaro 1601), përpiluar nga burimet shkrimore dhe gojore.
Punimet vendëse i hap në shekullin e 18 libri katërvëllimësh i arkimandritit Rajiq (Rajić) (1794). Shekulli i 19 nuk ka nxjerrë asnjë vepër të madhe të historisë kombëtare, si në llojin e veprave të pasura me vëllime mbi historinë ruse të Karamzinit dhe Solovjevit, por sigurisht një numër të madh studimesh me detaje të rëndësishme. Si rrjedhojë, ndër historianët vendës kishte kontradikta të mëdha në fundin e shekullit të 19.
Një palë vlerësoi shënimet e periudhës më të re, sidomos këngët popullore epike të mbledhura në njëqind vjetët e fundit dhe legjendat popullore si burime historike për mesjetën, në krye me Panta Sreçkoviçin (Srećković) (⸷ 1903). Pala kundërshtare, e drejtuar nga arkimandriti Ilarion Ruvarac (⸷1905), të cilit duhet t’ia dijë shumë për nder historia e kishës serbe, dhe nga Ljubomir Kovaçeviçi (Kovačević), u përpoq të vinte në dukje kritikën historike moderne në studimin e historisë patriotike.
Krahas historisë së despotit Georg dhe të Dinastisë së Balshiqëve (Gjergji i Balshajve – shqiptar), Çedomil Mijatoviçi ka hedhur dritë mbi marrëdhëniet ekonomike të së shkuarës, Stojan Novakoviçi i palodhur krahas një sërë çështjesh të tërë historisë serbe deri në kohën më të re ka trajtuar sidomos historinë e kulturës dhe të së drejtës. Si koleksionues dhe botues të përmendoreve të vjetra serbe Georg Daniçiçi, Stojan Novakoviçi dhe Ljubomir Stojanoviçi kanë shpalosur një veprimtari të madhe kryesisht në shkrimet e Shoqërisë së dikurshme të Eruditëve Serbë të Beogradit (në Glasnik) dhe të Akademisë Mbretërore Serbe të Shkencave, të themeluar nga mbreti Milan (në Glas, Spomenik, Zbornik).
I madh është numri i publikimeve mbi historinë e shekullit të 19, të botuara nga bashkëkohësit e kryengritjes serbe të viteve 1804 deri 1815, sidomos nga themeluesit e letërsisë serbe Vuk Stefanoviç Karaxhiçi dhe nga Lazar Arsenijeviç-Batalaka. Me vlerë të madhe për historianin janë përmbledhjet e zakoneve të së drejtës, që ekzistojnë ende pjesërisht, të filluara nga raguzani Bogishiç (⸷1908), autori i kodit të ri ligjor malazez.
Perspektiva të gjera në të kaluarën të ofron përmbledhja mbi ngulimet serbe (Naselja) të kohërave tona, e hartuar (1902) dhe e shoqëruar nga gjeografi Profesor Dr. Jovan Cvijiç, në shkrimet e Akademisë së Beogradit (deri më sot gjashtë vëllime).
Monografitë vendëse mbi historinë politike të së drejtës, të kulturës dhe letërsisë ose mbi arkeologjinë e 50 viteve të fundit janë përmendur shpesh në faqet vijuese: nga Dragoviçi, arkimandriti Nikefor Duçiçi, Gavriloviçi, Vladan Gjorgjeviçi, Iviçi, Ljubomir dhe Slobodan Jovanoviçi, Nikola Krstiç, Miliçeviçi, gjenerali Mishkoviç, Kostandin Nikolajeviçi, Ostojiçi, Pavloviçi, Bozhidar Petranoviçi, V. dhe N. Petroviçi, P. Popoviçi, Radoniçi, nga Reshetari, Jovan Ristiçi (kryeministri serb), Dimitrije Ruvarac (vëllezërit Ilarinos), Skerliçi, Stanojeviçi, Georg fon Stratimiroviç, Johan Shafariku, Tomiçi, Vasiçi, Valtroviçi, Trojanoviçi, Vilovski, Vitkoviçi, konti L. Vojnoviçi, Vujiçi, Vukiçeviçi, Vukomanoviçi, Vuliçi dhe shumë të tjerë.
Merita e padiskutueshme e këtyre studimeve për kohët më të vjetra është shqyrtimi kritik i çështjeve të panumërta kronologjike, gjenealogjike, gjeografike dhe të historisë ligjore për përmbledhjen më të re të zellshme dhe shqyrtimin e materialit arkivor.
Nga përshkrimet e përgjithshme vijon pas atij të rusit Majkov (1857), përkthyer në serbisht nga Dançiçi (bot. 2 1876) dhe librave shkollorë nga N. Kristiçi (bot. 2 1868) dhe nga Lj. Kovaçeviçi dhe Lj. Jovanoviçi (Beograd 1890-1891, 2 vëll.), manuali i përcaktuar për një rreth të madh lexuesish: “Historia e popullit serb” (deri në ditët tona) nga Profesor Dr. Stanoje Stanojeviçi (Istorija srpskoga naroda, bot. 2, Beograd 1910, nr. 8, 385 f.), histori politike, pa histori kulture dhe pa dokumente në shënime.
Historianët e Kroacisë kanë fituar merita jo të vogla nëpërmjet mbledhjes së materialeve edhe për historinë serbe, sidomos Kukuljeviçi, Raçki, Ljubiçi dhe Smiçiklasi, kryesisht në botimet e Akademisë së Shkencave Sllave të Jugut në Zagreb, në “Monumenta spectantia historiam Slavorum meridionalium”, në “Monumenta historico-juridica Slavorum meridionalium”, në “Starine”, që përmban tekste të vjetra dhe në “Codex diplomaticus” e ri të mbretërisë trinike.
Për sllavistët, mesjeta serbe kishte një forcë të madhe tërheqëse që nga fillimet e filologjisë sllave, për të cilën dëshmojnë studimet dhe botimet e Dobrovskit, Vostokofit, Kopitarit, Paul Jos. Shafarikut, Miklosiçit, Sreznevskijt dhe Jagiçit. Në studimet e tyre mbi Bizantin, sllavizmin ortodoks, gjuhët sllave dhe letërsinë e historinë e mbretërisë ruse në kohën e re, rusët janë marrë shumë me përmendoret dhe të shkuarën e serbëve, që nga udhëtimet e para në bibliotekat e Atosit, të cilat filologu Grigoroviç dhe ipeshkvi i mëvonshëm Profyrij Uspenskij kanë ndërmarrë në vitet dyset të shekullit të 19: Bezsonovi, Budiloviçi, metropoliti Filaret, Florinskij, Golubinskij, K. Grot, Hilferding, Jacimirskij, Jastrebov, Koçubinskij, Kondakov, Kulakovskij, Lamanskij, Lavrov, Lavrovskij, arkimandriti Leonid (Kavelin), Majkov, Makushev, Miljukov, Petrovskij, A. Pogodin, Nil Popov, Pypin, Rovinskij, Speranskij, Syrku, Teodor Uspenskij, Cigel dhe shumë të tjerë.
Marrëdhëniet fqinjësore zgjuan në Hungari një interes të gjallë për historinë serbe; në krye qëndrojnë veprat e njohura, të cilat gjenden edhe në botimet në gjermanisht nga Kalai dhe Taloci. Në gjuhën gjermane Johan Kristian fon Engeli, një zyrtar i kancelarisë oborrtare të Zibenbyrgenit (⸷1814), me shfrytëzimin e veprës së Rajiçit, si dhe të burimeve latine e greke ka publikuar një libër me vëllime: “Historia e Serbisë dhe e Bosnjës”, Halle 1801, nr. 4 (Historia e Mbretërisë Hungareze dhe e vendeve të saj fqinjë, pjesa III). Për shkak të mungesës së manualëve të rinj deri në ditët tona, me këtë vepër vazhdojnë të këshillohen historianët jo serbë.
Njëri nga historianët më të spikatur gjermanë të kohës sonë, Leopold fon Ranke (⸷1886), i kushtoi historisë së kryengritjes serbe një libër shumë të lexuar (1829), për të cilin Vuk Karaxhiçi i ka siguruar pjesën më të madhe të materialit; në përpunimin e fundit ajo ofron
një vijim deri në Paqen e Shën Stefanit: “Serbia dhe Turqia në shekullin e nëntëmbëdhjetë” (Leipzig 1879). Njëqind vjet pas botimit të veprës nga Engeli, autorit të veprës së dhënë nga organi drejtues i “Historisë së Përgjithshme të Shteteve” iu caktua detyra plot nder, që të përpunonte sërish një histori të Serbisë, kryesisht të përcaktuar për lexues perëndimorë.
Gjatë studimeve të tij mbi vendet e Ballkanit ai kishte qëndruar prej vitesh në lidhje me objektin, qysh prej dorëzimit të tij (1874) të Typikonsit të manastirit të Studenicës (në Glasnik Bd. 40) të themeluar nga zhupani i madh Stefan Nemanja në shekullin e 12, përmes punimeve mbi gjeografinë historike dhe historinë e tregtisë dhe minierave të Serbisë mesjetare, përmes monografive të ndryshme, një përmbledhje dokumentesh (në Spomenik, vëll. 11), recensionet e veprave më të reja dhe gjëra të këtij lloji, kështu që tanimë ishin përgatitur pjesërisht gurët e ndërtimit të një vepre më të madhe.
Megjithatë detyra nuk ishte e lehtë. Materiali për historinë e serbëve është më i pasur sesa p.sh. mbi historinë e bullgarëve, të cilën autori e ka përpunuar një herë (1876), por është ruajtur në mënyrë shumë fragmentare dhe shumë jo të njëllotë, sidomos për mesjetën e hershme. Të gjitha përmbledhjet e deritanishme të burimeve janë vetëm punë përgatitore. Nuk ekziston asnjë “Codex diplomaticus” dhe asnjë ekstrakt dokumentesh mbi historinë serbe, asnjë “Fontes rerum serbicarum”, madje asnjë shkencë e burimeve apo një bibliografi historike.
Për historinë e kohës së re ndihet mungesa e një publikimi të plotë të korrespondencave dhe dokumenteve mbi luftërat e lirisë 1804-1815. Përpjekjet e mia për të gjetur literaturën shumë të shpërndarë, nuk kishin gjithmonë suksesin e dëshiruar, për shkak të botimeve të rralla serbe dhe ruse. Nga burimet e pabotuara veç dorëshkrimeve të veçanta janë nxjerrë arkivat e pasura të Republikës së Raguzës që nga shekulli i 12 për arsye të studimeve, me të cilat jam marrë atje në vitet 1878-1879 dhe 1890-1904 të përsëritura për të disatën herë ende përpara botimit të “Monumenta Ragusina” të Akademisë Sllave të Jugut dhe të veprave të përmbledhura nga Gelcich dhe Taloci si dhe nga Jorga. Janë shfrytëzuar mbetjet e pakta të Arkivit të Kotorrit, po ashtu disa nga arkivi i guvernatorit të Zarës dhe Arkivi i Republikës së dikurshme të Venedikut.
Si detyrën time kryesore konsiderova një paraqitje të dëshmuar sipas burimeve, dhe realiste të ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e këtyre krahinave, që kanë lidhje me njëra – tjetrën. Duhet të shmangen hollësi, të cilat janë më pranë një historiani vendës dhe lexuesve të tij. Në plan të parë qëndron mesjeta, shteti i vjetër serb me shoqërinë e tij politike dhe me marrëdhëniet e tij ekonnomike.
Por krahas mbretërisë serbe i kushtohet vëmendja përkatëse edhe të gjithë vendeve fqinjë, kryesisht Bosnjës mesjetare, e cila kishte një pozicion të veçantë fetar dhe ishte rivale e Serbisë, si në kohërat kur jetonte Stefan Dushani, në të cilat Stefani II filloi t’i zhvendoste serbët nga bregdeti Adriatik, ashtu edhe në periudhën e despotëve serbë të shekullit të 15, të cilët duhet të bënin vazhdimisht luftëra kufitare me mbretërit boshnjakë.
Me dëshirën e redaksisë së “Hstorisë së Përgjithshme të Shteteve”, marrëdhëniet e brendshme u morën më shumë parasysh, gjë që solli me vete disa vështirësi, sepse duhet të diskutoheshin çështje të errëta të panumërta, të cilat deri më sot janë hulumtuar pak ose aspak.
Në lidhje me shumë detaje si p.sh. mbi historinë e gjendjes së lashtë fisnore, i referohem studimeve të mia mbi shtetin dhe shoqërinë në Serbinë mesjetare, të cilat duhet të botohen në memorandumet e Akademisë Perandorake të Shkencave në Vjenë më 1911, të shoqëruar nga materiali dëshmues nganjëherë shumë i gjerë; në librin e dhënë kufizohem mbi njoftimin e rezultateve të këtyre studimeve.
Në një literaturë, tek e cila krahas të dhënave me vlerë ka edhe shumë hipoteza e kombinime, dhënien e saktë të burimeve në çdo kohë e quajta të domosdoshme, kështu që libri jo pak është i ngarkuar me shënime.
Vëllimin e dytë e hap një paraqitje e marrëdhënieve të brendshme nën sundimin e dinastisë së Nemanjidëve, pas të cilit do të vijojë paraqitja e epokës së despotëve të shekullit të 15 dhe në fund koha e re, në të njëjtën masë sa mesjeta. Mbyllja e veprës përbëhet nga disa shtojca: një pasqyrë e shkurtimeve (njëkohësisht edhe një bibliografi e veprave përmbledhëse të shfrytëzuara dhe revistave), radha e sundimtarëve dhe e kryetarëve kishtarë, disa tabela gjenealogjike etj., si dhe një regjistër alfabetik.
Futja në shtyp e veprës është shtyrë shumë nga ndërprerje të mëdha gjatë punës, fati që kisha gjatë ndërmarrjeve të mia të kahershme si shkrimtar, më ka braktisur këtë herë, si pasojë e kufizimeve të mëdha të kohës së lirë për shkak të rritjes periodike të punëve profesionale.
Vjenë, 1911
Konstantin Jireček
Marrë nga Nacional