14.5 C
Tirana
E mërkurë, 1 Prill 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj ROMAN ME VLERË E ME PLOT DINAMIKË

ROMAN ME VLERË E ME PLOT DINAMIKË

0
Anton Nikë Berisha - Martesa...

– Parathënie –

Ibrahim Kadriu
Ibrahim Kadriu

Ibrahim Kadriu

Libri më i ri (për fëmijë) i Anton Nikë Berishës,  romani “Gjarpri martohet me Vajzën e mbretit”, cilësohet nga një rrëfim i menduar dhe interesant, me temë të “huazuar” nga thesari i traditës së letërsisë gojore, por i pasuruar si shtjellim dhe të shprehur artistik, ku vërehet serioziteti dhe përvoja e krijuesit, i cili jo vetëm me këtë libër, ka arritur të  dëshmojë nivel të ngritur autorial duke bindur se i takon rrethit të shkrimtarëve, vepra e të cilëve bëjnë ndikim estetik në lexuesin. Edhe më parë, në zhanrin e romaneve, ky autor ka dëshmuar vlera të  qëndrueshme, siç janë, për shembull, romanet:  “Gjin Bardhela i arbëresh etja e gurëzuar” (për të rritur), “E Bukura e Dheut”, “Kush dëgjoftë e mos tregoftë…” (për fëmijë) etj., që e kanë pasuruar prozën tonë.

Në romanin më të ri “Gjarpri martohet me Vajzën e mbretit” Anton Nikë Berisha ka përftuar një rrëfim poetik, ku dëshmohet një dinamikë dhe një ritëm i veçantë, një shtrirje e lëndës që të pushton, që zhvillohet me një gradacion, domethënë e bën lexuesin sikur të ecë shkallëve drejt lartësisë, duke u tërhequr nga një formë në tjetrin; nga një ngjarje interesante në ngjarjen tjetër, vazhdimësia e të cilave, me plot dinamikë,  e pushton lexuesin dhe ngjall kërshërinë të arrijë në fund të romanit.

Teksti i romanit veçohet me një shumësi kuptimore, që të tërheq nga kapitulli në kapitull, derisa shtjellimi i tekstit ofron efekte të gjalla, meqë lexuesi i vëmendshëm, derisa e bën atë shëtitje në prozë, gjithnjë në shoqërim me plakën e varfër, Lumbardhën, pastaj me Gjarprin, me mbretin, me bijën e mbretit që do të martohet me Gjarprin, i cili në të vërtetë ishte – shndërrohet në të Bukurin e Dheut… gjithnjë do të përballet me ngjarje dramatike.

Shfrytëzimi përrallës për ta formësuar romanin (të them se edhe shumë shkrimtarë botërorë i kanë shfrytëzuar përrallat) i ka dhënë mundësi autorit të ketë lirinë e plotë në ndërtimin e rrëfimit dhe në tipizimin e personazheve, që dalin  të skalitur për mrekulli e që do të mbahen në mend gjatë. Për ta arritur këtë lexuesi ballafaqohet me shumë ndodhi që e mbajnë dinamikën gjer në fund. Përmes këtyre ballafaqimeve, gjarpri dhe e bija e mbretit, që u bë nuse e tij, mësojnë se dashuria e vërtetë kërkon përkushtim, besnikëri dhe guxim. Duke u përballur me vështirësitë ata ndërtojnë së bashku një marrëdhënie më të fortë dhe bëhen shembull se dashuria mund të ngadhënjejë mbi çdo sfidë.

Romanin e cilëson një gjuhë e pastër dhe e rrjedhshme, një spontanitet i rrëfimit dhe i shpërfaqjes së arsyes që e ka nxitur autorin të merret me këtë temë, duke sqaruar se ku i lindi ideja për rrumbullakimin e rrëfimit për Gjarprin dhe të bijën e mbretit, prandaj thotë (shkruan në fillim): “Më duhet t’ju them se gjithë atë që do ta lexoni në vijim ma rrëfeu arbëreshja, zonja mëmë e Andreut (një mik i shkrimtarit) Dhamira. Ajo jeton në katundin Maqi të Kalabrisë…”.

Me një fjalë, një roman që meriton të lexohet.

Prishtinë, shtator 2025

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.