Ndue Ukaj
Raportet ndërmjet shqiptarëve dhe turqve s’janë vëllazërore, s’kanë qenë kurrë të tilla, ndaj ta pohosh të kundërtën, domethënë të përditësosh broçkulla e retorikë bajate dhe njëkohësisht të pohosh të pavërteta historike.
Përkundrazi, raportet ndërmjet shqiptarëve dhe turqve ishin të vështira, janë të vështira – madje shumë të mundimshme – pikërisht për shkak të sfondit historik dhe faktit se Turqia kurrë s’është penduar për terrorin, që u ka shkaktuar shqiptarëve: për vrasjet, shkatërrimet dhe shkretimin kulturor.
Prandaj, riciklimi i historisë në takime bilaterale politike është i gabuar dhe s’i kontribuon përmirësimit të këtyre raporteve, përkundrazi i ngacmon plagët e thella nga të cilat shqiptarët vuajnë.
…
Vizita e sotme e Erdoganti në Shqipëri, në kuptimin politik është vizitë krejtësisht normale, ndihma e saj duhet vlerësuar dhe respektuar, ndonëse është krejt simbolike, kur krahasohet me investimet marramendëse që bën Turqia në Serbi, ndërkaq, diskursi historik që përdoret në këso takime është i neveritshëm, i pashëndetshëm, ndaj të cilit e kemi për detyrë të reagojmë me dinjitet që ta mbrojmë dinjitetin historik.
…
Turqia, viteve të fundit, përmes një togfjalëshi të tillë, ka provuar t’i joshë, shfrytëzojë dhe keqpërdorë shqiptarët si trampolinë për interesa gjeostrategjike dhe ndërhyrja e saj ndonjëherë ka shkaktuar probleme të mëdha ndër ne, sidomos vërsulja kundër historisë dhe tendencat për të shkruar një histori sipas ambicieve turke.
…
Vlerat politike që përfaqëson sot politika e Erdoganit fatkeqësisht s’janë vlera të demokracisë dhe idealeve demokratike. S’janë vlera as të shkrimtarëve të jashtëzakonshëm si Orhan Pamuk dhe të shumë turqve tjerë, që vuajnë nën regjimin e tij dhe duan vërtet vlera demokratike dhe një shoqëri tolerante.
Erdogani persekuton kundërshtarët e tij – e ka fragmentuar popullin e vet – përndjek dhe arreston shkrimtarë, artistë, gazetarë, kurse shtiret se shqiptarët i ka vëllezër. Këto janë broçkulla që i gëlltitin vetëm mendjekëqijtë dhe kokëkrisurit. Thjesht, kjo është shtirje, të cilën duhet ta kuptojmë drejt. Sepse, aleancat politike vëllazërore ndërmjet shteteve s’ekzistojnë dhe s’kanë ekzistuar kurrë.
…
Ekziston një pakicë shqiptare që e ka thellë në zemër pushtimin osman, por e vërteta historike dhe rrjedhat politike e kulturore të shqiptarëve kanë trajtë tjetër.
Kurrë s’është e tepër ta përsërisim se, shqiptarët e mençur si Naimi e Samiu, që jetonin në zemrën e perandorisë, shpirtin, mendjen dhe zemrën e kishin të lidhur me Europën. Prandaj, të kota janë kukurisjet e joshjet për t’i këputë edhe njëherë këto lidhje.
Pesë shekuj nën zgjedhën e rëndë osmane, ne mbetëm më të prapambeturit në Europë, Turqisë i dhamë disa vezirë shërbyes, që i dhanë shumë asaj dhe asgjë kombit të tyre, kurse kombi shqiptar mbijetoi falë energjisë kastriotinane, që s’u shua kurrë dhe jo për shkak të servilëve dhe shërbëtorëve të perandorisë.
…
Shqiptarët sot kanë vështirësi në rrugëtimin e tyre drejt integrimit në familjen e madhe europiane, për shkak të politikanëve të paaftë, por ata fatin e tyre e kanë të lidhur organikisht me këtë qytetërim, sepse e ndiejnë si atdhe të vlerave të përbashkëta.