(Mazllum Saneja: Ndërmjet jetës dhe vdekjes, poezi, Saga, Prishtinë 2018).
Shkruan: Isak A H M E T I
Poeti Mazllum Saneja, i njohur në letrat shqipe dhe polake edhe si përkthyes i afirmuar nga shqipja në polonisht dhe anasjelltas, kohë më parë nxori në dritë librin e tij më të ri me poezi me titull: Ndërmjet jetës dhe vdekjes, ku vezullon fuqishëm fjala poetkike, arti i fjalës, fuqia poetike shprehëse-figurative.
Ky libër, që vjen si rezymim i një përvoje të gjatë krijuese, mbi dyzetvjeçare, i redaktuar nga poeti Agim Gjakova, hapet me poezinë emblematke-programatike me titull: POETI, ku shprehet qenësia e shpirtit, e jetës së poetit, që jeton në një epokë të çthurur, jeton mes jetës dhe vdekjes, mes jetës dhe artit, mes jetës, vdekjes dhe artit, i trishtuar thellë, por që qëndron i pathyeshëm, shpesh i rezignuar me jetën e një mërgimtari të përlotur, por që nuk dorëzohet. Për ta shijuar bukurinë e kësaj poezie,për lexuesin po e japim këtu, tekstin e saj në tërësi:
POETI
Thellë në mua
trishtim
i epokës sime.
Qëndroj
nuk dorëzohem
para bubullimave në botë.
Gjithnjë jam
me të munduarit
të humburit skamnorë.
Reth e përqark
këtij kozmosi të shthurur
me kontradikta.
Ndiej se gjithnjë e më shumë
zëri im humbet
në shkretëtirë.
Kjo botë e shurdhër
plot zjarmi
botë marramendëse.
Nga çdo anë e botës
bërtas e çirrëm
fillikat vetëm.
Mendime të llojllojshme
më përshkojnë
për epokën time
të pandjeshme.
Librin e tij në fjalë poeti e ka strukturuar në pesë pjesë , në pesë cikle:
I. Mall…
II. Ndërmjet jetës dhe vdekjes
III. Sytë e mi të gëzuar në botën e helmuar
IV. Shtëpia e vetmuar, dhe
V. Shokët e mi besnikë të fjalës.
Ky libër që sapo ka dalë nga shtypi, është edhe një dëshmi e fortë se poeti, eseisti dhe përkthyesi i afirmar letrar, Mazllum Saneja, që jeton dhe vepron mbi dyzet vite në Varshavë, e zotëron për mrekulli artin e fjalës poetike, gjuhën poetike që e bën thelbin e letërsisë. Është ky një poet i veçantë, me një bagazh kulturor solid, me një përvojë të gjatë krijuese, kualitative, është poet që njeh dhe zotëron aftësitë shprehëse-figurative të shqipes, gjë që shprehet edhe në librin e tij më të ri, libër ky me vlera shumështresore, me një ngjyrim autentik. Ky libër me poezi, artistikisht i arrirë, shpalos shpirtin fisnik të poetit, botën shpirtërore të tij, të trazur edhe për faktin se ai bashkëndjen dhe bashkëvuan thellë me njeriun e munduar, me të humburit skamnorë:
“Gjithnjë jam
me të munduarit
të humburit skamnorë”
(Poeti).
Vlen të theksohet se poezia e këtij libri, titulli madje edhe vetë titujt e poezive reflektojnë këtë qenësi,reflektojnë këtë gjendje, reflekton shpirtin dhe mallin e poetit jo vetëm për vendlindjen por edhe për më të dashurit e tij; në këtë kontekst shquhen poezitë si: Psherëtimë(Tim at), Shtëpia ime(Hijes së ndritur të Nënës sime), Pranverë e tunxhtë (Kujtimit të vëllaut), Shyhretja (Në kujtim të motrës), etj.
Libri në fjalë ka tematika të ndryshme, por harmonishëm shkrihen dhe krijojnë një tërësi; gjithçka është ndërtuar bukur, gjithçka është thënë bukur, poetikisht, përmes fjalës që është simbolika e ekzistencës; është fjala autentike, e latuar, e poetit, që në vetvete përfshin jetën e poetit mërgimtar, shpirtin e tij të vuajtur, dhe jo vetëm të tij, atë që mund të rrëfehet ose atë që bëhet pasazh meditimi:
“Poetët nuk vdesin
Poetët i vrasin!”
– thotë në një vend poeti Saneja.
Poezia e këtij libri ka forcë magjike, ka gjallëri, ka inteligjencë e teknikë poetike sa tradicionale aq edhe teknikë poetike moderne, elitare. Arti poetik i tij, që lëxohet me një frymë dhe që të krijon kënaqësi estetike, t’afron me njeriun, me njerëzoren, me Kosovën, sepse ngërthen në vete diçka misionare…
Si poet Saneja ka një ide poetike, një performancë origjinale, të ngjeshur me ndjenja sublime, ai përçon mesazhe sublime për njeriun, për lexuesin kudoqoftë ai. Pas leximit të teksteve poetike të këtij libri, lexuesi ndjehet disi më i relaksuar shpirtërisht, ndjehet kur e kur edhe i mallëngjyer, ndonjëherë edhe i rebeluar,madje kur e kur edhe i rilindur.
Saneja është poet i afirmuar, por edhe skrupuloz, është poet me një afinitet të rrallë, të veçantë, origjinal, poet që qëmton fjalën, e zgjedh dhe e përdor atë duke i dhënë fuqi shprehëse, dritë vezulluese.