Nga: Isak A H M E T I
ZJARR QË S’SHUHET, libër me poezi, i veçantë, i poetit dhe shkrimtarit Engjëll Kengji, botuar nga SHB “SHPRESA” (redaktor: Don Nosh Gjolaj dhe recenzent: Isak Ahmeti), Prishtinë, 2005, fq. 85.
Ky libër të cilin po ju paraqsim kësaj radhe, ka parashenjën e vet dalluese: urtinë dhe filozofinë poetike të krishterë që është artikuluar në formën poetike klasike (tradicionale) dhe moderne njëkohësisht.
Libri hapet me një Parafjalë mjaft përmbajtësore, domëthënëse dhe intriguese, origjinale, të autorit të librit, ku ndër të tjera thekson, citojmë: “Ky libër dual në dritë pas shumë përpjekjesh, dy luftimesh. Thënë shkurt ishte një luftim me vetveten dhe unin-egon e nënvetëdijes shpirtërore. E gjithë kjo mbërthente në vullkanin e zjarrtë dhe fort të mundimshëm. Më në fund shpërtheu dhe për kohën e përparshme la mu në zemër një dankë e zhgënjim duke filluar me poezinë e parë në një periudhë tjetër rrumbullak pas njëzet vjetësh: “Poezitë e humbura”!… Falenderoj mikun tim Isak Ahmetin që më dha një shtytje për t’a realizuar këtë vepër…”.
Pas humbjes së poezive në dsh, shpërthen, pas njëzet vitesh, shpirti poetik i autorit me librin me një titull mjaft simbolik e domëthënës :
ZJARR QË S’SHUHET!
Ky vëllim poetik, i një ZJARRI QË S’SHUHET, përmban poezi që shquhen për larmi formash , temash dhe motivesh. Vlen të theksohet se poezitë e këtij libri përmbajnë në vete mprehtësi refleksionesh dhe lartësi morali e shprese; rrezatojnë begati aluzionesh dhe ironi ndaj fenomeneve të jetës, që për asnjë çast nuk bien nën lartësinë dhe shkëlqimin njerëzor e intelektual të poetit. Në këtë libër bota e vendlindjes së poetit është fort e pranishme si botë njerëzore e tij, si besim dhe parim etik, si ashpërsi e jetës në mërgim, si individualitet në hapësira të tjera, si filozofi jetësore por edhe si raport ndaj dimensioneve të kohës, si raport ndaj jetës, ndaj njeriut, ndaj Hyjit dhe Kosovës.
Ç’është e vërteta, Engjëll Kengji me këtë vepër poetike imponohet mjaft natyrshëm si krijues i veçantë, origjinal, që me sinqeritet dhe përkushtim të veçantë i këndon jo vetëm Zotit dhe Qiellit hyjnor por edhe Kalvarit të jetës në mërgim. I këndon fuqishëm edhe Lumturimit të Nënës Tereze, etj. Fjalët e tij poetike kur e kur shndërrohen në lule-virtyte ngjashëm si te Vinçenc Prenushi (Khs. Alfred Çapaliku: At Vinçenc Prennushi, Botues Universiteti i Shkodrës, Shkodër, 1996).
Ndonëse krijimtaria poetike e Vinçenc Prennushit përfshihet vetëm në një vëllim, për nga pesha e mendimit, lartësia qiellore dhe gjerësia tokësore e frymëzimit, niveli artistik, origjinaliteti i spikatur në formë e përmbajtje, nga lidhja dhe shkrirja me perlat folklorike, erudicioni intelektual dhe komunikimi i menjëhershëm poetik, gjason për shumëçka me vëllimin e vetëm poetik të poetit Engjëll Kengjit me atë të Prennushit ku virtytet na duken lule ! Është bleruese poezia e vëllimit ZJARR QË S’SHUHET sikundër që është bleruese edhe poezia e Prennushit në kopshtin e tij poetik…
Ç’është e vërteta, poezitë e këtij vëllimi në fjalë kur më pak e kur më shumë ia kthejnë shpresën dhe besimin tek jeta, tek jeta tokësore që.për poetin, në kuptimin filozofik të krishterë është “…ëndërr si gjithmonë”, por vetëm përballë jetës së amshuar, në QIELL, në QIELLIN HYJNOR, ku, sipas poetit, studiues dhe njohës i mirë i filozofisë dhe teologjisë së krishterë, nuk ka padrejtësi, urrejtje dhe pabesi.
Ndonjëherë vargjet e tij na dalin edhe si urti popullore dhe filozofike, si shkëndijat që vezullojnë kur takohen bashkë: Njohja dhe dashuria, mendja dhe zemra. Kështu prandaj kur e kur janë këto vargje lule-virtyte-fjalë të një njeriu dhe poeti shumë të ndjeshëm që zbret në stuhitë e jetës dhe atje ndien dhembje e zemrim, humbje e largim, të cilat më në fund prodhojnë një ton elegjiak e personal. Natyrisht vargjet e këtij vëllimi i përshkon ndonjëherë edhe një frymë humori e sarkazmi ndaj veseve të mbrapshta të njerëzve. Mjaft simpatik është edhe fakti se ky poet nuk i ka harruar as më të vegjëlit. Kështu p.sh. te poezia me titull:
TË DREJTAT E FËMIJËVE, me pak vargje ka dhënë jo vetëm këshilla për më të vegjëlit por edhe porosi me dimensione universale. Në të vërtetë e drejta, dashuria, mirësia, Qielli hyjnor, shpresa, besimi etj.janë vetëm disa nga kategoritë fundamentale që i hasim në poezinë e Engjëll Kengjit, poezi kjo që kur lexohe me kujdes dhe përkushtim, sidomos në këto kohë krizash (morale dhe intelektuale) të.krijon gjithsesi një freski dhe kënaqësi shpirtërore. Edhe në këtë prandaj qëndron një prej vlerave të veçanta të këtij vëllimi poetik që buron sinqerisht dhe spontanisht nga zemra dhe, kur lexohet me kujdes dhe përkushtim, të ngulitet thellë në mendje dhe zemër. Ashtu qoftë!