Porosia: Shqiptarë, mos jetoni nën hijen e okupatorit!

0
Safet Sadiku

1) Ese historike nga sirtari 119, teksti nr. 21.

Vetëdija politike dhe shtetformuese e Hasan Prishtinës duhet të gjithëve të na shërbejë sot si porosi dhe udhërrëfyes për ndërtimin e një administrate të mirëfilltë dhe funksionale në republikat tona, duke e përshtatur këtë trashëgimi mendore të vetëdijes me rrethanat, specifikat dhe standardet e kohës së sotme.

Nga Safet SADIKU

Kush jeton nën hije, jeton me shpinë nga e ardhmja. Porosia: “Shqiptarë, mos jetoni nën hijen e okupatorit”, përmbledh thelbin e mendimit dhe veprimit politik të Hasan Prishtinës, një prej figurave më vizionare të historisë sonë kombëtare. Ai e kuptoi herët se liria nuk fitohet vetëm me armë, por edhe me vetëdije politike, dinjitet dhe refuzim të nënshtrimit. Në rrethanat e sotme, kjo porosi mbetet po aq aktuale, sepse okupimi nuk shfaqet më vetëm në formën e ushtrive të huaja, por edhe përmes varësisë politike, ekonomike dhe mendore.

Ashtu si Hasan Prishtina që kundërshtoi kompromiset e dëmshme dhe kërkoi çlirimin e më pas edhe pavarësi të plotë… Edhe shqiptari i sotëm duhet të reflektojë me vetëkritikë, mbi realitetin ku jeton dhe të mos pranojë forma të reja të nënshtrimit që e zbehin sovranitetin dhe identitetin kombëtar. Ky krahasim tregon se idealet e Hasan Prishtinës nuk i përkasin vetëm së kaluarës, por janë udhërrëfyes për të tashmen dhe të ardhmen.

Hasan Prishtina (1873–1933) ishte një nga mendimtarët dhe veprimtarët më të kompletuar të çështjes kombëtare shqiptare. Ai nuk ishte vetëm luftëtar apo politikan, por mbi të gjitha ideolog i lirisë dhe shtetformimit shqiptar. I shkolluar në Stamboll, Hasan Prishtina zotëronte kulturë të gjerë politike dhe juridike, gjë që e bëri të kuptojë se çlirimi i shqiptarëve kërkonte organizim, platformë politike dhe vetëdije kombëtare. Ai ishte udhëheqësi kryesor i Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912, e cila i parapriu shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Programi i tij politik me 14 pika kërkonte pavarësi administrative, arsim në gjuhën shqipe dhe respektim të të drejtave kombëtare të shqiptarëve, si kërkesa shumë të përsëritura që ishin bërë edhe përpara kohës së tij. Hasan Prishtina shërbeu edhe si kryeministër i Shqipërisë, ndonëse për një periudhë shumë të shkurtër, por mbeti gjithmonë i pakompromis në qëndrimet e tij.

Ai kundërshtoi çdo marrëveshje që cenonte interesat kombëtare dhe refuzoi të gjitha privilegjet personale, duke jetuar shpesh në mërgim. Një element i rëndësishëm i personalitetit të tij ishte mosnënshtrimi ndaj asnjë pushteti të huaj, qoftë osman, serb apo edhe ndikimeve të brendshme që ai i shihte si të dëmshme për kombin. Për këtë arsye, ai u përndoq, u izolua dhe në fund u vra në Selanik në vitin 1933, çka e shndërroi në simbol të intelektualit të sakrifikuar për idealin kombëtar. Në kontekstin e sotëm, Hasan Prishtina përfaqëson modelin e politikanit që mendon për kombin para interesit personal, që flet hapur kundër padrejtësive dhe që nuk pranon të jetojë “nën hijen e okupatorit”, as fizikisht e as mendërisht. Kjo e bën figurën e tij jashtëzakonisht aktuale dhe të vlefshme për analizë krahasuese me realitetin bashkëkohor shqiptar.

A) Gjithashtu këto argumente, dhe dokumente nuk janë një grumbull fjalësh të radhitura mbi letër për hir të ndonjë procesverbali apo formalitetit politik, por ai është një akt i ndërgjegjes kombëtare, një thirrje e ngjeshur me peshën e shekujve. Është një kumt që nuk njeh kufij partiakë e as interesa të ngushta, por që rreh drejt e në zemrën e çdo shqiptari që e ndien veten pjesë të të njëjtës trung, të së njëjtës gjuhë që e ka mbajtur gjallë shpirtin tonë në stuhi, dhe të së njëjtës trashëgimi kulturore që na ka lidhur si gurë të një kështjelle të pathyeshme.

Ky dokument nuk ngrihet për të ngritur në qiell njërën palë dhe për të rrëzuar tjetrën, por për të rikujtuar se mbi çdo dallim politik, që mund të na ndalojë të shohim njëri-tjetrin në sy, qëndron një e vërtetë e madhe: se jemi bij të të njëjtës rrënjë të lashtë, dhe se liria jonë nuk është një dhuratë, por një amanet që duhet ruajtur çdo ditë, në çdo veprim, në çdo vendim, edhe në ato që duken të vogla por mbartin peshë të madhe.

U drejtohet ky zë të gjitha institucioneve shtetërore që sot kanë penën e ligjit në dorë, forcave politike që udhëheqin turmat e fjalës, organizatave shoqërore që ndërtojnë ura komunikimi dhe jo ndarje mbi popullin. Po ashtu botës akademike, ndonëse ende shumë pasive, që mundohet të ruan kujtesën e kombit, mërgatës që pa paragjykime nga larg mban zjarrin e dashurisë për atdheun. Dhe çdo shqiptari tjetër që ecën mbi këtë tokë ose mban në zemër gurin e lirisë, i cili beson se rreshtimi dhe harmonizimi nuk është luks, por nevojë dhe një domoosdoshmëri, se gjuha jonë nuk është thjesht vetëm mjet komunikimi, por është edhe themeli i identitetit tonë kombëtar. Është drejtësia e aspiratës sonë për bashkërradhitje aty ku duhet, për mirëkuptim e zhvillim, e cila nuk është më ëndërr, por detyrë e prekshme.

Historia nuk na fal më. Koha e fjalëve të zbrazëta, e premtimeve të ngrira dhe e pritjes së pafund dhe pa kuptim, ka marrë fund. Nuk mjafton të flasim “për shqiptarët” nga podiumet e largëta, por të veprojmë me shqiptarët, për shqiptarët, nga shqiptarët, me mendjen e kthjellët si uji i burimit, me zemrën e hapur si drita e mëngjesit, dhe me vullnetin e pathyeshëm për t’i dhënë formë një të ardhmeje që nuk do t’i shitet asnjë tregtari të robërisë. Sepse okupatori nuk është vetëm figura që hyri dikur me armë e tanke, duke rrëzuar shtëpitë dhe duke gjakosur tokën. Ai është edhe tregtari i sotëm që, pasi na vrau dje, sot vjen me buzëqeshje të rreme për të na shitur bukën e gojës. Dhe ne, kur blejmë prej tij, nuk blejmë vetëm një produkt, por ne blejmë harresën tonë! Kështu ne ushqejmë hijen që kërkon të zgjatet mbi të ardhmen tonë.

Çdo qindarkë që rrjedh nga dora e shqiptarit në arkën e atij që derdhi gjakun tonë, është një gur tjetër mbi varret e martirëve, është një shuplakë për nënën që humbi djalin në pragun e shtëpisë, është një heshtje e turpshme para atyre që dhanë jetën për të mos u gjunjëzuar kurrë. Prandaj, shqiptarë, mos e blini bukën e helmuar nga kujtimet e hidhura, dhe mos e sillni në shtëpi produktin e atyre që nuk na panë kurrë si njerëz, por si pengesa për t’u zhdukur si popull dhe për t’na zhdukur si kulturë.

Liria nuk matet me çmimin e ushqimeve, por me çmimin e ndërgjegjes sonë. Të jesh i lirë nuk do të thotë vetëm të mos mbash pranga në duar, por të mos mbash zinxhirë në shpirt. Mos ushqe hije me paranë tënde. Sepse tregu është sot fusha e re e betejës, dhe zgjedhja jote, e imja, e çdo shqiptari është arma me të cilën ose do të shporrim hijen e okupatorit, ose do ta ushqejmë derisa të na mbulojë të gjithëve. Liria nuk blihet, ajo mbahet gjallë çdo ditë edhe me atë artikull që prodhon (ish) okupatori që zgjedh të mos ta blesh, të gjithë të mos i blejmë artikujt e tij.

B) Ky dokument, nuk është më as një fjalim ceremonial dhe as një tekst për të mbushur arkivat e harresës. Ai është një akt ndërgjegjeje, një alarm moral që bie në një kohë kur shumëkush ka zgjedhur rehatinë e nënshtrimit në vend të barrës së lirisë. Është një thirrje që nuk i drejtohet vetëm institucioneve, por çdo shqiptari që ende beson se identiteti nuk është mall sezonal dhe se liria nuk është kupon zbritjeje. Shqiptarët e sotëm rrezikojnë jo sepse u mungon historia, por sepse po mësohen ta anashkalojnë atë. Po mësohen të thonë: “ç’rëndësi ka kush e prodhon, mjafton të jetë më lirë”; “politika s’na intereson, ne vetëm blejmë”, “koha ka ndryshuar”. Po, koha ka ndryshuar, por gjaku jo. Varret jo. Amaneti jo. Okupatori i djeshëm nuk ka vdekur, por ai ka ndërruar formë. Sot nuk vjen me çizme, por me oferta. Nuk vjen me tanke, por me kamionë mallrash.

Nuk të kërcënon me armë, por të josh me çmim më të ulët. Dhe shqiptari modern, i lodhur nga përgjegjësia, i thotë vetes se kjo gjë nuk është ndonjë mashtrim, por “realitet ekonomik”. Sa e lehtë është ta quash nënshtrimin “pragmatizëm”. Ironia është therëse: dje okupatori na dogji shtëpitë, sot na furnizon kuzhinat. Dje na vrau fëmijët, sot na shet qumësht për ta. Dje na mohoi gjuhën, sot na shtyp etiketat. Dhe ne, krenarë për “zgjuarsinë tregtare”, blejmë dhe heshtim, duke e quajtur këtë pjekuri. Ky nuk është realizëm, por kjo është amnezi morale. Çdo qindarkë që shkon drejt atij që mohoi ekzistencën tonë nuk është transaksion neutral, por është deklaratë politike, edhe kur bëhet pa vetëdije. Është votë pa kuti.

Është nënshkrim pa emër. Është mënyra më e re e të jetuarit nën hije, pa pasur nevojë për roje apo tela me gjemba. Mentaliteti “ç’të bëjmë, jeta është e vështirë” është justifikimi më i vjetër i robërisë. Liria ka qenë gjithmonë e vështirë. Edhe atëherë kur njerëzit flinin në male, hanin bukë misri dhe mbijetonin me plagë, prapë zgjodhën dinjitetin. Sot, me frigoriferë plot dhe ekrane të ndritshme, na duket e tepërt të mbajmë një qëndrim moral. Tregu është bërë fusha e re e betejës, por shqiptarët po hyjnë në të si spektatorë, jo si luftëtarë të vetëdijshëm. Zgjedhja për të mos blerë produktin e okupatorit nuk është ekstremizëm, por është minimum i dinjitetit. Nuk është urrejtje, është kujtesë.

Nuk është prapambetje, por është vazhdimësi historike. Të jetosh i lirë nuk do të thotë vetëm të mos kesh pranga në duar, por të mos kesh zinxhirë në ndërgjegje. Nuk mund të nderosh dëshmorët me fjalë, ndërsa i mohoni me veprime. Nuk mund të qash për historinë, ndërsa financon ata që do ta kishin fshirë atë. Prandaj, shqiptarë, mos jetoni nën hijen e okupatorit, as në mendje, as në treg, as në zakon. Sepse hija nuk largohet vetë. Ajo zgjatet sa herë që ti hesht. Dhe një ditë, kur të kërkosh dritë, mund të zbulosh se e ke ushqyer errësirën me duart e tua…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.