Me rastin e botimit në Paris (në frëngjisht) të romanit të Ibrahim Kadriut “La progeniture du diable” – Pjella e dreqit”
Shkruan: Sadik Bejko
Ibrahim Kadriu (foto djathtas) është shkrimtar me një përvojë të gjatë krijuese në prozë, poezi, dramaturgji dhe një nga publicistët me jetëgjatësi të shënuar në gazetat e Prishtinës. Ai shpallet Romancieri i vitit me romanin “Pjella e dreqit”, të botuar nga “Faik Konica” e Prishtinës (2012). Prof. M. Hysa në një studim të tij ka vënë në dukje vlerat e romanit “Pjella e dreqi”. Romani meriton vëmendje, sepse mjetet e prozës së gjatë pësojnë një tendosje artistike që e rritin edhe më tej shprehësinë e tyre në vazhdimësinë e përvojës së tij si prozator, por edhe për rrokjen e një teme që të çon te plagët tona, te zbulimi i tyre, te mbartësit e shkaktarët, pikëzuar në mjedise dhe në personazhe nga klima e gjallë e ditëve tona.
Në strukturat e romanit, në pajtim me poetikat e postmodernes, janë ndërkallur ndërmjet blloqeve të mëdha të tekstit unik romanor, mikrostruktura tekstuale që hapin dritare dhe kthjellojnë më tej atë që duhet thënë a nënkuptuar mbi personazhet qendrore të romanit. Veçojmë si cilësi të romanit prozën e zhdërvjelltë që e rrok ballas dhe në trungun e saj temën që trajton pa barokun e letrarizimin sipërfaqësor. Kjo rritë dimensionin e tendencës së vlerësimit të figurave përkatëse gjë që pasurohet edhe me ironinë e groteskun e kursyer e jo si qëllim në vete.
Është proza e një autori në fazën e pjekurisë artistike, e një mjeshtri të romanit. Ajo që tematikisht bie në sy e që do të ishte patjetër merita më e dukshme, është qasja kritike ndaj asaj që të gjithë e ndjejnë: shoqëria e sotme është larguar ndjeshëm nga idealet dhe i është nënshtruar materiales. Njeriu i viteve, kur duhej dalë nga diktatura, sot është karikaturë e vetes. Ka humbure shumë nga idealet sa nuk njihet më ose i tillë ka qenë që në krye e ne nuk e kemi njohur. Dhe një tjetër ide: ka një kontaminim të njeriut të sotëm me atë të djeshmin. Ata që dolën e janë në krye të punëve si qenie shumëfytyrëshe, kanë ndërruar vetëm lëkurën, maskat, por esencialisht mbeten “pjellë e dreqit”.
Bash ashtu si kanë qenë para ndërrimeve politike të ’90-tes. Autori me mjetet e njohura letrare që nga koha kur letërsia erdhi dhe u bë institucion shoqëror, u mohon të ardhmen fytyrave të tilla të shfytyruara. Shterpësia dhe lakmia e kanë çmimin e vet: vdesin pa të ardhme. Humanizmi nënvizohet në këtë roman me personazhet e tjera, me ata që pësojnë prej të parëve, si dhe edhe sot, por vlerat dinë t’i ruajnë se kanë qenë përtej kontaminimeve të së keqes me të mirën, përtej mostrës që bën vetëm të keqen për të pasur mirëqenie, pushtet e ligështi.
SHËNIM: Ky shkrim i Sadik Bejkos u botua me rastin e shpalljes se romanit “Pjella e dreqit” romani i vitit për vitin 2012.
Para romanit “Pjella e dreqit” në frëngjisht u botuan dhe tri romane të tjerë të Ibrahim Kadriut: “Misioni rus”, “Vdekja e Anilës” dhe “Përtej binarëve”.
Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, poet & shkrimtar