Arben Çokaj
Në politikë e dimë se ka të majtë dhe të djathtë. Dhe sipas bindjeve politike, njerëzit vlerësojnë. Kush beson në një ideologji, qoftë edhe fetare, i mbron edhe krimet, që bëhen në emër të asaj ideologjie – thonë.
Kështu edhe sot në politikën shqiptare sheh vlerësime të ndryshme, sheh prej atyre që ngrenë Ramën si politikan, e sulmojnë Kurtin. Pavarësisht preferencave, cili është realisht politikan më i mirë, Rama apo Kurti? Unë mendoj se Kurti, dhe po e argumentoj.
Milaim Zeka thotë se nuk ka njeri më të poshtër, që ka ardhë në politikën kosovare, se Albin Kurti. Edhe më i poshtër se serbët Milaim a?! A ka argumente Milaimi për këtë?
A besohet kjo që thotë Milaimi? Shumica e kosovarëve besojnë në fakt, si unë, se Albini është kryeministri më i mirë i Kosovës deri tani!
Del një analist i ri afër PS-së e thotë se në Athinë qeveriste dikur Perikliu, për rreth 30 vjet. Ai konsiderohej si i pa korruptuar. E bën ironi me Albinin… pse? Se do modelin e Ramës… kuptohet kjo. Po tani se Perikliu ishte i pakorruptuar, a nuk mund të jetë edhe Albini a?!
Po more shoku po, kur qeveriste Perikliu, Athina pati suksesin më të madh dhe u bënë veprat më të mëdha në Greqi, që i kemi ende edhe sot. Athina futi në zili Spartën, e për këtë arsye dhe nga historitë e Herodotit filloi lufta e madhe civile greke mes qyteteve-shrete deri në shkatërrim të Greqisë së atëhershme.
Edhe ju tani po e keni zili Kurtin, se po punon mirë! Albin, prano një këshillë, mos puno aq mirë, sa për të sharë ziliqarët, se edhe kjo dëmton!
Kurti është kryeministri më jetëgjatë në Kosovë, se shteti ka stabilitet e qeveriset më mirë se në Shqipëri. Vetëm rryma elektrike kushton shtrenjtë sipas ankesave, por edhe kjo është më e lirë në krahasim me Shqipërinë, që i ka edhe karburantet e çmimet e tjera më të larta në Europë! E s’po del kush me e sha Ramën ashtu si shan Milaimi Kurtin… se mirë kishte qenë! Në Shqipëri prodhohet rreth 1 milion ton naftë D2, në vit, e vidhet, as TVSH nuk paguhet.
Si mundet të jetë i mirë një politikan si Rama, pavarësisht ndikimit të tij politik te ndërkombëtarët, kur ai i ka vënë çizmen në fyt popullit të vet?! Po ia merr shpirtin. Rrogat e pensionet më të ulëta në Shqipëri, e çmimet më të larta në Europë, më të larta se në Itali e Gjermani. Kurse në Kosovë kemi çmimet më të ulëta në Ballkan.
Gjithkund ka ankesa në demokraci. Se gjithmonë ka vend për më mirë. Por duhet të jemi edhe realistë, me këmbë në tokë. Politika duhet të synojë ta bëjë jetën më të lehtë për qytetarët, vendin më të sigurtë. Në Shqipëri kemi edhe një shkallë të lartë kriminaliteti e korrupsioni, që padyshim ndikon edhe te këto çmime të larta, që kanë mallrat. Dhe vendi bëhet më i pasigurtë – kurse Kosova ka një fytyrë sigurie tjetër, më të mirë.
A doni me e prishë këtë stabilitet e këtë imazh të mirë, që ka Kosova sot? A ua ka sjellë Kurti në majë të hundës, se nuk po u len me vjedhë shtetin si dikur, Milaim e Berat etj.?! Shani sa të mundeni, rrëzojeni Albinin, dhe do vijë dita të përfundoni në një shtet anarki, si modeli i Shqipërisë… A këtë model shteti po lakmoni ju?!
Edhe Rama premttoi shumë dikur kur ishte në opozitë – e mori rrynën elektrike me çmim për familjarët rreth 7,2 lekë për kW e tani e kemi 11,6 lekë. Në Kosovë është 7,8 cent, e disa kosovarë po ankohen. Po të ishin në Kosovë çmimet sa në Shqipëri, çfarë do të bënin këta kosovarë, kur ata edhe sot po ankohen? Ideologjia e preferencat politike nuk hahen, jo!
A është ideologjia, korrupsioni apo hajnia, që ata që ankohen vlerësojnë më shumë, apo shteti i rregullt e funksional? Se nuk po i kuptoj këto ankesa të disave…