Në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” në emisionin “Rreze Dielli”
Në Report Tv me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja, u ndalëm në një nga problematikat më të shpeshta, që hasin meshkujt pas moshës 45-vjeçare. Prostata, si mund të parandalojmë zmadhimin e saj me kalimin e moshës. Me specialistin Merja flasim edhe për sëmundjet më të shpeshta të prostatës, si mund të trajtohen përmes kurave bimore.
Prostata është një gjëndër hormonale me sekrecion të brendshëm, e cila ka disa funksione të rëndësishme në organizëm. Kjo gjëndër ka formën e kokrrës së arrës, e cila gjendet poshtë fshikëzës së urinës dhe rrethon ureterin. Funksioni i prostatës është të prodhojë një lëng, i cili përmban acid citrik, kalcium dhe enzima, e ka mundësi të përmirësojë lëvizshmërinë e spermatozoidëve dhe pjellorinë. Për më tepër, lëngu që sekretohet nga prostata përmban zink, i cili sipas studimeve mbron sistemin gjenital nga infeksionet. Gjithashtu ndihmon për funksionimin normal të sistemit urinar.
Me kalimin e moshës gjendra e prostatës tenton të zmadhohet. Zmadhimi i prostatës është një patologji që haset shpesh tek meshkujt, 1 në 3 meshkuj të moshës mbi 50-vjeç paraqet simptoma të prostatës së zmadhuar. Shkaktarët e zhvillimit të prostatës janë ende të paqarta, jo gjithmonë ndikon trashëgimia gjenetike sipas specialistit Merja, por ndikues negativ është jeta sedentare, qëndrimi ulur në ndenjëse të fortë, qëndrimi gjatë në biçikletë, përdorimi i pijeve alkoolike dhe me gaz, kostipacioni dhe infeksioni rektal, stresi, etj.
Nga pikëpamja mjekësore, ky fenomen sqarohet si proces i kthimit të testosteronit – hormonit mashkullor, pas kësaj moshe, 45-50 e sipër, në hidroterstosteron, kjo çon në zmadhimin e prostatës.
Disa nga shenjat e para të prostatës sipas Ylli Merja janë: djegie gjatë urinimit, dhimbje në pjesën e poshtme të traktit urinar dhe më tej me zmadhimin e prostatës shenjat janë më evidente: urinim i shpeshtë më shumë gjatë natës, urgjencë në të urinuar, urinim me ndërprerje dhe me vështirësi, moszbrasje e plotë e vezikës urinare, ulje presioni gjatë urinimit, gjurmë gjaku në urinim.
Specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja thotë se në Shqipëri njihen shumë bimë, të cilat vijnë në ndihmë në trajtimin me efikasitet të problemeve të prostatës siç janë: gjembi i gomarit, gjembaçi, hithra, trëndafili i egër, shqopa. Por së pari, duhet të tregohet një kujdes në regjimin ushqimor, duke eleminuar proteinat me origjinë shtazore të cilat duhet të zenë 25 % dhe ushqimet me bazë bimore duhet të zenë 75 % të regjimit tonë.
Duhen konsumuar sa më shumë fara liri, fara kia, fara kungulli, fara kajsie, bajame të egra, mollë të egër. Këto fara, rreth 2-3 lugë mund të konsumohen me pak kos, por jo me qumësht. Gjithashtu produktet natyrale si bishtajoret, lakrat, brokoli, çikore, rradhiqe, bathë, mashurka, hithra janë shumë të mira.
Ndërsa sa i takon çajrave, që specialisti Merja rekomandon për përmirësimin e urinimit dhe zvogëlimit të prostatës janë: farat e gjembit të gomarit, farat e gjembaçit, farat e lules së shqopës të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në pastrimin e gjakut dhe të mëlçisë duke e bërë trupin luftarak kundra qelizave kancerogjene.
Dëllinja e zezë dhe e kuqe është shumë e mirë kundra djegies dhe infeksioneve urinare, gjithashtu e kombinuar me gjethe dhe lëvore gorice frenon urinimin e shpeshtë. Pelina e ëmbël, hithra, bishtat e qershive të përgatitura si çaj gjithashtu ndihmojnë në pastrimin e sistemit urinar.
Për personat që vuajnë nga zmadhimi i prostatës, Ylli Merja sugjeroi një regjim ushqimor i cili të kthehet në një stil jetese duke konsumuar në mëngjes: kos me tërshërë, fara liri, bajame të egra të bluara, gjemb gomari ose fara gjembaçi. Ndërsa në drekë mund të konsumohen lakra, brokoli, karrota, qepë, bizele, bathë, mashurka, rradhiqe, etj., si dhe gjatë ditës të konsumohen 2 gota çaj me farat e gjembit të gomarit, farat e gjembaçit, farat e lules së shqopës.
MC/Shqiptarja.com